• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dialog me Serbinë për njohjen e pavarësisë

August 26, 2020 by dgreca

Kryeministri Hoti: Dialogu zhvillohet për njohje reciproke, ftoj opozitën të na bashkohet në Shtëpinë e Bardhë – në Uashington. Unë sot kam dërguar letër edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj në takimin e ardhshëm të paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel/

   PRISHTINË, 26 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë e ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, kanë mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën është miratuar Master-Plani për organizimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 në kushte të pandemisë.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, tha se në dokumentin e miratuar janë dhënë shumë qartë udhëzimet se si dhe kur hapen shkollat, kriteret që duhet të përmbushen për hapjen e shkollave, kriteret për organizimin dhe procedurat që duhet të ndiqen për organizimin e mësimit online, i cili do të jetë i plotë, si një platformë shtesë për nxënësit. Siç tha kryeministri, është më rëndësi të thuhet së mësimi do të organizohet edhe në gjuhët e komuniteteve për të mos mbetur mbrapa asnjë nxënës në tërë Kosovën.

 “Falënderoj IKSHPK-në dhe MSH-në që kanë punuar ngushtë gjatë kësaj kohe me ministrin e Arsimit dhe Shkencës për të zhvilluar protokollet e nevojshme që duhet të ndjekin arsimtarët në klasë, kujdestari i klasës, shkolla dhe komuna në rast se paraqiten raste të infektimeve nëpër shkolla”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se janë bërë përgatitje të nevojshme për një fushatë informuese të nxënëseve, për masat që duhet të respektohen, për organizimin e mësimit duke vendosur shenja dalluese nëpër shkollë dhe nëpër klasa për nxënësit.

 “Jemi të vetëdijshëm se po e marrim përsipër një risk për të hapur shkollat sipas procedurave që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë, andaj kërkohet kujdes ekstrem i prindërve, i nxënësve, i arsimtarëve dhe i komunave, që të mos kthehen shkollat në vend ku përhapet virusi”, tha kryeministri Hoti, i cili u bëri thirrje prindërve dhe arsimtarëve që të marrin udhëzimet e nevojshme, t’i udhëzojnë fëmijët, nxënësit për respektim të plotë të masave që janë përcaktuar në detaje nga ministri i Arsimit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se në kuadër të këtij Master-Plani janë konceptet për realizimin e mësimit për secilin nivel të sistemit arsimor, janë paraqitur skenarët dhe fazat se si do të fillojë viti i ri shkollor, e po ashtu janë përshkruar edhe përgjegjësitë e secilit institucion të përfshirë.

I pyetur nga gazetarët se cilat janë temat që do të diskutohen nesër në nivel të ekspertëve në Bruksel, kryeministri Hoti tha se ka një dakordim të përgjithshëm edhe me partnerët e koalicionit brenda Qeverisë, edhe me raportimin që ka bërë në Kuvend, se dialogun e zhvillojmë për njohje reciproke, për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Nesër diskutimet që bëhen në Bruksel janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke, që adreson në takimin e mëhershëm çështjen e të pagjeturve, dhe nesër do të diskutohen çështjet e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti është pyetur edhe për delegacionin e Kosovës që do të udhëtojë për në SHBA. Me këtë rast, ai tha se është duke u finalizuar edhe delegacioni që do të marrë pjesë atje, i cili kryesohet nga kryeministri, në bazë të kompetencave kushtetuese që ka. 

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se do të tentojë që në delegacion të përfshihen të gjithë pa përjashtim, sepse kjo çështje është e rëndësisë më të lartë shtetërore, një takim që është pritur tash e sa kohë në Shtëpinë e Bardhë.

 “Unë sot për informimin tuaj kam dërguar letër edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj në takimin e ardhshëm të paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se është i hapur për të krijuar një ekip gjithëpërfshirëse të të gjitha forcave politike pa përjashtim, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, por duke mos i bartur kompetencat kushtetuese, por duke i ushtruar ato ashtu siç janë të parapara në Kushtetutë.

VITI I RI SHKOLLOR NË KOSOVË – TRE SKENARË NË KOHË PANDEMIE

-Qeveria miratoi Master-Planin dhe buxhetin shtesë për vitin shkollor 2020-2021. Mbledhja e 27-të e Qeverisë së Kosovës/

Prishtinë, 26 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e 27-të, të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendimin për përkrahjen institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të vitit shkollor 2020-2021.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme është bërë sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përkrahje institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të viti shkollor 2020-2021. Mjetet e nevojshme janë llogaritur në vlerë prej 9,515,384 euro.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë format e mësimit në shkollë dhe e-mësimit, të cilat do të zbatohen në nivele dhe shërbime të ndryshme të arsimit para universitar dhe të cilat do të aplikohen varësisht nga skenari për të cilin do të përcaktohen autoritetet kosovare për zhvillimin e mësimit gjatë vitit shkollor 2020-2021.

Mësimi online dhe në distancë do të zhvillohet dhe publikohet paralelisht me aplikimin e skenarëve të ndryshëm për të qenë në dispozicion të të gjithë nxënësve në Kosovë edhe si formë rezervë në raste të situatave të paparashikuara.

Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu edhe me Master-Planin e projektit për mësimin 2020, i cili shqyrton të gjitha format dhe mundësitë e organizimit të mësimit në vitin shkollor 2020-221. Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:

a)      Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;

b)     Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.

c)      Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, bisedimet me Serbine, Qeveria Hoti, Shkollat ne Pandemi

KOSOVË-SERBI, MARRËVESHJA-VËSHTIRË

August 8, 2018 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Mundësitë e marrëveshjes me Serbinë jashtëzakonisht të vogla, gjasat janë minimale, por duhet bërë përpjekje maksimale/1 Thaci -Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit, njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë/

1 vesh

-Mundësia për të legjitimuar kërkesat politike e historike të shqiptarëve të Preshevës, të Mevegjës e Bujanovcit për t’iu bashkuar Kosovës/

PRISHTINË, 8 Gusht 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në një konferencë shtypi se mundësitë për të arritur një marrëveshje me Serbinë janë jashtëzakonisht të vogla, por duhet bërë përpjekje maksimale.“Gjasat janë minimale, mirëpo ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të shfrytëzojmë çdo mundësi që ndoshta në fund të arrijmë një marrëveshje historike definitive në mënyrë paqësore përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur plotësisht  nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi theksoi se, dialogu Kosovë-Serbi ka vetëm një qëllim thelbësor, arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim.

“Unë jam i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes dhe në kuadër të këyre përpjekjeve kam propozuar, pas kërkesës të përfaqësuesëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, korrigjimin e kufirit me Serbinë”, tha presidenti Thaçi.

Ai shtoi se këtë e ka propozuar si mundësi e vetme për të legjitimuar kërkesat politike e historike të shqiptarëve të Preshevës, të Mevegjës e Bujanovcit për t’iu bashkuar Kosovës.

“Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit, njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë”, tha presidenti Thaçi dhe në vijim iu përgjigj edhe interesimeve të medias.

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojmë dhe ta plotësojmë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në shtator, ndërsa në 18 Korrik 2018 në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve HashimThaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ishte më i shkurti në 6 vitet e fundit, por më i vështiri dhe më i rëndi”,  ka deklaruar presidenti kosovar Thaçi në një konferencë shtypi pas kthimit në Prishtinë.

Por, theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ishte ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin  Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 18 korrikut 2018 është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

Filed Under: Featured Tagged With: bisedimet me Serbine, te veshtira, Thaci

A janë “problem” nacional bisedimet me Serbinë?

July 2, 2018 by dgreca

Miqtë tanë ndërkombëtarë, e sidomos ata amerikanë, flasin se një pjesë domethënëse e klasës politike në Kosovë, sikur kurrë nuk ka kuptuar se procesi i pavarësisë së Kosovës ka edhe disa “rrugica” për t’i kaluar drejtë ratifikimt ndërkombëtar final me ulëse në OKB…./

2 Faton Bislimi

Nga Faton Bislimi */

Tehu i bisedimeve me Serbinë kërkon një punë të përkushtuar ekipore te ekspertëve nga më të mirët në vend, pse jo edhe nga miqtë e Kosovës nëpër gjithë botën.

Te bisedosh për nje problem duhet të jeshë i përgatitur të njohësh nga afër materjen e temës, e kjo rrjedhimisht kërkon sforcim profesional dhe legjimitet të përfaqësimit.

Karl Poper, në parafrazimin e tij të problematikave filozofike, thotë se të detekstosh apo definosh mirëfillini një problem dmth të mos jetë me ai problemi! A i ka futur Kosova në objektivën e problemeve parësore bisedimet me Serbinë? Nëse po, atëherë nuk do të duhej të ishtë “problem” kjo çështje, ngase do të duhej të ishim të përgatitur siç duhet!

Miqtë tanë ndërkombëtarë, e sidomos ata amerikanë, flasin se një pjesë domethënëse e klasës politike në Kosovë, sikur kurrë nuk ka kuptuar se procesi i pavarësisë së Kosovës ka edhe disa “rrugica” për t’i kaluar drejtë ratifikimt ndërkombëtar final me ulëse në OKB.

Nëse nuk i kuptojmë mirë rrugicat që duhet t’i kalojë Kosova, do të mund që rrëshqitazi ta fusim në “qorr sokak” ardhmërinë e vendit tonë!

Klasa poltike në vend, përfaqsuesit e zgjedhur të popullit, edhe pse të vonuar tanimë, përsëri kanë edhe pak kohë që të ngrisin kapacitete ekspertësh për t’u përballë me “problemin” që nuk do të duhej të jetë problem.

Lufta e vitit 1998-1999, Plani i Ahtisarit, shpallja e pavarësisë, njohja nga mbi 115 shtete të botës, dhe vendimi i GJND-së, janë boshti kurrizor se Serbia dhe bisedimet me të nuk do të duhej të jenë “problem” i Kosovës.

Besoj fuqishëm që ka ardhur koha e fundit për krijimin e një Instituti Kombëtar elitar ekspertesh, për marrëdhënjet Kosovë-Serbi. Ky institut do të trajtonte problemet socio-politike, juridike, kuktuore e ekonomike aktuale, por edhe bisedimet e trajtimin e marredhenjeve pas traktatit të paqës që pritet të arrihet në mes Kosovës e Serbisë. Realisht, ka shembuj të shumtë nëpër botë, kur edhe shtetet më të fuqishme e me histori të gjatë të demokracisë e lirisë, për tema madhore të interesit nacional kanë dale nga petku politik dhe janë konsultuar e këshilluar edhe nga elita akademike e profesionale e vendit dhe nga jashtë. Në SHBA, në kuadër të përgjegjësive të Shtëpisë së Bardhë ekziston dhe funksionin Këshilli Kombëtar i Ekspertëve të Ekonomisë (National Council of Economic Advisors), organ ky që përshkruan, paraqet, dhe vlerëson të gjitha nismat ekonomike të ndërmarra nga ekzekutivi amerikan, duke përfshirë edhe vet Presidentin e SHBA-ve.  Në fqinjin verior të SHBA-ve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kanadasë, funksionin Këshilli Kombëtar Këshillimor (National Privy Council) që kryen funksionin e institutit kombëtar për politika në nivel nacional e strategjik të Kanadasë. Njejtë sikur Kanadaja, një institucion të tillë e ka edhe Britania dhe të gjitha vendet tjera të Komonuelthit.

Por, ka edhe shembuj tjerë të rendësisë së vecantë sikur që janë negociatat ndërkombëtare për klimën, ose ato për parandalimin e armëve bërthamore, apo edhe për tregëtinë e lire (sic eshtë NAFTA për shembull), ku shtetet pjesëmarrëse në këtë procese janë ndihmuar e këshilluar kryekëput nga institucione prestigjioze të tyre të pandikuara politikisht.

Përgjerësa procesi tanimë i stërzgjatur e kompleksuar i bisedimeve me Serbinë po shkon drejt fundit, dhe përgjerësa barra e bartjes së tij bie mbi supet e politikanëve, ata duhet të jenë të vëmendshëm që me kujdesin më të madh të marrin platëformë të mirëqenë nga një institut kombëtar ekspertësh duke i lënë anash ngarkesat dhe preferencat politike. Fundja, Kosova është e qytetarëve të vet, jo vetëm e politikanëve.

Marrëdhënjet Kosovë-Serbi janë shumë të rendësishme për paqën dhe stabilitetin në rajon! Nëse duhet të falim, nuk duhet assesi të harrojmë!

*Autori është ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë, si dhe shërben si Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Filed Under: Politike Tagged With: A janë “problem” nacional, bisedimet me Serbine, Faton Bislimi

Bisedimet me Serbinë “Shou marketing i marrëveshjeve”,viktimë edhe emigrantët!

August 11, 2014 by dgreca

Shqiptarë, koha po punon për neve, prandaj ta gjunjëzojmë Serbinë e ngordhur akoma me pretendime cariste . Kjo është një skandal për mërgimtarët kosovar nga një pushim tri javor të mbesim 8 ditë vetëm rrugëve vajtje ardhje është breng për vitet në vijim të shkojmë në Kosovë apo të shkojmë në pushime luksoze për të përfituar në kosto kohën dhe paranë.
Ku je zonja Edita Tahiri si përfaqësuese e bisedimeve me Serbinë edhe zoti Hashim Thaqi që vini pas çdo takimi proklamoheni pran popullit me këtë e atë marrëveshje!!!/
Shkruan Asllan Dibrani/
Bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka disa vite që zhvillohen si procese të veçanta dhe në disa pika.
Të dy palët konfirmojnë përkushtimin për bashkëpunimin efektiv dhe normalizim të marrëdhënieve. Organizatat rajonale të cilave u referohen konkluzionet janë organizatat e tashme dhe të ardhshme ndërqeveritare ose marrëveshjet ,qëllimi i të cilave është të promovojnë bashkëpunimin dhe integrimin në rajonin e Ballkanit. Ato duhet të zbatohen në praktikën e organizimit të takimeve rajonale duke linçuar të drejtat e qytetarëve në të anët . BE duhet të mbikëqyrë implementimin e këtyre marrëveshjeve sipas zhvillimit dhe pikat konkluduiese që janë zhvilluar në shumë takime. Siç duket këto takime dhe bisedime janë vetëm sa për sy e faqe, kur shihen që këto konkluzione dhe marrëveshje me nënshkrimet nga të dy përfaqësitë qeveritare të Kosovës dhe Serbisë, po edhe organeve kompetente evropiane. Kjo ma shumë është një ” Shou marketing marrëveshje” në mes Serbisë dhe Kosovës derisa këto marrëveshje shkelen nga pala serbe!!!???…
Këto marrëveshje janë në kundërshtim praktik që po e përjetojnë qytetarët e Kosovës çdo ditë. Kjo ngecje, po ndihet kudo në popullin e Kosovës , rasti konkret i Mitrovicës që bëhet një politikë e njëanshme .Vapa e këtyre ditëve dhe rreshtat e gjatë të emigranteve deri ne 30 km në pritje për në Kosovë e tregoj ma se miri emigracioni si viktimë e “Shou marketing marrëveshjeve me Serbinë” duke pritur me ditë të tëra të kalohet kufiri në mes Kosovës dhe Serbisë !!!???…

Derisa në Ministrinë e Diasporës thonë kenë arritur një numër i madh i ankesave të emigrantëve të Kosovës të cilët kanë potencuar se janë krijuar kolona të gjata dhe se ata po presin deri në 30 orë për të kaluar procedurat kufitare nuk flasin asgjë ma tepër, pos një informate që atje qenka krijuar një rend i gjatë i pritjes ?.
Politika zyrtare e Qeverisë së Kosovës në duart e zëdhënësve të policisë ?
Është për tu habitur me zyrtarët e Kosovës me Zonjën Edita Tqahirin qe është përcaktuar si përfaqësuese e bisedimeve me Serbinë edhe zotin Hashim Thaqin, që këto kompetenca të tyre dhe këto skandal të torturimit dhe pritjeve të jashtëzakonshme i kalojnë të zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili thekson se:” Këto pritje të gjata janë si rezultat i fluksit të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë shtetit, e që pushimet vinë t’i kalojnë në vendlindje”.Këto thënie nuk janë as bindëse as të logjikshme, as qe kane ndonjë senës mirëkuptimi , aq ma pak nga segmenti politik. As zëdhënësit, as policia e Kosovës nuk është kompetente të flas ma shumë edhe se kanë mundur të shprehen pak ma ndryshe .Për këto gjera janë kompetent qeveritarët e Kosovës që nuk kanë ngritur edhe një ankesë në strukturat e larta evropiane .Qeveria e Kosovës duhet te ngrehin zërin edhe në politiken serbe edhe në strukturat evropiane , ata që janë zotuar në ndërmjetësimin e këtyre bisedimeve .
Shtypi kosovar merret me vajtime siç merret ndonjë politikan i opozitës në Kosovë. Maltretimi , pritja dhe zvarritja siç duket qeverisë së Kosovës nuk ja prish tymin e duhanit. Po ju shkon për shtati edhe Serbisë që me ditë të tëra i lenë mërgimtarët në dy anët e kufirit!?. Kjo është një skandal për mërgimtarët kosovar nga një pushim tri javor të mbesin 8 ditë rrugëve vajtje ardhje, është breng për vitet në vijim të shkojmë në Kosovë apo të shkojmë në pushime luksoze për të përfituar në kosto kohën dhe paranë .Një matematike e thjesht nxjerr rezultatin me shumë humbje . Kjo rrëmujë nuk e besoj qe ka kaluar ma larg se ne tek mediat e Kosovës pa e vrarë ndërgjegjejen e qeveritarëve.
Numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është mbi 700 mijë persona . Më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind. Këto shifra nuk përputhen me realitetin që asnjë organ nuk mundet me dalë me një shifër të saktë për numrin e emigrantëve. Kur kemi para sysh se një qift i ikur para 20 vitesh ,sot mund të ketë edhe 3-4 fëmije, që as kund nuk janë në evidencë. Mërgata gjithmonë ka qenë promotor i ngjarjeve në Kosovë, andaj nuk e meritojmë një injorancë aq brutale edhe në administratën e Kosovës për dokumente dhe shërbimeve tjera. Zotëritë qeveritarë , le t’i vrajë ndërgjegjja e një politike boshe qe jeni duke e bërë ndaj Kosovës , qytetareve të saj dhe emigracionit kosovar.Po tu kishte ndodh serbëve kjo qe po ju ndodhë kosovarëve , me një diskriminim kishin me dëgjuar edhe kombet e bashkuara e lëre me këtu në Evropë. Qeveritarët tanë qofshin të mallkuar s’qet të zotë me quar një protestë kundër Serbisë për asnjë shkelje që po i bënë Serbia në dëmin e Kosovës. Shqiptar koha po punon për neve prandaj ta gjunjëzojmë Serbinë e ngordhur akoma me pretendime cariste .Le tu vret zëri i popullit qe ju besuam te zhvilloni biseda te mirëfillta si shteti me shtet e jo të” lozet si macja me miun”

Filed Under: Opinion Tagged With: "Shou marketing, asllan dibrani, bisedimet me Serbine, edhe emigrantët!, i marrëveshjeve", viktimë

ADEM DEMACI KERKON GARANCI NGA EVROPA PER BISEDIMET ME SERBINE

January 3, 2013 by dgreca

Nëse prapa këtyre bisedimeve qëndron Evropa, në të cilën, tash për tash, si po shihet, violina e parë është Gjermania atëherë nuk jam skeptik, por jam realist i cili mendon se bisedimet do të bëhen, diçka Serbisë do t’i lejohet që të mos ndahet e koritur në këto bisedime, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Adem Demaçi.

Zoti Demaçi, Kosova po e përmbyll këtë vit me bisedimet në nivel tjetër me Serbinë, bisedime këto për të cilat ka optimistë dhe skeptikë. Ju ku e gjeni veten, në cilën kategori përballë këtij procesi?

ADEM DEMAÇI-Sikur të ishte vetëm një bisedim që do të bëhej ndërmjet palës serbe dhe palës kosovare, do të isha skeptik, sepse serbët nuk kanë ndërmend të bëjnë ndonjë marrëveshje, ndonjë stabilizim, se nuk është qëllim i tyre të stabilizojnë, por qëllimi i tyre është të destabilizojnë.

Po vetëm të luajnë një rol sikur ja, ne jemi të gatshëm, por këta të Kosovës nuk po duan që të nxjerrin mundësinë për t’u lidhur me këto strukturat evropiane, sepse gjendjen ekonomike financiare, me borxhe, me zhvillime tjera, e kanë katastrofë dhe kanë nevojë për Evropën. Prandaj kanë nevojë t’i bëjnë lajka Evropës dhe t’i nënshtrohen diktatit të Evropës për bisedime.

Po nëse prapa këtyre bisedimeve qëndron Evropa, në të cilën, tash për tash, si po shihet, violina e parë është Gjermania dhe kjo me disa deklarata të fundit që i dha ambasadori gjerman në përkrahje të plotë të integritetit dhe të pavarësisë së Kosovës edhe në një mënyrë që të mos i bëhen lëshime Serbisë me kërkesa konkrete ndaj saj, atëherë nuk jam skeptik, por jam realist i cili mendon se bisedimet do të bëhen, diçka Serbisë do t’i lejohet që të mos ndahet e koritur në këto bisedime.

Mirëpo, nuk besoj se do të veprohet në mënyrën që Kosovës t’i dilet në krah ashtu si duhet, si mendojmë ne se është e drejtë si viktimë e krejt kësaj lufte, nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi.

Po si mendoni të zgjidhet kjo situatë e ngrirë në veri të Kosovës?

ADEM DEMAÇI-Askush nuk po tenton që të zgjidhet mbarë, që ata që kanë ardhur të kthehen në shtëpitë e veta, e ata që janë përzënë, të kthehen në pasuritë dhe shtëpitë e veta, por po mundohen që kjo situatë që po i thonë francezët “fait accompli”, domethënë një akt i kryer, të bëhet një realitet dhe nga ky realitet të kërkohet një zgjidhje, e cila do të ishte gjithsesi në disfavor të shqiptarëve.
Unë mendoj se nëse Evropa do të insistojë që të pranohet vetëm projekti i Ahtisaarit si bazë, përndryshe mund të them se ai projekt ka qenë masakër ndaj Kosovës. Të bëhen komunat me 1000-1500 banorë, komunat me 100 mijë banorë s’po mund të kalojnë si duhet, e jo më komunat me 1000 e 1500 banorë, e t’i jepet e drejta Serbisë të mund të manipulojë me ata banorë – t’ua paguajë me polici, me mësues, profesorë e mjekë, nga buxheti i vet, domethënë Serbia në mënyrë legale ta krijojë rrjetin e vet të, në daç thuaj të bashkëpunëtorëve, në daç thuaj të spiunazhit, a si të duash në një territor tjetër, në një shtet tjetër i pranuar nga Evropa, apo shumica e Evropës dhe gati nga gjysma e botës si shtet i pavarur – këtë e bëri vetëm Ahtisaari.

Kjo u bë me pretekst të gjoja se këto lëshime do ta detyrojnë ose do ta bëjnë që Rusia të lëshojë pe të largohet Rezoluta 12 44 dhe Kosova të dalë si shtet i pavarur dhe të mund të pranohet në Kombet e Bashkuara dhe të zhvillohen gjërat ashtu si e do rregulli i Kombeve të Bashkuara.

Kjo nuk ndodhi, me fjalë tjera shqiptarët edhe këtu u mashtruan dhe në këtë situatë kanë ardhur në një rrugë shumë të vështirë, të cilën mund ta çajë vetëm në qoftë se Evropa tregohet e vendosur dhe insiston edhe një herë fuqishëm që Plani Ahtisaari të jetë bazë për gjetjen e një marrëveshjeje, e cila do t’i kënaqte të dy palët, meqë shqiptarët e pranuan.

Ne, faktikisht, atë marrëveshje e bëmë me Evropën, nuk e bëmë me Serbinë fare. Serbia dihet se nuk e pati pranuar Planin e Ahtisaarit, dhe në këtë mënyrë besoj duke futur anekse që kanë të bëjnë me situatën dhe gjendjen e shqiptarëve që gjenden në Luginën e Preshevës duke kërkuar të njëjtat të drejta që u garantohen me Kushtetutën e Kosovës serbëve këtu, t’u garantohen të drejtat edhe shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Flitet gjithnjë për integrimet evropiane dhe përmbushjen e detyrave që Kosova duhet t’i bëjë në këtë rrugë. Kritikët thonë se me gjithë sukseset potenciale, rruga drejt BE-së, është e kushtëzuar, thënë kushtimisht, me rrugën që Serbia ndjek. Do të pajtoheshit?
ADEM DEMAÇI-Besoj që është kjo e vetmja mënyrë që Serbia të disiplinohet dhe ta kuptojë se ka ndodhur diçka që nuk ka kthim dhe për t’i lënë krejt këto çka janë arritur deri sot, ta kuptojë që ajo punë nuk bëhet dhe këtu janë ato fjalët e palës gjermane që thotë se rrota e historisë nuk kthehet prapa.

Edhe ambasadorja gjermane thotë gjithashtu se platforma serbe është një masakër e re që tentojnë ta bëjnë në Kosovë, është vetëm një copë letre, më jep shpresë që bota e ka kuptuar se kush është Serbia dhe çka është Serbia, pavarësisht se unë s’dua të identifikoj.
Kur them Serbia mendoj për këtë Qeverinë e Serbisë, dhe ata që janë në pushtet, e jo për popullin e gjerë serb, i cili nuk është në dijeni fare se çfarë po ndodh dhe ende s’e di se çka ka ndodhur me të vërtetë, si është bërë dhe pse është bërë kjo luftë, si dhe kush e ka shkaktuar atë – unë mendoj se kjo do të ishte rrugëdalja nga kjo situatë.

Shqiptarët në vitin 2012 shënuan 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë manifestimeve të ndryshme është përmendur shumë çështja e bashkimit kombëtar. Si e shihni ju këtë çështje?
ADEM DEMAÇI-E shoh si një proces të ligjeve të jetës, i cili gjërat i çon përpara. Bashkimin e shqiptarëve nuk mund ta ndalë asnjë forcë. Bashkimi i shqiptarëve do të dështonte vetëm sikur shtetet, të cilat e copëtuan korpusin, trupin, territorin dhe kombin shqiptar, sikur të mbërrinin t’i eliminonin shqiptarët, atë nuk arritën ta eliminonin, pavarësisht që kanë pasur deri diku sukses në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. f

Dhe, vetë qëndresa e shqiptarëve, mbijetesa e shqiptarëve, është faktori kryesor, i cili me kalimin e kohës do t’i çojë në bashkimin kombëtar, po me anë të futjes në Bashkimin Evropian, ku do të krijohet klima që ata të bashkohen pa e lënduar askënd, pa e shkelur askënd, dhe pa mundësinë që dikush ta pengojë një gjë të tillë, sepse të gjithë do të jemi brenda BE-së, nën kulmin evropian. Si të tillë, shqiptarët s’do t’i ndalojë askush që të qarkullojnë lirisht, të punojnë lirisht, të krijojnë ide, të marrin kredi, të kenë bashkëpunim edhe me njëri-tjetrin, po edhe nga bota tjetër që dëshiron të na ndihmojë.
Unë mendoj se bashkimin kombëtar ne duhet ta kuptojmë pak më ndryshe në këto rrethana dhe në këtë hapësirë dhe kohë, në të cilën gjendemi. Nuk është fjala ta thyejmë lëvozhgën e vesë, fjala është që atë të verdhë të vezës që gjendet brenda lëvozhge ta shndërrojmë në zog të gjallë. Në momentin kur ai zog merr shpirt, ai do ta shohë veten se është i kufizuar, se është i burgosur, dhe ai me sqepin e vet makinalisht do të veprojë dhe do ta thyejë atë lëvozhgë dhe del zogu, i cili është tri herë më i madh sesa kur ishte vezë dhe kur ishte brenda lëvozhgës.

Këtë mënyrë duhet ta përdorin shqiptarët, pra të punojnë ngadalë dhe në mënyrë sistematike, pa folur e bërtitur dhe mundar ta bëjnë veten patriot duke bërtitur se duam bashkimin kombëtar etj.

Bashkimi bëhet duke qenë të bindur dhe duke drejtuar popullin e vet që së pari të bëhet bashkimi në Kosovë si duhet, në Shqipëri ashtu si duhet dhe në të gjitha njësitë tjera, në të gjitha krahinat e tjera të bëhet bashkimi i krejt atyre çka është pozitive brenda kombit tonë dhe kriter i ndërtimit dhe përparimit tonë të jetë interesi kombëtar, atëherë do të arrihet ajo çka po duan disa e s’po ju pritet.

Nuk dua t’ju them që janë të paditur, por që s’po iu pritet, që po nguten ta bëjnë bashkimin duke thyer lëvozhgën. Po e theve lëvzhgën e lë të verdhën të zbrazët, ai më nuk mund të ngrohet, po mund veç ta hash, po të bëhet zog ai nuk bëhet.(Bisedoi Anton Konushevci- RADIO EVROPA E LIRË)

Filed Under: Interviste Tagged With: Adem Demaci, bisedimet me Serbine

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT