• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË 105 VJETORIN E KONGRESIT TË ALFABETIT SHQIP

November 19, 2013 by dgreca

PERPEKJET OSMANE KUNDËR PËRDORIMIT TË ALFABETIT SHQIP SIPAS BURIMEVE DIPLOMATIKE SERBE/

 Shkruan: Avzi MUSTAFA/

Menjëherë pas Hyrijetit, në shumë qendra e qytete jashtë dhe brenda Shqipërisë, si në: Stamboll, Korçë, Elbasan, Manastir, Shkup, Bukuresht, Sofje, Selanik etj. u ngritën klube dhe shoqata, duke nxjerrë gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Krahas këtyre, hov relativisht të madh mori edhe përhapja e arsimit në gjuhën shqipe.

Një ndër problemet imperative të kohës ishte zgjidhja e mirë dhe e plotë e shkrimit të gjuhës shqipe, si çështje që ende nuk kishte gjetur zgjidhje përfundimtare. Edhe pse alfabeti i Stambollit 1879 ishte aprovuar nga shumica e intelektualëve shqiptarë, ende përdoreshin alfabete të tjera.

Që t’i jepej fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin si nga shqiptarët ashtu edhe nga albanologët e huaj Klubi i Manastirit “Bashkimi” e mori mbi vete të organizojë një Kongres kombëtar, do të thosha një parlament gjithëshqiptar. Në Kongresin e Manastirit që u mbajt prej 14-22 nëntor 1908 nuk u morën vetëm qëndrimet për shkronjat shqipe, por u bisedua për një program operativ për t’i realizuar kërkesat shekullore të shqiptarëve. Dhe kështu gjatë ditëve të Kongresit u hartuan kërkesat në 18 pika dhe u autorizua Shahin Kolonja që t’i dërgojë për miratim te deputetët shqiptarë në Stamboll.

Armiqtë e shqiptarëve qoftë të brendshmit apo të jashtmit me të dëgjuar se po përgatitet të mbahet një Kongres, menjëherë morën iniciativa për ta ndalur atë. Sipas disa burimeve nga shtypi i kohës, kuptojmë për lajmërimin e qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e germave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe.

Çështja e alfabetit shqip dhe e shkollës shqipe ishte një ndër faktorët kryesorë për një luftë gjithëpopullore. Sipas një enciklopedie serbo-kroate-sllovene, libri II në faqen 650  thuhet: “se lufta e Shqiptarëve  ishte pikërisht rezultat i asaj që kur Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ju imponojë alfabetin turk, dhe për të penguar këtë ai  ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapte  shkolla turke dhe në fund bëri edhe çarmatimin e tyre”. Patriotët shqiptarë punuan në këtë drejtim me një mjeshtri shumë të madhe. Nëpërmjet Kongresit u trajtuan dy anë të të njëjtit qëllim që kishte karakter politiko-shoqëror, ngase nëpërmjet shkronjave shqipe mori hov të madh përhapja e arsimit si dhe lëvizja kombëtare në përgjithësi.Jehona e mbajtjes së Kongresit mori përmasa të gjera, ashtu siç njofton prof. Kristaq Prifti, jo vetën në tokat shqiptare, por edhe jashtë. Për këtë Kongres shkruan gazetat frënge, italiane, zvicerane etj.: “se shqiptarët do të mblidheshin në Kongres për qëllime politike ose kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarësisë, se Kongresi mund të shndërrohej në një bashkim politik”.

Qarqet reaksionare të vendit si dhe shtetet shovene ballkanike pritnin që tani germat të jenë “mollë sherri” për përçarje edhe më të madhe. Shqiptarët nga ky Kongres dolën edhe më të bashkuar duke i treguar botës se edhe ata janë një popull, se kanë një gjuhë, se edhe germat duhet të jenë të përbashkëta.Xhonturqit dhe aleatët e tyre nëpërmjet disa deputetëve tradhtarë dhe disa feudalëve dhe fanatikëve fetarë përsëri e shtruan problemin e çështjes së alfabetit në Parlamentin e Turqisë. Këta dolën me tezën se popullsia myslimane “gjoja ka qenë dhe janë për alfabetin turko-arab, i cili njëherazi është dhe alfabet i Kur’anit, kurse alfabeti latin e prish fenë myslimane dhe se me te nuk shkohej në Qabe”. Kështu xhonturqit nuk lanë gurë pa lëvizur për të sjellë huti e përçarje te shqiptarët nëpërmjet propagandës antikongresiane dhe antishqiptare.

Mllefi i akumuluar i merimangave turke në Shkup, nëpërmjet të një shoqërie që mbante emrin “shoqata për të shkruar gjuhën shqipe me germa osmane”, organizuan një mbledhje, të cilën e quajtën “Kongres” për të cilin shumë pak dihet, për arsye se nuk bëri jehonë në masat e gjëra, sepse ky ishte vetëm një mendim ose kërkesë e një deputeti nga Shkupi Seid Efendisë, duke trumbetuar se myslimanëve me Kur’an u është ndaluar të shkruajnë nga e majta në të djathtë.

Shqiptarët e Shkupit, pasi i dëgjuan këto marifetllëqe, u prononcuan me një artikull “Nga një zemër shqiptare”. Në të thuhej: “Dje u mbajt këtu një kongres prej ca nga të parët e vendit, të cilët vendosën ta përdorin alfabetin me shkronja arapçe për shkollat e Shqipërisë… Atë alfabet që vendosën të përdorin këta zotërinj, le ta mbajnë për vetën e tyre, asnjeri s’e njeh, as do ta njohë, s’e di, as do ta dijë. Shqipëria e tërë ngrihet në këmbë për me thanë: Turp i madh për këta njerëz! ( Po themi njerëz për mos me thënë ndryshe!)”.

Propagandat e ndryshme, si nga xhonturqit ashtu edhe nga fanatikët e klerit fetar, nuk kishin të ndalur. Ata filluan të agjitonin me të madhe pa zgjedhur mjete, duke organizuar peticione, mbledhje e mitingje për t’i dërguar kryeministrit të Perandorisë Osmane që shqipja të shkruhej me germa turko-arabe. Ministri i arsimit turk, më 6 shkurt 1325 sipas Hixhrës lajmëron se qeveria turke ndaj alfabetit të arnautëve mbetet neutrale. Po kjo nuk ndodhi kështu sepse  Ministri i Arsimit kishte deklaruar se “gjuha shqipe” në të gjitha shkollat do të mësohej vetëm me shkronja arabe”. Në një raport të nxjerrë nga fondi  J. Jovanoviq                                     lexojmë edhe këtë se: “gjithë bota ka pranuar shkronjat arabe edhe Vilajeti i Kosovës do të ta pranojë këtë”:

 

 

 

Sikur nuk donin të kuptonin se çështja e alfabetit kishte marrë fund pikërisht në Manastir. Ata përsëri thirreshin në nenin 16-të të Kushtetutës Turke se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe se përdorimi i gjuhës shqipe rreptësisht ndalohej. Këtë e shohim nga deklarata e kryeministrit turk Ibrahim Haki Pashai që pa droje pat deklaruar se: “Çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman”.

Që ta bindin qeverinë turke, shumë gazetarë të paguar shkruanin se gjoja tek arnautët myslimanë dominon një pakënaqësi dhe urrejtje e madhe ndaj germave ” të kaurëve”. Dhe, në shumë qytete, si në Kaçanik, Shkup, Pejë, Janinë, Shkodër si dhe në vetë Manastirin dominon një pakënaqësi.

Në fondin e Jovanoviqit  në  dokumentin nr.  886 të 16 prillit 1910, pastaj  edhe nga raporti me nr. 896 qartë kuptohet se si manipulonin me lajme kontraverze si qeveria turke ashtu edhe shtetet fqinje për të mashtruar opinionin, si atë turk, ashtu edhe atë botëror se gjoja në Kaçanik është organizuar një miting kundër shkronjave latine dhe se është sjellë një rezolutë se “germat latine janë në kundërshtim me Sheriatin dhe se banorët e kësaj ane kërkojnë që të mbyllen të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe të ndalohen librat të shkruara me alfabetin latin”.

 

Sipas konsullit Jovanoviq dhe në bazë të dokumentacionit që posedojmë, qartë shihet se si pushteti osman bën luftë të ashpër që të mos lejojë hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, e sidomos moslejimin e përdorimit të shkronjave latine. Sipas një dokumenti të lëshuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë edhe Serbia e  në mënyrë indirekte e kundërshtonte përdorimin e shkronjave latine ku i kërkohet  qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e germave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe, sepse shqiptarët me fe islame Serbia i konsideronte si turq. Sipas shënimeve të Jovanoviqit kuptojmë se si përgjigjet qeveria turke ku thuhet: “Problemi i hapjes të shkollave shqipe është çështje që duhet të diskutohet në parlament, e sa u përket germave ajo është çështje e shtypshkronjave”.

Nga një dokument tjetër të këtij diplomati gjithashtu kuptojmë se si deputeti shqiptar në Parlamentin Osman, Hasan Prishtina  ithtar i shkronjave latine ka dërguar nga Shkupi telegramin ku thuhej se ”Vilajeti Kosovës ka nevojë për 10 mësues të gjuhës shqipe. Të gjithë ata që dëshirojnë të kryejnë këtë shërbim le t’i drejtohen klubit “ Bashkimi”, kurse  në Stamboll klubit “Sabah”.

Një dokument tjetër që mban datën 3 shkurt (II), 1910 nr. 234 marrim njoftime  për nxënësit e Idaijes së Shkupit ku një pjesë e madhe e nxënësve kanë përfillë latinishten. Deputeti në Parlamentin turk, Said Efendiu ka shkuar në Idaije që të këshillojë dhe të bëjë presion për heqjen dorë nga shkronjat latine. Nga numri i nxënësve : “12 nxënës kurrsesi nuk kanë pranuar dhe i kanë larguar nga shkolla”. Po ashtu kuptojmë se gjoja Said Efendiu ka shtypur (mendohet se  ka sjellë A. M) një Abetare me germa arabe dhe e ka shpërndarë ndër shqiptarët”. Po në të njëjtin dokument shkruan se ”qeveria turke  pengon përdorimin e shkronjave latine, por shqiptarët nuk rrinë duarkryq”. Sipas të njëjtit dokument, shohim se “katër (4) nxënës po përgatiten për të mësuar në shkollën e Elbasanit, kurse 4-5 nxënës të tjerë i financon klubi shqiptar i Stambollit, ku këtyre iu është siguruar kostume dhe para rruge. Ndihma sigurohet nga Lidhja e Stambollit, sepse klubi i Shkupit nuk ka para”.

Nga  një dokument që mban datën 4 shkurt 1910, nr. 235 dërguar Dr. Millovan Millovanoviqit , Ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë qartë shihet se si konsulli nga Shkupi e njofton për mospagesën e mësuesve në shkollat e jezuitëve në Gjakovë e Janjevë nga  ana e Austrisë (nxënës shqiptar te besimit katolik A. M) dhe se “ka nxënës  dëshirojnë të mësojnë në gjuhën serbe dhe të dërgohen sa më parë mësues serb që të jenë rreth tyre”.

Në dokumentin që mbanë datën e 10 shkurtit 1910 nr. 87 mësojmë edhe për  reagimin e valiut të Shkupit I cili i ka dërguar telegram në Ministrinë e arsimit  në Stamboll duke u kanosur “ se të gjithë ato shkolla që mësojnë me shkronja latine do të mbyllen”.  Pastaj në dokument përshkruhen edhe masat që I ndërmerr pushteti vendit ndaj idhtarëve të shkronjave latine. Nga ky dokument kuptojmë masat represive të pushtetarëve turq. Ata e pushuan nga puna mësuesin e gjuhës shqipe , Bedri Efendiu ( Pejani), pastaj komandantin e xhandarmerisë Sheli, sepse djali i tij është përkrahës i shkronjave latine dhe është  larguar nga shkolla e  Idadies, po ashtu është larguar edhe një nëpunës dogane.  Dhe të gjithë ata që u kanë gjetur libra me shkrim latin janë gjobit me rrogë. Po ashtu edhe një mjek i komunës është larguar nga puna , sepse emrat dhe diagnoza e të sëmurëve ka qenë të shkruar me shkronja latine . Klubit  të këtushëm (  e ka fjalën për klubin e Shkupit)  i është hequr tabela e mbishkrimit  pse ka qenë e shkruar me shkronja latine. Në një dokument të fondit të Jovanoviqit janë përshkruar edhe masat ndaj atyre të cilët kanë shkruar telegrame për përkrahjen e shkronjave latine, ku ndaj tyre parashihet edhe internim në Anadolli.

Dokumenti që mban datën  13 shkurtit 1910 nr. 331 jep të dhëna për aktivitetin e  Klubit  të Shkupit dhe ndër të tjera potencohet se ky klub po përdor gremat latine. Valiu bashkë me deputetin, Said Efendia kanë mbajtur mitingje në Sjenicë, Ferizaj, Gjakovë, , Prishtinë, Shkup,, Pejë, Gostivar, Dibër, Tetovë, Preshevë e gjetiu me qëllim bindje dhe heqje dorë nga shkrimi latin. Ata njoftojnë Sulltanatin “edhe pse banorët  janë përcaktuar për germat latine autoriteti i tyre dhe bindja me fakte ka suksese”  . Mirëpo, Said Efendiu  dhe turkofilët nuk mund të pajtohen me këtë të vërtetë dhe ato dërgojnë depeshe në Sulltanat duke thënë “ se mileti i këtyre vendeve janë  manipuluar dhe mashtruar nga armiqtë e jashtëm”.

Said Efendiu do të shkruaj një telegram ku do të njoftojë se gjoja: “Shqiptarët e të gjithë vilajeteve kanë vendos të mësojnë me shkronja arabe dhe se mitingjet janë organizuar sipas porosisë”.

Për të bindur qeverinë Osmane se gjoja  angazhimi i tyre po jepte fryte ato edhe gjerat që s’ kishin lidhje me shkronjat as me shkollën i trillonin duke raportuar mbi gjendjen e mos përfilljes së shkronjave latine.  Kinse në Gjilan shkruanin se gjoja janë djegur orenditë shkollore dhe se janë rrahur dy mësues pse kanë përdorur shkronjat latine. Nga të gjitha vendbanimet shqiptare gazetat turke informonin se gjoja dëshpërimi është shumë i madh te banorët shqiptarë me fe myslimane. Nga fondi Jovanoviqit kuptojmë se edhe një mësues i një shkolle private në Gjilan ithtar i shkronjave latine   ia kanë ndaluar punën dhe do të përgjigjet.

Ndër kohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Ak-Sarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti kinse gazetar nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë muslimane për të krijuar një besim se shkronjat turko- arabe janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse  shkronjat  gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehenem. Për këtë turkofil nga  fondi i Jovanoviqit është edhe një dokument ku  shihet qartë puna e tij dhe shumë të tjerëve që punonin në dëm të shqiptarëve: “ se në Shkup shoqëria për të shkruar gjuhën shqipe me shkronja osmane po punon për të krijuar një alfabet turko-arab  dhe obligon shtypshkronjën e Vilajetit në emër të  Këshillit të shoqërisë të  shpikin 3-4 shkronja plus për të shkruar gjuhën shqipe.”

Derisa po zhvillohej një luftë rreth këtij problemi, patriotët shqiptarë filluan pa leje që të hapin shkolla në gjuhën shqipe jo vetëm nëpër qytete, por edhe në mjaft fshatra. Dhe, kështu, u çelen shkolla në viset e Korçës, Elbasanit, Prizrenit, Beratit, Manastirit, Janinës, Prishtinës, Shkupit, Ohrit, Dibrës, Pejës etj.

Çështja e alfabetit dhe shkollës shqipe sipas vendimeve dhe veprimeve që ndërmerrte qeveria dhe shërbëtorët e tyre po bëhej serioze. Ato vepronin jo vetëm me propagandë, por edhe me metoda shtypëse për ndalimin e alfabetit shqip. Kësaj propagande antishqiptare iu bashkëngjit edhe kisha ortodokse edhe pse nuk i interesonte drejtpërsëdrejti alfabeti turko-arab, por dëshironte që nëpërmjet të kësaj kishe t’i përçante shqiptarët. Kësaj propagande iu bashkëngjitën edhe austriakët dhe italianët. Por, populli shqiptar pa dallim feje e kishte kuptuar fare mirë qëllimin se ç’kërkonin turqit e të tjerët. Por, populli, nuk qëndronte duarkryq.

Nga ky fond  kemi gjetur edhe një dokument ku shihet se Komiteti i shoqërisë shqiptare të Sofjes i cili është drejtuar qeverisë së Beogradit për ndihmë për të hapur shkolla në gjuhën shqipe, mirëpo përgjigjja ka qenë negative.

Sipas një dokumenti që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 18 shkurtit 1910) thuhet se: “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë protestë kundër shkronjave latine të arnautëve. Nga shumë qytete kjo proteste nuk ishte e mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër – atje kanë mbledhur 3000 frymë”.

I tërë populli u orientua në mbrojtje pa dallime fetare e krahinore. Të parët që i dhanë forcë vendimeve të Kongresit ishin nxënësit e Idadijes së Korçës, më pastaj ish-nxënësit e shkollës së Janinës, Manastirit, kurse nxënësit e Elbasanit e braktisën tërë shkollën dhe bashkë me popullin ku protestuan mbi 7000 veta. Drejtori i Idadijes së Shkupit pse e ndërroi qëndrimin, e pushuan nga puna. Në Berat e ndoqën shembullin e elbasanasve dhe dolën për t’i mbrojtur vendimet e Kongresit mbi 15.000 veta.

Këto veprime patriotike të nxënësve si dhe të shumë patriotëve qartë i treguan pushtetit osman dëshirën e zjarrtë të popullit shqiptar për gjuhën dhe shkollën shqipe. Pas kësaj dëshire nuk qëndronin vetëm nxënësit, patriotët, intelektualët, por tërë populli shqiptar pa dallim feje. Me veprimet e tyre qartë treguan se mbrojtja alfabetit dhe gjuhës shqipe me të vërtetë shënon një faqe të lavdishme të historisë sonë dhe është një mësim i qëndresës në momente vendimtare.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 105 vjetori, Avzi Mustafa, i Alfabetit

LLAZAR SILJANI- REKANASI ATDHETAR I HARRUAR

October 30, 2013 by dgreca

Shkruan: Avzi  MUSTAFA/ Shkup/

Ne mes të maleve të larta të Velivarit, Korabit  dhe Kërçinit, në dy anët e lumit Radika gjendet bukuria natyrore, ashtu siç e dinë ta fal vetëm  Zoti, që quhet Reka e Epërme. Bukuritë e saja janë ma të mahnitshmet  në të gjitha stinët e vitit. Dimri  është me borë të ashpër, ku gjatë stinës arrin sa një bojë njeriu dhe qëndron deri në pranverën e vonshme, kurse vera dhe vjeshta këtë vend e pikturojnë si një artist i vërtetë me  ngjyrat e ylberit. Ajri i pastër dhe  pllajat malore, që i dhurojnë “Erën e  Bardhë”  siç quhet nga vendasit,, e bëjnë   Rekën e Epërme  një  banjë natyrore që ndikon edhe në rritjen e banorëve me trup të lart e  të shëndosh  me karakteristika  somatike që dallojnë nga të tjerët.

Kjo krahinë, me ujin e pastër dhe kullosat shumta, mundëson që ky vend të merret vetëm  me blegtori. Për të gjithë banorët e kësaj treve rruga  dhe fushëpamja e tyre është rrjedha e lumenjve dhe përroskave  që derdhen në lumin  Radika  dhe janë të vetmet rrugë që çojnë në dalje për në qytet.

Aty ku lumi Radika e pranon lumin e Bogdit në anën e djathtë të  bregut të lumit   Gjollet e Krekarnicës që buron nga themelet e  Kishës së Edingosit  dhe në lindje të fshatit Vau gjendet fshati Krakornica.

Krakonirca  e rrethuar me malet apo siç i quajnë banorët “bgjeshka”  atë të Reçit dhe atë të Strazimirit, dhe ne lindje  të këtyre maleve, përveç Krakornices  gjendeshen  edhe  dy fshatra  të kësaj zone, si: Vaiu (Brodecë), Bogdi.  Të rrethuara me male,  këto fshatra të vetmen  dalje në një botë tjetër përveç rrjedhës së lumit të Gjolleve të Krakornices  si dhe të lumit të Bogdit. Këta dy lumenj   diku afër Niçpurit  bashkohen dhe dredhen në Radikë. Vetëm kjo është dalja, që për banorët e këtyre viseve,  që  përshkohej me një  udhë dhiare  që të  çonte  në Dibër dhe atë vetëm me kafshë samari. Prandaj,  këto tre fshatra nuk kishin mundësi tjetër, përveç Dibrës, për të siguruar nevojat e jetesës.

Një vit para se të lind Llazar Siljani,  i ati Ilija posedonte një shtëpi në Dibër, sepse merrej me tregti  dhe në atë shtëpi kishte ndërtuar një fllanik (katua), ku ruante dhe shiste bulmetin.   Meqë se pritej lindja e foshnjës e ëma qëndroi në Dibër. Para se lindte foshnja i tyre, ndodhi edhe një dimër i madh që ishte e pamundshme që nëna të kthehet në fshatin  Krakornicë.

Në kollozhek të vitit 1878 lindi një djalë, por pas tri ditëve u dëgjua nga shtëpia e Ilijës në Krakornicë  një pushkë,  që lajmëroi se në  familjen e Siljanëve ka lindur një djalë. Sipas traditës kishtare fëmijët që lindnin pagëzoheshin me emrat e gjyshërve për të ruajt traditën dhe djalin e vogël e pagëzuan Llazar.

Llazari  që në fëmijëri dëshmonte se posedon një inteligjencë, por edhe me trup po rritej shpejt dhe fuqishëm. Pasi u mëkëmbë, Llazari në stinën e verës shkonte në Krakornicë  dhe rritej bashkë me cingërimat e deleve, duke ecur bashkë me to nëpër rudina, luante me këlyshët e qeneve të racës Ilire dhe mblidhte siç i thonë banoret e kësaj ane, aushka (repa).

Në kohën e  vjeshtës së vonshme dhe të dimrit qëndronte në Dibër. Ai kishte dëshirë që të qëndrojë  pranë të atit .Aty ulej mbi shegat ( tinarët) e bulmetit. Kur ai mungonte,  mungesa e tij ndihej dhe  njerëzit kur vinin në shtëpinë e Siljaneve në Dibër pyesnin për djalin, ndërsa babai  u thoshte se është Rekë. Familja krenohej, që  kishte dëshirë që të shkojë e rrijë gjatë deri në vjeshtën e vonshme në Krakornicë. Të  afërtit  e  thirrshin rekanas, që më vonë ky djalosh ta  përvetëson  këtë nofkë dhe ashtu do njihet nga qarqet intelektuale e patriotike- Llazar Siljani-Rekanasi.

Në shtëpinë e Sijanit vinin e shkonin njerëz , dikush blinte, dikush vetëm pyeste e dikush ndalej e bisedonin për vuajtjet e shqiptarëve .Në dyqanin e babait, Llazari ndonjëherë shiste e ndonjëherë dëgjonte, ndonjëherë pyeste për gjera që babain e shtinte në mendime për ti dhëne përgjigje. Në kohën kur Siljani kishte filluar që të kuptoj nga pak dhe te ai të ngjallen ndenja patriotike. Në atë kohë me të madhe  në Dibër flitej për ardhjen e Abdyl Frashërit si dhe atentati mbi të. Ka mendime të tilla se pas largimit të Abdylit nga Dibra për disa javë të ketë kaluar në zonat e thella malore pikërisht në Rekën e Eperme , për të pasur kontakte të fshehura me patriotët e Prizrenit e të Gjakovës[1].

Kjo krahinë e bukur që shquhej si vend blegtoral, por edhe si vend i thyer ku behet shumë acar e  bie borë e qëndron gjatë, që nuk mundej të sigurohej as buka e gojës. Andaj banorët e këtyre fshatrave malor migronin në viset më të mira  brenda Rekës , por edhe nëpër qytetet e afërta si ne Dibër, Gostivar, Kërçove e gjetiu e më vonë edhe në vendet e largëta  ku mund të gjendej punë si në: Stamboll, Bukuresht, Sofje, Pllovdiv, Stamboll, Misir e gjetiu.

Llazar Siljani e sidomos babai kishte dëshirë që ai të mësojë shkollë. Në atë kohë në qytetin e Dibrës  funksiononte një shkollë bullgare me katër klasë dhe me  dy  mësues. Numri i nxënësve sipas të dhënave arrite 90 nxënës.[2] Edhe Llazari i mori mësimet e para në këtë shkollë.

Pas ndoqi katër klasë në këtë shkollë, por e kishte shumë vështirë për të vazhduar me tej shkollimin në Dibër.  Si shumë të tjerë edhe Llazari në moshën 15- vjeçare , pas dy viteve pauzë u nisë që të mësojë në ndonjë shkollë të mesme në  Bullgari. Meqenëse  e kishte mësuar gjuhen bullare në shkollë , kurse në shtëpi fliste gjuhën amtare shqipe, interferenca gjuhësore e tij u binte në sy  mësuesve bullgar në Sofje dhe atij i sugjeruan se me këtë të folme mund të regjistrohej ndonjë  shkollë  në Pllovdiv. Kështu veproi dhe regjistrohet në një gjimnaz real në Pollovdiv.

Pikërisht në vitin  kur kishte lindur Llazar Siljani, Bullgaria kishte fituar autonominë dhe shumë shqiptarë kishën marrë rrugën që të gjejnë punë nëpër shumë qytete të Bullgarisë. Në Sofje shumë patriotë shqiptarë të Rilindjes kombëtare zhvillonin aktivitet politik dhe kultural. Në Sofje u  themeluan shoqëritë e para patriotike, filluan të dalin edhe gazetat e para në gjuhën shqipe, filluan të përkthehen libra ne gjuhë te ndryshme për të afirmuar kulturën dhe historinë e shqiptarëve . Në kohën kur Llazari ndodhej në Bullgari një pjesë e intelektualëve shqiptar që kishin mbaruar shkollën e mësuesisë të Nikolla Naços , kishin ardhur në Bullgari siç ishin: Krist Luarasi, Kostë Trebicka me të vëllaun, Dhimtar Nikolla Mole, Mil Sotir Gurra  e shumë të tjerë. Njeriu që ishte më ma i merituari që i tubonte të gjithë shqiptarët dhe përhapte ndjenjat e shqiptarizmit ishte Dhimitar Mole.  Ai mbante një hanë në rrugën “Serdika” të Sofjes  si dhe  kafenenë me emrin “Albanija”, ku shumë shqiptarë   i brumosi dhe i vetëdijesoi jo vetëm me  ndenja patriotike, por edhe i angazhoi për veprime konkrete në dobi të kombit shqiptarët. Kafeneja“Albanija” u bë  një  fole patriotësh ku mblidheshin dhe bisedonin për çështjen e kombit. Masa që frekuentonte ishte  ishin analfabet e gjysmanalfabet , punëtorë krahu duke punuar çdo lloj punësh. Takimet  e ndryshme dhe malli  për vendlindjen e familjet,  mërgimtarët gjenin ngushëllim  në fotografinë e Skënderbeut që e kishin vendosur në ballë të kafenesë. Portreti i Skënderbeut ishte ikona e frymëzimit patriotik .Me te fillonin dhe mbaronin bisedat. Kafeneja dhe hani  ishte mbushur plot me libra  ne gjuhën shqipe. Nga patriotët u ndërmor aksion që të hapen kurset për shkrim lexim shqip, ku një numër shumë i madh filluan të shkruajnë e të lexojnë ku njeri ndër të parët ishte Josif Bageri nga Nistorova e Rekës së Epërme.

Llazari, si  ri përmallohej për Dibrën, Krakornicën , por prehje shpirtërore gjente kur takohej me bashkëvendësit. Mirëpo, në të njëjtën kohë filloi që të vë kontakte edhe me shumë intelektual e patriot të kohës . Miqësi te madhe lidhi me Nikola Ivanaj, Adham Shkabën, Dhimtar Mole, Said Najdenin, Josif Bagerin, Kristo Luarasin, por edhe me  disa intelektualë bullgarë. Sipas disa shënimeve thuhet se Llazër Siljani  ishte një udhëtar i përhershëm i trenit që  lëvizte në drejtim  Pllovdiv – Sofje-Sofje-Pllovdiv.

Në vitin 1900 patrioti shqiptar Kristo Luarasi do të sigurojë një shtypshkronjë për botime të librave në gjuhën shqipe. Sipas gazetës “Kalendari kombiar”, ai do të njoftojë shqiptarët se ne vitin 1899 është botuar në Sofje Abateraja e Stambollit, por përveç dokumentacionit  ekzemplarë  të saj nuk  janë gjetur. Në vitin 1902 do të dal botimi i dytë i “Abetares Toskrisht” të Sami Frashërit botuar nga shtypshkronja “Mbrothësija” , që e posedonte Luarasi.

Meqenëse në Bullgari kishte shumë punëtorë nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë  dhe dialekti toskë u paraqiste ca  vështirësi, patriotët shqiptarë ndërmerren iniciativë që  Abetaraja e Sami Frashërit të botohet edhe në dialektin gegë. Për këtë punë u angazhua që ta bejë Said Najdeni nga Dibra. Patrioti Said Njadeni  ishte   një ndër ato që kërkonte dhe punonte për  hapjen e shkollave  me mësim në gjuhën shqipe. Ai shumë shpejt e kreu dhe më vitin 1900 u  botua Abatarja e adaptuar në dialektin gegë.

Ndërkaq Llazar Siljani ndërmori iniciativë si shqiptar dhe bashkëqytetar  që të angazhohet  që të  botojë veprën në dorëshkrim të Said Najdenit “Ferrefenjën myslimane” në folur të Dibrës[3]  .Vepra është shkruar me alfabetin e Stambollit  Gjithë punën për daljen në dritë të këtij botimi u angazhua Llazar Siljani që te sigurojë edhe para për botim nëpërmjet të donatorëve , ku ai vet po ashtu dha një shumë të parave[4] . Kështu në vitin 1900 “Ferrefenjën myslimane”  në folur të Dibrës e Said Najdenit  (Hoxhë Voka) u botua në Sofje.

Vë vitin 1875 për herë të parë në gjuhën turke u botua drama “BESA” e Sami Frashërit, ndërsa më vitin  1902 ajo u përkthye në gjuhën frëngjishte nga Abdyl Ypi Kolonja .Kur u lexua vepra e Samiut dhe kur dilnin në pah virtytet e larta shqiptare si komb më vete, zemra i tha Llazarit që kjo vepër gjithsesi duhet që të përkthehet edhe në gjuhën bullgare . Prandaj iu përvesh punës, konsultoi shumë fjalorë, dhe në vitin 1902 vepra e Samiut “Besa” u përkthye në bullgarisht nga Llazar Siljani, dhe u botua në  shtypshkronjën e bullgarit D. V. Mançov në Pllovdiv[5].

Meqenëse ishte e pamundur që shqiptarët të punojnë individualisht, andaj u paraqit nevoja që  të gjithë shqiptarët e Sofjes të organizohen në një shoqatë, që u emërtua më pas “Dëshira”. Për formimin e shoqatës u angazhuan: Mole, Adham Shkaba, Josif Bageri, Sipro Garo, Llazër Siljani, Ligor Prifti

Në fillim në të u anëtarësuam vetëm 30 vetë, por  dita- ditës  shtohej.   Qëllimi parësor  i shoqërisë ishte të përhapë dituri dhe mësim të gjuhë shqipe,pra ajo kishte karakter kulturor e arsimor. Programi realizohej mbi parimet demokratike dhe dallohej se  nga shoqëritë tjera, sepse në këtë shoqëri mund të anëtarësoheshin vetëm ato që e “flasin gjuhën shqipe” e jo të huaj ( neni nr. 4 i statutit)  

Anëtarët e shoqërisë “Dëshira” dita-ditës po shtoheshin, ndërsa, patriotët shqiptarë ndërmerrnin iniciativa të ndryshme.  Mbi të gjitha ishte ruajtja e gjuhës shqipe , bashkimi i shqiptarëve  hapja e shkollave shqipe dhe afirmimin e kombit shqiptar në sy të botës, prezantimi i kulturës shqiptare nëpërmjet përkthimeve etj.

Meqenëse se shqiptarët sipas ndasive  fetare i identifikonin si grekër, bullgar, turq e serb,  ajo që i bashkonte të gjithë shqiptarët ishte gjuha shqipe,  që  me një fanatizëm të paparë i ruante  shenjat dalluese të kombit.  Ata e quanin gjuhen shqipe “tapia e vendit”.

Mospranimin e shqiptarëve si komb e shqetësonte shumë Llazar Siljanin . Prandaj në vitin 1907 botoi librin :“BESA / A / FEA / E / SHQIPËTARËVET TË VJETËR” .Libri ka 78 faqe dhe prej faqes 3-7  ka një parathenie, ku aty I shpalon të gjitha mendimet si dhe rëndësinë historike të besës shqiptare si një prej virtyteve më të shenjta të popullit tonë[6], por gjithashtu edhe fenë e sheh si një ndër tiparet e rëndesishëm në shërbim të ruatjes së  kombit. Prandaj Llazari do të shkruaj kështu: “Besa, feja e kombit janë si fletët e drurit të cilat pot të ndryshojnë nga koha, bien dhe në pranverë dalin të tjera. Gjaku (shpirti) I kombit është si palca e drunit, të cilën po e nxorre, nuk mbetet as fletë, as pemë dhe druni thahet për jetë”[7]

Llazar Siljani bashkë me Josif Bagerin, që ishin dy nga Reka e Epërme dhe të dy nga pesë anatarët për ngritjen e iniciativës për ndërtimin e një kishe ortodokëse në Sofje. Më vonë kësaj inciative iu bashkangjitën72 anëtarë  të tjerë. Kështu më 25 shkurt 1910 dërguan kërkesën në organet gjegjese kishtare  për themelimin e  kishe ortodokse shqiptare në Sofje,

Themelimi I kishës kishte për qellim jo përçarje, por  të zgjonte ndërgjegjen kombëtare bashkëatdhetarëve, si dhe mbajtjen gjallë  frymën e patriotizmit dhe të urretjes ndaj pushtuesit si dhe qarqeve shoveniste të shteteve fqinje.

Por Sinodi I kishës bullgare e refuzoj sepse në kërkesën e shqiptarëve ortodoks se në kërkesën e tyre potecohej qartë se mesha e  prifti duhet të jetë shqiptar.

Llazari I kishte venë vetes që të punojë për popullin shqiptar pa humbur asnjehere shpresen se një ditë shqiptarët do të mëvetësohen.Shqiptarët janë popull I vjetër .Ky popull ka gjuhën, historinë e bujshme luftarake. Duke iu referuar  kryengritjeve ndyshme  që kishte berë populli shqiptar si dhe të kuptuarit të rritjes së madhe të popullit  shqiptar për liri sidomos nga ana oroganizative e politike dita ditës gjente shprehjen e vet në formimin dhe rritjen e ndergjegjes kombëtare. Si problem më I madh  që e bregoste llazarin ishte  indetifikimi I kombit  me  fenë, jo vetëm nga sunduesët osman, por edhe nga qarqet shoveniste greke e sllave, por edhe nga  disa autorë të huaj, që I mohonin  shqiptarët si komb.

Llazar Siljani iu kundërvua tezave të huaja dhe përpjekjeve të pushtuesve të huja për të përçarë shqiptarët sipas feve duke ngritur besimin fetar në parim kombësie. Nëpërmjet të një libri të veçantë me titull “Cilët janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?” [8], ku shtroi çështjen  e trajtimit të posaçëm të Shqiptarëve si kombë më vehte me gjuhë e tradita , duke e mbeshtur tezën e Hasan Tahsinit . “Ne jemi një kombë I veçantë, kemi gjuhën tone të veçantë, anadaj duhet të jetojmë më vete si dhe të tjerit”.[9]

Llazar Siljani ishte në rrjedhat e kohës. Ai si një intelektual kuqej edhe në problemet që nxitnin debate të ndryshme.  Një kohë të gjatë në qarqet bullgare po diskutohej me të madhe se cilin shkrim do të marrin për bazë atë të lindjes apo të perëndimit. Intelektualet dhe shkencëtarët i kishin ndarë mendimet dhe në të njëjtën kohë ishin formuar dy shkolla  që njëra ishte shkolla e Sofjes që përkrahte shkrimit dhe dialektit e lindjes dhe e dyta ishte shkolla e Pllovdivit.  Sipas studimeve të Olivera Jashar –Nastevës  një shkencëtare e madhe e studimeve gjuhësore në studimet e saja  shkollën  gjuhësore të Pllovdivit  e karakterizon si më të mirën në zbatimit praktik gjuhësor e drejtshkrimor që përvetësohej nga përkthyesit dhe nga gjuhët tjera sllave të Ballkanit. Meqenëse se Llazari kishte mësuar në shkollë gjuhën bullgare dhe në Dibër të folmen maqedonase, dhe duke u mbështetur  në fushën e leksikut si sistem i hapur dhe në sistemin gramatikor të gjuhës shqipe dhe të bullgarishtes ku ai kishte vërejtur shumë afërsi ndërmjet këtyre gjuhëve. Ai ndërmori një provë që të bëjë një studim në një libër me titull  “Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”[10]. Libri ka 66 faqe dhe shoqërohet me një pasthënie nga autori.

Si të gjithë patriotët shqiptar të krahinave të ndryshme shqiptare edhe intelektualet e krahinës së Rekës së Epërme u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombtare qoftë me pushkë apo me penë. Edhe Reka e Epërme nëpërmjet të përfaqësuesve të vet jep kontributin e çmueshëm për çlirim e pavarësi, për kulture, për gjuhë, kishë e shkollë  në gjuhën amtare. Pa dyshim edhe Llazar Siljani I dha vulë kohës së vet, ambientit të vet dhe popullit të vet përmes punës dhe veprave të tij, të cilat i sigurojnë krahas Josif  Bagerit një vend të denjë si illuminist I shquar nga treva e Rekës së Epërme.


[1] Kristo Frashëri, Abdyl Frashëri, ( 1839-1892), f. 299

[2] Shkolla ishte hapur 1883/84 sipas Ali Vishkos, Rrethanat arsimore ne Dibër e rrethinë ne gjysmen e dytë të shekullit XIX, Dibra dhe etnokultura e saj ,II, Diber, 1995, f. 79

[3] . Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptar 1., BKSH, Tetovë, 1995, f. 42

[4][4] Said Najdeni , “Ferrefenjza myslimane, , Mrothësia”, Sofje,1900 ( shih listen e dona ku ai shenohet si nje i krishter e jo me emr dhe mbiemër.Për kete libër fal Llazarit botimin e ndihmuna shume patriotë nga gjithë viset si muslijman ashtu edhe te krishter.)

[5] S. Frashëeri, Besa çesna duma. Drama vo sestdeistvija, iz albanskija zivot. Prepelot albanski. L.I. Siljanov, Plovdiv, D.V.Mançov, 1902

[6] , Bibliotekës Kombëtare, Ramazan  Vozga, LIBRI SHQIP 1555-1912, në fondet e Bibliotekës Kombëtare BIBLIOGRAFI, Tirane, 2010

[7] Llazar Siljani, Besa a fea e Shqiptarëve të vjetër “Mbrothesia”, Sofje,1907, f.5

[8] Лазар Силјанов, Кои се денешните албанци и технија език?, Софија, 1911

[9] Hasan Tahsini, Delvinë, 1874(cit. sipas Nuri Abdiut Kontribute themelore ne historinë e mendimit psikologjik shqiptar, Tiranë, 2003)

[10] Llazar Siljani Afrimi i Bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe,,”Mbrothësia”, Sofje, 1911

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Llazar Siljani, Rekasi atdhetar

KUSH ISHTE RAMAZAN DALIPI NGA ZAJAZI?

October 28, 2013 by dgreca

Nga dosja e një antikomunisti nga fshati Zajaz/

Shkruan: Avzi MUSTAFA/

Në këtë trajtesë do të jap një kuadër paraqitës biografik për të mbështetur, në vija të përgjithshme, aktivitetin patriotik të Ramazan Dalipit në vend dhe në emigracion.

Ramazan Dalipi lindi më 05 gusht 1912 në Zajaz të Kërçovës. Ai  lindi  në muajin e  Shenjtë të Ramazanit, andaj i ati Mehmedi e pagëzoi djalin me këtë emër. Mehmedi me lindjen e djalit nuk mund të mos kishte edhe gëzimin edhe besimin se kjo vatër familjare tani e arsyeton si lindjen, ashtu edhe vdekjen, meqë ka kush ta trashëgojë këtë familje.

Si çdo familje në Zajaz, ashtu edhe familja e Mehmedit nuk kishte shumë ditë të mira, sepse koha kur rritej Ramazani ishte një nyje kur shqiptarët në heshtje mezi jetonin e përjetonin varfërinë e disfatën.

Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së Ramazanit karakterizohen vetëm me ngufatje e turbullira të kohës që lanë vulë në shpirtin e tij, as sa edhe qeshjen dhe shikimin t’ia ngulisin si të përmbajtur e të ndrojtur.

Bashkë me shokët e mëhallës, Ramazani ndjek shkollën okupatore serbe në Zajaz. Si nxënës tregonte aftësi dhe talent të pashoq, por shumë i mbyllur e i ndrojtur. Shumë gjëra edhe pse i dinte, nuk fliste, por vetëm vëzhgonte i heshtur. Ashtu si rritej, ashtu rriteshin edhe virtytet individuale të këtij djaloshi. Ai asnjëherë nuk i shikonte njerëzit nga lart, përveç se atëherë kur u shtrinte dorën atyre që ishin të ramë për toke për t’i ngritur. Këtë e shohin kur ai punonte edhe si bujk e punëtor krahu, në shërbim ushtarak nën komandën e Mbretërisë Jugosllave, që ishte një detyrim me shumë mundime për secilin shqiptar.

Shekulli i njëzetë që ishte një shekull i luftërave, një shekull që shtyhen me të madhe gurët e kufijve ku më së tepërmi e preku shtetin Shqiptar, ku asaj ia copëtuan gjymtyrët nga shtetet fqinje të Ballkanit. Nuk do mend se të gjithë shqiptarët krahas varfërisë e vuajtjeve kishin në ideal se si të gjendet rruga dhe mundësitë që  mos të shuhen vatrat në kullat e tyre. Por të huajt shqiptarëve ua kishin vjedhë  lirinë dhe vatanin. Shqiptarët të molisur dhe të futur në greminën e skëterrës për 30 vjet nën Serbi, nuk kishte rrugë tjetër përveç pushkës për të dalë nga kjo gjendje.

Kur edhe në këtë copë territori ku shqiptarët i kishin copëtuar, hasmuar, pa  bukë e shkollë , të detyruar që me trastet në krah të marrin rrugën e kurbetit e kur të mos çmallen me njerëzit e shtëpisë. Kjo jetë me shumë halle e brenga e priste edhe Ramazanin. Ramazani si një djalosh i gjatë e i shëndoshë, shumë shpejt e sidomos pas mbarimit të ushtrisë serbe ra në kontakt me shumë intelektualë e atdhetarë ku patën besim të madh te ky për të marrë ndonjë hap drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Me  formimin  organizatave politike, edhe shqiptarët e Maqedonisë të udhëhequr nga intelektualët dhe atdhedashësit e flaktë formuan organizatën e parë “Ballin Kombëtar”, ku më vonë do të formojnë edhe komitetete dhe nënkomitetete në të gjitha trojet shqiptare, që më vonë do të themelojnë njësi e aradha për t’i dalë zot tokës arbërore.

Menjëherë pas formimit të Ballit Kombëtar, më 1943 fushëveprim do të gjejë edhe Legaliteti që vepronte në shumë qytete të Maqedonisë. Ashtu  siç thotë studiuesi Qerim Lita se Balli Kombëtarë dhe Legaliteti nuk kishin dallime të mëdha, por dallimi qëndronte se Balli angazhohej për shtet “republikan”, kurse Legaliteti për “monarki”, me qeveri demokratike.

Ramazani me zemër ishte për të dytën dhe kështu shumë shpejt hyri në radhët e Ballit që më vonë të jap kontributin për Legalitetin, duke bashkëpunuar ngushtë me Muharrem Bajraktarin. Me qenë se ishte trupgjatë, siç thoshin  bashkëvendësit e tij “i kishte hije pushka”, ai hy në njësinë ushtarake dhe merr gradën kapiten. Bëhet dorë e djathtë e komandantit të vendit Mefail Zajazit.

Pas daljes në skenë të dy opsioneve politike: asaj të nacionalizmit progresiv dhe asaj të frontit Nacionalçlirimtar e udhëhequr ngas PKJ, Ramazani me bindje të plotë ishte për Bashkimin Kombëtar. Kështu ai bashkë me Mefailin e Vogël dhe me vëllanë e Mefail Zajazit, si dhe me pesë të tjerë nuk do të heqin dorë nga ideja e bashkimit. Edhe pse kishte  fituar opsioni i Frontit Nacionalçlirimtar ku shumica e shqiptarëve kishin kaluar në taborin tjetër dhe se gjasat për të bërë diçka ishin shumë të vogla, Ramazani në krye me Mefailin e Vogël do të mendojë që të arratisej diku jashtë shteteve komuniste që të vazhdonin misionin. Por, partizanët iu kishin vënë në gjurmë. Pas disa jatakëve, herë në Gostivar e here në Zajaz, vendosën që dimrin ta kalonin në një shpellë mbi Zajaz, te vendi i quajtur “Prroi Vogël“ apo “Xheksina”; aty të qëndrojnë deri sa të dalë pranvera dhe më pas të dilnin në emigracion. Por, partizanët nëpërmjet të ndonjë spiuni, përkatësisht UDB-ja u kishte rënë në gjurmë.

Atë natë të zymtë të fillimit të marsit të vitit 1945, si për kob, kishin biseduar se në qoftë se i zbulojnë të mos bien të gjallë në dorë të pushtetit, nëse ka nevojë të qëllojnë njëri në tjetrin. Mefaili i “Vogël” po atë natë, si asnjë herë tjetër pati një  gjumë të thellë dhe në atë mëngjes të kobshëm i thotë Ramazanit se ka parë një ëndërr shumë të keqe: “se si e ka parë veten duke u shqelmuar i vdekur nga një shqiptar i shitur”, pikërisht ashtu siç i kishte ndodhur edhe Mefalit të Madh, që kishte tentuar ta shkelmojë një bashkëvendës, që partizanët e kishin bërë si komisar.

Në kohën kur Mefaili i Vogël filloi të rruhet me brisk ende pa u shkumëzuar mirë, gjuajnë breshëri plumbash nga pushkët e mitrelezat dhe e plagosin Mefalin e Vogël, kurse të tjerët ikin. Derisa Mefalin e ashtu të plagosur e bartnin në saj për në gjykim, ai kërkon një pikë ujë dhe pas disa minutash ndërron jetë.

Ramazan Dalipin  pas  disa ditësh e kapin dhe me procedurë të shpejtë Gjyqi Ushtarak i rrethit të Manastirit  më datë 25. 04. 1945 me  aktakuzën nr. 555 e dënojnë me 5 vjet burg të rëndë i  akuzuar si anëtar i formacionit kuisling – ballist që “ka marrë pjesë në të gjitha betejat që janë bërë në Kërçovë”.

Burgu i Idrizovës (që gjendet në Shkup) ishte plot e përplot me shqiptarë. Vuajtjet e burgut nuk mund të përshkruhen me fjalë, e sidomos torturat që i bëheshin të gjithë shqiptarëve, veçmas Ramazanit. Për pasojë një grup me 14 të burgosurish shqiptarë, bashkë me  Ramazan Dalipin, në qershor të vitit 1946 u përpoqën të iknin nga burgu. Ikjes ia dalin vetëm 8 vetë, përfshirë edhe Ramazanin, kurse të tjerët u kapën dhe u likuiduan.

Ramazani së pari emigron në Greqi ku jetoi tri vjet dhe pas shumë kërkesash nëpërmjet IRO-së,  transferohet në Bari të Italisë ku qëndroi vetëm një vit. Nga Italia  shkon  në Gjermani dhe strehohet në bazën amerikane “Kompanija 4000” në afërsi të Mynihut. Sipas  dokumentacionit që posedojmë, për Ramazani thuhet se ai pranoi nga CIA që të shkojë në Shqipëri si diversant për të rrëzuar sistemin komunist të cilën ai e quante “murtajë e shekullit”, kurse udhëheqësit  njerëz të “kamxhikut” ku dëshironin që të njerëzit t’i bëjnë të dëgjueshëm të sistemit. Pas disa muajsh stërvitje intensive, ai bashkë me katër shokë: Hajrullah Tërpezën, Abdullah Gashin, Isen Salihun dhe Isen Bajramin emigrant nga Shqipëria me parashutë nga avioni në lëvizje hedhen në vitin 1951 në territorin e Shqipërisë. Por, për fat të keq, të spiunuar nga shërbimet sekrete sovjetike: Isen Bajramin dhe Isen Salihun i kapin të gjallë dhe i likuidojnë. Fatmirësisht Ramazanin, Hajrullah Tërpezën dhe Abdullah Gashin parashuta i hedh diku më larg, kështu që organet sekrete dhe policore shqiptare nuk mundën tќi zbulojnë. Duke kapërcyer malet e Shqipërisë, disi arrijnë të kalonin kufirin e atëhershëm Shqiptaro-Jugosllav dhe fshehtazi arrijnë në Zajaz, ku 4-5 ditë qëndrojnë nëpër kasollet e Zajazit dhe me ndihmën e vëllait të Ramazanit, përsëri kalojnë në Greqi. Nga Greqia shkojnë në Gjermani. Pas tri vitesh Ramazan Dalipit i mundësohet të shkojë në SHBA.

Edhe pas shkuarjes së Ramazanit në SHBA, atë nuk do ta lënë të qetë. Organet jugosllave-maqedonase do ta përndjekin, duke e kategorizuar si: bashkëpunëtor i shërbimeve huaja  zbuluese, si bartës i veprimtarive subversive dhe diversant, si organizator dhe udhëheqës i “Legalitetit” të emigracionit shqiptar, si ballist, si nacionalist shovinist, separatist dhe hegjemonist, si njeri i dënuar.

Ramazan Dalipi do të ndiqet nga organet Jugosllave me pseudonimin “MAHATAN” që nga viti 1975. Nga organet e ndjekjes në dosjen e tij do të shkruhet “Ramazani bën pjesë në “Lidhjen e Prizrenit” në Nju Jork dhe si i tillë ka marrë pjesë në shumë demonstrata armiqësore, gjegjësisht antijugosllave”.

Ramazan Dalipi ishte një njeri serioz, i fjalës dhe i besës e mbi të gjitha human. Ai nuk ishte i qetë kur dëgjonte se rrugëve të trafikimit kanë ardhur shqiptarë nga vendet amë e sidomos nga Kërçova.  Merrte avokatin dhe shkonte që t’i dërgonte në shtetet e Amerikës. Në biseda përherë theksonte se “unë e di se çfarë është sistemi komunist, por vendi është më i dashur, kjo më dhimbset”. Të gjithë emigrantet i vendoste disa ditë në shtëpinë e tij, u gjente punë. Kishte shumë miq, sepse ai ishte edhe pronar i një restoranti.

Organet e ndiqnin këmba këmbës. Policia sekrete nëpërmjet  bashkëpunëtoreve Ramazanit i kishin caktuar dhjetë veta ta ndiqnin e përcillnin çfarë bën, me kë kontakton etj. Ata mbanin nofkat: “Obllak”, “Oran”, “Orion”, “Treska”, “Shej”,”Baftir”, “Nazmija”, “Kluç”, “Dobre Mitrevski”, “Moris”. Të gjithë këta bashkëpunëtorë kishin detyra të caktuara që të ndiqnin aktivitetin e Ramazanit dhe të emigrantëve të tjerë shqiptarë.

Xha Ramazani, ashtu siç e thirrnin, nuk trembej nga përndjekjet, atij nuk i bëhej vonë, kishte qëndrimet e veta dhe atë që e bënte nuk i binte pishman, por revoltohej nga gjërat e pavërteta që ia mvishnin. Këtë mund ta shohin në dosjen e tij “Vështrim mbi gjendjen e bartësit të OO “Mahatan” me nr. 390/2 G.03-5393/111 të 15 qershorit 1980 ku mund të shihen të gjitha burimet me pseudonime kush çka thotë e shkruan raporte për xha Ramazanin.

Xha Ramazanin e mundonte brenga dhe malli për atdheun, me dëshirë e shpresë që të shihte edhe një herë Zajazin. Sa e zinte gjymi, ëndrrat e shpinin në vendlindje, në Zajaz.  Kjo dëshirë iu plotësua më vitin 1991, kur ai erdhi që ta shohë për herë të fundit vendlindjen, Zajazin që aq fort e donte.

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Ramazan dalipi, Zajazi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT