Policia e Gjermanisë thotë se dy vëllezër, të lindur në Kosovë, janë arrestuar me dyshimin se kanë planifikuar sulm në një qendër tregtare në pjesën perëndimore të Gjermanisë.Policia tha se personat, 28 dhe 31 vjeçarë, janë arrestuar në qytetin Duisburg në rajonin industrial Rur, sot herët në mëngjes, raporton agjencia AP nga Berlini.Autoritetet thonë se ata janë të dyshuar se ndoshta kanë planifikuar sulm në qendrën tregtare Centro në qytetin e afërt Oberhauzen.Autoritetet po zhvillojnë hetime se sa larg ka shkuar plani i të dyshuarve dhe nëse eventualisht ka edhe të dyshuar të tjerë.Policia thotë se mbrëmë e ka shtuar praninë në qendrën tregtare Centro dhe në Tregun e Krishtlindjeve në afërsi, pasi ka marrë informacion nga agjencitë e inteligjencës.Qendra tregtare Centro është njëra ndër më të mëdhatë në Gjermani, me afro 250 dyqane, që zakonisht janë të mbushura me njerëz para festës së Krishtlindjeve.Këto arrestime janë bërë derisa policia në mënyrë intensive është në kërkim të të dyshuarit tunizian, i akuzuar për sulmin me kamion në masën e njerëzve në një treg të popullarizuar të Krishtlindjeve në Berlin, raporton agjencia tjetër e lajmeve, AFP.Grupi ekstremist, Shteti islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që është sulmi më vdekjeprurës deri tash i kryer në territorin e Gjermanisë.Pjesëtarët e forcave speciale të Gjermanisë gjatë ditës së djeshme i kanë bastisur tri shtëpi dhe autobusët që qarkullojnë në distancë të gjata, kanë thënë prokurorët, derisa po kërkohet për tunizianin 24 vjeçar, Anis Amri.Policia tha se është e sigurt se ishte Amri, ai që ka sulmuar me kamionin prej 40 tonelatash, pasi janë gjetur letrat e tij të identifikimit dhe gjurmët e gishtërinjve brenda kabinës së shoferit, afër trupit të pajetë të shoferit polak të regjistruar, i cili ishte vrarë me të shtënë në kokë.Autoritetet kanë paraqitur fletarrest evropian lidhur për këtë të dyshuar për kryerjen e sulmit dhe kanë ofruar shpërblim prej 100 mijë eurosh për informacione që mund të çojnë në zënien e Amrit.Në Tunizi, i vëllai i të dyshuarit në ikje, i ka bërë thirrje që të dorëzohet.“Nëse ai më dëgjon mua i them – dorëzohu, në mënyrë që familja të mund të qetësohet”, u tha reporterëve, Abdelkader Amri, dhe ka shtuar se “nëse vëllai im ka dorë në sulm, i them atij na ke çnderuar”, raporton AFP.Zyrtarët kishin zbuluar se Amri ishte një azilkërkues i refuzuar me histori të krimit, që i kishte kaluar disa vite në një burg italian dhe për një kohë të gjatë ishte i njohur për agjencitë antiterror në Gjermani.Përgatiti: Fatmir Bujupi(RFL)
Kosovë, dy deputetë të VV arrestohen
-Policia ka arrestuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës deputetin Faton Topalli, ndërsa deputeten Albulena Haxhiu teksa po shkonte në një tubim në Gjilan/ PRISHTINË, 8 Dhjetor 2015/ Mbërrin në dy numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës të arrestuar sot, që të dy nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje. Sapo njoftohet se, Policia e Kosovës ka arrestuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, deputetin Faton Topalli. Ndërsa, paradite u arrestua deputetja Albulena Haxhiu, teksa po shkonte në një tubim në Gjilan.Dje, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pas orësh qëndrimi i ftuar në Polici dhe Prokurori, është liruar me procedurë të rregulltë.Në 30 nëntor, arrinte në pesë numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës të arrestuar, pasi policia konfirmonte shoqërimin në stacionin policor të Ismail Kurteshit e Fisnik Ismaili të VV dhe Haxhi Shalës së Nisma-s.Më parë, është arrestuar në selinë e VV-së Albin Kurti, Donika Kada Bujupi e AAK është arrestuar në shtëpinë e saj, ndërsa kërkoheshin dy të tjerë – Albulena Haxhiu e Faton Topalli, të VV. Për këta deputetë kishte fletë arreste pas zhvillimeve në Kuvend me gaz lotsjellës dhe përplasje tjera.Në reagime opozita sot thekson se, “veprimet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit. Opozita e bashkuar nuk do të ndalet deri në tërheqjen e marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe për demarkacionin me Malin e Zi”.Sipas opozitës, “Kosova sot është përballë një problemi politik, një krize politike, një krize parlamentare dhe logjika që problemet politike të zgjidhen me mjete policore nuk mund të interepretohet ndyshe përpos si shtypje e lirive politike”.“Arrestimi i deputetëve ka qenë një veprim i nxituar, dhe përgjegjësinë për këtë e mbajnë vetë urdhërdhënesit, të cilët kanë rënë në kurthin që e kanë ngritur vetë. S’ka shtet normal që mban kaq shumë deputet në burg, në të njejtën kohë”, thuhet në reagimet e opozitës./b.j/
Ne foto:Deputeti Faton Topalli, ne mes
Arrestohen 12 imamë në Kosovë dhe të tjerë
* Shefqet Krasniqit iu gjetën edhe dokumente të Serbisë/
* Thaçi Naim Tërnavës: Jep dorëheqje/
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Urdhër bastisje dhe ndalim dhe pas vendimit të Gjyqtarit të procedues paraprake të Gjykatës Kompetente, sot është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës, me ç’rast janë bastisur dhe janë arrestuar 15 persona.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.
“Pas veprimeve të ndërmarra sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
====
Kush janë 12 imamët e BIK’ut që u arrestuan sot
Policia e Kosovës ka kryer të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit një aksion policor në tërë vendin, në ndjekje të personave të dyshuar për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe përçarjes kombëtare, që bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Derisa vazhdon aksioni policor, deri më tani janë arrestuar 13 persona, prej tyre përveç liderit të partisë islamike LISBA, Fuad Ramiqit, të tjerët janë hoxhallarë nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.
Më poshtë lexoni emrat e të gjithë të arrestuarve deri në këto momente, të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe shkuarjes të të rinjve nga Kosova për të luftuar “në emër të Zotit” përkrahë organizatave terroriste ISIL dhe Al Nusra.
1. Sabahudin Selimi,
hoxhë nga Vitia.
2. Enes Goga,
kryeimam në Këshillin e Bashkësisë Islame (BIK) në Pejë.
3. Eroll Nesimi,
hoxhë dhe administrues i poratalit perkujtimi.net
4. Idriz Bilibani,
hoxhë i komunitetit boshnjak dhe administrator i portalit stazomislama.com
5. Leonard Ruli,i vetëquajturi Ebu beker Ruli, hoxhë nga Prizreni.
6. Dardan Gjuka,
imam nga Peja, ligjërues në radio radio-udhezimi.com
7. Shefqet Krasniqi,
i lindur më 20.6.1966, në fshatin Sibovc të Obiliqit, ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, njëherësh edhe imam në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
8. Shefki Koraçi,
imam në Kaçanik.
9. Mazllam Mazllami,
jeton në Prizren, imam në xhaminë e “Jeni Mahallës”.
10. Bedri Robaj,
imam në xhaminë e improvizuar në lagjen Dardani të Prishtinës.
Ajo është jashtë juridiksionit të BIK-ut. Xhamia pa emër e vetëm me mbi shkrimin “XHAMI”, gjendet në lokalet e Ndërmarrjes Shoqërore (NSh) “Auto-Prishtina”, ndërsa qiraja e hapësirës financohet nga Fatos Rizvanolli, biznesmen nga Peja.
11. Ekrem Avdiu,
i lindur më 18 Korrik të vitit 1971, në qytetin e Mitrovicës, aktualisht imam dhe ligjërues në xhaminë e lagjes ‘Tavnik’ dhe është anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës.
12. Enis Rama,
i lindur më 12 Qershor 1976, në qytetin e Mitrovicës, jeton dhe vepron në Mitrovicë, ku mban edhe ligjërata të rregullta javore si imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë, si dhe është kryeredaktor në televizionin Peace TV Shqip.
13.Fuad Ramiqi,
i linduar më 26 mars 1960, në Pozharan komuna e Vitisë. Aktualisht kryetar i Lëvizjes Islame Bashkohu – LISBA.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit njësiti antiterrorist ka filluar operacione policore në tërë Kosovën, dhe se ka arrestuar disa persona të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe përçarjes kombëtare – vepra penale që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për lajmi.net se operacioni policor po ndodh në disa rajone të Kosovës, dhe se janë arrestuar disa të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar. Ai ka thënë se derisa operacioni është ende duke vazhduar, Policia nuk mund të jep detaje të tjera rreth këtyre arrestimeve.
====
Të arrestuarit, Shefqet Krasniqi dhe Fuad Ramiqi, po intervistohen
Burime të Policisë së Kosovës, kanë konfirmuar arrestimin e Shefqet Krasniqit dhe Fuad Ramiqit.
Poashtu, të njëjtat burime, pohojnë se Krasniqi dhe Ramiqi, janë duke u intervistuar.
====
Përpos imamit Shefqet Krasniqi nga Prishtina e Enes Goga nga Peja, arrestime imamësh ka pasur sot edhe në Mitrovicë.
Siç konfirmoi Policia e Kosovës, operacioni policor përfshin disa rajone në Kosovë.
Mësohet se arrestime të imamëve ka pasur mëngjesin e së mërkurës edhe në Mitrovicë.
Policia në këtë rajon ka arrestuar imamin Enis Rama, imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë dhe kryeredaktor i televizionit ‘Peace TV’ në shqip.
Një tjetër emër i njohur pos tij është edhe Ekrem Avdiu, që, aktualisht shërben si imam dhe ligjërues i xhamisë në lagjen Tavnik njëkohësisht është anëtar i BIK-ut në Mitrovicë.
====
Sot në mengjes është arrestuar në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, hoxha Ekrem Avdiu.
Këto burime kanë treguar se arrestimi është bërë në shtepinë e tij.
Policia e Kosovës në aksionin e saj ka arrestuar edhe imamin e Pejës Enes Goga
Burime të lajmi.net nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, kanë bërë të ditur se të mërkurën në mëngjes është arrestuar krye-imami i Pejës, Enes Goga.
Motivet e këtij arrestimi janë të njëjta me të Krasniqit; nxitja e urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizmi Islam.
====
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është arrestuar të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës. Ndër të arrestuarit mësohet se është edhe drejtuesi i partisë LISBA, Fuad Ramiqi.
Sipas burimeve të lajmi.net, sot (e mërkure) para pak çastesh Policia e Kosovës ka vënën nën arrest imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin.
Motivet e këtij arrestimi nga policia, kanë qenë nxitja e urrejtjes ndërfetare e ekstremizmi Islam.
Ndryshe, para një muaji, janë arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra, duke kryer me këtë vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Shefqet Krasniqit iu gjetën edhe dokumente të Serbisë/
Policia e Kosovës, gjatë bastisjes të shtëpisë së Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, përveç parave kanë konfiskuar edhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.
Në shtëpinë e Krasniqit, i cili gjatë një aksioni të gjerë policor në shkallë vendi, u arrestua të mërkurën së bashku me 11 imamë të tjerë, janë konfiskuar 8 mijë euro kesh, mbi 7 mijë franga zvicerane, 2 mijë e 300 dollarë, denarë – shuma e të cilave nuk dihet, monedha arabe, rupi të Pakistanit, si dhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.Imami, njëherësh ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, në fillim të këtij muaji, pas arrestimit nga policia dhe intervistimit nga prokuroria, ishte liruar pas disa orësh, për tua arrestuar sërish sot, kësaj radhe me shumë kolegë, si të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar, përçarjes kombëtare dhe veprimtari të tjera që bien ndesh me sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Krasniqi, prej kohësh njihej në opinion me ligjëratat e tij nxitëse të ekstremizmit fetar ndër shqiptarë, të cilët, qoftë myslimanë, të krishterë a ortodoks, historikisht njihen për bashkëjetesë dhe tolerancë fetare.
Thaçi Naim Tërnavës: Jep dorëheqje
Eksperti i arsimit, Jusuf Thaçi, i ka quajtur hipokrizi të pështira, deklaratat e BIK’ut të Naim Tërnavës se askush nuk është mbi ligjin.
Në vend të deklaratave që ai i quan hipokrizi të pështira, ai i bën thirrje Tërnavës të japë dorëheqje, duke i thënë se heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve, ndërsa dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve.
Këto komente ai i ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Me gjithë sugjerimet e shumë miqve që për shkak të ndjeshmërisë së temës të mos shprehem publikisht, megjithatë nuk po më zë vendi-vend pa e thënë qëndrimin tim në lidhje me zhvillimet e sotme rreth arrestimit të disa imamëve e zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe qëndrimit të BIK-ut në lidhje me këtë.
Andaj po i drejtohem publikisht kryetarit të BIK-ut, z. Naim Tërnava.
Z. Tërnava, sot u arrestuan më shumë se 10 imamë të xhamive (kryesore) e zyrtarë të BIK-ut, pra punëtorë dhe vartës tuaj. Qëndrimi zyrtar neutral i BIK-ut me fraza demagogjike “askush mbi ligjin” shpërfaqë një hipokrizi të pështirë që nuk i ka hije një institucioni, që para së gjithash do të duhej të ishte institucion moral.
Jo ore zotëri, merrni kurajon dhe:
– Nëse besoni në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e mbroni publikisht dhe mobilizoni të gjitha burimet profesionale e financiare të BIK-ut për t’i mbrojtur ligjërisht të arrestuarit, pavarësisht presionit publik, medial e politik.
– Nëse besoni në fajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e denonconi publikisht dhe jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të paaftësisë tuaj për të parandaluar kryerjen e veprave ligjërisht të dënueshme nga vartësit tuaj.
– Nëse nuk keni qëndrim (nuk besoni as në fajësinë e as në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar), atëherë jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të papërgjegjshmërisë tuaj, si person që e udhëhiqni BIK-un për gati një dekadë e nuk i njihni ende vartësit tuaj.
Z. Tërnava, heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve! Dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve!
P.S: Për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe mundësisë së shtrembërimit të mesazhit tim, nuk do të lejoj komente emocionale në këtë postim, as pro as kundër askujt!” ka shkruar Thaçi në Facebook.(Kortezi: Gazeta “Bota Sot”
Prokuroria: 7 të arrestuar, rekrutonin shqiptarë për të luftuar në Siri
Në kuadër të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, me mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme janë arrestuar shtatë persona, të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri.
Në një deklaratë për mediat, Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci, dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi bën të ditur se të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”.Kështu, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur masën e sigurisë për personat e mëposhtëm: Genci Balla, nga Librazhdi, i vetëshpallur Imam i Xhamise te Unaza e Re, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, (organizator) si dhe Bujar Asllan Hysa, nga fshati Bastar, Tiranë e banues ne Mëzez, Tiranë, me arsim te mesem, i vëtëshpallur Imam i Xhamise se Mezezit, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, (organizator).
Beci bëri të ditur se në banesën e të arrestuarit Hyka u gjetën dhe u sekuestruan, dy aparate telefoni celular, disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik, kartë identiteti në gjuhën arabe si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë, disa libra fetarë, mes të cilëve Libri”Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”.
Gjithashtu, ai tha se në objektin ku ushtron veprimtarinë fetare, u gjetën tre njësi kompjuteri, çantë ushtarake kamoflazhi, dy telefona celularë, 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Prokuroria tha se të arrestuarit e tjerë janë Edmond Balla, nga Elbasani, (organizator), Zeqir Imeri nga Dibra dhe banues Yrshek, Tirane, (organizator dhe pjesëmarrës). Në banesën e të ndaluarit Imeri u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës material, 8 telefona celularë, 2 karta telefoni, një granadë ofensive e pa montuar, një armë automatike e tipit kallashnikov, katër krehëra automatiku, 320 (treqind e njezete) fisheke te kalibrit 7.62, një thikë, dy radio dhënëse-marrëse, një xhup kamuflazhi.
Ndërsa tre të arrestuarit e tjetër gjatë këtij operacioni janë Verdi Morava, nga Tirana financues i grupit, Fadil Muslimani (Dervishi), nga Elbasani dhe Astrit Tola, nga Dibra, të dy ndihmësa.
Në banesën e këtij të fundit u gjet një çifte 12 fishekë, 11CD, broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe, një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë dhe një unfiformë ushtarake.
Prokuroria sqaron se shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shtetasit Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.
Ndërsa shtetasit Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.
Gjithashtu, nga forcat e Policisë së Shtetit, në bazë të autorizimit të gjykatës, u ushtrua kontroll në disa ambjente në Tiranë dhe Pogradec, ku ushtronin veprimtarinë e tyre këta persona.
Ndërkohë, në kuadër të këtij hetimi, janë caktuar masat e sigurimit edhe për gjashtë persona të tjerë, të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale, si edhe po vijojnë hetimet nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe oficerët e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.