-Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, është mbajtur një takim trepalësh/
-Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Edita Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë. “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe nuk e bisedojmë me askënd”, deklaroi ministrja kosovare/
BRUKSEL, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI/ Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, është mbajtur një takim trepalësh, për ta vlerësuar gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, me theks të veçantë për bllokadën që Serbia ia krijoi marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës.
Me këtë rast, thekson njoftimi i dërguar, ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të prekshme në këto vite të rrjedhës së vet, mirëpo kjo periudhë shquhet me tensione sidomos për faktin që Serbia bllokoi zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik, si dhe arrestimin arbitrarë të zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, që po vazhdon të mbahet në arrest në Serbi. Ministrja Tahiri kërkoi që BE-ja të vazhdojë angazhimet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik dhe pavarësimin e KOSTT-it, sepse janë marrëveshje që po diskutohen tani e pesë vjet dhe nuk është arritur rezultati i përcaktuar me marrëveshjet.
Ministrja Tahiri po ashtu e përsëriti kërkesën e lirimit të Nehat Thaçit, duke thënë që Serbia nuk mund dhe nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe se kjo sjellje e Serbisë po e dëmton edhe vet procesin e dialogut të Brukselit.
Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë. “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe nuk e bisedojmë me askënd”, deklaroi ministrja Tahiri.
Ajo po ashtu theksoi se kjo nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet asnjëherë në dialog. “Kosova nuk do të pranoj hapjen dhe diskutimin e temave të brendshme shtetërore për të cilat vendosë vetëm Kosova”, siguroi ministrja Tahiri.Ajo po ashtu theksoi se një palë nuk mund të imponojë hapjen e temave në dialog sepse për një gjë të tillë kërkohet pajtimi i të dy palëve pasi që po ashtu ky është edhe parimi themelor i dialogut të Brukselit i cili bazohet në respektimin e juridiksioneve të dyja shteteve.Krejt në fund të takimit, thekson njoftimi, ministrja Tahiri i rikujtoi palës Serbe së janë të kota tendencat e tyre për diplomaci në Bruksel rreth çështjes së Trepçës, pasi që njëzet e tre nga vendet anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se tashmë Kosova ka hyrë në marrëveshje kontraktuale me BE-në duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
NË BRUKSEL U MBAJT EDHE TAKIMI PËR DIPLOMAT
Bruksel, 20 tetor 2016/Në një njoftim tjetër të dërguar theksohet: Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi tre palësh për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 10 janar 2016 e cila parasheh fillimin e njohjes së diplomave.
Në këtë takim delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore, raportoi përgatitjet për zbatimin e kësaj marrëveshje si dhe mirëpriti faktin që BE ricaktoi organizatën SPARK për administrimin e procesit të aplikimit për certifikim të diplomave.
Po ashtu u vlerësua përcaktimi i mekanizmit të BE-së për certifikimin e diplomave të cilat pastaj të dyja shtetet obligohen t’i pranojnë në bazë të marrëveshjes. Në takim po ashtu edhe pala serbe dha një raport për përgatitjet rreth zbatimit të marrëveshjes.
BE e vlerësoi progresin e arritur, si dhe theksoi se në të ardhmen do të mbahet edhe një takim për të finalizuar të gjitha aktivitetet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.
Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri dhe kishte në përbërje: Arjeta Rexhaj, koordinatore për çështjen, Qemajl Marmullakaj, koordinator profesional dhe drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM, Bekim Samadraxha, udhëheqës i divizionit në Arsim të lartë në MASHT, Gazmir Raci, këshilltarë politik dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel./b.j/