Asllan Bushati/
Në vazhdim të traditës së kremtimeve në Vatër për pavarsinë e Dardanisë, e cila fillon që nga viti 2000 e deri më sot, edhe mbrëmjen e 17 Shkurtit 2023, dera e Selisë Qëndrore qëndroi e hapur për vatranët dhe dashamirët e Vatrës. Më parë festimet janë organizuar me dreka e darka me muzikë ose pritje me koktej në Vatër. Më gëzim dhe emocion të veçantë edhe në pasditën e 17 shkurtit, u mblodhën shumë vatranë e dashamirë të saj, vetëm për të uruar njëri tjetrin e për tu gëzuar së bashku.
Sekretarja e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, Zonja Nazo Veliu, ju uroj të pranishmëve mirseardhjen në 15 vjetorin e Dardanisë, ku fillimisht i ftoi ata të mbanin një minut heshtje për të rënët në luftën për çlirimin e saj. Më pas Zonja Veliu bëri një bilanc të shkurtër të luftës, sakrificave, mundimeve të dardanëve , UÇK-së, NATO-s dhe veçanërisht të mikut tonë të madh SHBA.
Pas Zonjës Veliu, unë përmenda disa nga datat më të rëndësishme të historisë së Kombit tonë, duke nënvizuar se pas 28 Nëntorit 1912, 17 shkurit i vitit 2008 ku Dardania u shpall Shtet i Pavarur e Demokratik, është më e rëndësishmja. Kjo jo vetëm na obligon që medoemos ta kujtojmë, si ngjarje, por të shtrojmë rrugën për breznitë e reja duke u treguar se sa gjak, mund, djersë, kohë e mjete monetare janë në themelet e kësaj date. Po ashtu solla në kujtesë punën e madhe të komunitetit shqiptaro- amerikan dhe miqve tanë në Kongres, Senat, Departamentin e Shtetit; punën për “Vendlindja thërret”, Batalionin Atllantiku dhe ndihmesat monetare të vatranëve e komunitetit.
Zoti Lek Përlleshi (antar i Këshillit Drejtues), shprehu ndjesitë e tij më të thella për këtë aktivitet në përkujtim të 15 vjetorit të pavarsisë së Dardanisë. Ai theksoi se Vatrës i ka hije, në raportë me çdo organizëm tjetër se ajo gjithë jetën zhvillon e përcon energji Kombëtare.
Zoti Bashkim Shehu, ish Zëvëndës Ministër i Mbrojtjes në Shqipëri dhe ish Kryetar i parë i Shoqatës “Skënderbej”, nënvizoi se roli i Vatrës ka qenë, është e do të jetë i madh e në ballë të komunitetit për problemet bazike kombëtare. Ndihmesa e saj për pavarsinë e Dardanisë ka qenë e shumanëshme. Në këtë llogjikë për problemet substanciale të Dardanisë, Shqipërisë dhe diasporës foli edhe dashamiri i Vatrës Ing. Orhan Sakiqi (ish këshilltar i Presidentit Berisha). Rapsodi Isa Brecani recitoi dy poezi shumë të bukura kushtuar trimave të Dardanisë që dhanë jetën për pavarsi. Vatrani i vjetër Simon Qafa (antar i Këshillit), krahas urimit shtoi se kemi akoma shumë për të bërë deri tek bashkimi kombëtar. Vatrani dhe aktivisti i komunitetit Muhamet Omari, shtroi nevojën e përsosjes mëtejshme të organizimit të Vatër e komunitetit për ti shërbyer më mirë Kombit. Ai solli si shembull komunitetin Hebre këtu në SHBA, që është i fortë dhe shpesh vendimmarrës me të cilin lypset të lidhemi më ngushtë. Presidenti i TV Kultura Shqiptare Zoti Adem Belliu, uroji për pavarsinë e Dardanisë, dhe përmendi me respekt shumë aktivitete të Vatrës të cilat ky TV i ka filmuar e arkivuar si dhe veprimtari të komunitetit që kanë peshë në jetën e komunitetit e të Kombit. Është domosdoshmëri tha ai që gjithcka e mirë ti përcillet brezit të ri.
Nga vendi përshëndetën dhe uruan : Ramiz Mujaj (Sekretari i Këshillit të Vatrës), Idriz Lamaj, Mark Qehaja, Ismer Mjeku. Mark Mrnacaj, Cezar Ndreu, Edi Aranitasi, Pashk Maksuti etj.
Ky aktivitet i zhvilluar në Selinë Qëndrore të Vatrës në NY, ishte i shkëlqyer dhe shkoi në vazhdën e veprimtarive të tjetëra të mbajtura këtu në SHBA, Kosovë, Shqipëri e diasporë. Ky aktivitet kombëtar ishte pjesë e çdo gjëje të mirë, përparimtare, dashamirëse e progressive për Kombin.
Dardanija jonë kreshike gëzuar 15 vjetorin e pavarsisë dhe të tjerët i festofshim nën suazat e një shteti të vetëm shqiptar.