• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DEKLARATË PAVARËSIE PARA 31 VITEVE NË 2 KORRIK 1990

July 1, 2021 by dgreca

-Deklarata Kushtetuese e miratuar dhe nënshkruar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik 1990, “Fillim i së nesërmes” së Kosovës shtet/

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë  i Gazetës DIELLI/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Korrik 2021/ “Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte para 30 viteve  Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

 “Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 31 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

 Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

 Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 22 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  13 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 31-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para dy vitesh e dërgova  me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

 Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

 Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar  në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i  parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

15 PRILL 1990:  DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

KUVENDI MBLIDHET NË SEANCË SOLEMNE PËR SHËNIMIN E 31-VJETORIT TË MIRATIMIT TË DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë solemne të premten, më 2 Korrik 2021, në ora 10:00, për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. 

Kjo seancë ka për qëllim shënimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.

Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.  

Filed Under: Featured Tagged With: 31 vite, Behlul Jashari-Dielli, Deklarata e 2 korrikut

JOE BIDEN-DY VIZITAT NË KOSOVËN E PAVARUR…

January 11, 2021 by dgreca

-…AMERIKA, GJITHMONË PËRKRAHJE…/

-Kosova pret që miku i madh Joe Biden ta vizitojë tashmë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas dy vizitave si Nënpresident në Maj 2009 dhe në Gusht 2016, në të cilat solli mesazhe të fuqishme përkrahëse: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm” dhe “Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”…

Gazeta DIELLI-Speciale nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

????????????????????????????????????

PRISHTINË, 10 Janar 2021/ Kosova pret që miku i madh Joe Biden ta vizitojë tashmë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e uron për zgjedhjen edhe duke përkujtuar dy vizitat si Nënpresident, të parën pak më shumë se një vit pas shpalljes së Pavarësisë.

Në 20 maj 2009 raportoja se,  Kosova pret në festë Zëvendëspresidentin Amerikan, Joseph Biden në vizitën e nesërme të vlerësuar historike nga institucionet e vendit dhe populli, ndërkohë që përgatitjet për mikpritjen e mirëpritjen e madhe shihen kudo në Prishtinë , kryeqytetin e shtetit më të ri në botë.
Më tej, mes tjerash, theksoja se, në orët e pasditës së sotme, derisa punëtorët komunal të kryeqytetit kishin përfunduar punët në stolisjen e shesheve dhe rrugëve me flamuj të SHBA-ve dhe të Kosovës dhe në vendosjen në bilborda të fotografive të mëdha të Zëvendësprsidentit Amerikan Biden bashkë me përshendetjet e mirëseardhjes.
Ndërsa , në ditën e vizitës, në 21 Maj 2009 raportoja:

21 MAJ 2009 – ZËVENDËSPRESIDENTI AMERIKAN BIDEN NË VIZITËN E PARË NË PRISHTINË: NJOHJA E PAVARËSISISË SË KOSOVËS PËRBËN PROCES TË PAKTHYESHËM


Zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden sot në Prishtinë në takim me drejtuesit më të lartë të vendit ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai pas takimit me Presidentin Fatmir Sejdiu e Kryeministrin Hashim Thaçi.

“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-ve. Një Kosovë e Bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, theksoi Biden.

“Gjëja e tretë që dua ta potencoj është se mendoj se qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi që qeveria e ka arritur brenda një viti është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, tha Biden.

“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistoj ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vijoi ai.

“Gjatë udhëtimit tim në Bosnjë, Serbi dhe tani në Kosovë, unë kam thënë se ky është një rast historik. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve evropiane kanë ëndërruar një Evropë të tërë, të bashkuar, të lirë dhe në paqe. E vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze – ndonëse më herët thashë paqe – e vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze apo tërësie është që, për herë të parë në historinë e tij, Ballkani të ketë rast të jetë tërësisht i integruar në BE. Kjo është mundësia që ne e kemi tani, ky është qëllimi i SHBA-ve, ky është qëllimi i këtyre liderëve dhe ky është qëllimi i – kujtoj unë – pothuaj të gjithë liderëve të rajonit. Kur kjo të ndodhë, ëndrra që ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhet realitet”, theksoi Zëvendëspresidenti Bajden.

Në vizitën e parë në Kosovë pas shpallljes së pavarësisë Biden tha se për të kjo ishte një ditë vërtetë e mrekullueshme.

“Bazuar në përvojën tonë, kur një vend është demokratik dhe kur është i bashkuar me vendet e tjera demokratike, të gjitha gjërat që e kanë pllakosur atë vend në të kaluarën tejkalohen dhe ofrohet një mundësi më e mirë për një të ardhme më të ndritshme, kështu që unë jam optimist. Jam optimist dhe edhe njëherë dua ta falënderoj qeverinë për mikpritjen dhe dua t’ju tregoj se sa kisha kënaqësinë të kthehesha në një Kosovë që po ndërtohet dhe zhvillohet. Pash njerëz nëpër rrugë që po buzëqeshin. Gjersa po fluturoja për në aeroport, pashë çati të shtëpive të tjera, të reja; pashë përparim, pashë se njerëzit po ecnin para. Për mua kjo është një ditë vërtetë e mrekullueshme, që pata rastin të kthehem. Dhe unë u jam shumë mirënjohës, jo vetëm qeverisë, por edhe tërë popullit të Kosovës”, përfundoi Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Biden.

Ndërsa, që në fillim të fjalës së tij, Zëvendëspresidenti Biden falënderoi për nderimin e tij nga Presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, raportoja, mes tjerash…

***

Në Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare në Kosovë të NATO-s së prirë nga Amerika në 12 Qershorin e vitit 1999, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.

Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:

“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 Qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.

22 Maj 2009: KOSOVË – AMBASADA E SHBA: BIDEN, I PREKUR NGA TË SHPREHURIT MASIV TË DASHURISË DHE RESPEKTIT

Në 22 Maj 2009 raportoja: Ambasada Amerikane në Prishtinë falënderon popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrojhtë dhe zemërgjerë për Nënkryetarin SHBA-ve, Joseph Biden, gjatë vizitës në Kosovë, duke theksuar ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.

“Ambasada e SHBA-ve dëshiron të falënderojë popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që ia ofruan Nënkryetarit Biden me 21 Maj. Gjersa Nënkryetari nuk pati mundësi të takohet personalisht me gjithë ata mijëra njerëz që shfaqën entuziazmin e tyre duke u rreshtuar pranë rrugëve të Kosovës, ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, thekson deklarata e kumtuar nga Ambasada Amerikane.

“Kërkojmë falje për çdo vështirësi të shkaktuar nga mbyllja e rrugëve dhe masave tjera të nevojshme që ishin të lidhura me vizitën”, shtohet në kumtesë.

JOE BIDEN NË VIZITËN E DYTË, 17 GUSHT 2016: KOSOVA DO TË KETË GJITHMONË PËRKRAHJEN E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Në vizitën e dytë në Kosovë Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrti në mbrëmjen e 16 Gushtit 2016, i pritur në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore, me nderimet më të larta e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka pritur në Aeroport Nënpresidentin Joe Biden dhe familjen e tij, siç është shprehur, për t’iu uruar përzemërsisht mirëseardhjen miqve të përjetshëm të Kosovës. “Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur Presidenti i Kosovës.

“Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE”, ka theksuar Thaçi duke shprehur falënderim.

Në pritjen në Aeroport të Nënpresidentit Amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituse e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medale olimpike të Kosovës shtet. 

Në Prishtinë, në 17 Gusht 2016, Nënpresidenti Amerikan Biden zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi  në konferencë për shtyp pas takimeve Nënpresidenti Amerikan Joe Biden.

“Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”, tha Nënpresidenti Amerikan Biden në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Kosovar Thaçi.

“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, theksoi, mes tjerash, Nënpresidenti Amerikan Joe Biden.

Po në 17 Gusht 2016, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, Nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden ishin për vizitë afër Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” për të marrë pjesë në cermoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III.

Për këtë, në 17 Gusht 2016 në raportimin në Gazetën DIELLI  theksoja:

NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN

Në Kosovë, emrin e Beau Biden, djalit të ndjerë  të Nënpresidentit Amerikan Joe Biden e mori sot rruga 35 kilometërshe që lidh dy qytete, Ferizajn e Gjilanin.“Ky është një moment i ëmbël, por edhe i hidhur, pasi po këtu në këtë vend isha me Beau para disa viteve”, tha nënpresidenti amerikan dhe shprehu falënderimet e tij dhe gjithë familjes Biden,  në fjalën e mbajtur në ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e komunave.

Beau Biden ka ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden, ka punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).Beau Biden ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm në Delaware ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Dielli, Dy vizitat e Joe Biden

HARADINAJ:Kosova, marrëdhënie strategjike me Vatikanin

May 22, 2018 by dgreca

DSC_4496

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova e interesuar për marrëdhënie strategjike me Vatikanin/

DSC_4599

-Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike/

DSC_4444 VATIKAN, 22 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Vatikan, ku sot është pritur në takim nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar shteti i Vatikanit.

Të arriturat e vendit në aspektin politik dhe demokratik, pozicioni i Kosovës karshi vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me këto vende, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.

“Kosova është e përkushtuar që të vazhdoj avancimin e raporteve me Vatikanin dhe se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani, është hap i nevojshëm”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj përmendi edhe faktin se liria fetare dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës janë vlera të pacenueshme, vlera këto që duhet të promovohen edhe në raportet mes dyja vendeve.“Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë dhënë Kosovës.

 “Kosova është e interesuar që në Ballkan të shtyjë procesin e paqes permanente dhe pajtimit, në të njëjtën frymë, Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie strategjike me Vatikanin”, ishte qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj.Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.Qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj në Selinë e Shenjtë po bëhet në kuadër të vizitës zyrtare në këtë vend, në të cilën do të zhvillohen një ser takimesh me nivele të larta dhe me interes për vendin.Pas pritjes nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Kryeministri Haradinaj i bëri vizitë edhe Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, qendra e Selisë së Shenjtë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Behlul Jashari-Dielli, Haradinaj, Vatikan

Prishtinë & Kukes- dëbora e parë e vjeshtës

October 7, 2017 by dgreca

-Dëbora e parë e vjeshtës dy muaj e gjysmë para ardhjes së dimrit me kalendar/bore-ne-kukes1 Bore Prishtine-Prishtinës thuhet se i ka mbetur emri si një vend ku prishet stina (Prishstina)…Edhe se e mban emrin e trashëguar nga Perandori Justiniani/

PRISHTINË, 7 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, dëbora e parë e kësaj vjeshte reshi gjatë natës së kaluar, dy muaj e gjysmë para ardhjes së dimrit me kalendar. Kosova gëdhiu sot bardh e mbuluar nga dëbora e hershme edhe në qytete e rajone të tjera.Afër një muaj më e “vonuar” dhe më e paktë me një tis i hollë që zbardhte veçmas kulmet ishte dëbora e parë në vjeshtën e kaluar – 2016, e reshur natën mes 3 e 4 nëntorit në Prishtinë.Në vjeshtën e vitit 2015 Prishtina ishte e mbuluar nga dëbora e parë në mëngjesin e 27 nëntorit. E  vjeshtën e vitit 2014 dëbora e parë ka reshur dy muaj para ardhjes së dimrit me kalendar, natën mes 22 e 23 tetorit.Në Prishtinë dëborë reshë edhe pranverave. Në mëngjesin e 20 prillit 2017 kryeqyteti i Kosovës ishte i zbardhur nga dëbora që nisi me fjolla të lehta një ditë më parë e vazhdoi të reshë më dendur natën.

Në 2016-tën dëborë pranverore reshi edhe natën mes 25 e 26 prillit. Ndërsa, dëbora e fundit pranverore në 2015-tën  reshte në ditën e gjashtë të muajit prill, pas asaj që nisi mbrëmjen e 1 prillit e që pasonte atë të pragfestës së Ditës së Verës – 14 marsit.Prishtinës, ku moti ndërron edhe brenda orëve e ditës, e dëborë bie edhe në stinë pranvere e vjeshte, thuhet se i ka mbetur emri si një vend ku prishet stina (Prishstina), siç thuhet edhe se e mban emrin e trashëguar nga Perandori Justiniani.Edhe në Kukës dimri ka trokitur më herët duke zbardhur majet e maleve dhe duke i dhënë imazhin dimëror.Lartësitë e malit të Gjallicës, janë zbardhur nga dëbora e parë.Gjithashtu ne tre ditët e fundit ka patur reshje shiu edhe ulje të ndjeshme të temperaturave të ajrit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari-Dielli, Bora e pare, Pristine & Kukes

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT