A do të vijojë Ballkani të mbetet njolla e zezë e Europës?/
Shkruan: ZAIM KUÇI/*
Riformulimi i mundshëm i gjeopolitikës në rajonin e Ballkanit. Në analizë të situatës për vendet ballkanike, sjell si informacion se, zhvillimet e fundit në rajon të japin idene se ky rajon po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike që pjellin jo vetëm nacionalizma në ekstrem, por dhe rikthim dhe hapje oreksi për zënie territori të forcave të tjera larg kufijve të tij, që afrojnë ndoshta dhe alternativen për ndryshim kufijsh. E përforcoj këtë “hallakatjen time për ballkanin e lodhur” edhe nga Instituti gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) me qender në Berlin i cili ka hedhur ide se, së shpejti do të kemi një rivlerësim të ri të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Fillimisht ata e shohin si më të mundshëm një rregullim kufijsh mbi baza etnike në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni thuhet në këtë analizë, por nuk eshte kjo subjekt i këtij shkrimi, i cili del në hapesira të tjera integrimi.
Ballkani dhe kriza e re politike. Rajoni i Ballkanit na paraqitet në dy profile, ai botës së dukshme, me kriza në rritje dhe i botës së fshehtë me intriga, si mbeturina të së kaluarës. Le të ndalemi kalimthi në këto dy anë të rajonit tonë.
Ballkani ku ne jetojmë duket se është futur në një spirale humbjeje, qoftë kjo ekonomike dhe ajo në fushën e gjeopolitikës. Ajo që ka mbetur përherë e pandryshueshme është etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë ku fshihen ambicje të të vjetra të shteteve mëmë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizore dhe se në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë, madje dyshuese, me skenarë të hapur ndarje dhe të tjerë, që presin momentin dhe kohën e duhur, për të dalë në skenën e hapur të kontradiktave.
Janë këta skenarë që mbajnë peng këtë territor shtrirje, që shansi e dha të jetë në pjesën më të privilegjuar gjeografike të Europës. Në Ballkan vazhdon pengu i një të kaluare historike, ku përplaseshin fetë, qytetërimet dhe ideologjitë në dimensione që kalonin rajonin tonë dhe më tej në përmasat botërore. Për këtë arsye, territori i tij ka tërhequr gjithnjë fuqi globale e rajonale për të realizuar interesat dhe prej këndej, nga ku kërkojnë bazë nisje, për t’u zgjeruar në vende e rajone të tjera të botës.
Në këtë situatë vorbulle ballkanike, nuk është tepër të shprehemi se rajoni ka vetëm një gjuhë, ai flet me gjuhën e ”forcës së armatosur” edhe pse me një ekonomi të dobët….e cila lehtësisht zhvlerëson gjuhën e dialogut, të konsesualitetit politik dhe diplomatik,aq më pak atë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët të popujve të vet.
Rritja e nivelit të Nacionalizmit Ballkanik
Në se vlerësojmë në terma të përgjithshme, për të gjithë popujt nacionalizmi dhe patriotizmi jane ndjenja që burojnë nga devotshmëria e të qenurit besnik ndaj kombit që kupton lidhjen e ngushtë të individit me kombin.
Pa bërë teorizma në lidhje me këto nocione është vërtetuar se në ato vende ku ka zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik, papunësi, demokraci të brishtë, korrupsion, institucione jo në standard evropian, drejtuesit dhe politikanët sjellin për shpëtim kartën e nacionalizmit, ndjenjë që fillimisht përvehtësohet lehtësisht nga populli. Pra nacionalizmi ballkanik është sipas meje i stimuluar, vjen nga errësira dhe besnikëria që individë apo grupe të caktuara manifestojnë ndaj “interesave të kombit” ndaj “slloganeve politike ose nacionaliste” apo elita politike të papërgjegjëshme, të cilët për interesa individuale abuzojnë me turmat, manipulojnë me opinionin publik, duke i drejtuar ato në rrugë pa krye dhe në aventura të rrezikshme për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e tyre, pra e thënë ndryshe është arkaik.
Per sa më lart,vendet e rajonit tonë tashmë e kanë krijuara “infrastrukturën” e duhur dhe lozin fuqishëm me kartën e nacionalizmit. Etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizore dhe se në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë. Më tepër se kaq, ajo që përbën rrezik sot është fakti se strukturat e sigurisë, veças në shtetet e rajonit, nuk janë aktive për të ndarë shtetin dhe ritet fetare, por në një farë mënyrë shtetet gjejnë interesat në këtë përpjekje destabilizimi në propagandën fetare. Duket sikur po shfaqen lakmitë e vjetra të Ballkanit të shekujve më parë.
Etja e dukshme për një nacionalizëm shovinist vlerësohet si një teori e rrezikshme dhe e gjithëpranuar nga vendet me vështirësi ekonomike dhe demokratike të ballkanit.
Ballkanikët, (drejtuesit) ose i shmangen nivelit të ulët ekonomik dhe flasin me gjuhën e nacionalizmit ose akoma nuk kanë kuptuar mirë dallimin mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Në janar 1995 udhëheqësi francez Mitterrand gjatë fjalimit të tij para Parlamentit Europian nacionalizmin e ka perkufizuar, “nacionalizëm do të thotë luftë”, që kupton një ballkan që ndjell luftë.
Sipas meje, ndaljen e kësaj rrokullisje ballkanike e shikoj në atë që, Rajoni ynë duhet të ndjekë Shembujt “shengenian” të cilët nuk i kanë munguar Europës, madje vlerësohet si kontinent i lindjes së termave që bashkojnë vendet për të punuar së bashku. Rritjes të stimuluar të tensionit ballkanik do t’i shkonte mirë për qetësim dhe rivlerësim, rikthimi i diplomacisë ballkanike në shembullin e diplomacisë franko-gjermane të pasluftës së dytë botërore, e cila jo vetëm që vendosi paqen midis dy vendeve që vinin me një histori konfliktuale, por dhe një shans për zhvillim në paqe të Europës.
Papunësia dhe Nacionalizmi sipas meje janë faktorë bazë, nxitës për zhvillimin e forcave politike ekstreme te tipit fashist (Greqi, Maqedoni, Serbi etj). Zyra e statistikave të Bashkimit Evropian informon se niveli i papunësisë është i larte, më shumë se 19 milionë njerëz (12 % te popullates) janë të papunë në eurozonë, e cila ka bërë daljen e partive me programe ekstreme si psh ne Spanje, Gjermani etj.
Kërcënimet dhe Sfidat në Rajonin tonë. Rasti i RSH
Papunësia një fenomen global i shoqërisë sonë, vlerësohet si një kërcënim real. Për vendin tim, papunësia është produkt dhe pasojë i ndërrimit të sistemeve. Gjithashtu RSH po kalon një tranzicion të vështirë, i tejzgjatur, që është rrjedhojë jo vetëm e një demokracie në krijim por dhe i stimuluar kohët e fundit nga kriza ekonomike që po kalojnë vendet rrotull nesh dhe në pjesën tjetër të Evropës.
Mbas viteve 90, një popull i dalë nga një regjim totalitar, kërkoi mirëqënien e tij duke emigruar në vendet fqinjë dhe më larg. Ishte një zgjidhje afatshkurtër për RSH. Aktualisht emigracioni shqiptar (1.3miljon shqiptare) kalon vështirësinë ekonomike që kalojnë shtetet bartës (fqinje) të këtij emigracioni. Greqia ku më shumë se 25 për qind te forcës punëtore të papunë dhe Italia është në prag recesioni, vende ku emigracioni shqiptar është në shifra të larta.
Lëvizja e pakontrolluar e popullsisë, nga nje zonë në tjetër, nga fshati në qytet solli jo vetëm renien ekonomike por krijoi dhe një papunësi të dukshme sidomos tek të rinjtë. Ajo që është shqetësuese edhe për gjithë vendet e tjera ish komuniste është dyndja drejt kryeqytetit, ku kemi një mbipopullim të tij. Kjo lëvizje demografike ka bërë që të lihen terrene të pashfrytëzuara, rritje fiktive të papunësisë, rënie të prodhimeve bujqësore dhe padyshim është burim zhvillimi për një sërë fenomene negative të shoqërisë.
Etja për pasurim të menjëhershëm, sidomos tek të rinjtë, afroi interesat vetjake duke stimuluar korrupsionin dhe largoi shoqërinë tonë nga vlerat si gjeneratorë për zhvillim dhe mirëqënie.
Ekonomia u zhvillua e paplanifikuar duke krijuar bisneze fiktive të cilat nuk i rezistuan kohës dhe shumë shpejt u shkatërruan duke rritur fiktivisht papunësinë. U zhvillua një kapitalizëm i pakontrulluar, rezultat i të cilit rriti hendekun e të pasurve me të varfërit, kontradikta e të cilëve solli anët më negative të zhvillimit të shoqërisë.
Nga ana tjetër, fenomenit “Papunësi” i shtohet dhe zhvillimet e vrullshme të teknologjisë, zhvillim që padyshim ka ulur rolin e punës “artizanale” duke hedhur në rrugë shumë punëtorë.
Diferenca te dukshme te zhvillimit te ekonomise midis rajonit tone dhe pjesen tjeter te evropes perendimore ka sjellë lëvizje masive të emigrantëve ekonomike drejt këtyre vendeve që padyshim mbartin dhe problematikën e tyre per vendet pritëse. Emigracioni i planifikuar evropian do të ishte një zgjidhje normale për të kontrolluar fenomenet negative mbartëse të këtij fenomeni.
Niveli i varfërisë në rajon vlerësohet si burim për rritjen e autoritetit të “pushtetit të individit” të konsideruar si element ( i ri) destablizues i sigurisë që duhet vlerësuar si burim i terrorizmit kombetar, rajonal e global
Këta janë tregues të hapur prapambetje të rajonit tonë me pjesën tjetër evropiane, diferencat e të cilave duhen të vlerësohen seriozisht, si prag lëvizje për zgjidhje të tjera të parashikuar edhe me forcë. E vetmja mundësi për dalje nga kjo krizë është përmbysja e këtyre raporteve prapambetje duke u afruar treguesve me vendet fqinjë të pjesës tjetër: Europë. Koha ka ardhur për hapje të vendeve të reja pune për të shmangur fenomenin autoritetin të “pushtetit të individit”se sa zhvillim të forcave të armatosura.
Harta e re e Krizës Ballkanike dhe veçantitë: politike, ekonomike dhe ideologjike
Kalimthi, do ta vlerësoja rajonin tonë në këtë format sjelljeje:
Vijon një Maqedoni pa identitet dhe me trazira të brendshme, me dyshime se kur do të njihet plotësisht si shtet (1/3 e përbërë nga shqiptarë). Në rastin e mosnjohjes, çfarë pritet të ndodhë, a do të vazhdojë stato quaja, apo do të këmi lëvizje për zgjidhje ndryshe.
Një Kosovë akoma e dobët, me një qeverisje në krijim dhe e përfolur nga BE, e panjohur zyrtarisht sipas rregullave ndërkombëtare. (Më shumë se 90% e përbërë nga shqiptarë.)
Për Malin e Zi: i konsideruar “i lënë pasdore”, terren i pavlerësuar, që shumë analistë e kanë quajtur, nën pronësi ruse…
Vijon presioni rus duke mbrojtur zyrtarisht ruajtjen e teritorit serb mbi Kosovën duke e quajtur atë një shtet të vetshpallur edhe pse u krijua nga një forcë ushtarake ndërkombëtare.
Së fundmi, Serbia, provinca ruse ku pushteti akoma nuk po gjen të zotin e vet… madje shkohet më larg, në se nuk orjentohet drejt BE …zërat janë deri dhe në humbjen e indetitetit të saj- shpërbërje.
E veçanta e çështjes greke
”Si për traditë luftërash”, po sot do të jetë prapë Ballkani si bazë nisje për një krizë të re globale, këtë radhë do të përfaqësohet me shtetin grek, me krizën më të rëndë financiare të të gjitha kohërave, duke vënë në vështirësi rajonin dhe mbijetesën e vet Bashkimit Europian. Për fat të keq Ballkani mbetet i ”përgojuari i historisë”, toka e luftërave, përplasjeve dhe konflikteve.
Greqia është e hallakatur në problemin më të zjarrtë, pasi ajo ndodhet në udhëkryqin e zgjidhjes, drejt Europës që është hedhur në ndihmë të konsiderueshme, apo drejt Rusisë që kërkon strehë në rajonin tonë, apo rikthim në perandorinë e vjetër turke (për 4 shekuj deri në vitin 1832, Greqia ishte nën sundimin turk), apo diku larg në Kinë etj. Dyshimet rriten sidomos me ndryshimet politike të të majtëve dhe të djathtëve radikalë, anti-europian, për më tepër edhe pse është anëtar i Nato-s, herë-herë shprehet kundër saj, (ndërhyrja e Nato-s në Kosovë). Greqia ndodhet në konfuzion. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë.
E quajtura ”Situata greke e Greqisë”, analistët e vlerësojnë si kohë pritje për trazira sociale. Pasuria private, e vlerësuar miliardëshe, të transferuar në bankat zviceriane, analizohet si një gjendje me prapavendim në përdorimin e tyre, nuk dihet se si dhe ku do të përdoren.
Ndjehet një lëvizje e politikës dhe të Kishës greke ndaj RSH. Është një ofensivë që duhet vlerësuar si një lëvizje destabilizuese për Jugun e Shqipërisë.
Aktualisht sot për rajonin e ballkanit është hedhur në tavolinë çështja e kufijve. Të gjitha shtetet kanë në diskutim, sipas interpretimeve të tyre, legjitimitetin për rishikim kufijsh: Serbia-Bosnjë-Hercegovina, Shqipëri-Greqi po afrohet një debat për ujërat detare, Kosova-Maqedonia me Serbinë. Po kështu vijon debati konfliktual politik midis Maqedonisë dhe Greqisë. Nga parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, gjatë vitit 2010 u miratua ligji për referendumin e shkëputjes etj.
Po përse kjo situatë pasigurie rajonale? Për një thjeshtëzim në analizë, le të vlerësojmë disa nga treguesit ekonomik të rajonit tonë, premisa për pështjellime për ndryshim.
Papunësia është në nivele nga më të lartat, 15 – 40 %. Ndërkohë, 30 % e popullsisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, jeton nën nivel varfërie.
Të ardhurat për frymë të popullsive të vendeve të rajonit janë rreth 6000-10.000 dollarë në vit, tashmë të pranuara nga këto vende. Këto të ardhura, statistikisht të deklaruara, sipas ekonomistëve merren si nivel kritik jetese, që padyshim sjellin kriza në shoqëri, janë një rrezik real që duhen vlerësuar me seriozitet.
Në vendet e rajonit, niveli i ekonomisë informale zyrtarisht është pranuar rreth 15 – 30 %, ku korrupsioni është ulur këmbëkryq dhe rrënon këtë ekonomi. (Te dhena nga “Transparency International Ëorld Corruption Index”)
Pasojat
Pasiguri dhe krizë ekonomike, nivel të lartë varfërie, krim të organizuar dhe korrupsion, si elementë bazë destabilizues të sigurisë rajonale. Vendet e Ballkanit të përfshirë në krizën ekonomike vazhdojnë të shërbejnë si vende transit të trafikut të lëndëve narkotike dhe se vlerësohet se “kanë krijuar dhe zgjerojnë në Europë organizata aktive të trafikut të drogës” .
Lindjen e partive nacionaliste, parti te cilat pervec të tjerash nxisin edhe dhunën kundër emigrantëve, duke i konsideruar ata si shkaktarë të krizës ekonomike në vendet e tyre etë tjera probleme të stimuluara nga ky kontigjent.
E përgjithshmja ballkanike: Vleresohet, herë pas here një boshllëk sigurie në rajon, një boshllëk që lejon premisa për destabilizim.
Ballkani edhe pse është një rajon me vende të konsideruara të vogla, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 550.000 km2 dhe një popullsi pak më të madhe se 50 milionë banorë, për Evropën konsiderohet problematik.
Lëvizjet e shumta që kanë kaluar dhe kalojnë këto vende ballkanike: Serbia, Greqia, Kosova, Maqedonia, dhe Bosnjë-Hercegovina, të çojnë në analizën se rajoni ndodhet në gjendje kërcënuese për sigurinë. Nga ana tjetër edhe institucionet, organizmat evropiane që monitorojnë apo vëzhgojnë këtë rajon janë të bindura se në këto vende ka zhvillime kaotike që udhëhiqen nga një shoqëri jo stabël, e brishtë dhe, si rrjedhoje, në situatën e krijuar, në heshtje apo disi të kamufluar thuhet se, zor se mund të shmangen kërcënimet për konfliktet e mbartura si ato etnike dhe ato të rishfaqura me qëllime politike. Qartazi, mbajtja e ligjit të luftës nga një vend antar i Nato-s (Greqia ndaj RSH) tregon, sipas meje, nivelin e ulët të sigurisë në rajon.
Mosintegrimi i Serbisë me vendet njohëse të Kosovës, kërkesat e vazhdueshme të tyre për ndarjen e Kosovës, të mbështetura në hije nga rusët, tregojnë se rajoni po shkon në kontraditë. Zhvillimet konfliktuale në rajon historikisht kanë përfunduar me ndryshimin e kufijve, ecet dhe më tej nga analistët, të cilët thonë se ka vështirësi për shmangien e rishikimit të kufijve, madje jepet dhe një fare “tolerance sjellje” që do të ishte në interes të këtij rajoni, fakti që ky ndryshim të mos i nënshtrohet fatit të ndryshimit me dhunë.
Mbështetja e fuqishme në Kosovë e lëvizjes “Vetëvendosje” ka në bazë, reagimet e ashpra të serbëve dhe të maqedonasve ndaj tyre, si dhe rritjen e rolit dinamik të shqiptarëve në terrenin ballkanik, duke shtuar dhe atë të komunitetit Çamëria.
Faktorë të tjetër të rëndësishëm janë shqiptarët e Ballkanit: shtrirja e shqiptarëve në 6 shtete të Ballkanit, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi-Lugina e Preshevës (dhe shumë shqiptarë të hershëm dhe të sotëm që banojnë në Beograd) që në raportin për vlerësimin e situatës “zgjidhje detyre”, janë forca strategjike (në operacionalitet) në prapavijat e kundërshtarit.
Elementë të tjerë të konsiderueshëm për studim sigurie janë dhe rritja e lartë e popullsisë shqiptare krahasuar me rënien e numrit të popullsive të tjera ballkanike; shkalla e lartë e emigracionit shqiptar në vendet më të zhvilluara të Europës, si vendi i parë në botë për numër popullsie. Treguesi i lartë demografik në gjeopolitikën ballkanike, numri në rritje i popullsisë shqiptare (rreth 7.5 milionë banorë), që afron me grekët, bullgarët dhe serbët; janë faktorë të rëndësishëm që duhen të vlerësohen me shumë kujdes nga Europa perëndimore. Autoriteti europian, i cili vlerësohet si kujdestar i besimit në rajonin ballkanik, duhet të përgatisë dhe të jap “vendimin luftarak” të perspektivës.
Të gjitha këto janë probleme që kërkojnë një kujdes të veçantë për zgjidhje: serbët në veriun e Kosovës kanë refuzuar të jenë pakica në shtetin e ri të saj; shqiptarët e Maqedonisë ndjehen inferior ndaj pjesës tjetër në shtetin maqedonas, ku rritja e hendekut midis shqiptarëve dhe maqedonasve u thellua edhe nga qëndrimet zyrtare, nacionaliste dhe konservatore të shtetit.
Feja në Ballkan, më shumë se sa ideologji
Historikisht është thënë se në rajonin tonë përplasen tre nga katër fetë e botës mbarë fetare.Përveç faktit që fetë janë më të vjetra dhe si rrjedhojë më konservatore sesa shtetet ku ato zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ajo që përbën rrezik sot është fakti se strukturat e sigurisë, veças në shtetet e rajonit, nuk janë aktive për të ndarë shtetin dhe ritet fetare, por në një farë mënyrë shtetet gjejnë interesat në këtë përpjekje destabilizimi në propagandën fetare. Duket sikur po shfaqen lakmitë e vjetra të Ballkanit të shekujve më parë.
Ne ushtarakët e vlerësojnë situatën fetare, këtë ndjeshmëri shpirtërore të “popullit”, gjithmonë kur ajo del nga korniza “besim shpirtëror”, si element negativ i sigurisë dhe se ka gjasa që ky element të skalionohet në vijën e parë për veprime të mëpastajshme për të realizuar qëllimet gjeopolitike të shtetit mbartës.
Tipike në këtë drejtim janë kërkesat, agresiviteti dhe metodat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e Bosnjë (dhe ato të Kishës Ortodokse në Shqipëri) një kor i vjetër Rus i Mbrojtësit të të Krishterëve, “kërkesat fetare të të cilit, në fakt ishin pretekst për qëllime politike e strategjike”[1].
Për të përmbyllur opinionin tim për këtë çështje, rikthehem kohës kur, gjatë misionit në Paris, jam pyetur e ripyetur apo provokuar, nga jo/dashamirës, për këtë çështje të deformuar dhe shumë të përfolur rreth besimit fetar në Shqipëri, dhe po shkruaj të njëjtën përgjigje edhe sot në këtë shkrim të hapur, si dikur me petkun diplomatik: Popullsia shqiptare ka predikuar në harmoni të plotë për shekuj me radhë tre fe : mysylmane, ortodokse dhe katolike…vijuar, Shqipëria do të ishte një model për Europën dhe më gjërë përsa i përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërmejt feve, pasi ky fenomen ka marrë përmasa globale dhe po çon në konflkte të mundshme midis shteteve dhe popujve.
Në këtë vorbull situate konfliktuale, analistët ushtarakë ngrejnë doktrinën “lufta midis dy qytetërimeve”, ndërsa shqiptarët (në kufijtë pas 1913) të sigurt ofrojnë harmoni, kjo është për t’u bërë objekt në gjuhën e diplomacisë përtej dhe asaj ballkanike, evropiane.
A nuk janë, ky diversitet dhe tolerance idesh, një dëshmi, frymë dhe kulturë evropiane?
A janë aktualisht të qarta profilet e shpresës në Ballkan….?
Vendet e Ballkanit Perëndimor, të armiqësuara me njëra-tjetrën historikisht për shkaqe etnike, sot, e gjejnë veten të konfliktuar edhe për shkaqe të brendshme politike, gjë që ka sjellë deri edhe paralizë të funksionimit normal e të domosdoshëm të jetës politike në këto vende të Europës. Fatkeqësisht vërehet që bipolarizimi politik në vendet: Maqedoni, Serbi e Bosnjë-Hercegovina, po dhe fatkeqësisht herë-herë dhe në Shqipëri dhe Kosovë, është më i thellë se në të kaluarën.
Harta e konflikteve në rajonin tonë mbetet konstante: Bosnjë-Herzegovina është e mbërthyer në vijimësi nga tensioni etnik; marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës vijojnë me vështirësi negociimi; Maqedonia vuan sindromën e emrit për shkak të kundërshtimit të Greqisë dhe se nuk kalon klasën për t’u bashkuar me aleancën dhe BE.
Prapambetja ballkanike vjen dhe si shtete me ekonomi dhe institucione te dobeta demokracie dhe se dyti, krijimi i shteteve qe mbijetesen e mbeshtesin ne interesin e gjeopolitik (më tepër gjeoekonomik) të komunitetit nderkombetar.
Diplomacia si faktor paqesjellës në Ballkan
Kur flasim për diplomacinë si faktor paqësjellës në Ballkan, për nga problematika që mbart ky rajon, me të drejtë themi se, ky element i rëndësishmë për zhvillimin normal të një shoqërie komplekse, shumë kombesh, etnike dhe fetare, ka qenë pak aktiv, ose do ta përkufizonim si më pranë reales, si diplomaci e munguar.
Në një analizë të thjeshtë ballkanike, në kohë historike apo moderne, qartazi duket se kur “diplomacia e madhe”, qoftë ajo europiane, por më shumë ajo amerikane, kanë qenë serioze në dhënie kontributesh, atëherë rezultatet për rajonin kanë qënë të dukshme, situatat e sigurisë janë mbajtur nën kontroll.
Në aktualitetin e sotëm, po kjo “diplomaci e madhe” pranon faktin e një boshllëku sigurie në rajon, ka lëvizje drejt tij, por jo me efekte të dukshme për përmirësim.
Diplomati Henry Kssinger, në librin “Diplomacia” për rajonin tonë i referohet ndihmës europiane dhe asaj të SHBA për të frenuar vendet e këtij rajoni që të mos rizhyten në një krizë tjetër e jo … “të bëhen pengje të klientëve të tyre kokëkrisur Ballkanikë me pasione të shfrenuara e me ndjenjë të kufizuar të përgjegjësisë së përgjithshme”[2].
Në qoftë se këtë boshllëk sigurie nuk e plotësojnë Europa dhe SHBA, atëherë situata mbetet e hapur për “manipulime klienteliste”.
Mënyra më e mirë për BE, për të dëbuar lodhjen e gjatë ballkanike dhe për të gjeneruar stabilitet afatgjatë në të është që të punojë së bashku me forcat reformiste të rajonit për të eliminuar ndasitë tipike ballkanike, ekonominë informale, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Atëherë, kombet e Ballkanit mund të marrin vendin që u takon si anëtare të familjes së BE-së.
Programet e përbashkëta rajonale në fushën e mbrojtjes
Diplomacia ushtarake dhe roli parësor i saj për vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit.
A do t’i bëjë forcat e armatosura të afta të krijojnë kapacitete të përbashkëta në përfitime reciproke për të na sjellë mini-shengenin e munguar ballkanik, bashkëpunimi i pritshëm, apo i shpresuar, në fushën e mbrojtjes për vendet ballkanike? Shengeni ballkanik është fushë veprimi i hapur, i betejës diplomatike ushtarake, ku diplomatët me/pa uniformë duhet të planizojnë skenarët e mundshëm strategjikë për ta fituar atë në interes të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale.
Diplomacia Rajonale, për të përballuar periudhën e shtrëngesave financiare të kohës, duhet të nxitojë veprimtarinë e saj diplomatike ushtarake për të integruar forcat e tyre të armatosura në konceptin e ri Strategjik të NATO-s “mbrojtja inteligjente”, si e vetmja alternativë për daljen nga situata e krijuar.
Rajonit tonë do t’i shkonte si strategji bashkëpunimi për zgjidhje shumëkombëshe, sipas formatit “të bashkojmë dhe shkëmbejmë”, “pooling and sharing” duke identifikuar të përbashkëtën e mundshme të kapaciteteve, në format dypalësh, shumëkombësh dhe rajonal.
Diplomacia ushtarake, me projektet e saj të bashkëpunimit, të zgjedhë dinamizmin për zhvillim dhe pragmatizmin, larg konformizmit dhe tradicionalizmit ballkanik, tashmë të vjetruar, të hedhë në treg një vizion ndryshe në përshtatje dhe të avancuar në kohën, të jetë një gjenerator prodhues i një mentaliteti të ri bashkëjetese, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Diplomacia ushtarake, si kontribut sjellëse në zhvillimin e strategjisë së sigurisë, duhet të identifikojë rreziqet dhe kërcënimet e përbashkëta rajonale duke argumentuar se asnjë vend në rajon nuk ka mundësi të zhvillojë apo të mbajë të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i bërë ballë i vetëm të gjithë spektrit të kërcënimeve të sotme apo të nesërme.
Së dyti, diplomacia ushtarake duhet të identifikojë interesat më vete të secilit shtet që përftohen nga krijimi i kapaciteteve të përbashkëta dhe t’i sjellë si “propagandë “ në tavolinën e punës për zhvillimin e politikave të mbrojtjes së vendeve ballkanike.
Së treti, të identifikojë dhe të paraqesë zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në fushat e ndjeshme të shoqërisë, aty ku ajo ka nevojë, si kusht, zhvillimi dhe përfitimi për të gjithë vendet në:
fushën e zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta apo multilaterale të emergjencave civile që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, industriale apo të shkaktuara nga njeriu, të cilat nuk njohin kufij kombëtarë.
fushën e kapaciteteve të Arsimimit dhe Stërvitjes, të Infrastrukturës dhe Mirëmbajtjes. Përdorimi i kapaciteteve të infrastrukturës dhe të logjistikës nga vendet në nivel rajonal, ose në baza shumëkombëshe. Zhvillimi dhe shfrytëzimi i kapaciteteve dhe infrastrukturave detare të RSH nga vendet fqinje të interesuara që nuk e kanë këtë mundësi, si Kosova e Maqedonia.fushën e modernizmit, kërkimit- zhvillimit, prokurimeve të përbashkëta në fushën e …..etj.
Po kështu, në rajonalizimin e disa kapaciteteve mbrojtëse, bazuar në standardet e NATO-s, si në kapacitetet e përbashkëta rajonale dhe kombëtare për të mënjanuar sa të jetë e mundshme në dublimet ndërmjet forcave të armatosura, policisë, shërbimeve inteligjente, njësive të kontrollit kufitar, shërbimeve doganore etj.
Diplomacia e përgjithshme rajonale t’i referohet shembullit të bashkëpunimit, si ai midis vendeve të zhvilluara, Pakti Bilateral Angli-Francë, ku përfshihen shumë fusha kooperimi, nga menaxhimi i Rezervave Bërthamore deri tek krijimi i kapaciteteve kundër terrorizmit, si dhe shembullit të pakteve të bashkëpunimit midis vendeve më pak të zhvilluara, si vendet Baltike.
Koha ka ardhur që Ballkani të vijë me një diplomaci të re, të përbashkët ushtarake, e cila do të jetë baza e krijimit të mini-shengenit të tij në Forcat e Armatosura.
Kontributi i deritanishëm ballkanik i diplomacisë shqiptare në fushën e mbrojtjes
Pas viteve 90-të, RSH e ardhur nga një regjim i mbyllur, u vendos në skalion të parë për bashkëpunim ballkanik, rajonal dhe më gjerë. Ajo kërkoi aderimin e saj në të gjitha organizmat e sigurisë së globit, duke afruar përveç aseteve të saj strategjike (hapësirën ajrore, detare, tokësore) dhe kontribute me trupa në operacionet e udhëhequra nga këto organizma. Rezultatet e kësaj diplomacie kanë qenë të dukshme dhe dominuese në rajonin tonë edhe pse diplomacia shqiptare vinte nga një diplomaci ushtarake inaktive.
Do ta konkretizoja vizionin shqiptar për një rajon të bashkuar me një shkrim të botuar në shtypin ushtarak për zërat kritike se “Grekët po ruajnë hapësirën shqiptare”.
“….as 4 dhe 44 avionë luftarake, as 6 dhe 66 anije luftarake, as 1 dhe 11 Brigada të Reagimit të Shpejtë, nuk mund të mbrojnë hapësirën ajrore, detare dhe tokësore të RSH. RSH tashmë e siguron dhe do ta sigurojë mbrojtjen e saj duke punuar dhe integruar gjithçka me familjen e madhe europiane dhe organizmin më të fortë dhe të sigurt në botë, NATO”.
Shpresoj dhe uroj, nëse një ditë serbët do të bëhen anëtare të Nato-s, të BE; në hapësirën ajrore respektivisht të dy vendeve të dëgjohen zhurmat e mjeteve ajrore shqiptare dhe serbe, sepse shqiptarët e pranuan në mënyrën më të mirë integrimin në Nato dhe dëshirojnë të integrohen shumë shpejt në BE.
Nëse, diplomacia ushtarake serbe, kosovare, maqedonase, malazeze, greke… do të ofronte për politikanët e vet të njëjtën formulë bashkëpunimi, rajoni shumë shpejt do të zërë vendin e munguar prej kohësh në familjen e madhe evropiane, si e vetmja shpresë për zhvillimin e tij.
Gjeopolitika rajonale do të ketë rol, në një formë të re sjellje në interes të paqes, nëse diplomacitë veças do të integrohen në një vektor zhvillimi dhe veprimi për të krijuar fusha të përbashkëta bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, institucione dhe struktura të integruara ndërshtetërore dhe kjo atëherë kur diplomacia ushtarake të ketë krijuar identitetin ballkanik, si element i rëndësishëm i sigurisë së tij.
Gjeopolitika rajonale do të formëzohet vetëm atëherë kur vendet e tij do të heqin dorë nga besimi ekzaltues dhe ekzagjerues në lavdine dhe hyjninë e kombit, i teorizuar nga filozofët, “Nacionalizmi Shovinist” dhe ta zëvendësojnë atë me “Nacionalizmin Liberal”. Them se shqiptarët e kanë kuptuar mirë leksionin e famshëm të Ersnest Renan « Qu’est – ce qu’ une nation », të cilët kanë zgjedhur si popull “Nacionalizmin Liberal”, kjo dhe për të kaluarën e hidhur të tyre.
Dalja nga kriza: kërkon vullnet gjithpërfshirës ballkanik, zhvillim politikash të hapura rajonale nën drejtimin e autoritetit evropian dhe te SHBA, atëherë do të luhet karta e vërtetë e integrimit dhe përparimit drejt saj.
***
*Kush eshte bashkepunetori i Diellit, Kolonel Zaim Kuci
Kolonel (R) Zaim Kuçi
Shkolla e Lartë e Aviacionit, Vlore
Akademia e Mbrojtjes, Tiranë.
Kolegji i Lartë i Mbrojtjes, Paris (1998-99).
Instituti Aeronautik, Paris (2001).
Akademia e Diplomacisë,Tiranë.
Disa kurse afatshkurtra për sigurinë dhe mbrojtjen në: Hollandë, Gjermani, Hungari, Kroaci dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Eksperienca në pune:
Pilot në avionët: helikë, reaktivë, supersonikë [Tip 61 (Jak), Mig 15/ 17/19].
Atashe i Mbrojtjes në Francë/Portugali
Këshilltar i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave te Armatosura.
Ne vitin 2011 ka dale ne pension te parakohshem nga forcat e armatosura.
Vijon si kordinator i Qendres Kombetare te Sigurise dhe Mbrojtjes Tirane (civil)
Ka botuar disa shkrime ne Shqiperi dhe ne Paris.