HARRESA KURRË S`DO TË BIE MBI POETIN ALUSH CANAJ. AI DO TË JETË I PËRHERSHËM/
Natën e 14 shkurtit 1972 pasi kishte dalë nga një qeli burgu i dërmuar nga dhuna fizike e psiqike, me dorën e fshehur ia mbushën gotën e helmit në shtëpinë vet. Dhe e vranë poetin Alush Canaj. Pastaj, në hotelin Evropa të qytetit, (Kristali i sotëm), autorët e krimit : Selim Brosha,Naip Hoxha,Ismail Mustafa e Muharrem Halili, festonin vrasjen e poetit duke pirë raki kumbulle me këpucë të një lavireje- këngëtare jo shqipfolëse, që i argëtonte me këngë të Shumadisë./
Shkruan: AVDUSH CANAJ/
U bënë 44 vjet kur ndodhi krimi makabër në Gjilan që tronditi gjithë Kosovën.Pikërisht në natën e 14 shkurtit të vitit 1972 UDB-ja vrau me gotën e helmit poetin dhe atdhetarin Alush Canaj që ende nuk kishte shijuar 20 pranverat e jetës, kishte 19 vjet e 6 muaj e 9 ditë.Një tragjikë e llojit të vetë që dinë ta bëjnë vetëm kriminelët ordinerë, me skenar e regji. E vranë sepse poeti që po vinte për të hyrë me hapa të sigurt në letërsi, ( punë këtë që e kishte nisur qysh në moshën 13 vjeçare), më një zë të veçantë prej një liriku të ndjeshëm, po i këndonte Tokës së vet, Atdheut të robëruar, ëndërronte lirinë dhe diellin e buzëqeshur mbi qiellin e Kosovës me plagë.Përmes vargjesh të qendisura me figura, i këndonte Nënës, asaj dashurie të madhe, prej së cilës na kishin ndarë padrejtësisht.Ishin të vetmit në botë që nuk guxonim të takoheshim me të e të mëndonim për të,për Nënëmadhën tonë, na kishin vënë në mes kufirin gjemborë të vdekjes.Dhe, pikërisht kjo, ishtë bërë shkas që poeti flokëkaqurel si prej dielli, të përcillej në çdo hap nga lakejtë e UDB-së, edhe në gjimnaz,edhe në orët letrare që aq mrekullisht i udhëhiqte e tubonte gjithë të rinjët e qytetit,edhe në shoqëri me shokët, edhe në kinema, edhe kur shkonte diku mysafir.Gjithkund. E, lakejë, për fat të keq kishte shumë, sa edhe qenë.
Ishtë simbol i zgjimit , atdhetar i flakët e intelektual i rrallë që kishte informacione për gjithçka.
Vargjet e tij bënin jehonë qiellit të errësuar të Kosovës.Mësoheshin përmendësh nga të rinjët të cilët e donin dhe e respektonin .Ishin këto poezitë Shqiponja e maleve,Skënderbeu, Për ty lapidar, Nëna Shqipni, Te Tirana e ndonjë tjetër.Ky ishte Alush Canaj, poeti që po hynte në letërsi me shpirtin e lirisë, por trazonte njerëzit besnik të UDB-së gjakpirëse, ata që kishin shpirtin te xhelati. U egërsuan si bishat të etura për gjak se te ai po e shihnin një rreze drite e pas tij atë diellin e madh të lirisë. Aq i bënte poetit me buzëqeshje rrezëllitëse e krenari si lisat, s`ndalej dot, kryente misionin e vet prej poeti dhe atdhetari, kishte vendosur që këtë punë ta qoj deri në fund, përkundër maltretimeve fizike e psiqike që po i bënte ndaj tij UDB-ja.
Fatalja ishte një letër nga Beogradi ku studionte shkencat politike, dërguar një shokut të bankës së gjimnazit, Mehmetali R., ku Beogradin e përshkruant si qytet të zi, e jo të bardhë siç e kishte emrin.” Ky qenka vetë korbi”. S`kishte faj Alushi, kishte thënë një të vërtetë të pamohueshme, i tillë ishte kryeqyteti i Jugosllavisë së Titos prej nga shkruheshin gjithë skenarët në dëmë dhe kurriz të shqiptarëve në Kosovë. Kjo letër po e bënte udhën e vet duke u lexuar dorë më dorë nëpër orët e mësimt në gjimnaz, derisa një ditë ia prish terezinë profesorit të gjuhës shqipe Haxhi V., dhe ky e dërgon atje ku duhet, në UDB.Pas kësaj, shtohen edhe më shumë dhuna mbi poetin, e kishin bërë edhe një argument më shumë në dosjen e tyre për Alushin, i cili tani më e kishte lënë Beogradin dhe ishte regjistruar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe, mezi priste të hyj në provime për të shkëlqyer.
Natën e 14 shkurtit 1972 pasi kishte dalë nga një qeli i dërmuar nga dhuna fizike e psiqike,me dorëb e fshehur ia mbushën gotën e helmit në shtëpinë vet. De e vranë poetin Alush Canaj. Pastaj, në hotelin Evropa të qytetit, (Kristali i sotëm), autorët e krimit : Selim Brosha,Naip Hoxha,Ismail Mustafa e Muharrem Halili, festonin vrasjen e poetit duke pirë raki kumbulle me këpucë të një lavireje- këngëtare jo shqipfolëse, që i argëtonte me këngë të Shumadisë.
Në agun e ditës së re, shpirti i Alushit u ngjit lart, në hapësirën qiellore.Atje është edhe sot e s`mund ta prek askush, na lexon vargjet që na vijnë poshtë te ne si cicërimë zogjsh.
Ata që ndihmuan në këtë akt makabër, duhët të ulin kokën.Duhet t`i brejë ndërgjegjja deri në vdekje.
Përgatiti dy përmbledhje për botim, por s`arriti t`i shoh të botuara, as ta shijoj lirinë e ëndërruar.
Harresa kurrë s`do të bie mbi të.Do të jetë i përhershëm. Të këtillë e bënë vepra e tij Valsi veror, janë vargjet e tij brilante me aromë dashurie. Është emër që ka hyrë në panteonin e letrave shqipe e të Atdheut. Është emër që duhet të jetë në ballë të ndonjë shkolle të qytetit apo të ndonjë rruge ose institucioni. Këtë e meriton poeti dhe atdhetari Alush Canaj.
Në këtë ditë kujtimi për të, u sjellim disa nga poezitë e tij të panjohura deri më sot për lexuesit,të gjetura nëpër fletorët e tij.
ALUSH CANAJ
TE TIRANA
Te Tirana,
Nana,
edhe motër Zana.
Atë dimër na ndanë
e lisat i vranë.
Më s`mund të duroj,
andej do t`fluturoj,
aty ku e kam Nanën,
e motrën time, Zanën,
Mëmdheun,
Skënderbeun.
Nëse ujku me vjen pas
do ta vras.
(1970)
NANA
Si dielli, si hana
Nana.
Si pranvera te thana
Nana.
Si rrezja në tëbana
Nana.
Krua i gëzimeve tona
Nana.
(1970)
HARABELI
Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s` shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në token e lavdisë,
n`zemër të Ilirisë.
(1970)
DO T`BËHEMI RRUFE
Korbat mbushën qiellin,
retë zuren diellin.
Ia vunë zingjirët mirë,
të kemi veç errësirë.
Të na marrin si delet,
emri të na shkelet.
Në tokën e Arbërisë
pa rrezet e lirisë.
S`durojmë dot ne,
Do t`bëhemi rrufe.
(1970)
MARGARITA
Ti je ylli
i agimit tim,
ti je drita
e ditës sime,
ti je dielli
i jetës për mua,
ti je rrita
e këngës së zemrës,
lumturia,
bukuria:
Margarita.
(1970)
Avdush CANAJ
NË HETUESI
E kishin futur në një qeli të errët dhe ai priste.Priste të hynte dikush që ta merrte në pyetje. Kokën mbante lart, s`i luante as qerpiku. S`kishte bërë asgjë të keqe e as s`i kisht kujt borgj.
Sakaq dera e hekurt u hap.Hyri një njeri me mantel të zi si prej korbi.Edhe republikën në kokë e kishte të këtillë. U ul pranë tij.Nxori një cagare nga pakoja.Ia qiti tymin.Ishte vetë udbashi.
Ti je ai poeti që po flitet?- e pyeti.
Për kë po flitet nuk e di, por unë jam Alush Canaj. Shkruaj poezi e tregime për fëmijë.
Pasi thithi tymin me afsh e pjesën tjetër e qiti si nga shpella e tij,shllunga-shllunga, udbashi iu drejtua:
Për kë shkruan, or poet?
Për çdo gjë që më mundon, i tha dhe e shikoi në sy. I kishte të enjtur, të mavijosur.Sigurisht kishte pirë gjithë natën me cerberët e vet.
Përshembull, çka të mundon ty?- e provokoi
Liria, i tha shkurt
Si ?!- u çudit udbashi, s` e kishte pritur këtë përgjigje të drejtë. E thithi edhe një herë cigarën dhe e hudhi në dyshemenë e betontë,pastaj menjeherë e vuri këmbën në qafën e saj.Ia nxori shpirtin.
Liria, zotëri.Ajo na mungon. Atë s` e kemi.
Çka don ti, brinat, a?
Jo brinat, ato i kanë dikush tjetër, por lirinë siç e kanë gjithë popujt e tjerë. Të jemi zot në shtëpinë tonë e jo qiragji.
Sipas kësaj ti nuk qenke zot në shtëpinë tënde?
Jo.
E kush na qenka?
Beogradi.
Ai u tmerrua me këtë përgjigje. I ra tavolinës me grusht.
Ti me këtë poe e kërkon Shqipërinë, ë? Xhaxhi Enverin, ë?
Deshi ta qetësoi.
Mos u ngut.Nuk thashë kështu.
Ta lexova mendimin.Mos mendo se ne nuk dimë asgjë.Të gjitha i dimë. Edhe çka mendoni. Ti po e kërkon Shqipërinë këtu. Po e kërkon edhe përmes vjershave të tua. Po i lexojmë ne.Po na tregojnë. Po na zbërthejnë metoforat e simbolet e tua. I kemi na njerëzit tanë për këto punë.
Sa për këta të fundit, e di që i keni.Poezitë e mia janë të hapura, i lexoj nëpër orët letrare, i gjeni nëpër faqet e revistave.Flasin për dashurinë e nënës, Atdheut, tokës…
Po, po, për nënën Shqipëri .
Për nënën time, zotëri. Unë kam nënë.Nuk jam jetim.
Udbashi u zemërua.Damarin e zemërit ia pa në ballë.
Ore, ti, poet, edhe unë kam nënë, por nëna ime e ka emrin Jugosllavi e babai Tito. Edhe ti duhet të jesh kështu, a më kupton?-iu afrua të veshi.
S` të kuftoj. Unë ndryshe jam. Nëna ime është Vaxhideja, amvise, e ,baba Jonuzi, punëtor në Kombinatin e Duhanit.
Don të thuash se je irrident, nacionalist. E do Shqipërinë e jo vendin ku jeton e ha bukë.
U mbrojt.
Jam shqiptar, por tokën time e dua.
Do të thotë Shqipërinë. A ke qenë ndonjë herë atje?
Një buzëqeshje e dielltë iu shfaq në sy.
Ta merr mendja se kam qenë.
E si e kishe, pra, atë nënën tënde?- udbashit iu çel fytyra. Zemërimi i kishte ikur.Tashti i kishte rënë telit ku duhet. Do të gradohej për këtë që e kishte zbuluar tek viktima e tij, pa ndihmen e askujt.
Ishte për mrekulli. Zonjë e rëndë. U çmalla me të. U kënaqa. Si me nënën më. Në prehërin e saj të ngrohtë. Natën e benim ditë.
E Xhaxhi si ishte? Je pa me të?
Si jo. I forte. Çelik. Me grushtin lart.
Fërkoi duart me një buzëqeshje të zgërdhirë si prej ujku.
Eh, tashti me tre drejt, si arrite deri atje? Në çmënyrë? Kush të ndihmoi?
Shumë lehtë, zotëri. Nëpër atë kufirin gjemborë të vdekjes.
Nuk të diktuan qentë?!
Kisha me vete pipër. Dhe kalova pa një therrë në këmbë. Shkova tek Nënëmadhja jonë.
Dhe?
Kur hapa sytë, jorgani te këmbët. Ishte vetëm një ëndërr e mirë, asgjë më shumë, zotëri .
Udbashi u çart. Ulurinte si ujk i uritur. Thirri xhelatët.
Drama e trishtimit filloi.