• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANIJA VLORA, TRIDHJETË VJET MË PARË: NJË PËRKUJTESË E STËRMADHE

June 24, 2021 by dgreca

SHKRUAN: BEPPE SEVERGNINI-PËRKTHEU:EUGJEN MERLIKA/DIELLI*

Tridhjetë vite më parë, e enjte 8 gusht 1991, anija tregtare Vora, e përshtatur për transportin e sheqerit, hynte në portin e Barit me tetëmbëdhjetë mijë shqiptarë në bord: një qytet. Atë ditë vere ndryshonte historia italiane e mërgimeve. Mbasi kishte eksportuar njerëz për më shumë se një shekull – tridhjetë milionë nga 1861 deri më 1985 – fillonim të importonim. Ende nuk kemi sosur.

Përfytyresa e Vlorës është e shtypur në kujtesën tonë të përbashkët. Anija kullonte qënie njerëzore: rrinin gjithandej  edhe mbi oxhakët edhe mbi antenat. Autoritetet italiane autorizuan ankorimin në port – çfarë mund të bënin ndryshe – por urdhëruan që anija të kthehej mbrapsht mbas pak orësh. Një gjë e pamundur, natyrisht duke mbajtur parasysh ngarkesën. Sapo mbërritën në port shqiptarët filluan të hidheshin në ujë. Një skenë madhështore e dramatike, që dukej se dilte nga fantazia e Dante Alighierit. Ndërsa ndodhte nga trasmetimi i drejtpërdrejtë televiziv, përpara një Italie mosbesuese.

Data dhe episodi më erdhën në mëndje duke lexuar”Më parë italianët (po, por cilët’)” të Francesco Filippit, historian i mendësisë (kështu e përcakton pala e kapakut të botimit Laterza). Një syzim i thatë e i dobishëm, plot me numëra e fakte, i lezetuar me idealizëm dhe i parfumuar me ideologji. Një libër që detyron t’arsyetuarit. Autori pohon se në verën e vitit 1991 Italia, për të parën herë, kthehej në Amerikën e dikujt tjetër. Shqiptarët, të hipnotizuar nga televizioni i ynë i shkujdesur i viteve 80, ishin të bindur se përtej horizontit, fillonte parajsa. E shëmbur diktatura, vinin të shikonin si ishte bërë.

Anija Vlora duhet të përbëjë një përkujtesë të stërmadhe. Dhe një qortim. Mërgimi nuk mund të mbarështohet me fatalizmin e zemrës (një iluzion i së majtës, nga Laura Boldrini tek Alexandria Ocasio-Cortes). Po nuk mund të kthehet mbrapsht, as të kontrollohet krejtësisht, siç tregon e djathta (nga Donald Trump tek Matteo Salvini para-Draghit). Historia nuk kërkon leje. Hyn pa trokitur. Ka një mërgim të pashmangëshëm dhe një mërgim të organizueshëm. Pra, të fillojmë të organizohemi. Dhe të veprojmë, të vetëdijshëm se diçka duhet të pranojmë. Përndryshe në horizont, t’ardhur nga Afrika, do të shfaqen dhjetë, njëqind, njëmijë Vlora. E atëherë do të jetë vonë.

“Corriere della Sera”, 19 qershor 2021 – Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: anija Vlora, Beppe Severgnini-Corriere della Sera-Eugjen Merlika, Eugjen Merlika

NJË HISTORI ENDE E HAPUR

February 6, 2020 by dgreca

Nga Beppe Severgnini-“Corriere della Sera”, E përktheu Eugjen Merlika/

            Mungojnë pak orë nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, në të cilin kishte hyrë më 1 janar 1973. Bën një efekt të çuditshëm, por ky është çasti në të cilin emocionet  lihen  mënjanë e provohet të arsyetohet. Të gjithë: evropianët e kontinentit dhe evropianët e ishullit. Madje, të ishujve: sepse Irlanda në këtë ndodhi ka një pjesë jo të vogël. 

            Në votimet për Brexit,  23 qershor  2016, është shkruar e thënë shumë, ndoshta tepër. U duk se ishte një zgjedhje e shtyrë, një përzjerje mëndjemadhësie, bezdie dhe malli, e melmyer me njoftime të këqia. Por demokracia nuk i përjashton ndjenjat: ajo votë duhet të respektohet. Pasuan tre vite e gjysmë të pazakontë, të melmyera me bisedime, inate, mosmarrëveshje dhe kurthe parlamentare: një provë paefektshmërie që ka habitur, zhgënjyer e sikletosur vetë anglezët. Më 12 dhjetor 2019, votimi përforcoi në qeveri konservatorin Boris Johnson, i cili Brexit-in e kishte bërë flamur. Përshtypja është se votuesit nuk po e shtynin dot më e deshën të mbyllej sa më shpejt kjo histori.

            Por a është e mbyllur historia? Jo akoma, edhe se dy data përfaqësojnë po aq gurë themeli. Kjo e sotmja, 31 janar 2020: Mbretëria e Bashkuar del nga Bashkimi Evropian, simbas asaj që ishte përcaktuar në nenin 50 të Traktatit themelues. Data e dytë është 31 dhjetori 2020, kur do të mbarojë periudha e kalesës, gjatë së cilës MB dhe BE duhet të bëjnë një marrëveshje të re që do të rregullojë marrëdhëniet në çdo sektor (nga doganat tek transporti, nga imigracioni tek të drejtat e punonjësve, nga financa tek siguria, nga industria tek peshkimi).

            Boris Johnson nuk don përzgjatje dhe ka arritur të miratojë nga Dhoma e Komuneve një ligj që i ndalon ato. Për të mbyllur hesapet ka lënë Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët evropian: nuk është pak.

            Nuk kuptohet se si njëmbëdhjetë muaj të jenë të mjaftueshme për një traktativë kaq të gjërë e të ndërlikuar: Comprehensive Economic and Trade Agreement (Ceta) ndërmjet BE dhe Kanadasë, që ka eliminuar 98 % të tarifave, ka marrë shtatë vjet bisedimesh. Në rast të mungesës së marrëveshjes (no deal), marrëdhëniet ndërmjet MB e BE do të sendërtohen nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO). Kjo do të thotë: tarifa, kuota, çmime dhe një makth prapavije. Mendoni shkëmbimet tregtare: sot Mbretëria e Bashkuar eksporton në Bashkimin evropian shërbime për 30 miliard euro, por importon mallra për 100 miliardë. Portet e Doverit dhe Calais-ë e të gjithë aeroportet britanike do të ktheheshin në një rreth ferri.

            Por nuk do të duhet të punohet vetëm mbi rregullat. Prirjet e qëndrimet janë po aq të rëndësishme. Në këtë ditë historike – së paku njëherë cilësori nuk është retorik – duhet të pyesim veten: hendeku politik dhe psikologjik ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër t’Evropës a është i paracaktuar të zgjerohet? Në rastin e një plasjeje në mur i vemë një copë xham: nëse ai thyhet fillojmë të shqetësohemi. Në rastin e Brexit do të duhet të përdorim të tjerë tregues. Për shembull të vëzhgojmë gjuhën e të folurit. Do të jetë interesante të kuptohet kur do të përdoret në Britaninë e Madhe shprehja “the Europeans” për të treguar qytetarët e Bashkimit Evropian. Asnjë referendum nuk mund të ndryshojë gjeografinë dhe historinë. Britanikët dalin nga një organizatë ndërkombëtare, jo nga një vënd në të cilin janë protagonistë prej shekujsh. Ishin, janë e do të mbeten evropianë. Shpresojmë t’arrijnë t’a kuptojnë.

            Dhe ne evropianët e kontinentit, dhe irlandezët, kemi detyra e përgjegjësi. Duhet të shmangim melmimin e  Brexit-it me shpirtligësi: nuk do t’ishte e dobishme e nuk do t’ishte e drejtë. Ngasja për të ndëshkuar anglezët është dhe shpiegohet: në katër vitet e fundit tonet dhe argumentat e përdorura kundrejt Bashkimit kanë qënë herë herë të papëlqyeshëm. Dhe është e mundëshme që gjatë bisedimeve, që do të jenë të ngutëshme, duke mbajtur parasysh kohët e shtrënguara, do të lindin tensione të tjera. Duket, pothuajse e sigurtë, që qeveria britanike do të përdorë vetësigurinë bankare dhe levën fiskale për të tërhequr investitorë dhe kapitale me çfarëdo prejardhjeje (më shumë se sa ka bërë deri tani). Kjo rrezikon të acarojë Brukselin dhe të tjerat qeveri evropiane.

            Periudha që i paraprin një ndarjeje është gjithmonë më e vështira, si për njerëzit ashtu edhe për kombet. Por ndarja, në rastin e Brexit tashmë është kryer. Të ruajmë qetësinë e, nëse do të jetë e mundur, edhe buzëqeshjen: do t’a bëjë jetën më të lehtë për të gjithë.

            Kundërshtarët janë tjetërkund. Në Britaninë e Madhe jetojnë, e do të vazhdojnë të jetojnë miqtë tanë. Dhe shumë prej nesh.

            “Corriere della Sera”, 31 janar 2020      E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Beppe Severgnini-Corriere della Sera-Eugjen Merlika

BORIS JOHNSON, DREJTUESI I NJË VENDI SHKULARAK

August 9, 2019 by dgreca


Nga BEPPE SEVERGNINI/ E përktheu “Corriere della sera” Eugjen Merlika/… An amusing Prime Minister, një kryeministër zbavitës. A do të mjaftojë? Çështja është e gjitha këtu, por është një çështje me përgjegjësi. Duke përjashtuar stërkëmbësa të pamundëshme parlamentare – shumica e konservatorëve në Dhomën e Komuneve është e cunguar – Boris Johnson do të jetë kryetari i ardhshëm i qeverisë britanike dhe do të hyjë në numurin 10 të Downing Street. E njëjta adresë e Winston Churchill-it, e Harold Wilson-it, e Margaret Thatcher-it, e Tony Blair-it. Çfarë e dallon Boris Johnson-in nga paraardhësit? Nuk respekton kodikët, pritjet dhe hipokrizitë elegante të lidhura me detyrën. Është oportunist, hutaq, me hënë, i padisiplinuar, vagëllimthi i pabesueshëm. Kundërshton vetveten e mburret për të. Ka patur një karrierë aventureske dhe një jetë sentimentale të çrregulltë: nuk dihet madje as sa fëmijë ka. Njeriu që, si kryetar bashkie, ka drejtuar ngjitjen ndërkombëtare të Londrës – që kulmoi në Olimpiadën e 2012 – u rrjeshtua befas me “Anglinë e vogël” dhe në 2016 u martua me mallin e Brexit. Pastaj u shmang. Pastaj u rikthye, si ministër i Jashtëm. Pastaj u zhduk përsëri. Së fundi, mbas dorëheqjes së Theresa May-t, është rikthyer, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
            Por burri – e përsërisim – është zbavitës: e ka treguar edhe dje, në fjalën e pranimit. Është i zoti: arrin të bëhet i falur për shumë gjëra. Njerëzia e dëgjon dhe ka përshtypjen se kupton çfarë thotë. Papërsosmëritë e tij gjykohen si siguruese. Kur hyn në një dhomë – si Ronald Reagan, Bill Clinton, Silvio Berluskoni, Donald Trump – e mbush me buzëqeshje, kujdesje e anekdota. Është autoironik e ngushullues: i bën të ndihen mirë me vetveten bashkëbiseduesit. Dje nga tribuna e fituesit tha se “konservatorët janë të zot të kuptojnë instiktet e natyrës njerëzore”. Partia, ndoshta, ai me siguri. Thjeshtësia e tij cek prirjen për t’i thjeshtuar gjërat, por Borisi – kështu e thërrasin të gjithë – është një orator i përkryer. Në Eton dhe në Oxford ka mësuar të flasë me dobi e bindje për gjëra që nuk i njeh, ose i njeh pak. Fizikisht është i ngathët e luan me të. Qëndron i varur në një teleferik të Londrës me një helmetë në kokë e një flamurth në dorë. Theresa May do të ishte futur në dhe nga turpi, ai e ka kthyer aksidentin në një vegël propagande.
            Çfarë ka të çuditëshme e shqetësuese atëherë? Që e gjithë kjo për anglezët është e re.Pregatitja, parimësia dhe saktësia ishin quajtur cilësi të domosdoshme për një drejtues. Që nesër, me shumë mundësi, Mbretëria e Bashkuar do të ketë një kryetar qeverie të papërshtatëshëm e tërheqës, si demokracitë e tjera. Sigurisht: në ndryshim nga të tjerët zgjedhja është bërë jo nga ndonjë votim i përgjithshëm, por i ka takuar 92.153 antarëve të partisë konservatore. Mbetet habia e, bashkë me të, vetëdijësimi: jemi bërë si të tjerët. Një Vend shkularak, ja se ç’është Britania e Madhe më 2019. Shkularak dhe i zënë  ngushtë. Çështja Brexit – tre vite dhe asnjë zgjidhje në dukje – nuk është humoristike: është komike dhe dramatike, sepse rrezikon të çojë në rrënim ekonominë dhe në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia e ka ndërkaq një këmbë jashtë derës). Sigurisht mbarështimi ka qenë i padenjë për një komb i cili, për shekuj, ka besuar se mund t’i mësonte demokracinë botës (me ndonjë titull, duhet t’a themi). Flisni me anglezët: do t’a pranojnë. Bindja krenare se zotëronin klasën më të mirë politike i ka lëshuar vëndin poshtërimit të përbashkët. A do të mjaftojë një kryeministër simpatik të ndryshojë së pari humorin e më pas historinë e Vëndit shkularak? E urojmë. Sepse Britania e Madhe prej kohësh ka pushuar së qëni një fuqi e madhe, por mbetet një komb i madh i Evropës. Edhe kur të dalë nga Bashkimi Evropian: e kjo nuk duhet të kishte ndodhur.
          “Corriere della sera”                                        E përktheu Eugjen Merlika






Filed Under: Analiza Tagged With: Beppe Severgnini-Corriere della Sera-Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT