• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRANCA REPUBLIKANE SHPETOI BASHKIMIN EUROPIAN

May 16, 2017 by dgreca

1-Repishti-300x212

Nga Sami  Repishti */  Ridgefield, CT. USA.- Të dielën, 7 maj 2017, Franca votoi për zgjedhjet presidenciale. Në mes të dy kandidatëve, Emmanuel Macron, europianist, dhe  Marine Le Pen, populiste , francezët zgjodhën të ardhmen e vendit tyne në kuadrin e Bashkimit Europian. Fitorja e tyne konsiderohet si fitorja e njerëzimit në botën mbar, sepse përveç premtimeve që frymëzojnë, kjo fitore u ba pengesa kryesore e përhapjes së nji lëvizje populiste, regresive që përfshiu Europën dhe SHBA-në gjatë vitit të kaluem. Unë e quej këte: nji fitore kundër neo-fashizmit që ngren kokën me paturpësi. Fitorja e Macron kuptohet edhe si fitorja e arsyes mbi pasionin e smurë që krijoi vala mbytëse e nacionalizmit të egër e agresiv në Europë.

   Tashti, kjo fitore do të përballohet me programin e mbrendshëm që synon rimëkambjen ekonomike të vendit, shkurtimin e buxhetit të Shtetit, rishikimin e legjislacionit të kodit të punës, përkrahjen e fuqishme të arsimit sidomos në zonat e “harrueme” dhe përkrahjen financiare të klasës së mesme, të pavarun nga shteti në tregëtine e tyne, e profesionistëve në mes tjerash.

   Kjo fitore ngren dukshëm edhe rolin e grues franceze në jetën publike. Nga 577 kandidatët e partisë së re të Macron, “En marche!” (Përpara!), gjysma janë gra ose fëtyra të reja në politikën e vendit.. Lufta për punësim sa ma të plotë zen vendin e parë. Natyrisht, synohet forcimi i ekonomisë franceze për konkurrencën botënore që imponon globalizmi.

  Roli i Presidentit në Francë ashte shumë i fuqishëm, por varet edhe nga përkrahja e Parlamentit (Asambleja Kombetare) e cila zgjidhjet me 11 e 18 qershorin  që vjen.

  Ajo që bien në sy ashtë qendrimi “anti-establishment” nji nevojë urgjente për ndryshim. Figura të njohuna në jetën politike franceze nuk u votuen, dhe ata që kandiduen për president humbën randë. Për herë të parë në ma shumë se 50 vjet asnji nga partitë tradicionale nuk u paraqit në rundin e dyte elektoral.

  Ky fenomen ashtë i përgjithshëm: masat votuese janë lodhë me figurat politike që hypin e zdrypin, premtojnë e nuk përmbushin, dhe që janë të shterruem për ide të reja, për ballafaqim me botën që ec përpara e me problemet e ditës, gjithëherë të reja. Ka nji pakënaqsi për legjislacionin e B.E. dhe falimentimin e përgjithshëm europian me përballue problemet e imigracionit dhe kontrollin e kufinjve. Kjo hapje e Europës për të gjithë botën nuk ka pasë sukses të plotë –me përjashtim të Gjermanisë së Kancelares Merkel, figura dominante europiane.

   Para nji situatë të këtill, çdo qytetar francez u detyrue me ekzaminue ndërgjegjen e vet: abstenimi në votim nuk ka vend, as justifikim. Kambëngulja e Macron në favor të forcimit të B.E. garanton nji të ardhme ma të mirë, ndërsa “fitorja e Le Pen don të thotë katastrofë për Europën dhe botën mbar!” shkruente Nobelisti Paul Krugman. Nji tjetër analist, Roger Cohen, shton “Macron mbetet shpresa ma e mirë për Francën, për Europën dhe për nji shoqëni civile të qytetnueme franceze. Franca e pranoi sfidën e madhe. Europa e Bota e Lirë e falënderojnë!

   Sa mundësi ka Presidenti Macron me përmbushë premtimet e dhanuna, në nji vend të ndamë nga retorika brutale e zgjedhjeve presidenciale? Kandidatët sulmuen njeni tjetrin dhe ofenduen me shprehje të pa pranueshme. Për ma tepër, fushata elektorale e Macron u sulmue “në mënyrë masive dhe të koordinueme”nga nji operacion “hacking” me potencial shkatërrimin dhe  destabilizmin e demokracisë së vendit nji ditë para votimeve. Kjo ofensivë ngjau edhe kundër SHBA-së në favor të Presidentit Trump, dhe kundër kandidates H.Clinton – e që ishte përqendrue ”…me mbjellë dyshim dhe desinformim”. Ma vonë u zbulue se operacioni ishte koordinue nga rusët që veprojnë nga qendra APT28, e njohun për spiunazh kundër NATO-s.

  Këtu në SHBA, njohim shumë mirë këte situatë të rrezikshme dhe të vështirë me u tejkalue, sidomos kur elektorati humbë besimin në klasën politike të vendit. Për ma tepër, preferenca e votuesve francez –simbas shtypit – ka nji peshë që kalon kufinjtë e vendit. Nji tërheqje nga B.E. ashtu si kërkon Le Pen do të shenonte nji goditje shumë të randë, ndoshta fatale për të gjithë projektin europian të bashkimit, dhe për të gjithë demokracitë perendimore, si dhe do të lehtësonte edhe nji terheqje të Europës drejt nji nacionalizmi të ngushtë. Nji zhvillim i këtill do të ndikonte thellë zhvillimet edhe në Shqipëri, kandidat për anëtarsim në B.E., solucioni ma i mirë –ndoshta i vetëm!- për vendin tonë dhe Republikën e Kosovës.

   Gazeta prestigjoze amerikane The New York Times e sintetizon kështu fitoren e Z. Emmanuel Macron: “ Ballafaqimi në zgjedhjet presidenciale të Francës tejkalon kufinjtë e politikës kombëtare. Ai ballafaqim tregoi dualizmin: globalizëm versus nacionalizëm. E ardhmja versus e kaluemja. E hapuna versus e mbylluna…. Rezultati i detyrohet edhe frikës së popullit francez nga nji lloj populizmi që përmbysi politikën e Britanisë së Madhe (Brexit) dhe atë në SHBA (Trump)”.

   Në rastin e kundërt, dalja e Francës nga B.E. e heqja dorë nga monedha “euro” mundson vdekjen e idesë së bashkimit ekonomik të Europës, kontinent që doli i përgjakun nga L2B. “Franca ka qenë anëtare themeluese e B.E. dhe forca nxitëse krysore, së bashku me Gjermaninë, ish rivale e saj. Efektet e daljes nga B.E. ndjehen përtej kufinjve të Europës, në zonat pa stabilitet politik, në tregjet botënore, si dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,” shkruen shtypi francez.

   Roger Cohen shprehë admirimin e tij që “Franca qendroi me dinjitet kundër sulmeve terroriste, frikës dhe çmendurisë së ISIS, (që kercënoi me vdekje të dy kandidatët). Ajo doli ma e fortë, e ma dinjitoze….Dueli politik tregon se Franca me Presidentin e ardhshëm Z. Macron po lufton me mbrojtë vlerat themelore të republikës, se mbron Francën nga rreziku i ramjes nen presionin e turpit populist. Ajo mbron idealet e nalta dhe aspiratat e trashëgueme nga Revolucioni (i vitit 1789): Liri, Barazi, Vëllaznim. Franca refuzoi të flliqet me populizëm”. Ai vazhdon: ”Si mund të zgjidhej Le Pen që urren imigrantët, e sidomos myslimanët francez, që kundërshton B.E. i cili nxori Europën nga ditët e zeza të grindjeve nacionaliste, e pozicionimeve autokratike, ksenofobike, me degët e saj në Moskë, Ankara e Washington, nji përkrahëse e nacionalizmit racist ‘Franca mbi të gjitha’ dhe përfundimin drejt nji konflikti, në ‘luftë’ simbas ish Presidentit F.Mitterand”?.

  Andrra e Robert Schumann, Konrad Adenauer, dhe Alcide de Gasperi mbijetoi!

******

  B.E. nuk ashtë zhvillue në nji vijë të drejtë. Ka pasë të meta dhe shpërdorime, por esenciale ashtë se ka sigurue nji Europë në paqë, demokraci, prosperitet ekonomik dhe të bashkueme. Ky ashtë sukses i madh për nji kontinent që u shkatërrue nga dy lufta botënore mbrenda nji çerek shekulli.

  Në Francë, p.sh. papunësia ka arrijtë në 10.1 % kurse për rininë nën moshën 30 vjeçare ashtë 23.7 %. Forca përtej mundësisë së Francës me kontrollue –byrokracia në Bruksel mbajtja nën kontroll e euro-s pa kujdes për damet e bamë në disa shtete nga Banka Qendrore Europiane, ernat e zeza të globalizmit në disa zona- kanë krijue nji atmosferë anmiqsore kundrejt B.E. Megjithate, Franca ka gëzue statusin e nji modeli social të admirueshëm. Afer 57 % e Prodhimit të Përgjithshëm të Mbrendshëm shpenzohet për mirëqenjen e shëndetin e popullit, por detyron Francën me qenë e dyta në listen e taksave të randa….

   Atëherë cila ashte perspektiva e B.E. për të ardhmen? Në nji analizë të studjuesit Robert D. Kaplan (autor i librit “Hijet e zeza të Ballkanit”) Franca, Holanda dhe Gjermania janë tre shtetet që kanë përba “The Holy Roman Empire” (Perandorinë e Shenjtë Romane) të Karlit të Madh (Charlemagne), në vitin 800, dhe sot janë akoma shtetet ma të pasuna me institucionet ma të forta  të Europës. Besohet se “sekreti” ka qenë ruejtja dhe forcimi i “klasës së mesme” në shoqëni. Pasunia prrallore dhe vorfënia janë shikue si “të padëshirueshme”, natyrisht të influencuem nga etika kristiane. E kundërta ngjau me perandorinë bizantine dhe ma vonë otomane, shkruen Kaplan. Ish vendet nën sundimin e tyne janë akoma sot ma të vorfënat, ma të pa qëndrueshmet, dhe gjithnji në nevojë të ndihmës nga B.E.“

   Kjo gjendje për B.E.  do të krijojë mundësi që ndihma të ofrohet edhe nga Rusia ose nga Turqia, dy vende me ambicie politike në Ballkan. Pakë ditë ma parë, ambasadori rus pranë B.E. në Bruksel deklaroi se B.E. dhe NATO nuk janë alternativat e vetme për shtetet europianë, deklaratë kjo që len të kuptohet se edhe Rusia ashte nji alternativë e dytë. Kjo ka qenë deklarata ma e fortë deri tashti kundër organizmit politik të tanishëm të kontinentit europian.

  Fatmirësisht, përgjegjen e parë e të plotë e ka dhanë nji shtet sllav, Maqedonia. KM Zoran Zaev, deklaroi para disa ditëve “Le të dijnë miqtë nga Rusia se për të gjithë Ballkanin perendimor dhe Maqedoninë vendi i jonë ashtë në B.E. dhe NATO”. Nji pikëpamje e këtill mbretnon edhe në Shqipëri e Kosovë, fatmirësisht.

  Kaplan deklaron: ”Pa B.E. të fortë do të kemi nji konflikt në Ballkan”. Që tani shofim shenja të disa vendeve të Europës lindore që po rrëshqasin në rregjime autokratike që i ngjasin ma shumë Rusisë se B.E. Në Turqi, KM.Erdogan mbas fitores elektorale nuk vizitoi varrin e Ataturkut, nji traditë shumë dekadash, por varrin e Sulltan Mehmetit II, që pushtoi gjysmën e Ballkanit, tue përfshi edhe Shqipërinë. Simbolika e nji gjesti të këtill nuk kalon shpejt dhe pa rrjedhime. “Vetëm në se Serbia, Kosova dhe Shqipëria –shkruen Kaplan -anëtarësohen në B.E. krijohen mundësitë që grindjet në mes serbëve dhe shqiptarëve të zgjidhen përfundimisht….Në B.E. Shqipëria dhe Kosova nuk e ndien nevojën për ‘bashkim’ me inisiativën e tyne, sepse nji akt i këtill ashtë nji ‘casus belli’ për Serbinë. Vetëm kështu mund të kemi paqë në ish Jugosllavinë”.

  B.E. ashtë kryesisht nji ide: bashkim dhe bashkëpunim në mes të shteteve pa humbë sovranitetin shtetnor. Nji fazë e re hapet në historinë e Europës. Nga afrimi në mes të shteteve të ndryshëm në nji sistem legalisht të formuem, në vend të shteteve/kombeve të izoluem, me ligjëshmëni e frazeologji të përbashkët, dhe mbrojtjen sidomos të individit, përbajnë nji hap cilësor përpara në marshin europian drejt lirisë dhe sigurimit kolektiv.

“B.E. ashtë perandoria e nevojshme” përfundon Kaplan. Dhe këtu qendron edhe gëzimi i jonë për fitoren e europianistit Emmanuel Macron si president i Francës europiane.

********

  Me 2 maj, në Columbia University (N.Y.) u mbajt nji tubim shkencor “Open Discussion” ku folën ekspertë të problemeve ballkanike. Merrnin pjesë edhe shumë ambasadorë të vendeve ballkanike, si dhe ato të Shqipërisë dhe Kosovës. Seanca u zhvillue në International Affairs Building, dhe u kryesue nga David L. Phillips. mik i shqiptarëve dhe sidomos i Kosovës. I ftuem, mora pjesë edhe unë.  

   Nji angazhim ma i madh dhe ma konstant i politikës amerikane në Ballkan ishte pika qendrore e diskutimeve. Nji nga folësit, Dr. Florian Qehaja, i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, nji i ri premtues, foli për efektet negative të qendrimit paternalistik që çfaqë Rusia ndaj Ballkanit dhe rrezikun real që vendet e Ballkanit ballafaqojnë. Nga diskutimet doli se kercënimi ma i madh vjen nga nji kombinim i politikës agresive të Serbisë (“që kërkon të bashkojë të gjithë popujt sllavë në nji Serbi të Madhe” (Sonia Biserko, në TV N1 të Beogradit) me atë të Rusisë së Putinit në pengimin e forcimit të shtetit të Kosovës, B.-H, Malit te Zi e Maqedonisë, pika sensitive dhe subjekte për sulm. Ballkani po radikalizohet nen presionin e influencës ruse, theksuen folësit. Lidhjet politike, kulturore e fetare të Rusisë me vendet ortodokse në Ballkan rrisin afinitetin në mes të dy palëve dhe në dam të pavarësisë së shteteve ballkanike. Baza e spiunazhit rus ne Nish- vetëm 35 km larg nga kufini i Kosovës dhe provokimet e vazhdueshme janë piketat e nji strategjie ma të gjanë. Në Serbi, 36 % e ushtarakëve janë pro-rus të deklaruem.

   Folësit diskutuen edhe “për influencën ruse në Shqipëri” dhe elementin fetar ekstremist, tue iu referue deklaratave të Ministrit të PJ të Shqipërisë: “Rusia nuk duhet shikuar si armike….”.

   Si përfundim: duhet rritë angazhimi amerikan në Ballkan para se të krijohet nji rrezik serioz për të ardhmen e gadishullit.

    Uroj që situata të këtilla kercënuese të shërbejnë si paralajmërime dhe me bindë grupet politike për nji bashkëpunim në mes tyne e në shërbim të interesave të atdheut tonë të përbashkët.

================================================================

* Ish student-bursist i Universitetit të Parisit, (1970-71)

Filed Under: Opinion Tagged With: BASHKIMIN EUROPIAN, FRANCA REPUBLIKANE, Sami repishti, SHPETOI

SHQIPERIA,VEND I DENJE PER ANETARSIM NE BASHKIMIN EUROPIAN

June 28, 2014 by dgreca

Nga Sami Repishti*/
Ridgefield,CT.SHBA.- Sot, 24 qershor 2014, agjensite nderkombetare te lajmeve njoftojne se Ekzekutivi (Keshilli i Ministrave te Jashtem) i 28 vendeve anetare te Bashkimit Europian, vendosi unanimisht te jape per Shqiperine statusin e kandidatit per anetarsim ne Bashkimin Europian. Urime Shqiperi, urime!
Mbas pranimit ne NATO, qe siguron pavaresine dhe integritetin tokesor te atdheut tone, statusi i kandidatit sot, dhe ma vone anetarsimi i plote ne Bashkimin Europian, shenon hymjen e Shqiperise ne nji bote ku mbretnon paqa, shteti ligjor, demokracia, dhe ne nji perqindje te nalte edhe prosperiteti ekonomik e zhvillimi qytet nues i shoqenise shqiptare. Sukses i madh! Pergjegjsi akoma ma e madhe!
Bashkimi Europian (BE) ashte nji krijese politike e imponueme nga nevoja ekzistenciale: me pengue lufta te reja shkaterrimtare ne mes te shteteve fqinj.
Ideja e nji Europe te Bashkueme nuk ashte e re. Por ne vitin 1945, ajo u imponue si nji domosdoshmeni, “hic et nunc”, para se ciles mediokriteti arkaik heshti. Tue kalue neper nji proces te gjate por te kujdesshem, ne vitin 1951 u krijue CECA (konsorciumi franko-gjerman per qymyrin dhe çelikun) qe zgjidhi problemin qendror te landeve te para per nevoje lufte. Francezi Robert Schumann, fitimtar,i bani thirrje per bashkepunim gjermanit Konrad Adenauer, i mundun. Ishte ky nji hap qe nxori Gjermanine nga psikoza e disfates ushtarake, dhe e inkuadroi ate ne gjiun e Europes se lire. CECA ishte nji sukses i madh politik e ekonomik qe lidhi dy ish anmiqt e medhej europiane ne ndertimin e nji paqeje te qendrueshme ne Kontinent.
Rruga e gjate per formimin e BE-se kaloi me sukses faza te randesishme bashkepunimi dhe perparimi ekonomik e social qe forcuen themelet e demokracise ne Europen perendimore dhe, si rrjedhim, ushtruen nji influence vendimtare ne levizjet per liri qe u zhvilluen ne “Europen e grabitun” (M.Kundera) te perandorise sovjetike. Ne Berlin, ne Vroclav, ne Hungari, ne Prage, dhe ne Gdansk te Polonise, me levizjen Solidarnost, (1980) filluen te tronditen themelet e sovjeteve. Me 4 nandor 1989, rrezohet Muri i Berlinit, Gjermania ribashkohet (tetor 1990), dhe fillon ekzodi i pakontrollueshem i refugjateve anti-komuniste. “Europa e grabitun” kthehet ne gjiun e “Europes se Lire”!
Me vrasjen e Çausheskut, Rumani, edhe Shqiperia lekundet nga levizja heroike e studenteve tone (dhetor 1990) dhe pak muej ma vone diktatura komuniste 45 vjeçare rrezohet si nji keshtjelle prej karte nen peshen e deshtimit te mbrendshem politik, ekonomik e shoqenor. Gjate kesaj periudhe, asnji zhvillim europian nuk u “kuptue” nga komunistet shqiptare, kufoma te ngurrezueme qe nga viti 1945, tashma mase subjektesh robotike me mentalitetin e bindjes pa kondita ndaj PPSHse
Sot, Europa ashte e lire, e plote, demokratike, pa kufij-pengese dhe perballon te ardhmen me konfidence. Ligjet edhe rregulloret e ketij organizimi madheshtor jane te kodifikueme ne “acquis communautaire’-in voluminoz (me afer 85.000 faqe qe kerkojne te pakten dy vjet per nji lexim te kujdesshem…!)
***
“Europa” ka marre nji kuptim konkret ne Mesjeten e hereshme. Mbas dyndjeve barbare qe shkaterruen Perandorine Romake (476 AD),u ngrit ne Europe nji force e re, dinamike, me nji te ardhme premtuese: Krishtenimi. E prirun kah paqa dhe me predikim per dashuni per njeni tjetrin, besimi i ri rindertoi “shoqenine” europiane dhe “familjen” europiane. Tue denue dhunen e tue predikue faljen e fajit, krishtenimi zbuti atmosferen luftarake te fiseve barbare dhe krijoi premisat per nji shoqeni “te qytetnueme” Ai permbante ne vetevete cilesite e nji qytenimi qe u njoh si “christianitas”.
Manifestimi i plote i ketij qytetnimi u arrit ne vitin 800 A.D. me kunorezimin e Karlit te Madh (Charlemagne) ne Aachen, si Perandor i Perandorise se Shenjte Romake E ndertueme mbi baza morale, shenjtenimi i jetes se njeriut, denimi i dhunes dhe i poligamise, dhe mohimi i divorcit , Kisha Katolike Romane hodhi bazat e qendrueshme te shoqenise dhe te familjes europiane, berthame e qytetnimit te sotem perendimor.
Ky zhvillim ne drejtimin e duhun, me te gjitha peripecite, siguroi perparimin e Europes. Aty lindi dhe u zhvillue renaissance-a, humanizmi, iluminizmi francez, idete sociale …. . Ideja se “njeriu i lire” ashte vlera ma e madhe dominoi mendimin europian, dhe me te gjithe nacionalizmet, internacionalizmet dhe levizjet shkaterrimtare qe vorrosen “Europen e vjeter”, ne vitin 1945 . filloi ndermarrja historike e BE-se, e deshirueme nga te gjithe, dhe e perfundueme me Traktatin e Lisbones 13 dhetor 2007 (ratifikue 1 dhetor 2009).
Europa e sotme ashte nji Europe e lire, paqesore, demokratike dhe pa kufij pengese, nji Europe e vendosun me mbrojte e zhvillue ma tej te drejtat dhe lirite individuale te njeriut. Ajo qe mbetet akoma, ashte pranimi nga kombet e ndryshme me abdikue disa te drejta te sovranitetit kombetar ne favor te nji Europe politike ma te plote, super-nacionale, e formueme vullnetarisht me te drejta te barabarta. “Problemet qe Europa ka perballue ne keto pese vitet e fundit,- shkruente gazeta The New York Times me 22 maj 2014,- tregojne se nevoja per nji bashkim europian ashte sot edhe ma e madhe se asnjihere ma pare”.
Gjate te gjithe ketij itinerari europian me ngjarje te rendit te pare, Shqiperia jetoi e shkeputun me dhune nga forca te jashteme anmiqsore. Ne Mesjete, kryesisht nga invazioni ushtarak otoman qe shkaterroi vendin tone si ndeshkim per rezistencen shqiptare, dhe pengoi afrimin tone me Europe, deshira e madhe per kulture e perparim u ba e pamundeshme. Si rezultat, per afer pese shekujsh te gjate Turqia mbajti vendin tone si koloni ushtarake me rrjedhime negative per zhvillim, me shkeputje nga bota perendimore, dhe me reduktimin e Shqiperise ne nji krahine te humbun te Perandorise otomane, efektet e se ciles ndiehen akoma ne shoqenine tone sot te disorientueme.
Perseri, ne vitin 1945, nji kombinacion faktoresh negative, te mbrendshem dhe te jashtem, transformuen nji te ardhme premtuese ne nji katastrofe qe rrezikoi vete ekzistencen e vendit si pjese e shoqenise europiane. Komunizmi qe u vendos me dhune te skajshme ne Shqiperi, jo vetem qe trathetoi gjakun e deshmoreve te rame per lirine e atdheut, traditen tone kombetare per liri, por vrau pa meshire çdo perpjekje te mendjeve fisnike me qene pjese e Europes se qytetnueme. Vlerat kombetare te beses, mikpritjes, burrenise, nderit personal, dhe te pavaresise se individit ne shoqeni u zevendsuen nga nji sistem shtypes kriminal, i lindun nga genjeshtra, dhe i ushqyem me urrejtje, tratheti, spiunim, e dhune te skajshme…!
Ky zhvillim i mbrapshte ndoshta spjegon mungesen e nji “pranevere shqiptare” gjate 45 viteve te shtypjes komuniste, si dhe gjate zgjuemjes nga gjumi diktatorial. Kjo mungese tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone civile. Ajo ma kryesorja ashte, per mendimin tim, humbja e frymes se bashkesise ne shoqeni, “empatia”, ne mes te qytetareve; si rrjedhim, ndjenja dhe bindja se grindjet dhe perballimet absurde qe torturuen Shqiperine qe nga dita e Pavaresise kombetare e deri sot … jane nji rruge-dalje! Ky trajtim “partisan” i problemeve publike, nuk perfaqson interesat legjitime te mbar popullit shqiptar.
Mashtrimi ne politike, nuk ashte politike; ai ashte mashtrim i thjeshte dhe ka rrjedhime. Poshtenimi i kundershtarit politik nuk ashte fitore; ashte shkaterrimi i gjysmes se kombit qe guxon me mendue ndryshej. Dhe kambengulja fanatike per mbajtje, ose rikthim, me çdo kusht ne pushtet ashte nji formule e destinueme me deshtue sepse ashte e gabueme ne teori dhe nuk ka te ardhme ne praktike. “Pushteti” ne politike ashte mjet, jo qellim si ne diktaturen e proletariatit. Qellimi i pushtetit ashte administrimi i vendit qe synon perparimin e sigurise se pergjitheshme , pa dallim, pa perjashtim, ashte ngritja e nivelit ekonomik e kulturor te popullsise, ashte forcimi i kohezionit social te shoqenise shqiptare, sot te fragmentueme.
Sepse, ne qofte se vuejtja e shqiptarit ne Kelmend nuk prek zemren e shqiptarit ne Konispol, koncepti i nji “kombi shqiptar” ashte thjesht nji iluzion, nji koncept abstrakt!
***
Agresioni rus ne Krime dhe Ukraine, dhe kercenimet kineze kundrejt fqinjve te vet jane shenja frikesuese se ideologjia komuniste nuk pranon disfaten e plote. Bota e Lire po ndergjegjsohet dhe shikon me shqetesim, e vendosmeni njikohesisht, kete zhvillim kercenues. Europa e Bashkueme ashte pjese thelbesore e Botes se Lire, bota ku shqiptaret aspirojne te anetarsohen. Jemi ne nji periudhe zhvillimi te multi-lateralizmit, para nji kerkese frantike per zgjidhje te perbashketa te problemeve te perbashketa. Bota e sigurise dhe stabilitetit qe u ndertue ne San Francisco me 1945, bota e OKB-se, kerkon nga çdo qeveri “reparimet” e nevojshme per evitimin e jo-stabilitetit dhe konfliktit shkaterrues. Koncepti i “qeverisjes” ne boten tone sot ashte nji sfide per çdo vend, pavaresisht nga madhesia, popullsia, niveli i zhvillimit e raportet me boten e jashteme.
Fashizmi u mund ne lufte; komunizmi deshtoi si sistem ekonomik e social i padrejte, “…nji çizme shtypse ne fetyren e njeriut,….e perhere!” (G.Orwell) Mbas katastrofes mbeti rishikimi i orientimit te ri: liberalizmi tradicional dhe adaptimi i tij kerkesave te demokracise. Gideon Rose e permbledh konsensin per kete orientim:” …pranimi i “shtetit” si asistence sociale, prirja per nji decentralizim te pushtetit, nji system i ekonomise se perzieme, dhe pluralizem politik”. Ky “orientim” kerkon nji bashkejetese te kapitalizmit me nji demokraci te mirefillte per masat e gjana popullore, nji situate ku klasat qe vuejne pse nuk kane za, ose perjashtohen nga procesi ekonomik prodhues, duhet te jene pjese perbase e sistemit. Sot, theksohet “pabarazia ekonomike” ne nji shoqeni ku “drejtori” paguhet 500 here ma shume se “punetori i thjeshte”, nji fenomen negativ qe jo vetem pakeson prodhimin ekonomik, por bren bazen e mbeshtetjes se qeverise nga “qytetaret” e vet qe perjetojne padrejtesine, e nuk gezojne pjesen qe u takon ne te miren e pergjithshme.
Na duhet nji “shtet providues” (etat proviseur) me nji system asistence sociale per te harruemit e shoqenise. Ky qendrim ashte thelbesor, sidomos ne ditet tona kur çdo forme e “socializmit” ashte demaskue nga eksperienca. Kete pergjegjsi, ne Europe, e mori persiper me sukses “demokracia kristiane” dhe institucionet shtetnore per perkujdesje.( Schumann-Adenauer-De Gasperi)
Ne nji periudhe pothuejse çmendurie mbas kapitalit, pavaresisht si grumullohet, tragjedia e jone moderne konsiston ne pa-aftesine tone me kuptue se ky orientim hedonist nuk sjelle lumtuni; ai permban ne vetevete tjetersimin e plote te individit nga bota ku jeton, perfundim kryesor i nji çmendurie kolektive.
Kemi nevoje per nji “bashkepunim vullnetar” nji prirje qe zhvillohet si refuzim i qendrimeve mbizotenuese, tanima te diskreditueme: vazhdimesi perballimesh, nenshtrim pa kondita, rivalizim te perhereshem; nji prirje qe synon bashkepunim te balancuem me kujdes.
Na shqiptaret kemi nevoje urgjente per nji rikthim sa ma te shpejte te lirise dhe dinjitetit te te gjithe qytetareve qe akoma frikesohen nga “dora” qeveritare dhe nga “grushti” i hijeve te zeza partiake qe kane zane per fyti vendin tone. Shqiperia duhet te shpetoje veten nga “vetja” e saj, para se te kerkoje ndihmen dhe bashkepunimin ne Europe, e te mos lejoje te cilesohet “shtet i falimentuem”,( pershtypje qe fitohet nga sjellja e deputeteve “partiake” ne Kuvend ), te mos cilesohet si nji vend qe damton ma shume nga qenia jashte BE se mbrenda saj. Ata qe mendojne se nen kontrollin e BE vendi i jone do te “riformohet” si nji shtet ligjor, ndoshta kane te drejte; por kjo zgjidhje jo-fatlume damton rande dinjitetin tone kombetar, dhe per shume kohe! Shqiperia nuk e meriton kete perçmim!
Shqiptaret kane nevoje per nji autoritet legjitim, nji shtet ligjor, nji administrate funksionale, me rregulla, dhe per kete qellim duhet te punojne te gjithe, tue ndertue institucione demokratike qe sherbejne si ndermjetese ne mes te “shtetit” dhe “qytetarit”. Ma konkretisht, perfaqsues i BE-se ne Shqiperi, Z. Clive Rudebold deklaroi ne Tirane: ”Kerkesat kryesore jane: zbatimi i ligjit, mbarevajtja ekonomike, institucione demokratike, dhe mbrojtja e te drejtave te njeriut. Lufta kunder korrupsionit dhe krimit te organizuem…”
Nuk pritet ndonji perfitim nga konfidenca e teprueme ne aftesite e nji “udheheqsi” ose te nji partie politike qe kerkon dominimin e plote te jetes se vendit. As pritet ndonji perfitim ne dobesimin, deri ne shumje, te kundershtarit qe mendon ndryshej. Nuk duhet perjashtue gjysma e popullsise. Sepse, e verteta dhe zgjidhja pozitive e problemit nuk jane gjithehere ne anen e shumices. Mendje te ndrituna shpesh here revoltohen. Duhet respektue mendimi i tyne, sepse zakonisht ata i largohen zgjedhjeve te thjeshta, e sidomos sloganeve partiake mashtruese. Bota e sotme ashte ma komplekse se kurdohere ma pare. Me kuptue kompleksitetin e saj, me zbulue sekretin e saj, me punue me sy e veshe te hapun para saj, jane kondita themelore per sukses.
Keshtu e shoh une Shqiperine time qe pritet te hyje ne Europe, e kerkon te perfitoje nga Europa. Europa ka nji te ardhme te ndritun, ne paqe dhe e plote. Na nuk mund te ndryshojme historine me ideologji te diskreditueme. Na duhet te jemi agjente pozitive te historise europiane, aktiviviste perkrahes te paqes e stabilitetit politik ne Europe, pjesemarres te marshit triumfues te njerezimit drejt lirise se plote te njeriut.
Per Boten mbar, Shqiperia ashte vetem nji “vend”; per ne, shqiptaret, ky “vend” ashte Bota mbar!
* City University of New York

Filed Under: Analiza Tagged With: BASHKIMIN EUROPIAN, PER ANETARSIM NE, Sami repishti, shqiperia, VEND I DENJE

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT