• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sofra e Diellit-PRANË TEJE DO TË JEM

July 5, 2018 by dgreca

Nga Bajame Hoxha (Çeliku)-Bruksel/

1 bajame-hoxhaPRANË TEJE DO TË JEM/

Mos u mërzit, më the një herë…/

Dhe, po s’erdha, do të them:/

Pranë teje dua do të jem/

Sa çel gjethi në pranverë./

Dhe kur dimri të trokasë/

Pranë teje jam plot gaz,/

Kur të vijë moti vjeshtak   /

Unë shpejtoj e më ke pas,/

Dhe kur vitet do të ndërrohen,/

Unë pranë teje do gëzohem./

Kur të shoh, se leu dielli,

Do dëgjosh melodi fyelli;

Do të shkosh te burimi,

Do lash sytë me ujë floriri.

Pastaj, do të shfaqem unë,

Plot pasion e si askurrë.

Do jem kthyer nga shtegtimi,

Nga sytë do të ikë trishtimi.

Do ta afroj kudo qetësinë,

Që ta ndiesh dashurinë.

Do të ngas dhe thellë gjinjtë,

Siç dinë, veç dashuritë.

Vashëz, moj, o varg i lirë,

Të bëj be për perëndinë:

Sa herë do gjëmojnë retë,

Vetëtimat dhe rrufetë,

Do dremisësh qetë- qetë;

Se në shtrat do të jem unë vetë,

Në të bukurin kraharor

Do të shkrep si një uror.

Pafundësinë do të shoh,

Çdo qelizë ti më trazo,

Frymëzimin më përço!

Puthjet ëmbël do të ngas,

Plot pasion, shend edhe gaz;

Nuk do jetë një gaz i rremë,

Por i bukur, si ngaherë.

Do na vijë në sy gëzimi,

Perlë ty, do t’vijë shkëlqimi.

Ndaj, o e bukur, e shtrenjtë:

Ruaj dashurinë e shenjtë!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, DO TË JEM, PRANË TEJE

NUK U BESOJA SYVE

March 19, 2017 by dgreca

1 BajameHoxha2

Nga Bajame Hoxha (Çeliku)/Bruksel/

Pas kaq vjetësh po hapen karta dhe unë pyes veten me keqardhje dhe më bën jashtëzakonisht përshtypje:si është e mundur që shumica e shkrimtarëve, njerëz me nivel të kenë qenë fuksa, spiunë, kanë dënuar njëri-tjetrin, e kanë hartuar e firmosur ekspertiza vrasëse, që u kanë marre jetën poetëve? Nuk e kam besuar kurrë për znj. Djana Çuli. Më vjen keq! Këto akte barbare, i falen pjesës naive të popullsisë, e cila, mund të ketë rënë pa dashje në kthetrat e policisë politike. Vetëm ata nuk e kuptonin se çfarë bënin. Të mjerët ata, binin në një pus të turbullt nga ku s’dilnin kurrë pa u lagur, madje keq, por, edhe intelektualët. Sigurisht, intelektualët e dinin se çfarë të keqe po bënin, hidheshin me pasion në atë pus të pistë e ishin të  lumtur se i shërbenin nënës parti, e jo nderit të familjeve të tyre. Ata e dinin mirë se po i hiqnin lirinë dikujt, po e çonin në litar, qoftë edhe i panjohur për ta, ç’rëndësi kishte? Ishin shërbëtorë të denjë. Të shumtit shkrimtarë, artistë, këngëtarë, regjisorë që u dënuan, u paditën nga vetë kolegët e tyre të cilët me të tilla pisllëqe, dhe pa i zënë turpi aspak, kanë bërë karrierë dhe jetë luksi. Kjo është më se e vërtetë, se ndryshe, nuk do të mbërrinin majat në atë regjim që po mos i jepje nuk të jepte asgjë. Sidomos femrat duhej të zhvisheshin nga virtytet e larta morale për të mbërritur qëllimet e tyre të egra dhe egoiste. Sëmundje e keqa kjo,  e pashërueshme, dhe e pafalshme! Bëheshin vegël e hetuesisë, apo e operativëve të policisë politike për të përfituar një emër “të mirë”, sidomos ato femra që donin të ishin në qendër të vëmendjes, të ishin në ballë të shoqërisë, të gazetave e të librave. E them me bindje e prova, kishte shumë mundësi për të mos u bërë vegla e tyre dhe për të mos punuar me organet e sigurimit dhe të hetuesisë, por, në radhë të parë, duhej të kishe karakter të fuqishëm, duhej burrëri, duhej ndershmëri, duhej ndërgjegje e lartë. Por të gjitha këto, quhen virtyte të larta njerëzore të cilat nuk mund t’i gëzojë çdo kush, ato lindin me njeriun e gjithçka është në gen e bëjnë pjesë në edukatën familjare. Aq më tepër kjo klimë ndjehej tek ata ose ato që mundoheshin të anëtarësoheshin në parti. Më kujtohet kur ishim në kamp se sa të vështirë e kishim mbijetesën por kurrsesi nuk ramë në grackën e operativit të sigurimit, edhe pse kishim oferta, kurrë nuk pranuam të ndërronim punën e rëndë dhe jetën prej skllavi as me lirinë që është më e shtrenjta, e aq më pak, me një punë me leverdi në kurriz të njerëzimit të pafajshëm. Por ja, ka pasur dhe të tillë që e kanë pasur për nder të kallëzonin një shaka apo një fjalë, apo sajonin një trillim të cilin e paraqisnin përpara organeve të sigurimit si të vërtetë dhe merrnin jetë njerëzish për t’i zënë vendin e punës. Në lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve, ekzistonte një rivalitet i egër, i fortë aq sa hanin njëri- tjetrin. Pra, pa pikën mëshirës, për ato familje të tëra që morën tatëpjetën dhe vuajtën me dekada. Mbaj mend brenda kampit gjithmonë nga “të lirët”(kështu i quanim ata që nuk kishin të internuar)  bëhej fjalë për një vajzë të re që çmendej të futej në parti. Ajo u kthye në egërsirë, u bë kuçedër e vërtetë, ishte gati t’i pushkatonte të gjithë të internuarit sepse kishte në krah sekretarin maskara të partisë Petraq Nushin. Kam dëshirë t’u jap çmimin që meritojnë i cili quhet: turp e faqe e zezë kudo ku janë shpërndarë në ato vende me demokraci të plotë, kur dikur, ne, na pushkatonin si armiq pse i deshëm. Në kampin e Savrës transferohen dhe vijnë me punë familje shumë të mira me djem intelektualë që shoqërinë e patën vetëm me të internuarit, dhe kjo ishte familja e zotërisë më të mirë,Yzeyr Balliu, si dhe e z.Selim Hasnalliu. Vajza e vogël në moshë të re e familjes Hasanlliu ra në dashuri me një djalë shumë të urtë të një familje komuniste, që kur ishte zëvendës brigadier të gjithë donin të punonin në brigadën e tij, se ai ishte shumë i sjellshëm me të internuarit. Pikërisht, sjellja e butë e tij, dhe familja e lidhur me pushtetin, ishin dy arsyet kryesore, që e tërhoqën më shumë atë vajzë të bukur dhe çapkëne drejt tij. Ajo një vajzë idealiste, e padjallëzuar, e shikonte partinë si gjënë më të pastër, më të vyer, të bardhën të bardhë, dhe të zezën të zezë. Entuziazmi i saj dukej në sytë e qeshur e të lumtur, ajo, po futej në një familje që ishin të gjithë me partinë dhe hodhi letrat për t’u anëtarësuar e për të qenë e barabartë me familjen e ardhshme. Zhgënjimi s’qe i largët. Atë e shikoje tek punonte punëtore krahu dhe një ditë po ngarkonte misër në kurriz në lëmin e Savrës. Aty gjithë fodullëk, i veshur bukur e me kollare, u duk prijësi i partisë, bukuroshi Petraq Nushi.

E pashë, dikë kërkonte me sy të etur dhe e ndali vështrimin mbi Bukurien, vajzën e re që kërkonte të bëhej anëtare partie. Pa iu afruar mirë, për ta dëgjuar e gjithë punëtoria, si e si ta fyente, i bërtiti aq fort sa dhe fëmija në barkun e nënës do të jetë dridhur atë ditë. Të gjithë u shtangën, mbetën të ngrirë, u trembën dhe u habitën me vërsuljen e tij prej përbindëshi:

-Bukurie Hasanlliu! Ajo e trembur dhe më shumë e turpëruar, lëshoi thesin e rëndë që kishte në kurriz, dhe u kthye andej nga erdhi ai zë i egër.- Kërkon të futesh në parti? Kjo është partia! Aty të të plasi koka, në prodhim! Partia kërkon sakrifica, kurse ti me mendjemadhësinë dhe kokëfortësinë që ke s’do bëhesh kurrë anëtare e saj, e more vesh?! Aty, aty të plasësh me të internuarit, dy vjet, tre, pesë…dhe pastaj të shohim nëse e meriton. Në sytë e saj u dukën dy pika loti që rrëshqitën në faqet e freskëta. Sekretari i partisë e zbrazi dufin mbi një vajzë fare të re, duke menduar se në këtë formë e mposhti me sytë e tij të egër dhe gishtin tregues që e tundte përpara syve të saj. Ajo ishte Bikurie Hasnlliu, vajza me karakter të fuqishëm që ai se bëri dot për vete, dhe se mposhti dot asnjë stuhi, aq më pak një sekretar partie si ai, Petraq Nushi.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, NUK U BESOJA SYVE

Kurrë shqipja ma lehtë e ma ambël s’ka dalë prej shpirtit tim

July 31, 2016 by dgreca

(Disa fjalë për Dr. Lazer Radi, Jozefin e tij dhe Fletoret e vjeshtës)/

Nga Bajame Hoxha-Çeliku (Bruxelles)/

Duke shfletuar e duke lexuar me kujdes librin e fundit me poezi të mrekullueshme “Fletorja e vjeshtës” të poetit Jozef Lazer Radit, konstaton menjëherë një ndjenjë të thellë dashurie me të cilën poeti ka shkruar çdo varg në gjuhën e tij të çmuar shqipe. Poeti ka qëndisur me një gjuhë aq të ëmbël gegënisht, sa të duket se po të shoqërojnë tingujt dehës të një violine gjatë gjithë përmbajtejes, deri në fund, ku shpeshherë  ndjen emocione të forta që fillojnë  te parathënia që poeti e ka shkruar vetë me dhimbje, e deri në vargun e fundit ku nuk i mungon asgjë. Madje poezia është e ndërtuar bukur e veshur me figura letrare, e pasur me metafora të fuqishme. Poezia e Jozefit na ngjall ndenja  e mendime të thella, dhe zëri i tij, origjinal, universal, na shkund duke e lexuar sa na duket se po e përjetojmë, sepse  vargjet e tij vijnë si një komunikim shpirtëror mes poetit dhe muzave poetike që në tërësi i përgjigjen ndjenjave të tij fisnike. Pëmasat e jashtëzakonshme të gjinisë së tij lirike shfaqen pëmes një force krijuese me ecjen e pandalshme drejt lirisë dhe përparimit.

Ja se si shpreht ai në parathënie: “E kam shkrue kët libër t’nji jete të thyeme, shpesh rrugëve të lodhjes, herë me kujtesë e herë ndër mija copa letre që sot i ruej si pergamera. E kam shkrue dhe përsëritë jo vetëm si poezi, po edhe si muzikë, edhe si dhimbje lindjeje, e kam lexue e sterlexue gjer në lodhje rrejedhën e saj, e s’ka njeri që ma mbush mendjen se gjuha shqipe asht e vorfën dhe e pamundun… Sot, veç sot e besoj se gjuha shqipe edhe pse gjuhë e përdhubueme si asnji gjuhë e kësaj bote, mbetet gjuhë e fuqishme, aq poetike dhe aq e lidhun me shpirtin e karakterin e shqiptarit sa asnji identitet s’asht me i fortë se ajo…” Në fund, poeti e mbyl parathënien me këto fjalë: “Kurrë shqipja ma lehtë e ma ambël s’ka dalë prej shpirtit tim…E kështu e lehtë e ambël ardhtë edhe tek ju..!” (J. R.)

Kjo është gjuha e ëmbël e Jozefit dhe shumë poetëve të njohur që  na bashkangjiten tani në sy, dhe na thërrasin kujtesën për 100 vjetorin i lindjes së poetit të pavdekshëm, Migjeni. Tani, më vijnë në mëndje shumë ngjarje drithëruese që më lëndojnë shpirtin dhe më del para sysh takimi i parë i Dr. Lazer Radit me Migjenin, të cilën ma ka treguar vetë në një besim të madh në kampin e Savrës. Gjithashtu më del përpara jeta e vetë shkrimtarit, poetit dekadent, që tharmi surealist mundi të mbijetoi, dhe sot në dritë është i pranishëm por fatkeqësisht pas vdekjes. Dr.Lazer Radin, dhimbja për Migjenin, e shokut, e mikut të tij më të mirë, e plagosi thellë dhe kjo dhimbje e shoqëroi gjatë ndoshta dhe deri në vdekje. Ndoshta ishte një peng që bulëzonte në zemrën e tij, ai peng që s’varej prej tij, ai peng dhe ajo dëshirë për të botuar librin për Migjenin, por që diktatura, ai regjim i mbrapshtë e i egër, nuk e lejoi botimin në ato vite terri, e deri në demokraci.

Familja Radi,  do të mbetet në kujtesën time si pikë referimi, ashtu siç i njoha që fëmijë me atë aftësi thuajse hyjnore. Ata, ishin  të dashur, mirkpritas për të gjithë, të urtë, të mençur, e deri në ditën e fundit të jetës së tyre të robëruar, por të vlerësuar nga e gjithë shoqëria dhe nga të gjitha familjet e nderuara që ishin pjesë e vuajtjeve, e kampeve, dhe e burgjeve. Në zemrën time gjithmonë ka mbetur një vlerësim, një çmim i madh që ja u kam dhënë në ato vite balte dhe skëterre, në ato vite ku vranë jetët tona të reja pa mëshirë e dhimbje. Ashtu do të mbeten në kujtesën time me shumë merita të nalta, siç i njoha në kasollen e internimit të rrethuar me thupra, ku mbrëmjeve pas një lodhje të tmerrshme mblidheshim te kjo kasolle me thupra dhe merrnim dituri, mësime të gjuhës shqipe, të gjuhës italiane etj, etj.

Në atë kasolle vite e vite dëgjuam fshehtas festivalin e Sanremos, Kanconisimat, lexuam dhe diskutuam për shumë vepra, për shumë libra, romane e poezi, dhe njohëm shumë autorë të huaj dhe të vendit.

Të gjitha rreshtat, dhe opinionet që u lanë këto dy ditët e fundit, mbi librin e Dr. Prof. Lazer Radi, për poetin e pavdekshëm  Migjeni, “Një verë me Migjenin” i shoqërova me lot dhimbjeje, dhe emocione të një kujtimi të pa harruar. Unë, këtë libër e kam njohur shumë herët, atëhere kur s’isha rritur akoma, atëhere kur s’isha formuar akoma, atëhere kur e shikoja Dr.prof. Lazer Radi, në sy, në gojë, dhe ia përpija fjalët e tij perfekte nga goja. Ti Nini, duhet të ndjehesh krenar që je biri i një dijetari, biri i një udhërrëfyesi që s’u thye para asgjëje, i një heroi që s’u mposhtë kurrë nga furtunat dhe bëri epokë në zhvillimin dhe përparimin e rinisë së internuar dhe të burgosur.

Tani erdhi koha, por mjerisht vonë! Por erdhi një kohë ku flitet vërtet shqip dhe kuptueshëm, vërtet erdhi  një kohë me vlerësim, për të vlerësuarit e kombit, erdhi një kohë ku nuk tremben trimat dhe trimëreshat për të thënë atë të vërtetë të mohuar, atë të vërtetë të bukur dhe të çmuar.

Ky njeri me vlera të pa tjetërsuara ka ndihmuar pa rreshtur njerëzit në nevojë të asaj kohe brenda kampeve dhe burgjeve. Njerëzit që i kërcënonte rreziku dhe që s’dinin të mbroheshin. Ai s’u kursye kurrë edhe pse ishte një rrezik i madh për të dhe familjen e tij për të dhënë sadopak një mësim, një këshillë, një fjalë të ëmbël e të ngrohtë në atë vend akullnajë. Ky njeri me talent të madh e me dije të thella, njihte thelbin e mirëfilltë të gjërave që e pengonte jetën e lirë të gjithë atyre që patën fatin e keq të jetonin si skllevër në vend të vetë.   Nuk besoj  se kishte mbetur njeri në kampe pa u këshilluar me këtë njeri të ditur me një zemër kaq shumë bujare.

Jo rrallë herë, ky njeri i nderuar, i bënte këto këshillime dhe në sytë e mi, dhe kjo më bënte ta doja këtë besim, ta vlerësoja, sepse të të lëshonte një besim të madh një njëri si ai, duhej të mburreshe, të mendoje me të vërtetë se ishe dikushi, se kishe fituar besimin e një filozofi, dhe unë, s’e theva kurrë besimin e profesorit tim. Hedh sytë nga ajo e kaluar e trembur dhe psherëtij për shumë humbje, por e çmoj së tepërmi atë shoqëri që na u gjend pranë për ngushëllim e dije në ato dekada mjeruese. Tani, ne nxënësit e tij, mburremi tek shikojmë se si çdo ditë, çdo çast, figura e profesorit tonë të nderuar po rritet, po merr pamjen e duhur, dhe po ngrihet në piedestal.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Dr. Lazer radi, Fletoret e vjeshtës, Jozef

MUHAMET SHABANI, HISTORIANI I DIMENSIONEVE THELLUESE

July 25, 2016 by dgreca

Rreth librit “Politika ekspansioniste e shteteve ballkanike ndaj trojeve shqiptare”/

Nga Bajame Hoxha- Çeliku, Tiranë./

Kohët e fundit më ra në dorë rastësisht libri i Msc. Muhamet Shabanit mbi politikën gjenocidiale të fqinjëve tanë historik ndaj trojeve shqiptare,një libër i kompletuar dhe, deri diku shterues mbi këtë temë. Libri,një vështrim i thelluar monografik i çështjes, e tejshtrin vështrimin në shumë aspekte të historisë së Shqipërisë dhe të Ilirikumit dhe bën një panoramë të kësaj historie nga lashtësia gjer në ditët e sotme,duke trajtuar me shembuj, fakte, analiza dhe detaje, fatin historik të kombit shqiptar, përballë armiqve oreks-mëdhenj që gllabëruan tokat shqiptare dhe e vunë vendin tonë në morsën e shtrëngimeve  dramatike ,dhe, nga ana tjetër populli shqiptar në këtë vibrim të vazhdueshëm të historisë, diti të ngrejë antikorpet e veta ndaj virusit të shuarjes ose tjetërsimit dhe zhbërjes. Me të drejtë mund të themi,se sado që stuhitë kanë fryrë në anën e kundërt të anijes së shpresës ,është gjetur gjithmonë një kohë e qetë për të dalë në breg. I gjithë libri i Muhamet Shabanit trajton pikërisht këtë ide,dhe vetiu shndërrohet në një manifest të përurimit të një ndërgjegje sa të vjetër dhe të re kombëtare:të vetëdijes se një popull që shuan kujtesën dhe nuk  mbetet esëll, është i destinuar të zhduket. Këto mesazhe ky libër i përcjell më së miri dhe na i bën me dije ato përmes trajtesave me skrupulozitet shkencor.

Po kush është Muhamet Shabani?Ai ka lindur në fshatin Jezercë- Ferizaj më 1954. Ka kryer Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për histori. Është një nga veprimtarët e e shquar të çështjes së Kosovës dhe arsimit shqip,dhe për shumë vite ka kontribuar si kryetar i  Lidhjes,ku më pas, ka emigruar dhe  është zgjedhur drejtor i shkollës shqipe në Bruksel ku ka ndihmuar vite me radhë fëmijët shqiptarë të mos asimilohen apo të harrojnë gjuhën e bukur shqipe dhe historinë e saj. Pra,një njeri i formuar në fushë të historisë dhe të hulumtimeve didaktike-shkencore, që sjellin natyrshëm të dhëna intertesante në dobi të çështjes së trajtuar. Muhamet Shabani në librin e tij  niset nga një burim i pasur arkivor dhe nga një literaturë  e pasur, e konsultuar me kujdes ,kështu, faktografia bëhet një tërësi piketash nga duhet të lëvizë mendimi drejt realizmit dhe objektivitetit, ashtu siç vërtetë e parasheh shkenca moderne historike, dhe siç duhet të ndodhë dhe të mirëkuptohet larg çdo skeme apo ideologjie të frustuar. Asnjë ideologji nuk mund ta udhëheqë historinë, përveç ideologjisë kombëtare,dhe kjo ,aspak nuk duhet të mitizohet,po të udhëhiqet nga kriteri i së vërtetës brenda arsyetimit rrethanor. Kështu duke vërejtur këto parime ,mund të themi se Muhamet Shabani ia ka arritur të bindë lexuesin, pavarësisht nga anësia, ta marrë atë me urtësi përdore dhe ta çojë tek burimi i së vërtetës për të freskuar kujtesën .Kjo, jo vetëm që është një arritje e tij,po edhe një mënyrë e bindshme e procedimit faktik duke dëshmuar edhe një herë se shumë historianë shqiptarë ,të zotë të mbrojnë të vërtetat e përgjakura të kombit të tyre, nuk kanë rënë kurrë në trajtesa të manipulimit të së vërtetës, as të urrejtjes etnike edhe pse nga kjo urrejtje, populli shqiptar shpesh e ka pësuar. Një nga këta historianë mbetet edhe Muhamet Shabani, i cili në librin e tij plotëson një kuadër të plotë të tablosë kombëtare  duke e shtrirë vështrimin e tij që nga mugëtira e historisë e deri në të sotmen.

Dhe çfarë mësojmë ne nga gjithë trajtimet e tij. Mësojmë se shumë toka shqiptare sot vetëm emrin kanë të tilla, se në to nuk ka më banorë shqiptarë aty,mësojmë mbi projektet shfarosëse të Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit, diplomat dhe nobelist, po që në çdo takim projektonte dhe negocionte vetëm kundër shqiptarëve,mësojmë mbi shpërnguljet e mëdha nga Nishi dhe vise të tjera të Kosovës ,mbi negociatat dhe planet e kësaj shpërnguljeje nga jugosllavët me turqit,në mënyrë që popullsia shqiptare të shfarosej;mbi trysninë e ndërrimit të fesë dhe, përmes saj, të harresës etnike,mbi vrasjet ,masakrat dhe dëbimet e çfarëdolloj forme e metode ,mbi orekset e mëdha për zhdukjen edhe të Shqipërisë londineze etj, etj. Libri hapet me një përshkrim që u bën autori trojeve dardane,organizimit të asaj kohe,luftrave të pareshtura dhe emrave të mëdhenj që nxori kjo trevë,midis të cilëve spikat Konstadini i Madh. Dardania e shekujve 7-14 paraqitet në kohën e dyndjeve sllave. Duhet thënë se në këtë kapitull autori sjell një varg referencash  nga autorë të huaj,midis të cilëve edhe të historianëve serbë, maqedonas, ku hedh poshtë shkencërisht të ashtuquajturën tezë serbe mbi gjoja Kosovën si djep të Serbisë. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat e ndryshme vërtetojnë autoktoninë shqiptare të popullsisë së Dardanisë,duke hedhur tej gjithë ato sajime dhe maipulime që synojnë të mjegullojnë historinë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve. Gjithë historia e mëvonshme me ardhjen e sllavëve në Ballkan aty nga shek 7, ka qenë histori luftërash dhe pushtimesh, po njëherit edhe histori qëndrese dhe përpjekjesh të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit qytetërues të një populli që përqafoi i pari krishterimin dhe vlerat perëndimore. Autori na flet me gjuhën e fakteve sesi pushtuesit u munduan dhe ia arritën që disa kisha t`i shndërronin nga kisha të besimit katolik në kisha serbe, siç bëhet fjalë për kishën e Pejës dhe manastirin e Deçanit.

Inkursioni historik i Muhamet Shabanit nuk ka të ndalur kur duhet të flasë me skrupulozitetin e shkencëtarit dhe flakën e pashuar atdhedashëse për t`u hedhur  në kohërat më të vonshme e për të sqaruar me një metodikë të përsosur të shtjellimit fakt- kundërfakt dhe ballafaqim të arsyetuar të tyre brenda kornizës së logjikës shkencore. Emrat e përdorur gjithnjë në dobi të tezave të tij vijnë në ndihmë natyrshëm dhe nuk janë të kërkuara,po ato sillen përmes karuselit të së vërtetës dhe fiksohen gjithnjë brenda një sistemimi logjik. Mirë e shpjegon dhe e selit ai Betejën e Kosovës(1389)ku mjaft autorë të huaj thonë se ajo u zhvillua në Albani,midis të cilëve Filip Mezieri që është bashkëkohës i kësaj ngjarje të madhe. Ai me të drejtë dhe arsyetueshëm hedh poshtë historiografinë serbe që mohon rolin e shqiptarëve në këtë betejë,duke pohuar se kjo betejë ishte një aleancë ballkanike kundër vërshimeve osmane dhe roli i shqiptarëve ishte përcaktues,ndonëse dihet fundi  i saj. Historiani Muhamet Shabani me vështrimet e tij analitike arrin të shkojë dhe të përqasë epokat e mëvonshme duke i bërë një prerje vertikale historisë shqiptare, gjithnjë mbajtur tek ideja se kjo histori është formuar në përpjekjet e  njëpasnjëshme të një kombi heroik në luftë të vazhdueshme për mbijetesë dhe në ruajtjen e vlerave të larta qytetëruese. Vitet e vështira të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Luftërave ballkanike gjejnë një vend të konsiderureshëm në faqet e këtij libri dhe shtjellohen me gjithë peshën dhe dramacitetin e tyre që mbartin. Orekset shoviniste serbe ishin të mëdha,nuk mjaftonte vetëm Kosova, po këto orekse arrinin deri në Durrës ,me qëllim kolonializimin e pjesës veriore të Shqipërisë londineze. Po kështu edhe synimet greke,të cilat si tentakulat e një oktapodi të pështirë, synonin thithjen e gjithë Shqipërisë jugore .

Autori Shabani u bën një analizë të hollësishme ngjarjeve,momenteve historike, eventeve ndërkombëtare, duke i sjellë ato në thelbin e tyre dhe në aspektin e shfrytëzimit të rrethanave  kundërfatike. Ajo që bie në sy në librin e tij,mjaft të pasur me një faktologji kokëfortë dhe të padiskutueshme në aspektin e vërtetësisë ,është se autori niset gjithnjë në aspektin zbulues të këtyre fakteve, duke sjellë jo vetëm të dhëna nga ngjarje të caktuara, po edhe dëshmi e dokumente kohorë nga historianë dhe politikanë të kohës. Autori tregon se trojet shqiptare u bënë jo vetëm lojë për top nga rrethana të diktura ndërkombëtare, po ato shpesh mbetën si një resto për të kënaqur egoizmin e fuqive ndërlufturese dhe e palëve fituese ,të cilat për të vendosur raporte të brishta paqeje dhe ekuilibra të caktuara në interesa të fëlliqëta,iu desh që tokat shqiptare t`i këmbenin në këtë tregti të ndyrë politike.Autori  Shabani e njeh mirë situatën e atyre kohërave dhe gjithë lojën diplomatike që është bërë, lojë që ka rezultuar në mënyrë të tërthortë dhe herë herë të drejtpërdrejtë në dëm të interesatve të kombit shqiptar.Autorët e projekteve famëkeqe të shovinistëve grekë dhe serbë, dalin në pah dhe zbulohet gjithë ajo përpjekje e tyre për të bindur tryezat e diplomacive europiane dhe botërore se këto përpjekje ishin të drejta dhe, sipas tyre, kërkonin të vinin në vend drejtësinë e munguar. Politika e justifikimit të pushtimeve arrinte deri në sajime monstruoze dhe të dala boje ,të cilat merrnin në krah justifikimet fetare dhe justifikime të tjera  që nuk ia vlen të përmenden për irracionalitetin që mbartin.

  1. Shabani me një gjuhë të saktë dhe të shkruar pa peshën e emocionit të tepruar,çka vetiu e kërkon shkenca moderne ,arrin të paraqesë gjithë atë tablo të shtrirë dhe tronditëse të realiteteve shqiptare në trojet etnike duke i shikuar ato një dhe të pandara edhe pse Fuqitë e Mëdha i kishin copëtuar duke krijuar një shtet sa një e treta e tyre. Libri i tij,është një libër meritor, i cili historinë e Shqipërisë e sheh si histori e një populli të tërë ,aty ku ky popull banon edhe pse shumë pjesë të tij u ndodhën dhe ndodhen edhe sot në okupim. Me një largpamësi dhe në mënyrë shkencore shikon ai fatin e popullit të Çamërisë, të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi. Po kështu, Kosovën martire autori e përshkruan në të gjitha pikat kyçe të ngjarjeve historike, me Luftën e Dytë Botërore dhe kohën e pasluftës. Është një ndjesimendim që të bën të besosh këtë autor ,se ai sjell gjithnjë referenca dhe fakte ose thënie nga autorët e huaj, të cilët dëshmojnë në emër të ndërgjegjes dhe realizmit të tyre këtë genocid të paparë. Autori nuk niset nga pozita të ngushta nacionaliste, as nga emocione të cilat e çojnë në deformimin e së vërtetës së paluajtshme. Përkundrazi, ai niset nga e vërteta duke dëshmuar gjithë atë dramë kombëtare të një populli të copëtuar padrejtësisht,po edhe pse u copëtua, shovinistët në pjesët aq sa morën nën administrim, kishin një qëllim dhe vetëm një:zhbërjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të liruara. Po kjo nuk ngjau me Kosovën.

Kosova si Feniksi u ngrit nga hiri i këtyre luftërave të përgjakshme dhe arriti të ruajë vitalitetin dhe identitetin e saj edhe pse e pagoi shtrenjtë çmimin e lirisë. Autori që ka qenë një aktivist i shquar i arsimit kombëtar në Ferizaj,me moton :”mësim ,mësim dhe vetëm mësim”,e përshkruan këtë luftë të UÇk-së dhe të popullit me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë si në luftë heroike ,ashtu siç ajo ishte në të vërtetë.Në faqet e këtij kapitulli do ndeshim me emra veprimtarësh,heronjsh (Adem Jashari),njerëzish të thjeshtë, të cilët gjithnjë me thirrjen e brendshme për liri, arritën të shkruanin akte heroizmi dhe sakrificash të panumërta.Krijimi i shtetit të Kosovës është një akt,një kompesim historik për trojet e shumëvuajtura shqiptare,po ky kompesim ende nuk është bërë plotësisht.

Në një gjendje jo të mirë, në mungesë të lirive të tyre kombëtare dhe njerëzore ndodhen shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi,ende sot po u refuzohet çamëve të shkojnë dhe të marrin shtëpitë e tyre në Çamëri. Autori  arrin të shkruajë një libër të analizës së thellë dhe të plotësimeve tekstore që i shkojnë përshtat mbajtjes në këmbë të argumenteve të mirëpërcaktuara dhe që nuk mund të kontestohen. Ai arrin të na japë dimensionet e gjëra të një lufte të paprinciptë të ulkonjave shoviniste ndaj një populli që, historikisht, nuk u ka asnjë faj, të një populli që mbetet si një nga popujt e vjetër të Evropës dhe me një kulturë të lashtë. Natyrisht në vështrimet e tij gjithnjë ndeshim këtë ide,po nuk duhet të harrojmë se autori tërthorazi bën thirrje për syçeltësi dhe për forcim të elementit shqiptar,element që nuk mund të forcohet pa njohur historinë dhe pa u ndërgjegjësuar për faktin se tokat e Shqipërisë nuk i janë shkëputur hënës,siç thotë akademik Rexhep Qosja,po i janë shkëputur Shqipërisë. Është e drejta e saj t`i kërkojë ato,është e drejta e shqiptarëve që në kushte të reja demokratike të vendosin vetë. Autori bën një vështrim historik të thelluar dhe me peshë. Shquarsia e faktit dhe mbajtja e tij në rrënjë të së vërtetës, është tipar kryesor i aktit shkrimor të këtij historiani me peshë. Për historinë e Shqipërisë është shkruar shumë nga autorë shqiptarë dhe të huaj,mjaft gjëra janë të njohura dhe të ditura,po Muhamet Shabani e shtrin dimensionin e vështrimit të tij edhe mbi bazën e njohjeve të veta,mbi studimet dhe zbulimet e kryera, duke thelluar ato dhe duke krijuar një panoramë më të plotë.

Në librin e Shabanit njihemi me figura të mëdha të historisë sonë që nga Skënderbeu,Nënë Tereza,Hasan Prishtina,Hoxhë Kadriu, Ramiz Cërnica, Adem Jashari,Sanihe Aliu-Sherifi(organizatore dhe udhëheqëse e demonstratave të grave dhe vajzave të fshatit Balaj kundër suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989),e emra të nderuar e të dashur si gjenerali Clark,Havier Solana,Toni Bler,Bill Klinton(vëllai  amerikan)) e Madelen Ollbrajt,njihemi posaçërisht me atë hero kolektiv ,popullin e Kosovës,me ato ngjarje të tmerrshme të plojës së luftës ,çfarë flet për një qëndresë kombëtare,epopeja e së cilës në kohrat moderne u ngjet betejave skënderbejane dhe homerike. Duke i përshkruar këto beteja, Muhameti u bën vetiu një homazh këtyre njerëzve ,emri i të cilëve është shkruar në panteonin e kombit shqiptar.

Libri kurorëzohet me historinë e re të Kosovës,me shifrat tmerruese të therorive në emër të lirisë,djegiet(një foto e djegies së Çarshisë së Gjakovës i ngjet një pamjeje biblike),me eksodin kosovar dhe gjithë atë teatër të përgjakshëm luftimesh ku rinia e lavdishme kosovare arriti me heroizëm të pashoq të shkruajë historinë më të re të lirisë. Libri të befason me shifrat,faktet dhe kjo ia shton vlerën prozës shkencore të Muhamet Shabanit duke shkuar drejt thellimit të argumentit në shtrirje të dimensioneve kohore, drejt thellimit për të kapur thelbin etnik të një populli qëndrestar në shekuj ,siç ishte populli shqiptar…dhe siç vazhdon edhe sot me të drejtën e zotit të jetojë në trojet e veta.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Muhamet Shabani, Politika ekspasioniste e shteteve Ballkanike, trojet shqiptare

FASLLI HALITI QË RRITI POETË DHE POEZINË LUSHNJARE

December 22, 2015 by dgreca

SHKRUAN: BAJAME HOXHA-ÇELIKU,Bruksel/
Me të drejtë do ta quaja të fortë në poezi, në jetë, dhe në shoqëri, poetin me zemër të madhe që u munduan ta dënojnë dy herë, në dy epokat Faslli Halitin. E pse?Dy herë për të njëjtin”Mëkat”apo për të njëjtin”Faj”e para:e dënuan në Diktaturë për poemën“Dielli dhe rrëkerat ”për të mos ngritur kokën,dhe herën e dytë në Demokraci, po për poemën “Dielli dhe rrëkerat” për t’ia ulur kokën që po ia ngrinte çdo ditë e më lart Demokracia,dhe pse ende e brishtë. Por, dua të theksoj se, pikërisht kjo poemë e ngriti në piedestal,e bëri të madh,të lavdishëm,e të pavdekshëm poetin sypatrembur të myzeqesë. Jo vetëm poema “dielli dhe rrëkerat” po edhe poezia“Njeriu me Kobure” ,”Djali i Sekretarit” dy poezi proverbiale që ngritën tallazet e detit Adriatik,të detit Jon,e më tutje akoma,dhe uji mbërriti mbi nivelin e parashikuar nga lart poshtë. Dhe ky tallaz edhe pse i vunë shumë prita,kaloi dete e oqeane. Qe vargu i tij eksploziv që vuri në lëvizje të gjithë shtypin e kohës,gazeta e revista,njerëz me influencë, si brenda vendit, dhe jashtë nëpër shtetet më të mëdha, me demokraci të madhe, atje ku do të urrente më shumë Sistemi, në Paris, Amerikë, Angli e gjetkë.
Le të kthehemi prapa atje ku është zanafilla e një portreti,e një piktori të ri myzeqar,e një artisti,e një poeti që rriti dhe kultivojë poezinë Lushnjare e më gjerë me poetë të të gjithë moshave. Ai shtriu krahët me trimëri, e përqafoi çdo talent të ri jo vetëm të qytetit, por dhe të fshatrave thellë, deri në kampet e përqendrimit, siç ishte, Savra dhe Pluku, të cilët përbënin rrezik të madh për të ardhmen e një poeti si ai. Faslli Haliti rriti në penë poetesha e poetë të talentuar që sot janë të njohur në saj të ndihmës dhe këmbënguljes së tij prej mësuesi,duke ua tharë në gjirin e tij, poezitë e lagura nga shiu,kur ata me fletore nëpër duar, vraponin drejt redaktorit artdashës,që me poezitë e tyre nën sqetull, ai do të vraponte për t’i bërë të njohur me anën e gazetave e revistave të kohës,kështu vite me radhë, deri atëherë, kur nga një xhelozi e çmendur, nga vetë patriotët lushnjarë më 1972, dënohet poezia e tij, por, bashkë me poezinë, dënuan poetin e një qyteti, vranë poezinë e tij, e vranë dhe poetin për dhjetë vjetër rresht, duke e larguar nga profesioni,nga nxënësit, nga poetët, që i kishte rritur vetë duke u kultivuar poezitë e tyre natë edhe ditë. Edhe qielli rrodhi në lot atë vit që u dënua poeti,yjet humbën shkëlqimin,rinia humbi shpresën. Dhe vitet ecnin,ecnin nën një tutelë,nën një diktaturë të hekurt që me siguri, asnjë nga poetët në zë nuk ishte më i qetë,ngado psherëtima,asnjë nuk lëvronte më poezinë e dashurisë ashtu siç i fliste zemra,nuk mund të shkruante dot asnjë satirë apo të bënte një kritikë sado të vogël nëpërmjet vargut,çdo gjë u zbeh,mori ngjyrën gri e ftohtë. Ndoshta poetëve qielli u dukej gjithnjë se rrinte i mbuluar nga re të zeza,ku u tkurrej pena, muza nuk fliste,frymëzimi ndoshta imponohej,buza e poetit ngrinte në mes të verës me penën e pushtuar nga një frikë fantazmagorike, që me siguri të zhdukte sa hap e mbyll sytë.
Çuditërisht,poetin tonë,edhe pas erës së ngrohtë të demokracisë,shumë “miq” të tij që ai u rriti poezinë, që i deshi me çiltërsi e me zemër të hapur,apo me zemër në dorë, që kishin diskutuar së bashku, në paqe, e në ditët kur ai mori Jehonë, u munduan t’i ngulnin përsëri thikën, pikërisht,në ditët e para të demokracisë. Poezisë së Artistit, të poetit të shquar, që nuk e përkulën dot ordhitë,dhe as vetë poetin nuk e kishin mposhtur e thyer dot, u orvatën që t’i ngulnin këtë herë tehun e shpatës thellë në zemër që ai të pushonte. Pra, poetin dhe përkthyesin Faslli Haliti,demokracia e gjeti me rivalë të shumtë në numër me ambicien për t’u bërë të mëdhenj, me dashamirë e dashakeq të artit e të kulturës,me simpatizantë të shumtë në të gjithë rruzullin,me vlera të pa tjetërsuara e gjeti demokracia poetin e madh lushnjar. Por, për ta vrarë këtë penë të artë njëherë e përgjithmonë, duhet të vritet më parë e gjithë poezia shqiptare,e cila i ka rrënjët në popull e që ka ekzistuar me shekuj nëpër këngët tona popullore .Një popull mund të harroj gjithçka por historinë e vetë, dhe poetët e vërtetë nuk i harron, e nuk i vret kurrë!
-Alo, alo, alo-nga të gjitha kontinentet dëgjohen sot zëra të ndryshëm femrash e meshkujsh,djem e vajza që e përshëndesin,e kërkojnë, e nderojnë,ngado, shqiptarë e të huaj,sepse pena e tij e artë ka cikur majat,për deri sa ka male ka edhe maja,por jo maja të zotave të lashtë,por maja poetësh të vargmalit të letërsisë shqipe. Me largimin e poetit kolos, them se poezia lushnjare pësoi krizë, pati humbje të mëdha cilësie,mungesë talentesh,ngriu vargu dhe nuk u rebelua më. Faslli Haliti mbetet gjiganti që rriti e që do të rrisë poezinë Lushnjare,dhe do të mbetet themeluesi i saj

POEZI

KUR PENËN TË VRANË/
poetit Faslli Halitit/

Kur penën të vranë në ato vite
Ti heshte prof,por kryet nuk e ule
Vargu yt mori flatra yjesh.
Ndër dete oqeane, oshtinë tallazet.
Gjiganti nuk heshti
Nuk u gjunjëzua,nuk u thye por,
Trokiti në çdo portë,
Në çdo zemër,
Ngado e kudo
Në çdo cep të kulturës,
Të një demokracie të madhe!
Eh, Rrëkerat u kthyen në amshim prof!
Pastaj, morën formën e trëndafilit
E një gonxheje
Që do të çelte më vonë
Në lulëzim të plotë.
Në çdo portë.

Së fundi do ta mbyllja:

Çdo krijues në Lushnjë
E çdo poet i ri
Do të ketë nëpër vargje
Do të ketë pak Faslli!

Me nderim të thellë,Bajame hoxha-Çeliku,Bruksel.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Faslli Halitit, Kur ta vrane penen

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT