Nga Skënder Buçpapaj/
Më 16 mars, për herë të parë rikthehej në Kosovë, motivacioni (arsyetimi) “rrezikim i rendit dhe sigurisë së shtetit”, aq shumë i dëgjuar në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Mungonte pjesa e dytë: “bashkëjetesës në bashkim dhe vëllazërim të kombeve dhe kombësive tona”.
Lajmin e jepte KosovaPressi. Nga ora 13:30 Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes Boiken Abazi, shtetas i Republikës së Shqipërisë, arrestohej në një lokal afër selisë së saj. Ai rrëmbehej nga policë civilë, pa paraqitur fletarrest, pa iu komunikuar me gojë ndonjë arsyetim dhe dëbohej nga Kosova për në Shqipëri.
Me gjuhën e çdo kodi penal të çdo vendi, i bie që ai të ketë kryer krim kundër shtetit. Me këtë akuzë, askush nuk mund t’i shmanget një hetimi të mëtejshëm serioz gjyqësor dhe një procesi po kaq serioz dhe gjyqësor, deri në një vendim përfundimtar nga shkallët më të ulëta deri në më të lartin e sistemit të drejtësisë së një vendi.
Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes u dëbua vetëm me urdhër nga lart. Deri sot nuk është publikuar urdhëri të cilin e ka marrë dhe e ka zbatuar Policia e Kosovës. I bie që ajo të jetë urdhëruar nga Skënder Hyseni, ky të jetë urdhëruar nga Isa Mustafa.
Kryerësja e dëbimit, Policia e Kosovës, u detyrua të hiqte dorë nga akuza për “rrezikim të rendit dhe sigurisë së shtetit” dhe të pohonte se Boiken Abazi nuk kishte bërë asnjë vepër penale, ai kishte bërë vetëm kundërvajtje, duke hyrë dhe dalë nga Kosova në mënyrë jo të ligjshme. Akuzën e “rrezikimit të rendit dhe të sigurisë së shtetit” Policia e Kosovës e quajti një përvjedhje të natyrës teknike në komunikatën e saj për dëbimin e shtetasit të Republikës së Shqipërisë nga Kosova.
Me të drejtë, komentuesit në rrjetet sociale arsyetuan se Boiken Abazi është larguar me ato procedura që përdoren për largimin e spiunëve. Nëse vërtet kështu, atëherë do të ishte hera e parë në historinë e Republikës së Kosovës (RK) që ajo dëbonte një shtetas të huaj me këtë arsyetim.
Kjo praktikë do të kërkonte që i akuzuari si i dyshuar t’i dorëzohej vendit të prejardhjes. Ligjet ndërkombëtare e pranojnë këtë veprim vetëm kur i akuzuari është kapur në flagrancë duke kryer veprimtari. Përndryshe kjo do t’i krijonte, veç të tjerash, ndërlikime ndërkombëtare vendit dëbues.
Policia e Kosovës u arsyetua se Boiken Abazi kishte shkelur Ligjin e RK për të Huajt, çka përbën kundërvajtje. Në këtë rast, kundërvajtësit do t’i jepej mundësia ta kundërshtonte vendimin për dëbim, duke e paraqitur kundërshtimin e tij në sistemin e drejtësisë të RK. Vetëm pas një vendimi përfundimtar, ndaj tij do të merrej masa e largimit dhe do të përcaktohej afati i ndalimit të rikthimit të tij në RK.
Shpjegimin për dëbimin e Boiken Abazit, në të vërtetë, e jep analisti kosovar Halil Matoshi. Një ndër këshilltarët më të afërt të Thaçit, ai vleresonte të ligjshëm deportimin e aktivistit të Vetëvendosjes, Boiken Abazi, duke akuzuar se ai nuk e njohu kurrë shtetin e Kosovës. Sipas tij, secili shtet e ka të drejtën e mbrojtjes nga njerëzit që nuk i janë besnikë.
Matoshi shkruan në Facebook:
“Deportimi i Boiken Abazit asht i ligjshem dhe krejtesisht i justifikueshem per shkak se ai nuk njohu kurre shtetin e ri, as Kushtetuten dhe as ligjet e tij, as rendin simbolik te tij, por foli e punoi per shperberjen e entitetit juridik-politik te quejtun Republika e Kosoves. Pra secili shtet pra edhe Republika e Kosoves, kurdo dhe ne cdo rrethane e ka te drejten me e mbrojte veten nga njerezit qe nuk i jane besnik si atdheut te vetem te tyne. Abazi e ka nji atdhe rezerve – qe na nuk e kemi!?.”
Si provë materiale, Matoshi sjell këtë thënie të Boiken Abazit:
“Flamuri i Kosoves, si cdo flamur shteteror, nuk eshte thjesht nje dizajn apo nje cope lecke. Ai eshte shume me shume se kaq. Eshte simboli i triumfit te imponimit nderkombetar kunder vullnetit te shumices ne Kosove, simbol i politikaneve te kamur dhe te kalbur te Kosoves, simbol i nenshtrimit te tyre, simbol dhunues per lirine, simbol shenjues i rruges qe po e con Kosoven tatepjete. Me ndryshimin e kesaj rruge, me heqjen e matrapazeve nga pushteti, do t’i hiqet Kosoves shpejt edhe ky shenjues nenshtrimi …”
Në këtë tekst nuk ekziston askund mosnjohja e shtetit të Kosovës. Ai si shumëkush ka vërejtje për flamurin e Kosovës. Shumëkush ka vërejtje edhe për himnin, ende pa tekst, të Kosovës. Në një prononcim të ditëve të fundit, vetë Albin Kurti, pohon se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje e njohin flamurin e RK. Asnjë fjalë e Matoshit kundër Abazit nuk qëndron.
Por, të gjithë ata që e njohin shtetin e Kosovës, e njohin atë në të 10 877 kilometrat e saj katrorë. Vetëm Thaçi dhe Mustafa e njohin Kosovën pa mijëra hektarët që marrëveshja e tyre ia jep Malit të Zi. Të gjithë ata që e njohin Kosovën, e njohin atë si një shtet unitar, jo si një shtet më se federal, siç e njohin Thaçi dhe Mustafa në marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës. Gjykata Kushtetuese i ka kapur në flagrancë Thaçin dhe Mustafën.
Matoshi nuk është i sinqertë në komentin e tij në fb “VV-ja spiunon e kërcënon opinionistat!”, ku shkruan “Me dije per Albin Kurtin dhe Visar Ymerin: Ndaloni spunet tuaj ne FB, qe hallakatin shkrime e profile dhe qe kercenojne qytetaret; Tregojuni aktivistave tuej qe aq dendun po e perdorin cilesoron ‘fashist’ dhe ‘fasizem’ qe ata vet po perdorin metoda dhe gjuhe fashiste; Kjo asht thirrje per “goditje” dhe linc publik, zoterinj! Tregojuni atyne fanatikeve te verbuem nga ideologjia se Halil Matoshi nuk punon ne organet e zbatimit te ligjit, per me e ba bashkefajtor me policine kosovare per deportimin e Boiken Abazit!
Vetë Abazi në “Facebook”, shkruan se shqiptarët e Kosovës po jetojnë nën regjimin autoritar Mustafa-Thaçi, i cili, thotë ai, po tenton të shtypë çdokënd që e kundërshton rikthimin e Serbisë në Kosovë. Ai sqaron se në VV ka edhe shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
Boiken Abazi u dëbua nga RK në bazë të Ligjit të saj për të Huajt. Policia e Kosovës njoftoi se ai është i teti shtetas i Republikës së Shqipërisë (RSH) që dëbohet në bazë të këtij ligji. Ky precedent dëshmon realitetin se shqiptarët e RSH janë të huaj në RK, shqiptarët e RSH nuk janë të privilegjuar në RK, fundja nuk janë aq të dëshiruar në RK, madje janë të diskriminuar e më se të diskriminuar në RK.
Kjo risjell atmosferën e viteve ’70 dhe 80, kur sistematikisht shqiptarët nga Shqipëria me banim në Kosovë konsideroheshin si një nga faktorët kryesorë për indoktrimin nacionalist, separatist dhe irrendentist të masës dhe veçanërisht të rinisë në Kosovë. Në Shqipëri, nga ana tjetër, shqiptarët nga Kosova paragjykoheshin si të dërguar të shërbimeve inteligjente jugosllave.
Me precedente si ai i Abazit, regjimi Mustafa-Thaçi mund të jetë i interesuar të provokojë ndërsjelltësi në RSH. Dhe kështu RSH do të binte ndesh me detyrimet e saj kushtetuese, të cilat nuk përputhen me interesat e Thaçit dhe të Mustafës, por përputhen me interesat e të gjithë shqiptarëve, faktor të cilin nuk e përfillin Thaçi dhe Mustafa.
Në një intervistë sot tek Shekulli, Abazi, i pyetur se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar në përgjigje të dëbimit të tij, thotë:
“Shteti shqiptar ka për detyrë që të interesohet për çdo qytetar të vetin, kudo në botë. Në botën demokratike është e papranueshme që një qytetar i një vendi të depërtohet nga një vend tjetër, vetëm për shkak të bindjeve dhe angazhimeve të veta politike që janë në përputhje me parimet e shprehura edhe në Kartën e OKB-së. Besoj se Shqipëria do të kishte reaguar nëse kjo do të ndodhte në ndonjë vend tjetër. Por afërsia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të jetë arsye për të mbyllur sytë ndaj abuzimeve, ndaj autoritarizmit, apo ndaj deportimeve arbitrare, siç më ndodhi mua. Para disa vitesh, rasti i fundit i një qytetari të Shqipërisë të dëbuar për arsye politike, ka qenë ai i një gazetari të dëbuar nga Greqia. Ai rast ishte skandaloz, dhe u reagua deri në Parlamentin Evropian. Është normale të besoj se edhe për rastin tim, do të reagohet e do të kërkohet drejtësi. Mes Kosovës e Shqipërisë nuk duhet të kishte as kufij, e lëre më deportime.”