Nga Petrit Kuçana/Drejtor i gazetës “The Albanian” Londër/ “Nëse ju nuk ju pëlqen ambasadori, atëherë që në këtë moment unë e anuloj takimin”. Kjo ka qenë përgjigja e prerë që u erdhi njerëzve të Ramës disa vite më parë në Britaninë e Madhe, ndërsa u orvatën t’i mbushnin mendjen Lord Dubs, që në takim të mos e merrnin ish-ambasadorin Berisha, pasi “nuk e kishte në qejf” kryeministri. Fisnikëria e Lordit britanik, përtej buzëqeshjes dhe pritjes së ngrohtë ndaj kryeministrit shqiptar, kurrsesi nuk e kaloi atë që quhet procedurë, protokoll, (të qenurit shtet). Nuk ishin të paktë ata që u befasuan kur e panë kryeministrin Rama siç e do zakoni përkrah Ambasadorit Mal Berisha…
Ky incident të kujtohej ndërsa merrje ftesën me firmën elektronike “Miqësisht Edi Rama” për Samitin e Diasporës dërguar muaj më parë. Vërshimi i reagimeve nga mërgimtarët shqiptarë në të katër anët e botës, ku u refuzua në masë një ftesë e tillë duke filluar nga “Vatra” e Amerikës e deri tek shoqatat që “nuk i kishin punët mirë” me ambasadat, bëri që kryeministri të kalonte në planin B; aplikimet online. (Madje atyre që kishin konfirmuar pjesëmarrje iu kërkua që të dërgonin biletën, për t’u siguruar që do të vinin)
Shkurt e shqip çdo emigrant (dhe jo vetëm) mund të aplikonte në webin e hapur për samitin, për të siguruar një ftesë formale me qëllimin e vetëm mbushjen e sallave. Ishte krejt normale që në samit të takoje njerëz bie fjala që kanë ikur prej vite e vitesh nga Londra dhe ishin si përfaqësues “të emigrantëve” të Londrës, pa përfshirë ata që as vetë nuk e dinin se pse ishin aty. Besohet se edhe vetë kryeministri është i vetëdijshëm se Samitit së paku nuk ishte përfaqësues, por për organizuesit do të mjaftonte mbushja e sallave, ku patjetër ishte e rëndësishme që pamja vizuale.
Diaspora u përça
Me dhjetëra shkrime paralajmëruan dështimin e të ashtuquajturit samit, organizuar nën kujdesin e kryeministrit Rama, por mbushja e sallave, (nuk kishte vend për të hedhur një kokërr kumbulle në pallatin Mbretëror tha kryeministri). Kryeministri Rama arriti të mbushë sallat, ashtu si mjerisht suksesshëm, arriti të përçajë më mënyrën më të paparë që nga vitet e pas luftës së dytë botërore. Çfarë do të ndodhte nëse këtë samit do ta organizonte bie fjala ndonjë institucion i parlamentit si Komisioni i Jashtëm Parlamentar, në bashkëpunim me institucionin e Presidentit të republikës?
Aq e madhe ka qenë kjo ndarje, saqë kërkimi i faljes nga kryeministri, (mbase hera e parë që kërkon falje si kryeministër) nuk shërbeu për asgjë, thjesht ishte një show mediatik, pasi që në krye të herës ka qenë i vetëdijshëm për këtë. Caktimi i diskutantëve apo përfshirja e disa zyrtarëve të Kosovës apo të trojeve të tjera shqiptare, të shoqëruara me fjalimet e ngjyrave të thekshme folklorike, duke ngacmuar edhe nervin e pastër dhe idealist të mërgimtarëve, ishin thjeshtë një tentativë për të fshehur plagën e madhe që u hap në diasporë, “delegatët e Ramës” dhe “refuzuesit e Ramës”. Në shumë shkrime dhe komente u cilësua edhe si “Mukja e dytë” apo “Asambleja e Partisë Socialiste”, “Diaspora e Ramës” etj etj, dhe nuk dihet se kush do të mendonte ndryshe, kur në këtë organizim jo vetëm që opozita u mënjanua tërësisht dhe sidomos institucioni i Presidentit të Republikës dhe gjithkush e vinte re nga fjalët me superlativa që i shkonin Ramës, e deri tek pyetjet të stisura dhe të përgatitura. Çdonjëri që beson ndryshe do t’i mjaftonte të dëgjoje të ashtuquajturin “bashkëbisedim me Ramën”, për të kuptuar se aty nuk ishte diaspora. Kurrsesi. Ishin thjeshtë disa idealistë të pandreqshëm dhe ithtarë të kryeministrit. “Zanati ynë na detyronte të ishin të pranishëm, për të përcjellë këtë aktivitet. Mbase nuk është e rëndësishme për të përshkruar të ashtuquajturat debate nëpër konferencat e ndryshme, sesa i bashkëbisedimit me kryeministrin.
Lufta për mikrofonin
Ishte më tepër se tragji-komike kur shikoje “shpërndarësit e mikrofonit” me kufje që merrnin udhëzime nga lart, nga ndonjë regji qendrore, por u ndjeva i lumtur që u gjenda së bashku me disa miq të mi nga Londra, jo thjesht të majtë, por edhe drejtues të degës së këtushme të Partisë Socialiste . Me patjetër që donim të flisnim dhe të pyesnim, por “djali i mikrofonit” shmangej largohej me gjithë insistimin tonë të vazhdueshëm. Thjesht kërkuam ndihmën e miqve rreth e rrotull, që mund të kërkonin mikrofonin, por djali i mikrofonit vazhdonte të shkonte gjithandej vetëm tek neve jo. Mbi dhjetë veta në grupin tonë, duke përfshirë edhe miqtë tanë të majtë insistuam, por mikrofoni nuk vinte. Një ndër shqiptarët e suksesshëm të Britanisë z. Renis Gjoka mundohej që të insistonte për marrjen e mikrofonit, por “djali me kufje” i mikrofonit megjithëse konfirmonte se do të na sillte mikrofonin, largohej për të shkuar gjithandej, vetëm tek ne jo. Kur shikon se ka kaluar rreth një orë që insiston për marrjen e atij dreq mikrofoni, vë një bast me Renisin, jo të vogël, £5000 paund që nuk do na sjellin mikrofonin. U kërkojmë të gjithëve që ta ngrenë dorën, Ermirit që kërkon të hapë një Universitet në Shqipëri, një shqiptari të Turqisë, një vajze bukuroshe që nuk dinim nga cili shtet ishte, se mbase do ia ndryshonte mendjen “djalit me mikrofon”
Për mua do të mbeten të paharrueshme skenat, kur miku im inxhinier i suksesshëm, Elsion Bajrakurtaj kryetari i FRESH- Londër, pas insistimit për sjelljen e mikrofonit përdori humorin anglez me theksin e bukur të Shkodrës “Mos hajde këtu, dil jasht e jepja ndonjë burri” dhe deri tek gjesti shqiptar që nxjerr portofolin duke i kërkuar sjelljen e mikrofonit në shkëmbim të parave… Asnjë nga këto nuk funksionoi, ndërkohë që tronditeshim nga pyetjet që bëheshin, me “i nderuar zori kryeministër i të gjithë Shqiptarëve” tek sygjerimi për të kontribuar me 10 dollarë, tek shkrimtarët që kishin probleme për botimin e librave të tyre e dreqi i mallkuar nuk e merrje vesh se si bëheshin ato pyetje… Kjo ishte diaspora?!!! Trup e faqja e zezë. I rikujtoj mikut tim Renisit shumën e £5000 paundëve dhe pas një lufte e merr mikrofonin nga një i pranishëm që foli. Ngrihem të pyes kryeministrin por mikrofoni ishte i fikur. Regjia lart nuk e pa “të arsyeshme që ne të mos pyesnim” dhe më tepër se nervozizmi në ato raste, të kujtoheshin reagimet e ndryshme, kur të mohohet e drejta e fjalës; të qëlloje me këpucë orkestruesin, regjizorin, të përplasje mikrofonin dhe të ikje në mënyrë demonstrative?
Më shumë keqardhje ndjeja për shqiptarin e mirë Elsion Bajrakurtaj që është edhe kryetari i FRESH-it në Londër, sytë e pafajshëm të Renisit që habitej se si mund të ndodhte kjo, sesa për kryeministrin që më shikonte tek kërkoja fjalën në këmbë me mikrofon të fikur… dhe ndërmend të vinin fjalët e Arben Manajt se Samiti ishte një farsë…
Monologu i kryeministrit
Cila mund të jetë fjala më e përshtatshme në shqip, që mund ta përshkruajë atë samit, apo atë bashkëbisedim me kryeministrin?Marre, turp, faqja e zezë, turp e faqja e zezë, u koritëm, u marruam… ata janë diaspora? Kurrsesi. Ishte thjeshtë pasqyrim i të ftuarve të Ramës, “kryeministrit të kombit” dhe ato pyetje kurrsesi nuk përfaqësonin diasporën. Rama thjesht poshtëroi diasporën, u tall në mënyrën me të skajshme, më cinike. Ku ishin me qindra mijëra profesorë e doktorë që ligjërojnë në universitetet britanike dhe në ato në botë? Ku ishim artistët e sipërmarrësit, ata që kanë shërbyer dhe shërbejnë si ambasadorë të shkëlqyer të vlerave më të mira shqiptare? Ku ishin ata qytetarë të thjeshtë që t’i thonin kryeministrit se nuk dëgjuam asgjë nga ty, qoftë edhe një kërkim fjale për mosmbajtjen e premtimit që ka dhënë me zë dhe me figurë, për të drejtën e votës?
Si nuk e pyeti askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar se që në tre vite e gjysmë nuk e ka përmendur (qoftë edhe përmendur) tre herë fjalën diasporë apo të ngrinte probleme që lidhen drejtpërdrejt me emigrantët kur bie fjala aeroporti i Rinasit është me i shtrenjti në rajon dhe më gjerë, dhe që Mali i Zi që ka pak më shumë banorë se gjysma e Tiranës dhe ka dy aeroporte?
Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar përpara diasporës, ku me gjithë ato miradi fjalësh që foli për ta, nuk shpjegoi se kush e ka qenë ai bir…nëne që e ka penguar atë që në këto tre vite e gjysmë, të hapte së paku një ministri për diasporën si Kosova, ta pyeste se cilin model shteti kishte ndjekur qeveria e tij për këtë çështje, se si është e mundur që biznesmenë të suksesshëm shqiptarë nga Londra apo më gjerë, nuk guxojnë të investojnë në Shqipëri?
Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar, që nuk i tregon diasporës bie fjala se sa është minimumi jetik, konkretisht sa para i duhet një qytetari shqiptar për të mbajtur frymën gjallë, para këto që paguhen nga diaspora, pasi janë mbi 400 mijë frymë që mbijetojnë për kafshatën e gojës?
Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar që në vend të ambasadorëve më të mirë shqiptarë nëpr botë, profesorë, doktorë etj etj, zgjodhi kriminelë dhe i futi në parlament e që disa prej tyre kanë përfunduar në burg, duke e kthyer parlamentin shqiptar në strehë kriminelësh?
Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar, që e ktheu Shqipërinë në vendin e shpresës së munguar, ku ikja mbetet e vetmja shpresë, apo t’i bëntë një pyetje të sinqertë, se si është e munguar që një mërgimtar që punon në perëndim e ka rrogën mesatarisht dy herë më të madhe se një ministër, por nuk ka arritur të ketë vila në bregdet, apo pasuri të paimagjinueshme? Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama, nëse ndjehej i turpëruar se si “kryeministër i të gjithë shqiptarëve”, nuk ka bërë asgjë përveç fotografive dhe demagogjisë dhe se nuk ka një rezultat konkret pas dy mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive të dy shteteve shqiptare, dhe që vazhdon të tundë si sukses unifikimin e një abetareje?
Si nuk e pyeti askush se si është e mundur që prej tre vite e gjysëm nuk u kujtua njëherë për diasporën dhe u kujtua vetëm pak muaj para fillimit të fushatës elektorale, ndonëse disa e lavdëruan pë idenë e gruas,(kaq serioze!!!). Si nuk i kërkoi askush, qoftw edhe nga ata qw donin tw besonin se ishte iniciativw e mirw qw kryeministri Rama t’i numëronte vetëm tre gjëra që ka bërë për diasporën, në tre vite e gjysmë të qeverisjes së tij?
Diaspora si streha e fundit… e kryeministrit
Po me patjetër që dikush duhej ta lavdëronte kryeministrin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për diasporën, shtimin e numrit të saj. Dikush duhej t’i tregonte se vetëm në Britani të Madhe nga janari në shtator të këtij viti sipas BBC-së (që nuk është media kazani) janë regjistruar 706 fëmijë shqiptarë, katër herë më shumë se sirianë dhe se ne nuk dimë si t’u përgjigjemi miqve tanë britanikë kur pyesin se çfarë po ndodh në Shqipëri. E mbase me patjetër do të konsideroheshin si shumë politike shumë pyetje të këtilla, por të paktën dikush ta pyste krejt sinqerisht, se a ka ndonjë strategji kryeministri për të ndihmuar ata shqiptarë që u detyruan të largohen, pasi nuk mund të paguanin faturat e milionëshe të energjisë elektrike, ato pesë mijë eurot për një vend pune etj etj, (dhe që të paktën në Britani tashmë janë në mbijetesë, që janë mbi 18 vjec dhe nuk guxojnë të rregjistrohen). Dikush duhej t’i thoshte kryeministrit se burgjet e Britanisë po mbushen me shqiptarë…
Por këtë kryeministri Rama e dinte, prandaj fasada ishte e rëndësishme, me drita e ngjyra, me banderola në sheshin Skënderbej, e me çmime e lajka, se kështu do të hyjë në histori… që pas Ismail Bej Vlorës ishte Rama që mblodhi diasporën… dhe me patjetër sulmi ndaj Greqisë dhe folklori kuq i zi do i çonte peshë qoftë edhe për një moment, zemrat idealiste të shqiptarëve në çdo truall ku jetojnë, apo edhe në diasporë… Por ata që ishin të pranishëm në këtë samit, qoftë edhe ithtarët me të flaktë të tij, që jo domosdoshmërisht ndjekin zhvillimet politike në Shqipëri, thellë thellë e besojnë se Diaspora shërbeu si streha e fundit… e kryeministrit Rama.