HOTI-GRENELLIT: NUK MUND TË MARRË PJESË NË TAKIMIN NË SHTËPINË E BARDHË/
KOSOVA NË ZHVILLIMET PAS AKTAKUZËS SË SPECIALES/
-Shyhet vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës/
-Edhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti bëri të ditur se e ka njoftuar Ambasadorin Amerikan Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë/
PRISHTINË, 25 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ “Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit, të datës 23 qershor 2020”, që ishte në axhendë për ditën e sotme në orën 10:00, është shtyrë.
“Me kërkesë të propozuesit të rezolutës dhe pajtim të grupeve parlamentare, shtyhet vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit, i paraparë për sot në orën 10:00. Për kohën e mbajtjes së saj, do të vendosë Kryesia e Kuvendit”, theksohet në njoftimin e dërguar sot nga Kuvendi i Kosovës.
Në seancën e nisur në 23 Qershor në axhendën 8 pikëshe e fundit ishte “Raportim i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debat parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, sipas kërkesës së Kryesisë së Kuvendit.
Grupi Parlamentar i PDK-së propozoi miratimin e një rezolute, e cila në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim dhe vazhdimi i seancës e votimi u paralajmërua për sot.
Arsyeja e shtyrjes nuk u njoftua zyrtarisht, por duket se shtyerja me kërkesë të propozuesit të rezolutës u bë pas zhvillimeve të djeshme, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.
Presidenca dje kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me anulimin e vizitës zyrtare në SHBA, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës tashmë e ka informuar edhe Shtëpinë e Bardhë.
Edhe kryeministri I Kosovës Avdullah Hoti deklaroi sot se, “për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën”.
Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se e ka njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri i Kosovës Hoti ndodhet në Bruksel për takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
***
NË LDK NUK KA KONFUZION…
Shkruan në FB: Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa
Në LDK nuk ka konfuzion se a duhet të shkojë Kryeministri në Washington apo jo.
LDK beson fuqishëm në SHBA-të.
Për ne Washington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan.
Në Washington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet ti prijë delegacionit.
Është e mjerueshme të mendohet e të shkruhet se z. Hoti si Kryeministër e ka tani shansin të shkojë e ti prijë delegacionit, pasi tani nuk është Thaçi për shkak të Gjykatës Speciale.
Nuk kemi të bëjmë me Z. Thaçi dhe z. Hoti por kemi të bëjmë me shtetin e Kosovë.
Bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe BE nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me proceset dhe procedurat e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale.
Në situatën e krijuar, para se të takohemi me Vuçiqin nevojitet të takohemi edhe një herë mes veti, të ulemi të gjithë bashk të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje. IM