• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbajtja ne arrest e Haradinajt eshte paradoks

January 5, 2017 by dgreca

-Ministri Hoxhaj flet ne telefon me homologun Francez/

-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe përpjekjet e Serbisë janë të motivuara politikisht/

Former Kosovo prime minister Ramush Haradinaj, right, is rushed by police officers inside the Colmar courthouse, eastern France, Thursday Jan.5, 2017. Haradinaj is facing possible extradition to Serbia to face war crimes charges after being arrested at a French airport. (AP Photo/Jean-Francois Badias)
Former Kosovo prime minister Ramush Haradinaj, right, is rushed by police officers inside the Colmar courthouse, eastern France, Thursday Jan.5, 2017. Haradinaj is facing possible extradition to Serbia to face war crimes charges after being arrested at a French airport. (AP Photo/Jean-Francois Badias)

Mbajtja ne arrest e Haradinajt eshte paradoks/

PRISHTINË, 5 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Mbajtja në arrest e Ramush Haradinajt është paradoks, deklaroi sot në mbrëmje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në deklaratën thuhet:Vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës që ta mbajnë në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.

Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor.Për më tepër mbajtja në paraburgim e zotit Haradinaj, për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks.Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviqit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij.Ne jemi të bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim Zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdoj punën e tij.(AAK )

***

 

Hoxhaj bisedon me ministrin e Jashtëm të Francës, kërkon mbështetje për lirimin e Haradinajt/

-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe përpjekjet e Serbisë janë të motivuara politikisht/

PRISHTINË, 5 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me ministrin e Jashtëm të Francës, Jean-Marc Ayrault lidhur me rasatin e ndalimit të ish Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit te AAK-së, Ramush Haradinaj dje nga policia franceze.Ministri Hoxhaj e ka informuar në detaje homologun e tij francez për situatën e krijuar duke thënë se fletarrestimet  e Serbisë janë të papranueshme dhe jo valide për qytetarët e Kosovës.Hoxhaj ka thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe përpjekjet e Serbisë janë të motivuara politikisht. “Kam pasur një bisedë të gjatë telefonike me homologunt tim francez, ku i shpjegova situatën e krijuar dhe absurditetin e këtyre kërkesave të Serbisë që për ne janë të papranueshme. I kërkova mbështetje që z. Haradinaj të lirohet sa më parë dhe besojmë që kjo do të ndodhë. Telefonata është në vazhdën e angazhimeve intensive që po bëjnë institucionet e Kosovës, Ministria e Jashtme dhe shërbimi diplomatik për ta liruar z. Haradinajn”, ka thënë Hoxhaj./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, eshte paradoks, Mbajtja ne arrest e Haradinajt

Kosova 2017-Njihet stazhi i punës i viteve të ‘90-ta

January 3, 2017 by dgreca

-“Bujku”, gazeta e rezistencës së atyre viteve dhe e bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri. “Këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/

unnamedunnamed-3unnamed-2unnamed-1

-“Në njohjen e përvojës së punës të viteve të ’90-ta do të përfshihen realisht të gjithë ata sektorë të cilët kanë punuar në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë asaj kohe”, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës Dielli/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 3 Janar 2017/ Njohja e stazhit të punës për të gjithë që punuan në institucionet e Republikës së Kosovës në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar do jetë një nga angazhimet e  Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2017, deklaroi ministri Arban Abrashi.

“Në njohjen e përvojës së punës të viteve të ’90-ta do të përfshihen realisht të gjithë ata sektorë të cilët kanë punuar në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë asaj kohe”, tha ministri Abrashi, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI, duke bërë të ditur se është filluar me arsimin e vazhdohet me shëndetësinë e sektorët e tjerë, përfshirë informimin.

Ministri Abrashi në konferencën e fundvitit për shtyp ka prezantuar të arriturat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës në vitin 2016.

“Janë identifikuar mbi 14 mijë vende të lira pune. Ka ndodhur kategorizimi i mbi 41 mijë shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues që tani variojnë mes 158 euro minimale dhe 230 euro maksimale. Janë përkrahur mbi 26 mijë familje me ndihmë sociale, më gjithsej 107 mijë anëtarë. Kanë kaluar 4 ligje, përfshirë ligjin për veteranët”,  ka theksuar, mes tjerash, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Në vitet e 90-ta ishte një kohë e rëndë e okupimit serb, kur shqiptarët u dëbuan dhunshëm nga puna, shkollat, universiteti, nga të gjitha institucionet që kishte Kosova, por në organizimet e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci mbajtën edhe zgjedhje, zgjodhën edhe President, Kuvend e qeveri të Republikës, në shtëpitë e tyre i bënë institucionet e arsimit, shëndetësisë, kulturës e të tjera, mes të cilave ishte edhe gazeta e rezistencës “Bujku”, që sfidonte ndalimin e  mbylljen e dhunëshme të gazetës tradicionale e të vetme të përditshme shqiptare në Kosovë, Rilindja.

Gazeta që e nxirrnin gazetarët e punëtorët e tjerë të Rilindjes, “me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, median pjesë e institucioneve të Republikës.  Presidenti Rugova në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast  më dha edhe një nga intervistat ekskluzive, nga e cila e citova,  shprehte edhe mbështetjen e fuqishme institucionale për gazetën simbol i traditës së informimit në Kosovë dhe të drejtën e punonjësve të saj.Për njohja e stazhit të viteve ’90 për punëtorët e gazetës “Bujku” – Rilindja, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tashmë që në vitin e kaluar, në 20 tetor 2016, i janë dërguar listat e punëtorëve, ku janë të nënshkruar për rrogat që kanë marrë, ndërsa dëshmi janë edhe gazetat në arkiva dhe biblioteka.

“Derisa në Kosovë nxirrnim gazetën me emrin ‘Bujku’  në Perëndim -Zvicër dhe në Tiranë nxirrnim gazetën Rilindja, me ndihmë materiale fillestare nga qeveria e Kosovës në ekzil dhe gjatë gjithë kohës kemi paguar kontributet për Republikën e Kosovës – Fondin e 3 përqindëshit”, theksohet në aplikimin për njohjen e stazhit, që kam bërë si kryeredaktori i parë-themeluesi i gazetës së përditshme “Bujku”. Nga selia e kësaj gazete që nisi të dalë nga 18 janari 1991 e me të cilën u themeluan edhe bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri nisa raportimet edhe si korrespondent i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë-ATSH, nga Prishtina, që para çerek shekulli-nga 24 maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste kosovare, të zgjedhjes së Presidentit dhe Parlamentit të Republikës,  e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, stazhi i punes, vitet 90-ta

Drejt përfundimit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore

January 2, 2017 by dgreca

-Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari prezantojnë punën e rezultatet, planet dhe sfidat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit/

1-kosova

-Në foto: Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti/

2-ministri

-Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Ballina e numrit të fundit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – 30 dhjetor 20083-qendraFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Pallati Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë

—Kosova 2017-AKP me 14 objektiva kryesore…Rilindja pret zgjidhjen/

4-rilindja1-heroi

-Drejt përfundimit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore/

-Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi  dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ku theksuan edhe se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme/

– Pritet zgjidhja edhe për gazetën tradicionale e historike të Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit, të mbajtur pikërisht para 73 vitesh, nga 31 dhjetor 1943  deri në 2 janar 1944, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para 15 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002/

-Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim që ka bërë kryeredaktori deri në numrin e fundit (tash edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli në SHBA, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila në 15 shkurt 2017 feston 108 vjetorin, më të herëshmes shqiptare në gjithë botën – përkrahëse e ridaljes së Rilindjes – gazetës së parë të përditëshme shqiptare në Kosovë), theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit/

-I pyetur nga Gazeta DIELLI, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti: Me rastin e shpronësimit të aseteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Qeveria do kryejë të gjitha obligimet ndaj punëtorëve e kreditorëve/

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 2 Janar 2017/ Agjencia Kosovare e Privatizimit për vitin 2017 ka përcaktuar 14 objektiva kryesore, ndërkohë që ende nuk i ka shitur 1.764 asete të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa që nga qershori 2002 kur është themeluar, atëherë si Agjenci Kosovare e Mirëbesimit, ka nënshkruar 1.286 kontrata të shitjes së ndërmarrjeve të reja dhe të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.

Ndër objektivat kryesore janë: Realizimi i gjithsej 12 valëve të shitjeve të aseteve përmes likuidimit; Identifikimi i aseteve të mbetura dhe përcaktimi se me çfarë metode mund të bëhet tjetërsimi i tyre; Vendosja e të gjitha ndërmarrjeve shoqërore në likuidim; Pagesat për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim; Trajtimi i aseteve jashtë Kosovës.

Kjo u bë e ditur në një konferencë shtypi dhe pritje të fundvitit, ku Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi  dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve përmbledhëse të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ndërsa u theksua se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përfshirë edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Planin e veprimeve 2015-2018 për zbatimin e programit qeverisës. Qeveria ka paraparë dy masa kryesore lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit: Përmbylljen e procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe rishikimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e Agjencisë për të siguruar llogaridhënie të rregullt dhe efikase”, u bë e ditur në konferencë.

Në përshpejtimin e procesit të privatizimit dhe likuidimit në periudhën e ardhëshme, Agjencia Kosovare e Privatizimit thekson se mbetet e zotuar në synimet e saj për të përmbushur mandatin ligjor për të shmangur pengesat dhe për të kontribuar në rritjen e ekonomisë së Kosovës, ndërsa

Ndër sfidat kryesore të periudhës së ardhëshme theksohen përfundimi i studimit të fizibilitetit për Trepçën, mungesa e bashkëpunimit me disa komuna në pjesën veriore të Kosovës,si dhe vonesat në trajtimin e lëndëve nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe  në gjykatat themelore.

Edhe pagesa e mjeteve nga qeveria e Kosovës për shpronësimet e vendosura në pronat shoqërore është ndër sfidat dhe angazhimet e ardhëshme, përfshirë vitin 2017.

“Që nga viti 2008, qeveria ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 31 maj 2016 gjithësej janë marrë 699 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Në maj 2016 Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka dërguar letër Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor me kërkesë per pagesë të këtyre shpronësimeve”, bën të ditur raporti i prezantuar.

Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit theksuan se për asnjë ndërmarrje shoqërore nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa i paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave poashtu pritet të paguhet 20%-i për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore.

Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë së Kosovës ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati tash ndërtesë qeveritare, ku ishin ambientet e punës të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja. Zgjidhja edhe për këtë gazetë – Ndërmarrjen Shoqërore Gazetare Rilindja dhe të drejtat e punëtorve të saj do pasojë pagesën nga qeveria për shpronësimin dhe në angazhimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kjo pritet në vitin 2017.

Gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit, të mbajtur pikërisht para 73 vitesh, nga 31 dhjetor 1943  deri në 2 janar 1944, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para 15 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para mëse 8 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim që ka bërë kryeredaktori deri në numrin e fundit (tash edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli në SHBA, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila në 15 shkurt 2017 feston 108 vjetorin, më të herëshmes shqiptare në gjithë botën – përkrahëse e ridaljes së Rilindjes – gazetës së parë të përditëshme shqiptare në Kosovë), theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)  vitin e kaluar 2016 e ka nisur me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-ën. Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 31 dhjetor, pak orë para ardhjes së Vitit të Ri 2016, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve  të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 ishte një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.

Në 19 maj 2016, Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e 75-të, me konsensus të plotë, emëroi Ekrem Hajdarin në pozitën e Drejtorit Menaxhues të AKP-së. Avni Jashari u emërua në pozitën e Zv/Drejtorit Menaxhues për Likuidim dhe Vabona Dibra Zv/Drejtoreshë për Shitje.

MINISTRI I FINANCAVE NË QEVERINË E KOSOVËS, AVDULLAH HOTI: NE DO KRYEJMË TË GJITHA OBLIGIMET NDAJ PUNËTORËVE E KREDITORËVE

 

Në një pyetje të korrespondentit në Prishtinë të Gazetës Dielli, ndërlidhur edhe me të ardhëmen e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në procesin e privatizimit, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti tha se buxheti për shpronësime që ka bërë Qeveria për vitin 2017 është rritur për 5 milionë euro, nga 25 në 30 milonë dhe pagesa për shpronësimet varet nga prioritetet.

“Me rastin e shpronësimit të aseteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ne paguajmë 20 përqindëshin për punëtorët dhe pjesa tjetër mbetet derisa të kryhen të gjitha kërkesat e kreditorëve të ndryshëm potencialë. Në momentin që kryhen ne si Qeveri kemi obligim të paguajmë diferencën. Por, mos të harrojmë që pronare e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është qeveria e Kosovës. Ne kryejmë të gjitha obligimet ndaj punëtorëve, ndaj kreditorëve potencialë dhe mandaj diferenca vjen në buxhetin e Kosovës”, theksoi ministri i Financave, Avdullah Hoti.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Drejt përfundimit të privatizimit dhe likuidimit të, ndërmarrjeve shoqërore

Kosova, Gëzuar 2017

December 31, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Prishtina në fundvitin 2016/

prishtina-foto-gazeta-dielli-behlul-jashari-28dhjetor2016-mbremje-3

-Kosova pret Vitin e Ri 2017 me festë edhe në sheshet plot njerëz në festë dhe dritë e shkëlqim fishekzjarresh drejt qiellit në natën e ndërrimit të moteve, mes shumë dekorimesh edhe me bredhat e mëdhenjë/

-Kosovës së pavarur nga 17 Shkurti historik 2008, viti 2016  i solli edhe dy njohje të reja, nga Suriname dhe Singapori, të cilat ngritën në 113 numrin e njohjeve nga shtetet anëtare të Oeganizatës së Kombeve të Bashkuara/

prishtina-foto-gazeta-dielli-behlul-jashari-31dhjetor2016

PRISHTINË, 31 Dhjetor 2016-BEHLUL JASHARI/ Kosova përmbylli 2016-ën e nisjes së zbatimit, nga 1 prilli,  të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, të krijimit për herë të parë të marrëdhënies kontraktuale me Bashkimin Evropian, edhe me një ngjarje tjetër viti – miratimin e Buxhetit të Shtetit 2017 që arrin rekord me mbi 2 miliardë euro dhe ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.Kosovës së pavarur nga 17 Shkurti historik 2008, viti 2016  i solli edhe dy njohje të reja, nga Suriname dhe Singapori, të cilat ngritën në 113 numrin e njohjeve nga shtetet anëtare të Oeganizatës së Kombeve të Bashkuara.

Viti 2016 u përmbyll sot edhe  me një ceremoni të hapjes së disa nyjeve lidhëse në autostradën e Kosovës drejt Maqedonisë, e cila nisi të ndërtohet në 3 korrik 2014, ndërsa në 25  tetor 2015 u lidh me autostradën e ndërtuar drejt Shqipërisë – dy projekte këto më të mëdhatë të infrastrukturës kosovare të rëndësishme edhe për gjithë rajonin.

Në Kosovë Viti i Ri 2017, i 18-ti në liri e i 9-ti në pavarësi,  do pritet si tradicionalisht këtyre viteve edhe me koncerte në sheshe qytetesh plot njerëz në festë dhe dritë e shkëlqim fishekzjarresh drejt qiellit në natën e ndërrimit të moteve, mes shumë dekorimesh edhe me bredhat e mëdhenjë.Në vitin e parë të lirisë së Kosovës nga mbrëmja e 31 dhjetorit 1999 e deri pas mesnatës mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës në pritjen e Vitit të Ri 2000, ndërsa festime të mëdha në sheshe kishte edhe në qytetet e tjera kosovare“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet që kam bërë nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Gëzuar 2017, kosova

Kosova, Ligji për Veteranët e Luftës së UÇK-së

December 31, 2016 by dgreca

-Me ndryshime e plotësime të miratuara mbrëmë në seancën plenare të Kuvendit, me të cilën u përmbyll sesioni vjeshtor, ndërsa pranverori do nisë në 16 janar 2017/

-Viti 2016 në Kuvendin e Kosovës edhe me mungesa kuorumi/

1-kuvendiPRISHTINË, 31 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ligji për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar, u miratua mbrëmë pas shqyrtimit të dytë në Kuvend me shumicë – 44 pro, 8 kundër e 11 abstenime në votimin me 63 deputetë pjesëmarrës. Ky ishte një votim i përsëritur, pasi më parë Ligji nuk mund të kalonte me 58 deputetë pjesëmarrës në votim, që ishin më pak se gjysma dhe nuk përbënin kuorumin,  e ku 45 ishin pro, 6 kundër e 7 abstenuan. Me këtë seancë u përmbyll sesioni vjeshtor dhe puna e vitit 2016 e Kuvendit të Kosovës,  ndërsa sesioni i ri, pranverori, do të nisë në 16 janar të vitit të ri 2017.

Në seancën tjetër të jashtëzakonshme, më parë, po mbrëmë Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh me 58 vota pro e 4 abstenime miratoi në parim pas shqyrtimit të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u paralajmërua se në procedurën e përshpejtuar Kuvendi do mblidhej përsëri mbrëmjen e djeshme në një seancë tjetër të veçantë për leximin e dytë.

Seanca ishte e ftuar për pardje pasdite, por nuk u zhvillua në mungesë kuorumi, i cili mungoi edhe dje pasdite për miratim të Projektligjit në fund të debatit, derisa opozita lëshoi seancën.

Procedura e votimit e shqyrtimit të parë u përsërit mbrëmë pasi u arrit që në sallën e seancës  plenare të Kuvendit të Kosovës të jenë dy më shumë se gjysma e deputetëve – 62, e për kuorum duhen së paku 61.

Grupi parlamentar i Listës Serbe ka vazhduar edhe dje “ngrirjen” e pjesëmarrjes në Kuvend prej më shumë se dy muaj e gjysëm, nga 9 tetori 2016, dhe në mungesë edhe të opozitës dhe disa deputetëve të maxhorancës nga partitë shqiptare kalimin e Projektligjit e mundësoi prania dhe vota e grupit parlamentar të komunitetev e pakicë joserbe Gjashtë Plus.

Gjatë vitit 2016 Kuvendi i Kosovës kishte edhe seanca tjera me mungesa kuorumi.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka arsyetuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai theksoi se qëllimi i projektligjit është kategorizimi sipas periodave kohore i kontributit të individëve në luftën e UÇK-së: kategoria I, nga 1991 deri në përfundim të luftës; II, nga 1998 deri në përfundim të luftës dhe III, nga marsi i vitit 1999 deri në përfundim të luftës. Pjesëtarët e UÇK-së do të përfitojnë paga, sipas kategorive respektive , në vlerë prej 250 euro, 170 euro dhe 120 euro. Ai ka theksuar se lidhur me Projektligjin Ministria është konsultuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar-FMN, i cili institucion ka kërkuar që vlera financiare për kontributin veteranëve të UÇK-së të mos kalojë 0.7 për qind të brutoproduktit vendor, si dhe ka përmendur dy-tre shqetësime të FMN-së lidhur me projektligjin e propozuar,e që konsistojnë me gjysmën e pagës për pjesëtarët e UÇK-së, që punojnë në bizneset private dhe për pagën e trashëgimtarëve të veteranëve të vdekur.

Kryeministri, Isa Mustafa, ngutjen për shqyrtimin e Projektligjit e ka arsyetuar me insistimin e FMN-së që çështja të përmbyllet brenda këtij viti Duke e përmendur numrin e shtuar të veteranëve të luftës , ai ka pohuar se sipas rekomandimeve të FMN-së mund të sigurohen rreth 38 milionë euro, ndërkohë që nga numri i veteranëve të certifikuar kërkohen rreth 60 milionë euro. Për shkak të listave të fryra të veteranëve të luftës, Mustafa ka pohuar se Kosova ka humbur 195 milionë euro donacione , si dhe ka shprehur brengosjen e tij se nëse çështja nuk rregullohet Kosova rrezikon të humbë edhe investime të mëdha nga kredi dhe grante ndërkombëtare.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka shfaqur kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës po e përmbyll këtë sesion me miratimin e plotësimit të Ligjit për Veteranët e UÇK-së. Ai ka pohuar se projektligji i ofruar nuk i zgjidh të gjitha problemet e veteranëve , por ka mbajtur qëndrim se megjithatë është më mirë që çështjet të zgjidhen hap pas hapi. Ai e ka vlerësuar modeste ndihmën prej 250 euro për familjarët e veteranëve që nuk janë gjallë, ndërksa ka kërkuar që me këtë projektligj veteranët e luftës së UÇK-së të mos eliminohen nga tregu i punës në Kosovë. Veseli ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatave të luftëtarëve të lirisë për kontributin e dhënë për hartimin e projektligjit.

 

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e zhvilluar dje, u ftua pasi pasditen e një dite më parë qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 124-të të rregullt, të 56-tën në vitin 2016, në të cilën miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qëllimi i nxjerrjes së këtij projektligji ishte kategorizimi i veteranit luftëtar të UÇK-së, si përfitues i pensionit dhe benificioneve të tjera, që përcaktohen në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se ky projektligj është dakorduar me përfaqësuesit e veteranëve, gjatë një takimi edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, sa i përket nevojës që për veteranët të ndahen 0.7 për qind të GDP-së vjetore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, e Luftës së UÇK-së, kosova, Ligji për Veteranët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT