• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dije të Heshtura”…

April 3, 2019 by dgreca


Parathënie për librin e Astrit Lulushit “Dije të Heshtura”…/

Nga Fotaq Andrea/

Mendje kureshtare, me ndjeshmëri të lartë, me pasionin e leximit si domosdoshmëri jetike, me peshë mendimi sintetik dhe fuqi shprehëse, Astrit Lulushi vjen sot me “Dijet e tij të heshtura”, si të çelë një vëllim të dytë të “Pak ndryshe”, libër aq i veçantë në llojin e vet që ai na dhuroi më 2010. Jemi sërish në një “guidë” të re udhëtimi enciklopedik, me larmi të pasur tematike, me gjurmime historike, arkeologjike, artistike, shkencore, gjuhësore, mitologjike, letrare, etj., në fushat e shkencave të sakta dhe të atyre shoqërore. Dhe e gjitha, në kërkim të një emocioni, që Lulushi e rrok fort gjatë lëçitjeve që bën, për ta shfaqur të përpunuar e origjinal, dhe për ta përcjellë e ndarë më tej me lexuesin.    

Edhe në këtë libër, tipar dallues i përmbajtjes së tij është thjeshtësia dhe lehtësia e penës, të shprehurit pa emfazë, pikërisht gjëja më e vështirë dhe më e arrirë në artin e të shkruarit. Janë shkrime me baraspeshë e përkorë, mjaft të shkurtra dhe gjithë kuintesencë, si të kishim të bënim me vizatime à la Matisse apo Cocteau, që me pesë-gjashtë vizime të befta, të shpejta e të kombinuara mjeshtërisht japin thelbin e tablosë me përmbajtje të thellë.

« Dije të heshtura » është një libër që lexohet shpejt, me shkrime fluturake, grimcake, si vetë qelizat e trurit ngarkuar me mendim. Dhe meditim. Po është, nga ana tjetër, edhe një libër që, përtej leximit të thjeshtë, kërkon të studiohet, shijohet, përtypet ngadalë, në heshtje e qetësi për vetë ngarkesën ideore që përmban dhe mesazhin që përcjell.

Dy nocionet e titullit: “Dije” dhe “Heshtje” përmbajnë në vetvete sa modesti, aq edhe urtësi, maturi, pjekuri. Janë dije vërtet të heshtura, të qeta, por edhe që flasin shumë: “Heshtja flet, heshtja ka peshë”, thotë Lulushi, tek ka parasysh fuqinë e perceptimit dhe konsolidimin e mendimit “brenda një lloj lirie që njeriu i jep vetes”. Modestia që shfaq kjo “Heshtje” të kujton madje titullin e librit të tij të parë: “Pak Ndryshe”, ku nocioni “Pak”, gjithnjë brenda modestisë, nënkupton dhe përfshin në vetvete nocionin “Shumë”, sepse vetë libri është “Shumë Ndryshe” nga të tjerët, për vetë përmbajtjen dhe stilin që e karakterizon.

“Dije të heshtura”, me bosht qendror Botën dhe Njeriun, shpalosin krejt fijet lidhëse të këtij dualiteti të fuqishëm sfidues vendosur përballë njëri-tjetrit dhe në marrëdhënie të caktuara historike e evolutive. Janë si në kërkim të nocionit “Liri” brenda misterit “Njeri”, një liri me shumëkuptimësi e frymëmarrje të gjerë, që buron para së gjithash nga “zemra e pacenuar”, siç shprehet autori, “Liri”, si një fjalë e artë njerëzore, apo “Liri, ngjyrë Njeriu” siç e karakterizon André Breton. Rrokja e vetvetes, përkitja e vetvetes, kërkimi i vetvetes, vetërespekti e vetëshprehja si një e drejtë, vetë-kontrolli mbi jetën dhe besimi për një jetë gjithnjë e më të mirë, – janë këto disa nga shprehjet e fuqishme të lirisë në botën e brendshme të njeriut, larg mbylljes e izolimit, larg mendjes së mykur, mendjes-beton a mendjes-bunker. Që këtej dhe krejt energjia vitale që buron nga faqet e këtij libri.

Krejt vëllimi ndjek rendin alfabetik të titujve të shkrimeve, duke u shfaqur si një lloj agenda thématique, që të kujton librin tjetër të Astrit Lulushit Kalendar Historik (2017). Ky ndërtim i veçantë i librit përligj dhe lejon larminë tematike, ngacmon kërshërinë e lexuesit për të bërë “kaptime” apo “kërcime” subjektesh, larg një “çapitjeje monotone të mërzitshme” në vijë lineare. Kalohet kështu me kollajësi nga historikja te shkencorja, nga psikologjikja te recensa dhe ekologjia, nga koha e Aleksandrit të Madh te interneti e facebook-u, nga grimca Higgs, te asimilimi i arvanitasve në ishullin Andros në Greqi, e kështu me radhë te “Cezari” dhe “mutacionet gjenetike” apo “dieta njerëzore”… Me fjalë të tjera,” shkrimet na shfaqen si “universe paralele”, me larushi subjektesh, por që i bashkon forca e stilit, konciziteti i përmbajtjes, ritmi i gjallë, si një lloj tamburimi mendor që shkon nga e befta e së veçantës te e papritura e së panjohurës, te shfaqja e së padukshmes, duke çliruar energji pozitive, meditacion, emocion. Vetëm në “kuadraturën” e germës “B”, të themi, kemi 10 shkrime me subjekte të renditura “arbitrarisht”, por aq bukurisht të pasura në lëndën e tyre ekzotike, me liri tematike. Kemi një lloj “loje kaotike” brenda baraspeshës dhe ndërlidhjes së vet, një lloj “bing-bangu lëndor në shpërthim”, ku çdo “shkrim-grimcë” shfaqet subjekt më vete, qelizë, atom, neuron, që ngre në këmbë tërë “binanë” e germës “B” dhe konkretisht titujt: “Bakteret”, “Barazi shoqërore”, “Bashkëpunim”, “Besim”, “Burokraci”, “Botë”, me njëfarë nënndarjeje, “Botë-njeri”, “Botë paralele”, “Botë universesh”, “Botë pa Aleksandrin”…

Renditur në këtë mënyrë, në lirshmëri të plotë, shkrimet na shfaqen edhe të përplota në vetvete, autotelike, brenda raportesh të caktuara sipas fushave të dijes. Spikat shoqërorja, në marrëdhënien e ngushtë njeri-liri, liri-burokraci, fe-ideologji, ekonomi-politikë-shtet, globalizëm-diversitet, etj. Por dallojnë edhe trajtesa të kategorisë moralizuese (ves-virtyt, “e mirë”, “e keqe”, njerëzore-çnjerëzore, vjedhje-mashtrim-krim, shtypje-varfëri-korrupsion), si dhe refleksione të llojit sociologjik, psikologjik, antropologjik, historik etj. për të shkuar e rrokur me mendim vetë përmasën e pafund hapësirë-kohë të shkencave natyrore, duke çikur madje universe e multiverse të Stephen Hawking, krejt Gjithësinë, me qasje sa shkencore, aq edhe filozofike e praktike. Veçse, fusha e predileksionit të Astrit Lulushit është, prej kohësh, ajo mjekësore, tek shfaq përherë zbulimet e mëdha të kësaj shkence si për t’u bërë atyre jehonë që të dëgjohen nga veshë të vëmendshëm.

Shpesh, duke shfletuar këtë libër me tematikë të gjithanëshme enciklopedike, më vinte ndër mend “Albania” e Faik Konicës e njëqind e kusur vjetëve të shkuara, e njohur, siç dihet, për larmi të pasur tematike, me rubrika të shumta e këshilla praktike, si një manual stërvitor mendor për emancipim shoqëror e ngritje kulturore. Dhe, ashtu si te kjo revistë, në librin “Dije të heshtura” të Astrit Lulushit nuk ka lulka retorike a teprime. Përkundrazi, gjithçka është në vendin e vet, si dije që mbartin refleksione çastësore, tek përcjellin e zbërthejnë citime koncize filozofësh, teoricienësh e akademikësh, që përbëjnë në fakt, burimin lëndor të frymëzimit dhe meditimit. Dhe autorit s’i mbetet veç të lidhë bukur dy-tre realitete njëherësh, me asociim të shpejtë ideor, ku del në pah realiteti, karakteri e mentaliteti shqiptar. E në këtë mes, politika shqiptare, e djeshme dhe e sotme zë vend qendror dhe shfaq anët komplekse të saj, mbi të gjitha dobësitë, paragjykimet, idetë e rrezikshme që ka mbartur e mbart, si shprehje të formave diktatoriale, pas sundimit të një sistemi të ashpër komunist, me dhunë e diktaturë, që njohu populli shqiptar, tek iu “mohua morali dhe natyra njerëzore”, siç shprehet autori.

Pa dashur ta zgjasim më tej këtë hyrje, e të biem, si të themi, “në konflikt” me vetë koncizitetin e shkrimeve të prozës dhe poezisë së autorit (ah! poezia e tij një sumbull vesimi në kopshtin prozaik!), le të themi në mbyllje se Astrit Lulushi, edhe në këtë libër, kërkon e gjurmon historikisht njeriun e progresit, që koha e mirëpret kurdoherë: “Ndoshta, thotë autori, njerëz të mirë nuk ka, dhe dallimi është mes atyre që të keqen ua japin të tjerëve dhe atyre që e mbajnë përbrenda, për vete”. Ja, de facto, “njeriu model” i librit “Dije të heshtura”.

 Fotaq Andrea,

Strasburg

Parathënie për librin e Astrit Lulushit “Dije të Heshtura”

Nga Fotaq Andrea

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Fotaq Andrea

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT