Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-
25 MJEKË DHE PUNONJËS SHKENCORË SHQIPTARË BOTIM SPECIAL ANTI-COVID –
Të ndodhur përpara një periudhë të vështirë, ku projeksionet më serioze janë duke dëftuar një rritje potenciale të rasteve në muajt në vazhdim, ekipi Anti-COVID-19 i HEDA Albania , tashmë i zgjeruar me më shumë 25 anëtarë, nga më shumë se 35 institucione, spitale, organizata kërkimore shkencore, akademike, klinike dhe epidemiologjike (brenda dhe jashtë Shqipërisë), sjell për profesionistët shqipfolës të shëndetit për herë të parë një përditësim shkencor të standartit më të lartë dhe me peer-review në shqip, me mbi 50 ilustrime dhe skema sqaruese, tabela, projeksione dhe algoritme klinike, për të mbështetur profesionistët shqifolës të shëndetit. Ky botim vjen me një mesazh të dedikuar nga anëtarja e Komitetit Teknik-Shkencor Anti-COVID-19 të Qeverisë Italiane Prof. Dr. Giovannella Baggio.
STUDIMI “PËRTEJ MUSHKËRISË”
Kjo punë është realizuar pas shqyrtimit të kërkesave që kanë ardhur në adresën tonë gjatë kësaj periudhe 3 mujore dhe pas nëj konsultimi aktiv me anëtarë të personelit shëndetësor shqipfolës. Si rrjedhojë ekipi i zgjeruar Anti-COVID i HEDA Albania, ka realizuar këtë sintetizim të më shumë se 500 hulumtimeve shkencore dhe ka botuar një ‘Përditësim shkencor me temë gjithpërmbledhëse ‘PËRTEJ MUSHKËRISË’: një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19’. Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19. Qëllimi i këtij dokumenti është përmbledhja sa më e përshtatshme dhe e saktë e evidencave të disponueshme aktualisht, në mënyrë që t’i vihet në ndihmë dhe në dispozicion profesionistëve dhe asaj pjese të publikut që është e interesuar për informacion e përditësim të detajuar shkencor të bazuar në evidenca. Këtu ofrohen ‘mjete’ praktike për epidemiologjinë, gjurmimin, terapinë, dhe evidencat më të fundit shkencore mbi menaxhimin e pacientit nga burimet më të përshtatshme dhe besueshme, si dhe nga komunikime aktive me profesionistët dhe institucionet ku një pjesë e ekipit të HEDA është duke ushtruar veprimtarinë kërkimore, epidemiologjike apo klinike. Ky dokument është realizuar pa mbështetje financiare të institucioneve nga brenda apo jashtë Shqipërisë. Të gjithë autoret nuk kanë asnjë konflikt interesi. E gjitha është realizuar nga një bashkëpunim i pashembullt i profesionistëve e shkencëtarëve Shqiptar nga e gjithë bota.
STUDIMI I RI
“Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19”. Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania sjell për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 . Për realizimin e këtij dokumenti janë sintetizuar më shumë se 500 hulumtime shkencore. Ky botim prej 112 faqesh përbëhet nga shtatë elementë integral si vijon: Udhëzues mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19, Konsiderata sistemike patologjike për pacientët me kushte shëndetësore ekzistuese dhe COVID-19, Pasqyra praktike për praktikën epidemiologjike dhe klinike, Konsiderata të terapive aktuale, Përmbledhje të hulumtimeve që konfirmojnë manifestimet sistemike të COVID-19, Ilustrime përmbledhëse në shqip, Vizion për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri.
KUSH JANË SHKENCËTARËT SHQIPTARË QË PËRGATITËN STUDIMIN
Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania që solli për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 me titull: “Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19” janë: Erand LLANAJ, MPH, MSc, PhD (c), Denisa BACI, PhD, Aldi PUPULEKU Phd, Julia DARAGJATI PhD, Mirela KUKA PhD, Livia TEPSHI PhD,Teuta MUHOLLARI, MPH, MSc, PhD (c), Ina MEXHITAJ, PhD, Irma KUKA MSc, Aseda TENA MSc, PhD (c), Lisiena HYSENAJ MSc, PhD, Novruz CAUSHAJ MD, MSc, Edvin ZEKAJ MD, Geriolda TOPI MD, PhD (c), Ambra HYSKAJ MPH, MSc, PhD (c), Rigers GJYLI MD, , Hamëz GACAFERI, MD, DPhil (c), Drieda ZAÇE, MD, MSc, PhD (c), Ilda HOXHAJ, MD, MSc, PhD (c), Eriona HETA, MSc, PhD, Meri LUKA MD, Bledi MASATI MD, Nertil PETRO MD, Genada SINANI, PhD, dhe Gentian MUSA,PhD.