Ministria e Mbrojtjes mbetet një nga institucionet më të mira të vendit. Jam i bindur se nuk janë bërë shkelje dhe abuzime, thotë për DW, ish ministri i Mbrojtjes, Arben Imami/
Deutsche Welle: Zoti Imami, e quajtët hakmarrje politike gjithë padinë që paraqiti publikisht ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli? Jeni i sigurtë se nuk ka pasur shkelje gjatë kohës që ju drejtuat këtë dikaster? Kodheli e arsyetoi padinë me fakte të mirëargumentuara, ju vetë keni fakte të tjera?
Arben Imami: Prej dy vjetësh ndaj ministrit dhe Minisrisë së Mbrojtjes ka pasur një sulm të vazhdueshëm nga partia socialiste lidhur me menaxhimin e kësaj ministrie. Në vijëmësi kam sqaruar opinionin publik dhe kam hedhur poshtë çdo akuzë, me shifra dhe me fakte, pra me gjithçka që është me vlerë për opinionin publik. Natyrisht që këta akuzatorë të djeshëm dhe të sotëm do të duhej që të vërtetonin ato teza themelore lidhur me trafiqe armësh, lidhur me keqpërdorimin e pronave, lidhur me shkarkimet e paligjshme të gjeneralëve deri edhe në përdorimin e karburanteve për fushatën e partisë demokratike, të cilat u provuan që janë krejtësisht, krejtësisht akuza fallse. Atëherë u ndërtua një akuzë për një prokurim lidhur me ministrinë e mbrojtjes. Nga pikpamja procedurale nuk pati gjë. Por kjo vijëmësi sulmesh, e cila u mbyll me një dështim, më çon tek mendimi që është një hakmarrje politike e lidhur me pozicionet politike të 2011 dhe me sa duket partia socialiste dhe zoti Rama nuk ka pasur rrugë tjetër, por të hartojë qoftë edhe do si do një akuzë ordinere.
Pra ju mendoni se të gjitha akuzat janë shpifje, ndërkohë që ministrja Kodheli për DW deklaroi se janë fakte të pamohueshme të gjitha paditë duke besuar grupin me ekspertë që kanë punuar për të zbardhur me detaje të gjitha shkeljet apo abuzimet.
Edhe unë si Arben Imami po flas me ju vetë, pra vetë me Deutsche Wellen. Edhe ne vetë me ekspertë kemi punuar, nuk kemi punuar me njerëz nga rruga. Kjo është një çështje që të gjitha faktet konkrete do të shqyrtohen dhe sigurisht që kjo do të bëhet nga organet kopetente. Por ajo që tërheq vemendjen unë është fakti që kjo çështje nuk ka lidhje me menaxhimin e ushtrisë dhe me sulmet e vijueshme për dy vjet rrjesht.
Zoti Imami, thuhet se ushtria në kohën tuaj është kthyer në bazë logjistike të partisë demokratike?
Kjo është krejtësisht e pavërtetë, kjo akuzë sigurisht që do të bie ashtu sikurse kanë rënë edhe të tjerat. Kjo është e tëra politikë. Absolutisht të gjitha akuzat janë sulm politik, ka edhe një element personal, por është i parëndësishëm. Unë e kam deklaruar edhe këtë. Pra është një sulm për të denigruar personalitetin e një drejtuesi të partisë demokratike.
Zoti Imami, dikasteri juaj sikurse e përmendët vetë ka qenë në fokus të akuzave edhe më herët nga partia socialiste. Pyetja është se ju a e keni pasur nën kontroll këtë dikaster dhe a jeni në dijeni për shkeljet apo abuzimet që janë bërë në këtë dikaster kur iu ishit në krye të ministrisë?
Ato akuza për të cilat janë bërë kanë qenë akuza të mëdha dhe të rëndësishme dhe që lidhen me thelbin e ministrisë së mbrojtjes. Të gjitha ato akuza kanë rënë, një. Së dyti, Ministria e Mbrojtjes ka qenë dhe besoj do të mbetet një nga institucionet më të mira të këtij vendi dhe unë jam i bindur që nuk ka shkelje dhe nuk ka abuzime.
Nuk ka shkelje edhe me shpenzimet e bëra në favor të PD, duke shpërdoruar fondet publike për fushatë, zoti Imami?
Shpenzimet për reklamat nuk janë bërë gjatë kohës së fushatës. Shpenzime janë bërë vetëm për një ushtri të NATO-s, për mobilizimin, për ndihmën që ka dhënë ushtria në emergjenca. Kjo e tëra është e parashikuar në buxhetin e shtetit me ligj dhe sigurisht që është shpërdoruar mbi bazën e e ligjit.
Tashmë pas padisë, çfarë rruge do të ndiqni zoti Imami?
Rruga ime, sepse unë vetëm një rrugë kam, është rruga që kam pasur gjithë jetën time, rruga ime nuk ndryshon. Sigurisht që respekti për ligjin është mbi gjithçka.
Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi