• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKROPOLI PELLAZGJIK I BUTHROTIT   

August 25, 2022 by s p

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)/

Një i nxehtë afro-aziatik rrezikon të djegë identitetin autokton me rrënjë pellazgjike të Buthrotit (Butrintit të sotshëm) tonë antik, por që çuditërisht ky i nxehtë përvëlues antishqiptar vjen nga veriu i ftohtë dhe i lagësht nga troje me rreth 300 ditë shi në vit, nga Londra e lagësht. Ndërkohë që vet Buthroti ynë i ndritur zotëron, që nga koha e Kronit dhe e Zeusit, 300 ditë me diell në vit. Në këtë “zjarrvënie” të identit tonë kombëtar dhe trashëgimisë kulturore me synime antishqiptare merr pjesë me të gjitha fuqitë e saj ministria e Kulturës dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë. 

       Por çfarë thonë këta inglizët? Duke filluar që nga filoheleni Nikola Hamond, dhe të tjerë sot që vijnë pas tij, thonë se Butrinti është themeluar si qytet nga helenët dhe për më tepër ka qënë koloni helene. Dhe me këtë status, këtë perlë shqiptare, qeveria rilindase ua dhuron me konçesion pasanikëve anglo-amerikanë për ta grabitur, dhunuar dhe ndryshuar historinë, identitetin e tij pellazgo-kaon në lashtësi dhe arbëroro-shqiptar në kohët e reja.

        Këtë iso antishqiptare e ka shprehur para katërmbëdhjetë vjetësh një akademik shqiptar, i ndjeri Kristo Frashëri, i cili shkruan: “…kolonistët korkyrë-korinthase zbarkuan në stere, në tokën e kaonëve dhe pushtuan vendbanimin e tyre të lashtë, Buthrotin (Butrintit)…” Dhe më tej ai vazhdon: “…Në shekullin e V para e.s. kolonitë helene të brigjeve të Shqipërisë…krijuan edhe koloni bija në pika më në brendësi të territorit. Në truallin e vendbanimeve të mëparshme ilire, në Bylis, në Amantia.”

        Akademikët Neritan Ceka dhe Muzafer Korkuti, këto dy vitet e fundit, i kanë dalë krah Buthrotit tonë, duke e quajtur antishqiptare tezën e të qënit helen, apo koloni helene, të tij. Neritan Ceka, në një bisedë televizive në Top-Chanel pohon, se Buthroti ështënjë vendbanim prehistorik kaon, në të cilin në shekujt e VII-V p.e.s helenët ardhacakë krijuan një emporion. Emporioni është një bashkësi tregtaresh, të cilët krijojnë një ngulim, ndoshta edhe jashtë fortifikimit të qytetit, dhe merren me tregëti. Dhe kaq. Ata, jo vetëm nuk kanë ardhur ushtarakisht, si një forcë pushtuese komanduese në qytet, siç pohon Kristo Frashëri, por nuk marrin pjesë në drejtimin e tij si një forcë legjislative apo ekzekutive, atribute të cilat i zotëronin fisnikët vendas kaonë. Në vazhdim Neritan Ceka tregon, se në shek.V p.e.s, kur mbret i mollosëve ishte Tharypa, këta tregtarë përzihen përfundimisht nga Buthroti. Dhe këtu përfundon historia e tyre.

ÇFARË THONË ARKEOLOGËT

       Ndërtimi i fortifikimit të qytetit të Buthrotit, përfshirë këtu edhe fortifikimin prehistorik të akropolit të tij, datohet nga arkeologët e huaj dhe arkeologët tanë, jo më parë se shekulli i VII p.e.s.  Në dallim prej tyre, Neritan Ceka, vendbanimin prehistorik të akropolit të Buthrotit e shtyn prapa në kohë duke e datuar në shekujt XI-X p.e.s në fund të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit, të cilat, ne mund t’i përfshijmë dhe mund t’i quajmë edhe si ndërtime pellazgjike.

 “Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përveç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..”          

        Kjo datë e ndërtimit të mureve dhe portave të Buthrotit afrohet me një shekull me atë që ofron  legjenda e treguar nga Virgjili. Kjo pasi kur Ene dardanidi braktisi Trojën në shekullin e XII p.e.s (sipas Eratostenit) dhe erdhi ne Buthrot, gjeti aty jo vetëm muret e akropolit te ngritura, por gjeti edhe portën “Skea”, identike me Skean e Trojës. Pra sipas kësaj, rrjedhimisht dhe llogjikisht, në shekullin e XII p.e.s  muret rrethuese të Buthrotit duhej të ishin të ndërtuara.

        Neritan Ceka tregon legjendën e themelimit të Butrotit: Qyteti i ndërtuar nga Heleni (trojan) ishte padyshim Butroti, siç rezulton nga legjenda e treguar nga Dionisi i Halikarnasit (II, 51, 1-2): “Ankizi me anijet u nis nga Ambrakia dhe duke lundruar gjatë bregdetit arriti në Butrot, liman i Epirit. Enea, nga ana tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë…Këtu gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin…Ardhjen e trojanëve në Butrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilën ata e përdorën atëhere për të ngritur lëmin. Prej Butrotit, duke ndjekur anën e detit ata arritën te limani që atëhere quhej Anhisi dhe që sot ka një emër më të paqartë, prej këndej, pasi ndërtuan faltorën e Afërditës, çanë detin Jon”. Qyteti me emër të paqartë ishte Onkezmi, Saranda e sotme (Onchesmus-Anchises).

        I kthehemi përsëri legjendës që tregon Dionisi i Halikarnasit dhe shtrojmë dy pyetje: A e ka vërtetuar arkeologjia dhe historia ekzistencën e faltores së Afërditës (nënëns së Eneas)  në Onkezmin e lashtë, dhe a ka gjurmë të saj sot në Sarandë, përfshirë edhe ndonjë adhurim të veçantë të kësaj perëndeshe këtu? Së dyti, a ka ndonjë lidhje midis emrit të këtij qyteti të lashtë, Onkezmi, me emrin e babait të Eneas, Ankizi?   Për pyetjen e parë, deri më tani, arkeologjia nuk ka dhënë një përgjigje pohuese. Ndërsa për të dytën, mbetet një detyrë e gjuhëtarëve, pavarësisht se Onkezm me Ankiz janë fjalë të afërta: Onkez=Onkiz=Ankiz.

        Hierokli ka vendosur në listën e qyteteve kryesore të Epirit të Vjetër Ankiasmin, Saranda e sotme…Në kohën perandorake ishte krijuar një qytet i vogël rreth vendit ku ndodhet sot porti dhe Straboni (VII,324) e quan atë Onkezëm. Qyteti ekziston edhe në hartën e gjeografit Ptolemeu (III,14,4), në shek.II m.Kr…Prokopi i Cezaresë (VIII,22,31) shpjegon se qyteti u quajt Ankiasëm, për të kujtuar kalimin imagjinar të Eneut dhe babait të tij Ankizit në udhëtimin e tyre nga Troja në Itali…Në vitin 551 Ankiazmi u plaçkit nga gotët e Totilës…”

        Në Onkezm në lashtësi ekzistonte një tempull i Afërditës si perëndeshë portuale (Dionisios von Halikarnass: “Archaologie”, I, 51). Ndërsa unë do të isha i mendimit, se ashtu siç thotë dhe legjenda, trojanët që zbarkuan në Buthrot e në krye Eneun, kur janë larguar për në Itali i kanë ngritur në Onkezm një tempull perëndeshës Afërditë, e cila ishte një perëndeshë që adhurohej nga trojanët, por ishte dhe nëna e Eneut. Kjo e informatë nga Dionisi i Halikarnasit dhe e pasuar nga Prokopi i Cezaresë, si dhe emri i lashtë i qytetit të Sarandës me emrin e babait të Eneut, Ankizit, mendoj se i bën të pavlefshme pretendimet e mjaft historianëve dhe arkeologëve, që mendojnë se legjenda e e ardhjes së trojanëve me në krye Eneun në Buthrot dhe Dodonë është një hamendësim, ose mburrje e banorëve vendas të Buthrotit për prejardhjen trojane të tyre.

         Por një informatë mjaft me interes na vjen nga arkeologu Dhimosten Budina, i cili na thotë se: “Në kodrën e Butrintit janë gjetur objekte prehistorike: dy presa stërralli, një çekan guri, një bosht dhe një rrotkë balte (Tab.XXIV). Këto objekte i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit II p.e.s.”

        Me të drejtë mund të ndodhemi para një mëdyshje: Kur banorët e kodrës së Butrintit përdornin këto vegla prehistorike, muret fortifikuese të kësaj kodre ishin ngritur?!! Por, siç na mësojnë arkeologët dhe historianët, i gjithë mijevjeçari i II p.e.s. i përket periudhës së bronzit, kohë në të cilën pellazgët kanë luzmuar me të gjithë fuqinë e tyre ekonomike dhe shpirtërore, madje dhe luftarake. 

         Nga arkeologu Koço Zheku na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij: “L.M.Ugolini, duke përshkruar muret më të vjetra të akropolit të Butrintit, thotë se ato janë të ndërtuara me blloqe të mëdhenj të papunuar, që ai i quan pellazgjike…(L.M.Ugolini, L’Acropoli di Butrinto, Roma-1942, f. 26).” Pra edhe vetë Ugolini pranon se akropoli i Buthrotit, si vendbanim i fortifikuar, është prehistorik dhe i ndërtuar nga pellazgët (ndërkohë që Foinikes i jep një kohë shumë të vonë, rreth 7-8 shekuj), dhe, kur erdhën kolonët helenë ai ekzistonte si qytet i fisit të Prasaibëve, ose Kaonëve më gjërë. Pra nuk është ndërtuar prej tyre. Gjërat qartësohen; pra nuk mohohet që gjatë kohës që kolonët ndodheshin në qytetin e Butrintit, kanë ndodhur meremetime ose ngritje muresh të reja, ashtu siç i përshkruan Neritan Ceka. Por, kjo periudhë, kurrësesi nuk është mosha e vetë qytetit apo datëlindja e tij. Kjo e shumta është mosha e rritjes dhe pjekurisë së tij. Ndërtimet në Butrint kanë vazhduar edhe në periudhën romake, madje edhe në mesjetë me venecianët, dhe më pas, me Ali pashë Tepelenën. Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike.

        Më pas, nga ato që përshkruan Neritan Ceka për trakte dhe pjesë të veçanta muresh, shkallares se teatrit etj, të cilat për nga stilet e ndërtimit i njëjtëson me ndërtimet në Dodonë, Çukën e Aetoit, Foinike etj. Ne, në mënyrë indirekte, duke i menduar dhe quajtur këto të fundit si pellazgjike, detyrimisht, të tilla do të quajmë edhe ato të Buthrotit. Ndjekim se çfarë na thotë Neritan Ceka:

“…Shkallarja (e teatrit të Buthrotit) është vendosur brenda një katrori…, të kufizuar nga mure anësore të përforcuara me kontrafortë, duke imituar një model të njohur nga teatri i Dodonës...Pjesa më e ruajtur e murit pranë portës Skea është ndërtuar me blloqe të mëdha në formë trapezoidale. Gjërësia prej 3,50 m e murit përbëhet nga dy parete dhe mbushja prej gurësh të papunuar…”  

021
Description: Image result for mura etrusche

Mure prehistorik pellazgjik.1.Buthrot.2.Etrusk Toskanë-Itali. Duket e njëjta teknollogji e ndërtimit të themeleve pellazgjike.

       Kur i shikon këto mure në ilustrimin e lartëpërmendur, padyshim, të krijohet një bindje, se këtu kemi të bëjmë vetëm me mure pellazgjikë; dhe, akoma më tej kur, të tillë trakte muri, madje edhe ne themel të mureve të mëvonshme, i gjen të njëjtë edhe tek muret etruske, të cilat janë padiskutim pellazgjike; atëherë pa frikë mund të thuhet, se ky trakt muri në akropol të Butrintit është pellazgjik. Por jo vetëm kaq, koha e ndërtimit të tyre në shek.V p.e.s, qoftë edhe në shekullin e VII p.e.s, vihet në dyshim. 

        Dhimosten Budina në lidhje me muret dhe gjetjet arkeologjike në Butrint na thotë: “Në akropol Ugolini dhe D.Mustili gjetën qeramikë të shek.VIII p.e.s…Kodra e Butrintit është rrethuar me tri rradhë muresh…lartësia maksimale e tyre është 12 m, ndërsa trashësia nuk shkon më tepër se 4 m…shpesh mbi murin antik është ngritur muri mesjetar. Në disa raste blloqet e gurit të murit antik janë përdorur për ndërtimin e murit mesjetar…

Në anën jugore të akropolit ka një trakt muri që zbuluesi e ka quajtur mur “pellazgjik”. Është ndërtuar me blloqe gurësh, me përmasa 1,40 x 1m…Ky tip muri konsiderohet nga më të vjetrit që ekzistojnë në Butrint, ndoshta paragrek (Tab.XXV.)…Pak më tutje duken disa trakte muresh të tjera, të ndërtuar me blloqe gurësh poligonalë me përmasa: 1,30 X 0,75 m; 2,40 x 1m; Trakte të tjera të këtij tipi duken edhe në anët e tjera të kodrës, në anën veriore dhe jugore…blloqe gurësh paralelopipedë…(Tab.XXXV)…mendohet se Butrinti ka pasur 7 porta…”                 

       Gjerak Karaiskaj informon për ekzistencën e një muri prehistorik (që për ne janë mure pellazgjikë) në akropol të Butrintit, mbi të cilin janë ngritur muret antike: “Muri prehistorik me gurë të papunuar, që formonin boshllëqe të konsiderueshme në vendosjen midis tyre,u rindërtua me një teknikë më të përparuar, me blloqe me përmasa të mëdha, që i kalojnë 2 m në gjatësi dhe 1 m në lartësi, të prera në formë poligonale dhe më tepër trapezoidale. Fundi i shek. V ose gjysma  e parë e shek. IV do të ishte koha më e mundshme e ndërtimit të tij.” 

      Eva Brinja në lidhje me muret  lashta të akropolit të Butrintit pohon: “Muri i parë fortifikues i takon periudhës së hekurit me gurë të palatuar dhe të një madhësie 2 x 1 m me peshë 4-5 tonë.”  

        Në lidhje me këtë problematikë Neritan Ceka, në vitin 1983, këto fortifikime prehistorike në Kaoni i kategorizon si ndërtime protoqytetare. Ndjekim pohimin e tij: “Në territorin e Kaonisë kemi dy vendbanime protoqytetare tipike, në Buthrot dhe Kalivo. Në Butrot fortifikimi protoqytetar përfshinte pjesën më të lartë të kodrës me një sipërfaqe 0,7 ha. Trakte të ruajtura të këtij fortifikimi ndeshen në anën jugore të kodrës ku gurët janë ripërdorur në muret më të vona të periudhës qytetare apo antike të vonë…Blloqet e përdorura në murin e këtij fortifikimi…nuk paraqesin faqe të rregullta. Përmasat e tyre janë të mëdha e mesatare (1,45 x 1 m; 1,20 x 0,90 m; 0,85 x 0,40 m). Në vendosjen e tyre është pasur kujdes që të mënjanohen zbrazëtitë duke i plotësuar me gurë më të vegjël. Nuk ka një rreshtim të caktuar, por vihet re një vendosje e rregullt…”  

        Një ide interesante, e cila mbështet mendimin tonë dhe që tregon se Butrinti rreth viteve 2500 p.e.s është banuar nga pellazgët, është hedhur edhe nga arkeologu Dr.Shyqyri Demiri në vitin e largët 1936 të pasqyruar në një shkrim të emërtuar “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”.

        Ky shkrim  është gjetur nga Moikom Zeqo dhe ai i befasuar e ka publikuar në vitin 2013. Ja se si e rrëfen ai: Duke shfletuar një koleksion të gazetës “Illyria” të vitit 1935, pashë një shkrim profesional për arkeologjinë, botuar në datën 31 dhetuer 1935 dhe me vijim në datën 4 kallnuer 1936 të një njeriu që nënshkruan Dr. Shyqri Demiri. Titulli i shkrimit është “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”. Kam mbetur i befasuar kur e lexova, duke kuptuar se kisha të bëja me tekstin e një dijetari shqiptar i cili kishte fituar gradën shkencore Doktor në arkeologji.

        Paraqesim këtu pjesën që na intereson nga ky shkrim, i cili flet për Buthrotin pellazgjik 4500 vjeçar: “Zbulime paleolithike mungojnë, po gjurma kulturore dalin piksëpari në fazën e fundshme neolithike. Konstatohen katër klasë të gjetunash, ndër të cilat âsht edhe nji thikë obsidiani qi u’gjet në Butrinto e me qênë se ky farë guri në Shqipní nuk gjindet po në ishullin e Melos, duken kjartas relacjonet qi kanë pasun banorët e këtushëm me vendet e largta të Mesdheut, qysh në kohët mâ të para (2500 p. Kr.). Në pikpamje ethnologjike kemi të bâjmë ktu me nji popullsi paraindoeuropiane, si duket me Pelasgët.”

        Me siguri që thika prej guri të obsidianës është gjetur në Buthrot nga misioni arkeologjik i Ugolinit. Por ajo që është e rëndësishme nga pohimi i Shyqyri Demirit (dhe ndoshta i paekspozuar nga Ugolini) është fakti që Buthroti është banuar në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, kohë e cila njihet si periudhë e luzmimit të pellazgëve në të gjitha brigjet e Mesdheut. Por jo vetëm, në të njëjtën kohë ai ka qënë në marrëdhënie tregtare me pellazgët e ishujve të Egjeut, pikërisht me ata të ishullit të Melos. Por 4500 vjet jetë në Buthrot vjen në sinkron me idenë  tonë; 5000 vjet qytetërim pellazg i Epirit.   

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)        

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

GJYKATA E HAGËS DHE ÇËSHTJA ÇAME 

May 27, 2022 by s p

Besnik Imeri

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Në Tiranë Ministri i Jashtëm i Republikës së Greqisë, Dendias, deklaroi, apo la të kuptohej, se: Çështja Çame nuk ekziston?  Mund të pyetet: nga e gjen kurajon ky ministër që flet kështu? Unë mendoj se ai e gjen këtë guxim nga dobësia e shqiptarëve, më saktë e politikës shqiptare. Dyshoj, në se partitë politike shqiptare, përjashto PDIU, e kanë në programin e tyre Çështjen Kombëtare, në mënyrë të veçantë atë Çame. Çështja Çame duhet të jetë në programin e çdo partie shqiptare, pasi është një çështje shqiptare dhe jo vetëm e çamëve. Nuk mund të pretendohet nga asnjë parti shqiptare sot, se përfaqësojnë dhe mbrojnë aspiratat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk e kanë në program të tyre Bashkimin e Kombit Shqipëtar, e cila është edhe në preambulën e Kushtetutës. Pra Çështja Kombëtare nuk ka një mbështetje të sigurtë nga i gjithë spektri politik. Por jo vetëm kaq. Ajo nuk është mbështetur realisht asnjëherë nga pushteti politik, pra nga mazhoranca parlamentare që zotëron pushtetin. Dhe, grekët e dinë këtë, pasi pushteti politik në Shqipëri gjithë këto kohë, Çështjen Kombëtare, dhe në veçanti, Çështjen Çame, kanë bërë sikur e kanë mbështetur.

        Por pushteti politik gjithmonë ka pasur frikë nga revolta e popullit shqiptar, në rastin, kur ata që që ndodhen në krye nuk e mbrojnë kauzën kombëtare, prandaj ka bërë lojën e pistë për ta mbajtur në gjumë ariun me emrin popull. Këta që erdhën në pushtet më 2013, për t’u hequr më patriot se ata që “rrëzuan nga kali”, shpallën me bujë e pompozitet, se do të zgjidhnin Çështjen Çame. Por kjo ishte një demagogji e pështirë.

        Pas nëntë vjetësh, jemi atje ku u nis, madje më keq. Pse? Sepse këta të “rilindurit” e sotëm, pasi u tallën nëntë vjet, thonë që ne u lodhëm, por grekët nuk duan. Këtu fillon loja tinzare e politikës greko-shqiptare, me demek, meqënëse pas kaq kohësh nuk po e gjejmë gjuhën, atëhere t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare. Skenari i kësaj shfaqje është i thjeshtë: Ministri grek bën një hap mbrapa nga ajo që ka thënë para dy vjetësh, dhe me një qëndrim arrogant bën presion dhe mohon çdo gjë. Krahu tjetër, kryeqeveritari ynë, gjoja nga ky presion, ngre duart lart, dhe, “duke larë duart si Ponc Pilati”, thotë se me këta nuk merremi dot vesh, le të na zgjidhë gjykata. 

        Duket sikur punët janë vënë në vijë dhe Gjykata e Hagës do t’a zgjidhë drejt. Por nuk është ashtu. Në rradhë të parë, Çështja Kombëtare nuk nxirret në Pazar. Nuk ka gjykatë në botë që të vendosë për trojet tona. Shqiptarët asnjëherë nuk duhet të pranojnë që sovranitetin, trojet që i kanë trashëgim nga të parët e tyre, të cilët  kanë derdhur gjakun lumë, për qindra e qindra vjet, për mbrojtjen e tyre, t’ia dorëzojnë një gjykate të huaj, kushdo qoftë ajo. Shqiptarët duhet ta dinë mirë, si “buka që hanë”, se Gjykata e Hagës, ashtu si do t’ia dhurojë detin Greqisë, ashtu dhe do të rroposë edhe Çështjen Çame.

        Pse unë dyshoj tek drejtësia e Gjykatës së Hagës? Janë disa fakte, të cilat krijojnë një bindje të tillë. E fillojmë me të parin. Karla del Ponte kur ishte Kryetare e Gjykatës së Hagës, për të gjithë shqiptarët dukej si perëndesha e drejtësisë. Por me t’u larguar nga ajo detyrë, ajo, si me magji, u shndërua në një armike të egër të shqiptarëve të Kosovës, dhe mbështeti të gjitha shpifjet dhe intrigat sërbe kundër luftëtarëve të UÇK-së. Ajo u bë zëdhënësja më e zjarrtë e shifjeve të ulëta të monstrës me emrin Dik Marti, dhe me të gjitha gjasat, ka ndikuar edhe në vendimmarrjen e Rezolutës Europiane.

Së dyti, kjo gjykatë, morri nëpër këmbë, dhunoi, poshtëroi, shkeli mbi dinjitetin e drejtuesve të Luftës Çlirimtare në Kosovë, pa përjashtim nga më kryesorët deri tek më të ultit dhe tek familjarët e tyre. Prokurorët e saj i ngritën akuzat mbi bazën e relacioneve dhe raporteve të shërbimit secret sërb. Gjykata e Hagës u bë vegël e qarqeve antishqiptare për largimin nga pushteti në Kosovë të atyre që dhanë gjakun e tyre për liri. Gjyka e Hagës dhunoi  dhe cënoi dinjitetin e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Së treti, kjo gjykatë, në mesin e shekullit të XX, padrejtësisht, vendosi drejtësi në favor të organizatorëve të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Shteti shqiptar, me të drejtë, nuk e njohu këtë vendim arbitrar dhe të padrejtë të kësaj Gjykate. Por meqënëse kjo gjykatë, është një gjykatë e pazarit europian, vendosi në favor të grabitësve të arit shqiptar. Juristët më të mire të së drejtës ndërkombëtare sot, si K.Krisafi, thonë së vendimi i Gjykatës së Hagës para 70 vjetësh nuk ka dha drejtësi për shqiptarët. Vendimi i saj nga pikëpamja ligjore ishte i gabuar dhe i pambështetur në fakte.   Nëqoftëse një gjykatë nuk jep drejtësi, nuk është gjykatë, dhe asaj nuk mund t’i besohet peshorja e drejtësisë. Njohja e së drejtës së shqiptarëve për incidentin e Kanalit të Korfuzit pas 70 vjetësh është shumë e vonshme. A duhet të presin shqiptarët, që pas 70 vjetësh, në vitin 2092, të marrin drejtësi për Çështjen e Detit dhe Çështjen Çame?!!!

        Unë do t’i besoja kësaj gjykate ndërkombëtare nëoftëse ajo do të merrte në shqyrtim, dhe do të njihte Genocidin Sërbo-Grek ndaj shqiptarëve, dhe do të vendoste drejtësi në favor të palës së dhunuar, shqiptarëve; të cilët u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore nëpërmjet raprezaljeve, vrasjeve, djegjeve, therrjeve dhe përdhunimeve të bëra nga sërbët dhe grekët.

        Grekët kërkojnë drejtësi. Siurdhëron zoti grek. Por drejtësia nuk është e njëanëshme, është e dyanëshme. Drejtësia nuk është për njërën palë dhe për tjetrën të jetë padrejtesia. Nëqoftëse shqipëtarët do të vendosnin drejtësi shekullin e kaluar, gjënë më minimale që duhet të bënin, duhet të përzinin në Greqi të ashtuquajturin minoritet grek në Shqipëri; ashtu siç përzunë grekët shqiptarët e Çamërisë. Atëhere mund të krijohej një balancë; gjithësesi një balancë e keqe. Por i ligu nuk e kupton ligësinë kur ajo bëhet në trupin e tjetrit, duhet t’ia kthesh në trupin e vet, që ta kuptojë.

        Njohja e genocidit sllav dhe grek ndaj shqiptarëve duhet të njihet nga vetë Europa, ashtu siç u njoh genocidi turk ndaj armenëve. Kjo do ta nderonte Europën, por edhe shtete të veçanta të saj si Gjermania, e cila ashtu siç njohu genocidin ndaj armenëve të njohë edhe genocidin ndaj shqipëtarëve. Ne shqiptarët, thuhet se kemi miq të fuqishëm, por nuk kemi parë deri më tani, që miqtë tanë të kenë njohur genocidin sllavo-grek, ashtu siç njohën genocidin turk ndaj armenëve.

        Nuk ka të ardhme pa të kaluar. E ardhmja vjen pasi ka një të kaluar, por pasi ka edhe një të sotme. Ne po flasim për sot zotëri. E ardhmja nuk rregullohet, po nuk u rregullua e sotmja dhe për më tepër, po nuk u rregulluan gabimet e historisë në të kaluarën. Brezat e rinj të shqipëtarëve, që do të jenë në të ardhmen, asnjëherë nuk do të na e falin tradhëtinë e sotme.     

Filed Under: ESSE Tagged With: Besnik Imeri

KANINA – QYTET I THRONIT

November 26, 2021 by s p

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Besnik Imeri

Në këtë trinom të rëndësishëm, Aulon-Orik-Kionin (Kanina), bën pjesë edhe kalaja e Kaninës. Gj.Karaiskaj për të na informon: “Kalaja e Kaninës ndodhet në gjirin e Vlorës mbi një kodër me lartësi 380 m…Muret rrethuese përfshijnë një sipërfaqe 3,5 ha dhe kanë një gjatësi të përgjithshme prej 1 km. Ashtu si në Shkodër, kalaja ndahet nga mure tërthore në tri pjesë…Ajo e fillon jetën e saj që nga koha antike. Më vonë në shek. e VI, kalaja rindërtohet nga Justiniani dhe përmendet në listën e Prokopit me emërin Kionin. Në fillim të shek. XI, Kanina ishte një qytet dhe qëndër peshkopate dhe luajti një rol të rëndësishëm në luftërat normano-bizantine. Në shek. XII-XIII, kthehet në një qëndër ushtarake të dorës së parë, duke shërbyer si plasdarm për depërtimin e anzhuinëve në thellësitë e tokave shqiptare. Në vitin 1530 kalaja rindërtohet nga sulltan Sulejmani, ndërsa ndërtimet e fundit të shek. XVII-XIX i përkasin përpjekjeve të feudalëve shqiptarë të Vlorës për të rimëkëmbur këtë fortifikim.”

       Në lidhje me hershmërinë e këtyre fortifikimeve   Neritan Ceka pohon se, faza protoqytetare, shek. VII-V p.e.sonë,  është dokumentuar në Kaninë, Treport, Mavrovë (Olympe), etj. Në Treport vendbanimi protoqytetar përfshinte vetëm majën e kodrës rreth një të katërtën e qytetit të ardhshëm. Në Kaninë ai shtrihej në pjesën më të lartë midis dy majave në një sipërfaqe rreth 1,7 ha. Në Mavrovë shtrirja është e kufizuar në pjesën më të lartë me një sipërfaqe rreth 0,5 ha…Faza protoqytetare shfaqet arkeologjikisht me një dëndësim të dukurive që kanë filluar të paktën që nga bronzi i mesëm…Gjatë shekujve VII-V p.e.sonë…masa kryesore e vendbanimeve si Kanina, Treport, Mavrova (Olympe), etj, përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit… 

       Nga ky përshkrim mund të arrijmë në këto përfundime: së pari, fortifikimi i Kaninës, si të gjitha fortifikimet pellazgjike, fillimisht ka pasur një akropol, që për Kaninën ishte 1,7 ha; së dyti, ka një fakt interesant dhe të paspjegueshëm deri tani, të gjitha fortifikimet të dyshuara si ndërtime pellazgjike, akropoli i tyre fillimisht është ndërtuar mbi dy maja. Të tilla janë Olympe, Amantia, Selo, Treni, Samobari, etj…; së treti, dyshimet e shprehuara më lart për  dukuri që nga pikëpamja arkeologjike kanë filluar që nga koha e bronzit, si dhe ajo që në vendbanimet si Kanina  përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit, janë në të mirë të tezës se këto vendbanime të fortifikuara i kanë fillesat e tyre ne kohën e bronzit, që është koha e luzmimit të pellazgëve.

        Në lidhje me kronologjinë e kalasë të  Kaninës nga mjaft autorë pohohet, se ajo mund të jetë fortifikim shumë më i hershëm nga shek.V p.e.s., kohë që u  shkatërua nga apolloniatët. Por, siç e kemi thënë në mjaft raste në këtë studim, legjendat janë një e vërtetë historike e ardhur që nga mugëtirat e kohrave të stërlashta. Një mësim të tillë na e jep edhe arkeologu italian Ugolini: “Edhe legjendat e lashta, të mbledhura herë nga poetë e herë edhe nga historianë të epokës klasike, sjellin një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë…”  

        Një nga këto legjenda, që padyshim, sjell një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë, është ajo  që flet për zanafillën e fortifikimit të Kaninës dhe Amanties, të cilën, e  tregon arkeologu S.Anamali: 

“Një version tjetër të legjendës e ka lënë Pausania, në veprën e tij përshkrimi i Helladës. Ai tregon se në Olimpia, pranë vendit të quajtur Hipodam, gjendej një monument skulpturor, i punuar nga skulptori Lykio dhe kushtuar  Zeusit nga apolloniatët. Sipas kushtimit të kumtuar prej tij, monumenti ishte ngritur nga apolloniatët, pas fitores së tyre kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë në qytetin e tyre Thronion. Më tej Pausania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantisë dhe se kjo e fundit u përkiste thesprotëve. Qyteti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokrët e Thronionit; pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune. Thronionin e shkatëruan, mbasi e pushtuan apolloniatët, duke i dëbuar prej andej abantët (Pausania, Descriptio Graeciae, V, 22, ed Teubner, Leipzig-1870). Kjo ngjarje është datuar në gjysmën e parë të shek. V p.e.s…

        Dëshmia e Pausanias për ex-voton e Apollonisë nuk mund të vihet në dyshim, aq më tepër, sepse në gërmimet e bëra në Olimpia (Greqi) janë zbuluar mbeturinat e monumentit të ngritur nga apolloniatët, dhe, të parë dhe të përshkruar nga Pausania…Emrin e qytetit Thronion, për herë të parë dhe të fundit, e gjejmë vetëm tek Pausania…Nëqoftëse pranojmë ekzistencën e qytetit Thronion në Ilirinë e Jugut duhen dëshmi arkeologjike për ta provuar, por ato, tani për tani, mungojnë. Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantinë e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik. Si vend më i mundshëm për një lokalizim të Thronionit, është kalaja e Kaninës, në muret mesjetare të së cilës janë parë gjurmë ndërtimi antik.”

        Llogjika e ngjarjeve, gjithmonë sipas legjendës, kur abantët dhe lokrët  pas luftës së Trojës u vendosën pranë maleve Keraune, të çon në atë, që ata fillimisht janë vendosur në një vend afër bregut të detit dhe nuk janë futur në thellësi, pasi mund të ndodheshin para të papriturave të pakëndëshme. Kujtojmë këtu danajtë, të cilët kur shkuan në Argos, fillimisht qëndruan në breg të detit, për deri sa morën lejen për t’u vendosur në tokë. 

        Nisur nga fakti, se ujrat e detit, në atë që sot njihet si territor i qytetit të Vlorës, deri në prag të shekullit të XX, ndodheshin në të gjithë ultësirën bregdetare deri tek vendi, që nga vlonjatët e hershëm quhet “Bishti i kalldrëmit”, në rrëzë të kodrave të Kaninës; atëhere “miqtë nga Troja” këtu kanë zbarkuar aty, dhe, pasi kanë marrë leje nga vendasit, fillimisht janë vendosur në majën e kodrës së Kaninës, si një vend strategjik ku mund të mbroheshin kollaj.

        Nuk përjashtohet mundësia, që para abantëve dhe lokrianëve, në Kaninën e sotme, vendasit të kishin ngritur një fortifikim, dhe, emigrantët ta kenë marrë atë me luftë. Më vonë, me siguri, pasi janë fuqizuar, lokrët kanë qëndruar në Kaninë, duke i vendosur emrin e qytetit të tyre prej nga vinin, Thronion; ndërsa abantët kanë hyrë në thellësi të prapatokës së Kerauneve, dhe, janë vendosur në kreshtën e fshatit Plloçë duke themeluar aty qytetin, të cilit i vendosën emrin e etnisë së tyre: qyteti i Abantëve, ose Abantias, që nga vendasit, siç do ta shpjegojmë më pas, u quajt  Amantia.

        Pier Kabana është i mendimit se Thronioni nuk ka qënë në Kaninën e sotme por në Triport. Ndjekim arësyetimin e tij: “Ekzistenca e një vendi të ashtuquajtur Thronion dëshmohet nga mbishkrimi i Olimpes (Gigime I, 2,303), i cili është kopjuar në vend nga Pausania (V, 22, 2-4) dhe që dëshmon fitoren e apolloniatëve “në kufijtë e Abantidës” dhe plaçkën e luftës së marrë në Thronion në mes të shek. V p.e.s. Thronion mund të ndodhet në sitin e Triportit, në veriperëndim të Vlorës dhe jo në dy sitet e tjera arkeologjike të kësaj zone: Olympia dhe Amantia antike. Ky lokalizimi Thronionit i korespondon më mirë të dhënave të Pausanias, i cili e vendos këtë…përballë maleve Akrokeraune…Fitorja e apolloniatëve në Thronion…i lejoi qytetit të madh të shtrinte chora-n e tij në luginën e poshtëme të Shushicës, përveç luginës së poshtëme të  Aoosit, si dhe të kontrollonte më mirë Nimfeun dhe minierat e bitumit përreth Selenicës.”

        Nëqoftëse ndjekim fillin e mendimit të Kaban-as, si mundet që apolloniatët që nga Triporti të kontrollonin luginën e poshtëme të Shushicës, madje dhe Nimfeun, Selenicën e sotme?!! Nga ky pozicion, jo vetëm që ishin shumë larg këtij territori, por e kishin dhe shumë vështirë, pasi sistemi i kodrave i detyronte, që për të dalë nga Triporti në Nymfe duhej t’u binin rreth e qark atyre, duke dalë në breg të Vjosës nga ana e perëndimit, ndërkohë që amantët nuk e kishin të vështirët a kontrollonin pjesën fundore të kësaj lugine. Ndërsa, duke qënë Kanina-Thronioni, gjithë lugina e poshtëmë e Shushicës deri në Selenicë, ishte nën kontrollin e saj, ndërkohë, që u bënte presion amantëve në se ata do të tentonin të kalonin luginën në drejtim të Nimfeut, pasi u binin prapa shpine. Prandaj mendimi i shfaqur nga arkeologët Anamali dhe Ceka, se Kanina ka qënë Thronioni, është shumë afër së vërtetës.

         Në antikitetin e vonë, Kanina me emrin Kionin, ka qënë pjesë e rëndësishme e  një qëndre peshkopale, gjurmët e së cilës pasqyrohen nga zbulimi i një  mozaiku paleokristian në rrafshinën poshtë saj, toponimit të një fshati, i cili edhe ai është poshtë saj, dhe ruan sot e kësaj dite emrin, në akcentin vendas, Qishbardhë, Kisha e Bardhë; si dhe mbetjet e një manastiri ortodoks në shpatin e malit përkundrejt Kaninës, i cili ka qënë quajtur Manastiri i Kllogjerit.

        Kalaja e Kaninës, bën pjesë në ato fortifikime, të cilat e kanë luajtur këtë funksion në mënyrë të pandërprerë të paktën për 25 shekuj. Në themelet e trakteve të veçanta të mureve të saj ka gurë pellazgjikë. Por ajo ka vazhduar si fortifikim kaon, pjesë e sistemit të kalave të amantinëve, më vonë me pushtimin romak dhe bizantin u ka shërbyer këtyre pushtuesve. Si fortifikim ajo bën pjesë në kalatë e rindërtuara nga Justiniani i Madh në shek. e VI të erës sonë.  Në shekullin e XII, rreth vitit 1080-1081, për ca kohë, ajo ra nën sundimin e normanëve, në shekullin e XIII, duke filluar nga viti 1204, dhe deri pas mesit të shek.XIV ka qënë pjesë e Despotatit  të Epirit me  Ëngjëll dhe Teodor Dukë Komnenin dhe pasardhësëve të tyre, më pas ka kaluar në duar të anzhuinëve, muzakajve, balshajve, venecianëve, u pushtua prej turqve rreth vitit 1417, por, pas vitit 1430, për ca kohë ka qënë në dorë të Gjergj Arianitit, Gjon Kastriotit, sulltan Mehmet Fatihut, dhe më vonë, fillim shekullin e XVI, me ardhjen e sulltanit të madhërishëm, Sulejmanit, ra përfundimisht nën sundimin osman. “Gjatë kësaj periudhe u bënë rindërtime në këtë kala. Deri në shek. e XVII mbi një nga portat e kësaj kalaje, sipas dëshmisë së Çelebiut, lexohej mbishkrimi”Sulltan Sulejmani e meremetoi” Më pas mbeti një fortifikim turk deri në vitin 1912. Më 1915 ra nën pushtimin italian dhe më 1920 u çlirua prej luftëtarëve të Luftës së Vlorës duke përzënë prej andej garnizonin italian.

Besnik Imeri    

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

AMANTIA – QYTETI RËZELLITËS I CIVILIZIMIT TË LASHTË

November 15, 2021 by s p

Besnik Imeri

        Qyteti i lashtë i Amantias, përveç fortifikimit dhe të vendbanimit në kreshtën e kodrës në fshatin Plloçë, zotëronte edhe një territor të gjërë që nga pikëpamja gjeografike ishte mjaft i larmishëm, male, pllaja, kodra të buta, lugina dhe fusha të vogla si ajo e Brusnjes, por edhe të mëdha në pjesën fundore të luginës së Shushicës. Në këtë territor tejet të favorshëm amantët kanë ushtruar njëkohësisht bujqësinë dhe blegtorinë por edhe zejtarinë. Blegtoria, nisur edhe nga territori malor dhe kodrinor mendoj se duhet të ketë qënë në vendin e parë, kullotat verore mbi malin e Kudhësit dhe deri në Matohasanaj janë alternuar me kullotat dimërore në kodrat midis Mavrovës, Amonicës, Kaninës, si dhe vargut kodrinor që fillon në Peshkëpi deri në Selenicë. Mendohet se në mbrojtje të këtij territori kanë qënë edhe fortifikime të tjera si: Olympe, Matohasanaj, Amonica, Hadëraj, Treblova, Kanina (Thronioni), Armeni e deri tek Nymfeu, Selenica e sotme. Një përshkrim të këtij territori që zotëronin amantinën e ka bërë edhe Pjer Kabana: 

“Shtrirja territoriale e shtetit të amantëve, që përfshinte luginat e mesme të Shushicës e Vjosës dhe gjithë zonën malore që i ndan e që shkon deri në afërsi të Vlorës (Aulona antike), deri në fortesën e Matohasanajt, në kontakt me Kaoninë, i përshtatej më mirë një shteti të tipit të etnosit ose koinomit, se sa polisit. Territori i tij bashkon njëherazi toka bujqësore dhe zona të mëdha malore të përshtatshme për rritjen e gjësë së gjallë, zona verore dhe zona dimërore në kufijtë detarë.”

        Përpjekjen e parë për të lokalizuar  Amantinë e gjejmë tek vepra e Pukëvilit. Sipas tij, rrënojat e Amantisë gjinden pranë fshatit Nivicë të Kurveleshit. I një mendje me Pukëvilin është edhe V.M.Lik. Edhe ai vizitoi rrënojat e Nivicës, dhe pa atje mbeturinat e qytetit të lashtë të Amantisë. Ndërsa në fshatin Plloçë, i pari që e ka identifikuar në këtë vend, ka qënë E.Izambert: Në vitin 1861 Izamberti tregon se arriti në fshatin Plloçë, dhe se rrënojat që shihen rreth kodrës, i përkasin qytetit të Amantisë…ai shënonte muret e akropolit, prej të cilit  kishin mbetur vetëm themelet, dhe se, nën këmbët e mureve rrethues, shihen gjurmë të shumta varresh të skalitur në shkëmb. Ai kishte parë edhe një mur me 14 kontraforte, mbeturinat e qemereve të një porte dyfishe dhe 11 shkallë të një stadiumi antik…Gërmadhat e Plloçës si vend i qytetit  Amantia, i njohu edhe gjeografi Guido Kora në vitin 1875…Monumentet arkeologjike të fshatit Plloçë i vizitoi edhe K.Paçi, i cili pasi shqyrtoi edhe burimet e shkruara antike, e vendosi Amantinë në rrënojat e Plloçës…Si mbështetje për lokalizimin e Amantisë në Plloçë, shërbeu edhe kulti i përhapur i Zeusit të Dodonës, të vrejtur tek monedhat, i cili, sipas Paçit shtrihej në të gjithë anën perëndimore të gadishullit deri në Shkodër…

Gjatë Luftës së Parë Botërore, në Plloçë, erdhi edhe arkeologu B.Paçe. Ai u shpreh gjithashtu për identifikimin e Amantias në rrënojat e Plloçës, duke shtuar se midis monedhave të gjetura aty me shumicë janë monedhat e Amanties…Lokalizimin e Amantisë me rrënojat e fshatit Plloçë e ka pranuar edhe L.M.Ugolini nisur, përveç të tjerash, edhe nga gjetja vetëm në Plloçë e një numri të madh monedhash prej bronzi me legjendën AMAN – TΩN, nga zbulimi i një tok monumentesh arkeologjike, dhe, më në fund, nga ruajtja e emrit të lashtë Amantie në trajtën e sotme Amonicë, në një fshat pranë Plloçës.”

        Në mënyrë përfundimtare lokalizimin e Amantias së lashtë në kreshtat e kodrës të fshatit Plloçë e kanë bërë arkeologët shqiptarë Hasan Ceka dhe Skënder Anamali: “Më në fund, provën më të qartë, na e japin monedhat me legjendën AMAN – TΩN, të cilat në Plloçë gjinden me shumicë, kurse në qëndrat arkeologjike fqinjë, ose mungojnë ose janë të rralla.”

        Por Paçe, Ugolini (indirekt) dhe Ago Agaj hedhin dyshime se, qyteti i Amanties nuk ndodhet tek fortifikimi i kreshtës shkëmbore pranë fshatit Plloçë, por poshtë në fushë midis tri fortifikimeve: atij të Plloçës, Amonicës dhe Mavrovës. Ndjekim së pari, Ugolinin.

“Të bollshme janë mbetjet arkeologjike që gjenden në perëndim të fshatit Ploçë, në një largësi më së shumti dy orë (bëhet fjalë për ecje më këmbë ose me kalë). Në qytet (që vendasit e quajnë “gjutet”), lokalitet që gjëndet rreth një orë rrugë në perëndim të Plloçës, gjenden të shpërndara aty-këtu nëpër tokë blloqe kuadratikë, të të njëjtit tip me të cilat janë ndërtuar muret e Plloçës. Sipas gjithë gjasave, ato i përkisnin murit mbrojtës ose ndërtesave të mëdha të këtij “qyteti”. Ka blloqe të tjera të të njëjtit tip, të shpërndara nëpër tokë në qafë të Bosit (mund të jetë qafa e Buallarit), që gjendet pranë po këtij vendi. Gjithashtu në qytet, në pronat e Hazbi Nurçes gjenden shumë mbetje tullash dhe tjegullash të lashta, gjurmë të mureve me blloqe të mëdha dhe varre në formë arke me pllaka të mëdha. Pak më në perëndim, drejt përroit Brumis, në truallin e zotërinjve Sulejmani, gjenden tre tuma të mëdha, të grupuara së bashku.”

        Pra Ugolini përshkruan dy vende, të cilat janë në perëndim të Plloçës, me diferencë nga njeri tjetri larg Plloçës prej një ore. Me të drejtë na lind pyetja, se, nëqoftëse e para ishte Olympe, atëhere kjo e dyta, me diferencë një orë nga Plloça është  “Fusha e Brusnjës” në fshatin Vajzë, të cilën e përshkruan mjaft mirë Ago Agaj, duke dhënë edhe mendimin se në Brusnje duhej të ishtë Amantia e vërtetë,  ndërsa kalatë e Mavrovës (Olympes), Amonicës dhe fortifikimi në kreshtën e Plloçës ishin në mbrojtje të saj. Por nuk përjashtohet mundësia, që në rastin e dytë, Ugolinimund ta kishte fjalën për kalanë e Amonicës. Për lokalizimin e tij duhen identifikuar personat dhe pronat e tyre, që përmend Ugolini.

       Ndjekim Agon: “Rrëzën e fushës së Brusnjes, në fshatin Ploçë, populli e quante “rrëza e Qytetit”, duke nënkuptuar se dikur aty mund të kishte qënë një qytet i vjetër dhe i famshëm. Këto tri kala, të Ploçës, të Amonicës dhe të Mavrovës përbëjnë një zinxhir mbrojtës të qytetit të “Fushë Brusnjes”, e cila ndodhet në mes dhe e ruajtur mirë nga çdo anë dhe ku duhet të ketë qënë Amantia e Vjetër…Aty është gjetur një unazë floriri e trashë me gur të kuq të errët, në të cilën ishte gdhendur me një zotësi të pashoqe një grua me hushtë dhe kandar në duar (Perëndesha e Drejtësisë Mat)…”

          QYTETËRIMI I AMANTIES

        Hasan Ceka, babai i arkeologjisë shqiptare dhe Skënder Anamali, një nga katërshtyllat e kësaj godine madhështore, tregojnë se Amantia u bë qytet i zhvilluar në shek. të IV p.e.s.: “Një dëshmi…japin monedhat e gjetura në Plloçë të cilat i përkasin shek. IV p.e.sonë. Midis tyre më të shumta janë monedhat e Dyrrahut, Korkyrës, Korinthit, Epirit dhe maqedonisë…Në fund të shek. IV Amantia filloi të kishte marrëdhënie tregtare edhe me Apulinë…”       

        Duhet të themi se, sipas arkeologëve Luigi Maria Ugolini, Izambert, B.Paçe, K.Paç dhe  drejtuesve të ekspeditës arkeologjike të saj, Hasan Ceka dhe Skënder Anamali, Amantia ka qënë një qytet i zhvilluar, pasi në të janë zbuluar monumente të rëndësishme arkeologjike si: mbetjet e një tempulli, stadiumi, mure madhështore, objekte arqitektonike, shtatore, relieve, mbishkrime në gur, ndërtesa, gjimnazi, dhe, si një gjë e rrallë, varret monumentale, një ekonomi dhe tregti e zhvilluar deri tek prerja e monedhave, një demokraci e zhvilluar dhe struktura shtetërore moderne për kohën, një jetë e pasur shpirtërore dhe një adhurimi i veçantë i perëndive pellazge të Dodonës dhe Olimpit, sidomos të kryeperëndisë së tij, Zeusit, dhe Afroditës etj; ku sipas Ugolinit Amantia duhet të ishte i rëndësishëm me një zhvillim të madh dhe i lulëzuar, i pajisur me shtatore, i pasur me ndërtesa të zbukuruara me mermer të gdhendur, si dhe i veçantë ndër qytetet e Ilirisë dhe Epirit.

       B.Paçe ka kumtuar për një mbishkrim dhe për një reliev të gjetur në Plloçë, si dhe për teprica muresh me  teknikë shumë primitive…Muret që rrethojnë kreshtën e kodrës ku ndodhet qyteti antik i Amantias, me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 2100 m vendosin brenda tyre një sipërfaqe prej 18 ha. Muret kanë një trashësi nga 1.8 deri në 3 m dhe janë të tre tipeve: poligonal, trapezoidal dhe kuadratik izodomik. Fortifikimi ka pasur pesë porta, kullat janë të rralla dhe duhet të jenë ndërtuar në kohë të vonshme në periudhën e lulëzimit të këtij qyteti në shek. III dhe të II p.e.s. Dallues dhe veçori e mureve të këtij fortifikimi janë  kontrafortet, që në pjesën perëndimore të tij në bashkëpunim me kullat shoqërojnë një portë kryesore të hyrjes në qytet. Qyteti duhet të ketë pasur katër porta.

         Akropoli, si të gjithë sivllezërit e tij në qytetet e Epirit dhe Ilirisë, është ngritur në fillimet e jetës së vendbanimit apo qytetit, muret e tij, në pjesë të veçanta, janë ngritur me blloqe gurësh të mëdhenj të përmasave 2.60 m x 1.75 m x 0.90 m. Në to mungojnë kullat, ndërsa porta në pjesën juglindore është e veçantë me portikë dhe harqe zbukurues. Nëpërmjet një qafe, që ndodhet në rrëzë të kreshtës së tij, në pjesën jugperëndimore të tij, akropoli lidhet me një tempull të lashtë, i verifikuar si tempulli i Afroditës, dhe në kohë të mëvonshme, edhe me stadiumin dhe gjimnazin në pjesën lindore të tij.

        Luigi Maria Ugolini në librin e vet “Shqipëria e Lashtë” për qytetërimin dhe lulëzimin e Amanties pohon: “Grupi i rrënojave të lashta…tregon se qyteti të cilit ato i përkasin (Amanties) duhet të ishte i rëndësishëm. Një hamendësim i tillë merr peshë nëse gjykohet që qyteti ishte i lulëzuar, i pajisur me shtatore, i pasur me ndërtesa të zbukuruara me mermer të gdhendur, dhe pse larg qëndrave me përhapje më të madhe kulturore, nën ndikimin e të cilave ai jetonte: Athina, Roma dhe, më vonë, Bizanti. Prandaj tek unë lindi menjëherë dëshira për të ditur, se cilit prej qyteteve të lashta…mund t’i përkisnin ato rrënoja që unë i kam kundruar me admirim…arrita në përfundimin se ato duhet t’i përkisnin qytetit të lashtë të Amantias, kujtimet historike të të cilit i kemi tek Cezari në lidhje me luftën civile, por edhe tek Ciceroni.”

  1. Muret e qytetit

        Për të pasqyruar këtë qytetërim të Amanties, nuk mund të mos e fillojmë nga muret madhështore të saj. Përsa këtë po i drejtohemi një prej shtyllave të arkeologjisë shqiptare, eksploruesit të saj, Skënder Anamalit, i cili në Kuvendin e I-rë të Studimeve Ilire, shtator 1972, nëpërmjet fakteve, pa e përmendur shprehimisht, hedh dritë mbi origjinën pellazgjike të këtij fortifikimi kaon. Ai na thotë se, akropoli i Amanties ka blloqe gurësh me përmasa: 2.60 m X 1.75 m X 0.90 m, dhe në vijim: “E.Izamberti për muret e akropolit të Amanties shkruante (më 1861) se nuk kanë mbetur – veçse themelet, pjesërisht helenike ose maqedone dhe pjesërisht nga juglindja prej gurësh të mëdhenj çiklopikë të vënë mbi shkëmbin e prerë -…B.Paçe u mjaftua të shkruajë në lidhje me muret e akropolit, se maja shkëmbore e Plloçës kurorëzohej me mbeturina muresh të një teknike shumë të vrazhdë…botanisti A.Baldaçi i vizitoi rrënojat e lashta të Plloçës. Dy herë, në vitet 1892 e 1894, ai u ndal në “shkëmbin e madh mbi të cilin ngrihen nga ato rrënime të ashtuquajtura pellazgjike…

IMG_20210926_112056

Trakt muri pellazgjik. Amantia-Vlorë. (Foto.Shtator 2021)

         …Nga akropoli i Amanties është ruajtur një copë mur që është, një shembull shumë i bukur i përdorimit të blloqeve poligonalë: shkëmbi, dhe muri sipër tij, formojnë një tërësi monolite. Mbi shkëmbin e skalitur me faqe të sheshuara janë vendosur blloqe gurësh poligonalë, me përmasa mesatate të puthitura mirë. Janë ruajtur tetë rradhë gurësh. Muri zgjatet këtu rreth 28 m. dhe ka një lartësi të ruajtur prej 8 m. Në këtë pjesë muri është ruajtur dhe një lug për kullimin e ujrave, i punuar në një bllok të vogël, i cili del pak jashtë. Kësaj faqeje muri i përket edhe një copë mur ku janë të përdorura me mjeshtëri, blloqe gurësh trapezoidalë…Lidhja e murit me shkëmbin këtu është bërë, duke sheshuar faqen e sipërme të këtij të fundit (shih foton më poshtë)…

Description: Image result for images for amantia antike

Trakt muri poligonal. Amantia-Vlorë

Në skajin perëndimor të kësaj faqeje, në disa pjesë të murit janë ruajtur disa blloqe gurësh të mëdhenj: Një blok është 2.30 m i gjatë, 1.25m i gjerë dhe 0.88 m i trashë; një tjetër është 2.60 m i gjatë, 1.75 m i gjerë dhe 0.90 m i trashë…Ajo që bie në sy gjatë gjurmimit dhe studimit të mureve të akropolit të Amanties, është në përgjithësi, uniteti i tyre. Pavarësisht nga trajta e blloqeve paralelopipedi, poligonalë apo trapezoidalë, muri ka qënë ngritur në një kohë dhe ndërtuar me të njëjtën teknikë. Këta janë po ata ndërtues vendas që punuan edhe në ndërtimet e tjera të qytetit të tyre…

Në Amantie kemi teknikën e zakonshme të përdorur në përgjithësi, në ndërtimin e mureve në qytete e kalatë ilire, duke filluar nga shek. IV p.e.s.” 

Description: Skeda:Paloeochristian Basilica and the Temple of Aphrodite. Amantia,  Albania 01.jpg - Wikipedia

  Rrënojat e tempullit të Afërditës në Amantia.

         Arkeologu Skënder Anamali e vendos, përfundimisht, kohën e ndërtimit të kalasë së Amanties në  shek. e IV p.e.s. Pra, në antikitet, duke mos i lënë asnjë mundësi mureve të akropolit për një periudhë më të hershme të ndërtimit të tyre. Madje, çuditërisht, të gjitha muret e këtij fortifikimi i vendos në të njëjtën periudhë kohore ndërtimi. Gjë që duket pak e pamundur. Por ai me guxim thotë, se këtë fortifikim, këto mure, godina banimi dhe publike, stadiumin me gjimnazin, si dhe objektet e kultit, i kanë ngritur dhe ndërtuar vendasit.

          Me fjalë të tjera, Izamberti, Baldaçi pohojnë drejtëpërsëdrejti se, akropolin e Amanties e kanë ndërtuar pellazgët, ndërsa B.Paçe duke folur për për teprica muresh me  teknikë shumë primitive, le të kuptohet se ato kanë qënë mure pellazgjikë. Në të njëjtën kohë, Anamali na tregon se, Ugolini dhe K.Paçi i janë shmangur mureve të lashta të akropolit të Amanties. Ata-thotë Anamali-nuk i përshkruajnë muret rrethuese, të cilat kalojnë përqark majës shkëmbore të Ploçës, dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme. Gjithashtu, as edhe monumentet, të cilat para tyre i kishte njoftuar E.Izamberti.

Ndjekim Anamalin: 

“Monumentet arkeologjike të fshatit Plloçë i studioi edhe Karl Paçi (Patch), i cili mbasi i shqyrtoi edhe burimet e shkruara antike e vendosi Amantinë në rrënojat e Plloçës…Është interesante të thuhet se arkeologët, që erdhën në këtë fshat, Paçi e të tjerë, nuk i përshkruajnë muret rrethues të cilët kalojnë përqark majës shkëmbore të Plloçës dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme, as edhe monumentet të cilat, para tyre i kishte sinjalizuar E.Izamberti. K.Paçi dhe më vonë Ugolini u tërhoqën më tepër pas monumenteve të shpërndara në fshat, nëpër shtëpitë dhe oborret. K.Paçi duke gjetur në Plloçë monumente të ndryshme arkeologjike, skulptura, mbishkrime, etj…”

        Në plotësim të këtij konstatimi të Anamalit japim një përshkrim të Ugolinit (i bërë në vitin 1924) për rrënojat e Amanties: 

“Fshati i sotëm (i Plloçës) është në pjesën më të madhe i mbyllur në perimetrin e mureve të epokës greko-romake, të cilat, të përbëra prej paralelopidë gëlqerorë në përmasa më të mëdha apo më të vogla, mbronin qytetin e lashtë, ose më mirë akropolin, që gjendet mbi majën e rrëpirtë të kodrës. Brenda në fshat gjenden dendur rrënojat e qytetit të lashtë. Mund të thuhet se çdo shtëpizë ruan në muret e jashtëme copa skulpturore të lashta, që vihen si zbukurim i shtëpisë, sipas një zakoni mjaft të përhapur në Shqipërinë Jugore. Kam parë trungje shtatoresh, disa edhe me punim të kënaqshëm apo të mirë; stela me paraqitje figurative; voluta kapitelesh; friza të hijshëm me gjethe palmash ose me dredhka akanti; motive të tjera arkitekturore, etj.”

        Nga përshkrimi i mësipërm i Ugolinit mësojmë: Së pari, për kohën e ndërtimit të mureve të qytetit, siç i quan Ugolini, të periudhës greko-romake, gjë që është e vërtetë, pasi në këtë periudhë (helenistike) midis shekujve të IV dhe të III p.e.s qyteti i Amanties u zhvillua dhe lulëzoi. Vetë tipi, përmasat dhe teknika e ndërtimit të mureve të këtij qyteti i përkasin kësaj periudhe. Por këtu duhen përjashtuar trakte të veçanta të blloqeve të gurëve të mureve të akropolit, të cilat i përkasin një periudhe mjaft më të hershme, asaj pellazgjike, gjë që Ugolini nuk e përmend. Së dyti, për një masakër arkitekturore të objekteve arkeologjike të vendosura në mure shtëpish, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e dëmtimit të tyre. Ne mund të pyesim, se ku ndodhen sot këto objekte: janë dëmtuar apo janë grabitur?!

        Ne shtrojmë edhe pyetjen tjetër: Përse nuk kanë dashur ata (Paçi dhe Ugolini) të flasin për muret e lashta të akropolit? Apo ndoshta ju shmangën, pasi ato mund t’ju imponoheshin që të arrinin në  përfundimin (e padëshirueshëm) mbi origjinën pellazgjike të këtyre mureve?!! Apo ndoshta, ‘të babëzitur’ për të marrë ose për të blerë objekte arkeologjike, skulptura, shtatore, mbishkrime, etj, nuk u ra ndër ment të vrojtonin muret e akropolit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Besnik Imeri

OLYMPE- QYTETI I ZEUSIT

November 9, 2021 by s p

Besnik Imeri/

Shikojmë disa të dhëna interesante për fortifikimin pellazgjik të Olympes, i cili ndodhet në fshatin Mavrovë të rrethit të Vlorës. Qytetin e Olympes, pa e identifikuar me këtë emër, e ka përmendur edhe Ugolini, gjatë kohës që ndodhej në një vështrim të shpejtë të rrënojave të Amantias pranë fshatit Plloçë. Ai tregon: 

“Të bollshme janë mbetjet arkeologjike që gjenden në perëndim të fshatit Ploçë, në një largësi më së shumti dy orë (bëhet fjalë për ecje më këmbë ose me kalë). Në qytet (që vendasit e quajnë “gjutet”), lokalitet që gjëndet rreth një orë rrugë në perëndim të Plloçës, gjenden të shpërndara aty-këtu nëpër tokë blloqe kuadratikë, të të njëjtit tip me të cilat janë ndërtuar muret e Plloçës. Sipas gjithë gjasave, ato i përkisnin murit mbrojtës ose ndërtesave të mëdha të këtij “qyteti”. Ka blloqe të tjera të të njëjtit tip, të shpërndara nëpër tokë në qafë të Bosit (mund të jetë qafa e Buallarit), që gjendet pranë po këtij vendi…”

        Nga ky përshkrim i Ugolinit nënkuptohet që mund të bëhet fjalë për fortifikimin antik që ndodhet në fshatin Mavrovë, e identifikuar nga arkeologu Burhan Dautaj me Olympen e lashtë, në perëndim të fshatit Plloçë dhe të fortifikimit antik të Amanties. Mbetja e toponimit “qytet” tek vendasit brez pas breezi, ashtu siç e pranon edhe Ugolini, tregon për një qytet të lashtë.

         Burhan Dautaj, arkeologu që ka zhvilluar tre ekspedita aty: në vitin 1961, 1974 dhe 1979, si dhe zbuluesi i identitetit të Olimpes, thotë se se ajo fillesat e banimit të saj i ka në  periudhën e bronzit. Ndjekim disa  nga pohimet e tij:

“…Kodra e kalasë, mbi të cilën shtrihet qyteti antik ilir i Mavrovës ka formën e një trapezi të çrregullt me zgjatje nga perëndimi e jug-perëndimi në një varg taracash të sheshta, që sot zihet nga lagja Çakallovoj. Në vazhdim të platformës nga verilindja ngrihet një kaki e quajtur nga vendasit “Maja e Zanit”, e cila në antikitet me sa duket ka luajtur rolin e akropolit…Sipërfaqja e kalasë brenda mureve rrethuese arrin rreth 15 ha…Në fazën e hershme të ngritjes së këtij vendbanimi të fortifikuar, ai kapte majën e Rrethunit (kuota 284 m), ndërsa me zhvillimin e qytetit sipërfaqja e tij gati dyfishohet…

Mure të fuqishme me gjatësi rreth 1300 m mbronin pothuajse nga të gjitha anët qytetin, veçanërisht nga ana perëndimore, që janë dhe faqet më të buta të kodrës…Në skajin jug-lindor të tij aty ku ndërpritet rënia shkëmbore…nga ky trakt duken vetëm dy rradhë gurësh  (lartësi 1.20 m dhe gjatësi 3 m) me blloqe gëlqeror të punuara me forma katërkëndore të gufuara nga faqja e dukshme e tyre…Një trakt muri në pjesën veri-perëndimore të kalasë 21 m i gjatë, 3.25 i lartë dhe 2.80 m i gjërë…ka blloqe guri trapezoidale dhe katërkëndore (1.80 m x 0.60 m). Në rreshtin e tretë nga fundi, shfaqen gurëlidhësat tërthorë, që lëvizin nga 2.85 deri në 3 m. Themeli i ngritur nga gurë të papunuar, ku duken qartë gjurmët e nxjerrjes së tyre është lënë si thëmbratë (xokolaturë)…”

        Përsa i përket kronologjisë së këtij fortifikimi arkeologu Burhan Dautaj dallon dy periudha ndërtimi, ku e para, përfaqësohet nga muri i brendshëm rrethues me blloqe trapezoidalë dhe faqe të papunuara e të fryra. Kjo periudhë ndërtimi ka të bëjë me fazën më të hershme të këtij vendbanimi të fortifikuar.

        Burhan Dautaj, nisur nga objektet arkeologjike të gjendura brenda mureve të rrethimit të kalasë, është i mendimit se ajo nuk e kalon shek. VI p.e.s: “Brenda mureve të kalasë gjurmët e jetës sot për sot (vitet 70-të të shekullit të kaluar) nuk shkojnë përtej shek.VI p.e.s. Këtë e vërteton qeramika arkaike, disa fragmente skyfosash korintik si dhe disa fragmente enës të pikturuara të tipit devollit. Kjo etapë lidhet me karakterin para e protourban të këtij vendbanimi…”

        Por ekzistenca e blloqeve të gurëve gjigandë (ciklopikë) deri në 3 m gjatësi në muret e këtij fortifikimi, flasin për një periudhë shumë më të hershme të këtij vendbanimi të fortifikuar. Ndërsa  gjetja e një shpate bronzi, e cila njihet si e shek,  XI-X p.e.s, e përforcon këtë hershmëri: 

“Objekti më i hershëm që ka të bëjë me periudhën paraurbane  të banimit të kësaj zone është një shpatë bronzi e gjatë 0.67 m. Ajo është gjetur pas prishjes së një tume në vendin e quajtur “sirokëmbë” në perëndim të fshatit Mavrovë dhe jo shumë larg tij, buzë lumit Shushicë. Si tip  shpate është…e njohur gjërësisht në tërë Europën që nga veriu i saj deri në Mesdhe dhe si kohë kap fundin e bronzit dhe fillimin e hekurit, shek. XI-X p.e.s. Ngjashmërinë më të madhe kjo shpatë e ka me shpatën e Matit, të Pazhokut dhe sidomos me atë të Vajzës…”

         Prandaj, Burhan Dautaj është i detyruar të pranojë një hershmëri më të madhe të jetës në zonën pranë kalasë, të paktën deri në pesë shekuj më parë, kur pohon:

 “Fillimet e jetës në zonën përreth kalasë së Mavrovës, duhen kërkuar qysh në fundin e epokës së bronzit, të dokumentuar me shpatën e gjetur në tumën e sirokëmbës.”  

        Por, ne këtu kemi të drejtë të dyshojmë se kjo shpatë ka qënë e një komandanti apo drejtuesi të trupave mbrojtëse të kalasë së Olympes, se përndryshe, nuk do të varrosej me gjithë shpatën. Vetë ekzistenca e tumës pranë këtij fortifikimi, nuk bën gjë tjetër veçse vërteton në mënyrë të njëkohshme edhe ekzistencën e tij. Prandaj, mund të pohojmë pa frikë, se fortifikimi i Olympes i ka fillimet e tij në periudhën e bronzit. Në ndihmë të këtij pohimi na vijnë edhe blloqet gjigandë (ciklopikë) të gurëve të murit në pjesën juglindore, jugperëndimore dhe perëndimore të këtij fortifikimi, të cilat dallojnë me gjatësinë e tyre deri në 3 m. 

IMG_20210324_215439

Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës. Foto.B.Dautaj.

        Për identifikimin e fortifikimit të Mavrovës me Olympen antike, Burhan Dautaj jep fakte të pakundërshtueshme:

“…Përmendja e qytetit ilir Olympe në burimet e shkruara dhe veçanërisht prerja dhe hedhja në qarkullim e monedhave autonome prej bronzi me emrin e qytetit: OΛΥΜΠAΣΤAN, e verifikojnë këtë vendbanim të fortifikuar…8 monedhat e Olympes janë jo vetëm të rralla në llojin e tyre, por paraqesin një interesa të veçantë për historinë e lashtë të vendit tonë, sepse ndihmojnë për të rënë në gjurmët e mbeturinave antike të qytetit ilir të Olympes të kumtuar nga Stefan Bizantini. Në këto monedha, në përgjithësi të ruajtura mirë, lexohet në shpinë legjenda: OΛΥΜΠA – ΣΤAN (OLYMPA – STAN)…Ndeshja e monedhave të Olympes në një numër relativisht të konsiderueshëm në kalanë e Mavrovës, që ndodhet brenda trekëndëshit Apolloni-Orik-Amantia, jo vetëm përforcon mendimin e mësipërm, por ajo çka është më e rëndësishme, na jep mundësinë e identifikimit të rënojave antike të kalasë së Mavrovës në rrethin e Vlorës, me qytetin ilir të Olympes…Për lokalizimin e qytetit Olympe në kalanë e Mavrovës kemi dhe një të dhënë tjetër arkeologjike me shumë vlerë, vulën prej balte të pjekur që mban emrin OΛΥΜΠAΣ (OLYMPAS)…”

         Pra, Olimpe, nisur nga fillesat e ndërtimit të saj, në periudhën e bronzit, periudhë e luzmimit të pellazgëve; ashtu siç tregohet edhe në fotot e mësipërme, por edhe nga këto përmasa të gurëve, mund të themi se, muret e saj janë ndërtuar nga pellazgët vendas. Gjithashtu, nga fotot e mësipërme vemë re se teknikat e punimit të mureve të Olympes janë të ndryshme, nëqoftëse disa trakte muresh janë të ngjashme me ato të Amanties dhe Matohasanajt, me mure poligonalë me kllapa dhe me “dhëmbë”, disa të tjerë janë të ngjashëm me ato të Foinikes, me gurë të mëdhenj, kuadratikë, kënddrejtë dhe me rreshta. 

Description: Olympos – Tracing Origins

Trakt muri poligonalë. Olimpe në Mavrovë të Vlorës.       

Description: Description: Image result for kalaja e cerjes

Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës.

IMG_20210304_171832

Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës. Foto.B.Dautaj.

        Për emrin e këtij qyteti janë shfaqur mendime të ndryshme: Disa e lidhin me emrin e Olimpes, nënën së Aleksandrit, të tjerë, përfshirë dhe zbuluesin e saj arkeologun B.Dautaj, e lidhin me vajzën e Pirros së Epirit, Olympen. Por, vetë B.Dautaj, kur analizon mbishkrimin e gjetur në Olympe është i mendimit se emri i saj vjen prej adhurimit të Zeusit. Ky supozim është më i qëndrueshëm, pasi në Amantia dhe Olympe adhurimi i Zeusit ka qënë shumë më i dukshëm se sa në qytetet e tjera të Epirit dhe Ilirisë, gjë që shfaqet qartë tek monedhat që këto dy qytete kanë prerë. Por adhurimi i Zeusit lidhet ngushtë edhe me Olimpin, vendqëndrimin e kryeperëndisë dhe perëndivetë tjera pellazge, prandaj dhe vetë qyteti ka marrë emrin Olympe.

        Por në Olympe, siç e kemi thënë më lart, ashtu si dhe në Amantie, adhuroheshin të gjitha perënditë e panteonit pellazg të Olimpit. Këtë e tregon edhe një gjetje e arkeologut Burhan Dautaj në nekropolin e këtij qyteti:

 “…një Pelike prej balte ngjyrë okër rozë, me figura në reliev…trupi i pelikes ka trajtë konike…pllaka e vendosur në të dy faqet ballore të pelikes paraqet figurën e Hermesit lakuriq, me pelerinë krahëve. Me dorën e djathtë ai mban një kerykeion…Hermesi paraqitet i ulur në një terren shkëmbor…Qëndrimi i qetë i Hermesit në këtë pllakë është diçka e rrallë për këtë hyjni, i cili zakonisht paraqitet gjithnjë në lëvizje dhe aktivitet…Në të dyja pllakat kemi të njëjtën paraqitje të një çifti të rinjsh, ndoshta Afërdita me Adonisin. Që të dy janë në këmbë të zënë për dore. Femra mban një rrobë të gjatë deri në fund të këmbëve dhe të  lidhur me një rrip në mes…djaloshi është paraqitur krejt lakuriq…” 

        Por edhe adhurimi i veçantë i kryeperëndisë pellazge, Zeusit, në Olympe dhe Amantie pranohet njëzëri nga mjaft arkeologë me emër, shqiptarë dhe të huaj:

“… K.Paçit si mbështetje për lokalizimin e Amantisë në Plloçë, i shërbeu edhe kulti i përhapur i Zeusit të Dodonës, të vrejtur tek monedhat…”

        Ndërsa Skënder Anamali pohon: “Në ballë të perëndive të nderuara në Amaniti është Hyu, Zeusi. Në Amanti, Zeusi del në përgjithësi me tiparet e hyut dodonas…Zeusi i monedhave të amantëve…Hyu dodonas është parë edhe në një kokë prej guri gëlqeror të gjetur në Ploçë…Mbi flokë ai mban kurorë gjethesh dushku. Hyu është paraqitur me një pamje të qetë dhe njëkohësisht madhështore…”   Koka e Zeusit me kurorë dushku është symbol i patjetërsueshëm i Zeusit të Dodonës.

        Kurse arkeologu Burhan Dautaj pohon: “Që Zeusi ka qënë hyjnia më e adhuruar e Olympes e tregojnë edhe monedhat autonome prej bronzi me legjendën OΛΥΜΠA-ΣΤAN  të prera e të hedhura në qarkullim nga qyteti. Tipi kryesor i këtyre monedhave mban në faqet kryet e Zeusit dhe në shpinë atributin e tij, rrufenë, të rrethuar me kurorë dushku…”        

        Burhan Dautaj, pas zbulimit të  Olimpes pranë fshatit Mavrovë të Vlorës në vitin 1961, gjatë ekspeditës të vitit 1979, midis të tjerave zbuloi edhe 36 monedha; 13 të Lidhjes Epirote, 6 të Apollonisë, 6 të Amanties, 3 të Orikut, si dhe 8 monedha të vetë Olympes. Gjithashtu janë gjetur edhe 5 monedha të tjera të Olympes në vende të tjera, nga të cilat 3 në Amantie, duke e çuar në 13 numrin e monedhave të gjetura të Olimpes. Në këto monedha ndodhen fytyrat e perëndive pellazge apo simbolika pellazge.

Monedha të Amanties: 

1) Kryet  Zeusit me kurorë dushku, në shpinë Rrufe AMAN – TΩN; 2) Krenët e Zeusit dhe të Dionës, në shpinë gjarpër i rrotulluar (kutullaç), AMAN – TΩN, kurorë dushku; 3) Busti i Artemisës me stefane, në shpinë Flakëse AM-AN-TΩN, kurorë dafinash…

Monedha të Olympes: 

-Tip Zeus-Rrufe, tre monedha; Faqe: Kryet e Zeusit me kurorë dushku; Shpinë: Rrufe, OΛΥΜΠA- ΣΤAN, kurorë dushku. 

-Tipi Athina-Gjarpër, dy monedha; Faqe: Kryet e Athinasë me përkrenare korintike; Shpinë: Gjarpër i përdredhur rreth një shkopi, OΛΥΜΠA- ΣΤAN, kurorë dafine.

-Tipi Apollon-Obelisk, tre monedha; Faqe: Kryet e Apollonit me kurorë dafine: Shpinë: Obelisk, OΛΥΜΠA- ΣΤAN, kurorë dafine.

         Adhurimi i Zeusit në Olimpe, përveç monedhave, identifikohet edhe në një mbishkrim të zbuluar rastësisht në vitin 1982 brenda rrethimit të akropolit, i shkruar në greqisht: 

“Zeusit të Madh ia kushton politarhu Aiskinas, i biri i Simias dhe synarkontët Ksenuli i biri i Damarmemenit, Prauli i biri i Strabiut, Zoiri i biri i Antanorit, Arkelau i biri i Aleksandrit, si dhe gramateusi, Nikandri i biri i Adulit…

I kushtohet Hyjit më të preferuar që adhuronin olimpasit. Dhe kjo është e kuptueshme prej vetë emrit që gëzonte qyteti, banorët e të cilit, sipas traditës antike, e lidhin prejardhjen e tyre ndoshta prej këtij hyji…Që Zeusi ka qënë hyjnia më e adhuruar e Olympes e tregojnë edhe monedhat autonome prej bronzi me legjendën  “OΛΥΜΠA- ΣΤAN” të prera dhe hedhur në qarkullim nga qyteti. Tipi kryesor i këtyre monedhave mban në faqe kryet e Zeusit dhe në shpinë atributet e tij, rrufenë, të rrethuar me kurorë dushku…Zbulimi i këtij mbishkrimi brenda mureve rrethuese të qytetit, më saktë në zonën e akropolit, lejon që të mendojmë që në të ardhmen, të biem edhe në gjurmët e ndonjë tempulli të ngritur nga Olympasit për nder të Zeusit.”

         Pra, olympasit, adhurimin e veçantë ndaj Zeusit, të cilin e quajnë të Madh, e shprehin jo vetëm në monedha, por edhe në këtë mbishkrim në gur, dhe, ajo që thotë Burhan Dautaj, se ata e lidhin origjinën e tyre me këtë kryeperëndi, nuk është pa gjë.

IMG_20210926_082745

Trakt muri pellazgjik. Olympe në Mavrovë të Vlorës. (Foto.Shtator-2021)

        Në vërtetim të kësaj vjen një fakt interesant, mënyra e veçantë dhe forma e veçantë e qeverisjes së Olympes, madje ndryshe dhe nga Amantia dhjetë km larg saj, ashtu siç thotë edhe Burhan Dautaj, ndryshe nga qytetet e tjera në Iliri dhe Epir. Ndjekim B.Dautaj: 

“Shfaqja e Politarhut në Olympe është një emërtim i ri që ndeshet për të parën herë në magistraturat e Ilirisë dhe të Epirit. Nga mbishkrime greqisht të zbuluara në vendin tonë për Dyrrahun, Apoloninë, Amantian, Bylisin, qytetin e Klosit (Nikaja) dhe Dimalen njihet Pritani si magistrat eponim, ndërsa për Buthrotin (koinimi i Prasaibëve) funksionari më i lartë cilësohet strategu. Përveç politarhut, gjithmonë për herë të parë, me emërtimin synarkonte, jepen edhe anëtarët e këshillit, emërtim ky që nuk e ndeshim në asnjë mbishkrim greqisht të botuar për qytetet tona antike ilire.”

        Ndërsa Pier Kabane për këtë mbishkrim shprehet, se ai është nga të rrallët e gjetur në këtë vendbanim (Olympe), emri i të cilit është konfirmuar nga gjetja e tetë monedhave bronzi, prania e katër synarhontëve dhe një sekretar pranë politarhut tregon se qyteti ka ditur të ngrejë një organizim institucional të mirë strukturuar.

         Por mjaft interesant është edhe emërtimi i këtij qyteti tek monedhat “Olympa – Stan”, ku prapashtesa “stan” do të thotë “vend”, pra vendi i Olympes.  Sot e kësaj dite, kjo prapashtesë përdoret për të treguar vendet matanë detit Kaspik, Uzbeki-Stan, Kazaki-Stan, Kirgiz-Stan, Afgani-Stan, Paki-Stan, prapashtesë e cila mund të jetë e  njëjtë me fjalën ‘vend’, pra, vendi i uzbekëve, vendi i kazakëve, vendi i kirgizëve, vendi i afganëve. Si rrjedhojë edhe emërtimi “Olympa-Stan” duhet të thotë vendi i Olympasve. Fjala ‘stan’ mund të jetë me të njëjtin kuptim si fjala ‘land’, landinë, lëndinë. Se çfarë lidhje ka kjo prapashtesë dhe këto vende me pellazgët e Kaukazit nuk e dimë? Por dimë gjithashtu, që në shqip “stan” do të thotë një vendbanim i barinjve, pra i një populli blegtor. Prandaj mund të hamendësojmë se edhe në këto vende, të përmendura më lart, në lashtësi kanë qënë shumë të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, gjë që mendoj se nuk e kanë humbur edhe në kohën e sotme. E tillë ka qënë edhe Olympia në prehistori një fortifikim i barinjve. Por një fortifikim që mbronte stanet e Zeusit në Kaoni, pasi dihet që Kaonia, dhe në veçanti lugina e lumit që e përshkon atë fund e krye, janë një vend ideal për zhvillimin e blegtorisë. Që në këtë luginë të mrekullueshme, të lakmuar shumë sot nga të huajt, mund të ketë pasur kullotat dhe stanet Zeusi e tregon adhurimi spektakolar i tij tek olympasit e lashtë.

       Por në një këndvështrim tjetër dhe për të krijuar një bindje më të plotë, emri Olympe i këtij fortifikimi pellazgjik mendoj se tregon, që kjo kala, së bashku me Amantien, kanë qënë fortifikimet fundore në mbrojtje të luginës kaone me një zhvillim të madh të blegtorisë (gjë që ka ardhur deri në ditët e sotme), e cila, hamendësojmë se ishte pronë e perëndive të Olimpit me në krye Zeusin, ku ata kishin edhe stanet e tyre. Vetë emri i Olympes: OΛΥΜΠA- ΣΤAN, fjalë për fjalë e vërteton këtë të dhënë, Stani i Olimpit. Prandaj, emri Olympe i këtij fortifikimi pellazgjik mendoj se tregon, që kjo kala ka qënë fortifikimi fundor në mbrojtje të kësaj lugine që ishte pronë e perëndive të Olimpit me në krye Zeusin.  

        Në këtë kuptim, duke kujtuar edhe adhurimin e jashtëzakonshëm të Zeusit në Olympe, të përshkruar nga ana jonë më lart, gjë që e shtyn B.Dautaj të mendojë se në akropolin e saj Zeusi mund të ketë pasur edhe një tempull; ndërsa në Amantie adhurimi i tij i dëshmuar në një basorelief guri, si dhe në monedhat e qytetit; mund të hamendësojmë se këto dy fortifikime mbronin stanet e Zeusit në këtë luginë të Kaonisë.                  

         Hamendësojmë se kalaja e Olympes sëbashku me atë të Amanties janë dy fortifikime të kohës së lashtë të pellazgëve, të cilat mbyllnin dhe mbronin pjesën fundore të luginës së lumit, që sot njihet me emrin Shushicë, të banuar nga fisi luftarak i kaonëve. Po t’i shikosh sot nga pikëpamja strategjike: Olympe ndodhet në rrëzë të lumit Shushicë, në krah të djathtë të rrjedhjes së tij, ku përkundruar ka vargamalin që fillon në Kaninë të Vlorës dhe vazhdon deri në fshatin Kallarat e më tej, me dy maja të larta mbi 2000 m, atë të Qorres dhe atë të Çikës; Ndërsa Amantia ndodhet në rrëzë të malit të Kudhësit me një lartësi mbi 2000 metra. Pra në krah të këtyre dy qyteteve ka male të lartë me borë që shkrin vetëm në verë dhe të pakalueshëm nga reparte luftarake sulmuese; ndërsa midis tyre, në një distancë ajrore 10-12 km ka kodrina, pllaja të vogla dhe lugina. Një mësymje nga veriu, pjesa e poshtëme e luginës, i vendos kundërshtarët midis dy kalave si ‘sanduiç’. Kësaj po t’i shtojmë edhe kalatë e Kaninës, që ndodhet në veriperëndim të Olympes; atë të Hadërajt që ndodhet në veri, dhe atë të Amonicës që ndodhet në veriperëndim të Amanties, të cilat sëbashku krijojnë një kurorë mbrojtëse, atëhere hyrja në luginë bëhet mjaft e rrezikshme.

   Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT