-Opinion nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike per Asociacionin e Komunave Serbe/
PRISHTINË, 31 Gusht 2015/ Marrëveshja e 25 Gushtit 2015 në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe bie ndesh me shumë parime kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe vizionit Evropian të shtet-ndërtimit të saj.
Ky është opinioni i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, i cili vlerëson që Marrëveshja mbi Asociacionin prek në esencë çështje të rëndësisë strukturore të vet natyrës së shtetit të Kosovës dhe vlerave të saj multietnike.
Komunikata fillimisht thekson se, Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi parime të një demokracie kushtetuese, duke reflektuar kështu një model thellësisht Evropian të një shteti multietnik dhe një shteti ku legjitimiteti qeverisës buron nga qytetarët (e barabartë, pa-dallim). Marrëdhëniet ndërmjet etnive në një demokraci kushtetuese ndërtohen në dritën e parimeve ku institucionet qëndrojnë mbi ndasitë etnike, dhe ato nuk përfaqësojnë apo reflektojnë vlera etnikisht të veçuara.
Opinioni i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, sqaron pikat në vijim: 1.Sa i takon shkatërrimit të karakterit themelor të shtetit të Kosovës, multietnicitetit; 2. Sa i takon kompetencave, përkatësisht gjerësisë së pushtetit publik, të Asociacionit; 3. Sa i takon nivelit të autonomisë së Asociacionit; 4. Sa i takon argumentit mbi njohjen e Kosovës nga Serbia përmes Marrëveshjes mbi Asociacionin, dhe 5. Sa i takon neutralitetit të skajshëm ndaj karakteristikave kushtetuese të Republikës./b.j/