TIRANË, 30 Qershor/ATSH/Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso u nderua sot në Tiranë nga Presidenti i Republikes me dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar”.
Motivacioni i dekorimit e vlerëson z. Barroso “Për meritat e veçanta si President i KE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit, si dhe kontributet për përafrimin institucional të Republikës së Shqipërisë drejt BE-së”.
Në ceemoninë e organizuar në Presidencë, ku merrnin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministra, deputetë të dyja palëve, etj, presidenti Nishani theksoi se së bashku sapo kemi shënuar një arritje të rëndësishme në afrimin institucional të Shqipërisë me BE-në dhe drejt anëtarësimit të saj me familjen europiane.
“Në këtë moment dua të shpreh mirënjohjen time të thellë në emër të qytetarëve shqiptarë, për të gjitha institucionet e BE-së, qytetarët dhe institucionet e vendeve anëtare, për mbështetjen e vazhdueshme, ndihmesën bujare, mirëkuptimin dhe durimin e demonstruar ndaj Shqipërisë, në kohë të mira e të vështira. Në këtë kuadër, Komisioni Europian, por sidomos Ju, z. Barroso na keni qëndruar vazhdimisht shumë pranë. Ju siguroj se ne e kemi ndjerë fort praninë tuaj në timonin e ekzekutivit europian”, nënvizoi Nishani në fjalën e tij.
Pas marrjes së dekoratës, Presidenti Barroso falenderoi për nderimin e bërë, duke theksuar se Komisioni Europian ka qënë një negociator i drejtë, objektiv në procesin e integrimit të Shqipërisë. “Jam krenar për pozicionin që ka mbajtur BE-në”, shtoi Barroso.
Barroso: Hapja e negociatave në BE, pas reformave kyçe nga Shqipëria
Kreu i Komisionit Europian: Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, shumë e rëndësishme-
TIRANË, 30 Qershor/-ATSH-Ylli Pata/-Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, deklaroi të hënën në Tiranë, se hapja e stadit të ri për Shqipërinë që të hapë negociatat e anëtarësimit në BE, do të vijë pas një procesi monitorimi “realist” që si pika kryesore do të ketë zbatimin e prioriteteve kyçe nga qeveria shqiptare, si dhe ndalimin e asaj që ai e quajti “polarizim ekstrem” i situatës politike.
Në një konferencë shtypi që zhvilloi së bashku me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në selinë e qeverisë shqiptare, Presidenti i Komisionit Europian, e ka uruar publikisht kreun e qeverisë shqiptare për marrjen e statusit kandidat dhe deklaroi se Komisioni Europian do të jetë në anën e vendit tani që procesi i integrimit futet në një stad të ri, që është ai i hapjes së negociatave për anëtarësim.
Vizita e zotit Barroso është e dyta që zhvillon në Tiranë, e para u zhvillua më 18 shkurt 2006, ndërkohë që një vizitë e planifikuar në vitin 2011 u anulua pas impasit të vendit për të plotësuar axhendën e integrimit europian.
Edhe pse në fund të mandatit të tij si President i Komisionit Eiuropian, vizita e zotit Barroso në Tiranë, është mjaft e rëndësishme pasi konfirmon qëndrimin e Bashkimit Europian për të vazhduar partneritetin me Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur vetë Presidenti i Komisionit Europian, i cili theksoi megjithatë se Shqipëria duhet të ecë parpara me reformat, ku lufta ndaj krimit, korrupsionit, reforma në drejtësi, duhet të jenë jo vetëm në axhendën kombëtare por që duhet të vihen në jetë sa më parë. Zoti Barroso, ka përgëzuar aksionin e policisë shqiptare në Lazarat, duke e konsideruar të suksesshëm, por ka bërë thirrje që lufta ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës të vazhdojë me të njëjtin intensitet.
Një tjetër aspekt i rrugëtimit të Shqipërisë në BE, të cilën e ka prekur Jose Manuel Barroso, ka qenë edhe bashkëpunimi rajonal.
“Një nga arsyet që unë e dua Bashkimin Europian është se ne jemi një bashkim i paqes. Jemi së bashku vendet që dikur janë vrarë me njëri tjetrin, ndërsa tani votojnë së bashku dhe zgjedhin drejtuesit e përbashkët. E njëjta gjë duhet të nodhë në Ballkan, ku 100 vjet më parë këtu shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ndërsa tani është një territor ku ka paqe. Ju duhet të promovoni bashkëpunimin duke krijuar tryeza bashkëpunimi të përbashkëta”, deklaroi Kreu i Komisionit Europian, duke e përgëzuar publikisht nismën e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Beograd.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, deklaroi se axhenda e integrimit do të jetë në krye të përpjekjeve, duke theksuar se në shtator do të zhvillohet Dialogu i Nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, ndërkohë që është ngritur edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit.
Rama deklaroi se procesi i integrimit do të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha pjesët e shoqërisë shqiptare, padyshim edhe të opozitës.
“Ne nuk duam që opozita të bjerë në sevda me ne, ne padyshim jemi votuam që të qeverisim, por ne kemi ftuar opozitën që të jetë së bashku me ne në simbolikën e festimit modest të marrjes së statusit. Ndërkaq nga ana substanciale ne do të presim deri në ditën e fundit të sesionit parlamentar që Partia Demokratike të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale”, deklaroi Kryeministri, Edi Rama, i cili ka ftuar opozitën që të jetë pjesë edhe në reformën e pritshme në drejtësi.
Pikërisht drejtësia është një nga axhendat kryesore të prioriteteve që Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë. Zoti Rama ka falënderuar në mënyrë të veçantë edhe Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, të cilën e ka konsideruar një “mik të madh të shqiptarëve”.
Vizita dhe fjalimi që do të mbajë Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, sot në Gjykatën e Krimeve të rënda, është dëshmi konkrete e këtij prioriteti, që padyshim do të jetë sprova më e madhe e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkaq, vizita e pritshme e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd, pritet të japë një dimension tjetër jo vetëm i politikës stabilizurse të Shqipërisë në rajon, por edhe rolit të Ballkanit si një zonë që pritet të integrohet në BE me një filozofi dhe koncept tjetër komunikimi dhe bashkëpunimi.
Vizita e Jose Manuel Barrosos në Tiranë, është e fundit në detyrën e Presidentit të Komisionit Europian, post që pritet ta marrë ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.
Barroso në Kuvend: Nuk do jetë i plotë bashkimi i Europës pa Europën Juglindore
Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, gjatë vizitës së sotme në Tiranë iu drejtua me një fjalë të gjatë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë, përmes së cilës përcolli mesazhe të rëndësishme për politikën dhe qytetarët shqiptarë.
Në hapje të seancës së posaçme kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi historike vizitën e sotme në Tiranë të Presidentit të KE-së, e cila vjen pak ditë pas marrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit në BE.
“Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar në mënyrë të dukshme drejt integrimit euroatlantik. Z. Barroso vjen sot në një vend anëtar të NATO-s dhe vizita e tij ka një kontekst tepër të rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e Kuvendit për mbështetjen e pakursyer dhe punën e palodhur të KE-së, nën drejtimin e Presidentit Barroso, në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim. Në këtë kuadër do ta siguroja Presidentin se parlamenti shqiptar do të jetë platforma e hapur e debatit demokratik dhe e inkurajimit të reformave madhore të vendit, përmes garantimit të gjithëpërfshirjes dhe dialogut politik”, nënvizoi Meta në fjalën e tij.
Ai theksoi se miratimi i statusit të vendit kandidat ishte vendimi i duhur dhe plotësiisht i merituar për Shqipërinë, por dhe një lajm i mirë dhe mesazh pozitiv për gjithë rajonin, ku vendi ynë ka një rol të rëndësishëm. Vendimi ishte dëshmi e vazhdimit të angazhimit të BE-së në favor të perpektivës europiane të rajonit tonë, tha Meta.
Më pas, kreu i Kuvendit ia dha fjalën Presidentit të KE-së, i cili, fillimisht falenderoi qeverinë, Kuvendin dhe popullin shqiptar për mirëseardhjen e ngrohtë “në kryeqytetin e bukur, Tiranë”.
“Është nder i veçantë për mua dhe jam mirënjohës që të flas para Kuvendit vetëm disa ditë pas vendimit historik të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, një vendim që KE e kishte propozuar dhe që u miratua me unanimitet nga të gjitha vendet anëtare. Ky vendim lë pas një faqe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe shënon nisjen e një faze të re ndërtuese. Ne presim që ky vendim t’i japë një shtysë refomave dhe progresit të Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së”, theksoi Presdienti Barroso.
“Ky vendim, vijoi ai, po ashtu tregon se persepktiva europiane e vendeve të Europës Juglindore nuk është thjesht diçka e shkruar në letër, por është reale, e besueshme dhe angazhimi i BE-së në të ardhmen mbetet zgjerimi, një proces shumë i rëndësishëm në axhendën tonë”, u shpreh Kreu i KE-së në fjalën e tij.
Duke folur për Komunitetin Europian, Barroso tha se kjo organizatë është gjithnjë e më fortë, sidomos pas asaj që ndoshta ishte kriza më e madhe ekonomike me të cilën ajo ishte përballur. BE-ja po ecën përpara dhe po bën progres dhe zgjerimi gradual ka qënë gjitmonë në paralele me njëra tjetrën. “Unë vetë kam jetuar në diktaturë për 14 vitet e para të jetës sime dhe kam përjetuar atë shpresë që na ofronte Europa dhe BE dhe se si e përfituam. Prandaj, kjo është arsyeja që unë ndjehem afër jush. Ju e lidhni perspektivën e aderimit me konsolidimin dhe modernizimin e institucioneve tuaja. Ky është procesi që duhet të motivoni”, tha ndër të tjera kreu i KE-së.
Barroso në vijim të fjalës së tij në parlamentin shqiptar tha se para 10 vitesh ne bashkuam Lindjen dhe Perëndimin, pas dekadash ndarjesh dhe bashkimi, por bashkimi i Europës nuk do të jetë i plotë pa Europën Juglindore. “Nga Tirana në Sarajevë, nga Beogradi në Prishtinë njerëzit e shohin BE-në si një dritë shprese dhe garantuese të një politike ekonomike dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë ata”, tha ai.
Sipas Presidentit të KE-së , një rol të rëndësishëm për plotësimin e të gjitha kushteve për anëtarësim në BE, kërkohet angazhimi i politikës. “Mund ta them këtë pasi kam qenë në krye të BE-së dhe se këto reforma ja vlejnë. Duhen gjithnjë dy vetë për të arritur rezultate, ndaj të gjithë qytetarët e Shqipërisë duhet ta dinë se duhet të plotësohen detyrimet që vinë nga anëtarësimi. Unë do ju them se do ketë një vëmendje të veçantë për Shqipërinë. Dhe do ju shohin në një mënyrë më realiste, si një vend i ardhshëm që do të aderojë në BE. Si anëtarë të këtij Kuvendi, keni një rol të rëndësishëm, që të përgatiteni për t’u anëtarësuar në BE. Ju nuk po i ndërmerrni këto reforma për të kënaqur BE-në, por për qytetarët tuaj. Një gjyqësor më efikas do të ketë një ndikim pozitiv për shqiptarët. Aplikimi i standardeve evropiane, do të japë reflektime pozitive, nënvizoi ai.
Duke u ndalur tek reformat ekonomike, Barroso tha se ato do të ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. “Reformat ekonomike, sado të vështira të jenë, do të kontribuojnë për të rregulluar stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë. Më lejoni të pranoj angazhimet e Shqipërisë në reformën ekonomike, siç është ajo me FMN-në. Të jeni të sigurt që KE do të bashkëpunojë nga afër me institucionet financiare për të dhënë mbështetje financiare për ju. Unë besoj se roli i tyre është tepër i rëndësishëm, siç është në disa projekte të integrimit rajonal. Ndaj, unë ju uroj për angazhimet tuaja të fortë, për bashkëpunimin rajonal. Jo vetëm tregtia e lirë është një shtysë për bashkëpunim rajonal, ku Shqipëria luan një vend aktiv, e bën atë një vend që tërhiqet nga investitorët”, theksoi Barroso.
Më tej në fjalën e tij zyrtari i lartë europian theksoi se Shqipëria është Evropa dhe integrimi i saj në BE duhet të jetë një projekt për secilin prej nesh, për brezin tonë, pasi realizojmë një aspiratë historike. “Ky është një nga mësimet më të mira sa i takon zgjerimit. Konsensusi në vend i të gjitha partive politike është shumë i rëndësishëm. Këtu në Kuvend vijnë dhe përfaqësohen të gjitha idetë dhe kjo është salla e demokracisë. Unë e vlerësoj rolin tuaj, dhe e vlerësoj debatin demokratik. Një gjë që se kam pritur kurrë gjatë opozitës ishte që të kisha mbështetjen e qeverisë. Por, në disa sektorë është e mundur që të realizohet një konsensus real, përtej pikëpamjeve politike”, vijoi më tej Barroso.
Ai theksoi se vendet e BE-së e kanë të rrënjosur ms tyre ADN-në e bashkëpunimit dhe se për nxitjen e një demokracie do të duhet shumë punë. “Kjo shtron nevojën për të ndjekur me vendosmëri një rrugë të caktuar dhe se duhet t’i përmbaheni rezolutës së Kuvendit të miratuar në nëntor 2013, sa i takon realizimit të platformave, për aderimin e Shqipërisë më pas në BE”, u shpreh Barroso.
Në vijim të mesazheve të tij Kreu i KE-së tha se procesi i integrimit është një proces paqeje, ndaj dhe BE e ka marrë këtë çmim. Ai u shpreh optimist se Shqipëria do bëhet pjesë e Bashkimit Europian. “Unë besoj, se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, besoj se ky hap, i statusit të vendit kandidat, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i këtij populli, të cilin e respektoj shumë. Unë besoj se ju mund të merrni të mirat e anëtarësimit në BE, por mund të jepni dhe kontribute për të dhënë stabilitet në këtë rajon. KE do vazhdojë të punojë bashkë me ju, me mbështetje në politikat financiare, duke ofruar miqësi, që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen evropiane. Faleminderit!, e mbylli fjalën e tij në parlamentin shqiptar Presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso