Ne Foto: Atjon V. Zhiti/
Mbase një befasi për miqtë e Atjon Zhitit, për lexuesit e tij që janë shtuar, duke kaluar dhe të 16 000 vetët në rrjetin elektronik, duke zbulua kështu atë që dinte të jepte mirësi të sinqertë, ide rinore, shpresë si vetë brezi i tij i ri, që ëndërronte ashtu si për veten edhe për vendin. Shkrimi KULLA EME NUK ASHT E VETME, i gjetur në “dorëshkrimet” e pakta të Atjon Zhitit, pra në “një cep” të kompjuterit të tij, mes “letrave” të shumta që shkëmbente gjithandej. Është më i veçanti, i ngjan një legjende dhe një metafore bashkëkohore njëkohësisht, ese dhe tregim, monolog dhe përsiatje, çast dhe kohësí dhe ka trillin e gjuhës, është shkruar në gegërisht dhe zbulojmë se donte ta nxirrte në gazetën e lektronike që porsa kishte themeluar vetë “Mesi Radikal¨, ku gjithçka e kishte bëre gati me zellin e një të riu, kishte bërë apel, kërkonte shkrime të pabotuara dhe besonte në pergjigjet. Për parabolën e tij në gegërisht, që të ndjehej më e besueshme, autori kishte zgjedhur si emër letrar Dardan Shkreli, ku kishte shtuar se ai “është duke përfunduar doktoraturën në ‘Near East University’ në Qipro për semiotikën interpretative.” Një dëshirë sigurisht, një ndjellje për ndokënd që ndërrmerrte këtë hap. Dardaninë Atjoni e donte, kishte vajtuar atje e kishte shok e miq, jo vetëm moshatarë studentë, por dhe poetin Ali Podrimja e gazetarin Smajl Smaka e shkrimtarin profesor Agim Vinca, etj, apo ish Presidentin Fatmir Sejdiu, kështu i dukej. Atjonin e tërhiqte gegërishtja, por që ta përdorte si duhej, i duhej vepra e Martin Camaj, pervetësimi i saj, kështu i thoshte të atit, se “ai është fare fare prane letrarishtes”, duke e parë si pasuri, jo vetëm gjuhësore, etj, etj.
Por mbërriti 20 dhjetori, Atjoni kishte ardhur në Tiranë për pushimet e fundvitit nga Milanoja, ku studionte për filozofi, viti II. Pas një feste, që zgjati përtej mesnatës, teksa dolën nëpër Tiranë në grupe, djem e vajza bashkë dhe erdhi çasti të ndaheshin, Atjonin së fundmi e merr në motorin e vet një bashkëmoshatar, S.M. 19 vjeç dhe ai. Ku do të shkonin? Thanë se u nisën për në Durrës për të parë agimin mbi det. Motori e tejkalon shqetësueshëm shpejtësinë e 150 km/në orë, saktësojnë ekspertët më pas dhe perplaset me njërin nga blloqet e mëdha të betonit, të nxjerrë skiç në mesin e autostradës që po riparohej dhe sinjalistika ishte pa ndiçimin e duhur a mungonte fare dhe fati zi, ai që e ngiste motorin humbet drejtpeshimin, (ishte rrëzuar dhe herë të tjera, thonë ata që e njohin) dhe ndodhi rënia tragjike. Atjoni bie në terrin e gjithmonte. Na vrasin shokët, do të kishte në titull të nesërmen njëra nga gazetat e shumta, që e dhanë lajmin e kobshëm… E tani shpirti i Atjonit në qiell, mbase na sheh, ç’bëjmë e ç’themi e sa të drejtë jemi e sa të përgjegjshëm për fajet, qofshin dhe pa dashje… e mbase mirëpret dhe botimin e parabolës “Kulla ime nuk asht e vetme”, ku mbart dhe nga ëndrra e tij dhe e kolektivitetit, pavarësisht se është shkruar në Milano, aty nga korriku 2014. Dashuria moderne e Atjonit për vendin shkon dhe më në thellësi të kohërave, ku nisin rrënjët e traditave, atje ku doli dhe Kanuni madhështor dhe egërshan, origjinal dhe zotërues. Ndërkaq autori kërkon që vendi ynë të jetë sa më europian, por po aq dhe vetvete, në identitet me virtytet e rralla e të lashta. Kjo ese e veçantë, letraro-historike i shpalos këto dëshira, sado pak, por nuk dimë nëse autori do të donte ta rimerrte ndër duar për të shtuar a hequr siç ndodh me këdo që shkruan. Janë duart tona që e marrin tani dhe në nderim të tij e të ëndrrës dhe dashurisë së tij, si një vazhdim i bisedës me të, me gjithë të rinjtë e brezit të tij, që duan dhe meritojnë një jetë më të bukur, në një vend me rrugë normale pa terr dhe pengesa, pa absurdin tragjik, që të rendin drejt agimit, atje ku Atjoni po i pret…
Përgatiti: V.