Nga Fadil Lushi/
Që kur më lindi ideja për ta shkruar vështrimin e radhës, më mbërtheu për fyti ajo dilema e vështirë se ç’kryetitull t’i vë këtij artikulli. Që në fillim gjykova dhe thash se këtij vështrimi gjithsesi i duhet një emërtim paksa më “serioz” dhe, për këtë arsye, u detyrova ta “gjezdis rradaken” në kërkim të një të tilli. Thash se këtë mund ta gjej vetëm në mëhallën e “thashethemexhinjve”, atje ku njerëz të fiseve të ndryshme flasin ca toskërisht, ca të tjerë gegërisht, disa “otomanisht”, disa “shkinisht”, disa serbisht, bullgarisht, “kosovarisht” e greqisht…; mendova se këtë do ta gjej atje ku njerëz të kombeve dhe feve të ndryshme flasin me hundë, përçart, kot, shtruar…, atje ku njerëzit flasin në hava, atje ku “insanët” flasin me shaka, atje ku njerëzit flasin me zemërim, atje ku flasin me veten a jerm, andej ku njerëzit flasin nëpër dhëmbë…, atje ku njerëzit flasin me këmbë e me duar, disa me thumba, mbarë e prapë e tjera të folme…, ashtu pa e respektuar standardin. Në fund, pa pyetur njeri, vendosa për këtë të lartpërmendurin, pavarësisht se redaktorët mund të mos pajtohen me renditjen logjike të “llafeve” në fjalë.
Po e fillojmë me deklaratën e zëvendëspresidentit të White Star Line, Philip Franklin, kompania që kishte në pronësi anijen e luksit gjegjësisht Titanikun, e cila tingëllon kështu: “Nuk ka asnjë rrezik që Titaniku të mbytet. Kjo anije nuk mund të mbytet”. Këto fjali euforike kanë mbetur në histori, jo për vërtetësinë e tyre, por për faktin tragjik se treguan se sa të pabaza ishin. Anija e nisi udhëtimin e saj të parë më 10 prill të vitit 1912 nga porti i Southamptonit në Angli dhe ishte drejtuar për në Nju Jork. Çuditërisht, Titaniku pikërisht në 14 prill të motit 1912, do të përplaset me një ajsberg dhe do të përmbyset, por para se të mbytet Titaniku, banda frymore me tetë anëtarë vazhdoi t’u binte veglave pavarësisht kaosit të krijuar në anije. Sipas shumë dëshmive, mendohet se “Nearer, My God, to Thee” ishte muzika e fundit e interpretuar prej tyre… Bandë frymore e Titanikut as që e kishte ndërmend të merrej me “sëkëlldinë” e pasagjerëve që ballafaqoheshin me trishtimin se po përfundonin në ujërat e ngrira e të ftohta të Atlantikut”. Besojmë se do të na lejohet të vazhdojmë me (mos)Marrëveshjen e Përzhinos si dhe me “dirigjentin” Johanes Han, përndryshe Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, i cili kur ditë më parë “zbarkoi” në Shkup, me vete “kishte pasur dy palë brekë, një kollare të kuqe, dy palë çorape bojë jeshile, një brushë dhëmbësh dhe çka jo tjetër”. Gojëkëqijtë, thonë se “pizhamet e holla verore prej mëndafshi me pika të kuqe, gjoja z. Han i paskësh harruar në Bruksel!”. (Këtejpari në Tetovë, thonë se sipas fesë dhe Kanunit, burrit a mashkullit i ndalohet të veshë gjëra nga mëndafshi?). Hajde tani ti, lexues im i nderuar, a mos vallë këta gojëkëqijtë dhe thashethemexhinjtë nuk meritojnë t’u thuash: “He, mor debilë, a nuk merrni vesh çfarë thuhet apo ju duhet dajaku!?…, po me ç’të drejtë këtij njeriu i shtoni gjëra të paqena…, po pse fusni turinjtë në strajcën e tij”.
Prania e (pa)nevojshme e Hanit në Shkup, sipas disa opinionbërësve opozitarë, të krijon përshtypjen se është vetëm një “idiotësi e bukur” për shqiptarët në hall e në nevojë…, sikur Hani shqiptarëve do t’u thotë: hiqni dorë nga ideja për Shqipëri natyrale, sikur maqedonasve do t’u thotë: harrojeni shtetin tuaj biblik, sikur të gjithëve do t’u thotë: hiqni dorë nga shpresa evropiane, sepse ajo ka një furgon probleme dhe telashe me “hordhitë me ngjyrë”, që çdo ditë ia mbysin a zaptojnë hapësirat e saj. Komisari Han, sikur shqiptarëve po edhe maqedonasve, do t’u thotë se “ju jeni shumë të dashur, ju jeni shumë të bukur, ju vërtet jeni shumë mikpritës, ju keni vuajtur shumë, ju jeni bërë telef karshi zaptimit të pushtetit me forcë a me hile…, por ama jeni: të papërmirësueshëm dhe së fundi jeni dembelë anekdotikë!?”. Ky zotëri Hani, politikanëve maqedonas sikur do t’u thotë se Marrëveshjes së Përzhinos i mungon ajo banda frymore e Titanikut, sikur do t’u thotë se edhe këtë që e keni nuk është as për “dynja e as për ahiret”, sikur kjo bandë frymore bën muzikë a politikë tallava, allaturka a orientale, sikur kësaj bande i mungojnë instrumentet frymore “allafrënga” (oksidentale), sikur kësaj bande i mungon “qemania e Paganinit” e të tjera instrumente. Ky komisari Han sikur thotë se “anijes së Përzhinos i mungon parimi detar që thotë se kapiteni mbytet së bashku me anijen, ashtu siç ishte kapiteni i Titanikut, Edward Smith, i cili qëndroi deri në fund në bord”…, sikur politikës së Maqedonisë i mungon një kapiten i tillë si Smith-i, sikur ky komisar Hani kishte ardhur në Përzhino të këndojë psalme për shpirtin e…, sikur kishte harruar se nuk mund edhe të këndosh po edhe të dirigjosh njëkohësisht… dhe, si duket, ky Hani pret të shohë se kush kujt do t’ia fusë…, duke harruar se këta ballkanas ,në veçanti shqiptarët, do t’ia fusin këtij “hilexhi komisari”.
Ky komisar Hani sikur kishte ardhur në Shkup për t’u shpallur “luftë kanibale” shqiptarëve të padëgjueshëm, sikur kishte ardhur në Shkup që bandës frymore të Përzhinos t’i tregojë se tenxherja me presion, të cilën e përdorin për të zier gjellë a tavë-turli, ka gjymtime serioze…, gjegjësisht e ka të dëmtuar valvulin, respektivisht vrimën nga del avulli. Kishte thënë: kini kujdes se ajo mund të shpërthejë…, sikur kishte ardhur në Shkup për të “ndërtuar një azil për politikanët e rrjedhur nga mendja”…, sikur kishte ardhur në Shkup që të konsultohet me njeriun i cili “merret me studimin e anatomisë së bythës së pleshtit me hemoroide”…, sikur kishte ardhur në Shkup ta pyesë leshaxhiun nga… se leshi maqedonas a mund ta mbrojë trupin e njeriut nga i ftohti dhe a mund të lahet leshi në legen në mungesë të banjës a dushit…, sikur kishte ardhur në Përzhino për ta bindur atë bostanxhiun nga…, që ta pranojë dhe të pajtohet me vendimet e marrëveshjes së Përzhinos…, sikur bostanxhiut i kishte treguar se minjtë e kopshtit zoologjik të Brukselit nuk i fusin kollaj hundët a turinjtë në çdo vrimë… Kjo ardhja e Hanit në Maqedoni më përngjan njësoj si puna e atij dhëndrit që i kishin rënë flokët, po i cili, për qejf dhe për hatër të nuses së re, dikur kishte mëtuar të bënte kaçurrelat midis ballit të tij. Sikur ky Hani kishte ardhur në Shkup që shkupjanëve t’ua mësojë ato urdhrat ushtarakë, siç janë: gatitu!, prapa kthehu!, majtas kthehu!, djathtas kthehu!, shtrihu!, ngjitu lart!…, e të tjera urdhëresa ushtarake…, se këto politikanët do t’i mësojnë nga shteti i Maqedonisë, Hanit hiç nuk i ha palla…, aq më tepër kur ai e di se hapësira e të bërit politikë konstruktive këtejpari, dita-ditës po ngushtohet dhe po zbehet, ndaj Komisar Hani për këtë është i ndërgjegjshëm këmbë e krye.
I gjithë ky ndërmjetësim i Brukselit me në krye Komisar Hanin bëhet për hir të faktit që në të ardhmen të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, që vota e gjithsecilit të mos konceptohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, racionale dhe demokratike, në asnjë mënyrë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj. Se unë nuk besoj, u betohem në kokë të sorrës…, dhëntë Zoti që kleri të mos ma dëgjojë këtë gënjeshtër se ndryshe do më shkruajë gjynahe!
Kur doganierët turq hidhërohen dhe ngatërrohen me turistët rusë, thonë: “Sikter Boris!”.