• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nishani: 2017, viti kur reforma duhet të fillojë të flasë

January 1, 2017 by dgreca

Mesazhi i urimit të Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani me rastin e Vitit të Ri 2017/

1-presidenti-nishani-urimi-vitit-te-ri

Të dashur bashkëqytetarë,/

Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni,/

Motra dhe vëllezër,/

Mirëmbrëma të gjithëve!/Erdhëm në fundin e një viti tjetër, që na mbledh me njëri-tjetrin në vatrat familjare, siç është traditë tashmë, në një mbrëmje të veçantë reflektimi, gëzimi, ëndërrimi për nesër.Kjo është festa e përbotshme e ndërrimit të viteve, e kapërcimit nga një fund në një fillim, e nisjes së re të gjithsecilit në rrugën e mrekullueshme të jetës, pavarësisht pengesave dhe vështirësive.Në këtë festë të madhe, në këtë botë të madhe, ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët, një popull jo shumë i madh në numër, por nga më të vjetrit, që ka lindur dhe dëshiron të jetë përgjithmonë pjesë e familjes euro-atlantike.Sonte është nata e miliona urimeve për një vit më të mirë, më të mbarë, më të begatë, për të gjithë shqiptarët në të katër anët e globit.

Motra dhe vëllezër,

Ndihem vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar pa dyshim dhe do të doja t’ju uroja një për një, në cilësinë e Presidentit të Republikës, në emër të shtetit shqiptar!

Në pamundësi, me lejoni të veçoj, apo më saktë, t’ju ftoj të bashkojmë urimin tonë të përbashkët, nga thellësia e shpirtit, për disa grupe apo individë që na ftojnë për kujdesje dhe solidaritet më shumë se të tjerët.Urimin e parë e kam për fëmijët, bukuria e shtëpive tona, shpresa e së ardhmes sonë: Gëzuar të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, t’i kemi me jetë, të bukur, të shëndetshëm, të qeshur, të lumtur, plot dritë si e ardhmja që ëndërrojmë të ndërtojmë!Urimi ynë për një vit më të mirë dhe më të gëzueshëm shkon për ato familje që sot u mungojnë të afërmit e tyre, për jetimët, për fëmijët dhe familjet e të gjithë të rënëve në krye të detyrës.

Një urim të veçantë për të gjithë ata bashkatdhetarë, të cilët, për një arsye apo një tjetër, nuk janë pranë familjeve të tyre sonte, nuk festojnë në vatrat e ngrohta familjare. Kam parasysh të sëmurët në spitale. Kam parasysh të gjithë ata që kjo natë i gjen në krye të detyrës – mjekët, infermierët, forcat e rendit, punonjës të sektorëve të tjerë – duke qenë se vendi ka nevojë çdo çast për rend dhe shërbime.

Si gjithnjë le t’i japim rrugë urimit të veçantë, në emër të mbarë shqiptarëve, për forcat tona ushtarake në Afganistan dhe kudo tjetër ata shërbejnë e që mbajnë lart flamurin tonë kombëtar kuq e zi në përpjekjen e madhe botërore për paqe, rend, siguri e përparim.

Të gjithëve dua t’u them: të afërmit tuaj janë me ju sonte! Shqipëria është me ju, unë jam me ju. Gëzuar!

Motra dhe vëllezër,

Viti 2016 që po lëmë pas, veç vështirësive, ka shënuar edhe disa ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, që sonte i kujtojmë.

Dua ta filloj me një nga ngjarjet më gjithëpërfshirëse, siç ishte pjesëmarrja për herë të parë e ekipit tonë kombëtar të futbollit në Kampionatin Evropian, që u zhvillua në Francë. Ishte vërtet mbresëlënëse ajo që pamë në fushën e lojës dhe jashtë saj. Lojtarët e kombëtares dhe tifozeria jonë e jashtëzakonshme e transformuan muajin qershor në një muaj feste për të gjithë kombin duke i transmetuar mbarë globit fytyrën tonë të vërtetë, bukurinë e popullit shqiptar.

Më 22 korrik, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, miratoi konsensualisht Reformën Kushtetuese në Drejtësi, duke i hapur rrugë një ndryshimi thelbësor në sistemin tonë të drejtësisë, por dhe në tërësi marrëdhënieve mes tre pushteteve, atij Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor.

Viti 2017 duhet të jetë viti që kjo reformë të fillojë të flasë me vepra.

Më 4 shtator, u zhvillua në Vatikan ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës, kësaj gruaje të rrallë të njerëzimit, e cila i përkiste Shqipërisë nga gjaku dhe origjina.

Dy muaj më pas, më 5 nëntor, po në Vatikan, Papa Françesku, me urtësinë dhe lartësinë e misionit të tij të shenjtë, lumturoi 38 martirët e ekzekutuar gjatë regjimit komunist.

Këto janë ngjarje të mëdha për memorien tonë kolektive. Midis këtyre ngjarjeve kulmore ka plot ngjarje të tjera kuptimplotë që kanë shënuar vitin që po lëmë pas.

Të dashur bashkëqytetarë,

Hapja e Negociatave për anëtarësim do kish qenë një moment kulmor gëzimi në epilogun e këtij viti, e megjithatë ky vendim i Këshillit Evropian na ndërgjegjëson edhe më shumë se kemi ende shumë punë për të bërë dhe shumë sfida për t’u përballur.

Rezultatet konkrete me Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, në respektimin e të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbëjnë sprovën tonë të madhe.

Zgjedhjet e 18 qershorit të ardhshëm përbëjnë një moment vendimtar për demokracinë tonë. Standardi i këtyre zgjedhjeve është kriteri kryesor për një mundësi që të shkojmë më përpara në përmirësimin e jetës sonë të përditshme. Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kam dhe një apel të sinqertë, mbi të gjitha për liderët politikë.

Është koha për një marrëveshje politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është koha ta mbyllim një herë e përgjithmonë kapitullin e shitblerjes së votës, e kërcënimit të votuesit me bukën e përditshme;

Është koha të garojnë alternativat politike-ekonomike për t’i sigururar vendit një qeverisje më të mirë, për të rikthyer besimin tek politika, për të rikthyer shpresën tek qytetarët që vazhdojnë të largohen në masë.

Dua gjithashtu t’u përcjell një apel në cilësinë e Presidentit të Republikës të gjithë drejtuesve dhe përfaqësuesve të agjensive ligjzbatuese, Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimeve Inteligjente, partnerëve tanë ndërkombëtarë, shoqërisë civile, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Viti 2016 është një njollë e zezë për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Ky fenomen dhe mosluftimi i tij përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Ndaj, si qytetar shqiptar, si prind, që dua ta shoh, sikurse të gjithë ju, të ardhmen e fëmijëve të mi në këtë vend, gjej rastin t’i jap sërish zë këtij shqetësimi dhe të sensibilizoj opinionin publik mbi kërcënimin real të këtij fenomeni, aq më tepër në këtë vit zgjedhor.

Vështirësitë ekonomike, problemet dhe dramat e qytetarëve le të jenë një apel i ri për vendimarrësit, për drejtuesit e institucioneve dhe për politikanët në veçanti për të bërë atë që presin shqiptarët prej tyre.

Urimi im është që Viti 2017 të shënojë një kthesë të fortë e pozitive në gjithë politikëbërjen në vend për të kapur kohën e humbur, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, për mirëqenien, dinjitetin dhe sigurinë e gjithë qytetarëve.

Të dashur bashkëqytetarë,

Tani numërimi mbrapsht i minutave ka filluar. Të gjithë ju po bëheni gati të takoni gotat dhe të shkëmbeni përqafimet e momentit të ndërrimit të viteve.

Më lejoni t’ju uroj nga zemra të gjithëve: Gëzuar Vitin e Ri 2017!

Qoftë një vit i mbarë e i begatë për ju, familjen tuaj, të afërmit e miqtë tuaj, një vit i mbushur me më shumë dashuri, përkushtim dhe solidaritet në familjet tona, në shoqërinë tonë, në Shqipërinë tonë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Gëzuar!

