-Deklarata e përbashkët e donatorëve mbi rezultatet e PISA në Kosovë: Shqetësuese, të trajtohen në mënyrë serioze/
-Rezultatet e publikuara dje të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) treguan se nga 72 vendet pjesëmarrëse Kosova radhitet ndër tre vendet më të dobëta/
-Joint Donor Statement on Kosovo’s PISA results/
PRISHTINË, 7 Dhjetor 2016/ Rezultatet e publikuara dje të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) treguan se nga 72 vendet pjesëmarrëse Kosova radhitet ndër tre vendet më të dobëta, thekon Deklarata e përbashkët e donatorëve, e dërguar sot nga Zyra e Bashkimit Evropian.
Zyra e BE-së në Kosovë / Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, Agjencia Austriake për Zhvillim, Ambasada e Zvicrës dhe World Learning në Kosovë kanë lëshuar në deklaratë, ku më tej thuhet: Përderisa ne e vlerësojmë pjesëmarrjen e Kosovës në PISA dhe të tjera vlerësime ndërkombëtare, rezultatet e kësaj përpjekjeje të parë janë shqetësuese dhe duhet të trajtohen në mënyrë serioze. Këto rezultate të PISA tregojnë performancën e nxënësve të shkollave të mesme në të gjithë Kosovën. Këto janë një tregues i rëndësishëm i efektivitetit të sistemit të detyrueshëm të arsimit bazik dhe një parashikues i besueshëm i edukimit të ardhshëm. Duke pasur parasysh këto rezultate të dobëta, duhet të ndërmirren veprime të forta, të menjëhershme dhe të përbashkëta.
Reformat në arsim duhet të miratohen pa vonesa të mëtejshme, duke përmirësuar në këtë mënyrë transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha nivelet. Korrupsioni dhe nepotizmi nuk kanë vend në sistemin dhe institucionet e arsimit dhe duhet të ndërmirren veprime për të siguruar këtë. Korrupsioni duhet të eliminohet dhe përpjekjet kundër nepotizmit duhet të mbështeten. Koordinimi dhe komunikimi brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) duhet të ridefinohen për të mundësuar bashkëpunim efektiv dhe efikas.
Strategjia e re e Kosovës mbi arsimin tregon fushat prioritare dhe ofron një kornizë për gjallërimin e reformës së arsimit. Kurrikula e re me fokus në mësimdhënie dhe të nxënit të bazuar në kompetenca ofron një plan shumë të fortë për të zhvendosur fokusin e sistemit arsimor nga përvetësimi i pastër i njohurive tek kompetencat që nxënësit e shekullit 21 kanë nevojë. Të gjitha parakushtet për një zbatim të suksesshëm kombëtar të kësaj reforme, të tilla si tekste shkollore të reja, trajnime të mësimdhënësve dhe udhëzues dhe materiale të mëtejshme duhet të ofrohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Edhepse arsimi është një detyrë shoqërore dhe të gjitha palët e interesuara duhet të kontribuojnë, është përgjegjësi e veçantë e Qeverisë së Kosovës për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë qasje të barabartë në arsim të cilësisë së lartë. Një shumë e mjeteve tashmë janë investuar në arsim por rezultatet kanë qenë të kufizuara. Për këtë qëllim, investimet në cilësinë e arsimit në Kosovë duhet të rriten ndërkohë që përdorimi efektiv i burimeve në dispozicion duhet të sigurohet.
Si përfaqësues të komunitetit të donatorëve që mbështesin zhvillimin e Kosovës, ne presim që Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë të sigurojë një diskutim të gjerë të rezultateve të PISA në qeveri dhe në parlament. Këto rezultate të PISA mund të shërbejnë si një hap tutje për sistemin arsimor të Kosovës: Arsimi duhet të bëhet prioritet ndërpartiak kombëtar në mënyrë që të sigurojë punën e duhur të nxënësve të Kosovës në një treg konkurrues të punës.
Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në PISA dhe rezultatet e publikuara sot japin përgjigje mbi kompetencat e nxënësve të moshës 15 vjeçare, e ngjashme me një pikë referimi të besuar dhe të respektuar ndërkombëtar./b.j/