• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FTESË PËR PARTITË POLITIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI

July 25, 2020 by dgreca

-Koalicioni i Organizatave Shqiptaro Amerikane nga Mali i Zi ftojnë në takim të gjithë udhëheqësit e Partive Politike Shqiptare në Mal të Zi-

25 Korrik, 2020/
Alternativa Shqiptare- ASH
Forca E Re Demokratike- Forca
Levizja Qytetare Perspektiva- LQP
Lidhja Demokratike ne Mal te Zi- LDMZ
Lidhja Demokratike Shqiptare- LDSH
Partia Demokratike- PD
Partia Qendrore Shqiptare per Integrime- PQSHI
Unioni Demokratik i Shqiptar- UDSH
Unioni i Tuzit- UT
Te Nderuar Udhëheqës të Partive Politike Shqiptare në Mal të Zi,
Ne përfaqësuesit e Koalicionit te Organizatave te Komunitetit Shqiptar ne Amerike me prejardhje nga Mali i Zi, Ju ftojmë të merrni pjesë në një takim me ne nesër diten e diel 26 korrik 2020 në 19:00 me orën e Malit të Zi (ose 13:00 me orën e Nju Jork-ut).
Me poshtë janë detajet e takimit në Zoom; (detajet e takimit i’u janë dërguar paraprakisht të gjithë liderëve të subjekteve politike)
############ ########### ############### ############ #############
Presim përgjigjen tuaj.
E derguar me respekt nga,
Mark Gjonaj, NYC Councilmember
Albanian American Association Ulqini
Albanian American Community Association
Albanian American Cultural Foundation
Don Gjon Buzuku Association- Chicago
Don Gjon Buzuku Association- New York
Fondacioni Don Simon Filipaj
Fondacioni Plavë Guci
Illyrian Business Organization- IBO
Shoqata Ana e Malit
Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe- Michigan
Shoqata Koja Association
Shoqata Kraja
Shoqata Malësia e Madhe- New York
Trieshi Humanitarian fund
c/o Albanian American Community Association, 1740 Hone Ave Bronx NY 10461, Tel; 917-679-9300, Email; info@albanianamericancommunity.com

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ftese, Koalicioni Shqiptaro-amerikan, ne Mal te zi, Partive

KOALICIONI I ORGANIZATAVE TE KOMUNITETIT SHQIPTAR NE SHBA,THIRRJE PARTIVE SHQIPTARE PER ZGJEDHJET E 30 GUSHTIT: UNIFIKOHUNI!

July 21, 2020 by dgreca

Alternativa Shqiptare- ASH
Forca E Re Demokratike- Forca
Levizja Qytetare Perspektiva- LQP
Lidhja Demokratike ne Mal te Zi- LDMZ
Lidhja Demokratike Shqiptare- LDSH
Partia Demokratike- PD
Partia Qendrore Shqiptare per Integrime- PQSHI Unioni Demokratik i Shqiptar- UDSH
Unioni i Tuzit- UT /

Te Nderuar Udheheqes te Partive Politike Shqiptare ne Mal te Zi,
Ne përfaqësuesit e Koalicionit te Organizatave te Komunitetit Shqiptar ne Amerike me prejardhje nga Mali i Zi, jemi të vetëdijshëm për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të shqiptareve në Mal të Zi, me përgjegjësi për të tashmen dhe të ardhmen, me vendosmëri për të bashkuar të gjitha forcat intelektuale, akademike dhe shoqërore brenda dhe jashtë vendit për të avancuar pozitën e shqiptarëve; ne frymën e respektit dhe bashkëjetesës fetare dhe zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor; duke besuar se bashkimi i faktorit politik shqiptar do të kontriboje në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në këto treva; me e bindjen e thellë se përgjegjësia kombëtare dhe bashkëpunimi jane vlera të paçmueshme për avancimin e të drejtave tona si popull autokton ne keto troje:
I bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar të mbështesë dhe miratojë një platformë dhe një listë të vetme bashkëpunimi me qëllimin final atë të unifikimit dhe përfaqësimit të përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të 30 gushtit.
Ne po percjellim me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit politike dhe sjelljen e disa subjekteve politike shqiptare, të cilat edhe njëherë po dëshmojnë se interesat e ngushta personale qëndrojnë mbi vullnetin e popullit shqiptar. Keto subjekte politike po abuzojnë sërish me mbështetjen e sinqertë të elektoratit shqiptar, duke zhvlerësuar interesat
kombëtare, duke kompromentuar vullnetin e këtij elektorati dhe duke i mohuar zgjedhësit shqiptar votimim e nje liste të unifikuar zgjedhore, e cila do të maksimizoje votën shqiptare dhe do të forcoje zërin e shqiptarëve në Kuvendin e Malit te Zi.
Sidoqoftë, kësaj radhe, përgjegjësi të veçantë do të mbajnë partitë politike dhe udheheqesia e tyre që do të pengojnë procesin e bashkimit të shqiptarëve në një listë të vetme. Tani është koha për t’u sjellë si një faktor i vetëm politik sepse rezultati i ketyre zgjedhjeve do të kete rendesi themelore dhe historike për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi ne planin afatgjatë.
Ndaj ne u bëjme thirrje të gjitha partive politike shqiptare dhe udheheqesive te tyre për të garuar me një listë dhe program të vetëm në zgjedhjet e ardhshme, duke lënë mënjanë çdo interes partiak, ose përfitim personal.
Ne vlerësojmë përpjekjet e deritanishme te shtetit shqiptar për bashkimin e faktoreve politike dhe inkurajojme vazhdimin e ndermjetesimit te tyre per nje liste te vetme.
Ne do të reagojme fuqishëm kundër çdo pengese për lidhjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të subjekteve politike shqiptare që do te zgjedhin një rrugë tjetër, ndërkaq, ata do të mbajnë përgjegjësi kombëtare, ashtu sikurse edhe publike.
Këto zgjedhje kanë një peshë historike ndaj secila parti politike dhe udheheqesia e tyre duhet të shfaqë gatishmërinë për bashkëpunim, vetëdije kombëtare dhe përgjegjësinë e nevojshme para shqiptareve. Çdo alternativë tjetër do të tregojë qartazi se kushdo që nuk i bashkohet listës së përbashkët, nuk ka asnjë lidhje as me shqetësimet e përditshme të shqiptarëve në Mal të Zi, as me mbrojtjen e interesave kombetare.
Nese ju beni detyren tuaj si te zgjedhur te popullit, atehere ne do te bejme detyren tone me ndikimin qe kemi, t’ju mbeshtesim si Nje Liste të Vetme!
Ju falenderojme sinqerisht per konsideraten.
E derguar me respekt nga,
Mark Gjonaj, NYC Councilmember
Albanian American Association Ulqini Albanian American Community Association Albanian American Cultural Foundation
Don Gjon Buzuku Association- Chicago
Don Gjon Buzuku Association- New York Fondacioni Don Simon Filipaj
Fondacioni Lukaj
Fondacioni Plave Guci
Illyrian Business Organization- IBO
Shoqata Ana e Malit
Shoqata Atdhetare Malesia e Madhe- Michigan Shoqata Koja Association
Shoqata Kraja
Shoqata Malesia e Madhe- New York
Trieshi Humanitarian Fund

Filed Under: Komunitet Tagged With: Koalicioni I organizatave, ne Mal te zi, Thirrje Partive

ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP NË MAL TË ZI

January 14, 2019 by dgreca

1-Nail-Draga.JPG-300x143ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP NË MAL TË ZI (1916-1918)

 Nga Dr.Nail Draga/

 1.Hyrje/

Për opinionin  e gjerë është   e njohur se pas vendimve të Kongresit të Berlinit(1878) vise dhe vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Një veprim i tillë ngjau edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1912/13), sepse   kufiri i Malit të Zi u zgjerua nga lindja duke aneksuar territore të reja të cilat ishin të banuara  popullsi shqiptare. Me rastin  e vendosjes së administrimit të ri pushteti malazias çështje parësore kishte ndryshimin e strukturës etnike të  popullsisë, duke marrë parasysh së shqiptarët ishin homogjen në viset e tyre autoktone. Andaj për  t ia arritur qellimit pushteti aktivizoi dy metoda: kolonizimin  e viseve dhe vendbanimeve shqiptare si dhe asimilimin përmes arsimimit në gjuhën sllave. Të vetëdijshmëm për rrethanat e krijuara shqiptarët  u përpoqen të rezistojnë sa kishin mundësi, por një numër i konsideruar i tyre u shpërngulën duke u vendosur në Shqipëri, e ate kryesisht në Shkodër. Por, në rrethana të reja gjatë Luftës së Parë Botërore në viset shqiptare në Mal të Zi Monarkia Austro-Hungareze, hapi shkollat e para në gjuhën shqipe. Ishte ky një veprim përfid i pushtetit për të fituar simpatinë e shqiptarëve, që pati jehonë pozitive në aspektin arsimor, kulturor e kombëtar, sepse në shkollat e hapura nga Ulqini e deri në Rozhajë, tingëllojë bukur gjuha shqipe si asnjëher  më parë. Një veprim, i tillë për  shqiptarët nuk ishte befasi duke marrë parasysh rolin vendimtar të Monarkisë Austro-Hungareze në Pavarësinë e Shqipërisë.

Përveç literaturës  së konsultuar po ashtu si burim të veçantë kemi edhe gazetën ”Posta e Shqypnies”(1916-1918) e cila dilte në Shkodër, me kryeredaktor P.Gjergj Fishtën, që ka përcjellur me kujdes ngjarjet e ndryshme e në veçanti ato arsimore gjatë kësaj kohe tek shqiptarët në Mal të Zi.

 2.Interesimi i Austrisë për shqiptarët

 Ndikimi i austriak në Shqipëri  ishte i lidhur edhe me të drejtën  e mbrojës së kultit dhe të kishëssë krishterë në Perandorinë Osmane, të siguruar me një sërë traktatesh  ndërkombëtare. Duke filluar nga Paqa e vitit  1615, e nënshkruar në mes Perandorit Matie e Sulltan Ahmetit të II,   duke vazhduar nëto të viteve 1681, 1699, 1718, 1739, 1791, mori përvijim ajo qe njihet si politika e Kultusprotektoratit. Perandoria Austro-Hungareze kishte të drejtën e kontrollit të zbatimit të këtyre trakteve dhe me 1837 Papa ia kaloi Austrisë mbrojtjen e të drejtave të katolicizmit  në Shqipëri. Në kuadrin e kultusprotektratit, Vjena zhvilloi një veprimtari të gjerë  kulturo-arsimore, shkencore, fetare dhe propogandistike.

Politika arsimore austriake dhe rritja e ndikimit të saj ë zhvillimet arsimore e kulturore ndër disa kombësi, është e lidhur  dhe e ndihmuar edhe nga disa dispozita ligjore të Qeverisë së  Vjenës. Në vit1848 ajo hartoi ligjin, sipas të cilit “…në shkollat fillore fëmijët duhet të mësohen në gjuhën e tyre amtare”.Një gjë e tillë u përforcuaa me dispozitat ligjore të vitit 1849.

Kurse neni 17 i ligjit shtetëror austriak i datës 21.12. 1867 për problemet e arsimit, theksonte se “çdo kombësi ka të drejtë të ruaj dhe kultivojë individualitetin e vet kombëtar dhe gjuhën e vet popullore” dhe se “ në këto vise ku disa kombësi jetojnë së bashku, shkollat duhen rregulluar në atë mënyrë që në to të kultivohet edhe gjuha e kombësisë tjetër”.

Edhe pas krijimit të Perandorisë Austro-Hungareze, më 14 nëntor 1868, në disa dispozita ligjore, si ajo  evitit 1876, trajtohet çështja e arsimit dhe e të drejtave të pakicave kombëtare. Ndikimi kulturor austriak ndër shqiptarët dhe në Evropën lindore është i lidhur edhe me lëvizjen “Mbi autonominë  kulturore kombëtare”,mjaft e përhapur para Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj teorie, kombësitë e ndryshme në territorin e një shteti duhet të formojnë lidhjet e tyre kombëtare, të cilat duhet të përqëndroheshin në çështjet kulturore dhe zhvillimit arsimore e të kulturës austriake, por njëheri, ka ndihmuar edhe në zhvillimet e kulturës kombëtare të kombësive të tjera.

Në kuadrin e  kësaj politike dhe këtyre synimeve Austro-Hungaria  e përqëndroi vëmendjen në ndërtimin, rindërtimi  mirëmbajtjen e kishave e përgatitje  të klerit katolik në hapjen e shkollave për shqiptarët. Deri në shpalljen e Pavarësisë Austro-Hungaria vetëm në Vilajetin e Shkodrës subvenciononte 47 shkolla fillore nga të cilat 10 femërore.

Por, rrethanat zhvillimit arsimor në periudhën 1916-1918, nuk duhet t shpjegohen vetëm me shkaqe fetare e kulturore, sepse rol primar kanë pasur  faktorët ekonomikë, politikë e ushtarakë. Austro-Hungaria  ishte e interesuar për të siguruar rrugën detare të adriatikut, për të hedhur një këmbë të sigurtë për zgjerimin në Ballkan e drejt  Lindjes. Zhvillimet luftarake ia kërkonin që të kishte siguri e qetësi në prapavijë, dhe mundësisht, të  tërhiqte shqiptarët në luftë përkrah vetes.

Prandaj,  zhvillimet arsimore në periudhën 1916-1918 janë nga njëra anë, shprehje e synimeve politike, ushtarake, fetare e kulturore të monarkisë Austro-Hungareze dhe, nga aana tjetër, shprehje e dëshirave dhe e kërkesave të popullit shqiptar që të shkollohet në gjuhën e vet amtare.

3.Hapja e shkollave në gjuhën shqipe(1916-1918)

Në janar të vitit 1916 Austro-Hungaria  e okupon Malin e Zi. Pas vendosjes së pushtetit të tyre administrativ,  shqiptarët njohën disa liri qe i kishin të mohura  nga ana e Malit të Zi si: përdorim e flamurit kombëtar, pjesëmarrjen në administratën civile lokale, arsimimin në gjuhën shqipe etj.

Me kërkesat e popullatës shqiptare dhe me interesimin e komandave ushtarake austro-hungareze, filluan të hapën shkollat në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqini në jug e deri në Plavë në veri(Ulqin, Salç, Ljare,Tuz, Dinoshë, Priftën, Triesh, Arzë, Plavë, Vuthaj,  Martinaj dhe Rozhajë ).Deri në fund  të qershorit të vitit 1917, funksionuan 23 shkolla në gjuhën shqipe.(Posta e Shqypnies, nr.67, 28.7.1917, f.4).

Komanda austro-hungareze urdhëron që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha ato vende ku gjenden shqiptarë, në mënyrë, siç shkruante shtypi, “qi shqyptarët të mbesin shqyptarë e kurgja tjetër”(Posta e Shqypnies, nr.57, 23.6.1917 f.4)

Nuk ka dilemë së për të hapur shkolla në gjuhën shqipe, përveç lokaleve, mjeteve shkollore e teksteve mësimore, mungonin edhe mësuesit. Këtu duhet shtuar edhe problemet ekonomike,  por ishte dëshira për të sfiduar rrethanat e kohës, ku shkolla shqipe bëri hapat e para.

Në këto rrethana për të siguruar mësues komanda austro-hungareze mobilizoi arbneshet e Zarës, të cilët i vuri para alternativës:”O ushtar në front, o mësues   në shkollat shqipe në Mal të Zi”. Shumë prej tyre  pranuan detyrën e mësuesit ku punuan më shumë pasion, duke lënë emër të mirë në kujtesën e nxënësve dhe të prindërve si: Kristo Peroviqi(që njëherit kryente detyrën e inspektorit në shkollat shqipe), Josip Rela, Zef Duka, Nikollë Peroviqi, Stjepan Moroviqi, Mirash  Kërstiqi, Vladimir Kërstiqi, motër Eleonora Moroviqi.

Në disa shkolla ka pasur edhe mësues vendi sikurse ishin Gjon Gjekë Lucajdhe Kolë Prelokë Gegajnga Trieshi, të cilët kanë qenë të angazhuar në Malësi. Po ashtu duhet cekur edhe angazhimin e priftërve në procesin mësimor sikurse ishin padër Jak Salçi  në Ulqin e Salç, famullitari Pjetër Angelio Gaudio  në Ljare i lindur në Itali, por e fliste mirë gjuhën shqipe,  si dhe  Luigj Bushati nga Shkodra i cili ishte  meshtari i kishës së Traboinit në Malësi të Madhe. Ndërsa në Rozhajë mësimin e ka zhvilluar një shqiptar që ishte në shërbimin  ushtarak austriak i lindur në Drenicë.

Në këtë kohë transferimi i mësuesve prej një shkolle në tjetrën ka qenë dukuri e zakonshme. Për  shëmbëll Josip V. Rela ka punuar në Arzë, Guci dhe në shkolla të tjera. Dukuri e ngjashme ka qenë edhe me mësuesit e tjerë.

Përmbajtja e  mësimit ka qenë: leximi, shkrimi, gramatika(prej klasës së dytë), aritmetika, historia, dituri natyre, gjeegrafia, vizatimi, punëdore, kënga dhe besimi.

Nxënësit nuk kishin abetare, fletore, lapsa, libra të tjerë për kryerjen e detyrave shkollore dhe shtëpiake. Pajisja me mjete mësimore ka qenë punë e vështirë. Për furnizimin  e shkollave dhe të nxënësve me mjete mësimore meritë të madhe kanë pasur mësuesit e tyre, por u kanë dhënë ndihmë të madhe  edhe Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi  e të tjerë.

Nxënësit ndiqnin rregullisht shkollën, dhe e kishin të siguruar një shujtë në ditë. Ndërsa, nxënësit e varfër kishin të siguruar  falas fletoret dhe lapsat.

Mësuesit e këtyre shkollave me angazhimin në procesin mësimor  si dhe  me sjellje ndaj nxënësve e prindërve të tyre gëzonin autoritet të madh.

Eshtë më rëndësi të cekët me ketë rast kontributi i një mësuesi vendas, i cili i përkiste periudhës së Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Fjala  është për mësuesin e nderuar  Gjon Gjekë Lucaj, i cili ka mbetur ekzemplar i përkushtimit arsimor dhe kombëtar në Malësi dhe më gjerë.

Bëhët fjalë pikërisht  për vitin shkollor 1917/18  që është vit historik për banorët e Malësisë përkatësisht të  fshatit Dinoshë(Grudë), sepse atë vit Gjon Lucaj  për herë të parë çelë shkollën shqipe në Dinoshë dhe zhvilloi mësimin një vit shkollor. Mësimin e zhvillonte në godinë private, në kushte tejet të vështira. Godina nuk kishte kushte elementare higjienike e pedagogjike për zhvillimin e mësimit. Por, me inisiativën  e mësuesit të shkathtë dhe të popullit të etshëm për shkollë, kushtet përmirësohen sadopak dhe mësimi zhvillohej rregullisht.

Mësuesi i zellshëm  u mësonte nxënësve  këto lëndë: gjuhë amtare, histori, gjeografi, artimetikë, muzikë etj. Meritë e posaçme e Gjonit është se pasuroi përmbajtjën e mësimit të gjuhës amtare, të historisë, të gjeografisë, muzikës me frymën patriotike në procesin mësimor dhe aktivitetet jashtëshkollore në periudhën 1916-1918. Duhet të  theksohet se Gjoni çmonte të gjitha lëndet mësimore, por më përparësi   ishin ato të cilat ofronin më shumë përmbajtje për rritjen e patriotizmit.

4.Gazeta ”Posta e Shqypnies” për shkollën shqipe

Të dhëna  në lidhje me procesin arsimor në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, siç kem i cekur më lartë na ofron gazeta ”Posta e Shqypnies”(1916-1918), e cila ka dalë në Shkodër nën drejtimin e  kryeredaktorit  P. Gjergj Fishtën. Ne me këtë rast po paraqesim fragmente të cilat janë me interes për të kuptuar rrethanat e kohës kur kanë vepruar këto shkolla në viset shqiptare.

Me mjaft interes është shkrimi  me titull “Shkolla shqype n‘Ulqin”ku në mes të tjerashshkruhet:

 “  Nji mik i joni na shkruen prej Ulqinit: Me 17 t’ Frorit mrrina ktu n’ Ulqin, ku, por saa dola prejë karrocet, m’ rrethuen nji tubë djelmnië bashkatdhetarë, prejë  t’ cillve u ndië brohoria: rrnoftë Austro-Hungaria! rrnoftë Shqypnia! njaq qi mue   m’u lkund zemra prejë gzimit, kahë shifshe gazmendin e tyne per lirië e dashtnië per atdhee. N’e nesret dola neper gjytet, gjithkund m’raa me vuu n’oroë nji entuzjazm t’ vertetë per jetë t’ ree qi kaa zanë fill per ket popull, i cili mjeroj per 40 vjet  n’ robniët Malitzii. Por gzimi i em maa i madhi kje m’ atëherë, kur fati i bardhë  m’qiti me u ndeshë m’ Drejtorin e shkollës s’ gjytetit, Z.Kristo Peroviq, qi asht nji Shqyptaar prejë Boro Erizzo nget Zadret. Mas dishirit t’ em, z.Drejtori me nji herë m’ prini e m’ çoj me paa  shkollen, e u gzova në shpiirt, tujë u vertetue me syy t’ mii se msimi epej krejt n’ gjuhë shkype. Kush e kishte mendue para ksajë vjete, se n’ Ulqin mund do t’ vehej  kurr gjuha shqype per gjuhë msimi nder shkolla t’ Ulqinit!

Nuk ka dilemë se ky ishte një moment emocional, duke marrë parasysh se shkolla shqipe në Ulqin filloi punën me 1 shtator 1916. Ndërsa më pas shkruan se“ punë qi m’ raa  me paa e ndië n’ at shkollë, ndieva edhe kto vjerrsha prejë nji vajzet gjashtë vjeç, qujtun emnit Mahmude:

Zot i dashtun, qi per fmië,

Kee dishmue gjithmonë  dashtnië

Epna die e mend të holla

Qi t’ jetojëm si na mson shkolla.

 

Dhe në fund shkruhet se:Tujë ndië kta vjerrsha, thashë me vedi: masi ky fmië lutka Perendiën, qi me i dhanë die e mend per me jetue si mson shkolla, paa dyshim se, tujë këë qi  n’ Ulqin shkolla bahet shqyp, edhe ajo do t’ dalë shqyptare; pse n’ shkollë trajtohet karakteri i nierit. Per ket  arrsy, prap po tham se Shqyptarët e vertetë do t’ ja u dijnë per nderë ket perparim t’ shkollës të Ulqinit z.Majorit Kroboth e z. Dr. Kristo Pero, t’ cilit aq mirë i kan kuptue nevojët e vendit, edhe po dijnë me i vue si e lypë arrsyja.

”(Posta e Shqypnies”, nr.27, 10.3.1917)

Për hapjen  e shkollës në Plavë kemi një letër në  cilën thuhet:

 “Qe se edhe per ne erdh çasti qi aq fort patem pritë e dishrue. Neper kujdes t’ qeverisë s’ përgjithtë ushtarake, na kje çue edhe neeper msues shkollet nji shqyptaar i rii Z.S.Krstiq, i cili, me 30 t’ prillit, na çili shkollen. Se saa i madh kje, per ket rasë t’ bukur, gzimi  i  gjith katundit t’ onë, mujt  m’ u paa, maa mirë se kurr, m’ at nade n’t’ cillen u mush shkolla me njata fmi t’ cillet e kishin me detyrë-detyrë aq shejte,- me ndjekë msimet. Gzimi i jonë, porsi prind qi jena, kjeedhe fort maa i madh, kur ndime  msuesin se u nepte fmive  t’onë msim m’ t’amlen e t’ dashtunen gjuhen t’ onë gjuhen shqype. Fmiet e vogjel, por nder ta janë disaa edhe t’ rritun, shkojën në shkollë me gzim, si me gzim mundohena edhe na veë me i çue, sado qi  n’ kto kohë t’ ngushta kishin me mujtë me i shtii n’ punë, e me dobië t’ madhe, edhe tu shpia.

Për shkollë, per ket bekim shejt na perket t’ gjithve m’ u munduederi ku t’ mundena e m’ u shkrii, masi gm maa t’ madh nuk mujtem me ndie zemrat t’ona, se tujë paa qi fmiët t’ onë po kan rasë m’ u msue n’ gjuhë t’ parve  t’ onë.”(Posta e Shqypnies”, nr.52, 6.6.1917)

Në lidhje me  funksionimin e shkollave në Malësi të Madheshtypi kohës ne mes tjerash jep edhe ketë informacion:

“Kto shkolla shqyptare t’ Malciës s’ Madhe, si gjithkund njeti, janë myllë per  kta dy muej veer. Por para se me u myllë, Komandari  i Becirkut, Dr. Bugo Peternell, desht me u gjetë vetë nder sprovime, per me paa perparimin qi kishin baa fmia e shkollës s’ Tuzit e t’ Traboinit, e cila kjo vetem, kaa 50 zansa. Prejë  sprovimesh  u duk se fmia kishin perparue mirë fort nder kndime, njaq qi Berci komandanti met fort i kondenuem, e u pergzue me Famullitar t’ Traboinit, fort t’ Ndertin A. Luigj Bushatin, msuesin e asajë shkolle, si edhe me t’ Ndertin zotnië Msues t’ shkollës s’Tuzit-nji Shqyptaar prejë Borgo Erizzo nget Zaret-per kujdes qi kishin  pasë per msim  t’ fmivet. E na gzohëna n’ nji mndyrë t’ posaçme  me z. Becir komandantin qi aq interesë t’ madhe kaaa diftue er msim e gjytetnim t’ bijvet t’ komit t’ onë; pse si e diim, ky zotnië, per me baa qi fmia t’ ndjekin edhe maa me zell e cenë shkollen, per gjith ditë u kaa qitë buken e mjesditës tujë u diftue n’ ket mndyrë dyy herë bamirsi i tyne: per msim e zhdrivillim t’ mendes e per t’ majtiun t’ jetës”.(Posta e Shqypnies”, nr.57, 26.6.1917, f.4)

Gazeta “Posta e Shqypnies” njofton se më datën 8 qershor 1918, nxënësit e qytetit të Ulqinit dhanë provimet e fundit të vitit ku morën pjesë shumë zotërinj, zyrtarë, ushtarë e civila dhe shumë zonja të nderuara. Pas provimeve,  “Një kangë shqipe këndue nji zanit prej xansavet shqiptar, gzoj zemrat e gjithë atyre që dishrojnë përparimin e kombit shqiptar”(Posta e Shypnies, nr.53, 19.6.1918).

Bëhet më dije se në shumë raste në ceremonitë e mbylljes së vitit  shkollor merrnin pjesë komandantët e zonave  ku ishin shkollat. Komandatëti ushtarak i Malësisë së madhe, dr. Hugo Peternell pasi mori pjesë në provimet r zhvilluara në shkollat e Tuzit e Traboinit, mbet tepër i kënaqur se”kishin përparue mirë fort nëdr këndime”(Po aty, nr. 57, datë 23.6.1917).

  1. Ndërprerja e punës së shkollave shqipe

Me kapitullimin e Austro-Hungarisë ndërpritet puna e shkollave shqipe  në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi si në Dinoshë, Priftën, Tuz, Arzë, Triesh, Ulqin, Ljare, Plavë, Guci, Vuthaj, Martinaj e Rozhajë.

Nga të dhënat e publikuara  në  lidhje me ketë periudhë kohore del qartë  se shkollën shqipe shqiptarët  e kanë mbeshtetur sepse ajo ishte risi sepse për të parën herë mësohej në gjuhën amtare, me përmbajtje e program mësimor, për historinë e gjeografinë dhe muzikën kombëtare. Pra ishte e kundërta që mësohej në gjuhën sllave-serbe, sepse aty mësohej vetëm për sllavet që ishin të huaja dhe të imponuara për shqiptarët.

Në një stuatë   të tillë mësuesit  e këtyre shkollave gëzonin autoritet të madh,  andaj kanë pasur mbeshtetje të madhe nga prindërit e nxënësve dhe popullata vendore.

Ndërsa pas vitit 1918 për shqiptarët e këtyre viseve vijnë kohëra të vështira, sepse vazhdon politika e pabarazisë paraktike ekonomike e shoqërore, përkatësisht ajo  asimiluese e sllavizuese, duke mos lejuar arsimimin në gjuhën shqipe. Ishte kjo koha e hegjemonizmit të  Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, që më vonë quhet me emrin Jugosllavi, e cila zgjati deri në fillimin e Luftës së  Dytë Botërore(1941-1944), ku përseri  në këtë kohë okupatorët italian  i hapin shkollat më mësim në gjuhën shqipe, çështje kjo e cila meriton trajtim të veçantë.

6.Përfundim

Ndonëse në kushte të vështira shoqërore-ekonomike, pa mjete mësimore e tekste shkollore, pa infrastrukturë shkollore adekuate, ishte pasioni i mësuesve të cilët nuk kursyen asgjë për të arritur qellimin e misonit të tyre  që ishte arsimimi i shqiptarëve  duke iu mësuar për të parën herë  lexim e shkrim  në gjuhën shqipe.

Ne rrethana të tilla nuk ka dilemë së ishte dashuria e madhe për  gjuhën shqipe nga ana e  prindërve dhe nxënësve shqiptarë  që sfidoi rrethanat e kohës. Ndonëse këto shkolla punuan një kohë të shkurtër pa dyshim ishte ky një kontribut më vlerë  për arsimin e shqiptarëve dhe zgjimin e dashurisë për gjuhën shqipe, kulturën  dhe historinë e popullit shqiptar. Andaj koha e Austro-Hungarisë dhe e mësuesve të angazhuar në procesin mësimor në shkollat në gjuhën shqipe do të kujtohen përherë me admirim, sepse ata vuan gurthemelin e parë të mësimit në gjuhën e bukur shqipe, në viset shqiptare në Mal të Zi.

 

 

 

 

 

 

Literatura konsultuar:

1.Vehbi Hoti,Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, Botoi:”Camaj-Pipa”, Shkodër 2002

2.Prof. dr. Vehbi Hoti, Aspekte të zhvillimit të arsimit shqip në Ulqin dhe në trevat  e tjera në Mal të Zi në periudhën e Luftës së Parë Botërore, nëUlqini në rrjedhat e kohës, Botoi:ART CLUB, Ulqin 2000

  1. Dr.Palokë Berishaj,Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi deri në vitin 1918, KOHA 5-6/1985
  2. Dr.Palokë Gj.Berishaj,Gjoni e Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës,Botoi:Shoqata Nikollë Ivanaj, Tuz 2003, f.62-62.
  3. Dr.Palokë Berisha,Zhvillimi i shkollës dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878-1988, Botoi: ART CLUB, Ulqin, 1997
  4. Gazeta“Posta e Shqypnies”,Shkodër (1916-1918)
  5. Elmaz B.Plava,Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare(Kujtime dhe dokumente historike),Botoi: Marin Barleti, Tiranë 2002
  6. Hasan I. Gjonbalaj,Paria e Krahinës së Plavës dhe Gucisë(1878-1945),Botoi:Drenusha, Prishtinë, 2009
  7. Nail Draga,Shqiptarët në Mal të Zi,Botoi: Art Club, Ulqin, 1994
  8. M.Sirdani,Për historinë kombëtare,Hylli i Dritës, nr.5, Shkodër, 1936
  9. Haxhi Lajçi,Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov(Malësia e Rozhajës) 1943-2013, Rozhajë 2014
  10. Eleni Kocaqi, Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar,Botoi”Emal”, Tiranë, 2012

Filed Under: Opinion Tagged With: 1916-1918, Nail Draga, ne Mal te zi, ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP

INTEGRIMI DHE IDENTITETI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

June 30, 2018 by dgreca

Çështja e integrimit është bërë dukuri e përditshme në takimet e ndryshme bilaterale dhe multilaterale në mes përfaqësuesve  politikë të vendeve të Ballkanit perëndimor tash disa dekada, duke qenë një nder temat parësore e agjendave të takimeve, me qellim për  të amortizuar animozitetet dhe paragjykimet nga e kaluara e largët dhe ajo e afërt të popujt e këtij regjioni,  pasojat e të cilave janë të pranishme edhe në ditët tona. Nga ky aspekt popujt e ndarë në mjediset multinacionale përballohen me sfida jetësore për të  mbrojtur identitetin e tyre, sepse integrimi si  retorikë bashkëkohore  shpesh herë  kamuflohet me konceptin e kosmopolitizmit përkatësisht të globalizmit.1 Nail Draga

Dr.Nail  Draga/

1.Integrimi europian – përmbushja e kritereve

Në lidhje me  procesin e integrimit  pushteti aktual është duke u treguar kooperativ ne lidhje me këtë çështje, sepse aspiratat qeveritare janë për tu bërë pjesë e bashkësisë europiane. Eshtë çështje tjetër se sa kanë kapacitet kadrovik strukturat e veçanta qeveritare dhe gadishmëri me u ballafaquar me kërkesat për reforma të ekzekutivit konformë standardëve europiane. Nga ana tjetër nga subjektet opozitare e sidomos nga shoqëria civile  theksojnë se mungon dinamika e reformave të ekzekutivit si pasojë e rezistencës së vet pushtetit.

Por, duhet theksuar se në vlerësimet  Komisioni Evropian(KE)  janë  pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.Ndonëse Mali i Zi i ka filluar negocimet që nga qershori i vitit 2012, nga tridhjetë kapituj të obligueshëm deri me tashi ka mbyllur vetem   tre prej tyre që ka te shtruar për bisedime  nga del se në Mal të Zi   mbetet shumë punë   për të   arritur  harmonizimin me legjislaturën evropiane dhe në përmbushjen e kritereve.

2.Mungonintegrimi i  brendshëm

Nga ana tjetër, trajtimi i një çështjeje të tillë në mjediset multinacionale  paraqet dilema në lidhje me pozitën dhe statusin e popujve përkatës. Pikërisht ne ketë aspekt Mali i Zi është rast specifik jo vetëm për Europën Juglindore por edhe me gjerë sepse është vendi me multinacional, andaj ekzistojnë edhe sfida të veçanta.

Andaj krahas  trajtimit të çështjes së integrimit të Malit të Zi në strukturat europiane,  në mënyrë të veçantë duhet të trajtohet integrimi i brendshëm i popujve në këtë mjedis.Deri me tash nuk kemi pasur rast të degjojmë për ndonjë iniciativë të tillë, e cila është domosdoshme sepse kemi animozitet të theksuar nga pjesëtaret e popujve të ndryshëm. Fillimisht duhet të hapet debati në lidhje me këtë çështje e jo të vendosë shumica parlamentare për çështjet përkatëse pa konsultimin e miratimin nga ana e opozitës parlamentare. Vetëm përmes një debati konstruktiv do të eliminoheshin dilemat duke prezentuar avantazhet e  një procesi të tillë. Me një fjalë  integrimi i brendshëm  duhet të jetë  konformë standardëve europiane për mjediset multinacionale në lidhje mbi  barazinë qytetare e nacionale të popujve përkatës.Në rrethana të reja shoqërore, çështjet e tilla duhet të trajtohen me realizëm e jo me mentalitetin e monizmit, sepse pluralizmi ofron mundësi shumëplanëshe, por duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit.

Por, Mali i Zi është specifik për tërë regjionin sepse është i vetmi vend ku nuk është ndërruar pushteti nga miratimi i pluralizmit. Madje nëse e analizojmë me në detaje del se këtu pushteti nuk është ndërruar nga Lufta e Dytë Botërore, përkatësisht nga viti 1945, duke mbetur ekzemplar i llojit të vet në tërë hapësirën e vendeve të ish kampit socialist në Europën Juglindore. Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna, çështja e integrimit duhet te trajtohet me tërë kompleksitetin e vet në të gjitha fushat e veprimtarive shoqërore dhe ekonomike, që të jetë i pranueshëm për tërë qytetarët e këtij mjedisi.

3.Shqiptarët janë për integrim por me identitet

Në mozaikun nacional të popullsisë në Mal të Zi, shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje josllave, e dhënë kjo që i bën të veçantë nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse shqiptarët si popull autokton kanë identitetin e tyre të veçantë nga të tjerët, si nga gjuha, kultura, historia e tradita. Andaj duke marrë parasysh këto veçori, me të drejtë bëhët pyetja, se si qendron çështja e integrimit të shqiptarëve në këtë mjedis. Ndonëse një temë e tillë paraqet çështje të veçantë, jemi dëshmitarë se edhe në pluralizëm ekzistojnë vështirësi të natyrave të ndryshme sa i përket integrimit të tyre në Mal të Zi, nga fakti se këtu gjithnjë është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit.

Shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë në geto, përkundrazi ata dëshirojnë të integrohen, por me identitetin e tyre. Duke marrë parasysh se numërikisht janë pak, rreth 5% sipas statistikës zyrtare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, duhet një përkujdesje e veçantë nga strukturat e pushtetit qendror për të  mbrojtur identitetin kombëtar, e kjo ka të bëjë sidomos në fushën e arsimit, gjuhës, informimit, kulturës etj. Po ashtu përkujdesje duhet kushtuar  edhe në investime e punësim, konformë përqindjës së pjesëmarrjës në kuadër të popullsisë së përgjithshme. Por, përvoja e deritashme dëshmon se për ndryshime cilësore në këtë aspekt duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, e jo të dëgjojmë retorikë monotone që në shumë raste i ngjanë demagogjisë.

Mbrojtja  e identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk rrezikon askend në Mal të Zi, përveç individ apo subjekte të ndryshme politike e jo politike, të cilët vuajnë nga sindromi i hegjemonizmit.Vetëm duke mbrojtur identitetin e popujve të vegjël, përkatësisht popujve të ndarë, duke  mbrojtur  dhe valorizuar  trashëgiminë kulturore, si dëshmi e identitetit të tyre, Mali i Zi do të ishte në praktikë  shtet  demokratik multinacional sipas standardëve ndërkombëtare.

4.Integrimi i shqiptarëve në nivelin mbarëkombëtar

Me miratimin e pluralizmit me të drejt është pritur se pengesat ideologjike të së kaluarës  do të eliminohen dhe shqiptarët do të angazhohen për integrimin e tyre  mbarëkombëtar. Dhe një qasje të tillë kishin të gjithë shqiptarët, duke marrë parasysh se kemi përjetuar një periudhë ndarje dhe izolimi për pesë dekada, e cila ka lënë pasoja që janë të pranishme edhe në ditët tona. Dhe  s’ka  si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një popull të ndarë, me pamundësi komunikimi me shtetin amë. Pra kemi pasur të bëjmë me procesin e mbijetesës së shqiptarëve në Mal të Zi,  çështje kjo e cila meriton një studim të veçantë sociologjik.

Por,edhe pse janë bërë ca përpjekje në çështjet integruese mbarëkombëtare nga subjekte të ndryshme dhe shoqëria civile në këtë drejtim të arriturat janë minimale. Për ndryshime pozitive në këtë drejtim  bartës të këtij procesi duhet të jenë institucionet shtetërore nga shteti amë-Shqipëria, e po ashtu edhe  Kosova. Këtu kemi parasysh integrimin në fushën e kulturës, artit, arsimit, informimit, botimeve, turizmit etj., të cilat mund të realizohen duke mbeshtetur projekte përkatëse. Pasi integrimi mbarëkombëtar është koncept i gjerë, fillimisht janë këto fusha  ku duhet insistuar sepse janë në favor të identitetit tonë kombëtar.

Theksojmë më këtë rast pjesëmarrjen  e shqiptarëve nga Mali i Zi  në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër(2015) që është ndër veprimtaritë e rralla në nivelin mbarëkombëtar  me koordinim nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Veprimtari të ngjajshme duhet të organizohen nga institucionet shtetërore edhe në fushat e tjera ku duhet të ftohen shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike që është në favor të njohjes, këmbimit të përvojave e sidomos  të  bashkimit kulturor kombëtar.

Duke eliminuar paragjykimet e kaluara në pluralizëm  veprimtaritë e tilla mbarëkombëtare nuk cenojnë interesat e popujve të tjerë në Mal të Zi, por janë në favor të identitetit kombëtar të shqiptarëve e si të tilla në favor të konceptit multikulturor  si kudo në vendet demokratike europiane. Mbetet obligim moral, profesional dhe kombëtar që të angazhohemi në këtë drejtim  me të gjitha kapacitetet  sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(Qershor, 2018)

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE IDENTITETI I SHQIPTARËVE, DR. NAIL DRAGA, integrimi, ne Mal te zi

LIGJI PËR SIMBOLE KOMBËTARE NË MAL TË ZI

November 20, 2017 by dgreca

                       1 Nik Gashaj

Nga Nikë Gashaj/Në periudha të ndryshme historike flamuri shqiptar ka qenë i ndaluar në Mal të Zi, si për shembull pas demostratave të studentëve në Kosovë me 1981. Si problem është paraqitur përdorimi identik i flamurit shqiptar në Mal të Zi me flamurin e shtetit shqiptar. Mirëpo, jam i mëndimit se qendrimet të tilla janë të pa baza, sepse flamuri shqiptar ka cilësi të dyfishtë: është jo vetëm simbol shtetëror, por dhe simbol kombëtar, prandaj dhe të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në kohën e pluralizmit politik, që nga viti 1990, përsëri është lëjuar përdorimi i flamurit shqiptar në Mal të Zi, por ka pas raste të intervenimit të policisë dhe të ndalimit të përdorimit publik të flamurit shqiptar duke e konsideruar atë si flamur të shtetit të huaj.

Ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave ka qenë e angazhuar për hartimin e projekt ligjit të ri për zgjedhjen dhe përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave. Si antar i Grupit punues për hartimin e ligjit në fjalë, që në fillim të punës ua kam ndarë  antarëve të Grupit me shkrim propozimet e mia në lidhje me ligjin. Ndër të tjerat u kam shkrua: “Popujtë pakicë dhe bashkësitë tjera nacionale dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të përdorimit dhe qitjes së simboleve tradicionale kombëtare.

Simbolet nacionale të pjesëtarëve të popujëve pakicë ose të bashkësive të tjera  kombëtare pakicë të cilat mund të përdoren individualisht apo në bashkësi me të tjerët janë simbolet tradicionale  kombëtare të cilat janë përdorë deri me tani.

Simbolet e popujëve pakicë ose të bashkësive tjera nacionale pakicë nuk guxohen dhuntisht me i ndërrua, me ia imponua popullit pakicë  ose bashkësive nacionale pakicë dhe pjesëtarëve të tyre, as që guxohet që simbolet kombëtare të përdhosen.

Në njësin e vetëqeverisjes lokale në strukturën e popullatës së saj populli pakicë ose bashkësia nacionale pakicë të cilat bëjnë pjesë me më se 5%, simbolet e tyre kombëtare janë në përdorim publik.Simbolet kombëtare të popullit pakicë ose të bashkësisë nacionale pakicë të cilët në nivelin e komunës nuk e arrrijnë 5% në strukturën e popullësisë mund të jenë në përdorim publik në vendbanime ose në Bashkësi lokale në territorin e saj nëqoftë se në ato hapësira e arrijnë 15 përqindje të popullësisë”.Kjo ka qenë me rëndësi, përarsye se   5%  ua mundëson shqiptarëve përdorimin e flamurit kombëtar  në komuna: Ulqin, Tivar, Tuz, Plavë , Rozhajë dhe Guci. Propozimi i tillë është pranua nga Grupi punuas, nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, respektivisht nga Qeveria e Malit të Zi.

Më tutje kam shtua: Simbolet kombëtare në përdorim publik mund të qiten në ndërtesat dhe hapësirat e vetëqeverijses lokale, të ndërmarrjeve dhe të institucioneve publike, gjatë festave shtetërore dhe të festave të pakicës kombëtare ose të bashkësisë tjetër nacionale kombëtare.

Përdorimi privat i simboleve kombëtare  të popullit pakicë ose të bashkësisë nacionale pakicë dhe të pjesëtarëve të tyre në njësitë e vetëqeverisjeve lokale është i lirë. Prandaj dhe të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në përdorimin privat, simbolet e popullit pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë mund të përdoren e të qiten dhe pa flamur shtetëror.Njësitë e bashkësive lokale në të cilat jetojnë popujtë pakicë ose bashkësitë tjera nacionale pakicë janë të detyruara që me statatutet e veta  më detajisht ta rregullojnë çështjen e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare, në pajtim me ligjin”.

Puna e Grupit punues në hartimin e ligjit për simbole kombëtare nuk ka qenë e lehtë. Natyrisht, se ka pasë dhe qendrime të ndryshme dhe polemika. Por më në fund Grupi punues me shumicë është dakordua dhe ka arrijtur rezultate pozitive në hartimin e projekt-ligjit.Qeveria e Malit të Zi e ka  përcaktua propozimin e ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe të qitjes publike të simboleve kombëtare. Përcaktimi i propozimit të ligjit  nga Qeveria e Mali të Zi, në esencë i përmbanë elementet pozitive të hartuara nga Grupi punues, sikurse janë: simbolet kombëtare konsiderohen ato simbole të cilat pjesëtarët e popujëve pakicë dhe të bashkësive tjera nacionale pakicë i përdorin për prezentimin dhe shprehjen e identitetit kombëtar (neni 2); simbolet kombëtare janë stema, flamuri dhe himni(neni 4); në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjestarët e popullit pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë e bëjnë shumicën e popullësisë, sipas rezultateve të fundit të regjistrimit të popullësisë, në ndërtesat të organeve të vetëqeverisjes lokale dhe të institucioneve publike themeluesi i të cilave është komuna, respektivisht shteti, vazhdimisht valvitet flamuri  i atij populli pakicë ose  të bashkësisë tjetër nacionale pakicë(neni 11); në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjestarët e popullit pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë  e bëjnë më shumë se 5% të popullësisë, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, në ditën e Festës të atij populli pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë, në ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale, qitet dhe flamuri i atij populli pakicë ose të të bashkësisë tjetër nacionale pakicë(neni 12); flamuri kombëtar i popujvë pakicë qitet dhe në hapësirat e klulbëve të deputetëve etj.

Etalonin e stemës  dhe të flamurit, si dhe shënimin për nota të himnit do ta përcaktoj me marrjen e vendimit Këshilli i popullit pakicë ose të bashkësisë nacionale pakicë.Pajtueshmërin për vendimin e Këshillit kombëtar e jep Qeveria e Malit të Zi.

Prandaj, për marrjen e vendimit të lartëpermendur ekziston përgjegjësia e Këshillit Kombëtar  të shqiptarëve në Mal të Zi në atë aspekt që Flamuri kombëtar të mos  pësoj ndryshime, por të përcaktohen për flamurin tradicional kombëtar shqiptar. Këshilli Kombëtar shqiptar, parasëgjithash duhet ta ketë parasysh Kushtetutën e Malit të Zi, neni 79, ku thuhet: pjesëtarëve të popujëve pakicë dhe të bashkësive tjera nacionale pakicë u garantohen të drejtat dhe liritë të cilat mund t’i shfrytëzojnë individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe qitjen publike të simboleve dhe në kremtimin e festave kombëtare (pika 2). Andaj, sipas kësaj dispozitë kushtetuese vetëm pakicat, prandaj dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë të drejtë me i përcaktua simbolet e veta kombëtare.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ligji, ne Mal te zi, Nik Gashaj, SIMBOLE KOMBËTARE

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT