Nga ARTUR AJAZI/
A është “dashuria” Rama-Meta drejt fundit , apo po pergatitet ardhja e këtij të fundit kryeministër? Duke parë të gjitha lëvizjet e fundit, devijimet dhe deklaratat e dala nga selitë respektive, deputetët dhe tek-tuk edhe nga lidershipi dy partive, mendoj se pavarsisht lidhjeve organike, duket se gjithçka ka marrë rrugën drejt fundit të paralajmëruar. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duket sikur janë “një familje” që për hir të objektivave dhe ideve, duken sot sikur kanë patur një alenacë të paprishur mes tyre. Por duket se edhe ardhja e Ramës në PS më 2005, nuk ka mundur të zbusë klimën e ftohtë mes dy partive dhe liderve. Kjo e ka shpjegimin tek kryeneçësia e Ramës por edhe tek ego e Metës, i cili ka dhënë prova se di të bëjë e të luajë në skenën politike. Kampi socialist ka vite që po kalon klimën e acartë, mes mllefesh e sherresh. Por bashkimi i tyre elektoral, u vendos atëhere kur, palët e kuptuan se do të mbeteshin pa pushtet edhe për shumë vite dhe se nuk mund të mbijetonin të ndarë përballë një Berishe të fortë. Mes PS-LSI pas një viti e gjysëm në heshtje, në dukje si një “luftë e ftohtë” ka nisur përplasja e nëndheshme e cila nuk do të vonojë. Duke parë ecurinë e këtij koalicioni nga qendra në bazë, konkluzioni megjithëse paraprak është se, “dashuria” Meta-Rama nuk do ketë sukses të gjatë, sepse ia kanë me të pabesë njëri-tjetrit. Ndoshta edhe gabojmë, pasi Meta nuk ka parë shumë të mira nga grindjet politike, duke nisur nga koha e përplasjeve në KPD, nga largimi prej Nanos në 2003, ndryshimet Kushtetuese 2008, krushqia e detyruar me Berishën në 2009, e deri tek ngjarjet e vitit 2011. Duket sikur të gjitha këto gjëra kanë ndodhur jashtë natyrës Metës si politikan. Kurse Edi Rama, veç periudhës 3 vjeçare nga 2006 deri 2009,nuk kishte marëdhënie të mira me LSI, pas ndryshimeve Kushtetuese dhe Kodi Elektoral. Kjo pasi Meta e akuzoi se donte t’i shkatërronte partinë e tij, kurse Rama deklaronte se “ sistemi e forconte më shumë atë”. Dhe gjithçka rrodhi mes një situate të kompleksuar politike mes tyre. Nga krahu tjetër, Rama mendonte se Metës “I kishte mbaruar koha”, por ai e harroi faktin se harronte se kishte ardhur në PS pas tij. Ai gjithashtu harronte faktin se, Meta i vetëm ngriti LSI, dhe në 2005 mori edhe 5 deputetë. E majta e përfaqësuar aktualisht mes Ramës dhe Metës, përballë këtyre zigzakeve dhe përplasjeve politike, ndodhej vërtetë në krizë të pashmangshme e cila mund të ishte fatale në qoftë se, Meta do të bënte sërish “krushqinë” e tij me Berishën në zgjedhjet e 23 qershori. Kreu i LSI, njihet si njohës i mirë i politikës, dhe e dinte se, nëse PD fitonte më 23 qershor, fundi i tij ishte i pashmangshmëm. Kjo pasi Berisha do ta bënte “kurban” në momentin e parë. Kurse PS e Ramës, do të shpërbëhej nga lufta e brendshme, dhe e majta merrte fund përgjithmonë . Pra mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë të majtën ishte ishte bashkimi PS-LSI dhe riformatimi i tyre në skenën politike. Një teori e tillë u servir edhe nga e majta europiane, sipas të cilëve, duhej të ringrihej e majta dhe më pas të ndahej pushteti mes tyre.e thënë më shqip, të fitonin mbi Berishën në 23 qershor dhe më pas të tatonin në qeverisje njëri-tjetrin. Pas këshillave ishte Rama që vendosi bashkimin me Metën , duke e parë si fuqinë e vetme për të ardhur në pushtet. Nga ana e tij, edhe Meta e shikonte bashkimin me Ramën si arsyen e fortë, për të qëndruar sërish në pushtet, por kësaj here jo në postin e kryeministrit. Nuhatja e tij politike, përkthehet “lëre Ramën të provohet si kryeministër”, dhe gabimet e tij do të maten me imazhin publik të dorëheqjes. Pra kjo ishte dhe mbetet “dashuria” e tyre, dashuri që duket se fundin do ta ketë spektakolar.
Duke kërkuar një burrë shteti për Shqipërinë
Opinion nga ARTUR AJAZI/
Shqipëria ka vite që kërkon një burrë shteti, një autoritet që të ndërlidhë shumë komponentë për të mundësuar ekuilibrat politikë e shoqërorë në këtë vend. Vendi ka vite që përjeton krizën e autoritetit, dhe pozicionin e burrave të shtetit e kanë pushtuar anonimët politik, të pamoralshmit, të korruptuarit, të ngriturit në majë sipas “shkatërrimokracisë”. Shqipëria në këto momente historike, ndjen nevojën e një burri të vërtetë shteti. Por eksperienca e 25 viteve të fundit, ka treguar se mosnjohja e vetes, i ka shtyrë shumë politikane të synojnë vetëm majën. Deliri i madhështisë mbetet një epidemi që ka prekur politikanët e këtij vendi, duke kultivuar mitin e vetvetes. Kjo garë që nuk njeh kushte dhe barriera ka “lojtarë” vetëm nga klasa politike ku shumica përbëhet nga mediokrit. Duke mos njohur veten, ata deklarojnë dhe ripërsërisin gjithmonë dhe kudo që “Jemi të Parët”. Paradoksi dhe absurdi, amoraliteti dhe anormaliteti, mediokriteti dhe miti i vetvetes përbëjnë një realitet. Sikur politikanët të votonin në mënyrë të fshehtë për presidentin e Shqipërisë, ne do të ishim dëshmitarë të absurdit, ku në fund secili prej tyre kishte fituar nga një votë. Një dukuri e tillë kur shfaqet në jetën politike të një vendi është mbushur me dhimbje, dramë, fatkeqësi, dhe fatalitete. Turrja pas karrierës, pushtetit, për të kapur majën , është tragjedia më e madhe e një populli që kërkon të ndërtojë dhe begatojë jetën e tij. Asnjë popull nuk mund të përparojë nëse në krye të drejtimit të tij, nuk ka burra shteti. Mungesa e këtyre burrave në drejtimin e vendit, përbën krizën më të rëndë politiko-shoqërore, duke prodhuar kriza të tjera si ajo ekonomike, e morale. Situata mbetet sa e zymtë dhe e trishtuar, pasi janë karrieristët dhe aventurierët , që deliri i ka çuar në marrëzi, në konflikte e armiqësi. Kriza politike që përsëritet shpesh , është rrjedhojë e krizës së autoritetit, e mungesës së një klase politike me mentalitet të ri , idealistë, demokratë dhe europianistë. Dhe mungesa e një klase të tillë politike, ka sjellë pasoja që kanë reflektuar direkt në jetën tonë, dhe kanë sjellë drama dhe fatkeqësi, më tepër se lumturi. Shpura e politikës që kanë zënë vendin e burrave të shtetit, kanë ndërtuar sistemin e tyre që funksionon si një rrejt i sofistikuar merimangash, duke hequr shpresën e shumicës së shqiptarëve. Krimi godet në mes të ditës, në qendër të qyteteve, mjerimi dhe varfëria është bërë e pranishme në shumicën e shqiptarëve, kurse pasuria shënon rritje të përvitshme tek të korruptuarit. Shtresa e intelektualëve ka vite që ka marrë rrugën e mërgimit, dhe këtu po mbeten “të parët” dhe pasuria e tyre e pamerituar. Në Shqipëri ata që merren me trafik dhe korrupsion, janë shtresa e pasur, një paradoks sa absurd dhe alarmant për fatet e një vendi. Në një situatë të tillë, vendi padyshim kërkon burrin e shtetit, të bëjë revolucionin, ndryshimin, progresin. Në një gjendje e tillë, çdo qeveri do të jepte dorëheqjen ose do të merrte mbi supe një mision të madh. Kushdo që jeton sot në Shqipëri e sheh të vërtetën objektivisht dhe jo i ndikuar nga ideologjia partiake, duke dalluar kaosin dhe mungesën e normalitetit. Deri tani korrupsioni po luftohet me slogane, deklarata, konferenca shtypi, komisione parlamentare, me akuza në dukje të rënda, dhe në fund , shumë zhurmë për asgjë. Akuzon opozita qeverinë si të korruptuar, pa asnjë kallëzim në prokurori për ndjekje penale. Vetë kryeministri Rama e pranon se “jemi zhytur në korrupsion, ndonëse na e la peshqesh PD”- përsërit ai shpesh. Megjithatë asnjë kallëzim për ndjekje penale, as për ish ministrat, as për ministrat e kabinetit të tij. E vërteta është se lufta me të korruptuarit është e vështirë për të mos thënë e pamundur . Përpara kësaj sfide ndodhet sot kjo qeveri. Por ata akoma nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, akoma operojnë me praktika të vjetra, shumë zhurmë për asgjë, pasi sot disa pushtetarë dhe parlamentarë, na bëjnë të gajasemi kur deklarojnë se kanë një shtëpi me një dhomë e kuzhinë, kur flitet se janë pronarë të pallateve, resorteve, ortakë me biznesmenë etj . Korrupsioni është i vështirë për tu luftuar, kur janë të implikuar ata që do ta luftojnë atë nga pozita e qeveritarit, korrupsionin mund ta luftojnë vetëm ata që deri sot kanë dhënë prova që nuk janë implikuar, duke ndërgjegjësuar popullin, duke krijuar psikologji realiste, për të mbështur lëvizjet e guximshme politike, dhe për ti gjetur Shqipërisë Burrin e Shtetit.