Nga Arjan Th. Kallço/
Koha, me të drejtë apo jo, është fakt të cilin nuk mund ta ndryshojmë dot, ndahet në dy pjesë: koha që nuk është e jona, e shkuara dhe koha që është tërësisht e jona, e tashmja, e jetueshme, e zotërueshme, e shpjegueshme. Nëse kohën e sotme nuk e kapim në udhëtimin tonë, pra ndihemi të pazotë që ta bëjmë tonën, të shkuarën nuk mund ta kapim dhe as mund ta kuptojmë plotësisht. Koha e sotme në thelbin e saj është reale dhe ne përballë saj nëse duam jemi racionalë, koha e shkuar mund të konsiderohet reale vetëm nga paraardhësit, ndryshe nuk do ta zbulonim kurrë dhe para saj do të ishim irracionalë, pra në art do të mbizotëronin emocioni, finksioni dhe një imagjinatë e pafund nëpër vepra. Koha e pajetuar ngjan me një të panjohur që fizikisht nuk e ke përballë, edhe nëse e ke nuk arrin dot ta zhbirosh, ndërsa koha e tashme fizikisht është e perceptueshme dhe e vrojtueshme dhe si e tillë edhe e tregueshme. Të vërtetat tek kjo kohë nuk kanë nevojë për zbulime, por vetëm për shpjegime dhe interpretime, sepse realisht ekzistojnë shfaqjet e të vërtetave. Nëse këto fakte ua parashtron filozofëve, natyrisht do të marrësh gjykime dhe interpretime shpesh subjektive, por nëse ua parashtron shkrimtarëve, arti mund t’i detyrojë ta shprehin ndryshe realitetin. Por nuk e kuptoj përse një farë frike për të shkruar për të tashmen, pasi do të ishte detyra më e lehtë, sesa të merreshe me të shkuarën krejtësisht të panjohur dhe që nëse e sjell, duhet ta shpikësh në faqet e tua. Ndoshta bëhet fjalë për një lloj tjetër frike ku koha nuk na shfaqet e plotë dhe të vërtetat të fshehura pas ideologjive apo propogandave mashtruese në dukje. Një shkrimtar duhet ta ketë sensin e nuhatjes, përveç pesë të tjerave, për të kuptuar se jo të gjitha të vërtetat që thuhen janë të vërteta absolute. Në Itali, në djepin e kulturës botërore, Firence, me konceptet e kohës dhe frikës ndaj së tashmes, u përballën gjashtë shkrimtarë, gjashtë mjeshtra të romanit bashkëkohor : Emmanuel Carrère, Michael Cunningham, Tom McCarthy, Jonathan Lethem, Maylis de Kerangal dhe Edmund Ëhite, të ftuar në edicionin e Tetë të Çmimit Gregor von Rezzori, vlerësim letrar i lidhur me figurën dhe veprën e shkrimtarit austriak që ndërroi jetë në vitin 1998. Në këtë debat mori pjesë një gazetare italiane që na e sjell të sintetizuar bukur në dy fletë formati debatin mes atyre që janë hidhtarët e letërsisë bashkëkohore, vrojtuesit më të zjarrtë, mendimtarët më në zë, por që përballë të tashmes gjenden si fëmijët para abisë së njohjes.
Marrëdhënia e parë është ajo me kohën, iluzioni se ekziston një pikë takimi mes kohës së njerëzve dhe shkrimit dhe që pikërisht në atë kryqëzim fshihet sekreti i tregimtarit të sotëm : Mendoj se bota jonë, e tashmja është një orizont i dhunshëm dhe kompleks, ku bashkëjetojnë dhe përplasen realitete të shumta : një kohë në të cilën gjithçka ecën dhe lëkundet në shumë drejtime – deklaron autorja e volumit Lindja e një ure dhe fituesja e çmimit Von Rezzori, Maylis de Kerangal. Ky tension – vazhdon ajo – është materiali i parë i librave të mi : të jesh bashkëkohor do të thotë të jesh në empati me të tashmen dhe romanet e mi duan ta shprehin këtë empati. Kjo nuk do të thotë të dal nga loja apo të dal në pah duke mbajtur fjalime për këtë epokë apo të përpunoj një moral. Për mua të shkruaj është njëlloj sit ë trupëzohem në fluksin e botës, të ndodhem brenda.
Francezja De Kerangal, 47 vjeçe, duket se është e vetmja në rehatin e vet me bashkëkohësinë, e devotshme ndaj përpjekjes për ta përshkruar. Për Tom McCarthy, autori i librit C, çdo roman që kërkon të bëhet pasqyrë e së tashmes vetëdënohet me parëndësinë. Shkrimtari londinez citon poetin Stéphane Mallarmé: Nuk ka të tashme, jo – një e tashme nuk ekziston…i keqinformuar ai që deklarohet bashkëkohor për veten, duke dizertuar, duke uzurpuar me të njëjtën paturpësi, kur një e shkuar përfundoi dhe një e ardhme vonon, apo kur të dyja përzihen dyshuese që ta maskojnë skartimin.
Edmund White, autor kult i letërsisë amerikane, rrëfen se është i trembur nga e tashmja : do të kisha frikë të shkruaja një roman për epokën tonë. Nuk jam ndjerë kurrë pjesë e kulturës bashkëkohore. Është një argument për të cilin ballafaohem shpesh me miken time Joyce Carol Oates: të dy preferojmë të zhytemi në të shkuarën e afërt, vitet ’70 – ’80, një kohë që besojmë se e njohim. Por nuk është çështje moshe, White, 74 vjeç, pedagog i shkrimit krijues në universitetin e Princetonit, tregon se studentët e saj janë të terrorizuar nga ideja që të tregojnë konfliktualitetin shoqëror dhe ekonomik fryt të krizës : Janë gati të shkruajnë për çdo argument, për jetën e tyre seksuale si një traumë personale, por nëse u kërkon të matesh me klasat shoqërore apo vetëm ta përcaktojnë statusin ekonomik të personazheve, atëherë tërhiqen prapa. Për shpjegimin White i drejtohet Alexis de Tocqueville: Filozofi pohon se Amerika është vendi ku nuk lejojhet të përshkruhen njerëz të tjerë, Është një lloj censure shoqërore dhe të rinjtë nuk dinë sesi të sillen me tabutë. Janë ekspertë pë rata që unë i quaj romane peace corps, trupa paqe, reflektime mbi vitin e tyre në Indi apo Afrikë, por të paaftë ta tregojnë Amerikën e sotme. Dhe ja tek shfaqet ideja fikse e dashur për kritikët e romanit të madh amerikan, ajo vepër e aftë më shumë se të tjerat ta inkuadrojë dhe transmetojë të tashmen.
Një iluzion për Michael Cunningham, çmimin Pulitzer për veprën Orët dhe autor i Mbretëreshës së borës që del më datën 25: e ke takuar ndonjëherë një dashuri që t’i kënaqë të gjitha dëshirat dhe nevojat? Të shikohesh si vetëm ti, as edhe ti, ia del të shihesh? Është e pamundur sit ë gjesh romanin e madh të kohës sonë – deklaron bindëse. Libri i madh i së tashmes përbëhet nga dhjetëra vepra, secila përmban një aspekt që – vetëm bashkë me të tjerët – përbën një tregimatri të plotë. Cunningham shton një vërrejtje që tingëllon gati një paraljamërim për më të rinjtë : Nuk duhet kurrë të kesh iluzione që të hysh në histori, por përulësia të bësh pjesë me kontributin tënd të vogël.
Jonathan Lethem, i përshkruar shpesh si një shkrimtar i zoti në kapjen dhe përshkrimin e kontradiktave në Amerikën e sotme, nuk ka nevojë për kritika : Është një ide fikse që ka të bëjë vetëm me ambicjet. Sa herë që kritika e një vepre merr këtë drejtim, nuk arrijmë asgjëkundi. Amerika nuk ka nevojë për një portret të vetëm, ashtu si letërsia nuk do një libër të vetëm apo tregimtar të vetëm që zotëron si një general në kalë. Letërsia është dialog, librat lindin duke ndjekur valën e librave të tjerë, në oqeane të krijuar me romane por edhe një letërsi kombëtare është më pak e rënmdësishme se një zë njerëzor që këmbëngul të kërkojë shprehje dhe forma përtej kufijve, përmes identiteteve të qëndrueshme dhe historike.
Emmanuel Carrère, autori i Limonovit, mbart vështirësitë e përshkruara nga Lethem në një nivel tjetër : atë të raportit me shtypin që shpesh u kërkon shkrimtarëve të bëhen opinionnistë të politikës së brendshme dhe ndërkombëtare : Qysh kur fillova këtë zanat objektivi im i vetëm ësgtë të shkruaj diçka që të ishte në të njëjtën kohë e vërtetë dhe e dobishme. Pra ia njoh vërtetësisë së shkrimit vlerën e madhe, pro në të njëjtën kohë, nuk u zë besë opinioneve të mia. Në Francë pas zgjedhjeve i kërkuan opinione, por ai thotë : Nuk ndihem mirë në atë rol. Jo sepse nuk më intereson, sigurisht jam i lumtur për fitoren e Marine le pen, por e pyes veten se përse mund të shërbejë opinion im. Carrère e ka metodën e vet : më duhet të kaloj të paktën 10 ditë me njerëzit që votuan Frontin nacional dhe të kuptoj kush janë, në fund të provoj t’i portretizoj një për një. Unë mund të bëj këtë : portrete, të mos shpreh teori. Tek libri jetë që nuk janë të miat flas për probleme reale që u përkasin personave që i kam takuar dhe studiuar. Jam shumë i lumtur që e shkrova, sepse e di që ishte një punë njëkohësisht e dobishme dhe e vërtetë. Unë ndihem në vendin e duhur, vetëm kur opinionet e mia i nënshtrohen kompleksitetit të reales. Koha e ngadaltë e shkrimtarit ndaj kohës së shpejtë të lajmeve.
Momenti i dytë është raporti i tyre me teknolgjinë e sotme që duket se po i përmbys të gjitha parashikimet e deritanishme, sepse në mos i gjithë rruzulli është i dashuruar me të, por shumica nuk mund të mos e ndiejë joshjen e saj dhe të bjerë në kthetrat skllavëruese të një teknologjie që mesa duket edhe robotin e nxori jashtë loje. Teknologjia nuk pati asnjë impakt real në veprimtarinë e tij : Nuk veproj ndryshe sesa 20 vjet më parë; ende sot, nëse kam nevojë urgjente për informacione, rend ta blej një libër, nuk i drejtohem internetit. Nuk bëhet fjalë për nostalgji ndaj erës së letrës. Nuk e kuptoj kush është krenar për injorancën e vet teknologjike, unë dua të domino mjetet e reja, por nuk jam në gjendje. Për Cunninghamin dhe veçanërisht media sociale po e ndikojnë kërkimin e tij : FB është një vend i mrekullueshëm që ta njohësh jetën e të tjerëve që të mbledhësh histori prej të panjohurve që nuk do t’i takosh kurrë, të ardhur nga e gjithë bota. Edmund White është i bindur se rrjetet do të kenë një rol edhe në stilin e shkrimtarëve të ardhshëm. Laboratori I vrojtimit janë edhe një herë studentët e tij të Princetonit : shkrimi u kap nga teknologjia që po e plazmon; romanet sot janë më të shkurtër dhe plot informacione. Të mësuar duke shkruar pastime dhe cicërima, të rinjtë e kuptojnë vlerën e efikasitetit të tekstit. Ka më pak fjalë. Për sjelljen reaksionare të shumë shkrimtarëve dhe intelektualëve ndaj teknologjisë, Jonathan Lethem paralajmëron : artistët nuk janë radikalë me përcaktim. Janë si kanarinat në minierat e qymyrit dhe kjo shpesh do të thotë se janë të fundit që i përshtaten mjedisit. Më i butë McCarthy, që ia dedikoi karrierën studimit të së shkuarës letrare dhe imagjinatës së të ardhmes : bota e romanit mainstream është konservatore, por nëse mendojmë për autorë dhe mendimtarë si letraro-filozofët Joyce, Kafka, Heidegger, Virgilio janë përballur zgjuarsisht me teknologjinë gjatë gjithë jetës së tyre. Përcaktuese Maylis de Kerangal: padyshim bota kulturore ende nuk di ta shohë poezinë që e përmban bota e teknikës, as çështjet gjuhësore që përfshihen në të.
A kemi nevojë për një filozofi të drejtë politike?
Nga Arjan Th. Kallço/
Nëse do t’i referohemi një kënge të këngëtarit italian Çelentano mbi situatën sot që nuk është e mirë, do ta kuptojmë që tashmë të gjitha fushat kanë adoptuar sistemin e krizave, me dashje ose padashje. Pra pak filozofi politike e bën edhe një këngëtar që me këngët e tij ka tjetër mision. Politika është shndërruar në një gangrenë që po ia merr frymën gjithë shoqërisë. A mund të çlirohen fushat e tjera nga politika? Është një pyetje që nuk është e vështirë t’i japësh një përgjigje të plotë, duke e analizuar se politika tashmë është në një krizë filozofike mbijetese. Kjo kuptohet sepse me të u detyruan të lidhen shumë aspekte të jetës që jo detyrimisht duhet të jenë të varura prej saj. Ky është edhe gabimi ose gracka në të cilën mendjet djallëzore e futën të gjithë rrjedhën e shoqërisë, duke krijuar bindjen se pa politikën nuk mund të bëhet asgjë. Pra jemi përsëri në të njëjtat nivele si dikur me Princin, ku gjithçka varej prej tij, ai ishte gjykatësi dhe zbatuesi i ligjit. Nëse i referohemi përcaktimit të filozofisë politike do të thoshim se është studimi i veprimtarive të lidhura me gjithçka që ka të bëjë me punët e shtetit që e thënë më shkoqur me të gjitha aspektet e shtetit në një shoqëri. Këtu del qartë këndvështrimi i një politike dominuese mbi gjithçka, por që Aristoteli e sheh politikën si një tërësi mjetesh që lejojnë të arrihen efektet e dëshiruara. Gjendemi në një kontradiktë midis mendimit të filozofit të lashtësisë dhe aktualitetit politik sot ku politika është larg misionit të saj të përcaktuar nga Aristoteli. Duhet pranuar se vetë filozofia politike ka hyrë në një rreth vicioz që e ka të vështirë yë dalë dhe kjo i jep dorë mendimit të hedhur tashmë në tregun e dijeve se filozofia nuk jeton më, nuk ka se çfarë të bëjë më. E thënë kështu nuk mbetet gjë tjetër që ta ekzekutojmë përfundimisht shkencën dhe disiplinës që teorikisht duhet t’i japë paraprakisht zgjidhje mendimit të politikës. Studiuesja italiane Mikol Bruni në një artikull të saj qëndron tek koncepti i filozofisë politike dhe së pari me shumë të drejtë niset nga koncepti i krizës, si shkakëtari kryesor i kësaj situate.
Në një vend ku dominon koncepti i krizës së politikës – shkruan studiuesja Bruni – sistemi i politikës kthehet saktësisht në një dobësi. Por duhet ta pranojmë se kriza e politikës i detyrohet boshllëkut të një poltike që nuk arsyeton më. Shkaqet janë të shumta: ekonomike, antropologjike dhe breznore. Në çdo kontekst ka patur periudha që e kanë shtruar këtë problem. Nuk besoj se kriza e poltikës i detyrohet vetë politikës, sesa magësisë filozofike të një politike të menduar jo vetëm përmes arsyetimeve, por si shthurrje të rendit të identitetit.
A hyn politika në identitetin kombëtar? Po politika shqiptare sot si do të përcaktohej në këtë zallamahi postkomuniste? Unë mendoj se nuk duhet të tregohemi kaq të gjerë saqë politikën ta futim në identitet, të paktën shqiptare, sepse karakteri konfliktual i saj në gjithë këto vite, do ta shihte si karakteristikë kryesore e të vetë shqiptarëve, pra do të na duhej ta pranonim se është në natyrën e shqiptarëve, për më tepër e pandryshueshme përderisa do ta quanim pjesë e identitetit të tij. Më duket absurde një ide e tillë, por një politikë e mirë kombëtare me synim përparimin e të gjithëve, me plot gojë do ta quanim identitet. Por edhe vetë bota nuk mund të krehohet me një politikë që sado të ndryshojnë kohët, mbetet në të njëjtat pozita. Largimi i politikës nga filozofia ka sjellë këto pasoja që politika nuk e meriton të quhet identiteti ynë kombëtar. Megjithatë Bruni mendon se politika është shprehje e një identiteti të një kombi, por edhe shprehje e një klase drejtuese. Është politika e krijon një komb me karakteristikat e veta të sakta të identitetit. Klasa drejtuese politike i ka të gjitha meritat dhe dështimet mbi shpatullat e veta dhe këtu jemi plotësisht dakord. Nëse klasa e sotme politike shqiptare krijoi njeriun apo steriotipin e njeriut që kemi sot, atëherë duhet të pranojmë se në epoka të ndryshme kemi identitete të ndryshme dhe kjo nuk do të ishte e drejtë. Identiteti politik do të ishte një etiketë që do të ndryshonte sapo shoqëria të riniste një rrugë të re dhe në këtë pikë identiteti politik e humbte karakterin e tij të pandryshueshëm kombëtar, duke mohuar vetë metafizikën e historisë. Tashmë Europa po flet nëj gjuhë, atë që me shumë bujë po e quan demokracia e modelit perëndimor në të gjitha vendet. Me të drejtë studjuesja Bruni thekson se me rënien e ideologjive apo me kapërcimin e kufijve të ideologjive në një vizion kryesisht ekonomik, munguan disa premisat filozofike. Binomi filozofi-politikë është i pandashëm. Kjo konstatohet si në shtetet demokratike dhe ato autoritare. Perëndimi i ideologjive nuk solli një revolucion konservator, as një konfromizëm të llojit socialist modern, aq më pak një liberalizëm ku tregjet mund të kontrolloheshin. U vërtetua një kolaps i vërtetë mes politikës dhe ekonomisë. Duhej ta prisnim. Epokat udhëtojnë në valët e lëkundjeve të financave. Rilindja ishte paralajmëruar nga Makiaveli që na shpjegon se me Princin hyjmë në një epokë që jo vetëm dikton zërat e modernitetit, por vendos një raport të ri mes pohimit të proceseve ekonomike që duhen drejtuar nga politika. Nga Makiaveli e këtej politika nuk është më e njëjta. Kapërcehet qendërzimi i konceptit të personit dhe vendoset një lidhje mes subjektit politik dhe politikës si mjet qeverisës. Një politikë që e ka humbur mendimin filozofik, sepse ka marrë përparësi ekonomia e politikës dhe Makiaveli gjen një stehë në një qoshe të historisë.
Në një artikull më rastin e 500 vjetorit të Princit theksova se ideja e Makiavelit u keqinterpretua qëllimisht, duke e larguar nga vizioni i vërtetë – në këtë pikë jemi të dy besnikë me Brunin ndaj ideve të Makiavelit – që mund të përmblidhet kështu: objektiva, mjetet, arritja e tyre. Nëse rimarrim konceptin e mësipërm për identitete të ndryshme në epoka të ndryshme, atëherë do të ishim shumë dakord me Alexis de Tocqueville që thoshte se çdo brez që formohet në gjirin e vet, është si një popull i ri. A e kemi vërtet ne shqiptarët këtë popull të ri? Nëse po, a është në lartësinë e detyrave të veta? Është gati të marrë përsipër barrën e rëndë të historisë që sipas interpretimeve të të dy kampeve të dikurshëm nuk e kryen në njërën anë? Realiteti shqiptar për fat të keq na e mohon këtë detyrë madhore të popullit të ri, me identitet të ri politik kombëtar, të mbrujtur me parimin e lirisë së vërtetë, me virtytet më të larta të demokracisë, të respektit dhe bashkëjetesës në të njëjtën hapësirë që është po ajo, shqiptare, por në kohë të ndryshme. Politika e ka formësuar tashmë karakterin e vet dhe me këtë natyrë po përpiqet të imponohet edhe tek populli. Nuk ka alternativa të qarta të zhvillimit dhe progresit për të gjithë, pra të një filozofie të drejtë politike, ekonomike dhe shoqërore. Klasës politike i duhen njerëz me vizione të qarta filozofike që të bëjnë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur. Shpërbërja e ndërgjegjes është faktori kryesor i prishjes së ekuilibrave të mësipërm filozofikë së pari e më pas politikë, qytetarë e kombëtarë nëse duam t’i shkojmë deri në fund. Po e mbyll me mendimin e Brunit kur thotë se në demokracitë perëndimore politika duhet të jetë garante e raportit mes strukturës së institucioneve dhe ekonomive të reja të zhvillimit.
Lamtumirë Vinçenco Çeramit – gjeniu poliedrik
Nga Arjan Th. Kallço/
Lamtumira është fjala që na ndan me njerëzit tanë më të dashur. Fjalë e dhimbshme dhe plot peshë, sidomos kur të largohet përgjithmonë një mik i vërtetë me të cilin ke ecur në rrugën tënde të krijimtarisë, aq më shumë që ka qënë mësuesi yt i madh i jetës. Lamtumira është fjala e fundit që i ndan njerëzit që ndoshta njohjet i kanë patur të pakta, por sado të pakta t’i kenë patur, ka mbetur diçka në jetë që të rilidh me të. Por edhe ata që nuk e patën mundësinë që ta njohin nga afër, përsëri sado egoistë dhe nihilistë të tregohen, përsëri, herët a vonë, do të ndeshen me emrin dhe veprën e tij. E prej Çeramit na ka mbetur një pasuri e tërë letrare, kinematografike e skenike, kështu që do të kemi padiskutim momente të bukura ritakimi me të. Edhe për ne shqiptarët e përtejdetit do të ishte mirë që jo vetëm filmat, por edhe veprën e tij letrare ta njohim, duke e sjellë në gjuhën tonë. Kjo është detyra e përkthyesve dhe e shtëpive botuese që të mos ezitojnë, por të fillojnë nga puna qysh tani. Janë mbi 30 vepra të shkruara prej tij që presin të përkthehen, ose të paktën prej tyre disa nga kryeveprat të cilat e bënë të famshëm autorin më parë si shkrimtar e pastaj si skenograf. Besoj se në të gjithë atë përvojë ka gjithmonë leksione që duhen lexuar dhe mësuar, për secilin prej nesh.
Lindi në Romë në vitin 1940, shkrimtar, dramaturg, poet, skenograf. Në vitin 1976 botoi romanin e parë Një borgjez i vogël, i vogël; Prani e dashur 1978; Lamtumirë Lenin 1981; Djali prej xhami 1983; Lepuri 1988; Hipokriti 1991; Njerëzit 1993; Zoti ‘900 1994; Këshilla një shkrimtari të ri 1996; Takimi 2005; Jetë të gënjeshtra 2007.
“Desha ta falenderoja publikisht mikun Çerami, është një person shumë bujar, ëmbëlsia e tij të gjeg. E fuste dorën në xhep dhe nxirrte jashtë futrunë. Më ka mësuar shumë gjëra. Që në fillim më mësoi se frymëzimin e presin diletantët, të tjerët i përveshin mëngët dhe i futen punës. Më mësoi sintaksën, sintezën. Është një njeri që ia hap zemrën të gjitha enigmave dhe di t’i zgjidhë të gjitha ato. Po e përshëndet me fjalët e një poeti të madh: Vinçenco, mos rri e vështro, mos u shqetëso, nëse bien yjet, por shikoji që t’i mbash mend. E ardhmja sapo filloi” – u shpreh aktori i çmimit Oskar Beninji.
Kur i propozuan çmimin e merituar të karrierës, ai nuk shkoi vetë, ashtu si Benini dhe Piovani, të tre të bashkuar nga një lidhje dhe bashkëpunim mbi 20 vjeçar, por dhe nga përvoja magjike që i çoi deri tek Çmimi Oskar për filmin Jeta është e bukur. Në takimin me presidentin Napolitano vajza e vet lexoi mesazhin e të atit, duke e mbyllur me fjalët : Shpresa jonë, në errësirën në të cilën luftojmë është se më në fund shteti dhe ndërmarrjet private duhet të vendosin bashkë të investojnë për bukuritë e Italisë dhe të bëhen të vetëdijshëm se kultura, talenti, fantasia janë një burim real. Lidhja me Romën e shkrimtarit të njohur mbeti shumë e fortë, pasi ai lindi në zemrën e Italisë, të artit dhe kulturës. Ja si shprehet ai për qytetin e tij që aq shumë e deshi dhe e respektoi, pasi dhe vetë qyteti e deshi birin e vet: “Të gjitha librat e mi dhe romanet janë plot me qytetin e Romës. Në të gjitha vendet ku kam shkuar Roma më ka sugjeruar gjithmonë diçka që më pas e futa në shkrimet e mia”.
Shpesh kemi dëgjuar dhe shkruar se jeta e një njeriu të madh në fillesat e saj nuk ka qënë prej një gjeniu, përkundrazi të jepet përshtypja se nuk do ta lidhë asgjë me pasionet e jetës. Një ditë përgënjeshtrohen të gjitha dhe talenti i fshehur shpërthen fuqishëm dhe e ngre zërin e vet. Më pas është një punë e madhe që e kalit atë dhe e vë para provave të jetës, të profesionit dhe kulturës. Edhe Çerami është një prej atyre rasteve që ndoshta edhe vetë mësuesi i tij nuk e besonte, por surprizat në jetë nuk mbarojnë kurrë.
Një prej kujtimeve të para për të kur ishte nxënës e sjell një profesor : “Vinçencoja është shumë i drojtur, mbeti vitin e kaluar, se nuk u përgjigjej pyetjeve. Duhet ta kuptojmë, sepse ishte i sëmurë”. Ai profesor ishte 28 vjeçari Pier Paolo Pazolini që nuk ia doli që t’ia kthente fjalën Vinçencos së vogël, por në sajë të një teme : Një të dielë në mal, e ndihmoi të kuptonte se fjalët do të ishin më tej jeta e vet.
“Ishte një temë për friulianë, ku dija unë gjë për mallet? Kisha parë vetëm një, Terminilon dhe në verë”- thotë Cerami. E shpiku në përshkrimin e vet : Terminilo e shkatërruar nga orteqet dhe e banuar nga njeriu i urryer i borës. Druhej se e kishte tepruar, por Pazolinit i pëlqeu, e lexoi me zë në klasë. Sukses i madh.
“Më bëri përshtypje. Mezi pres të shkruaj një tjetër. Pa e ditur e zbulova letërsinë” – u shpreh autori. Më vonë Pasolini e mori si ndihmësregjisor në filmat e vet. Lidhjet me kinemanë vazhduan dhe romani i tij i parë, Një borgjez i vogël, i vogël, u bë film me aktorin Alberto Sordi. Ka shkruar për emrat e mëdhenj të kinematografisë italiane Belokio, Amelio, Bertoluci, Skola, Veronezi, Moniceli etj. Por Çerami ishte dhe poet. Epitafin e shkroi vetë në një prej poezive të tij të fundit : “Çdo mëngjes prej vetes më pëlqen e ardhmja e shkuar / dhe në mbrëmje qaj për të”. Kryebashkiaku Marino u shpreh se me vdekjen e tij, Roma humbi një mik. Vërtet një mik të dashur, në një dashuri ëndrrash midis Qytetit të përjetshëm dhe atij që me veprën e tij ia shtoi përjetësinë. Po e mbyll me fjalët e Beninjit, shenja e mirënjohjes më të ndjerë ndaj tij që vështirë se do të harrohet: “Pa të nuk do të kisha mundur as të ecja në muzikën e jetës. I detyrohem për gjithçka. Sot kemi një poet më pak në botë, një gjë që na bën të gjithëve më të trishtë”.
Përsëri fjala e ditës është INKUIZICIONI
Kur inkuizicionet e pushteteve u japin jetë studimeve/
Nga Arjan Th. Kallço*/
Ndonjëherë do të mjaftonte një tufë me ese’ të motivuara mirë, të goditura dhe të bazuara në arsyetime racionale dhe me fakte, që të kuptosh fajin e madh të inkuizicioneve përballë asaj shtrese studiuesish dhe intelektualësh të cilët sakrifikojnë gjithçka për t’i dhënë dritë jo vetëm të shkuarës, por edhe të ardhmes. Rruga e një studiuesi nuk është kurrë e lehtë, i pëmban në vetvete sukseset dhe dështimet, këto për një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë të vetë zhvillimit, apo siç duhet të shprehemi në rrugën e mundimshme të njohjes. Jeta – kot nuk e thonë – është luftë, pra një luftë me shumë beteja ku ajo më e forta dhe më e madhja është beteja me shoqërinë në të cilën jetojmë. Por historia e mendimit dhe e dijes na tregon se disa lloj pengesash janë të kuptueshme dhe nuk varen nga faktori njeri. Problemi qëndron pikërisht me qëndrimet e anëtarëve dhe komunitetet që mbajnë ndaj njohjes. Në shekuj ato kanë marrë emra nga më të ndryshmit, por një e vërtetë e madhe mbetet, kanë qënë pengesa artificiale për qëllime të caktuara. Çdo etapë e shoqërisë njerëzore krahas progresit ka pjellë edhe regresin ose siç mund ta quajmë me një fjalë censurën, si dy të kundërta që shpesh nuk duhet të jenë të domosdoshme ndaj njëra-tjetrës. Nëse duhet ta vështrojmë thjesht në këtë aspekt nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe, pasi diçka mund të ndalet që të verifikohet dhe më pas t’i jepet e drejta të shpallet mes shumë të vërtetave që sot ka bota. Por fjala merr nuanca të tjera, nëse kalojmë tek inkuizicioni. Procese të pafund gjykimesh, shpesh me shpifje apo trillime skutash dhe më pas verdikte që të revoltojnë dhe të ngjallin urrjetje për nga mënyra sesi përfundojnë. Kjo fjalë nuk i është ndarë kurrë progresit kudo qofshin heretikët e të vërtetave apo blasfemive që tronditin themelet e strukturave të ngritura mbi bazën e inkuizicionit. Mesa duket inkuizicionet nuk kanë shumë ndryshim në botë, janë po ato legjenda të zeza, që nën sundimin e tyre të gjatë e kanë ndryshur dhe sakatosur mendimin e lirë, zbulimet shkencore, arritjet. Të jetë një lloj zilie, vallë? Po në kohët moderne a do të kishte logjikë inkuizicioni? Dy pyetje që shumë studiues u japin edhe përgjigje të ndryshme, në vartësi të njohjeve, dijeve apo fakteve të ndryshme, por mbi të gjitha të interpretimeve që u bëhen. Secili prej studiuesve do të ishte në gjendje që të pozicionohej lidhur me inkuizicionet, por të bindur se shumë të tjerë do të pranonin edhe heshtjen, kompromisi më i rrezikshëm me veten dhe me shkencën, vetëm e vetëm që të mos i hapnin telashe vetes. Një lloj inkuizicioni është edhe realiteti shqiptar i sotëm kur në këto dy dekada ka vepruar me bekimin e vetë politikës, pa kursyer askënd. Këto janë disa mendime që lindin dhe do të lindnin në mendjen e secilit prej nesh, nëse do t’i lexonte disa përmbledhje me ese’, të Xhon Tedeskit, me tituj shumë domethënës : Intelektualë në mërgim dhe Nga inkuizicioni romak tek fashizmi. Cila është lidhje midis mërgimit dhe inkuizicionit? Shumë e thjeshtë për ta kuptuar, pasi është inkuizicioni ai që i shtyn mendjet e ndritura të një kombi të largohen nga vendi i tyre. Sipas një gazetari Italian, mërgimi për Tedeskin ishte një përvojë personale, para se të bëhej objekt studimi. Italia u zhduk nga horizonti i tij, kur ishte fëmijë, në vjeshtën e vitit 1938 dhe kur u nis me familjen nga Gjenova për në Amerikë në anijen Vulkania: e njëjta anije që çoi në Amerikë Pol Oskar Kristelerin, edhe ai mërgimtar, sepse kishte origjinë izrailiane. Një retrospektivë e pranueshme që një mërgimtar i inkuizicionit fashist, shkruan për një mërgimtar tjetër. Tedeski rishkruan në librin e vet për vitet që kaloi Kristeleri në Itali, nga viti 1933-1939, dhe përshkruan me detaje se me sa zell policia italiane e përgjoi dhe regjistroi ditë pas dite “lëvizjet e profesorit paqësor gjerman”. Thuajse ka një logjikë që i lidh inkuizicionet, i njëjti efiksaitet dhe marrëzi prej burokratësh edhe për Tedeskin, ushtrimin e dhunimit për shkaqe false. Tedeski u detyrua ta ndryshonte emrin në Xhon dhe sipas historisë së jetës së tij, për shërbimet që i bëri atdheut, ky i fundit iu gjend pranë në ditë të vështira. Gjithkush në këtë pikë nëse do t’i kërkohej ta shkruante historinë, do ta dëshironte ta përmbyste dhe t’i referohej restos që i duhej kthyer inkuizicionit dhe që mishërohet tek fjala hakmarrja. Mençuaria është më sublime se inkuizicioni, prandaj hakmarrja e tyre, e Kristelerit dhe e Tedeskit, ishte sipas shprehjes “goditje me pambuk”, bujare, saqë u duk më e rafinuara e mizorive: e gjithë vepra e tyre, e barabartë me mërgimtarët e viteve ‘500, e bëri të njohur Italinë në botë, si dhe trashëgiminë më të lartë intelektuale – shkruan gazetari. Inkuizicioni fetar për shekuj ka qënë padyshim më i pamëshirshmi dhe më i tërbuari, por nuk mbeten pas edhe forma të reja që lindën më vonë, si p.sh ai mbretëror, perandorak, shtetëror etj. A ka edhe sot gjurmë të inkuizicionit? Nuk ka njeri, qoftë dhe një i vetëm që ta mohojë këtë të vërtetë, por tani nuk mban vulat në pergamena apo dyllin e derdhur sipër, por disa lloje të tjera vulash, herë të njoma e herë të thata. Por përsëri inkuizicion quhet dhe ai shqiptar është i një lloji tepër të veçantë. I kthehemi restos së dy mërgimtarëve dhe nuk mund të imagjinohet një rast më i mirë që të zbatohet, mbi gjykatën e së shkuarës, hakmarrja e një dënimi pa apelim të gjykatës së historisë. Aq më tepër se ekzistonte një prirje e përgjithshme që ta konceptoje historinë e Inkuizicionit fetar si një legjendë të zezë, e ndërtuar me tortura dhe turra drush. Por ajo që bëri Tedeski ishte krejt ndryshe – vazhdon gazetari. Ndërsa në Itali po binte perdja e censures, veprat e Dantes, Bokaços, Makiavelit, Guiçardinit, Pomponacit dhe shumë të tjerëve – shkruan Tedeski – panë dritën në sajë të bashkëpatriotëve të tyre jashtë shtetit. Por në Itali sot flitet për një tjetër lloj mërgimi, i lidhur me pamundësinë që shumë studiues të rinj ta shprehin talentin e vet në atdhe, prandaj detyrohen që të largohen, të arratisen në ndonjë parajsë të stimulimit të talentit të tyre që mban emrat e disa shteteve lider, si Amerika, Gjermania, Franca etj. Po tek ne kush e di numërin e saktë të viktimave të inkuizicionit demoktatik? Janë të shumtë ata që e lanë atdheun dhe u larguan, ndoshta përgjithmonë, e pra detyrën ndaj tij e kishin bërë, por atdheu nuk e kreu deri në fund misionin e vet. Përsëri fjala e ditës është INKUIZICIONI.
* Autori eshet pedagog ne Universitetin “Fan S Noli” ne Korce, bashkepunetor i rregullt i Diellit
Koncert pranveror i maturantëve të Liceut T.T.Koço
Nga Arjan Th Kllaco/
Pranvera me kalendar ka trokitur edhe në qytetin e Korçës, data 21 mars që për koinçidencë është jo vetëm dita e parë e stinës, por edhe Dita ndërkombëtere e Poezisë, dhe krahas përpjekjeve të natyrës për rizgjim, një tjetër natyrë kërkon të njëjtin fat, shpirti i njeriut që shkon në një sinergji të dukshme me të. Natyra në të gjitha stinët e saj është një muzikë që na shoqëron gjatë gjithë vitit, edhe pse herë e ngadaltë dhe e qetë, herë rrjedhëse dhe e gëzuar. Por edhe vetë muzika është, në notat e saj, një natyrë që kur krijohet nga autorët, ka të njëjtat karakteristika si të shpirtit. Ecin me të njëjtin hap jo vetëm me ndjeshmërinë e njeriut, por edhe të vetë shoqërisë. Por natyra është poezi dhe një poezi e veçantë, pasi pjesë e saj janë të gjithë elementët që e përbëjnë atë. Poezia e natyrës ka edhe një specifikë tjetër, shumë poetë e kërkojnë në promovimin e poezisë së tyre, fatin e madh që kanë edhe muzikën e natyrshme që i shoqëron. Muzika nga ana e vet është poezi dhe poezia muzikë. Në këtë gërshetim natyre, muzike dhe poezie – një pranverë e vërtetë nuk do të ishte e tillë, nëse do të mungonte një prej tyre.
Ditën e shtunë në sallën e koncerteve të Liceut artistik T.T.Koço, nxënësit maturantë, pak kohë para provimeve të maturës, i dhanë shenjën e parë pranverës në qytet me tingujt dhe me talentin e tyre që në vite është konsoliduar. Një orë e gjysëm do të mjaftonte që ta kuptonim se ndijimet dhe perceptimet tona nuk do të ishin iluzion apo realitete të krijuara nga një lloj virtualizmi teknologjik. Talenti i nxënësve as që mund të vihet në diskutim, është krenaria e tyre, e shkollës që po i formon dhe e vetë qytetit që gjithmonë ka ditur të nxjerrë dhe edukojë talente. Në interpretimin e tyre nuk mungonte muzika instrumentale e autorëve të huaj dhe shqiptarë, si dhe ariet e operave më të shquara të gjenive italianë. Një numër simbolik i nxënësve më të mirë të shkollës, 7 mes pianistëve, violinistëve dhe këngëtarja që tashmë e ka kolaudimin edhe në skenat shqiptare, Maria Prifti. Më pas një kënaqësi e dytë për të pranishmit, minikoncerti i orkestrës së harqeve, që në një hark kohor dy vjeçar ka dhënë disa koncerte në Korçë, Pogradec dhe Elbasan. Në repertorin e orkestërs ishin pjesë të autorëve shqiptarë si Lara, Disdari, Gaci, ndërsa të autorëve të huaj Shopeni, Faja, Bethoven dhe Debysyja etj.
Veprimtaria e së shtunës është në vazhdën e veprimtarive që organizon vetë shkolla dhe mësuesit e tyre, me synimin që të stimulohen nxënësit më të mirë maturantë, pasi ndodhen para një sprove të vërtetë dhe vendimtare për të ardhmen e tyre, konkurimi për të qënë pjesë e studentëve të universitetit të Arteve në Tiranë, por pse jo edhe në ato europiane. Koncertet janë pjesë pasaporta e kësaj shkolle, duke dashur të tregojë se pavarësisht problemeve që po kalon në përgjithësi shkolla shqiptare, vullneti dhe pasioni për të nxjerrë talente nuk ka munguar dhe nuk mungon. Si të gjitha shkollat e specializuara, edhe liceu ka nevojë për një mbështetje nga shteti shqiptar, pasi artistët e ardhshëm do të jenë elita e artit tonë dhe ambasadorët e saj nëpër botë. Por mbështetjen e vet duhet ta sigurojë edhe DAR-i, Bashkia dhe të gjitha institucionet dhe sponsorët që e kanë për zemër artin, pasi tek ata nxënës pasqyrohet dhe përkujdesja dhe dashuria për rrugëtimin e tyre. Një bord prindërish nuk do të mjaftonte kurrë që t’i përmbushte synimet e shkollës. Në këtë aspekt liceu është një gur i çmuar, shumë më ndryshe nga të gjitha shkollat e tjera të qytetit dhe të qarkut, që nuk duhet të humbë traditën e mrekullueshme të krijuar në vite. Talentet e shumtë sot mbushin skenënë e vetë Universitetit shqiptar, të ekranëve televizive, të galerive të shumta në vend, por edhe skenat dhe ekranet botërore. Mjaft të kujtojmë disa prej emrave si Johan Botka, Ina Petrollari, Majlinda Lubonja, Edi Kolaneci, Thomaidha Tili që jo vetëm shkëlqejnë si instrumentistë në orkestrat me emër europiane, por janë edhe pjesë e stafeve akademike ku ata punojnë.
Aktualisht – në bisedë me z.Koço Vrame – mësojmë se nxënësi Llambi Cano para disa kohësh ishte në Bruksel, ku kreu një Masterclass disa ditor. Vlen të theksohet një fakt tepër domethënës: ishte i vetmi nxënës, përfaqësues shqiptar, në konkurs, ku dhe u përzgjodh mes shumë konkurrentëve nga Europa, nga një juri ndërkombëtare.
Pjesë e pandarë e veprimtarive vjetore janë edhe nxënësit e 9 vjeçares, me koncertet e tyre dhe me ekspozitat figurative të organizuara në shkollë dhe në qëndrën kulturore V. Mio.
Koncerti i maturantëve do të shfaqet së shpejti edhe në qytetin e Bitolës me ftesë të Liceut të muzikës të atij qyteti, në kuadrin e bashkëpunimit midis dy shkollave simotra, por edhe për një binjakëzim të mundshëm mes tyre. Kjo në sajë të ndihmës dhe mirëkuptimit të dy bankave, BKT, FIB dhe të disa prindërve të Bordit të shkollës. Liceu i Korçës prej vitesh, një bashkëpunim të ngjashëm e ka me shkollën e Follorinës, ku dhe janë organizuar koncerte, edhe të përbashkëta, në shkollat respektive.
Biseda vazhdon më tej për muzikën shqiptare sot që është shndërruar në një muzikë thjesht me natyrë komerciale, pa identitet bindës dhe jashtë shijeve për të gjithë artdashësit shqiptarë. Nga këto lloj shkollash, por edhe nga institucionet tona kërkohet një impenjim që të ruhet tradita për një muzikë të kultivuar në nivel europian dhe botëror. Ne – vazhdon Vrame – realisht jemi në Europë dhe kemi edhe pjesën tonë përfaqësuese në trashëgiminë botërore me krijimtari të shumta – prandaj duhen forcuar barrierat ndaj antiartit dhe antivlerave. Shijet e vërteta të publikut për muzikën e kultivuar, nuk mund të vijnë vetë, ato duhen krijuar, formuar dhe reklamuar, pra kërkohet një ndërgjegjësim mbarëqytetar se shijet, si të gjitha shijet dhe dituritë, duhen kultivuar. Përballë komercializmit kemi nevojë për këto lloj shijesh.
Kriza e sotme edhe shpirtërore është një prej krizave të shumta që e ka përfshirë shoqërinë shqiptare dhe kjo duket në investimet e pakta për kulturën tonë kombëtare. Por nëse krizës i shtojmë dhe indiferencën e vetë institucioneve edhe lokale, ishin të ftuara të merrnin pjesë në koncert të gjitha institucionet e qytetit dhe të Qarkut, askush nuk erdhi, atëherë nuk ka nevojë për konkluzione të shumta. Një shoqëri që nuk interesohet për kulturën e vet, rinia sot as nuk e merr fare në konsideratë faktorin shije të vërteta dhe estetike, ka kohë që ka vdekur shpirtërisht. Të jetosh në një vend ku traditat e bukura po zhduken dhe të rrish e bësh sehir sesi shijet po degradojnë, gjithnjë e më shumë drejt banalitetit, do të thotë të mos e vrasësh mendjen për qytetarët dhe njerëzit e këtij vendi, duke ia lënë gjithçka në dorë një tregu me shije të tjetërsuara dhe bajate. Edhe në art dhe kulturë shoqëria ka nevojë për një elitë të vërtetë që të jetë udhërëfyesja e saj, por kur politikat kulturore lihen në dorë të inkopetentëve, të militantëve, o zot, do të dëgjosh edhe çudira nga goja e tyre, si p.sh që personalitetet e fushave të ndryshme, mund të shpallen edhe ata që nuk kanë më të voglin kontribut në to. Kjo është fytyra e një shteti që synon të ballafaqohet me Europën dhe botën.