Flet Z. Tahir Kolgjini/*
Të ndershme zonja, Të ndershëm zotnij,/
Ma para e kam për detyrë me falënderue zotni Isa Ndreun, kryetar’ i Bashkimit Demokratik Shqiptar dhe shokët, të cillët, patën mirësinë me ftue nji pjesë t’ajkës shqiptare në mërgim, për të marrun pjesë në kët mbledhje.
Me nji herë më duhet me vumë në dukje se, unë, në kët mbledhje nuk kam ndonji cillësi me përfaqsue partín, me të cillën lidhem.Këtu flas vetëm n’emnin t’em personal.
Nga përmbajtja e ftesës datë 15-5-1977, nênshkrue prej zotni Ndreut merret vesht se, mbledhja e jonë këtu, nuk ka të bamë me pjesën politike- teknike të kongresit të dytë të Bashkimit Demokratik Shqiptar.Kongresi, qi asht cillësue si mjet për mbledhjen t’onë këtu, misionin e vet, simbas rregullave, e përmbarueka në nji sallë tjetër të veçantë të këtij hoteli.
Prandej, përzemërsisht i uroj ngallnim në përpjekjet e veta.
Mbledhja e jonë, pra, si asht parapamë në ftesën e sipërme programatike, ka për qëllim qi nëpërmjet bisedimesh dhe propozimesh praktike unjisuese, t’arrihet në nji bashkërendim veprimesh. Me fjalë tjera, me anë të njij kuvendi, qi zhvillohet këtu, të shkëmbejmë lirisht mendime se, na mërgimtarët shqiptarë, në konditat e sodshme, në se duhet të hjedhim ndonji hap dhe si e shka mund të bajmë?…
Asht nji themë me randësi shum të madhe, kjo çashtje.Asht nji problem, qi ka lidhje me ndiesina shqiptare, me burrëni dhe me vetmohim.Ka lidhje me Komb, me atdhe dhe me atdhedashuni.Asht nji nyje, qi nuk kanë mundun me e zgjidhun dekadat.Për këtê, nuk mjafton vetëm nji bisedim. Për këtê nuk mjaftojnë as dydit të vetme. Mbi këtê çashtje, asnji shqiptar prej nesh, nuk mund të qëndrojë në heshtje.Heshtja dhe indiferenca në kët rasë, simbas mendimit t’em, kishte me qenë nji negligjencë, e cilla, për disa, mund të mbërrije gadi në shkallën e tradhëtís.
Prandej, përkitas me botën t’onë shqiptare, çashtjes duhet t’i bâjmë diagnozin dhe, simbas rezultatit, duhet të zbatojmë mënyrat e mjekimit.Po nuk u cillësue smundja, nuk mund t’i bâhet mjekimi.
Nuk kam për qellim as me fyem kend, as me poshtënue. Pra, tue i dhanun gjithkuej atê, qi meriton, shkurtimisht po hyj në themel:
Si e dijmë, komunizmi, me ndihmën e huej dhe me grykë të pushkës, erdh në fuqí në vendin t’onë. Atê, në fillim, tue mos mund me e parapamë rrezikun, disi e ndihmoi dhe nji rimë e gabueme nacionalistash shqiptarë, rimë, ecilla, s’ka dyshim se, kur e pau realitetin e idhtë, u pendue; por, atëherë, kur pendesa e mbrame, nuk t’ep dobí.
Komunizmi, për hirë të doktrinës, e lau vendin me gjak skaj më skaj e pllambë për pllambë.
Mbassi e randa, e ngrejti të lehtën, nji pjesë e nacionalistave shqiptarë, qi i shpëtuen vdekjes, në kohë të ndryshme dhe me rruga të ndryshme, u aratis, tue kalue në botën e lirë demokratike. Këta dhe shqiptarë tjerë, qi kishin ardhun ma herët në botën e lirë e qi parapëlqyen mos me këthyem në Shqipni për shkak të regjimit, morën cillësín si « refugjatë politikë », tue gëzue përkrahjen e instituteve të ndryshme ndërkombtare. Në kët mënyrë, të dy palët, formuen grumbullin, qi na, e quejmë « mërgata shqiptare ».
Aty kah gjashtëmujori i parë i vjetit 1945, shumica e madhe e nacionalistëve t’aratisun shqiptarë, ishin truçue n’Italí. Dhe në këtê kohë, kemi vetëm dy partina politike shqiptare, të cillat, ishin formue – si organizata – qysh në Shqipni: Legaliteti dhe Balli Kombtar.
Në kët kohë, kudo, gjendja e popullit shqiptar, ishte në mjerim të plotë:
Gjenerali i mallkuem, Zervas, n’emën të qytetnimit shtazarak grek, me thikë, me hanxhare dhe me plumb, masakronte popullin arbënesh të Çamerís dhe të vendeve tjera të Janinës. Aj, rikrijoi nji situatë shum ma tmerruese se ajo, qi pat qenë krijue me andartët e Zografos.
Populli shqiptar në Jugosllaví, grumbuj grumbuj pushkatohej për të vetmen arsye se ishte shqiptár. Shqiptarët, rekrutoheshin, inkuadroheshin në njisina ushtarake dhe, tue ndjekun rrugën Kukës-Pukë-Shkodër e Podgoricë, dergoheshin e pushkatoheshin me mija e mija në karmat e Malit të Zi. Partija komuniste e Jugosllavís, për të mashtrue shqiptarët, në vjetin 1941 në Jajica, pat vendosë se, elementit shqiptar, i njifet e drejta deri në bashkim. E ma vonë, jo veç ia mohoi kët të drejtë, tue i vumë koburen në fyt; por, e ndau copa copa. Nji pjesë e la nen Serbí. Nji pjesë ia dhuroi Malit të Zi. Nji pjesë ia mbathi Makedonís. Dhe nji pjesë të vogël me emnin Kosmet, formalisht e pagzoi si autonomí, tue e shtrëngue qi dhe kjo, të jetoje nen thundrën e shovenizmit serb.
Në Shqipnín politike vazhdonte terrori në mënyrë qi popullit tambli i nanës i erdhi për hundësh. N’ atë kohë, Stalinistat e Tiranës, në nji anë bâjshin pastrimin e pa mëshirshëm të vëllazënve të tyne, simbas parimeve komuniste, e n’anë tjetër, dergojshin brigadat e tyne për me i ndihmue partís komuniste jugosllave qi të dominoje gjendjen kundra luftëtarëve shqiptarë, të cillët, derdhshin gjakun e tyne për lirí.
Kjo, ishte gjendja e kobshme e vëllazënve shqiptarë kudo e në përgjithësi. Dy organizatat kryesore të mërgimit, për fat të keq, as përpara kësaj trishtese nuk u treguen të gjalla, për të formue nji dialog.
Në vjeshtën e vjetit 1946, u formue nji parti e tretë në mërgim: Bloku Kombtar Indipendent. Kjo, tue dashtë me nderue dy organizatat e sipërtregueme, këtyne, disa herë iu drejtoi thirrje me lutje qi, mbassi të shqyrtohet situata bashkërisht, të sajohet nji kombinim i ndonjij veprimtarije të përbashkët. Mirëpo, dhe këso here, propozimi i bâmë, u prit me heshtje.
Gjenda tragjike për shqiptarët, prap vazhdon si ma para!…
Përpara kësaj tragjedije, mërgata shqiptare n’Evropë, asht në ermí.E ka kapun ankthi. Ndërsa, shqiptarët e Amerikës, ene nuk janë në dijení të plotë të ndodhinave. Këta, enè nuk ishin ndriçue mbi situatën e vështirë të kohës.
Pse t’a zgjatim?Ju, e dini dhe unë, e dij.U krijuen komitete me kuadro të ngushta dhe-mandej-me kuadro të gjana. U krijuen partina e grupe politike, diku me përçamje në mes të tyne e diku me përbamje të reja. Për këto, nuk po due me Ju shpërdorue durimin. U shtuem aq tepër sa mërgata shqiptare, u bâ dymbëdhetë shpi e trembëdhetë pleq.
Mjerimi i vëllazënve t’onë, gjithnji vazhdon. Dhe na, qendrojmë në vend numro.
Uroj qi të jem gabim.Por, unë, mjerisht, kam sjellun bindje se, medis grupeve kryesore të mërgatës, asht gadi e pa mundun qi të sigurohet nji marrëveshtje për ndonji bashkërendim veprimi. Për deri sa disa zotnij qysh tash përpiqen me i sigurue vehtes nji pozitë të shqueme në Shqipni, unë, kët bindje kam për t’a ruejtun. Mbi të gjitha, nji sjellje e tillë, më duket se do të jetë edhe absurde, mbassi na kujton proverbin – lepuri, në mal e fterja, në zjarm.
Kjo pesimizmë, pra, mue më shtje me shfaqun pikëpamjet e mija, qi vijojnë:
1/Çdo grup politik i mërgatës, tue ruejtun cillësín e vet, duhet të krijoje marrëdhanje të përzemërta me Vatrën dhe në kët mënyrë VATRA, të mbërrije në gjendje për t’u cillësue e për t’u njoftun si « ORGAN QENDROR » i mërgatës shqiptare.
2/Çdo shqiptar, qi i vlon zemra për Shqipní e për shqiptarí, o nepërmjet të njij grupi politik, ose drejt për s’drejti, duhet të lidhet me Vatrën, mbassi po të mbetet në vetmí, nuk mund të jetë në gjendje me i sjellun ndenji shërbim të konsiderueshëm çashtjes shqiptare.
3/VATRA, përpara këtij zhvillimi, simbas nevojës, ban modifikimet e nevojshme në dispozitat përkatëse, tue hjedhun hapat e duhun për nji veprimtari ma të gjanë kulturore e politike.
* * *
Arsyet, qi më frymzojnë në mendimet e mija si ma sipër, janë:
A/Grupet e ndryshme politike, si u shpalue dhe ma nalt, për fat të keq, nuk janë tregue të zojat për nji bashkërendim veprimi.
B/Grupet politike, dikuër, mund të shpërbâhen.
C/Vatra, duhet të jetë e përjetshme.
Vatra, kët autoritet e meriton, sepse;
a) asht e vetmja shoqní shqiptare me nji vjetërsí 70 vjeçare.
b) si strukturë, ka përkrahun dhe përkrah parimet e demokracís së lirë, qi mbështeten në vullnetin e popullit. Pra, nuk vjen ndesh as me grupet politike, të cillat, do të krijojnë lidhje me ‘tê.
c) ajo, në çdo pikëpamje, mundësinat i ka ma të mëdhaja se çdo grup politik të mërgatës shqiptare.
***
Motra shqiptare,
Vëllazën shqiptarë,
Jam krejt i sigurtë se Ju, nisesos, e keni ndjekun çashtjen e Kipro-s nga shtypi dhe nga tejtimet radiofonike e tjera.Nuk po shof nevojë me bâmë historikun e çashtjes. Vetëm, shkurtimisht, due me vumë në dukje se, Osmanllija, Kipron-n e kishte pushtue prej Venedikut; dhe në luftën Ruso-Turke, përkohësisht, ia kishte lanun Britanís së Madhe. Para 15 e sa vjetve, në mbështetje të njij traktati, qi ishte nenshkrue prej përfaqsuesave të Londrës, t’ Athinës dhe t’Ankarás, ishulli, qe pranue si shtet në vehte, tue iu njoftun elementit grek dhe turk t’ishullit.
Makarios-i, tue shkelun marrëveshtjen, dhunoi keqas të drejtat e elementit turk, tue kalue edhe në masakrime. Në vjetin 1974, Athina, me anën e misionarëve të vet, krijoi nji revolucion për të përmbarue enosis-in. Turkija, tue marrun parasysh rrezikun e situatës së krijueme, u shtërngue me ndërhymë ushtarakisht, për të pruejtun të drejtat e popullit të vet. Kishte të drejtë.
Nuk u mjaftue me kaq. Athina, e shtoi dhunimin e vet kundra Turkís, tue fortifikue ushtarakisht disa ishuj në detin Ege, të cillët, në bazë të traktit të Lozanës, nuk mund të fortifikoheshin, për shkak se, ishin thuejse në breg t’Anadollit. Jo veç; por, Grekija, filloi me e përdorun detin Ege, sikurse t’ishte nji liqê’ i saj. Mbi këte, u keqsuen marrëdhanjet medis Ankaras dhe Athinës.
Në kët rasë, kolonija greke në Shtetet e Bashkueme, hyn në veprim; ndikon kongresin amerikan, i cili, pranon embargo-n kundra Turkís dhe, përfundimisht, shkaktohet nji ftoftësi edhe medis Washingtonit e Ankarás.
Qè, pra, kjo, asht nji koloní, qi sakrifikon për vendin e origjinës së vet.Nji koloní vërtetë patriotike.
– Ku jemi na shqiptarët? Ç’po bajmë për të drejtat t’ona?…
Ju falem me nderë, tue Ju paraqitun nderimet e mija ma të shqueme.
*Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.92-95
Shenim i botuesit: Z. TAHIR KOLGJINI
Z. Tahir Kolgjini, me 24/Prillë/ 1903 leu në katundin LUSEN të Lumës. Aj, si fëmij vazhdon në shkollën fillore të katundit deri sa krisi lufta e Ballkanit. Në kohën kur ushtrija serbe masakroi popullsín e katundeve të Lumës, me nji pjesë të familjes u shpërngul për në Stamboll.Këtu vazhdoi mësimet n’institutin e theologjís « DARUL HILAFETUL ALIYE ».Në vjeshtën 1924, kur kthei në Shqipni, u emnue mësues i shkollës fillore. Si u largue me dorëhjekje nga mësuesija, me radhë ka vazhdue në detyrat: Sekretar i Gjyqit të Paqit, sekretar i Gjyqit Shk. I., nëpunës Përmbarimit, kryetar Bashkije në Kukës e në Prizren, zav.Prefekt në Kukës, prefekt në Gjinokastër, prefekt në Prishtinë dhe drejtor i përgjithshëm i policís shqiptare në Tiranë. Mâ në fund, kur ishte prefekt i Shkodrës, u largue nga Shqipnija me 24/ 11/ 1944; dhe, mandej, me 30/Qershuer / 1948 emigroi për Stamboll.Këtu, bashkë me Zabit dhe Hurshit Shahzivarin – në shoqni kolektive -zotnon nji fabrikë galvanizacioni e gjanash metalike dhe merret me tregtí.
Kolgjini, gjatë kohës së mërgimit, mërgatës s’onë i ka dhânun këto vepra:
Shpalime rreth Lahutës,
Fjalët turkisht në Lahutën e malsís,
Luma dhe luftat e saja,
Të vërteta-Shqiptare-Greke ( turkisht),
A t’kujtohet, a i mban mend? (poezi)
Esat Pashë Toptani dhe akuzat, qi i bahen.
Aj, me nji vullnet të papërkulun shkruen edhe në fletore e në revista të ndryshme të mërgatës: Shêjzat, L’Albanie Libre, Mundimi i Ynë, Dielli, Vardari, Lajmtari i të Merguemit, Koha e Jonë e tjera.
* Ky artikull eshet botue ne vitin 1977.