-Përurimi i “autostradës” energjetike këtë verë edhe në pjesën e Shqipërisë u paralajmërua në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në 3 qershor 2016 në Prishtinë/
PRISHTINË, 27 Qershor 2016-Behlul Jashari/ Kryeministri Isa Mustafa, nesër në Tiranë, merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të “autostradës” energjetike – linjës së re të interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, bëhet e ditur sonte nga Qeveria kosovare.
Përurimi i “autostradës” energjetike këtë verë edhe në pjesën e Shqipërisë u paralajmërua në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në 3 qershor 2016 në Prishtinë, të tretës pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.
“Brenda pak javëve të ardhshme, ne do të jemi së bashku në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkoneksionit që lidh përfundimisht ‘autostradën’ energjetike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të hapur një fazë të re për zhvillimin e kësaj hapësire të përbashkët”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Projekti i interkoneksionit 400 kilovoltë së shpejti do të finalizohet edhe nga ana e Shqipërisë dhe do t’i bëjë sistemet tona energjetike komplementare e që rrjedhin nga burimet natyrore të të dy vendeve tona”, tha kryeministri i Kosovës, Mustafa.
Në 17 dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.