• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARSIMI SHQIP NË SUEDI

September 9, 2017 by dgreca

Monument mësuesve të mërgatës shqiptare/

kadritarelli-1

Nga Kadri Tarelli/

Ndjek me vëmendje shkrimet që publikohen shpesh nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe në portalet e internetit, lidhur me arsimin shqip të fëmijëve të mërgimtarëve tanë nëpër botë. Dëshirë e një mësuesi të hershëm, që e nisi dhe e grisi jetën në arsim, që të njoh përpjekjet dhe arritjet e kolegëve mësues nëpër vende të botës ku ka shqiptarë. Çdo herë i  përshëndes këta misionarë të dijes e të shqipes, që përpiqen me të gjitha forcat dhe mundësitë që u krijohen. Së  pari të mbijetojnë vetë, më pas edhe të mbajnë gjallë gjuhën amtare, te të vegjëlit dhe të rinjtë shqiptar. Është një përpjekje madhore, pasi jo kudo gjen teren të përshtashëm, ku shteti dhe komuniteti vendas janë mirëkuptues, dashamirës dhe ndihmues, pa përjashtuar edhe mundësitë e organizimit të vetë shqiptarëve. Ky një kapitull më vete, sepse është edhe çelësi i suksesit.

Kam takuar e biseduar me shumë kolegë, kur vinë në Shqipëri në periudhën e verës. I admiroj, ndaj diku edhe kam shkruar për ta. Më vjen mirë që shpesh organizohen tubime e kuvende me mësues nga diaspora, përmend takimin e fundit në Gjakovë, këtë verë që shkoi 2017, ku morën pjesë një numër i madh mësuesish. Nuk dua të ndalem tek vështirësitë, që janë të pranishme kudo, që po ashtu janë edhe të ngjashme. Është interesant se, po ashtu të njëllojta janë edhe përpjekjet e tyre, për të kapërcyer pengesat, që: O zot sa shumë që janë! Aqsa vargu i tyre nuk ka fund.

Po qendroj tek “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, të autorit Hysen Ibrahimi, vetëm për një arrsye të thjeshtë: Arritjet e atij komuniteti shqiptarësh, në zhvillimin e arsimit shqip në veriun e largët të Europës, në Suedi, si shembull e model për të gjithë dashamirët dhe punëtorët e arsimit shqip në diasporë. Dikush do të thotë i zemëruar: pse me Suedinë po na krahason, ku ndihma dhe kujdsi janë në majën më të lartë dhe s’ kanë të krahasuar me vendet e tjerë, sado të zhvilluar qofshin. Mbase kanë të drejtë, por po të njohin përpjekjet e mësuesve shqiptar, dhe pengesat që hasën në fillimet e tyre, do të binden se edhe ata nuk e gjetën udhën të shtruar. Mjafton  të lexojnë këtë libër pak voluminoz, por që vlen shumë. Jo pse ka shumë dokumente, ndodhi, shkrime, proces-verbale, emra mësuesish e plot e plot gjëra të tjera, por se tregohen me hollësi dhe me shumë vërtetësi të gjitha mundimet e shqiptarëve, për të hapur klasa dhe shkolla, ku të flitet e të mësohet shqip.

Ky libër, është më shumë se një dokument, është një monument që u ngrihet mësuesëve të mërgatës shqiptare në Suedi. Ata meritojnë shumë e më shumë. Pikërisht në faqet e këtij libri, do të gjejmë mësëshumti, guximin, zgjuarësinë, durimin dhe qëndresën e shpirtit shqiptar, për t’u përballur, së pari me mbijetesën, një dukuri mëse e njohur e çdo emigracioni. Dhe, njëkohësisht për t’u ndeshur me pengesat, që organizonte Serbia dhe shteti Jugosllav, me njerëzit e vet dhe me politikën bllokuese e përçmuese ndaj shqiptarëve. Kjo ishte beteja më e parë, që duhesh fituar dhe që u fitua falë qëndresës, vullnetit e mençurisë shqiptare, sepse bënë të mundur shpërthimin e atij “bunkieri” të informimit agresiv e dashakeqas ndaj shqiptarëve.

Pas kësaj, një tjetër betejë duhesh fituar. Ishte ndoshta më e madhja përballje në atë vend të largët, zotësia për të bindur autoritetet vendore suedeze, se shqiptarët nuk janë as serb e as jugosllav dhe se gjuha shqipe nuk ka as lidhje as ngjasim me sllavishten. Duhesh përmbysur kjo teori e propogandë e mirëorganizuar nga serbët dhe shteti Jugosllav, me të cilën ishin ngopur autoritetet vendase dhe vështirë të thyheshin. Fatmirësisht ata u bindën në të drejtën e mërgatës shqiptare, pasi për ta, ishte befasi qëndrimi dhe veprimi i intelektualëve dhe në veçanti i mësuesve, të cilët për disa vite me radhë punuan pa pagesë. (Një formë pune shumëvjeçare e shkulur nga veprimtaria arsimore në Kosovë, në kushtet e sundimit serb). Nuk vonoi të çelë “Lulja e parë”. Ishte fundi i viteve 1960-1970. Më konkretisht vjeshta e vitit 1968, kur nga mësuesi Bejzat Beqiri, u hap e para shkollë ku mësohej shqip. Më pas u hapën edhe shkolla të tjera, pavarësisht pengesave të shumta, që s’ju ndanë asnjëherë. Sot veprojnë, 263 “çerdhe” të arsimit shqip në Suedi. Faqe 25.

Vitet rrjedhin. Mërgimtarët shqiptar në Suedi shtohen, sidomos pas viteve 1990, si rezultat i genocidit serb, por që gjejnë forca të organizohen. Kështu krijojnë këshilla të prindërve, pak më vonë themeluan “Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar”, me emrin “Naim Frashëri”. Aq e dukshme ishte jehona e tyre, sa znj. Maj Bejier, (Drejtoreshë e entit të lartë shkollor në Ministrinë e arsimit të Suedisë), ndihmoi me të gjitha mundësitë, duke filluar që nga financimi dhe deri te përpilimi i teksteve për mbajtjen e gjuhës shqipe në gjithë Suedinë. Kjo është edhe arrësyeja, që Hysen Ibrahimi, autori i këtij libri, i cili është edhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, vlerëson këtë personalitet të arsimit suedez, për seriozitetin ndaj detyrës. Ai e përmend këtë zonjë të nderuar me shpirt të bukur, mbushur me humanizëm ndaj mërgimtareve tanë, të cilët gjetën në atdheun e saj, strehë, punë dhe liri me tepri.

Takimet e shumta me mësues dhe shkrimtarë shqiptar, që banojnë në Suedi, më ka dhënë mundësi të dëgjoj shumë ngjarje dhe histori që të habisin. Të gjitha janë pasqyruar në librin “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2”, ndaj po ndalem vetëm te ajo që rrëfen Sadulla Zendel-Daja, të cilit në Prill 2016, munda t’i marr një intervistë të shkurtër. Ai rrëfen dhe emocinohet, kur e rikthen veten në 60-vite të shkuar: “Mësuesi serb po i thotë drejtorit të shkollës, se këta fëmijë vijnë nga Kosova dhe kanë një dialekt të jugut të Serbisë, ndaj nuk më kuptojnë mua. Aty ndërhyra unë, duke ju drejtuar fëmijëve: – Dëgjoni! Dëgjoni! Unë jam shqiptar. – Më tej përmenda shumë emra familjarësh që jetonin në  qytetin Nybro. Fëmijët u gjallëruan dhe filluan të flasin, duke thënë: – Po more! Edhe mu ma quajn babën qashtu! …Po pra, ju, ju kuptojmë! – u përgjigjën fëmijët. Ata të gjithë u çuan nga bangat dhe më rrethuan si zogjtë pranë klloçkës”. E kisha shumë pranë këtë burrë të moshuar dhe vura re, se si u gjallërua, kur po fliste për ato ngjarje të shumë viteve më parë. – “Ishte një ditë e shenjtë, një ditë e pritur gjatë”. – Thotë i mallëngjyer me sytë gati të përlotur. Kjo ngjarje me një fotografi të madhe të Dajës u publikua në shtypin vendas, në gazetën “Barometera”. 05. Mars, 1975. Faqe 66.

Këto ndodhi, që tani rrëfehen pranë zjarrit, ishin pika kthese në njohjen dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve vendase, për tragjedinë që luhej e jetohej në Kosovë. Veprimtaria e intelektualëve shqiptar dhe shembulli i mësuesve, durimi, këmbëngulja dhe zotësia, bëri të mundur që të fitohet edhe kjo betejë, aqsa qeveria suedese e vuri në ligj arsimimin e fëmijëve mërgimtar, duke siguruar lokal, mjete shkollore, transport, etj, etj. Të gjitha të financuara nga shteti. Ishte një fitore e madhe që i bën nder vendit mikpritës, por edhe shqiptarëve tanë, të cilët, sa herë u jepet rasti, nuk reshtin që të falënderojnë këtë popull dhe këtë komb me shpirt të madh.

Tani të gjithë njëzëri e pranojmë se, pikërisht përpjekja për gjuhë e shkollë shqipe, ishte faktori numër një, që ndërgjegjsoi edhe politikën dhe politikanët, në qëndrimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Kemi parasysh ngjarjet që pasuan në vitet e fundshekullit XX, që sollën luftën çlirimtare, lirinë e më pas pavarësinë e Kosovës. Suedia ishte i pari vend europian, që njohu pavarësinë e Kosovës.

Para katër vitesh, fund nëntori 2013, në kuvendin që u organizua në Durrës, në përurimin e librit “Thesari kombëtar”, volumi 1-2, në përshëndetjn time, mes të tjerave thashë këto fjalë: “Suedezët ju krijuan kushte dhe qetësi, por ju qëndruat dhe vrapuat, duke u treguar vetes dhe të tjerëve, se ç’mund të bëjnë shqiptarët, kur kanë liri”. Besoj se pata të drejtë në gjykimin tim, pasi shkrimtarët, mësuesit dhe artistët shqiptar në Suedi nuk janë ndalur në gjithë këto vite. Nëse në fillim, problemi i parë ishte mësimi i gjuhës shqipe, tani pretendojnë më shumë. Ata së fundi kanë botuar librin “Thesari kombëtar”, volumi 7-8, që është një arritje e mirëpritur në kulturën dhe letrat shqipe. Jo vetëm kaq, kan krijuar dhjetra shoqata atdhetare e kulturore në të gjithë Suedinë. Po përmend vetëm shoqatën kulturore “Migjeni”, që vepron në qytetin e Borasit. Edhe diçka më shumë: kanë themeluar “Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi, XI. Albani””, një organizëm shumë i çmuar, që unë do ta quaja “Shtëpia e intelektualëve shqiptar”, në Suedi. Përmend, se dy shkrimtarë të mërgatës sonë, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, janë anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë. (Kërkoj ndjes nëse ka edhe të tjerë). Besoj se nuk është pak. Të gjithë intelektualët së bashku, krijojnë mundësinë e njohjes dhe shkëmbimit të vlerave, duke afruar më shumë të dy popujt dhe kulturën e tyre.

Meqënëse jam gjithnjë në kontakt me veprmtarinë letrare të shqiptarëve të atij vendi, më duhet ta theksoj se, krijimtaria e tyre është për t’u admiruar, pasi botojnë shkrime, revista e libra. Përkthejnë në të dy gjuhët shqip e suedisht, krijojnë fjalorë me disa dhjetramijëra fjalë, shqip-suedisht dhe suedisht-shqip. Organizojnë vizita të ndërsjellta me mësues dhe shkrimtarë suedez dhe shqiptarë. Disa vite me radhë në Durrës, kam patur nderin të shoqëroj disa mësues të ardhur nga shkolla “Fjardingskolan” në Boras, drejtor Per Kettsen dhe mësueset Sonja Person e Anette Ekelung, së bashku me mësuesin, shkrimtar dhe publicist Sokol Demaku. Po kështu, grup pune nga shkolla “Demokracia” në Durrës, kryesuar nga drejtor Avdyl Buçpapaj dhe nëndrejtor Zabit Rexhepi, dy herë kanë kthyer vizitën te miqtë e Suedisë.

Në këtë udhë miqësie, kujtoj se, dy punonjëse të bibliotekës publike të Durrësit, drejtore Flora Dervishi, së bashku me Keti Psatha, vizituan Suedinë në kuadër të lidhjes së biblitekave të Durrësit me të Borasit. Në vashdim përmend se Dr. Prof Murat Gecaj, Viron Kona, Nuri Dragoi, Zydi Dervishi, kanë qënë disa herë në Suedi dhe kanë shkruar artikuj dhe libra. Po kështu kanë vizituar Shqipërinë edhe shkrimtaret suedeze, Brita Stenberg, Kristin Bjamdotter, ndërkohë Anna Mattson, vjen tek ne dy vite radhazi, 2016 – 2017. Diku në një shkrim, të korrikut 2016, me titull “Shkrimtaret që na erdhën nga Suedia”, jam shprehur: ……. “Koha rrjedh, ndërsa jeta vazhdon. Nuk di se ç’kanë ndërmend të bëjnë dy shkrimtaret suedeze, (Anna Mattson dhe Brita Stenberg), mikeshat e nderuara të Lezhës, Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit. Është në dëshirën dhe vullnetin e tyre, por unë, si edhe shumë të tjerë që patën mundësi të njihen me to, shpreh kënaqësinë dhe shpresën që t’i kemi përsëri mes nesh, me veprën e tyre të përkthyer në shqip”.

Pak më sipër theksova se, intelektualët shqiptar që jetojnë e veprojnë në Suedi, janë për t’u admiruar, sepse nuk janë kënaqur e velur nga arritjet e para, pasi ka edhe të tjera fusha ku shkëlqen shpirti krijues i tyre. Ata  kanë ngritur edhe stacione radioje dhe TV, ku trasmetohen emisione në gjuhën shqipe. Kush ka ndjekur sado pak jetën publike, letrare dhe artistike të shqiptarëve në këtë vend nordik, mrekullohet nga veprimatritë e shumta me tematikë të thekur shqiptarie e atdhedashurie.

“Thesari Kombëtar”, volumi: 1-2-3-4-5-6-7-8 dhe “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, janë enciklopedi të jetës dhe veprimtarisë atdhetare, arsimore, letrare e artistike të mërgatës shqiptare në Suedi. Unë nuk di që tjetërkush, në tjetër vend, të ketë bërë një punë kaq të madhe, për pasqyrimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.

Na mbetet vetëm t’i urojmë: Suksese!

 

Kadri Tarelli

Durrës më 06. 08. 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: ARSIMI SHQIP NË SUEDI, Kadri Tarelli

BOTOHET ”VEPRA 2, ARSIMI SHQIP NË SUEDI”

May 3, 2017 by dgreca

DOLI NGA SHTYPI LIBRI I TITULLUAR ”VEPRA 2, ARSIMI SHQIP NË SUEDI” I AUTORIT HYSEN IBRAHIMI/1 vepra2MAGJIA E TË SHKRUARIT NXJERRË NGA FAKTE DHE DOKUMENTACIONE/

Nga Prof. Bedri Paci/

Të shkruarit e përmbledhur nga ngjarje të dokumentuara dhe faktografike, reale, është magjia e vërtetë e elokuencës. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të jesh i qartë, edhe kur e tregon me dokumente dhe fakte, të jesh edhe i kuptueshëm. E i tillë është çdo njeri që pasqyron gjërat reale të dokumentuara me fakte, është elokuent në rrëfimet e tilla.

Pikërisht kjo magji stolis dokumentet mbi ngjarjet në mërgaten shqiptare në Suedi, për kultivimin, zhvillimin dhe mbajtjen e gjuhës së shenjtë shqipe, në mënyrë të organizuar dhe gjithëpërfshirëse në këtë vend nordik, skandinav.

Autori Hysen Ibrahimi ka qenë i përpiktë dhe ambicioz në grumbullimin e të gjitha dokumenteve faktografike që përmbledhin angazhimin, aktivitetin e LASH-it, të këshillave prindëror, të kryesisë dhe kryetarit prof.Bedri Paci që me përkushtim dhe vetmohim të plotë u përkujdesen, që gjuha shqipe dhe kultura të lulëzojë në majat më të larta të edukimit të brezit të ri që nga represaljet e okupatorit serb ishin detyruar me familjet e tyre të kërkojnë strehim në Suedi. Duke bërë një rrëfim nga shkolla e parë e vetme shqipe, nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta, e duke vazhduar me rrëfimin në fundin e viteve të  shtatëdhjeta, përseri hapja e ndonjë shkolle shqipe në vise të tjera të Suedisë. E duke vazhduar me rrëfimet e mëtejshme.

Në mënyrë të organizuar dhe gjithëpërfshirëse me një asociacion qendror për tërë Suedinë,u bë realitet nga mësimdhënës dhe intelektualë të të gjitha trojeve shqiptare që jetonin dhe vepronin në këtë vend skandinav. Që një domosdoshmëri, nga që një numër masiv, të themi një armatë e tërë nxënësish me familjet e tyre, nga represaljet, dhuna dhe  gjenocidi brutal nga makineria kriminale ushtarake serbe mbi popullin shqiptar në Kosovë, bëri që të shpërngulen pasivisht,  një pjesë dërmuese u deturuan të kërkojnë strehim në Suedi.

Pra, këtu  lindi nevoja emergjente e një organizimi dhe vënia e gurëthemelit të LASH-it, me kryetar  prof.Bedri Paci,  të një asociacioni që me shumë punë dhe përkushtim ia arriti të  lidhë kontakte të shkëlqyera, duke arritur marrëveshje në takimet që ndërmori për Entin e Lartë Shkollor. Mori një ndihmesë të pakufizuar nga Zonj.Maj Beijer (Drejtoreshë e Entit të Lartë Shkollor, në Ministrinë e Arsimit të Suedisë).

Ajo që ndihmoi me gjitha resurset financiare. Pra, drejtoresha Maj Beijer në këtë Ent, bëri që LASH-it, t’i plotësoheshin gjitha kërkesat e parashtruara në takimet që ndërmori me Zonj.Maj Beijer. Kërkesat emergjente: njohjen e LASH-it nga ky Ent; i menjëhershëm dhe  emergjent ishte financimi, tërhjeqja, përzgjedhja, përpilimi dhe formimi i grupeve të punës për përpilimin e teksteve të reja e të përshtatura për kohën, për mbajtjen e gjuhës shqipe në tërë Suedinë. Mbas gjithë kësaj pune që beri LASH-i, u kurorëzua kur dolën  tekstet e reja në disa lëndë të rëndësishme të gjuhës shqipe dhe ku menjëherë u shpërndanë në gjitha strehimoret dhe komunat, ku  mbahej dhe zhvillohej gjuha shqipe. Autori ka bërë punë me vlerë që do ngelin për brezat e ardhshëm, në studimet dhe hulumtimet  e tyre, dhe vlerën që do t´i japin kontributeve dhe angazhimit që mërgata shqiptare ka bërë në kohërat dhe ngjarjet më shqetësuese të historisë së terrorit dhe largimit nga trojet etnike të kombit shqiptar, në vendet e huaja, si në Suedi, etj.

Këto dokumentacione e fakte që kanë një tregues, s´e mërgata shqiptare është gjendur gjithmonë e bashkuar, për t’i dalë në ndihmë kombit, ku dhe kur është kërkuar. Edhe aty ku mërgimtarët shqiptarë jetojnë e veprojnë, kanë ngritur gjithnjë zërin për mbrojtjen e kombit kundrejt padrejtësive që i janë bërë nga pushtuesi dhe agresori i jashtëm.

Këtij dokumentacioni autori i ka dhënë një shkëlqim, duke e vendosur në librin “VEPRA” (ARSIMI SHQIP NÊ SUEDI) 2”  Duke e bërë pjesë të botimeve me vlera historike të pa kontestueshme për kohën. Të ndodhura e të zgjidhura nga mërgata. Duhet vlerësuar  jashtë mase ndihmesa në resurse që LASH-it,  iu dha´nga drejtoresha Maj Beijer në Entin shkollor suedez. Që LASH-it, t’i plotësoheshin kërkesat për botimin e teksteve shkollore të gjuhës shqipe duke financuar edhe grupet e punës që bënë pëzgjedhjen dhe përpilimin e këtyre teksteve mbasi që kryetari prof.Bedri Paci,vetë personalisht bëri të mundur që nga udhëtimi që bëri të tërheqë në Tiranë tekstet e reja të botuara, por jo të shpërndara.

Me këmbëngulje bëri të mundur t’i blejë nga Enti i 8 vjeçares pranë Ministrisë së Arsimit, të Republikës së Shqiprisë. Prof.Bedri Paci, me t’u kthyer në Suedi, bashkë me Kryesinë formoi grupet e punës për përpilimin e teksteve të përshtatura me planprogramet e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës dhe planprogramit të gjuhës amëtare shqipe në Suedi.

Ky libër i pasuruar nga dokumentacioni i autorit Hysen Ibrahimi, pjesën dërmuese e mori nga Prof.Bedri Paci, e ka ndërlidhur bukur me punën e Këshillave prindëror,mësimdhënsve dhe gjithë atyre bashkëatdhetarëve që dhanë një kontribut vullnetar, që fëmijët shqiptarë mos të humbin gjuhën dhe kulturën e tyre këtu në Suedinëe largët. Këtë punë të shenjtë për kombin e bën me shumë dashuri dhe vullnet, pa as një kompensim, por me një vetëmohim të flaktë dhe punë të organizuar dhe të pa lodhur, e bënë në çdo cep të Suedisë. Ku dha dhe rezulatet dhe sukseset më të mira.

Autori ka gërshetuar gjitha këto ngjarje të përmbledhura në këtë libër “VEPRA  ( ARSIMI SHQIP NÊ SUEDI)2”. Në shtatë kapituj sa ka gjithsejt libri, duke u mbështetur në fakte dhe të dhëna konkrete, të mbledhura edhe nga terreni, është dhënë një pasqyrë e detajuar, ku e bën librin një thesar në vete. Nga një organizim masiv në agimin e viteve të nëntëmbëdhjeta është kjo një provë e dyfishtë, peshë dashurie, duke pasur peshë specifike, që mërgimtarët në Suedi qenë me trup në dhe të huaj, por me mendje dhe zemër në vendlindje. Pra, këtu ku u ndërmorën veprimet e para për mbajtjen e gjuhës shqipe që u mbështet dhe u ndihmua nga asociacione të tjera shqiptare që vepronin në Suedi. Për një qëllim të përbashkët ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare shqipe në këtë vend skandinav.

Pra,  kjo vepër s´do të shihte dritë, dhe s’do të bëhej e mundur, pa një sakrificë të madhe nga të gjithë aktorët që dhanë dhe vazhduan të japin ndihmesën e tyre, që kjo vepër e shenjtë të ketë shumë sukses dhe  të japë ndihmesë dhe përkrahje personale nga Prof. Bedri Paci, që edhe kjo dritë të shëndrijë edhe në  vendet e tjera skandinave: Norvegji, Danimarkë dhe Finlandë. Ata bënë që Kosova t´u bënte ballë sfidave më makabre që mund të vinin nga një pushues primitiv, siç ishte Serbia. Falë kontributit të mërgimtarëve mundën të qëndronin të pa tundur, të pa përkulshëm para dhunës së pushtuesit gjakpirës. Mesazhi është për herë aktual, të kordinuar të punojmë së bashku për kombin, që të lulëzojë e të forcohet, atëherë do jemi të gjithë, edhe kombi i bashkuar në një të vetëm, ashtu edhe siç duhet të jetë, e të zënë vendin që meriton e që na takon. Ngaqë jemi kombi më i vjetër autokton i Evropës.

Për këtë kauzë duhet të japim kontribute gjithënjë dhe gjithmonë që kombi të forcohet. Efektet e kordinimit, organizimit, angazhimit të të gjithëve reflektohet në këtë libër me vlera, duke ju dhënë  me këtë libër një porosi brezave që vijnë pas.

Nëpërmjet ruajtjes së identitetit kombëtar dhe po kësaj vazhdimësie ndërtojmë traditën tonë.

Të ndërtojmë themele të forta, të pa lëkundura, as nga tërmetet më të fuqishme mos të lëkundet, mbi të cilat do ndërtonim fortesa duke i përsosur gjithnjë ato.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ”VEPRA 2, ARSIMI SHQIP NË SUEDI, Botohet

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT