• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FITORJA E PARE E BALLIST MORINES

August 11, 2017 by dgreca

Pengohet ekstradimi i Ballist Morinës, Gjykata e Lartë e Zagrebit e kthen çështjen mbrapsht/

1 Ballisti

Pengohet ekstradimi i Ballist Morinës, pasi Gjykata e Lartë e Zagrebit ka vendosur ta kthejë çështjen mbrapsht në Gjykatën e Shkallës së Parë.Shtetasi i Shqipërisë, Ismajl Morina i njohur në opinion me nofkën “Ballisti”, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend. Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë. Lidhur me këtë rast, në Kroaci flitet vetëm në rrafshin e gjyqësorit dhe jo në atë politik.

Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili e përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismajl Morina, duke folur për Radion Evropa e Lirë disa ditë më parë, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet.

“Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3 , i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementesh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve”, tha avokati Butigan.

Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar – Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit – të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur.

“Kjo është e gjitha për të cilën flet ai flamur. Ndërkaq, pas ndeshjes në Serbi, nuk ka pasur kurrfarë përshkallëzimi të dhunës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve,dhe me këtë nuk është nxitur kurrfarë urrejtje nacionale ndërmjet popujve. Incidenti i cili ka ndodhur në ndeshje, në tërësi bie mbi përgjegjësinë e Policisë, gjegjësisht mbi organizatorin e vet ndeshjes. Është përgjegjësi e tyre që tifozët kanë depërtuar në fushën e futbollit, aty ku nuk e kanë vendin”, tha Butigan.

Ai ka thënë se në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t’i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tash për tash nuk do t’i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër.

Avokati Butigan ka theksuar që si mundësi e mbrojtjes shtesë për të mos u ekstraduar në Serbi, Morina ka kërkuar azil në Kroaci, me shpjegimin që për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në Serbi nuk do të kishte gjykim të drejtë. Procedura për miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare në Kroaci zgjatë 6 deri në 10 muaj.

Në rast se Gjykata Supreme e Kroacisë, refuzon ankesën e tyre, Butigan ka theksuar se do të ankohet edhe më tej.

“Absolutisht, do të shkojmë tutje në Gjykatën Kushtetuese e madje, nëse do të jetë e nevojshme, deri në Strasburg, sepse bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore dhe lirisë së njeriut”, tha Butigan.

Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë ende nuk e kanë pranuar rastin. Siç është konfirmuar zyrtarisht, gjykata do të vendosë me procedurë urgjente, por që edhe kjo do të zgjasë. Buitigan vlerëson se kjo mund të zgjasë deri në 2 muaj.

Avokati Branko Sheriq, nga Zagrebi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i mundshëm i Gjykatës Supreme, me të cilën konfirmohet ekstradimi, bëhet i plotfuqishëm në momentin kur edhe merret ai vendim. Por, sipas tij, është e mundur që Gjykata Supreme të anulojë vendimin për ekstradim nga gjykata më e ulët dhe rastin ta kthejë më Dubrovnik për një vendim të sërishëm. Në rast se përsëri vendimi do të jetë për ekstradim, hapi i ardhshëm i avokatit të Morinës, do të ishte Gjykata Kushtetuese.

“Pas kësaj, personi që kërkohet për ekstradim, në qoftë se nuk është në procedurën e kontrollit për azil, mund të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese, në rast se vërtetë ekziston dyshimi i arsyeshëm për cenimin e të drejtave themelore të njeriut të atij personi. Siç e dimë, procedura është e gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia që nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë të kërkohet e ashtuquajtura masa e përkohshme, vendim i cili do ta pezullojë kryerjen e vendimit të plotfuqishëm për ekstradim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh çështjen”, theksoi avokati Sheriq.

Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, derisa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat tjerë të paraburgosur.

Filed Under: Komente Tagged With: BALLIST MORINA, fitorja e pare

BALLIST MORINA DUHET SI KULT, NË BURG APO NË RRUGË?!

October 14, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Çështja e parë: ne jemi një “popull i armatosur”. Deri diku një “shoqëri e militarizuar”. Jo vetëm Ismail Morina është i tillë, me hekura e pas hekurave. Me Rebelimin e Vitit të Mbrapshtë ‘97 u thyen deponitë e armatimit. Në duar e shtëpi të shqiptarëve pati ma shumë armë se banorë. E, pra, Ismail Morina nuk është rasti i parë e as i fundit i “armëmbajtjes pa leje”. E, në koft se ligji është për të gjithë atëherit i bie për me u fut nën akuzë të tillë tek e pakta mbi 100 mijë shqiptarë vetëm në Qarkun e Tiranës. E në krejt Shqipërinë shifra është alarmante. Njësoj dhe në Kosovën e tij/tonë fqinjë, pasi ky Ismaili është nga Kukësi, nga Morini afër kufinit me Kosovën. A thue ky Ismail Morina po dënohet “në emër të Ligjit” për të gjithë thyesit e Ligjit të Armëmbajtjes pa leje në Tiranë e krejt Shqipërinë?!

Unë nuk e njoh Ligjin për Armëmbajtjen pa Leje. Ndoshta do të ishte ligji i botuar broshurë e shpërndarë në mijëra kopje anekand Shqipërisë e publikue me mijëra herë në televizione. Kjo është një mangësi e kohës për “popullin e armatosur” në “shtetin e çarmatosur”! Ka ndryshime Ligji më 2015 po ma herët, më duket se armëmbajtja pa leje dënohej nga gjobë deri në 7 vjet, çka lenë hapësira jo vetëm juridike për një rast të tillë.

Shqipëria nuk ka ritmikë në ndjekjen e zbatimit të Ligjit për Armëmbajtje pa leje. Nga një studim i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë (qershor, 2014) del se për këtë akuzë janë dënue penalisht me burg 3 persona në vitin 2011, 4 persona në vitin 2012 dhe 22 persona në vitin 2013. Nuk dijmë shifrat për 2014-tën, jo ma për 2015-tën. Po do të thonim dhe këtë tjetrën: në vitin 2013 u paraqiten 61 kërkesa penale për veprën e armëmbajtjes pa leje, ku 42 u arrestuan me burg si Ismail Morina, ndërsa të tjerët me arrest shtëpie apo detyrim paraqitje. E një person i dënuar në mungesë. Faktikisht masën e dënimit nga të gjithë këta e morën vetëm 22 persona, nga të cilët 19 janë dënuar, 2 janë shpallur të pafajshëm dhe për një rast është vendosur pushimi i çështjes. Pra, nga 61 kërkesa penale përfunduan me dënime e burg vetëm 19 prej tyre. Ku do të hyjnë Ismail Morina, tek të parët apo tek të dytët. A do të kryejë trupi gjykues një turp duke e dënue në këto kushte e rrethana të tilla Ismail Morinën?!!

2.
Çështja e dytë: Shpesh herë në Shqipërinë tonë Demokratike çështja e armëmbajtjes pa leje është përdorur politikisht, është kthye në goditje politike.

Ashtu sikurse në Afrikë të Jugut dhe në Shqipërinë e tij, Leka i Parë i Dinastisë Zogu u sulmua për koleksion armësh relike, për armëmbajtje pa leje, me jehonë në shtypin shqiptar e të huaj dhe me akuza në dyert e policisë, prokurorisë e gjykatave, derisa doli i pafajshëm. Një prokuror në Johanesburg u shkarkua nga detyra të pasnesermen e arrestimit të Leka Zogut të Parë. Raste të këtij “modeli afrikan” ka mjaft në Shqipërinë tonë.

Edhe ky i Ismail Morinës është i tillë. Tërësisht politik, përtej të pazakonshmes. I (keq)përdorur politikisht në kohë, vende e mënyra të ndryshme. Edhe kryeministri i Serbisë, Vuçiçi, disa herë, u muar me këtë çështje, tue e quajt dronin e aktin e tij për “qëllime politike” (28 maj 2015). “Ne e dimë dhe autoritetet e dinë si ndodhi kjo. Nuk ka asnjë dyshim se kjo ishte një ngjarje politikisht e organizuar. Edi Rama dhe unë e dimë se kush e bëri atë” – i deklaroi Vuçiç një gazete serbe më 25 maj 2015, e cituar dhe nga Klan-Kosova.

Ai, Ismaili, hyri në politikën e ditës tash një vit si një “meny” e politikës. Politika iu ba lidhnajë bolle Ismail Morinës edhe këto ditë para e pas ndeshjes me Serbinë në Elbasan, para e pas arrestimit të tij për armëmbajtje pa leje. Politika ndaj tij kulmon në kulisa politike, në ekstazën e vet politike. Këto ditë Sali Berisha – ish kryeministri i Shqipërisë e akuzon Edi Ramën e Qeverisë se “po e lançon mizorisht” Ballist Morinën, etj. Një nga emblematikët e PS në pushtet, Ben Blushi, gjen rast ta përdorin mediatikisht e politikisht Ismail Morinën për sulm public ndaj Edi Ramës. Edhe Parlamenti përzihet në këso punërash. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, pasi fitoi Shqipëria me Armeninë shkoi ta takojë në burg Ismail Morinën, që të festojë me të, etj. Pas tij dhe ish Ministri i Brendshëm, F. Noka i opozitës. Kryetari i PD e i Opozitës, Lulzim Basha, e ka vnue foto kopertine në faqen e tij në fb me devizë: Lironi Ballist Morinën!”. Etj.

Kur Politika e Ditës dhe pas arressimin e tij po merret kaq shumë e kaq fort, përditë, gjithkush e gjithkahit, me vet Ismail Morinën, atëherit do të thotë se po vdes një orë e ma shpejt dhe akuza që e çoi në burg Ismail Morinën, aq sa në këto kushte ai mund të merrte të drejten e azilit politik dhe në ndonjë nga Vendet Skandinave apo tjetër kund.

3.
Çështja e tretë: Ismail Morina u kultivua për ta çuar drejt një burgimi të tillë, ndoshta dhe ma mirë ose ma keq. Një akt të tillë e kryem të gjithë, me ose pa dashje, nga droni tek burgu. Politika ia lëshoi qylymin e saj për ta nisë në rrugën e lavdisë e të burgut. Shtypi me print e online, televizionet, gjithë masmedia shqiptare, etj. ia ktheu germat e fjalëve në kurora e pranga. Ndoshta u kultivua dhe nga të tjera struktura, nga thellutat e tyne për ta fundos thellë e ma thellë atë. Dikush, shumkush, me ligjërata mjalte apo helmi u lëshue tue e krahasimue Ismailin e “Dronit në Beograd” me Ismail Qemalin e Flamurit në Vlorë!”, Ismailin e arrestuar me dy revolverë në makinën e tij me “Isa Boletinin me dy revole” në kancelari të huaja europiane, etj. Ai e dinte se nuk ishte as Ismail Qemal e as Isë Boletin, po ama ai e dinte se ishte i madh, se ishte hero i ditës e vitit, se ishte Ismail Morina dhe Ballist Morina. Ai në ecjen e tij në këto kushte dhe do të gabonte se nuk kishte krye shkolla për politikë e as juridik, as akademi ushtarake, nuk kishte as staf me këshilltarë, kishte mbetë dhe pa punë pas largimit nga Itali, kishte nisma për ta ndihmuar me financime të tjerët në formë private apo institucionale, etj.

Një otomanizëm tipik, diçka tipike lindore. Kam lexue para disa ditësh librin e një britaniku ku flet se si Porta e Lartë, klanet rreth saj e në ushtrinë e saj, e nisën drejt Shqipërisë më 1878 Mehmet Ali Pashë Maxharrin (Luduig Karl Friedrich Detroy) delegat i Perandorisë Otomane në Kongresin e Berlinit, marshall, shef i Shtabit të Ushtrisë Otomane, sepse ata e dinin se e priste vdekja e sigurtë në Shqipëri, për ma tepër – tragjike, siç i ndodhi atij faktikisht. Kështu dhe Ismail Morinës, diçka ma lehtë, po tepër randë, e çuan drejt burgut.

Askush nuk e mori në mbrotje Ismail Morinën e ekspozuar përballë rrezikut pansllav. Ai u mundua të vetmbrohej. Po shteti i tij nuk e mbrojti vet si shumkënd e sin ë mijëra raste të tjerët, po dhe e dënon për një të tillë “vetmbrojtje”.

4.
Çështja e katërt: A ka nevojë ende Shqipëria të “prodhojë” heronj me burgje apo heronjve t’ua mbyllin lavdinë në burgje?
Realisht nuk po di fort mirë se kujt i intereson që lavdinë droniane të Ismail Morinës “ta futin në burg”, si dikur në kohën e komunizmit disa udhëheqës të luftës e punës, etj.
Ismail Morina nuk është institucional që ta mbajnë lavdinë në kambë për shumë kohë e as nuk mundet me i ba hije kurrkujt, aq ma tepër nga burgu e me burgimin e tij. Çdo mëshirë njerëzore, përveç urrejtjes patologjike sllave, nuk do ta dënonte Ismail Morinën, rastin e tij, nuk do të hakmerrej ndaj tij.
Ismail Morina nuk ka as platformë politike në rrafsh kombëtar. Ai nuk ka asnjë strategji të tijën si Çubrolloviqi ndaj Shqiptarëve, sepse një të tillë strategji nuk e ka as vet Shqipëria Etnike.
Ai institucion e platform të tij e ka “dronin e tij” në Beograd. Me të tjerat, për të tjerat, i bini në qafë, jeni tue marrë hak, nuk jeni duke e lanë rehat.

Ismail Morina dhe pas arrestimit e (para)burgosjes së tij me vendim gjykate fakti të Tiranës, po ecën me lavdinë e vet. Një nga gazetat ma të mëdha të botës “Neë York Times” në Amerikë flet për Ismail Morinën (Ballistin). Gazetari James Montague e takoi para disa ditësh në një kafe të Tiranës, e pa atmosferën rreth tij, ndaj shkroi për Ismail Morinën duke thanë, ndër të tjera, se droni e bëri atë Hero Kombëtar. Natyrisht ky nuk është drejtpërdrejt heroi im, simboli im, por Shqipëria e Drejtësia nuk duhet të na prodhojnë heronj të tillë, me burgosje. E kena provue në politikën e kohës së demokracisë dhe me burgosjen e Nanos, që mori ma shumë lavdi me vuajtjet e tij, në karierën e tij.

Po Ismail Morinën ku do ta çojë atëherë Politika e Kombi me mbajtjen në burg e pas daljes nga burgu?! Në natën e parë të fitores së Shqipërisë me Armeninë kishte me qindra thirrja, disa sish dhe të organizuar në kor, që thirrnin në Tiranë: “O Ballist, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”. Ka pasë dhe protestë qytetare tek gjykata e Tiranës në ditën e parë të gjykimit të tij. Çka i duhet Shqipërisë kjo?! A ma mirë me e nxjerrë e me e lanë popullin në rrugë apo me e nxjerrë e me e lanë Ismail Morinën në rrugë, si qytetar i thjeshtë i vendit të vet, si lavdimtar i një dite të vet droniane, atdhetare, panshqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: BALLIST MORINA, DUHET SI KULT, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT