-Kryediplomati i Norvegjisë, Børge Brende në Prishtinë: Ka jostabilitet në rajon, por ne shpresojmë se Kosova, edhe në vitet në vijim, të jetë eksportuese e stabilitetit. Kjo është shumë e rëndësishme/
-Minsitri i jashtem i Kosoves Hoxhaj pret mbështetjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik të Kosoves/
-Norvegjia është shteti i 34-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së/
PRISHTINË, 14 Shkurt 2017-Behlul Jashari/ Ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Borge Brende, sot në Prishtinë në takim me presidentin e Republikës, Hashim Thaçi, ku u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, tha se miqësia dhe partneriteti mes Kosovës dhe Norvegjisë është i fuqishëm, porse ai do të thellohet edhe më shumë.“Ka jostabilitet në rajon, por ne shpresojmë se Kosova, edhe në vitet në vijim, të jetë eksportuese e stabilitetit. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne e mbështesim fuqishëm punën tuaj drejt integrimeve evropiane dhe partneritetit më të ngushtë me NATO-n. Ne jemi një ndër shtetet që kanë vazhduar partneritetin me vendin tuaj për sa i përket zhvillimit ekonomik, sepse besojmë se duhet të ketë vende pune dhe investime në Kosovë”, theksoi kryediplomati norvegjez, Borge Brende.Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin e Jashtëm të Norvegjisë për mesazhet e tij inkurajuese për të ardhmen e Kosovës dhe për të ardhmen evropiane të rajonit, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë gjithmonë Kosovës. “Kosova do të vazhdojë t’i ruaj raportet speciale me Norvegjinë, një shtet që ka mbështetur gjithmonë paqen, stabilitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë e informova për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për shpresën tonë që të arrijmë marrëveshje të reja. Ky normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton një paqe dhe stabilitet për krejt Ballkanin”, deklaroi presidenti Thaçi.Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror, presidenti Thaçi tha se ky bashkëpunim me Norvegjinë do të vazhdojë në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe të sigurisë. Presidenti Thaçi dhe kryediplomati norvegjez diskutuan edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në luftën kundër fundamentalizmit, kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, që Kosova dhe rajoni të kenë sa më shumë paqe, siguri, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve si dhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon.Duke e falënderuar për përkrahjen e madhe të Norvegjisë, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në ekonomi. “Kosova ofron kushte të shumë të favorshme për investitorët norvegjezë të cilët mund të shfrytëzojnë edhe Ligjin për Investime Strategjike, që tashmë ka hyrë në fuqi, që të jenë sa më prezentë me investimet e tyre shumë të mirëpritura në Kosovë”, tha kryeministri, duke shtuar se Norvegjia ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës.Më tej, kryeministri Mustafa e ka njoftuar për proceset tjera në Kosovë, për rrugën euroatlantike të Kosovës si dhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar, për proceset evropiane, si dhe avancimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet fqinje.Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, shprehu përkrahjen e mëtejme të Norvegjisë për Kosovën, në shumë fusha.Duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani në Kosovë, ministri Brende, shprehu vullnetin e Norvegjisë për fuqizimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve.Gjatë takimit, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në fushën e drejtësisë, ekonomisë, në fushën e barazisë gjinore si dhe në fusha të tjera.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti poashtu sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, me të cilin bisedoi për raportet që të dy shtetet kanë ndërtuar midis tyre, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të tyre, në interes reciprok.Kryetari Veseli e njohu kryediplomatin norvegjez me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veçanti me jetën parlamentare.Veseli e falënderoi Brende për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, ndërsa theksoi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, si në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, ashtu edhe procesin euro-integrues dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.Marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore me Norvegjinë, Veseli i konsideroi si vlerë të veçantë për Kosovën, të cilat, sipas tij, kanë ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.Ministri i jashtëm norvegjez, Borge Brende, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë e veçantë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe për zhvillimet pozitive në vendin tonë.Kreu i diplomacisë norvegjeze konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tij për Kosovën dhe aspiratat e saj euro-atlantike, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për të gjithë rajonin. Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Børge Brende, po viziton sot Kosovën, ku në takimet e zhvilluara gjatë pasditës në axhendë është edhe pritja nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.Pas takimit, ministrat Hoxhaj dhe Brende do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi në ambientet qeverisë së Kosovës.Norvegjia është shteti i 34-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së.
Hoxhaj pret mbështetjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik të Kosoves/
Prishtinë, 14 shkurt 2017/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar homologun e tij norvegjez, Børge Brende. Duke e falenderuar për përkrahjen e vazhdueshme që Norvegjia ia ka ofruar Kosovës në shtetndërtimin e saj, ministri Hoxhaj ka theksuar se shteti norvegjez vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, të cilën po vazhdon ta përkrah edhe më tej në konsolidimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.Me këtë rast Hoxhaj ka bërë me dije se me ministrin Brende, kanë disktuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha të ndryshme si në ekonomi, në çështjen e sigurisë si dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. “Kemi biseduar si të rrisim mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe si të kemi investitorë nga ky shtet. Për këtë në një të ardhme do të organizojmë një forum të përbashkët ekonomik me qëllim të tërheqjes së investimeve nga Norvegjia”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.
Hoxhaj ka theksuar se falë përkrahjes së vazhdueshme nga ky shtet, Kosova vazhdon të mbetet faktor stabilieti, i sigurisë dhe i paqes në rajon. Ndërsa ka shtuar se ka kërkuar ndihmë nga homologu i tij edhe për ndërtimin e marrëveshjeve kontraktuale ndëmjet Kosovës dhe NATO-së.Hoxhaj është shprehur se Republika e Kosovës pret që ky shtet të vazhoj ta përkrah Kosovën edhe më tej gjatë procesit të aplikimit në organizatat ndërkombëtare si dhe të përfitoj nga përvoja norvegjeze për shtrirje të sovranititeti përmes anëtarësimit.Nga ana tjetër ministri, Brende derisa ka kujtuar se shteti i tij ka përkrahur në vazhdimësi Republikën e Kosvës, ka theksuar se Norvegjia është mbështetëse e madhe e agjendës së Kosovës. Si shtet anëtar i NATO-së, ai ka deklaruar se Norvegjia brengoset për Ballkanin Perendimor dhe siç ka shtuar ai ky shtet dëshiron të jetë partner në rritjen e stabilitetit në këtë pjesë të rajonit.Ndërsa, sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ministri Brende ka vlerësuar se është një proces shumë i rëndësishëm dhe se Norvegjia e mbështet plotësisht këtë proces.