Anëtari i Kongresit amerikan Eliot Engel paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një deklaratë për të nderuar Azem Hajdarin, udhëheqësin e lëvizjes për demokraci në Shqipëri në 15 vjetorin e vrasjes. Përmes fjalëve dhe veprave, thuhet në deklaratë, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim.
Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t’i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda.
Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji.
Në deklaratën e tij, Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaquesve dhe numri i dy i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të kësaj Dhome, thotë se Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. Zoti Engel u kërkon kolegëve të tij, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri.
Më 12 shtator, shqiptarë nga i gjithë vendi, nga Kosova dhe vende të tjera do të mblidhen për ceremoninë e rivarrimit të Azem Hajdarit, i cili do të prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.
Bashkia e Tiranës: Azem Hajdari do prehet nesër tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit
Bashkia e Tiranës njoftoi se ditën e enjte, me 12 shtator, trupi i Azem Hajdarit do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit./
“Ditën e enjte, më datë 12 shtator, personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
-Në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.
-Në orën 12:00, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
-Në orën 12:30, do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit,” thuhet në njoftimin e Bashkisë, e cila ka shpërndarë edhe një CV të Azem Hajdarit.
Biografia e Azem Hajdarit:
-Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
-I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
-Më 1987 fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
-Në vitin 1993 diplomohet për filozofi në Universitetin e Tiranës;
-Në vitin 1995 diplomohet si jurist në Universitetin e Tiranës;
-Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për filozofi;
-Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;
Aktiviteti Politik:
-Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
-Dhjetor 1990 –Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
-1991 – 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
-31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
-22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
-26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
-29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;
-1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
-Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
-Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
-1995 – 1998 – President i klubit të futbollit “Vllaznia” – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale
Vlerësime për Heroin e Demokracisë:
-Urdhri i Flamurit;
-Urdhri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës;
-Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003;
-Urdhri “Nderi i Kombit” (2002);
-Pishtar i Demokracisë;
-“Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i pothuajse të gjithë bashkive e komunave të Shqipërisë
SHENIM: Kryetari i Vatres, editori i Diellit dhe nje grup vatranesh kane marre ftese per te qene pjese e asaj ceremonie.
Flet bashkëshortja e “Heroit të Demokracisë”
Fatmira Hajdari: Rivarrimi i Azemit, ringjallje – të mirëpritur të gjithë për ta nderuar/
Bashkëshortja e Azem Hajdarit, Fatmira, në një deklaratë dje për mediat, u shpreh se vendimi për varrosjen e tij tek Dëshmorët e Kombit nuk duhet të politizohet. I pyetur nëse është vendim i vonuar, ajo thotë: “Nuk mund ta them këtë, pasi ndër vite Azemi ka marrë shumë vlerësime, duke nisur që nga komunat, bashkitë, “Qytetar Nderi” i Tiranës, e deri nderimet më të larta që i kanë bërë tre kryetarë shteti të Shqipërisë. Po kujtoj këtu dekorimet e ish-presidentit Alfred Moisiu me urdhrin “Nderi i Kombit”, ish-presidentit Bamir Topi me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe së fundmi, në muajin mars 2013, edhe Presidenti aktual Bujar Nishani me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”. Azemi, si “Hero i Demokracisë”, përveç urdhrave e medaljeve, dekoratave e titujve të tjerë, gëzon nderimin më të lartë në Republikën e Shqipërisë: “Urdhri i Flamurit” (nga Presidenti Nishani) dhe vlerësimin më të lartë në Republikën e Kosovës “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, që iu dha nga Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova në vitin 2003. Pra, zhvendosja e Azemit te Varrezat e Dëshmorëve ka ardhur në një kohë, pasi iu bënë të gjitha nderimet dhe vlerësimet më të larta në shtetin shqiptar, por edhe në trojet e tjera shqiptare apo diasporë”. Ajo thotë se zhvendosja e eshtrave të Azemit tek Dëshmorët e Kombit është edhe varrimi i vërtetë për të. “Kur është bërë varrimi i tij 15 vite më parë, situata ka qenë kaotike dhe njerëzit ishin të frikësuar. Jam e sigurt se ka shumë njerëz që kanë dashur që të vijnë në varrim dhe nuk kanë ardhur dot. Ndaj 12 shtatori 2013 është dita kur çdokush mund t’i bëjë nderimet e fundit Azem Hajdarit”. E pyetur nga mediat nëse në ceremoni do ketë eksponentë të majtë, ajo thotë: “Mund të them se shumë prej personazheve që sot i përkasin forcës së majtë politike, mund të flasin për velrat e Azemit, shumë më tepër se unë që kalova përkrah tij një kohë të gjatë. Natyrisht pres që gjithsecili prej tyre të vijë në ceremoni për të nderuar Azemin, që vetëm tani mori vlerësimin që i takonte”.
AZEM HAJDARI, PERJETESISHT MES STUDENTEVE
Përurohet në Qytetin Studenti busti i liderit të dhjetorit Azem Hajdari
Aty ku nisi 22 vjet më parë, ëndrra e studentëve të dhjetorit dhe mbarë shqiptarëve për liri dhe demokraci, është përuruar busti i tribunit të demokracisë Azem Hajdarit. Dhe pikërisht me rastin e 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, statuja e tij qëndron sot në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti.
Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij ka vlerësuar liderin e dhjetorit si tribuni, që bëri më shumë për liritë në historinë tonë kombëtare.
“Kjo ditëlindja e dytë e qytetarëve shqiptarë, ditë në të cilën 22 vjet më parë studentët e universitetit të udhëhequr nga tribuni i lirisë Azem Hajdari nisën protestën e tyre të madhe”- u shpreh në nisje të fjalës së tij kreu i qeverisë.
Duke ju drejtuar studentëve dhe studenteve kryeministri u shpreh: “Ju do kaloni prnaë këtij busti dhe natyrisht në tërësi ju nuk keni takuar dhe nuk e keni njohur Lëvizjen e Dhjetorit, studentin që në krye të studentëve të Dhjetorit ’90 të cilët ne shqiptarët në të 4 anët e vendit do t’i quanim asokohe ëngjëjt e lirisë sonë”- vijoi ai.
Përurimi i kësaj shtatoreje për kryeministrin Berisha është një nderim për veprën e tyre të pavdekshme dhë qëndron pikërisht në vendin ku lindën liritë njerëzore dhe individuale, atje ku nisën një nga betejat më të mëdha, më të vështira dhe më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve.
Kryeministri kujtoi kohën e takimit 22 vjet më parë me liderin e Dhjetorit dhe konstatoi një vendosmëri për të realizuar ëndrrat e lirisë, sepse pa tek Azemi një lider të jashtëzakonshëm.
“22 vjet më parë në 9 dhjetor, në një ditë shiu si kjo, pata fatin e madh të takoj për herë të parë në jetën time të ulem dhe bisedoj me Azem Hajdarin, tek i cili konstatova një vendosmëri absolute për të realizura idealet e lirisë së mbarë shqiptarëve. Hajdari kishte shpirtin e pamposhtur dhe dhuntitë e një lideri të jashtëzakonshëm”