*PD thyen bojkotin, hyn në Kuvend, miratohet me 126 vota rezoluta për bashkëpunimin PS-PD/
*PALOKA NE KUVEND: REZOLUTA SHPETON POLITIKEN NGA ZHYTJA NE LLUMIN E KRIMIN/
* Berisha: Dita e sotme historike, sakrifikuam por e rivendosëm demokracinë në Kuvend
* DODA: DUHET TE ISHIM KTHYER ME PARE/
TIRANE – Mazhoranca dhe opozita kanë miratuar me 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rezolutën e përbashkët, për të cilën ranë dakord pas negociatave me eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, të cilët u angazhuan për normalizimin e jetës parlamentare në Shqipëri. Përpara votimit, me kërkesë të Palokës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta lexoi “Projekt/rezolutën e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”. Dakordësia e arritur për miratimin e rezolutës, bëri që Partia Demokratike të thyente bojkotin 6-mujor dhe të zinte vendet e saj në Kuvend.
Përpara rikthimit të demokratëve pati edhe disa kundërshti lidhur me rendin e ditës së seancës plenare. Demokratët kërkuan ndryshimin e rendit të ditës, duke propozuar që seanca të niste me miratimin e rezolutës dhe më pas të votoheshin vetëm marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk kërkojnë debat politik. Por Kuvendi vijoi punimet sipas rendit të ditës, pa bërë asnjë ndryshim, madje pa mbërritur deputetët e opozitës, të cilët ishin ende në mbledhjen e grupit në selinë e PD-së dhe zunë vendet e tyre në Kuvend disa minuta me vonesë.
PALOKA NE KUVEND: REZOLUTA SHPETON POLITIKEN NGA ZHYTJA NE LLUMIN E KRIMIN
Në fjalën e tij përpara ligjvënësve, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka theksoi se marrëveshja e arritur është në favor të të gjitha palëve dhe “një mundësi e mirë për të shpëtuar politikën shqiptare nga zhytja në llumin e krimit dhe korrupsionit”.
Paloka nënvizoi arsyet që e shtynë opozitën drejt bojkotit parlamentar, ndërsa tha se “deputetët rikthehen me kokën lart me vullnetin dhe dëshirën që parlamenti të kthehet në tempullin e demokracisë, mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të qytetarëve”.
“Bojkoti për ne u bë një zgjedhje e detyruar, pasi ky parlament u kthye në vendin ku u shkelën dhe u dhunuan të drejtat e deputetëve. Nuk vumë kushte, as nuk kërkuam favore nga mazhoranca, kërkuam vetëm që kjo mazhorancë të mos bënte sikur nuk e dinte se çfarë kërkonte opozita.Bojkoti sado i padëshiruar nga ne tërhoqi vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtare, të cilët i dhanë vlerësimin e duhur situatës në Shqipëri.Kjo rezolutë u jep përgjigje shqetësimeve madhore që opozita ngriti dhe që imponoi largimin tonë nga parlamenti. Kjo marrëveshje është jo vetëm në interes të demokracisë shqiptare, të qytetarëve shqiptarë por edhe në interes të partive politike. Ne besojmë realisht se kjo marrëveshje është në favor të të gjitha palëve. Për ne kjo qeveri e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të ikë në shtëpi. Garantojmë qytetarët se interesi i tyre është i vetmi interes i yni. Do të jemi në parlament për të mbrojtur deri në fund këtë interes”- deklaroi Paloka.
PS-PD MBLEDHIN GRUPIN PARLAMENTAR
Përpara fillimit të seancës plenare, kreu i PD-së Lulzim Basha ka thirrur grupin parlamentar, në një mbledhje me dyer të mbyllura ku është vendosur që deputetët të rikthehen në Kuvend. Menjëherë pas mbledhjes së grupit, kreu i grupit Edi Paloka ka propozuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që seanca të niste me miratimin e rezolutës dhe më pas të votoheshin vetëm marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk kërkojnë debat politik. Edhe Partia Socialiste ka zhvilluar një mbledhje grupi, përpara fillimit të seancës parlamentare, ku është vendosur që të miratohet rezoluta e përbashkët, por pa pranuar kërkesën e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës.
PALOKA: TE MIRATOHET VETEM REZOLUTA
Në një deklaratë për mediat përpara nisjes së seancës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka bëri të ditur se demokratët kërkojnë ndryshim të rendit të ditës, duke propozuar që seanca të nisë me miratimin e rezolutës dhe më pas të votohen vetëm marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk kërkojnë debat politik.
“Nuk mund ta konsiderosh një ngjarje të zakonshme rikthimin e opozitës në parlament. Eshtë bërë pas një bojkoti të gjatë e negociatave të gjata mes palëve. Kërkuam që konferenca e kryetarëve të përcaktojë mënyrën se si do procedojmë. Eshtë e logjikshme të trajtohet fillimisht rezoluta në parlament. Pa u miratuar kjo rezolutë nuk do të ishte e logjikshme që ne të hyjmë në parlament. Që të futen në diskutim pr/ligje të rëndësishme, ndërkohë që jemi në një situatë të veçantë nuk është normale. Kërkuam që këto pr/ligje të shtyhen për një seancë tjetër. Sot të miratohet rezoluta. Pas një ore vendosëm të fillojë seanca”- deklaroi Paloka.
DODA: DUHET TE ISHIM KTHYER ME PARE
Përpara se të futej në Kuvend, deputetja demokrate Mesila Doda tha se opozita duhet të ishte kthyer më parë në parlament, për të mbrotjur interesat e qytetarëve.“Besoj se do duhet të ishim kthyer që në seancat e para. Megjithatë sot ka një rezolutë që duhet te miratohet, është diçka pozitive që duhet të përgëzohet. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për normalitet në jetën e tyre politike. Fjala bojkot duhet të zhduket nga fjalori politik.”- deklaroi Doda.
NEGOCIATAT
Taulant Balla e Genc Pollo udhëhoqën negociatat që në mesnatë sollën marrëveshjen me 4 pika. Orë të shumta negociatash vazhduan me debate deri në mesnatë dhe deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë rënë dakord për draft-rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein. Balla dhe Pollo konfirmuan në prag të mesnatës se ishte arritur një akord i përbashkët: rezoluta e eurodeputetëve do miratohet pa ndryshime.
4 PIKAT E DRAFTIT
Pika e parë: “Opozita kthehet në parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare, duke iu shmangur bojkotit të parlamentit dhe komisioneve të tij. Mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”.
Pika e dytë: “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në parlament dhe të respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të angazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.
Pika e tretë: “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.
Pika e katërt: “Përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në
Parlamentin Europian, socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”.
RENDI I DITES
Kuvendi u mblodh sot në mesditë në seancën plenare, që është dhe e fundit për këtë sesion. Rendi i ditës i Kuvendit përfshin diskutimin e disa projektligjeve, si dhe votimin e disa çështjeve të tjera. Mes tyre veçohen ndryshimet në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore”; ato në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ndryshimet në ligjin e ‘prokurimit publik’, etj.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të miratojë dhe tre kandidaturat për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare dhe të Drejtorit e Nëndrejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së; miratimin e kandidaturave për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; pr/rezolutën “Për njohjen dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit”, si dhe pr/vendimin “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”.
*Mesila Doda: Bojkoti të zhduket nga fjalori i politikanëve/
Deputetja demokrate, Mesila Doda më parë dha një deklaratë për mediat, duke premtuar se qytetarët shqiptarë do të kenë një opozitë të fortë dhe reale në Parlament.
Ajo mendon se Partia Demokratike duhet të ishte kthyer më herët në Kuvend dhe bojkoti duhet të zhduket në fjalorin politik. “Ne do të kthehemi në Kuvend për të mbrojtur dhunën dhe autoritarizmin që po ushtohet mbi qytetarët. Opozita duhet të ishte kthyer që në seancat e para, por fatmirësisht tashmë për këtë ka një rezolutë, e cila sqaron punën në Parlament.
Kjo është pozitive dhe duhet theksuar. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për normalitet politik. Bojkoti duhet të zhduket nga fjalori i politikanëve. Do ketë një opozitë shumë të fortë dhe reale”, tha deputetja e PD-së.
Kukan përshëndet votimin e rezolutës
Europarlamentari Eduard Kukan, njëherësh dhe një nga hartuesit e rezolutës ka përshëndetur finalizimin e marrëveshjes mes palëve politike.
Përmes rrjetit social Twitter, Kukan shpreson që ky bashkëpunim në Kuvend të vazhdojë.“Misioni i fundit i suksesshëm, urime miqve shqiptarë.Miqtë shqiptarë finalizuan marrëveshje të rëndësishme.Shpresoj që bashkëpunimi në Parlament të vazhdojë” shkruan ai.
Rezoluta e firmosur mes palëve e që i dha fund bojkotit opozitar u firmos pas negociatave të gjata.
Berisha: Dita e sotme historike, sakrifikuam por e rivendosëm demokracinë në Kuvend
TIRANË-Ish-kreu i Partisë Demokratike, deputeti Sali Berisha sapo ka dalë nga seanca e kuevdnit ka komentuar gjerësisht bojkotin 6 mujor të opozitës ndaj punimeve të parlamentit. Sipas tij, opozita me anë të bojkotit korri një fitore të madhe historike në emër të gjithë opozitave. Në vijim ai rikthye gjuhës së akuzave ndaj Qeverisë dhe maxhorancës, për të cilën tha se qëndron mbi krimin dhe korrupsionin duke krijuar 3/5 e votave në Kuvend, duke blerë në mënyrë flagrante deputetë, gjë që Parlamenti Europian (PE) nuk e kapërdin. Akuzat nuk i kurseu dhe ndaj kryeministrit Rama…
Z Berisha, cfare mund te na thoni per kete seance te pare pas 6 muajve bojkot…
“Kjo është një ditë historike për demokracinë shqiptare se për herë të dytë në 23 vjet, PD shpëton nëpërmjet një marrëveshje demokracinë parlamentare të vendit. Kjo ndodhi në vitin 2001, kur dhjetra e dhjetra mandate u morën nga kjo shumicë, por pastaj me një proces të paprecedent ne rikthyem frymën dhe vendosëm në mënyrë fraxhile të brishtë normat e demokracisë në Kuvend. Kjo që ndodhi këtë vit, kur për shkak të lidhjeve të pazgjidhshme me krimin të Edvin Ramës në parlamentin shqiptar, ndodhi ajo që s’ka ndodhur në asnjë vend tjetër të paktën në vitet 50 e deri sot. Kreu i qeverisë organizoi dhunë ndaj një deputeti guximtar të opozitës. Ndodhi në këtë parlament që maxhoranca të shkelmojë në mënyrë të papërgjegjshme të drejtat themelore të krijimit të komisioneve parlamentare.
Ndaj e kam quajtur të ligjshëm komplet bojkotin tonë, duke deklaruar se bojkoti i opozitës shqiptare është tjetër krahasuar me opozitat e tjera, ndërmori mbështetjen e vendeve më të larta të Parlamentit Evropian, nisëm që synon nëpërmjet kësaj Rezolute të rivendosë standartet themelore të parlamentarizmit. Në këtë nisëm dhe në bazën e kësaj Rezolute, maxhoranca aktuale sot nuk mundet kurrë të bojkotojë më kurrë komisionet parlamentare të opozitës. U votua një standard evropian, do vendoset një standart i ri evropian.
Së dyti, kjo maxhorancë qëndron mbi krimin dhe korrupsionin ka krijuar 3/5 duke blerë në mënyrë flagrante deputetë, gjë që Parlamenti Europian (PE) nuk e kapërdin. Ne nuk synojmë kurrë të bllokojmë një shumicë të cilësuar. Por të blejë me drogë e krim mandate, t’ia marrsha ato opozitës që të bësh ligjin e shtetit policor kjo është e patolerueshme për standardet e BE.
Së treti, dekriminalizimi. Ju duhet të dini se cdo gjë e mirë mbi tokë ka në themel, sakrificën. Ne vërtet sakrifikuam por kjo është kthyer në një mirësi të vërtetë, për cdo shqiptar, për demokracinë shqiptare dhe kjo do shënojë një pikë kthese për të ardhmen e demokracisë. Në themel të gjithë kësaj që ndodhi janë lidhjet e Edvin Kristaq Ramës me krimin që datojnë qysh para fillimit të tij në politikë e deri më sot.
Me këto lidhje Shqipëria nuk ecen drejt Europës, por drejt greminës. Një vit kur filloi ky parlament para kamerave i thashë, këto fjalë. ‘Zotëri, cdo shqiptar e di që lidhjet e tua me krimin janë nga më të tmerrshmet, me bandat e Rrugës së Kavajës, Hakmarrja për Drejtësi. Ty shqiptarët të votuan, të amnistuan për lidhjet që ke, por duhet të ndërpresësh këto lidhje. Por e vërteta është se ai është skllav i tyre. Por mesazhi i Europës është se nuk ecet para nëse kuvendi nuk dekriminalizohet.
Së fundmi, është rënë dakort që këto ligje dhe këto marrëveshje të zbatohen dhe formulohen nga ata të cilët janë dhe gardianët kryesorë të standardeve evropiane jo vetëm në vendet e BE, por dhe në vetë vendet e BE që është parlamenti. Ata meritojnë një mirënjohje të thellë nga cdo shqiptar. Nga kjo marrëveshje nuk ka asnjë të humbur, përvec ata që për pushtet janë të gatshëm të bëjnë gjithcka.
Tani ne jemi në një bashkëpunim të gjerë dhe nuk na përket ne. Ne na përket të negociojmë një nga fenomenet më të paimagjinueshme në këtë parlament, është krenari, është e hidhur kjo, por ama jemi vendi i parë që bëjmë përpjekje për dekriminalizimin e kuvendit.
Por zoti Berisha, edhe ju keni bojkotuar dikur…
Kemi bojkotuar dhe në vitin 2001, parlamenti me miratimin e plotë të partive evropiane njësoj si tani. Ata nuk na kërkuan të rikthehemi në parlament pa u vendosur e drejta. Nuk ka akt më të dhimbshëm për një deputet se bojkoti. Por më i strukturuari dhe më i qëndrueshmi si bojkot ka qenë ky. Jemi të vendosur të punojmë në parlament për vlerat e demokracisë.
Po në grupin tuaj parlamentar, z Berisha nuk ka asnjë të inkriminuar?
Në dijeninë time nuk ka asnjë deputet të inkriminuar. Por cilido të ketë dokumentin më të vogël, jo vetëm për deputetë, por dhe për strukturat e PD është i ftuar ta publikojë. Unë nuk mund të bisedoj për rekorde kriminale nëse nuk ekziston një dokument juridik se për hamendje pastaj, kjo nuk ndalet kjo.
Paloka mbajti një fjalim të ashpër sot. Përmendi prangat…
Unë e kam denoncuar këtë akt. Zoti Rama pas kthimit nga Brukseli i ka thënë z Meta se ‘më kanë kërkuar arrestimin tuaj’. Por ka një problem këtu, shpesh kam dëgjuar se e thonë.
Por ju e keni mbrojtur Ilir Metën
Për herë të parë them se, unë nuk e kam mbrojtur Ilir Metën. Ka patur një dokument për 700 mijë euro që flitej në regjistrim. Ai dokument ekzistonte në letrën që sipërmarrësi i dërgonte Dritan Priftit se dëmi që i shkaktohej ishte 700 mijë euro. Prifti nuk e ka mohuar se ekziston ky dokument. E gjithë akuza që i bëhet Sali Berishës është se nëse ekziston ky dokument. Nëqoftëse dosja do të ishte e plotë dhe nuk do ishte shqyrtuar nga ekspertë, askush nuk do i kërkonte atij arrestimin e Ilir Metës.
Pas largimit të LSI nga koalicioni i djathte…
Absolutisht jo, se ato dy vota mor zotëri u përdorën vetëm për të futur në zgjedhje dhe për të mos hyrë në kaos. Këta përdorin votat e blera për të instaluar shtetin policor. Nuk ka asnjë lidhje, pse unë cfarë alternative kisha.
Pse zgjodhët të heshtnit sot në parlament?
Foli sot kryetari i grupit parlamentar dhe mbajti një fjalim të shkëlqyer. Maxhoranca nuk foli e kishte vendosur që të kalonin rezolutën pa diskutime. Por derisa ishte e realizuar ne e respektuam atë. Natyrisht këtu do jemi. Gëzuar Krishtlindjet