Nga Arjan Th. Kallço/
100 vjet më parë, në agimet e shekullit të ri, kur Europa po parapërgatitej ethshëm për Luftën e parë, më 7 nëntor 1913, lindi Albert Kamyja, filozofi, shkrimtari, dramaturgu dhe eseisti i madh francez që mori Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1957. Mes formave të shumta të ekzistencializmit, si p.sh njeriu krijues i thelbit, ai mund të konsiderohet me të drejtë babai i një ekzsitencializmi të shekullit të 20-të, jashtë kontureve të atyre të mëprashëm, pra i atij ateist dhe agnostik. Tregimtaria e tij filozofike mori shkas nga konfuzioni i madh ideologjik, filozofik dhe estetik në dekadat e para të shekullit të kaluar dhe pështjellimet ekzistenciale ku lëkundej shoqëria europiane në kufijtë tragjikë midis dy luftrave.
Kamyja i bën analizën e duhur shoqërisë së asaj kohe dhe gjen tek ajo një koncept tejet absurd të jetës, i pasqyruar tek individi: një njeri absurd në një shoqëri absurde. Absurdi nuk ishte më një kërkim jashtë jetës në rrethanat përjashtuese të ekzistencës, në faktorë të mbinatyrshëm përtej reales, por midis njerëzve, kjo përbën dhe thelbin e filozofisë së tij, absurdi i njeriut – si gjendje e huaj dhe reale. Miti i Sizifit është ideja kyçe e absurdit të shoqërisë që nuk ka shpëtim, nëse Sizifi lihet i vetëm në sipërmarrjen e tij të pashpresë. Dhe në fakt ai (njeriu) nuk do ta vuante problemit ekzistencial që sipas tij kërkon një zgjidhje dhe për ta zgjidhur duhet gjetur një kurë efikase të cilën ai e shihte vetëm tek solidariteti njerëzor, pasi është i vetmi në gjendje që mund ta prodhojë. Por një shoqëri kapitaliste që bazohet tek paraja, a mund ta themelonte përsëri vetveten dhe të krijonte premisat për një ndryshim? Atëherë ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur që ky parim i natyrshëm dhe i brendshëm i shoqërisë të gjente zbatim. Mjafton vetëm ta përmendim fjalën luftë dhe ia kemi hequr përfundimisht natyrën humane dhe solidare shoqërisë. Kamyja e shihte një fije shprese që e thënë më qartë gjendet vetëm përmes procesit të ndërgjegjësimit, i cili do të na hapte horizonte të reja dhe kjo shihej si një stimul intelektual i rëndësishëm. Mund tw themi se i vetmi qëllim i jetës dhe punës së tij ishte lufta kundër padrejtësive në shoqëri, si dhe shprehja e humanizmit të pakët në të, ai i dënimi me vdekje. Motoja e tij mund të shprehet tek mendimi : “Nëse natyra e dënon njeriun me vdekje, të paktën njeriu të mos e bëjë atë”.
Përballë tij një tjetër gjeni e kishte formuar mendimin filozofik, Jan Pol Sartri, filozof, shkrimtar, kritik letrar dhe dramaturg. Kishin shumë gjëra të përbashkëta për nga profesioni, por krejt të kundërt në mendime, duke filluar nga idetë politike që më vonë u bënë shkas për debatet e tyre tashmë të njohura qw çuan deri nw njw mospajtim tw pwrhershwm. Nëse duam të japim pikëndarjet mes tyre, mjafton të shohim pikëpamjet apo këndvështrimet: Kamyja e shikonte tw realizueshme mundjen e absurdit, duke iu drejtuar revoltës së brendshme dhe solidaritetit, ndërsa Sartri mendonte se gjithçka varet nga njeriu qw wshtw dy herë i lirë : i lirë dhe i lirë në zgjedhjet e veta. Njeriu është e vetmja qënie që i jep kuptim botës dhe mund ta përmirësojë me punën e vet, por pa e mohuar edhe revolucionin. Ndarja e tyre nënkupton më parë një shoqëri, miqësi, takime të shumta dhe përplasje idesh për problemet e mendimeve, pasi nuk mund ta kuptosh atë pa një njohje të mëparshme. Së fundmi u gjend një letër që miku ia drejton mikut, një mesazh tipik i shkurtër mes dy njerëzve që detyrimisht e kërkonin njëri-tjetrin, e frekuentonin njëri-tjetrin, i pabotuar më parë. Albert Kamyja i shkruante Sartrit një ftesë takimi, si dy njerëz që kishin diçka për të komunikuar, larg koncepteve tw papajtueshwmrisw me kundwrshtarin dhe prej saj shohim se hidhet dritë mbi marrëdhëniet reale mes dy filozofëve. Letra përmban emrin e qytetit dhe këto fjalë hyrëse:
Paris
“I dashuri im Sart (…) më njofto kur të kthehesh dhe do të kalojmë bashkë një mbrëmje të çlirët”.
Kjo letër tepër e vyer, edhe pse kanë kaluar kaq vjet, u gjend midis faqeve të një libri që një koleksionist e bleu nga disa librashitës të Orleansit. Disa autorë që u morën me studime për jetën dhe veprën e tyre kanë shkruar edhe për marrëdhëniet mes tyre, por letra konfirmon se Sartri dhe Kamyja kishin marrëdhënie shumë të mira miqësie. Dorëshkrimi ishte lidhur në vitin 1966 bashkë me bocën, që më pas u botua në 60 kopje nga Sartri, vetëm pak kohë pas vdekjes së Kamysë. Letra nuk ka të dhëna datore, por mendohet se mund t’i përkasë periudhës 1943 – 1948 kur u njohën dhe kur marrëdhëniet e tyre u prishën.