Nga Xheladin Zeneli/
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi të datës 14 Tetor të këtij viti, subjektet shqiptare që fituan nga një mandat ishin, Koalicioni “Për Bashkim” (i cili përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Iniciativa Qytetare – Tuz dhe Lëvizja Perspektiva) dhe “Koalicioni Shqiptar” (i cili përbëhet nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare).
Pak ditë pas zgjedhjeve, me 30 Tetor 2012 dy Kualicionet shqiptare,bashkë me Partinë Boshnjake dhe Iniciativën Kroate ,në kuadër të partive të pakicave,nënshkruan Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare me Kualicionin “Mali i Zi Europian” të Millo Gjukanoviqit, çka do të thotë se arritën marrëveshjen për qeverisje të përbashkët në mandatin e ardhshëm.
Në disa mandate të mëparshëme, partner i qeverisë nga rradhët e partive politike shqiptare ishte Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Me këtë rast,sikurse n’a imponohet pyetja se a është bashkëqeverisja domosdoshmërisht,zgjidhje e problemeve të shqiptarëve në Mal të Zi ? Mendoi se në këto rrethana politike,pjesëmarrja e shqiptarëve në Qeveri, mund të mos luaj rolin e duhur në raport me avancimin e mirëfilltë të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi,për disa arsy:
1. Nga përvoja e së kaluarës, mund të nxjerrim konkludime se bashkëpunimi (kualicioni) disavjeçar i partisë në pushtet (PDS) me subjektin politik shqiptar (UDSH) nuk ka dhanë rezulltatet e pritura në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve, por përkundrazi, pikërisht gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi,janë aprovuar disa ligje që degradojnë dukshëm statusin e shqiptarēve nē Mal të Zi. Nga ky këndvështrim, lind pyetja se përse supozohet se një kualicion tjetër i shqiptarëve me qeverinë,do të jetë në interes të shqiptarëve dhe do të ndryshonte diçka pozitivisht në aspektin e statusit të tyre!?
2. Në mandatin e tanishëm të bashkëqeverisjes në mes të partisë në pushtet dhe dy kualicioneve shqiptare, më shumë përfiton partia në pushtet, duke ngritur imazhin e vet para faktorit të jashtëm dhe atij të brendshëm , si Qeveri gjithëpërfshirëse, pra si Qeveri e cila në përbërjen e vet ka edhe popujt pakicë, respektivisht përfaqësuesit e partive dominuese shqiptare;
3. Me pjesëmarrjen e shqiptarëve në bashkëqeverisje,zhduket zëri i tyre kundërshtar (opozitar) me rastin e kërkesave dhe të drejtave të tyre.Në të vērtetë,përfitimi i disa posteve në qeveri,nuk është gjë tjetër veç shkëmbim për heshtje lidhur me gjendjen dhe problemet reale të shqiptarëve në Mal të Zi;
4. Në shumicën e rasteve,postet që iu ndahen shqiptarëve kanë karakter formal dhe si të tilla nuk kanë fuqi vendim-marrëse sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi.Si gjithëherë,në këtë shtet politika udhëhiqet nga qendra dhe vendimet merrën vetëm nga pozita e mbrojtjes së interesit të partisë në pushtet ; dhe
5. Ishin vetë këto subjekte politike shqiptare që deri deri sa ishin në opozitë,kohë pas kohe kritikonin partinë pjesëmarrëse të atëhershme në pushtet( UDSH-në) për bashkëqeverisje me PDS-në e Gjukanoviqit.Në fakt,ato disa herë kërkuan tërheqjen e UDSH-së nga pushteti qendror.Pjesëmarrja e kualicioneve fituese shqiptare në mandatin e tanishëm të Qeverisë së Malit tē Zi, është kundër parimeve dhe qëndrimeve të tyre të mëparshme, pra si e tillë është joparimore dhe kontradiktore.
Sa janë efektive marrëveshjet politike me Qeverinë?
Gatishmëria e kualicioneve fituese shqiptare ,të dalë nga zgjedhjet e 14 Tetorit të këtij viti ,për t’u bashkangjitur kualicionit qeveritar,dëshmoi përsëri se subjektet politike shqiptare, në përgjithësi, si prioritet të tyre kryesor kanë ate që të jenë pjesë e qeverisjes qendrore në Podgoricë.
Është me rëndësi të potencohet që kësaj rradhe, partia fituese në nivel qendror në Mal të Zi ( PDS-i) mund të kishte formuar shumicën parlamentare edhe pa ndihmën e partive (kualicioneve) shqiptare. Prandaj,kualicionet shqiptare sikurse u ngutën të bëjnë negociata me partinë në pushtet,duke mos patur fuqi negocuese. Kjo ndikoi që Platforma për veprim të përbashkët politik që u nënshkrua me këte rast në mes të
partive(kualicioneve) të pakicave dhe PDS -it të Gjukanoviqit, në përbërjen e fjalorit të vet të kenë një gjuhë të përgjithësuar dhe ofron shumë pak në aspektin konkret të realizimit të kërkesave të shqiptarëve. Për shembull,kërkesa për statusin e Komunës së Tuzit-Malësisë, me presion të Partisë Boshnjake,fillimisht u hoq nga Platforma e përbashkët politike dhe u zëvëndsua me termin “decentralizim”,fjalë që nënkupton bartjen e kompetencave nga pushteti qendror (në këte rast, nga Podgorica) deri te komunat lokale dhe ngritja e shkallës qeverisëse të tyre dhe një terminologji e tillë, domosdoshmërisht nuk nënkupton realizimin e Komunës së Tuzit.
Më vonë, në Aneks marrëveshjen mbi veprimin e përbashkët politik në mes Qeverisë se re të Malit të Zi dhe partisë Forca e Re Demokratike (të cilën kjo e fundit e bën publike me 3 Dhjetor 2012), në kontekstin e Komunës së Tuzit,thuhet se “është vërtetuar që së bashku do të bëhen përpjekje në përshpejtimin e procesit të themelimit të Komunës së Tuzit-Malësisë”. Pra, problemi është ku thuhet se “do të bëhën përpjekje…”. A nuk është bërë përpjekje tash në 20 vitet e fundit që të realizohet Komuna e Malësisë, por pa rezulltate?Pra,gjuha e përdorur në Aneks Platformë nuk e obligon palën tjetër (PSD-në) që medeomos dhe seriozisht të merret me realizimin e çështjes së Komunës.
Përkujtojmë lexuesit se në vitin 1997,gjithashtu u arrit një marrëveshje e ngjajshme në mes të faktorit të atëhershëm politik shqiptar dhe Qeverisë malazeze e cila u quajt ” Marrëveshja mbi parimet minimale për zhvillimin e infastrukturës demokratike në Mal të Zi”, me përbërje prej pesë pikash ku në mes të tjerash pika 1(c) bën fjalë për organizimin teritorial të Malit të Zi në kuptimin e themelimit të komunave të reja dhe “decentralizimin e pushtetit”, përsëri pa përmendur konkretisht me emër Komunën e Malësisë!? Që nga ajo kohë disa vendbanime me popullsi sllave themeluan Komunat e veta kurse Malësia që nga viti 2006 është Komunë e ashtuquajtur urbane e Podgoricës,çka do të thotë entitet me të drejta dhe ingjerenca të cunguara.
Nga përvoja e së kaluarës politike mund të nxirrën mësime se fjalori i paqartë dhe jo konkret me rastin e përpilimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dhe dokumenteve të tjera politike me palën qeveritare,len hapësirë për manipulime dhe keq-interpretime të ndryshme. Gjithashtu, me rastin e nënshkrimeve të dokumenteve të ndryshme me Qeverinë e Malit të Zi, duke përfshirë edhe Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare, do të ishte e udhës që të bëhen në prezencën e palës së tretë,mundësisht asaj ndërkombëtare me qëllim të përfitimit të garancisë së implementimit të tyre.
Megjithate,në arenën politike, katër vitet e ardhshme do të jenë sprovë e aftësisë së dy kualicioneve shqiptare si subjekte të reja bashkëqeverisëse,në aspektin e ballafaqimit me sfidat e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
New York
21 Dhjetor 2012