Të dyja vendet nënshkruan marrëveshje për një linjë shkëmbimi të energjisë elektrike që cilësohet ai projekti më i madh i përbashkët pas autostradës tokësore.
Kosova dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e linjës 400 kilovatëshe të energjisë elektrike.
Marrëveshja u nënshkrua simbolikisht në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, simbol i Kuvendit të vitit 1878 kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane.
Ndërtimi i linjës që u quajt autostrada energjetike, e gjatë 240 kilometra, do të financohet nga Banka zhvillimore Gjermane KFË, një pjesë si dhurim dhe një pjesë në formë të kredisë. Në Shqipëri projekti pritet të kushtojë rreth 42 milionë euro, ndërsa në Kosovë 16.5 milionë euro, ndërsa zbatimi i projekteve do të bëhet nga një kompani sllovene dhe një kroate.
Autoritetet e të dyja palëve thanë se “kjo linjë do të sjellë përfitime për të dyja vendet dhe qytetarët e tyre”. Të dyja palët e vlerësojnë fillimin e ndërtimit të kësaj linje si projektin më të madh pas ndërtimit të autostradës që lidhë të dyja vendet.
Projekti që pritet të përfundojë brenda dy vjetësh, do të mundësojë shkëmbimin e energjisë, duke rritur mundësitë e shfrytëzimit të hidro energjisë nga Shqipëria gjatë dimrit dhe atë të përfituar nga qymyri në Kosovë, gjatë stinëve më të thata.
Të dyja vendet përballen ende me mungesa të furnizimit të mjaftueshëm me energji elektrike që kushtëzojnë shpesh shkurtime të ashpra dhe vështirësi në rritjen ekonomike.(Sipas Zerit te Amerikes)