• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rama pse kaq inferior para Beogradit?!

January 20, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/Kaliforni/

 Përmes mjeteve të informimit masiv është dhënë edhe ky informacion: “Edi Eama, Kryeministri i ri i Shqipërisë, pritet që të vizitojë Beogradin gjatë muajit shkurt, në kuadër të një turneu diplomatik nëpër vendet e rajonit, ka njoftuar Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivan Mrkiç përrmes mediave serbe, transmeton agjencia e lajmeve “B52” (Citohet sipas: “Edi Rama do të vizitojë Beogradin”. Marrë nga faqja e internetit “Tirana Observer”. 19 janar 2014).

Një informacion ky vërtet i çuditshëm. Në vend që këtë lajm publiku shqiptar ta mësojë nga zyra e informacionit e Kryeministrit Rama, ai e merr vesh nga mjetet serbe të informimit masiv.

Madje gazeta “Politika” e Beogradit e datës 17 janar 2014, paska zbuluar edhe një të vërtetë aspak ngushëlluese për publikun shqiptar të mbarë trojeve tona etnike. Ministri Mrkiç paska deklaruar:

“Beogradi e mirëpret iniciativën e Ramës të vijë në Serbi”.

Një njoftim ky që “Tirana Observer” e ka censuruar në faqen e vet të lartpërmendur të internetit.

Iniciativa e çuditshme e Kryeministrit Rama me siguri që nuk ka ngjallur ndonjë interes në Beograd, për të mos thënë që është pritur me shpërfillje, përderisa ministri Mrkiç deklaron:

“…nuk dihet data e saktë e vizitës së Ramës në Beograd, sepse Beogradi zyrtar është i zënë më çështje

të tjera të rëndësishme, disa prej tyre negociatat me Prishtinën dhe fillimi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE” (Citohet po sipas faqes së mësipërme të internetit të gazetës “Tirana Observer”).

          Pas kësaj deklarate të ministrit të jashtëm serb, zoti Rama, normalisht, në mbrojtje të dinjitetit te vet si Kryeministër i Shqipërisë, duhet të deklarojë për anulimin e vizitës në Serbi, meqenëse Beogradi zyrtar nuk e vlerësuaka të rëndësishme vizitën në fjalë. Kur Beogradi del me një deklaratë të tillë publike pas 66 vjetë marrëdhëniesh të tendosura me Shqipërinë, pas një gjenocidi mbinjëshekullor që ka ushtruar kundër popullit shqiptar të Kosovës, kjo do të thotë se ai, edhe pas bombardimit të Serbisë në vitin 1999, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdon të mos ushqejë kurrfarë respekti ndaj klasës politike të Tiranës. Deklarata shpërfillëse e ministrit të jashtëm serb për vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, dëshmon se mendësia millosheshiçiane ndaj etnisë shqiptare vazhdon të mbetet mbizotëruese në formimin psikologjik të klasës politike serbe.

Po si shpjegohet që Kryeministri Rama e ka mbajtur të fshehtë nga publiku shqiptar planin e vet për të vizituar Beogradin, madje duke e ndërmarrë vetë iniciativën për një vizitë të tillë, pa pritur ndonjë ftesë zyrtare nga homologu serb?

Në këtë mes dëshiroj të theksoj disa gjëra:

Së pari, zoti Rama nuk ka respekt për opinionin publik shqiptar, sepse atë, në formimin e vet si intelektual, e mban të karfosur fort ideja sekrete enverhoxhane, sipas së cilës udhëheqësi qëndron mbi popullin, sepse populli duhet të bëjë atë që i thotë udhëheqësi, se udhëheqësi është, demek, i pagabueshëm. Kjo ishte edhe arsyeja që Enver Hoxha kishte hedhur parullën: “ç’thotë partia bën populli”. Prandaj, duke mos pasur respekt për opinionin publikun shqiptar, Kryeministri Rama nuk e quan të arsyeshme që atë ta vërë në dijeni për hapat që ndërmerr në politikën e jashtme dhe sidomos në marrëdhëniet me fqinjët.

A nuk ishte Kryeministri Rama ai që, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vjeshtën që kaloi, duke shpërfillur tërësisht opinionin publik shqiptar, pranoi të bëhej çaktivizimi i armëve kimike siriane në vendin tonë? Kjo ngjalli një valë të fuqishme zemërimi në radhët e rinisë shqiptare në mbarë vendin, e cila, me shumë të drejtë, u ngrit peshë më këmbë dhe nuk e lejoi të vihej në jetë premtimi që ai u kishte dhënë autoriteteve amerikane.

Së dyti, si kuturis Kryeministri Rama të ndërmarrë iniciativën për të vizituar Serbinë, ndërkohë që Serbia nuk ka kërkuar ndjesë publike për krimet e pallogaritshme dhe për tragjeditë e rënda që i ka shkaktuar mbarë kombit shqiptar dhe veçanërisht popullit shqiptar të Kosovës, sidomos në gjysmën e dytë të viteve ’90? Po kur të shikojnë Kryeministrin Rama duke vizituar Beogradin, ç’do të mendojnë pronarët e atyre 200 mijë shtëpive të djegura në mbarë Kosovën? Ç’do të mendojnë nënat e atyre dëshmorëve që e lanë me gjak mbarë Kosovën gjatë luftës me makinën ushtarake të Millosheviçit? Çdo të mendojnë familjet e atyre gati 2 mijë të zhdukurve pa nam e pa nishan, për të cilët Beogradi vazhdon të mos i tregojë vendgroposjet e tyre? Ç’do të mendojnë ato 20 mijë gratë dhe vajzat kosovare që i përdhunuan shtazërisht kriminelët serbë? Ç’do të mendojë popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës që përjetoi me dhembje shkuljen e memorialit në nderim të dëshmorëve që ranë në përleshje me bandat e Millosheviçit? Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit (UÇPMB) luftoi për të drejtat e veta kundër kriminelëve millosheviçianë, por memorialin në nderim të dëshmorëve të saj, e shkuli pas 14 vjetësh kryeministri i tanishëm serb Daçiç, i cili, me këtë akt barbar që kreu, vërtetoi se është mbështetës i fuqishëm i veprës kriminale të Millosheviçit. Me veprimin barbar kundër memorialit në fjalë, çka ishte një fyerje e rëndë për mbarë popullsinë  shqiptare të Luginës së Preshevës dhe për luftëtarët e saj, Serbia dëshmoi se ajo gëzon një përkrahje të fuqishme në Evropën Perëndimore. Ish-Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ka deklaruar:

“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. (Citohet sipas: Lamberto Zanier. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit. 16.04. 2011).

Së treti, i karfosur keq nga ideja e përngrirë (fikse) enverhoxhane në ushtrimin e pushtetit, siç e përmenda më lart, Kryeministri Rama shpërfill tërësisht  mendimin intelektual shqiptar lidhur me qëndrimin paradoksal të Serbisë për mosdënimin e fajit në raport me popullin shqiptar të Kosovës. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mos dënohet platforma kriminale e akademikut Çubrilloviç e vitit 1938 për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta etnike. Ca më tepër, nuk ka as edhe një shfaqje të vetme të ndjesës apo të pendesës kolektive nga klasa politike serbe dhe nga mbarë opinioni publik serb për dënimin e krimeve të Millosheviçit kundër Kosovës, e cila sot është shtet i pavarur dhe sovran. Si është e mundur që Kryeministri Rama të mos e ketë parasysh mendimin e Kadaresë në këtë pikë:

“Është jashtë çdo dyshimi se do të ishte pozitive njohja pa ngurrim e Kosovës. Madje, do të kishte qenë edhe më mirë sikur Serbia do të kishte qenë e para që ta bënte një gjë tillë! Në fundin e mijëvjeçarit, në Ballkan ndodhi një dramë. Kur një dramë mbaron, që ajo të mos përsëritet, fill pas uljes së perdes, duhet të ndodhë shqyrtimi i ngjarjes. Shqyrtim do të thotë, në radhë të parë, dënimi i fajit. Procesi kulmon me shqyrtimin e ndërgjegjes, çka do të thotë, me brerjen e saj, pra me pendimin. Në rastin e konfliktit të fundit ballkanik, procesi, për fat të keq, u ndërpre në mes. U ndëshkua faji me anë të bombave, por thelbi, ndërgjegjja fajtore, pothuajse nuk u prek” (Citohet sipas: Kadare: “Serbët duhej të ishin penduar për masakrën ndaj shqiptarëve”. Marrë nga faqja e internetit “Mapo online”. 19 janar 2014).  

Gazeta “Mapo” ka bërë shumë mirë që e ka botuar intervistën e Kadaresë pikërisht pas deklaratës së ministrit të jashtëm serb Mrkiç për nismën e zotit Rama për të vizituar Serbinë. Fjalët e Kadaresë le t’i shërbejnë Kryeminstrit Rama si kujtesë se ka ndërmarrë një hap të pamatur.

Së katërti, me nismën që ka ndërmarrë për të vizituar Serbinë, zoti Rama e ka prezantuar veten si një politikan inferior. Dhe inferioriteti i Ramës para Beogradit, e lëndon keq çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare. Me shfaqjen e inferioritetit para Beogradit, zoti Rama ka ringjitur në skenë traditën e inferioritetit dhe të servilizmit politik të Enver Hoxhës në kuadrin e marrëdhënieve me Jugosllavinë e kohës së Titos.

Ja një fakt konkret që vërteton katërcipërisht se Enver Hoxha as që donte t’ia dinte për opinionin publik shqiptar dhe çdo vendim e merrte me kokën e vet. Në një letër që i dërgonte Titos në mars të vitit 1948, ai, me ndjenjën e inferioritetit dhe të servilizmit politik që e karakterizonte kokë e këmbë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, ishte duke vënë në pikëpyetje pavarësinë edhe të kësaj cope Shqipërie që i kishte shpëtuar thikës evropiane të copëtimit:

“Shoku Marshall,

…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për Federatën [Jugosllave] dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat… Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.

Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore.

Enver Hoxha

Tiranë, 17 mars 1948” (Nxjerrë nga AQSH, Fondi 14/AP, dosja 4, 1948. Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 207).

Kjo letër dëshmon ditën për diell se ç’udhëheqës servil dhe pa dinjitet kombëtar ka patur në krye Shqipëria. Inferioriteti dhe servilizmi politik i Enver Hoxhës para Titos kishte arritur deri në atë derexhe,  saqë ai, pasionin e vet të zjarrtë për ta bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë, kishte guximin ta shiste për pasion të popullit shqiptar.

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç, nuk e ka pranuar ftesën e Presidentes kosovare Jahjaga për të marrë pjesë në samitin e vendeve të rajonit që do të zhvillohet në Kosovë në vitin në vazhdim. Prandaj Kryeministri Rama le të nxjerrë mësimet e duhura. Le ta dëgjojë fjalën e Kadaresë për pendesën që Serbia duhet t’i kërkojë botërisht Kosovës për krimet e rënda që ka kryer kundër saj dhe pastaj këtu jemi. Le të shkojë për vizitë në Beograd. Ne me Serbinë jemi vende fqinje, me Kosovën në mes, dhe me të dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe me mirëkuptim, por gjithsekush në shtëpinë e vet. Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, në kushtet ekzistuese të mosdënimit të fajit nga ana e Serbisë, tingëllon si një fyerje e rëndë jo vetëm për ata që përmenda më lart, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si brenda trojeve etnike, ashtu edhe në diasporë.

Santa Barbara, Kaliforni

19 janar 2013

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beograd, inferior, Prof. dr. eshref Ymeri, Pse Rama

Peligrinazhi i zotit Rama në linjën nga Prizreni në Beograd!!!

January 17, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë./

Njoftimi i të mërkurës së kaluar nga ana e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mrkiç, se kryeministri shqiptar, Edi Rama, muajin e ardhshëm do të vizitojë Beogradin dhe se në këtë takim do të flitet për Kosovën, ka tërheq vëmendjen e qarqeve të shumta shqiptare e antishqiptare, të ekspertizës e të vetë publikut. Kjo ndodh jo thjesht për faktin se pas vizitës së diktatorit Hoxha të nëntorit 1946, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Serbi. Më së shumti për faktin se Mrkiç u shfaq i entuziasmuar se në takimet e Ramës me krerët më të lartë të shtetit të Serbisë do të flitet për Kosovën. Pikërisht kjo pjesë e axhendës Rama në Beograd sjell në vëmendje frikën se ai do të pajtohet me kërkesën e udhëheqësve serbë të së shkuarës e të të sotmes për “një zgjidhje të konfliktit shqiptaro – serb midis Tiranës dhe Beogradit”. Nuk po ndalem në fenomenin e trishtë, që ne shqiptarët vizitat dhe axhendat e kryeministrit tonë i marrim vesh gjithnjë nga të huajt, në rastin konkret nga ministri i Jashtëm I Serbisë.

Para dy vitesh, në një konferencë për shtyp në Bruksel, ish-Presidenti i Serbisë dhe kumbari i marrëveshjes midis Ramës dhe Metës nënshkruar në pranverë në Shkodër, pra Boris Tadiç, kërkoi që “Konflikti shqiptaro-serb të zgjidhej në bisedime të drejtpërdrejta Tiranë-Beograd”. Atëbotë kryeministri i vendit, Berisha, në përgjigje të kërkesës së Tadiç refuzoi kategorikisht implikimin e Tiranës zyrtare në zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Madje një vizitë e përfolur e Tadiç në Tiranë, mesa duket për këtë shkak u anullua dhe nuk u bë kurrë, derisa ai erdhi në Shkodër si anëtar i Internacionales Socialiste për të celebruar martesën Rama-Meta. Kjo lidhje e përfolur si e ngjajshme me atë të Miladin Popoviçit e Velijmir Stojniçit me Enver Hoxhën e Koçi Xoxen në emër të Internacionales Komuniste është shkaku kryesor që e bën të dyshimtë edhe vizitën e kryeministrit Rama në Beograd.

Në të vërtetë është e duhet të jetë praktikë normale në marrëdhënieve midis shteteve vizita e ndërsjelltë e autoriteteve shtetërore, sepse përmes kontakteve të tilla rritet interesi i palëve për bashkëpunim, aq më tepër në kushtet e një rajoni, i cili synon të mbërrijë përmes integrimeve lokale në dyert e Kontinentit Europian. Por a është në interesin strategjik të Shqipërisë dhe të Kosovës që kreu i ekzekutivit shqiptar, cilido qoftë ai, të bisedojë për Kosovën në Beograd? Zoti Rama dhe Zoti Thaçi sapo nënshkruan një dokument të përbashkët për bashkëpunimin strategjik midis të dy vendeve dhe më duhet të besoj se të dy kanë idenë dhe përceptimin e nevojshëm të interesave strategjike të shqiptarëve. Së paku teorikisht ata u kanë thënë shqiptarëve se këto interesa strategjike kanë aftësinë t´i bëjnë legjitime nga pikëpamja juridike përmes marrëveshjes në fjalë. Ndërkaq në praktikë, angazhimi i zotit Rama në Beograd për Kosovën rezulton si një mision sizifi. Por me një ndryshim, gurin që të tjerët kanë mundur ta ngjisin në majën e kodrës, do ta rrokullisë poshtë këmbëve të shqiptarëve ai që as nga pikëpamja formale nuk ka bërë më të voglin mundim në këtë ngjitje të çeshtjes së Kosovës e të çeshtjes shqiptare në rrugën e mundimshme të vetëvendosjes.

Në analizën e kohës për propozimin e presidentit serb, Tadiç, për lidhjen e drejtpërdrejtë Tiranë-Beograd të zgjidhjes së konfliktit, kisha argumentuar se nëse qeveria shqiptare do të pranonte këtë propozim, atëherë do të kishim disa pasoja shumë të rënda për çeshtjen ende në rrugëzgjidhje të shqiptarëve.

Së pari, bisedimet midis Shqipërisë dhe Serbisë do të mundësonin automatikisht që zgjidhja të jetë në favor të serbëve. Kjo sepse në tryezën e bisedimeve do të vihej opsioni i ndarjes së Kosovës. E sido që Kosova të ndahet, përfituesi i vetëm është Beogradi, ndërkohë që humbësit e mëdhenj janë shqiptarët. Ky argument është përforcuar në rrejdhën e zhvillimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë konkretizuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe disa marrëveshjeve të tjera. Ndonëse gjatë kësaj kohe pala serbe teorikisht iu është përgjigjur kërkesave të Brukselit për nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, praktikisht ka vepruar në drejtimin e kundërt, duke krijuar idenë e statukuosë së konfliktit, ose të konfliktit permanent në veri të Kosovës, me qëllim lodhjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndarjen e saj.

Agjencia Austriake e Lajmeve me 21 shtator 2012 njoftonte për një deklaratë të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë asokohe  askush nuk u shqetësua e askush nuk pyeti nëse kjo ishte një ide, një përceptim apo një përpjekje e Beogradit për të realizuar këtë ndarje. Në atë lajm u njoftua se shefi i ekzekutivit të Serbisë ishte i bindur që ndarjen e Kosovës do ta pranonte edhe Prishtina. Këtë pjesë po e riprodhoj fjalë për fjalë të shprehur në gjuhën gjermane për ata që mund ta kuptojnë ose duan ta përkthejnë. (Er sei sicher, dass dies von Kosovo-Albanern in Pristina (Prishtina) akzeptiert ëürde, sagte der sozialistische Politiker). Pikërisht kjo deklaratë e kryeministrit aktual të Serbisë, i cili do të jetë mikpritësi i kryeministrit shqiptar, Rama, më bën të arësyetoj se diskutimi për Kosovën midis dy homologëve do të jetë në funksion të idesë fikse të udhëheqësve të Beogradit për ndarjen e Kosovës.

Cili do të ishte kompromisi, cili do të ishte shpërblimi, kush do të fitonte e kush do të humbiste, të gjitha këto janë objekt i një analize të pasojës së bisedimeve Rama – Daçiç për Kosovën. I njohur është fakti se kryeministri shqiptar më së paku është krejt injorant sa i përket njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve që ai mban e duhet të mbajë ndaj kësaj çeshtjeje themelore për shqiptarët. Që zoti Rama ka njohuritë minimale sa i përket konfliktit shqiptaro-serb dhe qoftë edhe për këtë arësye do të bëhej viktimë e Beogradit, kjo nuk ka nevojë të dokumentohet, pasiqë opinioni publik është i njohur me gafat e tij në këtë fushë. Por dyshimi nuk ka pse të mos shkojë përtej këtij konstatimi. Trashëgimia e zotit Rama dhe partisë së tij sa i përket lidhjeve me Beogradin është e hidhur dhe besohet që kjo trashëgimi shihet si nostalgji e brezit të sotëm të Partisë së Punës, shto këtu Partisë Socialiste, për lidhjet e hershme midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, aq sa ka mundësi që zotit Rama kur të shkelë në Beograd t´i përfytyrohet vizita e diktatorit e para 66 viteve si dhe përulësia e tij para Titos.

Përulësia në marrëdhëniet me fqinjët e me fuqitë e tjera e politikanëve socialistë është një traditë e trashëguar gjithashtu për shkak të nevojës për ruajtjen me çdo kusht të pushtetit. Ky tipar dallues e komplikon axhendën e bisedimeve për Kosovën të kryeministrit shqiptar gjatë vizitës së tij në Beograd. Ndërkaq bisedimet për marrëdhëniet dypalëshe, edhe nëse ato do të jenë në favor të Beogradit, nuk e dëmtojnë aq shumë interesin jetik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse në demokraci ka shumë mundësi korrigjimi e reflektimi.

Së dyti, bisedimet për Kosovën në Beograd me një prirje të dukshme e të qartë lëshimesh në dëm të interesave tona strategjike do të zhvleftësonin të gjithë investimin e faktorit shqiptar e të atij ndërkombëtar për implementimin e ndërtimin e shtetit më të ri në Europë. Të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran do të zhgënjeheshin nga një pabesi e tillë e kryeministrit shqiptar. Askush në Shqipëri, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë e të gjithë ata shqiptarë që sado pak kanë bërë sakrifica për lirinë e Kosovës, nuk do të pajtohej me mohimin e këtyre sakrificave. Donatorët dhe taksapaguesit e vendeve anëtare të NATO-s ose të BE-së, të cilët kanë dhënë kontribute në vetëvendosjen e shtetndërtimin e Kosovës do të ishin gjithashtu të zhgënjyer nga një sjellje e tillë e premierit të ekzekutivit shqiptar.

Ndërkohë një përpjekje e Ramës për t´u marrë në Beograd me Kosovën do ta kthente procesin e zhvilluar në mbi 20 vitet e fundit në zero dhe kjo do t´i kushtonte shqiptarëve dhe lirissë së tyre aq shumë, pa kurrëfarë mundësie rikuperimi dhe riciklimi të rikthimit në normalitetin e sotëm. Edhe nëse thjesht do të bisedohej për Kosovën, pa premtuar asgjë, e pa marrë asnjë vendim, Serbia do ta përdorte këtë si kartë në diplomacinë ofensive të saj për të paralizuar mundësinë e njohjeve të reja të Kosovës nga vendet e shumta, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Të pesë shtetet europiane do të gjenin një kasus belli  për të kundërshtuar presionin e Brukselit për njohjen e Kosovës. Ky do të ishte shërbimi më i keq që kryeministri i Shqipërisë do t´i bënte çeshtjes së Kosovës dhe çeshtjes shqiptare në përgjigjësi gjatë kësaj vizite. Serbia është e interesuar që kryeministri Rama të pranojë thjesht të diskutojë për Kosovën, duke këmbngulur në një argument që si rastësisht e solli Mustafa Nano në një botim të tijin online, sipas të cilit  ““kur Berisha thotë „Kosova e pavarur ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet kombëtar dhe ndërkombëtar”,  kërkon për të ulur kështu profilin e Tiranës zyrtare në adresimin e interesave shqiptare. Por edhe Shqipëria ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet Kombëtar, përveçse shtetëror“.

Së treti, një trajtim i problemeve të Kosovës midis Ramës dhe Daçiç do të zhvleftësojë institucionet e Kosovës, udhëheqësit politikë të saj dhe do të shkaktojë një përçarje të re midis shqiptarëve të elitës politike e intelektuale. Zoti Rama edhe në këtë rast mund të ketë mbështetjen e Rexhep Qoses ose Adem Demaçit, por ende nuk është e qartë nëse do të ketë mbështetjen e institucioneve të Kosovës. Por edhe nëse ai do ta ketë mbështetjen e kryeministrit Thaçi, siç e përmend Daçiç para 17 muajve, me siguri se do të hasë në rezistencën e të gjitha subjekteve të tjera politike në Kosovë, përfshirë edhe AKR-në e Pacollit, për rolin e Mimoza Kusarit në këtë parti.

Ndërkaq në Shqipëri zoti Rama gjen dhe do të gjejë mbështetjen e qarqeve të caktuara në qëllimet dhe axhendën e vizitës së tij në Beograd. Analisti Nano e inkurajon zotin Rama në misionin e tij, jo për adresimin, por për çmontimin e interesave shqiptare. Por të kësaj kategorie janë gjithashtu disa prej lobeve proserbe në elitën politike dhe intelektuale e gazetareske të Shqipërisë. Mos harrojmë se kur Vasa Çubrilloviç hartoi në marsin e vitit 1936 memorandumin e shfarosjes së shqiptarëve në Kosovë, rekomandonte që për ta bërë Tiranën të heshtë duhet hedh një sasi e caktuar parash. Një formulë e tillë nuk ka pse të përjashtohet edhe në kushtet e sotme, aq më tepër se në Beograd ekziston prej 140 vitesh një shkollë e tillë veprimi në mënyrën më perfekte të mundëshme.

Prej kohës kur Tadiç dhe Daçiç kanë lëshuar tezën e ndarjes së Kosovës ka rrjedh shumë ujë nën urën e lumit Ibër. Është nënshkruar më 19 prill të vitit të kaluar një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve në konflikt. Në Kosovë janë bërë formalisht zgjedhjet lokale të çertifikuara edhe për Veriun e vendit. Dhe në Prizren u mblodhën më në fund të dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë e kryesuar nga Edi Rama dhe ajo e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi. Mbledhja e para një jave në Prizren ishte e para e këtij lloji, por shumica e analistëve e portretizuan atë si një shou mediatik, ashtu siç rezulton të jetë marrëveshja e 19 prillit 2013 midis Daçiç e Thaçit si dhe zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës. Edhe vizita e zotit Rama në Beograd është e para vizitë e një kryeministri shqiptar në më shumë se 60 vite. Ndoshta dhe kjo vizitë do të konsiderohet si „historike“, për shkak të risisë, siç qe Mbledhja e Prizrenit, apo për shkak të vendimeve që do të merren, kjo mbetet të shihet. Por një gjë është e sigurt, asnjë diskutim, asnjë vendim, asnjë marrëveshje midis Tiranës dhe Beogradit, sa i përket Kosovës, nuk sjell dobi për shqiptarët. Historikja mund të shpjegohet vetëm me dëmet që do të mund të sjellë diskutimi i kësaj çeshtjeje në Beograd.

Shou mediatik, mashtrimi i publikut, ngjyrat e akteve të tilla u janë shitur shqiptarëve shpesh herë si pjesë e përpjekjeve titanike të qeverisë së Kosovës dhe së fundi të qeverisë së “rilindjes shqiptare” në interes të kombit shqiptar. Deri të mërkurën e kaluar patëm përshtypjen se Rama me mbledhjen e Prizrenit kishte interes të tijin jetik të amortizonte akumulimin antipatriotik të tij në rastin e ndërtimit të Rrugës së Kombit, një vepër strategjike kjo, e cila flet një million heë më shumë sesa një letër e mbushur me bojën e një marrëveshjeje strategjike, e cila u nënshkrua nga të dy kryeministrat e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Menduam se Thaçi ishte i interesuar që të rikuperojë kapitalin politik për shkak të dështimit të tij në bisedimet me Beogradin.

Por zbulimi që vjen nga Beogradi për axhendën e vizitës së zotit Rama në Serbi na bën të dyshojmë edhe më shumë në atë çfarë ndodhi me mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren. Dyshimin na e kishte mëkuar dhe heshtja e medias e institucioneve të Serbisë, ndërkohë që ato nuk lanë rast pa reaguar ndaj një deklarate kundër fobisë ndaj shqiptarëve të ish-kryeministrit Berisha në nëntorin e vitit 2012. Tani, nëse temë diskutimi do të jetë Kosova në Beograd, është e sigurt se mbledhja e dy qeverive në Prizren ishte një lojë politike në prapaskenë për t´i dhënë zotit Rama kapitalin politik të nevojshëm dhe për ta përforcuar atë “në patriotizmin e tij” në marrëdhënien e re me Beogradin. Se cili është roli i zotit Thaçi në këtë pingpong politik, koha do të mund ta sqarojë. Vetëm një gjë është e njohur: Ish-kryeministri i ndjerë i Serbisë, Zoran Xinxhiç, kishte shprehur në vitin 2002 dëshirën e tij që ndarjen e Kosovës ta realizonte me zotin Thaçi e jo me zotin Rugova. Ndërkaq zoti Tadiç, duket se ka marrë dakordësinë e Thaçit në rekrutimin për Kosovën që do t´i bëjë zotit Rama. Peligrinazhi I Prizrenit po transferohet në Beograd dhe ka mundësi të vijojë më pas në Tiranë. Prishtina zyrtare do të detyrohet në këtë rast të bëjë rolin e sehirxhiut.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Beograd, Enver Bytyci, ne linjen Prizren, Peligrinazhi i zotit Rama

Kocijancic : BE kërkon nga Beogradi të përmirësojë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë

January 22, 2013 by dgreca

 BRUKSEL  (AIP) – Maja Kocijancic, zëdhënësja e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baroneshës Catherine Ashton, duke shprehur keqardhje për situatën e krijuar në Preshevë, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë”, se zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës, Brukseli po i ndjek me mjaft vëmendje, pas kërcënimeve dhe heqjes së lapidarit të UÇPMB-së nga forcat e xhandarmërisë serbe.

Sipas znj.Kocijancic, “problemet duhet të zgjidhet me dialog dhe se një gjë e tillë nuk duhet të reflektohet në bisedimet Prishtinë-Beograd”. Znj.Kocijancic, duke folur për sutuatën në Luginën e Preshevës në vazhdim ka pohuar se, “neve nga Brukseli na vjen shumë keq për situatën e krijuar në rajon dhe që nuk hasi në mirëkuptim dhe kompromis nga ana e palëve të përfshira në këtë çështje. Për ne ka mjaft rëndësi që tani e tutje që të gjithë t’i kthehen dialogut dhe të mos vijë deri tek përshkallëzimi i sitautës apo konfrontimeve të panevojshme..”

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve në rajon për të rivendosur dialogun, për të shmangur konfrontimet e panevojshme, për të trajtuar çështje të rëndësishme me prioritet, veçanërisht zhvillimin social dhe ekonomik të Serbisë Jugore”, ka thënë znj.Kocijancic duke shtuar, se Beogradi duhet të përmirësojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.( Kortezi  “Presheva Jonë”)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Be, Beograd, Maja Kocijacic, Presheva

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT