Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me Drejtorin e Politik të Ministrisë së Jashtme Austriake, Jan Kickert dhe Drejtorin për Ballkanin Perendimor, Johannn Sattler, tha se vendi po bën kthim mbrapa dhe zhbërja e standardeve demokratike rrezikon seriozisht të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas një njoftimi për shtyp, kryetari i PD-së i njohu diplomatët e lartë austriakë me shkeljen e rëndë të standardeve në zgjedhjet e fundit, me blerjen masive të votave, me përfshirjen e administratës në skemën e trysnisë ndaj votuesve, si dhe kandidimin e personave me të shkuar kriminale.
Inkriminimi i administratës dhe i politikës deri në nivelin e Parlamentit, janë shqetësim i madh për vendin, tha Basha, i cili theksoi se pa çuar deri në fund dekriminalizimin për të cilën Partia Demokratike është e vendosur, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme europiane.
Basha gjithashtu i informoi zyrtarët e lartë të vendit mik se keqeverisja po sjell pasoja dramatike në ekonomi dhe po shkakton padrejtësi të vazhdueshme ç’ka po nxit dhe numrin e lartë të bashkëqytetarëve që ikin nga vendi dhe kërkojnë azil në Europë. Ky eksod në rritje i shqiptarëve, tha ai, po merr përmasa shqetësuese duke vënë në rrezik lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në hapësirën Shengen, një e drejtë e fituar me shumë mund e përpjekje.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krimi, korrupsioni dhe dhunimi i votës së lirë janë kthyer në pengesë dhe kërcënim të madh për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit europian