• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT, DITELINDJA E AT GJERGJ FISHTES

October 23, 2017 by dgreca

1 fishta ok 

23  TETOR  1871  ASHT  LE  AT  GJERGJ  FISHTA/

Ferrat

 FERRAT TREGOJNË SE KËTU ASHT LE I MADHI  POET…/

 Nga Fritz RADOVANI/

HISTORINË  E VERTETË TË VERIUT KERKONJE NDER FERRA!..

Asht kenë një thanje e moçme: “Asht e vështirë me gjetë me mend shka bahet pa mend!”

Livadhet e kodrat e Zadrimës apo të Bregut të Bunës, aty – këtu të ndame nga lumej aq të rrembyeshëm e t’ egjer si gjarpij që, pa pikë dhimbje të marrin gjak në vetull, janë të pafund derisa në mbramje dielli u thotë me shumë dashni: “Ma bafshi atë natë të mirë!”Tokat e bukës të duket se prodhojnë bereqet e shka i lypë sofra rrumullake stajanicave që pa lindë dielli, kanë vue nder çarranikë sahanat e qumshtit të mjelun pa dalë drita. Aty kur dielli ka perfshi rruzullin të sheh syni ndonjë portare që hapet e çobajtë, kah ju prijnë bagtive aq të dashtuna me zagart ase rojet e natës t’ atyne krahinave…Vetem pemët me degët e varuna prej frutash ishin kufijt e tokave të tyne, ku dora e njomë e ndonjë fëmije ua lagte gojen e thame nga rrugët e largëta ndonjë udhtari, që me aq andje vrojtonte se me sa kujdes gjithshka dukej se asht vue nga dora e njeriut. Shpesh ngjante që Burrat e atyne krahinave të ulun nder hijet e atyne frutave, harronin shka kishin mbi kokat e veta tue ndrrue kutijat e duhanit e tue dredhë cigare. Mështetë per trungun e pemës që bante hijen ma të madhe ishte ma plaku me llullen e vet, që ia kishte lanë gjyshi kushedi sa vite perpara, kur bisedonin per ligjët e kanunit të Maleve. Shpesh ka ngja që shishja e rakisë së rrushit besa, ka zevendsue edhe ujin e prronit… Pranvera ua shpervjelte mangët e këmishave dhe kamcat e brakeshave. Shamija e kokës ua pritte rrezet djegëse të diellit, kur i grahnin pendës së qeve me livrue arat pjellore. Vetem kësulat e bardha kujdesëshin per trunin e atyne brezave që bulonin nder ata kodra e fusha të bukra, ku asnjëherë nuk mungonin lulet e freskëta si t’ ishte pranverë. Ishte fyelli dhe brisku i çobanit që zbuste edhe gjarpijtë e pabesë t’ atyne kaçubave, ku shpesh mëshefeshin trishtilat e bukur e mullizezat e dimnit, me të cilat argëtoheshin fëmijët e atyne krahinave, tue gjuejtë me lastika gushakuqat e shkretë… Dikund, pak ma larg, një fëmijë thërriste: “O Nanë, eja se më ka hy një ferrë tek kamba!..” E ajo, ulte buljeren e ujit e vraponte, me i hjekë ferren me gjylpanen që kishte në xhamadan…  Në mengjes, drekë e darkë mbasi camerdhokët e vegjel rreshtoheshin tek sofra e tyne e rrumullakët, ku i priste psheshatamli dhe luga e vogel e tyne, banin Kryq dhe fillonin me ngranë, “shka u kishte dhanë e falë i Madhi Zot !”… Papritmas shpesh kriste e qeshuna, mbasi ma i madhi nder ta, kishte mendue edhe gzimin që sjellë sofra e perditshme… Sa e bukur dukej ajo dhomë me atë sofer ku fëmijët shtoheshin perditë! Pak ma andej, ishte edhe vatra me zjarrin e ndezun ku ma plaku e rrëmonte me mashë prushin që nuk i mungonte kurr atyne dhomave të pritjes, që sa hynte një mik, mbi zjarr shtohej një cung, e karrshi t’ zot të shtëpisë shtohej një stol dhe një gotë, që mbushej plot me raki, tue ia vue Mikut perpara dhe tue i urue: “Mir’ se pruni Zoti e, mirëse erdhe…!”

***

1871 “Mir’ se të pruni Zoti, e mirë se erdhe o Zefi i vogel… E kjofsh me jetë!” – Ishin fjalët që Zefit foshnje, i uruene mërritjen në Prakun e shtëpisë, në Fishten e Zadrimës bash atë ditë me 23 Tetor 1871…tek Ndok Simon Ndoci dhe Prenda e Lazër Kaçit. Zefi i vogel tue u rritë, e kaçubat e ferrave tue u rritë edhe ma fort se Zefi. Besa, Zefi, as nuk ua pat friken ferrave, madje, edhe kambët gjithmonë i mbajti zdathë, veshi edhe zhgunin e Shën Françeskut, e ku ishin kaçubat ma të mëdha me ferrkuqe, aty shkonte e vente kambën… Ata there, Ky bjeri Lahutës, ata there, Ky bjeri Fyellit, ata there, ky ban vjerrsha… Ata there, ky ço peshë Male e fusha… Ata there, Ky shkeli me Sandalet e Fratit, ata there, Ky rrahi në Konop të belit, ata there, Ky hypi në “gomarin e Babatasit, e shetiti nder parlamente t’ Europës… Ata there e shembi shtëpijat jo vetem Gjergjit, po edhe Atij Luigjit Gurakuqve e Prekë Calit në maje të Vermoshit, e Ky shiko me habi ku ka vojtë Shqipnia nga shegertat e “Ballkanit Perëndimor” që i patne dhunue edhe Flamurin, me “yllin e kuq” të serbit gjakbasë, kur i pat hy pabesisht mbas shpine.

Ata there, e Ky Lut Zotin per Shqipni!

Ata there, e Ky rritu me Lisat e Alpeve Tona…

Ata there, e mbuloje edhe me Ferrat e Rrëmajit…

E Ky, i mështetun per Dy Çinarët… I drejtohet Gjergjit Kastriotve që i pat falë Emnin:

Bash atë ditë të bukur Qershori të së 13 vjet të Shekullit shkuem, kur mbi kompanjel të Kishës së Vet, së ciles, Ai i kushtoi gjithë jeten, në Gjuhadolin e Shkodres plakë i Këndoi…            “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me u mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

              Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

                                          Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnjyes’ a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

              Bini, Toskë!…

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

              Bini, Toskë!… “Hymni i Flamurit” vazhdon…

Në 1946, Kuvendi u kthye në burg,  Në 1967 Kisha u shkatrrue e Kompanjeli u shem!

  Varri At Gjergjit u boshatis… Pritet tashti edhe shemja e shtëpisë së Tij …

             Melbourne, Tetor 2017.

Filed Under: Opinion Tagged With: 23 Tetor 1871, At Gjergj Fishtes, ditelindja, Fritz radovani

QOFSH GJITHMONË FAQEBARDHË SABRI MAXHUNI!

October 28, 2014 by dgreca

Le të shpresojmë siç mendon edhe Sabri Maxhuni se autoritetet përkatëse në Tiranë dhe ato në Shkodër të mos bëhen shkak i ndonjë vonese ose largo Zot, i mos aprovimit të propozimit të biznismenit nga Kosova për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, që në të vërtetë duhej të ishte ndërmarrë me kohë nga vet këto autoritete. A mund të quhet, ai që thuhet se është mos reagimi i deritanishëm i autoriteteve ndaj këtij propozimi të Sabri Maxhunit,një mos interesim zyrtar apo një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje?/
Nga Frank Shkreli/
Ditët e fundit, media të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë kanë njoftuar lajmin e mirë se biznesmeni nga Kosova, Sabri Maxhuni u ka propozuar autoriteteve në Tiranë dhe në Shkodër restaurimin e shtëpisë, tanimë në shëmbje e sipër, ku ka jetuar poeti i madh i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta. Sabri Maxhuni ka deklaruar për median se projekti është gati për restaurimin e shtëpisë së Fishtës dhe se ai është i gatëshëm madje edhe të financojë të gjithë projektin.Ai citohet nga mediat të ketë deklaruar se “Kam bërë projektin se si duhet restauruar shtëpia e At Gjergj Fishtës, gjithmonë duke ruajtur origjinalitetin ashtu siç ka qenë”, ka thënë ai.“Kemi mundësinë për të bërë financimin për restaurimin e saj, prandaj unë besoj se nuk duhet të kemi ndonjë pengesë për këtë”, ka shtuar Sabri Maxhuni.Megjithëse, përsëri sipas lajmeve të fundit në lidhje me këtë propozim, biznismeni nga Kosova nuk ka marrë endeasnjë përgjigje nga autoritetet përkatëse, dmth.nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër.
Le të shpresojmë siç mendon edhe Sabri Maxhuni se autoritetet përkatëse në Tiranë dhe ato në Shkodër të mos bëhen shkak i ndonjë vonese ose largo Zot, i mos aprovimit të propozimit të biznismenit nga Kosova për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, që në të vërtetë duhej të ishte ndërmarrë me kohë nga vet këto autoritete. A mund të quhet, ai që thuhet se është mos reagimi i deritanishëm i autoriteteve ndaj këtij propozimi të Sabri Maxhunit,një mos interesim zyrtar apo një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje?
Duket se biznismeni nga Kosova, Sabri Maxhuni, ndryshe nga autoritetet përkatëse që duhej të kishin ndërhyrë shumë më heret për restaurimin e shtëpisë-muze — e ndërmori këtë projekt i shtyrë nga ndjenjat e tija atdhetare, në mirënjohje të kontributit të At Gjergj Fishtës, poetit të mbarë kombit, dhe mbrojtësit të flakët të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta.Në mirënjohje dhe në kujtim të At Gjergj Fishtës,të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumëta letrare e sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë, të kësaj kënge, që sipas At Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”. At Daniel Gjecaj vazhdon në parathanjën e Lahutës së Malësisë se kjo vepër e At Gjergj Fishtës, “ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt deri më sot ndera, burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqet (si shembull) heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958 në Romë.
At Gjergj Fishta ka pësuar fatin e keq si pothuaj asnjë poet e shkrimtar i rangut të tij, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. I përjashtuar në mënyrën më mizore nga letërsia ku iu mohua vepra, siç shkruan edhe Ernest Koliqi, ekzaktërisht mu, “prej atij kombi të cilit ia qiti në pah fisnikinë e ia skaliti në vargje të pavdekshme tiparet e tij…një përdhunim historik ky i cili u krye zyrtarisht në emën të kombit, nga nji pakicë që shkruan e resitë, vendosë e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojë….”Fatkeqsisht, ky trajtim ose më mirë të thuhet ky “përdhunim historik” ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës vazhdon edhe sotnjë çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit, ndërkohë që politikanët-historianë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët gjithnjë vazhdojnë të shkruajnë historinë e kombit shqiptar, i referohenatij me epitet fyese si “fashist” e “tradhëtar’’. Këto epitete fyese nga historianë aparatçikë të një ideologjie anti-shqiptarenë këtë periudhë të historisë kombëtare — për një burrë, i cili si pothuaj asnjë tjetër, me pendë e me mendje, me veprat e tija letrare dhe nepër konferenca ndërkombëtare të kohësdhe në një periudhë aq të vështirë dhe aq të turbulltë të historisë së kombit shqiptar – nuk shkojnë në dobi të interesave kombëtare as nuk i sjellin imazh të mirë Shqipërisë së sotëme, vend-kandidat për antarësim në Bashkimin Europiandhe as kombit shqiptar.
Kemi të bëjmë me një burrë patriot i cili në Konferencën e Paqës më 1919 nuk kishte frikë t’i tregonte Europës se kush janë shqiptarët dhe ku para botës së atëhershme ai me guxim mbrojti të drejtat e shqiptarëve si akush deri atëherë, por mund të thuhet si askush deri më sot. Ai foli për një familje të madhe trako-ilire e vendosur prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie e deri ndër karmat e thepisura të Karpateve, familje kjo sipas tij,“në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”. Ai i tha Konferencës së Parisit se nga kjo familje rrjedhë kombi i sotëm shqiptar, duke theksuar se “Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë.I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.”
Biznismeni nga Kosova, Z. Sabri Maxhuni, i cili ka ndërmarrë përsipër restaurimin e shëpisë së këtij patrioti të kombit shqiptar, shtëpisë ku ka jetuar Fishta, sepse ai mendon ndryshe nga të ashtuquajturit historianë shqiptarë dhe trajtimit të keq që i është bërë nga ata për një gjysëm shekulli, At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij. Jam i sigurt se Sabri Maxhuni është shtyrë të ndërmarrë një projekt të tillë patriotik, sepse ai si edhe shumë të tjerëe vlerësojnëAt Gjergj Fishtën për meritat dhe kontributet e tija historike ndaj Atdheut dhe kombit dhe si një njeriqë ishte përherë i gatëshëm për të punuar në dobi të interesave kombëtare të shqiptarëve. Si vlersim për atdhetarin, letrarin, por edhe fetarin i cili,si askush tjetër i doli zot lirisë, pavarsisë dhe të drejtave të kombit shqiptar në trojet e veta, por njëkohësisht i harruar dhe i denigruar nga vetë kombi të cilin e mbrojti dhe të cilit i këndoi me qa dashuri e pasion.
Thonë se atdhedashuria tregohet me vepra. Sabri Maxhuni po e tregon atdhedashurinë e vet me nismën e tij për të restauruar shtëpinë ku ka banuar At Gjergj Fishta. Sikurë aidon të paralajmërojë se, për një arsye ose për një tjetër, autoritetet përkatëse në Tiranë dhe në Shkodër mund t’i qesin probleme në zbatimin e këtij projekti, Z. Maxhuni në mënyrë diplomatike tha për median se “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë” së At Gjergj Fishtës. Ai i bëri thirrje Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë që për hir të brezit të ritë miratojë projektin për restaurimin e shtëpisë së Fishtës, duke thënëse, “Më vjen keq ta them, por mua më duket se rinia dhe fëmijët tanë nuk dinë për të madhin At Fishta”, tha Sabri Maxhuni. Jam i bindur se çdo shqiptar kudo vlerëson nismën patriotike të Sabri Maxhunit dhe njëkohsisht bashkohet me ‘të, që për hir të brezit të ri dhe për hir të historisë kombëtare të shqiptarëve, autoritetet përkatëse në Tiranë dhe në Shkodër duhet të dalin faqebardhë dhe t’ia zbardhin emërin At Gjergj Fishtës dhe njëkohsisht t’i zbardhin edhe fëtyrën Shqipërisë duke miratuar pa asnjë vonesë projektin e biznismenit nga Kosova, Z. Sabri Maxhuni për restaurimin e shtëpisë së poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës.
Mirënjohje dhe vlersime për nismën tuaj i nderuar Z. Sabri Maxhuni. Kjo është atdhedashuri e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!

Filed Under: ESSE Tagged With: At Gjergj Fishtes, Frank shkreli, i shtepise, qofsh faqebardhe, restaurim, Sabri Maxhuni

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT