• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zoja e Shkodres në arkivat austriake

December 11, 2018 by dgreca

3 Figura e Zojës së Shkodres që i rezistoj komunizmit1 Zoja e Shkodres në mbrendi të librit2 Faqet e para të librit 4 IKJA E ZOJËS Piktura murale në Genazzano5 ARRITJA E ZOJËS NË GENAZZANO pikturë murale Genazzano 6 Festa e Zojës së Shkodres 19918 Ikja e figurës së Zojës foto nga arkivat austriake11 Figura e Zojës së Shkodres origjinali

Nga Pjeter Logoreci-Vjenë/*

Ka shumë kohë që i ngacmuem nga lidhjet shpirtnore, por edhe ato historike e familjare, kam mendue me shkrue për  figuren e Zojes së Shkodres, shejtneshës pajtore të qytetit tonë.  Vendi i zanafillës së saj i njohtun nga mbarë njerzimi, faltorja e vogël plot hire e dashni e Zojës së Shkodres buzë Rozafës, për mue ka nji kuptim të dyfishtë: atë të besimit fetar por edhe vendin ku në vjetin 1887 u shugurue si prift Imzot Ndre Logoreci (Andrea Logorezzi), një klerik i vyer e atdhetarë i shquem në  përhapjen e shkollave e gjuhës shqipe në t’gjithë trevat shqiptare (Kosovë e Maqedoni).

Tuj ditë se, historikisht jeta e muer me t’keq popullin shqiptar, asht nji mrekulli që qindra dokumenta autentikë, dorëshkrime, të botuem e pamorë, ruhen ndër arkivat e bibliotekat e ndryshme austriake, tuj i shërbye kujtdo për me ju referue, me saktësue e publikue informacione të panjohuna ndër dekaka (bile shekuj), të ndodhive kombëtare shqiptare. Kjo gja m’ka favorizue edhe mue, me zhbirilue nëpër çdo cep e skutë të këtyne arkivave për me gjetë e zbulue të panjohuna që i shërbejnë sado pak kulturës e historisë shqiptare.

Një legjendë e dalë nga Shkodra dhe tashma e njohun në t’gjithë boten, tregon për largimin e figurës së Zojës (Maries me fëmijen e saj Jezusin) nga faltorja poshtë kështjellës, pasi qyteti u pushtue nga hordhitë e egra të osmanllijve. Simbas gojëdhanës figura e famëshme zuni vend në muret e një kishe në periferi të Romës, në Genazzano. Shëmbullin e Nanës së Përbotëshme, Zojës, e ndoqën mijëra familje shqiptare, të cilat të detyrueme nga mizoritë e brutaliteti i pushtuesit osman, për t’ju shmangur shfarosjes e për të ruejtë familjen e traditat, braktisen  vatrat e tyne tuj gjetë strehë ndër vendet fqinje që gëzonin lirinë, e sidomos në viset e jugut të Italisë.

Si gojëdhana e ikjes së figurës së Zojës ashtu dhe qyteti i Shkodres, u banë të njohtun në mbarë botën përendimore. Fati i shqiptarisë u ba objekt i lutjeve nga mijëra besimtarë e pelegrinë që udhëtonin nga katër anët e Europës drejt Genazzanos për të vizitue Nanën e mrekullive e ndihmëtaren e mbarë njerzimit.

Me që në fund të tetorit ishte festa e  Zojës së Shkodres,  e cila u shpall si Pajtorja e qytetit të Shkodres në vjetin 1895 nga ipeshkvijtë e kohës, u vuna me kërkue ndoj send që i përket historisë së figurës së saj, por edhe asaj të Kishës së Zojës rranxë kështjellës e bri Bunës. Mundi m’a shperblej me gjetjen e disa librave me vlerë, pronë shekullore e bibliotekave të Vjenës, që u banë shkak për me nisë këtë shkrim, me nda me lexuesin shqiptarë kënaqsinë e kësaj gjetje të interesante.  Nga trashëgimitë gojore dhe ato dokumentare, faltorja e vogël e Zojës në lagjen e motëshme Alibeg Mahallasi, u prish, apo u la me u rrenue disa herë, në rrethana të ndryshme ose keqdashje të pushtuesit osman (e ma vonë nga komunistët), të cilët i pengonin shkodranët në lutjet apo proçesionet e tyne në këtë tempull. E megjithatë populli i Shkodres, por edhe shtegtarë të ardhun prej viseve tjera, për çdo hall, smundje apo ushqim shpirtnor i drejtoheshin gjithë herë vendit të shejtnuem, Zojës së Kshillit të Mirë.

Po ashtu si populli i Shkodres dhe ai shqiptar, nji lidhje të pazgjidhëshme me Zojën patën edhe Etnit Augustinian të vendosun në kuvendin e tyne në Genazzano, të cilët ishin edhe kujdestarët e Kishës së Shejtes Mari të Këshillit të Mirë. Me shfaqjen e Zojës së Shkodres në Genazzano, jo vetëm vëlleznit augustinianë të Genazzanos e të Italisë, por edhe prifta augustinianë të shumë viseve të tjera europiane, nderimin e figurës së Zojës, e patë qëllim udhëtimesh, pelegrinazhesh e zhvillimit të liturgjive që i kushtoheshin asaj (Zojës).

Siç thashë ma sipër, fati e solli që kto ditë në nji nga bibliotekat e famëshme të Vjenës të zbuloja, e të mbaja në dorë (ndërmjet disa vëllimeve) nji perlë të rrallë, vepër kushtue Zojës së Kshillit të Mirë, ose siç shkruhet edhe në faqet e tij: Zojës së Shkodres. Nuk përshkruhet gzimi, emocionet dhe knaqsia që pata tue punue me librin të cilin për të mos e humbun, vendosa me e skanue të plotë. Edhe pse 262 vjeçar, libri ishte i ruejtun mirë. I shtypun në vjetin 1756 në Vjenë, me një teknikë artizanale në punishten shumë të njohun të  familjes vjeneze Heyinger, 192 faqet e librit janë nga një material i veçantë e rezistent që nuk është letër e thjeshtë. Libri në origjinal mban titullin: “Sittliche Erwegungen von Übertragung der wunderreichen Bildnuß MARIE von guten Rat, aus ALBANIEN nach GENAZZANO“ dhe asht shtypë nën kujdesin e Urdhërit Augustinian  të Vjenës me rastin e shtegtimit 9 /ditor nga Austria në Genazzano të priftave augustinianë me qëllim lutjet dhe pastrimin shpirtnor.

Libri hapet me figurën e Zojës së Shkodres, punue me kërkesen e Augustinianëve të Vjenës, simbas asaj origjinale në Genazzano, nga artisti shumë i njohun vjenez Franz Leopold Schmitner (Kupferstecher, 1703 / 1761), me tekniken e shtypjes mbi gdhënien në bakër. Figura e Maries që mban në krahnor fëmijën e saj Jezusin, mban mbishkrimin SHEJTJA MARIE E KSHILLIT TË MIRË, poshtë saj mund të lexohet përkushtimi i Etenve Augustinian si dhe në gërma të vogla emni i autorit.

Faqja tjetër ndjekë me titullin e shtypun me shkronja të mëdha:

Konsiderata moralepër  shpërnguljen e portretit të mrekullueshëm  të MARIES SË KËSHILLIT TË MIRË, nga SHQIPNIA në GENAZZANO OSE 9 ditëshi me lutje për gratë shejtnesha dhe NANEN E ZOTIT, MARIEN E KSHILLIT TË MIRË.

Duke shfletue librin, në parathanien e tij, autori ka tregue historinë e figurës së Shejtnores me këto rreshta: “…për këtë figurë të dashtun, tregohet një mrekulli, se si kjo pikturë e shejtë dhe e lashtë, u gjind papritë në një vend jo larg nga Roma, në Genazzano. E shkëputun nga muret e një faltores në Shkoder, qi asht një qytet në Shqipni, piktura e Zojës mbi një fletë gipsi e shoqnueme nga besimtarët Gjergji dhe de Sclavis, që sikurse historia e israelitëve,  e kaluen detin Adriatik në pak orë pa ju lagun kamba, u vendos në Genazzano… në 1467…”

Mbas parathanies, faqet e librit përmbajnë përshkrimin e 9 ditëve; lutjet, emocionet dhe përshtypjet e pelegrinëve augustinianë gjatë qëndrimit në Genazzano. Lutjet janë të ndame ndër ditë, që pasojnë njena tjetrën. Çdo ditë përmban lutje të njohuna për Zojën, por edhe krijime të reja shpirtnore për Zojën e Shkodres të shkrueme nga etnit, për çka ato përjetojshin aty. Në mbrendi ka edhe shumë LAVDRIME për figurën e Zojës në vargje, në formë poezie 8 deri në 10 strofa.

Ky libër i ruejtun mirë, me vlerën e bukurinë e tij, më solli në kujtimet e ditëve të “Revolucionit Kulturor Bolshevik”, kur si fëmijë në Shkodër përjetova mbylljen e Kuvendeve dhe Kishave, orgjitë e zellin e komunistëve aziato stalinistë dhe spiunve të tyne, që digjnin plot urrejtje male me libra e dokumente historik, dëshmitarë të kulturës të nji populli ndër ma të vjetrit në Europë.

Në fund të këtij shkrimi, një lutje më del nga shpirti:

O Zoja e Shkodres, …zbutja zemrat njerzve të egërsuem, …fali bukë e dashni femijëve të rrugës që ngrysen pa bukë e pa dashninë prindore, …jepi strehë e shpresë familjeve që luftojnë për mbijetesë, …NDRIÇOJA MENDJEN atyne që kanë zaptue karrigat e politikës…

AMEN

Vjenë, me 4 dhetuer 2018

*Per me shume foto shkoni ne facebook dielli vatra

Filed Under: Histori Tagged With: arkivat austriake, Pjeter Logoreci, Zoja e Shkodres

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT