• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUHET KOLË BERISHA, VEPRIMTAR I LIRISË E PAVARËSISË SË KOSOVËS

August 29, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha/

-Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon telegram ngushëllimi/

-Gazeta DIELLI me këtë rast sjell intervistën ekskluzive meKryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, para 15 viteve, të 6 Prill 2006, të korrespondentit nga Kosova atëherë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JashariPRISHTINË, 29 Gusht 2021/ Është shuar sot në moshën 73 vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, veprimtar shumë vite drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka drejtuar një letegram ngushëllimi familjes, miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia  kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e Presidentes Osmani.

Në telegram thuhet se vepra e z.Berisha ishte shumëdimensionale. “Mësues  i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, thuhet në fund të telegramit të Presidentes Osmani, bën të ditur njofimi i dërguar nga Presidanca.

Ndërsa, në njoftimin e dërgar nga Lidhja Demokratike e Kosovës bëhet e ditur:

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi: 

“E nderuara familje Berisha, 

Mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën. 

Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci. 

Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë. 

Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. 

Përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi. 

Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha. 

Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta.” 

Gazeta DIELLI me këtë rast sjell intervistën ekskluzive meKryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, para 15 viteve, të 6 Prill 2006, të Behlul Jasharit – korrespondentit nga Kosova atëherë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), tani i Gazetës DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës  VATRA:

KOLË BERISHA: KOSOVA DO JETË SHTET I QYTETARËVE TË BARABARTË
– Kryetari i Kuvendit të Kosovës flet ekskluzivisht për ATSH-në, para vizitës në Shqipëri

PRISHTINË, 6 Prill /ATSH/ – “Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë. Ajo e ka lënë pas të kaluarën dhe tashmë po sheh drejt së ardhmes”. Kështu deklaroi sot (e Enjte) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në një intervistë dhënë korrespondentit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Prishtinë, Behlul Jashari, para vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri. “Është nder për mua të vizitoj këtë pjesë të atdheut, në vizitën time të parë si kryeparlamentar i Kosovës”, u shpreh ai, duke garantuar bashkëpunim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mes Kosovës dhe vendeve të tjera. Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se “autoritetet do të garantojnë respektimin e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe se Kosova do të jetë vendi i të gjithë qytetarëve të saj”.

Z. Berisha, është paralajmëruar për këtë javë vizita juaj në Shqipëri. Cila është axhenda e kësaj vizite dhe si e vlerësoni të tashmen dhe të ardhmen e bashkëpunimit midis Kosovës e Shqipërisë?


Eshtë e vërtetë se pas vizitës përuruese së shefit të Zyrës së Ndërlidhjes së Shqipërisë në Kosovë, z. Bujar Muharremi, para gazetarëve premtova se vizita ime e parë që do të bëj jashtë Kosovës, si Kryetar i Kuvendit, do të jetë vizita që do t’i bëj pjesës tjetër të atdheut – Shqipërisë. Gjithmonë jam udhëhequr nga një parim: nga e afërmja – më pas e largëta. Dhe, është nder për mua që së pari ta vizitoj këtë pjesë të atdheut, e pastaj, nëse më jepet rasti, të vizitoj edhe vendet e tjera. Këto ditë, shumë personalitete të huaja që më kanë vizituar, më kanë ofruar mundësinë për t’i vizituar vendet e tyre. Unë falënderoj nga zemra Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj.Jozefina Topalli për ftesën që më bëri. Kemi vendosur të shkojmë si Kryesi e Kuvendit. Do ta kemi një itinerar të ngjeshur, sepse pretendojmë të takohemi me të gjitha strukturat udhëheqëse të nivelit më të lartë të Shqipërisë. Mendoj se kjo vizitë jona do të pasohet me kontakte të tjera më të shpeshta për një bashkëpunim shumë më të mirë ndërmjet institucioneve tona.


Kosova, me negociatat që zhvillohen në Vjenë, ka hyrë në finalen e procesit historik të vendosjes dhe të njohjes ndërkombëtare të statusit. Shumica absolute e kosovarëve, institucionet dhe subjektet politike, si të vetmen zgjidhje shohin realizimin e vullnetit politik e demokratik për pavarësi. Ju, edhe si kryeparlamentar edhe si anëtar i delegacionit të Kosovës për statusin, si e vlerësoni zhvillimin e negociatave dhe çfarë prisni si rezultat?


Ne ishim të vetëdijshëm që në fillim se me Serbinë është vështirë të bisedohet. Këtë përvojë të hidhur e kemi që nga dekada e fundit e shekullit të kaluar. Por, siç deklaroi një herë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, pasi bashkësia ndërkombëtare kërkon të ndiqet kjo rrugë, “po e provojmë edhe këtë biznes”. Ai, jo rastësisht, kërkonte një njohje formale për pavarësinë e Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara. Ajo mendon se ende është në Rambuje. Si do që të jetë, pavarësisht bllokadave, këtij procesi do t’i vijë fundi. Tashmë nuk bëhet fjalë nëse do të jetë Kosova e pavarur apo jo, por po negociohet për një siguri më të madhe për serbët e Kosovës.


Në një periudhë shumë të gjatë të sistemeve të kaluara, shqiptarët në Kosovë, edhe pse shumicë, trajtoheshin si minoritet-kombësi, ndërsa serbët, edhe pse pakicë, janë trajtuar si komb. Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve, të serbëve dhe të komuniteteve të tjera në Kosovën e pavarur?


Në një Kosovë të pavarur, e ardhmja e cilitdo popull, qoftë ai pakicë apo shumicë, do të jetë shumë më e mirë. Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë, i të gjithë atyre që do të dëshirojnë të jetojnë këtu. Kosova po ndahet nga e kaluara. Atë do ta lërë në muze. Ajo do t’i kthehet të ardhmes.


Disa qarqe propagandojnë frikën e një pjese të qytetarëve të Kosovës, serbëve, nga pavarësia e Kosovës. A ka vend për një frikë të tillë?

Kanë arsye të frikësohen vetëm kriminelët, ata të cilët kanë kryer krime. Të tjerët nuk kanë përse të frikësohen.


Të rikthehemi edhe një herë te bashkëpunimi rajonal i Kosovës. Si është dhe si do të jetë në të ardhmen bashkëpunimi edhe me vendet e tjera të rajonit, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, etj?


Kosova do të krijojë raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit e më gjerë, pra edhe me Serbinë. Në Ballkan, të gjithë popujt janë të vegjël. Edhe vetë Ballkani është i tillë. Ne na duhet një treg më i gjerë, na duhet qarkullimi i lirë i njerëzve, i mallrave dhe i ideve. Duhet t’i lëmë hasmëritë. Duhet të ndjekim shembullin e Gjermanisë.


Si e shihni të ardhmen e të gjitha këtyre vendeve të rajonit, të shqiptarëve si komb dhe të popujve të tjerë, në integrimet euroatlantike?

Vetëm si të barabartë mund të integrohemi në familjen e madhe evropiane dhe euroatlantike. Kosova e di se rrugë tjetër nuk ka.
/lira/s.s./

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dr Rugova, KOLË BERISHA

Para 6 viteve u shua Akademik Mark Krasniqi

August 28, 2021 by s p

-Gazeta DIELLI në 29 Gusht 2015:  Mark Krasniqi ishte nje nder miqte e shquar te Vatres/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 28 Gusht 2021/  Para 6 vitve, në 28 Gusht 2015, Akademik Mark Krasniqi ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare pas mesnate rreth orës 00:35 minuta në Qendrën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ishte  shtri dy ditë më parë pas një përkeqësimi të shëndetit të tij.Gazeta DIELLI në 29 Gusht 2015 bashkë me shkrimin e korrespondentit në Kosovë  për shuarjen e Akademik Mark Krasniqit botonte edhe shënimin redaksional me titull “Mark Krasniqi ishte nje nder miqte e shquar te Vatres”, ku  theksohej:

 Akademiku Mark Krasniqi, qe u shua ne Kosove, me 28 Gusht 2015, ishte dhe nje mik i shquar i Federates Panshqiptare te Amerikes ”VATRA”. Ai ishte i ftuari i Vatres edhe ne pervjetorin e Pavaresise se Kosoves me 2011 dhe folesi i darkes. Bashkepunimi ka qene edhe me i hershem mes Vatres dhe akademikut Krasniqi. Te gjithe vatranet ndjehen te prekur nga ikja e akademikut Krasniqi dhe ngushellojne familjen dhe te gjithe miqte e te ndjerit. Ndiqeni kroniken qe dergoi bashkepunetori i Diellit nga Prishtina, gazetari Behlul Jashari me 28 Gusht 2015.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njoftonte në një deklaratë se,  në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në spitalin e Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dijetari, intelektuali, profesori dhe veprimtari i spikatur i kauzës sonë kombëtare, akademik Mark Krasniqi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe e gjithë bota shqiptare.
Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në gazetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetar-redaktor në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe).
Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ushtroi disa herë detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit Juridik-Ekonomik, ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë.
Me punën e tij shkencore, para së gjithash në fushën gjeoetnografike, të mbështetur në fuqinë e argumenteve shkencore, arriti ta studiojë dhe pasqyrojë realitetin kompleks hapësinor e shoqëror të Kosovës dhe ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke bërë emër përtej suazave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Të gjitha këto angazhime të tij ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar. 
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014. 
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shprehte ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare…

Në 28 tetor 2010, Akademikut Mark Krasniqi, deputetit më të vjetër kosovar të të gjitha mandateve të pasluftës, iu urua 90-vjetori i lindjes në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Unë do ta shfrytëzoj rastin që edhe në emerin tim edhe të deputetëve t’ju uroj 90-vjetorin e lindjes”, iu drejtua kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniq, akademikut Mark Krasniqi, duke e falënderuar në përfundimin e fjalës së tij në deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës.

Urimi i kryeparlamentarit për akademikun dhe deputetin që kishte hyrë  në dhjetëvjetëshin e dhjetë të jetës u përcoll përshëndet me duartrokitje.

Akademik Mark Krasniqi në deklaratën e tij  në seancën plenare të Kuvendit shpreh shqetësimin se “sovraniteti i Kosovës nuk është i plotë”,  duke u angazhuar që të bëhet i plotë dhe duke tëhequr vëmendjen edhe për veprimin e stukturatve të Serbisë në disa pjesë të Kosovës.

Ai shprehu shqetësimin edhe për “harrimin  e veriut të Mitrovicës” dhe bëri thirrje që mbi të gjithë të jetë interesi i shtetit të pavarur të Kosovës, mbi të gjitha interesat partiake, personale e të tjera.

Ai tha edhe se “eksterritorialiteti është heqje dorë nga pjesë të territorit të Kosovës dhe dhënie tjetërkujt që t’i administrojë”.

“Këto janë gjera që nuk duhet t’i pranojmë në asnjë mënyrë…Kur është interesi i Kosovës, i territorit, i sovranitetit, aty nuk duhet të pranojë askush asnjë gjë. Madje, këto gjëra duhet t’i vendosë Parlamenti, e jo Qeveria”, theksoi akademik Krasniqi.

Ai theksoi mbështetjen për komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet në Kosovë dhe u angazhua edhe që “të drejtat e bartabarta të jenë  për të gjitha komunitetet e jo vetëm për komunitetin serb”.

“Ne jemi për komunitetin serb dhe për të gjithë që t’i kenë të drejtat maksimale të Evropës Perëndimore, por jo edhe të jenë në dallime shumë të mëdha me të drejtat e komuniteve tjera”, tha  akademik Krasniqi. Ai foli edhe për rëndësinë e madhe të regjistrimit të popullisë, të munguar gjatë 30 vjetëve, e që do të bëhej në vitin 2011, për domosdonë e luftës kundër korrupsionit dhe për angazhime të tjera për të mirën e Kosovës, duke u angazhuar për më shumë suksese në të gjitha fushat në shtetin e ri.

Filed Under: Featured Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Behlul Jashari, Ibrahim Rugova

KOSOVA DREJT ZGJEDHJEVE LOKALE TË 17 TETORIT 2021, TË TETAVE NË LIRI

August 27, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/


PRISHTINË, 27 Gusht 2021/ Kosova në 17 Tetor 2021 mbanë zgjedhe lokale, të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999. Në një njoftim dërguar korrespondentit në Kosovë të Gazetës DIELLI bëhet e ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Në këtë mbledhje, KQZ filloi procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 17 Tetor 2021. KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 48 subjekteve politike (18 parti politike; 1 koalicion; 17 iniciativa qytetare; 12 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre. Numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kryetar Komune është 26, ndërsa numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale është 526 kandidatë. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për moscertifikim të dy kandidatëve të pavarur, pasi të njëjtit nuk janë në përputhje me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. KQZ do të vazhdojë procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në mbledhjet e radhës, thekson njoftimi dërguar nga Valmir Elezi -Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Para 4 viteve, të dielën e 22 Tetorit 2017, Kosova votoni në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe asambleistët e komunave. Garojnin gjithësej 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicion, ndërsa fushata elektorale njëmuajshe kishte nisur në 21 Shtator. “Për komunën tënde. Voto” ishte sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2017, i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve… Kosova ka gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës. Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së. Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj. Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. Zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 u mbajtën në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 Nëntorin 2013, ndërsa në 2017-tën në Kosovë kishte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 Qershor, 3 vjet pas atyre të 8 Qershorit 2014. Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 ishin të shtatat. Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008. Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare-në 17 Nëntor.Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje parlamentare, të parakohshme, të gjashtat në liri, të tretat pas shpalljes së pavarësisë. Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj. Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit. Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, zgjedhjet lokale

NË DITËLINDJEN E SHËN NËNË TEREZËS AKADEMI SOLEMNE NË KATEDRALEN E PRISHTINËS

August 26, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Gusht 2021/ Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 5 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon Akademi Solemne, në mbrëmjen e ditës së sotme – 26 Gusht 2021, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Sipas programit, në akademinë që hapet nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, flet edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Pjesë e akademisë janë edhe pika muzikore dhe promovimi i dy librave: Libri i përkthyer në italisht i Don Lush Gjergjit “Conversazioni con Madre Teresa”, botues Velar & Edizioni Dotrinari – viti 2021, dhe libri i Don Fatmir Koliqit “Kulturë e krishterë. I. Dromca identitare”, botuese Drita – viti 2021.

Me rastin e 111 vjetorit të lindjes dhe në vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vendosi lule të freskëta pranë shtatores së saj në sheshin që mban emrin e saj, dhe me ç’rast mbajti një fjalë rasti. Para të pranishmëve, në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”. Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”. Çdo vit, Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup, organizon aktivitetet të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe shenjtërimin e Nënës Terezë. Këtë vit, ndryshe nga e kaluara, nga 26 Gushti deri 5 Shtator, në Shkup dhe Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturore “Drita e Gonxhës”, gjatë së cilës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016). Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve. Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut. Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”. “Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në Qershor 2010 “Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi. Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”. Po ashtu, Zefi tregonte se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë. “Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë… Gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005, për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik.“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Në Prishtinë, në festën e gurthemelit të Katedrales nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA ishin Agim Rexhaj tani President Nderi dhe Marjan Cubi tani anëtar i Kryesisë dhe arkatar, të cilët së bashku ishin edhe në 13 Gusht 2021 kur në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza u shfaq dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar. Kërë verë dokumentari erdhi në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”…Edhe në ceremoninë festive të shfaqjes së dokumentarit në kryeqytetin e Kosovës u theksua me shumë mirënohje se shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, me kryetar Marjan Cubin, në Nju Jork dhe rrethinë kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI TE SHTATORJA E NËNËS TEREZË NË PRISHTINË I nderuar Dom Lush Gjergji,I nderuar z. Skënder Asani, drejtor i Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup,Të nderuar ministra znj. Rozeta Hajdari e z. Hajrulla Çeku,Miq shkupjanë, z. Emin Azemi, z. Mehmet Prishtina, z. Anton Nikë Berisha,Të nderuar të pranishëm,Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut. Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë, perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë. Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken edhe konkreten. Sot ky institut po nderon Nënë Terezën. Nënë Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror të paqes. Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe bujari, duke sakrifikuar edhe veten u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët e tyre në kushte të pamundura. Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz, dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar. Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të shpaluar vlerat e veta, dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep shpresë dhe dritë.Duket sikur ne i kemi në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë, dhe sikur presim t’i shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë. Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta Nënë Terezë. Përmes kësaj zonje, përmes kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë, Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”. Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj. Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara. Sot po përkulem pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte por kur ai e meritonte.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Nene Tereza, Prishtine

JEFF SCOTT SOTO në Hardh Fest

August 25, 2021 by s p


Nga Behlul Jashari


Festivali më i madh në Kosovë, Hardh Fest, sivjet po vjen me vitin jubilar të 20-të, me 3, 4 dhe 5 shtator në Rahovec. Tashmë ekipi organizativ, në një konferencë për media, ka shpalosur programin e festivalit si dhe Line Up-in e edicionit më të ri të Hardh Fest, i cili këtë vit organizohet nën moton “Shnosh Si Kokrra”. Dea Luma, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun, ka treguar detajisht për gjitha aktivitetet e sivjetshme të cilat organizohen në “Hardh Fest”. Ndërsa, drejtori artistik i “Hardh Fest”, Gardalin Shtavica, ka prezantuar artistët kryesor të cilët do të marrin pjesë në koncertet e mëdha me 3,4 dhe 5 shtator. “ Hardh Fest” edhe këtë vit i qëndron besnik muzikës. Jemi munduar të ftojmë̈ si gjithmonë emrat më eminent të këtij zhanri, si vendor po ashtu edhe ndërkombëtarë̈. Artisti kryesor i këtij edicioni do të jetë Jeff Scott Soto së bashku me bendin Eridan si dhe Alban Skenderaj. Koncerti do të pasurohet me rock grupet nga Kosova “Minatori”, grupi “Na” dhe “Magnituda & Friends” si dhe këngëtarja Eneida Tarifa dhe këngëtari Mentor Haziri”, DJ 029 , MAARVEL tregoi Shtavica. Festivali i vjeljes së rrushit “Hardh Fest” organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës Smajl Latifi dhe përkrahjen e Komunës Rahovec, MKRS , MBPZHR, partnerit të festivalit StoneCastle dhe sponsoreve tjerë. Nora Boshnjaku, përfaqësuese nga Komuna e Rahovecit, thotë se çdo vit Komuna e Rahovecit është̈ munduar të rris përkrahjen për festivalin Hardh Fest dhe është perkrahje me e madhe financiare ndër vite. “Komuna e Rahovecit, në vazhdimësi ka qenë shumë e interesuar që të rrisë përkrahjen për këtëfestival, pasi që nëpërmjet Hardh Fest, ekspozohen vlerat e trashëgimisë dhe kulturës së Rahovecit, por edhe vreshtarët e vertarët kanë mundësi të ndryshme të promovojnë̈ produktet e tyre”, tha Boshnjaku. Këtë vit “Hardh Fest” feston vitin e tij jubilar, atë të 20’të ndërsa këtë vit, mbahet nën moton “Shnosh si kokrra”. Gjatë 3 ditëve e 3 netëve, festivali do t`iu përmbahet gjitha masave të cilat janë caktuar nga Qeveria e Kosovës. Me 3, 4 dhe 5 Shtator në Hardh Fest “Shnosh si kokrra” në Rahovec , Vaksinohu!

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Hardh Fest

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT