Ne Kujtim te Bahri Drishtit, qe nderroi jete ne ditet e para te shtatorit 2015 ne Nju Xhersi , SHBA dhe u varros ne Shkoder./
Nga Dalip Greca
Këto ditë komuniteti shqiptar i Amerikës përcolli drejt Shkodrës Bahri Drishtin, një ndër këngëtarët amator tepër të zëshëm në diasporën shqiptare, i njohur edhe si “mjeshtër” i pizzës. Të ndjerin kam pas fatin ta takoj disa herë. Në qershor 2003 ai pat bërë një vizitë në redaksinë e Gazetës ILLYRIA në Manhattan, i shoqëruar nga dy djemtë e tij oficera te policisë të Shtetit amerikan. Bisedë që organizova me policët Drishti,po e sjell si homazh për atin tyre, Bahri Drishti. Shkrimit nuk po i bej asnjë ndryshim, po e sjell sic u botua në Illyria.
***
Që ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh policë, që sigurojnë rendin e qetësinë në Amerikë, kjo nuk përbën asnjë çudi. Ajo çka duket e habitshme konsiston në faktin se nga një familje shkodrane ka dalë jo një, por dy policë. Rastësia e dytë është se që të dy vëllezërit e kanë marrë vendimin për t’u veshur policë në një ditë, rastësia e tretë qëndron në faktin se janë pranuar që të dy pa asnjë vërejtje.
Ata janë vëllezërit Edmond dhe Arben Drishti me banim në Nju Xhersi.
Biseda në redaksinë e Illyria-s nis me humor:
-Kot thonë se ban me ken shkodran, të tana i ban..përveç …polic, -qeshet Edmondi, njëri prej vëllezërve Drishti, i cili është pak më i madh edhe në moshë, por edhe në gradë. Edmondi ka gradën rreshter, ndërsa Arbeni sapo e ka fituar gradën e re dhe pret ceremoninë. Edmondi është mbikëqyrës dhe ka nën komandë disa policë.
Të dy vëllezërit vendimin për të shërbyer në polici e kanë marrë vonë, pasi kanë përfunduar fakultetet.
Pyetjes së përbashkët që u adresoj të dyve:Përse zgjodhët policinë për profesion?, u japin përgjigje të ndryshme, por në thelb me të njëjtën essence. Edmondi përgjigjet:
– Endërra ime nuk ka qenë policia. Kam pasë dëshirë që të ecja në gjurmët e nënës time, që ka qenë një profesoreshë e pasionuar. Kam studiuar për mësuesi. Kjo ishte dëshirë edhe e nënës. Ajo ka qenë profesoreshë në Prishtinë. Dhe unë nisa studimet për shkencë, histori dhe biologji. Përfundova me rezultate të mira. Madje nisa të studioj për pak kohë edhe për mjekësi, por… daja, Shpëtim Dushaj ndikoi që unë të ndryshoja drejtimin e studimeve. Argumentet e tij ishin praktike: Policët kanë pagesë të mirë, kanë pushime, sigurime dhe gjithçka tjetër ju duhet në Amerikë. Pastaj edhe mosha e rinisë, ku merret në sy aventura, rreziku, ka pasë peshën e vet në marrjen e vendimit. Qyteti ku ne jetojmë na njeh për djem të mbarë dhe shërbimi aty do të kishte siguri.Ata do të na mbështesnin në detyrën e re, për t’u siguruar rend e qetësi.Dhamë provimin në një ditë së bashku me vëllanë. Dolëm shkëlqyeshëm.Ja, kështu u bëmë police,-përfundon rrëfimin Edmondi.
Arbeni, vëllai më vogël, pat studiuar për degën e menaxhim biznesit, por edhe ai nuk e la të vetëm vëllain.Ai e pëlqen “aventurën” dhe ka shërbyer përherë në sektorë të vështirë.
Arbeni e formulon shkurt përgjigjen: Si mund ta lija vetëm vëllanë tim të madh?
Që nga viti 1997 kur e nisën rrugën e vështirë të policies, dy vëllezërit kanë njohur veç suksese. Ndërsa rrëfejnë çaste të vëshira nga përballja me krimin, ju drejtoj një tjetër pyetje të përbashkët:
– A ka pasur qoftë edhe një moment të veçantë, kur të jeni penduar pse keni marrë vendimin për t’u veshur policë ?
Përgjigja e Edmondit është e prerë:
-Jo, nuk e kam e përjetuar ende pendesën. Që kur morëm vendimin për t’u veshur policë e morëm parasysh se po i hynim një aventure, që përmbante në vetëvete edhe rrezikun. Nuk them se detyra ishte e lehtë, përkundrazi, tepër e vështirë. Merre me mend, ne s’ishim mësuar që të rrinim natën jashtë, në çfarëdolloj moti, ftohtë apo nxehtë, që të përgjonim nëpër qoshe pa dritë, ku lëvizte elementi i kriminuar. Ka qëlluar që të rrimë tërë natën jashtë, nga 12 pas mesnate deri në mëngjes. Dhe errësira e natës mund të përballi me çdo lloj krimineli, i cili mund të tregohet më i shkathët dhe mund t’ na merrte jetën. E duke qëndruar me orë të vetmuar përballë kriminelit dhe errësirës, edhe mund të ketë kaluar vetëtimthi mendimi pse rrezikova, por jo pendesë nuk nuk ka pasur, – thotë Edmondi.
Plotëson Arbeni:
– Ne nuk na çoi njeri me zor, vetë e zgjodhëm aventurën. Nuk kemi pse pendohemi. Unë kam pas çaste të vështira, por asnjëherë s’kam thënë pse e zgjodha policinë për profesion. Jam i ndërgjegjshëm se rreziku përgjon pas çdo rasti që më jepet për të siguruar qetësinë e qytetarëve amerikanë, por rreziku më ka bërë më të vëmendshëm, më syhapur ndaj kriminelëve.
Cili ka qenë rasti më i vështirë i karrierës tuaj?- e pyes Arbenin.
Pasi mendohet një hop, jep një përgjigje pa shumë detaje:
– Kam bërë shërbim në vende të vështira, ku elementët e krimit kanë vendqëndrimin e tyre. Shpesh ka blloqe të tëra të lagjeve të varfëra, kryesisht ato që janë projekte të ndërtuara nga shteti, ku lëviz shpesh elementi kriminal.Kam dhe një koleg tjetër shqiptar që punon me mua në ato lagje të varfëra. Kemi pasur raste të rrezikshme, por me guxim i kemi kaluar.
– Cili ka qenë rasti më i vështirë i karrierës 10-vjeçare?- e pyes Edmondin.
Përgjigja e tij:
– Rastet e rrezikshme i kemi bashkudhëtare në shërbim, por mendoj se i kemi provuar në fillim, sepse atëherë na mungonte edhe përvoja, emocionet dhe ankthi ishin shqetësuese. Ju kërkoni një rast? Mirë, po sjell një të atillë. Sapo kemi pasë dalë prej Akademisë së Policisë. Rasti ishte i tillë: Në radio morëm lajmin se ishte vrarë një mësues në lagjen pranë shkollës. Ishte në kërkim vrasësi.Ju thashë se ishim të rinj në detyrë nuk kishim përvojë në raste të tilla. Para sysh na kalonte mësuesi i shtrirë përtokë nën pellgun e gjakut dhe një kriminel që bridhte me pistoletë në dorë dhe nga çasti në çast mund të merrte jetë të tjera. Fantazia vepron pa limit në ato momente. Emocionet në këto raste kalojnë në ankth dhe gjendja shpirtërore rëndohet. Situata e rënduar vazhdoi për një kohë, por më në fund u mësua se vrasësi i mësuesit kishte vrarë veten.
Për Benin çasti më i vështirë ka qenë rasti kur një fëmijë 15 vjeçar largohet nga zyra e gjykatës. Më pas kujton dhe një rast makabër, ku ka gjetë një çift kryeprerë.
– Po vetë a keni qenë ndonjëherë në rrezik?- drejtoj një tjetër pyetje të përbashkët për dy vëllezërit Drishti.
Përgjigjet Edmondi:
– Natyrisht që kam qenë në rrezik, por Arbeni ka qenë më i rrezikuar, sepse ka bërë shpesh shërbime në lagjet problematike. Policët gjenden të rrezikuar shpesh prej elementëve kriminalë, që nga njëherë veprojnë në grup dhe dalin nga skutat tamam si ato kakarrocat në errësirë . Ka një ngjarje të vitit 1999, kur ai qe vërtetë në rrezik, por falë guximit i kaloi me qetësi ato.
Arbeni është polic i terrenit dhe i përballur shpesh herë me elementët e kriminuar. Kur i kërkoj që të sjellë ndonjë rast, kur ai ka qenë përballë elementëve të tillë, me modesti sjell një çast të tillë:
– Para ca kohësh, po ecnim në këmbë duke kontrolluar lagjen, ku kishim informacion se elementi kriminal ishte i organizuar. Ishim pak policë, një patrullë e vogël; ndërsa ata më shumë se 100. U ndjemë të rrezikuar. Kërkuam ndihmë dhe e kapërcyem situatën. Në një rast tjetër ishte e ekspozuar një kolege e policisë. Një tufë kriminelësh iu lëshuan kapitenes dhe jeta e saj u vu në rrezik. Ndërhyra me gjakftohtësi duke u tërhequr vëmendjen kriminelëve dhe arrita që ta ndihmoj kapitetenen, ndërsa kriminelëve iu tregua vendi…
Ky rast është përshkruar edhe nga gazetat e Nju Xhersit.
***
Në Nju Xhersi tani banojnë shumë shqiptarë, sidomos të ardhur pas viteve 1990. Ka dhe nga ata që kanë ardhur që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe mbetën në këtë shtet. Dy vëllezërit policë tregojnë se shqiptarët nuk shquhen për thyerje të ligjit. Në përgjithësi janë korrekt dhe i shmangen përplasjes me ligjet amerikane. Shkalla e kriminalitetit të komunitetit shqiptar është në shifra të ulta. Gjithësesi ua drejtova pyetjen:
– Ka qëlluar ndonjëherë gjatë shërbimit kur shkelësi i ligjit të ketë qëlluar shqiptar?
Përgjigjet Arbeni:
-Edhe ka qëlluar, sidomos në trafik. Pak kohë më parë më ka qëlluar një shqiptar i Kosovës. Në fakt në shërbim ne ishim që të dy policë shqiptarë, që e ndalëm atë. U krijua një situatë pak e ngarkuar kur i thamë pse po i shkel rregullat e trafikut. Ai dukej i frikësuar dhe po përpiqej të justifikohej. Në fund, pasi i pamë dokumentet, e pyetëm nga ishte pasi anglishten e shqiptonte me aksent.
– Jam shqiptar,- na tha.
Kur i thamë se edhe ne ishim shqiptarë, atij i ndryshoi fytyra dhe filloi të na falënderonte. E udhëzuam të kishte kujdes tjetër here…
– Si reagojnë shqiptarët kur mësojnë se edhe ju jeni shqiptarë?
Flet Beni sërish:
– Një herë kam qenë civil në shërbim. Ma kanë parë shqiponjën tatu në krah dhe më kanë parë me një sy tjetër. Shkelësi i ligjit kur ma ka parë tatunë, i ka ndryshuar fytyra.
Ti je shqiptar? – më ka pyet.
Po, – i jam përgjigjur.
Po dhe unë jam shqiptar…Të lutem më ndihmo…
Jam përpjekur t’ia lehtësoj gjendjen, duke e lehtësuar masën e ndëshkimit, por nuk kam harruar ta porosis se para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe të kishte kujdes tjetër herë.
Arbeni, duke qenë polic i terrenit ka pasë shpesh raste , kur ka shpëtuar jetë qytetarësh dhe kriminelëve u ka treguar vendin. Madje ka pasur disa raste kur shërbimi i mirë tek qytetarët ka merituar falënderim publik.
Dy vëllezërit policë tregojnë se armët pa leje mbeten një rrezik i përhershëm për jetën e qytetarëve, prandaj ata i kushtojnë shumë vëmendje kapjes në flagrancë të këtyre rasteve dhe çarmatimit. Arbeni tregon se ka pasur me dhjetëra raste kur i ka zënë me revole elementët e kriminuar.
– Çarmatosja nuk është një veprim i lehtë dhe jo rrallë mbart rrezik për jetën. Kemi qenë me makinë në një rast, duke kryer patrullimin. Dikush na ka treguar për një person se kishte pistoletë dhe se përbënte rrezik për qytetarët. Kemi lënë makinën dhe kemi filluar ta gjurmojmë të dyshuarin. E kemi kryer kontrollin në flagrancë dhe e kemi kapur armën. Befasia jonë nuk i dha kohë atij të reagonte. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Elementi kriminal përdor dredhitë dhe taktikat e veta dhe ndodh që mund të rrezikojë jetë policësh. Ka qëlluar një rast tjetër. Kam marrë informata se një person me këto e ato cilësi, me këtë paraqitje, e me këtë veshje, ka një pistoletë, me të cilën kishte kërcënuar qytetarët. I jemi afruar me makinë. Në një moment të përshtatshëm kemi dalë nga makinën dhe direkt i kam drejtuar pistoletën dhe i kam kërkuar t’i bindet kontrollit. Ai e kishte përdorur një dredhi. Nuk ia gjetëm me vete, por e detyruam të na tregonte se e kishte fshehur në makinë pistoletën. Një tjetër rast na kishin treguar një person të armatosur, i cili kërcënonte një vajzë me pistoletë. Na morën në telefon. Shkuam. E kemi ndalë personin e dyshuar, por partneri që kisha atë natë ishte një tip jo i shkathët dhe pak frikacak. Në momentin e kontrollit ka qenë i papërgatitur ai kolegu dhe e kam lënë të kalojë personin e dyshuar. E kam tërhequr mënjanë kolegun dhe i kam tërhequr vëmendjen duke i kërkuar që të mbledh veten.I them se do t’i kalojmë prapë afër dhe unë do t’i drejtoj pistoletën e ti do ta kontrollosh me kujdes. Kështu vepruam. E ndalëm në një kohë kur ai ishte i shkujdesur dhe nuk mendonte se mund të rikontrollohej. Mirëpo kolegu im ende s’ishte çliruar nga gjendja e pasigurisë. Kontrollon dhe më thotë se nuk ka armë. I them kontrollo se diku aty e ka fshehur.Ka kontrolluar më me kujdes dhe ia ka gjetë të fshehur nën një xhep të posaçëm, – thotë Arbeni.
Si mund të jetë një ditë e zakonshme shërbimi për policet e Nju Xhersit?
Në fakt Edmondi erdhi në redaksi pas një nate shërbimi dhe ai tregon se çfarë të veçante pati në shërbimin e tij. Ja se si i përgjigjet ai pyetjes:
– Kam qëndruar në vendshërbim. Kam pritur dhe përcjellë lajmet që më vinin nga pikat e kontrollit të policisë. Jam marrë me rastet që më janë raportuar. Psh. një rast më njoftuan se një femër nuk kishte respekuar shenjat e trafikut dhe se po e ngiste makinën në gjendje të pijshme. Pra ishte e dehur. Më lajmëroi polici i kontrollit se ajo s’është ndalë në semafor edhe pse shenja ishte për të ndalur. E ka ndjekur polici. I thashë në radio shoqëroje dhe pas pak më ke aty. Shkova atje.E nxora nga makina. E pyeta se mos kishte ndonjë shqetësim shëndetsor, nëse është diabetike apo jo. M’u përgjigj se nuk ishte e sëmurë , por kishte qenë në një mbrëmje miqësh dhe se kishte pirë 2-3 gota dhe kaq. Mirëpo ajo dukej se kishte pirë shumë. Ishte tapë, si i themi ne në shqip.I them qëndro me një këmbë dhe çoje këmbën tjetër 6 cm nga toka. E çon, por nuk e mban ekulibrin. Më fal, thotë, këtë këmbën e kam keq, nuk qëndroj dot.
Nuk të thashë të qëndrosh me këmbën që ke keq, mbështetu mbi këmbën e shëndoshë dhe ngi këmbën e keqe. Por asgjë s’ishte në gjendje që të bënte. Dukej se ishte e pijshme.
Pastaj i bëra një provë tjetër duke i treguar pikën e lapsit. Ajo lëvizte kokën dhe s’mundëte që ta ndiqte vetëm me sy lëvizjen.
Në fund e pranoi se ishte e pirë. E ndalëm. E arrestuam.I bëmë matjen e alkolit dhe e ndëshkuam sipas ligjit.
Ky ishte rasti më flagrant, njoftimet e tjera ishin kryesisht informuese, – mbyll rrëfimin e shërbimit të fundit Edmondi.
***
Numri i shqiptarëve që shërbejnë në policinë amerikane po vjen duke u rritur. Edmondi dhe Arbeni tregojnë se janë më shumë se dhjetë policë shqiptarë në Nju Xhersi dhe numri ka tendencë që të rritet. Edhe në Nju Jork ka disa policë shqiptarë, madje njëri është me gradë të lartë në qarqet drejtuese të policisë njujorkeze.
Dy vëllezërit po përpiqen që të krijonë një asosacion të përbashkët për policët shqiptarë. Është fjala për një Agjensi Shqiptaro-Amerikane për mbrojtjen e ligjit, agjensi që e kanë italianët, irlandezët ose kombësi të tjera këtu në SHBA.Synimi është që të gjithë policët shqiptaro-amerikanë të kenë një shoqatë të tyre, dhe të krijonë mundësi ndihme për kolegët e tyre shqiptarë, ose për benefite të tjera që rrjedhin prej ligjeve amerikane.
Edmondi mendon se shqiptarëve u shkon për shtat dhe karakter detyra e policit. Shqiptari është trim prej natyre dhe për policin trimëria është arma më e mirë për t’u mbrojtur nga kriminelët.Kohët po ndryshojnë, policët merren me fakultet dhe numri i shqiptarëve që po kërkojnë të shërbejnë në polici pas kryerjes së fakulteteve, po vjen në rritje.
***
Dy vëllezërit e flasin gjuhën shqipe shumë bukur edhe pse kanë lindur në SHBA. Madje edhe fëmijët e tyre flasin shqip. Kjo është një mrekulli sepse sigurohet mbijetesa e gjuhës shqipe edhe në brezin e tretë. Edmondi thotë se nëna ka meritën që ata e flasin aq pastër gjuhën e bukur shqipe. Vetë Edmondi është këmbëngulës në ruajtjen e gjuhës shqipe. Ai kujton një rast kur ishte në moshën 12 vjeç. Kishte harruar fjalën ”çekic”.M’u duk se kisha bërë një faj, thotë ai. Fillova të bëhem më i interesuar për çdo fjalë në shqip. Atëhere dilte dhe gazeta e Legalitetit ”Atdheu”. Fillova ta lexoj, kisha vështirësi. Përpiqesha që të lexoja më shumë. Dëgjoja edhe Hysen Mulosmanin dhe Rasim Sinën në Radion ”Zani i Atdheut”. Kur flisnin shpejt qëllonte që nuk i kuptoja të gjitha fjalitë. Atëhere bëja më shumë përpjekje për të mësuar më shumë duke folë me nënën.
Cili ishte motivi që ju shtynte të mësonit shqip? – e pyes Edmondin.
– Po qëllonte shpesh që takonim shqiptarë dhe nuk donim që të mbeteshim gojëmbyllur përpara tyre. Pastaj, mendonim se një ditë Shqipëria do të hapej dhe ne do të shkonim atje . Po ç’shqiptarë mund të ishim ne kur s’do të ishim në gjendje të flisnim shqip? Si do të komunikonim me ta? Dhe vërtetë kjo kohë erdhi. Ne nuk e patëm të vështirë të komunikonim me njerëzit tanë, ndërkohë që dy motrat që kishin lindur këtu, kur shkuan në Shkodër e Shirokë tek të afërmit s’dinin një fjalë shqip dhe iu desh të ktheheshin shpejt në SHBA.
Në familjet Drishti vazhdimësia e të folurit shqip është siguruar. Edhe fëmijët e tyre flasin shqip. Edmondi ka dy djem, Dante Drishti që është 6 vjeç e gjysëm dhe Luani, që bëhet 4 vjeç me 8 janar.
Ndërsa Arbeni ka një djalë 7 vjeç, që i ka vënë emrin e të atit, Bahri, dhe një vajzë katër vjeçe.
Si e kujtojnë vizitën e parë në Shqipëri dy vëllezërit Drishti?
Përgjigjet Edmondi:
Nëna jonë e mirë na përgatiti shpirtrisht para se të shkonim atje. Na tha se atje kishte vështirësi të shumta, prandaj të tregoheshim të fortë për të përballuar gjithçka.Kur shkuam atje nuk na bënë shumë përshtypje vështirësitë. Ne kishim mall për atdheun për të cilin na kishin folë aq shumë në familje. Vërtetë se ishim lindur këtu në Amerikë, por prindërit na kishin ushqyer me dashurinë për atdheun dhe kombin. Kështu që me këtë ndjenjë zbritëm në Shqipëri. Në Kosovë kishim shkuar edhe më parë, ndërsa në Shqipëri jo.
Edmondi kujton që kur ishte i ri kishte bërë kërkesë në ambasadën shqiptare në Francë që të shkonte të vizitonte Shqipërinë. Ata qesheshin me kërkesat e tij që i dërgonte me shkrim dhe i kthenin përgjigje mohuese standarte:Jo t’i nuk je për në Shqipëri. Ti nuk mund ta vizitosh Shqipërinë.
– E kuptova vonë se i biri i një të arratisuri politik nuk mund të vizitonte vendin e tij komunist,- thotë Edmondi.
– Si shkoi vizita e pare në Shqipëri?- e nxis bisedën më tej.
Përgjigjet Arbeni:
– Kur shkuam aje, çfarë të shihnim! Lopë në aeroport, këmbsorë në rrugë makine, karroca dhe qerre mes qytetit. Pastaj mjediset higjenike mungonin. Banjot allaturke sa s’të shkonte mendja me shku as për një javë… Kur donim të bënim dush s’kishte drita. Shkonim në qytet dhe i drejtoheshim hotel Rozafës, ku paguanim nën dorë për një dush të shpejtë…
Edmondi tregon se gjatë vizitave në Shqipëri ka takuar shumë police shqiptarë. Ai shprehet plot respekt për policët shqiptarë, të cilët, siç thotë ai, e kryejnë shërbimin në kushte tejet të vështira dhe pa mjetet e domosdoshme të mbrojtjes nga kriminelët, kanë pagesa të ulta dhe janë pa benefite. Ata përballen me keqbërsit me mjete të pakta teknike dhe me rroga të vogla. Shumë policë janë vrarë përballë kriminelëve dhe fëmijët e tyrë kanë mbetur jetimë. Nuk kanë sigurim për familjet e fëmijët e tyre. Shqipëria nuk mund të heqi korrupsionin po nuk rriti rrogat e policëve dhe t’u sigurojë jetën atyre.
Të dy vëllezërit Drishti me bashkëshortet, fëmijët dhe të atin, Bahrinë, shkojnë çdo verë në Shqipëri me pushime. Kanë ndërtuar një vile në Velipojë, ndërkohë që pëlqejnë edhe Sarandën, ku shkojnë e pushojnë çdo verë.
Botoi:Illyria, qershor 2003