• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mërgata dhe roli i shteteve shqiptare në Ballkan!

July 5, 2021 by dgreca

Një histori që ka nevojë të ndryshojë/

Nga Silvana BEGAJ/

(Nuk themi asgjë të re kur flasim për diasporën shqiptare nëpër botë. Nuk është qëllimi as i këtij shkrimi të rendisë faktet dhe rolin e diasporës shqiptare përgjatë historisë sonë të vjetër e të re kombëtare). Janë ndoshta raste të rralla në botën e qyteteruar ku për ngritjen ,formimin dhe ekzistencën e shteteve rol përcaktues ka patur mërgata kombetare jashtë vendeve. Të kujtojmë Lidhjen e Prizrenit apo dhe shpalljen e Pavarësisë e më tej, por dhe më parë në gjurmët e historisë, në njohjen e shtetit të pavarur shqiptarë përvec përpjekjeve dhe luftës së patriotëve shqiptare në vend, një rol të dorës së parë kanë patur dhe lëvizjet, përpjekjet dhe mbështetja e grupeve të mërgatës që nga SHBA me Vatrën apo shoqatat atdhetare në Selanik, Bukuresht, e në cdo kryeqytet të Europës.

Të rikujtojmë arritjen e dytë kombëtare më të madhe ,Pavarësinë e Kosovës, e cila ka në themel përvec rezistencën me paqe e me armë të shqipëtarëve në Kosovë, por po aq betejën titanike të Diasporës shqiptare nëpër botë. Edhe pse një shekull pas krijimit të shtetit Shqiptar dhe dekada pas Pavarësisë së Kosovës, krenaria dhe merita për arritjen e këtyre arritjeve, nuk plotëson e mbush nevojat e sfidave që shqiptaria në tërësinë e saj ka. Sfida dhe synime të reja edhe më të vështira ka përballë. Në këto sfida, dhe politikat e shteteve tona është pjesë jetike. Shqiptaria, Shqipëria e Kosova janë dy shtetet shqiptare me nivelin më të lartë të mërgatës.

Aktualiteti po sjell një gabim konceptual, atdhetar dhe historik të pajustifikueshëm dhe pafalshëm për brezat e sotëm, por dhe të ardhmen, duke trajtuar në dy realitete të ndryshme edhe pse ato janë Një. Thënë qartë: dy shtetet shqiptare në Ballkan mund të shndërrohen në një burim të jashtëzakonshëm mbështetje, frymëzimi dhe përthithje interesash kombëtare si qëllim për një prosperitet duke u orientuar e bashkërenduar me Diasporën shqiptare nëpër botë për këto qëllime madhore. Mjafton të shohim shtete të tjera ballkanike që nga Kroacia, Serbia, Maqedonia deri Mal i Zi ndjekin politika më të sofistikuara në mbështetjen, nxitjen e përfshirjes së mërgatave në jetën e zhvillimet socialo ekonomike në këto vende. Kjo përfshirje nuk duhet të jetë as emocionale ,romantike aq më pak propogandistike. Kjo përfshirje fyhet me indiferentizëm e mospërkushtim kur deduktohet në organizimin e ndonjë Samiti hoteleve të shtrenjta të kryeqyteteve, apo ku reduktohet në ndarje cmimesh dhe certifikatash nderi. Kjo përfshirje ka nevojë për akte e sjellje serioze ,të mirëmenduara të hedhura në treg strategjikisht nga shtetet shqiptare në Ballkan për politika të qëndrueshme dhe thelbësore.

Pyetje ende pa përgjigje mbeten.

Cfarë bëjnë dy shtetet shqiptare për mbështetjen e arsimimit dhe mbijetesës së gjuhës shqipe në brezat e rinj të diasporës që rrezikojnë ta humbasin apo deformojnë? Shumë pak ose asgjë. Cfarë po ndodh me fëmijët që lindin e rriten në mërgatë? A nuk mendoni se brez pas brezi ajo, gjuha shqipe e paushqyer me arsim e dije në shqip rrezikon të dobësohet apo dhe më keq të humb? Sepse iu është lënë fakultativisht prindërve si detyrë.

A e dini se vrasja e një kombi fillon nga vrasja e gjuhës? A mund të lihet mësimi në mënyrë vullnetare? A ka buxhete nga Prishtina dhe Tirana për këtë?

Përgjigjia fatkeqësisht të con në një JOO të madhe.

Cfarë po realizohet me ato të ardhura që prodhon puna e Diasporës shqiptare në botë? A mjafton mbështetja e familjeve përmes remitancave? A mendoni se mjaftojnë vizitat e të mërguarve ditëve të nxehta pushimeve për turizëm?

Po ai kapital financiar i jashtëzakonshëm si burim i punës së shqiptarisë jashtë kufijve a ka informacion dikush ku shkon, si e në cfarë investohet ?

A ka menduar dikush në Tiranë e Prishtinë që këtë kapital ta kthejë në investime burimesh strategjike të sigurta në zhvillimin e ekonomive të të dy shteteve?

A mos ka ardhur koha për ngritjen e një Banke për të mbrojtur e zhvilluar këto kapitale të mërgatës duke ricikluar ekonominë dhe fuqizimin financiar?

Kalojmë në një nga thellbet e asaj që e përjashton mërgatën kudo: Vota e saj në zgjedhjet dhe delegimet e pushteteve. A ka dicka më të rëndësishme se vota në sistemet demokratike ku inspirojmë? Pse nuk implementohet e drejta e tyre legjitime kur janë kontributorë, kur janë të lidhur ngushtë me fatet e vendeve te tyre?

Përgjigja edhe më demotivuese: Frikërat që sundojnë hijet e pushtetit sduan përfshirjen e Mërgatës.

Mendoni pak, sot kemi një diasporë me nivele të larta akademike me tituj shkencorë, grada dhe punë kërkuese. A janë të përfshirë ata dhe angazhuar për problemet sociale ekonomike e politike në vendet tona?

A kemi ne sot dy shtetet mendimin e koncentruar të tyre dhe të përfshirë për të dhënë përvojat e tyre, eksperiencat dhe dijet për Kombin?

A është kjo një luks por dhe një mundësi për tu zhvilluar më qartë, më drejtë dhe në rrugën e botës aspirante nëqoftëse zëri, puna dhe mendimet e tyre përfshihen?

Atëherë në rezymenë e një përmbledhjeje të disa problematikave të mprehta që ceka në këtë shkrim (jo se ska dhe të tjera), si mund të ndodhë të bashkohen e organizohen pjesët, më tej energjitë, dijet, mencuria dhe përvoja por dhe më tej ende, të ardhurat e kontributit të Diasporës , të dy shtetet jemi kapluar dhe katapultojmë indiferentizëm, moskokëcarje, neglizhencë dhe largpamësi ,që pikërisht e gjithë kjo krijesë Mbarëkombëtare si Diaspora tragjikisht jo vetëm nuk mbështetet seriozisht dhe ti jepet roli dhe vendi që I takon jo vetëm si pjesë e historisë por si nga kontributorët më me peshë në të gjitha fushat e jetës dhe mbështetëse e frymës kombëtare kurdo kur vendet tona kanë nevojë.

A mos duhet të zgjohen qeveritë tona nga letargjia e ngushtë, e pa orientuar e papërgjegjëshme dhe jo me frymë Kombëtare ndaj kësaj copëze Atdhe jashtë territorit, por që për ta është më shumë se gjithcka, ashtu si rilindasit e kishin, ashtu si jetën dhanë për të, ashtu kur lotët i burojnë dhe veprat e tyre sot si trashëgimtarë të tyre janë pikërisht Ata: Mërgatat tona!

A mos duhet ti japim atyre atë që meritojnë dhe të përfitojmë NE, vendet tona, bashkëkombësit tanë dhe Kombet tona?

Filed Under: Mergata Tagged With: Ballkan, Mergata Shqiptare, Silvana Begaj

Mërgata shqiptare në Zelandë të Re, darkë me ambasadorin dr. Kiçmarin

February 6, 2016 by dgreca

Auckland, 6 shkurt 2016/
Darkë e përbashkët me ambasadorin dr. Kiçmarin
Mërgata shqiptare në Zelandë të Re organizoi darkë të përbashkët me ambasadorin fuqiplotë të R. së Kosovës në Zelandë të Re. Ishte takim i përzemërt me ambasadorin, i cili pas vizitës në Wellington me Guvernatorin e Përgjithshëm të Zelandës së Re ztr. Jerry Mateprae me rastin e Festës Nacionale Waitangi Day të shtetit.
Për t’i dëshirua mirëseardhje ambasadorit u mblodhën shqiptarët me vendbanim në qytetin metropol të Auckladit, Në qytetin e përmendur janë të vendosur kryesisht shqiptarët. Me ketë rast Dr. Kiçmari njoftoi të tubuarit për mbështetjen që gëzon R. e Kosovës nga Shteti i Zelandës së Re. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i ndërsjellë duke u ndal te roli i mërgimtarëve shqiptar për çuarjen e thellimin e lidhjeve mes dy vendeve. Komuniteti shqiptar këtu ka arrit të inkuadrohet në jetën e këtij vendi dhe rinia po shkollohet, tha mes tjerash ambasadori. Pastaj të pranishmit pyeten për angazhimin e diplomacisë së punëve të jashtme në në integrimin e R. së Kosovës në organizatat botërore, njohjet, përgatitjet për festën e 17 Shkurtit etj. Qetë dhe në mënyrë profesionale u përgjigj ambasadori në pyetjet e parashtruara. Bashkëbisedimi vazhdoi edhe gjatë darkës deri në orët e vona të mbrëmjes.
* E dergoi per DIELLIN, Sabit ABDYLI, Zelande e Re

Filed Under: Mergata Tagged With: darke me ambasadorin Kicmari, Mergata Shqiptare, NE ZELANDEN E RE

Mërgata shqiptare thesar i çmuar i qytetërimit ilir

June 1, 2015 by dgreca

Dy javë pas përfundimit të këtij sesioni shkencor botohet numri i katërt i “ Thesarit Kombëtar të mërgatës shqiptare në Suedi”, i cili ndriçon veprimtarinë e pakursyeshme të shqiptarëve në truallin e Suedisë për të vënë gurë në themelin e shtetit të Kosovës/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Rrugët e qytetit bregdetar Falkenberg në Suedinë e largët sot kishte një pamje pak më ndryshe se ditëve tjera sepse, pos komunitetit të këtushëm shqiptar, kishin ardhur mysafirë nga shumë shtete të Evropës e besa edhe nga Kosova dhe Shqipëria nënë për të marrë pjesë në sesionin shkencor të emërtuar “ Kontributi i mërgatës shqiptare në Suedi dhe i miqve sudez për shqiptarët dhe çështjen e Kosovës”, që organizohet për të katërtën herë me radhë nga SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani”, që më sukses vepron tash e disa vite në këtë vend t skandinav. Në fillim, siç e do rendi, u paraqitën fjalë përshëndetëse nga nikoqiri, kryetari i shoqatës, Hysen Ibrahimi dhe Mustafë Kabashi, i cili dha kontribut të madh në mbajtjen e këtij tubimi, ndërkaq në vazhdim me kumtesat e tyre u paraqitën Bedri Paci, Osman Ahmetxhekaj, Hysen Ibrahimi, Mone Juniku, nga Finlanda, Avdyl Uka, Rrahman Rrahmani, Sokol Demaku, Fahredin Berisha . Emërues i përbashkët i të gjitha temave të shtjelluara në këtë eveniment ishte se mërgata shqiptare është një thesar i çmuar i qytetërimit ilir, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit diti aq mirë që të lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare edhe në dhe të huaj. Thënë konkretisht, komuniteti shqiptar jo vetëm në skandinavi, por edhe gjithandej i vendosur në të gjitha kontinentet ishte jashtëzakonisht mirë të organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë. I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare në Suedi, siç tha Saranda Iseni, e cila si çdo herë madhështoi këtë eveinemnt me paraqitjen e saj të mrekullueshme, sot po kurorëzohet me veprën voluminoze, apo minienciklpoedinë, minierën apo shtyllën vertebrale siç poetët strugan e kanë quajtur librin “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi”.
Më detajisht rreth këtij libri të katërt me radh foli Fetah Bahtiri, Kryetar i Këshillit redaktues, i cili vuri në pah se deri me tash SHSHASH “ Papa Klemneti XI Albani” ka nxjerr në dritë tre libra me titull “ Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, ndërsa dy javë pas këtij sesioni shkencor do të botohet dhe numri i katërt, që do të këtë mbi 800 faqe. Këta libra kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve, të cilët në truallin e Suedisë u angazhuan me mish e me shpirt për të vënë gurë në themelin e shtetit që quhet Kosovë. Është planifikuar që ky ndriqim e kësaj veprimtarie të çmuar të bëhet me botimin e diku të rreth dhjetë librave të këtillë me gjithsej 8000- 10000 faqe. Shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar deri me tash, është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar, tha Fetah Bahtiri. Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” përkujtoj se mërgata shqiptare ka lënë e po lë gjurmë të thella në historiografinë shqiptare, të cilën gjë po e thonë intelektual, shkrimtar e gazetar, të inspiruar e entuziazmuar nga të dhënat që po i hasin në librat e botuar nga kjo shoqat. Pra, suksesi i madh që po arrihet në këtë shoqat është fryt i vullnetit të paparë të shkrimtarëve, krijuesve, veprimtarëve e sponsorëve shqiptar në Suedi të përkrahur fuqishëm edhe nga institucionet e shtetit të Suedisë, por edhe të Republikës së Kosovës.
Pavarësisht se në çfarë gjendje është atdheu, mërgimtarët e duan atë
Sulejman Dërmaku, krijues nga Kosova, tha se pavarësisht se në çÇgjendje është ndodhur e ndodhet atdheu, mërgimtarët e duan atë, e vlerësojnë, për të ëndërrojnë, madje edhe ëndërrat i shohin në atdhe, për të veprojnë, madje edhe sakrifikojnë. Sipas një urtie të lashtë, njeriu duhet të udhëtoj për t’ia ditur vlerën shtëpisë, për t’ia ditur ngrohtësinë vendlindjes, për t’ia ditur peshën atdheut. Kjo dukët ka mbetur aktuale sot e gjithë ditën. Sado që njeriun shkaqe e arsye të ndryshme të së përditshmes e shtyejnë drejt vendeve të tjera, drejt viseve më të bukura e më të pasura, megjithatë, sapo tÇi vizitoj ato, madje edhe kur krijon mirëqenie tek ato, ai bindet se rehatinë e shtëpisë, ngrohtësinë e familjes, afrinë e rrethit, qetsinë shpirtërore, aromën e vendlindjes, ndjenjen e sigurisë, madje edhe në atdheun e pasigurt, pavarësisht nga shkalla e tyre e zhvillimit, nuk i gjen dot në to. Përsiatjet e tilla të shtynë të konkludosh se atdhedashuria kulmore gëllin ndër mërgimtar, tha pos tjerash Dërmaku. Ndërkaq, Sali Zogiani tha fjalë miradije për aktivitetin e zhvilluar të mërgatës shqiptare në Suedi dhe vlerësoj lartë librat e botuar nga shoqata e shkrimtarëve, të cilat i quajti vepra enciklopedike me materiale të botuara publicistike, letrare nga të gjitha fushat e krijimtarisë, të cilat në radhë të parë i shërbëjnë kombit e atdheut, historisë, artit. Ai përkujtoj të pranishmit se edhe librin e tij të pestë me anekdota ia ka kushtuar mërgatës, të cilin e ka emërtuar “ Dojeni atdheun sa e duan mërgimtarët”.

Në këtë eveniment të rëndësishëm mori pjesë edhe Louise Wernersson, kryetar i komunës së Falkenbergut, i cili dha dhjetë mijë korona për mbajtjen e sesionit, si dhe tha fjalë miradije për komunitetin shqiptar që jeton në këtë mjedis, i cili është integruar shumë mirë në shoqërinë suedeze dhe është bërë faktor i rëndësishëm në shumë fusha të jetës e të punës. Kishin ardhur edhe Nikollë Lleshi, kryetar i shoqatës për miqësi Shqipëri- Itali, Sali Zogiani, Kosovë, Sulejman Dërmaku, Kosovë, Besnik Camaj, Zvicër, Drita Nikoliqi- Binaj, Vojvodinë, Imri Trena, Norvegji, Seveme Fetiqi, Gjermani, Elhame Gjyrevci, Danimarkë, Pashkë Prengu, përfaqësues i Komunës së Laçit- Kurbinë, Shqipëri, Stefan Nilsson, shkrimtar suedez. Të gjithë këta mysafir falënderuan për ftesën, përshëndetën mikëpritjen dhe i uruan suksese punimeve të këtij sesioni shkencor. Mone Juniku në kumtesën e saj të shkurtër preznetoj aktivitetin e madh mërgimtar që është zhvilluar në Finland fal punës ës palodhshme të veprimtarëve Murtez Miftari, Isa Pllana, Bahri Ibrahimi, Ragip Rrustemaj e shumë të tjerë që ishin themelues të Fondit të Trepërqindshit, të organizimit të mësimit plotësues në gjuhën amtare si dhe të shumë aktiviteteve të tjera të rëndësishme. Edhe një gjë nuk duhet harruar se ne si një popull filantrop në veçanti shprehim respekt për shtetin finlandez dhe suedez që mbështeten dhe inkurajuan veprimtarinë kaq humane dhe fisnike që zhvilluan mërgimtarët tanë, përfundoi ajo. Drita Nikoliqi- Binaj, nga Shqipëria, por që një kohë të gjatë jeton, krijon e vepron në Vojvodinë të Serbisë, tha se duke u nisur nga parimi për të ruajtur kulturën, traditën dhe gjuhën e ëmbël shqipe, në shqiptarët që jetojmë në Serbi mbarëm iniciativën për të formuar shoqatën e parë të titulluar “ Amëza e shqiptarëve në Serbi”. Imri Trena, kryetar i SHSHASH në Norvegji shkurtimisht u angazhua për të arriturat e komunitetit shqiptar në Norvegji në të gjitha fushat e punës dhe të jetës e posaçërisht në fokus të interesimit hëpërhë është organizimi i mësimit për fëmijët shqiptar. Në këtë sesion folen edhe Besnik Camaj, Zvicër e Seveme Fetiqi, Gjermani për punën e madhe që po bëjnë shoqatat e shkrimtarëve në këto dy vende, në të cilat është i koncentruar numri më i madh i mërgimtarëve tanë, por edhe i krijuesve.
Me mjaft interes nga të pranishmit u ndoq edhe një pjesë teatrale kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jasharit e luajtur me mjaft mjeshtri nga Saranda Iseni dhe Ahmet Ahmeti. Profesionalizmi i këtyre dy aktorëve ngjalli emocione tek të pranishmit dhe gjatë do të mbahet në kujtesën e tyre. Mbresa të mëdha tek të pranishmit lanë edhe vallët ritmike të interpretuara bukur nga vajzat e Shoqatës Kulturore, Dardanum Collegium, të Falkenbergut.
Për kontributin e dhënë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me SHSHKSH “ Papa Klementi XI Albani”, kryetari i saj Hysen Ibrahimi ndau shumë mirënjohje e falënderime.

Filed Under: Mergata Tagged With: Mergata Shqiptare, Xhavit Citaku

“Pse mërgata shqiptare duhet të bashkohet rreth Vatrës”

May 25, 2015 by dgreca

Flet Z. Tahir Kolgjini/*
Të ndershme zonja, Të ndershëm zotnij,/
Ma para e kam për detyrë me falënderue zotni Isa Ndreun, kryetar’ i Bashkimit Demokratik Shqiptar dhe shokët, të cillët, patën mirësinë me ftue nji pjesë t’ajkës shqiptare në mërgim, për të marrun pjesë në kët mbledhje.
Me nji herë më duhet me vumë në dukje se, unë, në kët mbledhje nuk kam ndonji cillësi me përfaqsue partín, me të cillën lidhem.Këtu flas vetëm n’emnin t’em personal.
Nga përmbajtja e ftesës datë 15-5-1977, nênshkrue prej zotni Ndreut merret vesht se, mbledhja e jonë këtu, nuk ka të bamë me pjesën politike- teknike të kongresit të dytë të Bashkimit Demokratik Shqiptar.Kongresi, qi asht cillësue si mjet për mbledhjen t’onë këtu, misionin e vet, simbas rregullave, e përmbarueka në nji sallë tjetër të veçantë të këtij hoteli.
Prandej, përzemërsisht i uroj ngallnim në përpjekjet e veta.
Mbledhja e jonë, pra, si asht parapamë në ftesën e sipërme programatike, ka për qëllim qi nëpërmjet bisedimesh dhe propozimesh praktike unjisuese, t’arrihet në nji bashkërendim veprimesh. Me fjalë tjera, me anë të njij kuvendi, qi zhvillohet këtu, të shkëmbejmë lirisht mendime se, na mërgimtarët shqiptarë, në konditat e sodshme, në se duhet të hjedhim ndonji hap dhe si e shka mund të bajmë?…
Asht nji themë me randësi shum të madhe, kjo çashtje.Asht nji problem, qi ka lidhje me ndiesina shqiptare, me burrëni dhe me vetmohim.Ka lidhje me Komb, me atdhe dhe me atdhedashuni.Asht nji nyje, qi nuk kanë mundun me e zgjidhun dekadat.Për këtê, nuk mjafton vetëm nji bisedim. Për këtê nuk mjaftojnë as dydit të vetme. Mbi këtê çashtje, asnji shqiptar prej nesh, nuk mund të qëndrojë në heshtje.Heshtja dhe indiferenca në kët rasë, simbas mendimit t’em, kishte me qenë nji negligjencë, e cilla, për disa, mund të mbërrije gadi në shkallën e tradhëtís.
Prandej, përkitas me botën t’onë shqiptare, çashtjes duhet t’i bâjmë diagnozin dhe, simbas rezultatit, duhet të zbatojmë mënyrat e mjekimit.Po nuk u cillësue smundja, nuk mund t’i bâhet mjekimi.
Nuk kam për qellim as me fyem kend, as me poshtënue. Pra, tue i dhanun gjithkuej atê, qi meriton, shkurtimisht po hyj në themel:
Si e dijmë, komunizmi, me ndihmën e huej dhe me grykë të pushkës, erdh në fuqí në vendin t’onë. Atê, në fillim, tue mos mund me e parapamë rrezikun, disi e ndihmoi dhe nji rimë e gabueme nacionalistash shqiptarë, rimë, ecilla, s’ka dyshim se, kur e pau realitetin e idhtë, u pendue; por, atëherë, kur pendesa e mbrame, nuk t’ep dobí.
Komunizmi, për hirë të doktrinës, e lau vendin me gjak skaj më skaj e pllambë për pllambë.
Mbassi e randa, e ngrejti të lehtën, nji pjesë e nacionalistave shqiptarë, qi i shpëtuen vdekjes, në kohë të ndryshme dhe me rruga të ndryshme, u aratis, tue kalue në botën e lirë demokratike. Këta dhe shqiptarë tjerë, qi kishin ardhun ma herët në botën e lirë e qi parapëlqyen mos me këthyem në Shqipni për shkak të regjimit, morën cillësín si « refugjatë politikë », tue gëzue përkrahjen e instituteve të ndryshme ndërkombtare. Në kët mënyrë, të dy palët, formuen grumbullin, qi na, e quejmë « mërgata shqiptare ».
Aty kah gjashtëmujori i parë i vjetit 1945, shumica e madhe e nacionalistëve t’aratisun shqiptarë, ishin truçue n’Italí. Dhe në këtê kohë, kemi vetëm dy partina politike shqiptare, të cillat, ishin formue – si organizata – qysh në Shqipni: Legaliteti dhe Balli Kombtar.
Në kët kohë, kudo, gjendja e popullit shqiptar, ishte në mjerim të plotë:
Gjenerali i mallkuem, Zervas, n’emën të qytetnimit shtazarak grek, me thikë, me hanxhare dhe me plumb, masakronte popullin arbënesh të Çamerís dhe të vendeve tjera të Janinës. Aj, rikrijoi nji situatë shum ma tmerruese se ajo, qi pat qenë krijue me andartët e Zografos.
Populli shqiptar në Jugosllaví, grumbuj grumbuj pushkatohej për të vetmen arsye se ishte shqiptár. Shqiptarët, rekrutoheshin, inkuadroheshin në njisina ushtarake dhe, tue ndjekun rrugën Kukës-Pukë-Shkodër e Podgoricë, dergoheshin e pushkatoheshin me mija e mija në karmat e Malit të Zi. Partija komuniste e Jugosllavís, për të mashtrue shqiptarët, në vjetin 1941 në Jajica, pat vendosë se, elementit shqiptar, i njifet e drejta deri në bashkim. E ma vonë, jo veç ia mohoi kët të drejtë, tue i vumë koburen në fyt; por, e ndau copa copa. Nji pjesë e la nen Serbí. Nji pjesë ia dhuroi Malit të Zi. Nji pjesë ia mbathi Makedonís. Dhe nji pjesë të vogël me emnin Kosmet, formalisht e pagzoi si autonomí, tue e shtrëngue qi dhe kjo, të jetoje nen thundrën e shovenizmit serb.
Në Shqipnín politike vazhdonte terrori në mënyrë qi popullit tambli i nanës i erdhi për hundësh. N’ atë kohë, Stalinistat e Tiranës, në nji anë bâjshin pastrimin e pa mëshirshëm të vëllazënve të tyne, simbas parimeve komuniste, e n’anë tjetër, dergojshin brigadat e tyne për me i ndihmue partís komuniste jugosllave qi të dominoje gjendjen kundra luftëtarëve shqiptarë, të cillët, derdhshin gjakun e tyne për lirí.
Kjo, ishte gjendja e kobshme e vëllazënve shqiptarë kudo e në përgjithësi. Dy organizatat kryesore të mërgimit, për fat të keq, as përpara kësaj trishtese nuk u treguen të gjalla, për të formue nji dialog.
Në vjeshtën e vjetit 1946, u formue nji parti e tretë në mërgim: Bloku Kombtar Indipendent. Kjo, tue dashtë me nderue dy organizatat e sipërtregueme, këtyne, disa herë iu drejtoi thirrje me lutje qi, mbassi të shqyrtohet situata bashkërisht, të sajohet nji kombinim i ndonjij veprimtarije të përbashkët. Mirëpo, dhe këso here, propozimi i bâmë, u prit me heshtje.
Gjenda tragjike për shqiptarët, prap vazhdon si ma para!…
Përpara kësaj tragjedije, mërgata shqiptare n’Evropë, asht në ermí.E ka kapun ankthi. Ndërsa, shqiptarët e Amerikës, ene nuk janë në dijení të plotë të ndodhinave. Këta, enè nuk ishin ndriçue mbi situatën e vështirë të kohës.
Pse t’a zgjatim?Ju, e dini dhe unë, e dij.U krijuen komitete me kuadro të ngushta dhe-mandej-me kuadro të gjana. U krijuen partina e grupe politike, diku me përçamje në mes të tyne e diku me përbamje të reja. Për këto, nuk po due me Ju shpërdorue durimin. U shtuem aq tepër sa mërgata shqiptare, u bâ dymbëdhetë shpi e trembëdhetë pleq.
Mjerimi i vëllazënve t’onë, gjithnji vazhdon. Dhe na, qendrojmë në vend numro.
Uroj qi të jem gabim.Por, unë, mjerisht, kam sjellun bindje se, medis grupeve kryesore të mërgatës, asht gadi e pa mundun qi të sigurohet nji marrëveshtje për ndonji bashkërendim veprimi. Për deri sa disa zotnij qysh tash përpiqen me i sigurue vehtes nji pozitë të shqueme në Shqipni, unë, kët bindje kam për t’a ruejtun. Mbi të gjitha, nji sjellje e tillë, më duket se do të jetë edhe absurde, mbassi na kujton proverbin – lepuri, në mal e fterja, në zjarm.
Kjo pesimizmë, pra, mue më shtje me shfaqun pikëpamjet e mija, qi vijojnë:
1/Çdo grup politik i mërgatës, tue ruejtun cillësín e vet, duhet të krijoje marrëdhanje të përzemërta me Vatrën dhe në kët mënyrë VATRA, të mbërrije në gjendje për t’u cillësue e për t’u njoftun si « ORGAN QENDROR » i mërgatës shqiptare.
2/Çdo shqiptar, qi i vlon zemra për Shqipní e për shqiptarí, o nepërmjet të njij grupi politik, ose drejt për s’drejti, duhet të lidhet me Vatrën, mbassi po të mbetet në vetmí, nuk mund të jetë në gjendje me i sjellun ndenji shërbim të konsiderueshëm çashtjes shqiptare.
3/VATRA, përpara këtij zhvillimi, simbas nevojës, ban modifikimet e nevojshme në dispozitat përkatëse, tue hjedhun hapat e duhun për nji veprimtari ma të gjanë kulturore e politike.

* * *
Arsyet, qi më frymzojnë në mendimet e mija si ma sipër, janë:
A/Grupet e ndryshme politike, si u shpalue dhe ma nalt, për fat të keq, nuk janë tregue të zojat për nji bashkërendim veprimi.
B/Grupet politike, dikuër, mund të shpërbâhen.
C/Vatra, duhet të jetë e përjetshme.
Vatra, kët autoritet e meriton, sepse;
a) asht e vetmja shoqní shqiptare me nji vjetërsí 70 vjeçare.
b) si strukturë, ka përkrahun dhe përkrah parimet e demokracís së lirë, qi mbështeten në vullnetin e popullit. Pra, nuk vjen ndesh as me grupet politike, të cillat, do të krijojnë lidhje me ‘tê.
c) ajo, në çdo pikëpamje, mundësinat i ka ma të mëdhaja se çdo grup politik të mërgatës shqiptare.
***
Motra shqiptare,
Vëllazën shqiptarë,
Jam krejt i sigurtë se Ju, nisesos, e keni ndjekun çashtjen e Kipro-s nga shtypi dhe nga tejtimet radiofonike e tjera.Nuk po shof nevojë me bâmë historikun e çashtjes. Vetëm, shkurtimisht, due me vumë në dukje se, Osmanllija, Kipron-n e kishte pushtue prej Venedikut; dhe në luftën Ruso-Turke, përkohësisht, ia kishte lanun Britanís së Madhe. Para 15 e sa vjetve, në mbështetje të njij traktati, qi ishte nenshkrue prej përfaqsuesave të Londrës, t’ Athinës dhe t’Ankarás, ishulli, qe pranue si shtet në vehte, tue iu njoftun elementit grek dhe turk t’ishullit.
Makarios-i, tue shkelun marrëveshtjen, dhunoi keqas të drejtat e elementit turk, tue kalue edhe në masakrime. Në vjetin 1974, Athina, me anën e misionarëve të vet, krijoi nji revolucion për të përmbarue enosis-in. Turkija, tue marrun parasysh rrezikun e situatës së krijueme, u shtërngue me ndërhymë ushtarakisht, për të pruejtun të drejtat e popullit të vet. Kishte të drejtë.
Nuk u mjaftue me kaq. Athina, e shtoi dhunimin e vet kundra Turkís, tue fortifikue ushtarakisht disa ishuj në detin Ege, të cillët, në bazë të traktit të Lozanës, nuk mund të fortifikoheshin, për shkak se, ishin thuejse në breg t’Anadollit. Jo veç; por, Grekija, filloi me e përdorun detin Ege, sikurse t’ishte nji liqê’ i saj. Mbi këte, u keqsuen marrëdhanjet medis Ankaras dhe Athinës.
Në kët rasë, kolonija greke në Shtetet e Bashkueme, hyn në veprim; ndikon kongresin amerikan, i cili, pranon embargo-n kundra Turkís dhe, përfundimisht, shkaktohet nji ftoftësi edhe medis Washingtonit e Ankarás.
Qè, pra, kjo, asht nji koloní, qi sakrifikon për vendin e origjinës së vet.Nji koloní vërtetë patriotike.
– Ku jemi na shqiptarët? Ç’po bajmë për të drejtat t’ona?…
Ju falem me nderë, tue Ju paraqitun nderimet e mija ma të shqueme.
*Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.92-95
Shenim i botuesit: Z. TAHIR KOLGJINI
Z. Tahir Kolgjini, me 24/Prillë/ 1903 leu në katundin LUSEN të Lumës. Aj, si fëmij vazhdon në shkollën fillore të katundit deri sa krisi lufta e Ballkanit. Në kohën kur ushtrija serbe masakroi popullsín e katundeve të Lumës, me nji pjesë të familjes u shpërngul për në Stamboll.Këtu vazhdoi mësimet n’institutin e theologjís « DARUL HILAFETUL ALIYE ».Në vjeshtën 1924, kur kthei në Shqipni, u emnue mësues i shkollës fillore. Si u largue me dorëhjekje nga mësuesija, me radhë ka vazhdue në detyrat: Sekretar i Gjyqit të Paqit, sekretar i Gjyqit Shk. I., nëpunës Përmbarimit, kryetar Bashkije në Kukës e në Prizren, zav.Prefekt në Kukës, prefekt në Gjinokastër, prefekt në Prishtinë dhe drejtor i përgjithshëm i policís shqiptare në Tiranë. Mâ në fund, kur ishte prefekt i Shkodrës, u largue nga Shqipnija me 24/ 11/ 1944; dhe, mandej, me 30/Qershuer / 1948 emigroi për Stamboll.Këtu, bashkë me Zabit dhe Hurshit Shahzivarin – në shoqni kolektive -zotnon nji fabrikë galvanizacioni e gjanash metalike dhe merret me tregtí.
Kolgjini, gjatë kohës së mërgimit, mërgatës s’onë i ka dhânun këto vepra:
Shpalime rreth Lahutës,
Fjalët turkisht në Lahutën e malsís,
Luma dhe luftat e saja,
Të vërteta-Shqiptare-Greke ( turkisht),
A t’kujtohet, a i mban mend? (poezi)
Esat Pashë Toptani dhe akuzat, qi i bahen.
Aj, me nji vullnet të papërkulun shkruen edhe në fletore e në revista të ndryshme të mërgatës: Shêjzat, L’Albanie Libre, Mundimi i Ynë, Dielli, Vardari, Lajmtari i të Merguemit, Koha e Jonë e tjera.
* Ky artikull eshet botue ne vitin 1977.

Filed Under: Histori Tagged With: bashkimi rreth vatres, Mergata Shqiptare, Tahir Kolgjini

Mërgata shqiptare më mirë ruan traditat, sesa atdheu!

December 25, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/
A organizohen të pamet më mirë në Diasporë, se sa në Kosovë?
Më poshtë do sjellim një rast për të pame në Gjermani, si shembull të mirë.
Se shqiptarët kanë bërë hapa negativ ne organizimin politik në rrafshin kombëtar, nuk ka dilemë!. Me ndërskamca, inskenime, vëllavrasje , përçarje dhe mos unitet populli shqiptar është ngopur..! Si dje edhe sot, populli nuk është i kënaqur me rrjedhat e situatës së përbashkët politike. Kështu edhe në organizime të tjera, qofshin ato edhe private, nuk na shkojnë punët mirë ashtu si e kërkon fisnikëria shqiptare, sipas dokeve, traditave dhe zakoneve tona, si në dasma, fejesa, në takime e ahengje, për të pame, etj. Kështu ndodhë shumë herë edhe tek vdekjet!!!
Dekada më parë, nëse vdiste ndonjë njeri bëhej një ceremoni e organizuar, pak më ma vlerë se këto të sotmet, si në shprehjen e ngushëllimeve të familjarëve te të vdekurit, etj. Dhimbjet për të vdekurin nuk janë thjeshtë vetëm të familjes së ngushtë, por edhe të far e fisit, miqve, shokëve…
Pas vdekjes kanë filluar të pamet, kanë zgjatur së paku 7 ditë. Një kohë kanë zgjatur edhe me muaj për t’i shprehur ngushëllimet, që për një çast të ndihmohet në përballimin dhe lehtësimin e dhimbjes, familja e të vdekurit…

Ngutshmëria e varrosjes së të vdekurve pa i pritur familjarët edhe nga mërgata vepër e shëmtuar e predikuesve fetar !

Tani pritja për të pame sikur ka ndryshuar në mënyrë drastike në Kosovë, Shqipëri dhe vise tjera Shqiptare, por jo edhe tek mërgimtarët e Diasporës, të cilët vazhdojnë deri diku t`i ruajnë traditat tona të asaj pjese kanunore me vlera kombëtare.

Vdekjet janë të përditshme, grupeve për të pame u prijnë sipas zakoneve individ të moshuar, ose njerëz me autoritet, nuk mungojnë as hoxhallarë dhe priftërinjtë të besimeve tona fetare, por këtu ka një dallim, priftërit lutjet ceremoniale i bëjnë vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa hoxhallarët, pak shqip e pak arabisht. Nganjëherë bëhen organizime jo sipas zakoneve tona, por më shumë sipas zakoneve fetare! I vdekuri varroset brenda dite, varësisht nga koha kur vdes ai, janë raste të rralla kur pritet më gjatë se 24 orë, për tu varrosur i vdekuri..!

Ngutshmëria e varrosjes së të vdekurve pa i pritur familjarët për pjesëmarrje në ceremoninë e varrimit, të cilët jetojnë dhe punojnë edhe përtej oqeaneve, ja shtojnë dhe shumëfishojnë dhimbjen mërgimtarit, sepse, nga larg dhimbja është më e madhe ma e ndjeshme dhe ma e pa përballueshme.

Mendojmë se hoxhallarët, për pos lutjeve fetare, nëse nuk e njohin të vdekurin, ose duhet të mësojnë dhe të flasin pak më shumë për biografinë e tij, ose duhet të ja mundësojnë dikujt tjetër, të flasë nga ata që dinë më shumë për të vdekurin,por edhe në gjuhën shqipe se është çudi të flasësh arabisht pa asnjë pjesëmarrës arab në rastin e varrimit apo obligimeve tjera ndaj të vdekurit!!!…

Nuk e kuptojmë pse nuk lejohen nga disa hoxhallarë fotografitë apo edhe flamuri kombëtar të përdorët gjatë ceremonisë, edhe nëse atë e dëshirojnë familja e të vdekurit!!!???…

Secili i vdekur ka biografinë e vet. Nuk e kuptojmë pse nuk lejohen nga disa hoxhallarë fotografitë apo edhe flamuri kombëtar të përdorët gjatë ceremonisë, edhe nëse atë e dëshirojnë familja e të vdekurit, të shënohen në ngritjen e përmendores!?. Dikush nga familjarët nëse reagon pse kemi kaq gjëra të ndaluara, pa nevojë, ata, hoxhallarët, arsyetohen se nuk bënë me pas foto këtu , nuk bënë me pas flamur këtu, nuk bënë me qene gratë si pjesëmarrëse në varrimin e burrit , vëllait, motrës apo fëmiut të vet etj etj!!!???…. Sa ma pak me dite për te , sa ma pak me lënë gjurmë këtu , kështu shprehen jo të gjithë, por disa hoxhallarë që predikojnë rregulla të ardhura nga Afrika dhe Azia “Aq ma lehtë qenka për te vdekurin në atë botë se këtu qenka jetë dhe botë e rrejshme”.
Më ka rënë të bisedoj me myslimanë nga Afganistani, Pakistani, Turqia e bota arabe,
Atyre, kur u vdes ndokush nga të afërmit, ata nuk e varrosin kufomën pa ardhur familjari, prindi, motra, vëllai, etj. nga ai vend ku punon ai-ajo.
Një mysliman nga Pakistani me një rast me pat thënë: “ Kur më ka vdekur nëna ime, 4 ditë kufoma ka qëndruar në murgun e qytetit të tij, më kanë pritur derisa kam rregulluar gjithçka që më është dashur për udhëtim nga Gjermania”.

Varrimi i të vdekurit tek ne shqiptarët bëhet me shpejtësi, duke e mbuluar trupin e tij me dheun e ftohtë, pa përfunduar fjalimi i hoxhallarëve, apo i ndonjë personi që flet para varrit te të ndjerit, për pak minuta kryhet varrimi dhe turma e njerëzve të pa përgjegjshëm ikin me shpejtësi drejtë shtëpive të tyre, bash sikur janë ne gjahun e hajnisë!

Tek Diaspora shqiptare ende është duke u ruajt tradita dhe rregullat më mirë se në Kosovë,Shqipëri e gjetiu?

Ka raste që familja e të vdekurit mbeten vetëm ,pas dy orë qe është varrosur i vdekuri, duke u shpërndare secili në shtëpinë e vet. Në Kosovë kjo metodë po praktikohet. Ky fenomen po e humb vlerën dhe rregullat që kishim dikur. Të pamet nuk mbahen-kryhen si dikur. Tek Diaspora shqiptare ende është duke u ruajt tradita dhe rregullat më mirë se në Kosovë, sepse në Kosovë, vinë e shkojnë për pak minuta, sikur kanë ardhur për ta shlyer borxhin, me nga një fjalë: “A u mërzitët burra”, “Zoti u lashtë shëndosh e mos u mërzitni”, me kaq përfundon e pamja, pa pyetur se sa vjeç ishte i vdekuri, sa fëmijë ka lëne pas vetes, kush ishte , nga ishte si vdiq etj …
Në lidhje me të pamet në Diasporë, po sjellim një rast konkret të freskët që u zhvillua këto ditë në Gjermani. Mërgimtarët tregojnë shembullin më të mirë, pa dallim bindjeve fetare e ideologjie në rastet pa vdekjes.
Të pamet për të ndjerin, Murat Osman Leci (18.04.1947 – 23.11.2014) nga fshati Gmicë – Kamenicë, me banim në Prishtinë, i hapën i vëlla i Muratit të ndjer, Xhafer Leci një veprimtar i pa lodhshëm i çështjes kombëtare.
Në këto të pame morën pjesë mbi 350 mërgimtar në mënyrë të kulturuar dhe në frymën e atdhedashurisë vëllazërore, shprehën ngushëllimet e tyre.
Në lokalet e SHKSH-së “Nënë Tereza” në Göppingen të Gjermanisë, më 14.12.2014, Vëllazërit Xhafer, Balë dhe Shukri Leci kishin hapur të pame, bashkë me ta në tavolinën e pritjes ishin edhe djemtë e axhallarëve, Bejtë dhe Beg Leci, si dhe miq e veprimtarë të tjerë, Hajrullah Matoshi, Beçir Emini, Ramadan Aliju, Ibrahim Ukëhaxhaj, Ramë Osaj, Malë Guci, dhe djali i dajës së Xh.Leci, Heset Buca.
-Pritjen e atyre që vinin për ngushëllime dhe shërbimin me pije e ushqim, familja e Lecajve e bënin sipas traditës shqiptare ashtu si na ka hije, duke ju përmbajt rregullave të së kaluarës.
Pa përmendur shumë emra të prijësve që u prinin grupeve për ngushëllime, pas shprehjes së ngushllimve, pasonin pyetje për të ndjerin Murat dhe familjen e tij, flitej për rregullat e filozofisë së odave shqiptare, për Barcoleta të ndryshme pak edhe me humor… Nga disa folës bashkëveprimtarë të Xhafer Lecit, u folën fjalë të mira për familjen Leci nga Gmica e Kamenicës, si familje humane dhe atdhetare …

E veçanta e kësaj të pame është shumë karakteristike, sepse, morën pjesë shumë veprimtarë e intelektualë, diplomat, gazetar, mjek, inxhinierë, ekonomistë, sociologë, teologë, arsimtarë, sportistë, përkthyese zyrtarë, ish të burgosur politik, bashkëveprimtarë të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, pjesëmarrës të luftës së fundit, familjarë të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, kryetar e anëtarë të Kubeve e shoqatave, kameramanë, punëtorë të thjeshtë të besimeve fetare dhe subjekteve të ndryshme politike, të bashkuar ashtu si i ka hije këtij brezi të tranzicionit drejt familjeve të Evropës.
-Pas shprehjes së ngushëllimeve, kujdesshëm dhe dinjitetshëm bisedohej për shumë gjëra pikërisht aty ku ju dhemb dhembi për ngecjet politike dhe ekonomike në Kosove Shqipëri e ma gjërë.

Nga shumë qytete të Gjermanisë me qindra kilometra kishin udhëtuar, bile disa edhe nga Zvicra e Austria, për të qenë pjesëmarrës në këtë të pame për t’i ndarë dhe lehtësuar dhembjet për të vdekurin.
-Pjesëmarrësit ishin nga të gjitha rajonet e Kosovës,dhe trojeve tjera Etnike, Plavë e Gusi, Ulqin e Tivar, Tetovë, Kumanovë e Gostivar, Medvegj, Bujanoc e Preshevë, si dhe Shqipëri e Çamëri.
Për pos Konsullit të Republikës së Kosovës me seli në Shtutgart, z. Faket Kajtazi,
morën pjesë edhe Dr.Internistë Bekim Balidemaj me mikun e Tij Miriman Bajraktarin,
dy hoxhallarë Mulla Hazbi Sylejmani dhe Fatmir Ragipi, ky i fundit pasi shprehu ngushëllimet, bëri edhe një lutje tek Zoti për shpirtin e Muratit të ndjerë, i cili shpejt iku në amshim.
-Pjesë morën edhe shumë veprimtarë të çështje kombëtare, si; Hafiz Gagica me shokë, Mentor Thaqi, Halil Rrustemaj, Nezir Fejzaj, Ahmet Konjusha i biri i heroit Smajl Hajdaraj, Blerimi e të tjerë, Shaban Bobaj me të vëllain Muharremin dhe të tjerë, Idriz Zeqiraj me shokët, Fazli Hajdaraj i vëllai i komandaniti dhe heroit Smajl Hajdaraj, Tefik Ramadani, Fazli Ahmeti, Elez e Shaban Berisha, Lush Cana, Riza e Alush Zeqiraj. Pjesëmarrës ishin edhe vëllai i heroit Salih Çekaj, Hasani, vëllai i këshilltarit të presidentit Rugova, Xhemajl Mustafës së ndjerë, Avniu, kushërini i parë i komandantit dhe heroit kolonel Tahir Zemaj, Halili, i biri i ish të burgosurit shumëvjeçar të ndjerit Kadri Osmanit, Ylli, kushërinjtë e komandantit Adem Jashari, Iliri me vëllezër, Ibrahim Ukëhaxhaj axhë i Dëshmorit-komandantit të UÇK-së, oficerit të karierës Adem Ukëhaxhaj, etj.

Atdhe pritna edhe ne mërgimtarëve t’i varrosim më të dashurit tanë!?.

 Nuk mund të mos përmendim edhe shumë veprimtarë të vjetër si; Nami Ramadani, Kolë Merturi, Abaz Imeri, Skënder Alimetaj, Emin Demaj, Bedri Kryeziu, Shkëlzen Gashi, Cen Berisha, Gani Kryeziu, Mustafë Demaj, Ramadan Latifi, Fikqret Mujeziqi, Selim Vllasi, Ramadan Aliju, Hysen Mehukaj, Fatmir Bajraj, Ilmi Neziraj, Imer Matoshi, Tefik Kallaba, Jahir Kadriu, Fadil Ruhani, Muharrem Halimi, Hazir Beqaj, Sabit Muli, Arsim Lokaj, Jahja Gashi, Ali Bekteshi, Sylë Sylaj, Lekë Preçi, Nue Lekaj, Vtor Spaqi, Zef Prenka, Baki Mustafi, Shaban Çelaj, Ibrahim Ukëhaxhaj, Hajrullah Matoshi, Hasan Dançe, Skënder Agushi, Taxhidin Bakiu, Selami Morina, Ramadan Zuka, Fatmir Krasniqi, Sabit Ejupi, Hamza Ibrahimi, Islam Shahini e shumë të tjerë që vërtet nuk ka mundësi të mbahën mend, e as vend të përmendën të gjithë.
Për shkak të pa mundësive për pjesëmarrje në këtë të pame përmes telefonit, ngushëllime kanë shprehur edhe Konsulli në Frankfurt, z. Astrit Zemaj, veprimtarët; Emin Fazlija-alias Emil Kastrioti, rapsodi Agim Gashi, Selim Limani, Hatixhe Ramadani, Miradije Gashi, Shefki Jakupi, Nail Rexhaj, Naim Zogaj, Dardan Hadërgjonaj, e të tjerë.

Dhe, për fund, shfrytëzojmë rastin t`i falënderojmë edhe njëherë të gjithë pjesëmarrësit në këtë të pame, të cilët ndihmuan në lehtësimin dhe dhembjet e familjes Leci, po edhe treguan se “Mërgata Shqiptare” din ti ruaj dhe ti kultivoj vlerat e veta edhe në shtetet e Perëndimit, duke qenë të integruar janë protagonistë të qëndrimit pran dokeve ,zakoneve dhe traditave tona kombëtare shqiptare. Krejt në fund ju bëjmë tirrje” Atdhe pritna edhe ne mërgimtarëve t’i varrosim më të dashurit tanë,mos bini nën ndikimin e predikuesve fetare te mbrapsht analfabet dhe të pa dijshëm”!?.

Filed Under: Mergata Tagged With: asllan dibrani, Mergata Shqiptare, ruajtja ne mergim, Traditat

Artikujt e fundit

  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT