-Kuvendi i Kosovës dy seanca të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë, as maxhoranca as opozita nuk e kanë kuorumin\-Seanca e kërkuar nga qeveria pas nisjes shtyrje pas shtyrjes në dy ditët e kaluara dhe s’dihet kur do vijojë, seanca e kërkuar nga opozita mbrëmë pa kuorum e u paralajmërua për sot në orën 10:00, po nuk filloi përsëri pa kuorum/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 6 Shtator 2018/ Në Kuvendin e Kosovës as maxhoranca as opozita nuk i kanë numrat për kuorum në dy seancat e jashtëzakonshme të ftuara lidhur me dialogun me Serbinë, njëra me kërkesë të qeverisë e tjetra me kërkesë të opozitës. Maxhoranca dhe opozita bojkotojnë njëra-tjetrën, ndërsa deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë të dyjat.
Pas fillimit paraditën e të martës, pushimit të dhënë për 15 minuta e që zgjati me orë dhe tre shtyrjeve të vijimit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për shqyrtimin e Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e planifikuar të vazhdojë të mërkurën në orën 14:00, nuk është mbajtur, në mungesë të kuorumit edhe pas pritjes së gjatë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroi se seanca do të vazhdojë në momentin kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve.
Pas kësaj, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e paralajmëruar për të mërkurën në orën 19:30, për debatuar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, për shkak të mungesës së kuorumit, nuk është mbajtur. Kjo seancë e ftuar me nënshkrimet e 51 deputetëve të opozitës është shtyrë të mbahet këtë të enjte në orën 10:00, nëse do jenë të pranishëm së paku 61 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, ndërsa në mbrëmjen e të mërkurës ishin 58. As sot nuk kishte kuorum dhe nuk filloi në orën e paraparë, pasi pas 40 minuta pritje kryeparlamentari Kadri Veseli konstatoi se në sallë ishin vetëm 57 deputetë, duke përfshirë edhe atë. Në këtë situatë ai nuk filloi seancën dhe ftoi mbledhje të përbashkët të Kryesisë me shefat e gupeve parlamentare për sot në orën 14:00.
Kuvendi i Kosovës nisi sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda ditës së martë të 4 shtatorit, ku rikthehet debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.
Gjatë ditës së hënë të kësaj jave, seancat e jashtëzakonshme për ditën e martë u ftuan në dy mbledhje të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese javën e kaluar nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë që u mbledh pasdite.
Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.
“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka theksuar opozita duke paralajmëruar që të hënën e javës së klauar “seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit para datës 7 shtator 2018”.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e pasditës së 3 shtatorit ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë dialog, qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator: Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate – kryesues, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – zëvendëskryesues, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re – anëtar, Dardan Gashi (nuk përfaqëson ndonjë parti) – anëtar, si dhe dy anëtarë të tjerë- ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe Avni Arifi – shef i kabinetit të kryeministrit, i cili në mbledhjen e qeverisë në 12 janar 2018 u emërua shef i delegacionit kosovar në bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel.
Qeveria e Kosovës në komunikatën nga mbledhja për emërimin e ekipit negociator theksonte edhe se, po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës: Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe për ekspertë nga shoqëria civile.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës, por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.
Ai paralajmëroi se, ky vendim i qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri tha se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në 30 korrik 2018 Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.
Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD, shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.
Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për të premtën e kësaj jave – 7 shtator.