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, bujar nishani, Mesazhi i urimit, të Presidentit të Republikës SH.T.Z.

Diaspora -LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI

September 23, 2016 by dgreca

PSE NUK DO TË MARR PJESË NË TAKIMIN E PRESIDENTIT NISHANI ME BASHKATDHETARËT NË NJU JORK?/

NGA XHELADIN ZENELI/

I nderuari President Nishani,

Së pari dëshiroj t’ju falenderoj për ftesën tuaj në takimin që Ju do të mbani në Nju Jork, këtë të Premte me 23 Shtator me pjesëtarët e komunitetit shqiptar .Në një rrethanë tjetër, do të ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë për mu që të marr pjesë në këtë takim, por më vjen keq që kësaj rradhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese për arsyen që do t’a potencoj më poshtë.

Me 12 Korrik të këtij viti, zyra e Presidentit të Shqipërisë, pra zyra e Juaj i ndau kryeministrit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, e cila iu dorozua nga kryetari i kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta me rastin e vizitës së tij në Podgoricë,dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë . Mendoj se vendimi për dekorimin e kryeministrit Gjukanoviq nga zyra e Juaj ishte e nxituar dhe si e tillë tepër e gabuar, për shkak se shteti shqiptar dekoroj kryeministrin i cili mban përgjegjësinë kryesore e mos realizimit e të drejtave të plota të shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë 25 viteve të fundit, dhe si e tillë është fyese për aspiratat e shqiptarëve autokton në këtë shtet dhe së dyti, shteti shqiptar dekoroj politikanin më të korruptuar në rajon.

Z. President,
Supozoj se një gjest i tillë ishte i nxitur nga motivi i përforëcimit të marrëdhenieve fqinjësore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por unë mendoj se pikë së pari, këto marrëdhënie duhen të bazohen në politikë parimore të shtetit tonë amë,ku prioriteti kryesor duhet të jetë interesi kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të asaj pjese të popullit e cila jeton jashtë kufijvë administrativ të tij, pra të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Të drejtat e tyre nuk mbrohen duke akorduar dekorime por duke hapur dialog me mirëkuptim të ndërsjelltë për çështje të hapura. Çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi është gjithënjë çështje e hapur dhe e pazgjidhur. Niveli i realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, do të duhej të ishte barometri kryesor i nivelit të marrëdhënieve me Malin e Zi nga ana e shtetit të cilët ne preferojmë t’a quajmë ” amë”, pra nga Shqipëria.

I nderuari President ,
Gjithashtu, akordimi i dekoratës në fjalë, dashur apo pa dashur nënkupton ate që Shqipëria aprovon metodat asimiluese dhe ç’kombëtarizuese që regjimi i Gjukanoviqit dhe i partisë së tij ( PDS) aplikon ndaj shqiptarëve me dekada me radhë. Për statusin e pa barabartë të shqiptarëve në Mal të Zi dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të cilat konstatojnë shkeljen e të drejtave të tyre kolektive kombëtare në shumë sfera të jetës si në ekonomi,punësim, përfaqësimin proporcional në organet e administratës shtetërore, arsimim, qeverisjen lokale në vendbanimet shqiptare, çështjet pronësore, planet hapësinore,infrastrukturë etj.

Z. President,
Nuk e di se a jeni në dijeni se pak kohë para dekorimit të kryeministrit malazez me ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, së paku në dy rastet e fundit në Ulqin dhe Budvë) u gjobitën shqiptarët për mënyrën festive të përdorimit të flamurit shqiptar. Ironia më e madhe është ajo se derisa në njërën anë kryeministrit malazez i dorëzohet dekorata me simbolin tonë kombëtar, në anën tjetër qeveria e tij, për të njëjtin simbol,dënon qytetarët shqiptarë!. Gjithashtu, nuk e di se a jeni në dijeni që në Mal të Zi egziston një ligj ( Ligji për Rendin dhe Qetësinë) i cili është aprovuar nga kuvendi dhe zbatohet nga qeveria e Millo Gjukanoviqit, flamurin shqiptar, i cili njëherit është edhe flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi, e konsideron si flamur i “një shteti tjetër” apo i një “shteti të huaj”, dhe si i tillë kufizon dukshëm përdorimin e tij në shtetin me të cilin Tirana zyrtare shpeshëherë thekson se ka ” marrëdhënie të shkëlqyera miqësore”.

Z. President,
Dekorimi i kryeministrit malazez ishte poashtu mohim i punës dhe veprimtarisë së organizatave shqiptare në diasporë me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi të cilat angazhohen me vite me radhë për lobizmin dhe sensibilizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në at shtet. Ju rikujtojmë se me 8 Prill të vitit 2014 organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA në bashkëpunim dhe me përkrahjen e disa organizatave të tjera të kumunitetit shqiptar dhe me mbështetjen e fuqishme të anëtarit të Asamblesë së Nju Jork-ut ,z. Mark Gjonaj, organizuan protestë paqësore para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në të njëjtën ditë kur kryeministri Gjukanoviq vizitoj kryeqyetin amerikan,protestë kjo e cila u cilësu nga disa mediume shqiptare si ” protesta më e madhe e dekadës në Uashington”. Kjo protestë kishte për qëllim ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi , përkrahjen e aspiratave për realizimin e të drejtave të plota të tyre dhe kundërshtimin e politikës diskriminuese të pushtetit malazez me në krye z. Gjukanoviq.

Përveç aspektit të mohimit të drejtave të shqiptarëve, me dekorimin e z. Gjukanoviq u bë edhe një gabim në aspektin moral.
Në fillim të këtij viti, Millo Gjukanoviq muar titullin “kriminel i vitit” nga organizata e njohur Projekti Raportues i Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit ( OCCRP) e cila merret me hetimin e korrupcionit të politikanëve dhe qeveritarëve të vendeve të ndryshme dhe si i tillë do të duhej të ishte personi i fundit që të konsiderohet për t’u dekoruar !

I nderuari z. President Nishani,

Me shpresë se do t’a kuptoni drejtë shqetësimin tim,shqetësim ky të cili mendoj se e ndaj edhe me shumë bashkëvendas dhe bashkatdhetarë të mij, si dhe me shpresë që Tirana zyrtare ( pra, shteti ynë amë) në të ardhmen do të demonstrojë më shumë ndieshmëri dhe ndërgjegje për vëllezërit dhe motrat tyre të një kombi,gjaku, gjuhe e flamuri, të cilët patin fatin e hidhur të jetojnë jashtë kufijëve administrativ të saj,
Ju përshëndes dhe uroj vizitë sa më të këndshme në Nju Jork !

Me nderime,

XHELADIN ZENELI

(Xheladin Zeneli eshte Ish-Deputet në Parlamentin e Malit të Zi)

Filed Under: Opinion Tagged With: bujar nishani, Leter Presidentit, xheladin Zeneli

Veprimtaritë e Presidentit NISHANI më Nju Jork, 22 Shtator

September 22, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani dhe Zonja Nishani morën pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama/

1-nishani-obama

Presidenti Nishani merr pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim/

22 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim, që u hap nga Sekretari Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve Kreu i Shtetit shqiptar theksoi mes të tjerash që: “Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.”

Presidenti Nishani duke nënvizuar rëndësinë e së Drejtës për Zhvillim, vuri në dukje se ajo përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë dhe se Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani:

“I nderuar President i Asamblesë së Përgjithshme, zoti Peter Thompson,

Lartësia Juaj, Princ Zaid Ra’ad Al Hysein,

Zonja dhe zotërinj!

Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar t’i drejtohem sot para jush këtij segmenti të nivelit kaq të lartë për të përkujtuar 30-vjetorin e Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim.

Shpallja e të Drejtës për Zhvillim si e drejtë e patjetërsueshme e njeriut sipas së cilës të gjithë njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë e të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik në të cilin të gjitha të drejtat themelore të njeriut dhe liria mund të përmbushen plotësisht, është një parim sa njerëzor aq dhe universal, i cili duke theksuar me përparësi mirëqenien e individit, e angazhon me më shumë përgjegjësi politikëbërjen e vendeve tona.

Viti 2016 shënon 30-vjetorin e Deklaratës që mundëson çdokënd të gëzojë të drejtën për të qenë pjesëmarrës e për të kontribuuar në zhvillimet botërore. Megjithatë ende është shumë i madh numri i fëmijëve, burrave e grave, aktorë dhe faktorë të zhvillimit, që jetojnë çdo ditë me nevojën e madhe të realizimit të të drejtës së tyre për dinjitet, liri, barazi shansesh, çka përkthehet direkt në përballimin e një sërë sfidash bashkëkohore dhe mbrojtjen e një numri të drejtash civile, politike, ekonomike, sociale e kulturore.

Shqipëria ka qenë e gatshme për të plotësuar angazhimet që rrodhën nga nënshkrimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit. Institucionet shtetërore shqiptare janë të përfshira në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke e reflektuar këtë angazhim në miratimin e një agjende zhvillimi, në “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020”, si dokument i rëndësishëm që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.

Gjithashtu, vendi im është i angazhuar dhe jep një kontribut të qenësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Shqipëria nxit seriozisht procesin e bashkëpunimit rajonal duke qenë pjesëtare aktive në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Evropës Juglindore. Ne besojmë se ky angazhim i shërben jo vetëm promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit midis vendeve të rajonit, por edhe zhvillimit të vendeve tona, si rrjedhojë përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Ne besojmë se sfidat aktuale me të cilat përballemi sot, si: lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, korrupsionit, etj., mund të përballohen vetëm duke forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona.

Ndaj dhe e Drejta për Zhvillim përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë.

Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Duke përfituar nga rasti i kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme plenare, urojmë suksese në vijimësi për të paraqitur dhe ndarë bashkërisht praktikat më të mira, përvojën e vyer, ide dhe sugjerime të vlefshme se si mund të zhvillojmë më tej përparimin e ta masim atë në vazhdimësi.

Ju falemnderit!”/

Kreu i Shtetit shqiptar takohet me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC), Ronald Lauder

22 shtator 2016, Nju-Jork

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua dhe zhvilloi disa takime pune me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC) dhe delegacionin që e shoqëronte, me përfaqësues të organizatës hebreje B’Nai B’rith, si dhe me themeluesin dhe drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore, Dr. Gregory Lafitte.

Zoti Lauder dhe anëtarët e tjerë të KBH-së e falënderuan Presidentin Nishani për qëndrimin që vendi ynë ka mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke vlerësuar Shqipërinë si një vend miqësor ndaj hebrenjve dhe Izraelit.

Duke vënë në dukje se mes kombit shqiptar dhe atij hebre ekzistojnë një miqësi dhe partneritet i veçantë historik dhe vlera e parime të përbashkëta, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thellohen e të zgjerohen edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike.

Duke pasur parasysh burimet e shumta e të pasura natyrore, klimën dhe pozicionin gjeografik të favorshëm, legjislacionin lehtësues, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti Lauder ndanë bindjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve izraelitë dhe atyre hebreo-amerikanë duhet të jenë më të pranishme dhe në rritje me projekte konkrete në Shqipëri për vetë potencialet dhe mundësitë e mëdha që vendi ynë ajo ofron në fusha si turizmi, hoteleria, bujqësia, etj.

Drejtuesi Gary Saltzman dhe anëtarët e tjerë të Organizatës B’Nai B’rith, e cila shquhet për rolin e saj në mbrojtjen dhe avokacinë e hebrenjve dhe Izraelit, vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit në ditët e sotme, ai shpëtim i rrallë, së bashku me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbeten shumë aktuale dhe frymëzuese edhe në ditët e sotme.

Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka hasur një jehonë të gjerë edhe përtej kufijve të kontinentit evropian e më gjerë, i çmoi këto takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se duhet: “Të ruajmë kulturën, identitetin, civilizimin dhe vlerat e përbashkëta që po kërcënohen seriozisht nga terrorizmi, ekstremizmi i verbër dhe urrejtja”.

“Kjo përvojë pozitive si dhe miqësia e konsoliduar historike i ka forcuar më shumë marrëdhëniet e gjithanshme mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Ndërsa në takimin me Dr. Gregory Lafitte, drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se gjesti fisnik i shqiptarve në shpëtim dhe strehim të hebrenjve si dhe modeli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mund të shërbejnë jo vetëm si shembuj për të rritur imazhin e Shqipërisë, por edhe si mjete efektive për diplomacinë kulturore në përpjekjet e saj të luftës kundër mungesës së tolerancës dhe ekstremizmit, si dhe për shkëmbimin e kulturave dhe trashëgimisë së vyer për brezat e ardhshëm.

Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit gjatë këtyre takimeve pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Kongresit Botëror Hebraik dhe organizatave të tjera të ngjashme hebreje në Izrael, Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, padyshim që do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Presidenti Nishani depozitoi pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për Klimën/

22 shtator 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, mori pjesë në ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm, krahas shumë krerëve të tjerë të shteteve, instrumentin e ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Shqipëria, e cila ka si objektiv luftën kundër ndryshimeve klimatike, si dhe rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse.

Marrëveshja u nënshkrua nga pala shqiptare, më 22.4.2016, në Nju Jork dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më 14.07.2016.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 22 Shtator, Ban Kee Moon, bujar nishani, ne OKB, Obama, Takimet e Presidentit

PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN BUJAR NISHANI, THIRRJE GJYKATËS KUSHTETUESE

March 30, 2016 by dgreca

PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN E REPUBLIKËS ZOTIN BUJAR NISHANI, NË MBROJTJE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE TË KUSHTETS DHEPRESIN TË NJËJTIN QENDRIM NGA GJYKATA KUSHTETUESE./

Kryesia e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”  shpreh publikisht respekt dhe falenderim për Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani për qëndrimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtes se pronës së trashëguar konform detyrimeve kushtetuese dhe kërkojmë reflektim të njëjtë juridik, profesional dhe patriotik edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Vemë në dukje që zoti Bujar Nishani President i Republikës, në ndryshim nga të gjithë presidentët e periudhës postkomuniste, e kundërshtoi ligjin nr 133/2015 në Gjykatën Kushtetuese por edhe në Strasburg dhe tregoi se Presidenti duhet dhe mund të jetë garant i Kushtetutës.Janë shumë të pakta familjet që kanë arritur ta marrin  pronën që ju është konfiskuar nga diktatura sepse legjislacioni për pronën 1991-2016 dhe ligji që kundërshtojmë janë në shkelje flagrante të detyrimeve kushtetuese. Ligji i fundit nr 133/2015, kërkon të justifikojë të gjitha aktet e bazuara në legjislacionin kontradiktor dhe antikushtetues të periudhës 1991-2015, por dhe aktet e tjera pa asnjë bazë ligjore, me të cilat Shteti ka shkelur të drejtën e pronësisë dhe ka realizuar anarkinë e titujve të pronësisë.

Ne kemi denoncuar publikisht se ligji nr 133/2015 i miratuar nga qeveria Rama, jo vetëm që nuk e zgjidh problemin e anarkisë postkomuniste 25 vjeçare të titujve të pronësisë por me efektet e tij të afërta ky ligj e thellon prishjen e identitetit tonë kombëtar dhe e fut Shqipërinë në rrugën e vetshkatërimit. Në mbrojtje të këtij ligji sot kanë dalë Ministri i Drejtësisë z. Manjani dhe znj. Sonila Qato, drejtoresha e Agjensisë Kthimit dhe Kompensimit Pronave, që tani ka ndryshuar emrin në Agjensi e Trajtimit të Pronave. Prona e konfiskuar po vazhdon të trajtohet për të plotësuar interest e politikanëve dhe pronarët  nuk kanë ku të ankohen. Ne kërojmë që mediat elektronike dhe ato të shkruara të mos pranojnë dikatin e politikanëve por lënë hapësirë edhe për shoqatat që ne ti përgjigjemi drejtërdrejt akteve të tyre të gabuara .

Kompesimi që parashikon ligji 133/2015 është në shkelje flagrante me kërkesën e nenit 181, është kuptim i gabuar ose abuzim me nenin 17 të Kushtetutës  dhe shërben për ta shkatëruar shtetin dhe për ta kthyer Shqipërinë në shprehje gjeografike. Për sa kohë do të  vazhdojë kjo situatë e nderë ku Shteti shkel Kushatutën do të vazhdojnë të thellohen efektet negative të anarkisë institucionale. Ne nuk jemi kundër kompensimit dhe as kundër legalizimit të ndërtimeve informale, por kërkojmë zbatimin e Kushtetutës dhe jo abuzimin në emër të interesit publik.

Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, patriotizëm dhe moral në nivelin e duhur për ta zbatuar Kushtetutën. Kodi Civil, Kodi Moral, Tradita dhe Kodi Zakonor, Bibla dhe Kurani i shenjtë njohin të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e përdorimit. Por me ligjin nr 133/2015 Qeveria e ka shkelur brutalisht Kushtetutën. Neni 15/2 i Kushtetutës në fuqi thotë : Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut “ dhe të kontribuojnë për realizimin e tyre. Meqenëse prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil (Neni 41/2 i Kushtetutës), kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore (Neni 44). Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, që kanë të bëjnë me shpronësimet e konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të (Neni 181/2).

Sot në 2016 nuk e dijmë shifrën zyrtare se sa është numuri i akteve që nuk kanë asnjë bazë ligjore por janë dhënë  për interesa korruptive nga KKKP dhe kryetarët e AKKP por shembujt që ne mund të japim janë pafund.  Shoqata jonë në vitin 2013 ka paraqitur në të gjitha institucionet shtetërore propozimin që e zgjidh problemin e pronave, por arsyetimi ynë nuk është marrë në konsideratë për shkak të prevalencës së interesave të klaneve mafioze.

Deri sot pronarit AKKP (Shteti), i ka kërkuar 30 dokumenta, thejsht për ta penguar dhe sot drejtoresha e ATP kërkon vetëm dy dokumenta, për ta mashtruar.  Pronarët nuk po kërkojnë atë që ju ka humbur dhe dikush e paska gjetur dhe duhet identifikuar pronari. Pronarët kërkojnë pronën dhe të drejtën e tyre të grabitur, që Shteti duhet tua kishte kthyer që në vitin 1991. Zgjidhja e drejtë e problemit të pronës  nuk ka nevojë për asnjë dokument, por ka të domosdoshëm rrëzimin e ligjit 133/2015 dhe shqyrtimi i alternatives së pronarëve. Në Arkivin e Shtetit dhe zyrat e Kadastrave ndodhen të gjitha dokumentat e pronave të shtetëzuara nga Shteti në kohën e diktaturës. Kuvendi duhet të bëjë një ligj që të përcaktojë që zgjidhja e problemit të pronave me kthim fizik, kompensim dhe çlirim të tokave të pushtuara konform Kushtetutës të jetë detyrim i shtetit.

Vendimi i pritshëm I Gjykatës Kushtetuese për pezullimin dhe rrëzimin e ligjit të trajtimit të pronës Nr 133/2015 ka rëndësi dhe përgjegjësi historike. Gjykata Kushtetuese sot ndodhet para provës të së vërtetës. Kjo Gjykatë me vendimin që do të marri i ka të gjitha mundësitë për t’a futur Shqipërinë në rrugën e demokracisë, duke ja ngushtuar dhe mbyllur rrugën qarqeve antishqiptare, që prej shumë kohësh dhe me mënyra të ndryshme janë përpjekur për të na ndryshuar dhe mohuar historinë dhe tani kërkojnë të na mohojnë pronën e trashëguar ndër breza dhe shekuj, duke pretenduar se pronat tona do të vlerësohen. Asnjë pushtues nuk ka arritur ti bëjë një të keqe kaq të madhe popullit shqiptar. As Pashiçët dhe karaxhiçët që kanë bërë genocid, nuk kanë arritur të bëjnë ligj që pronat e pronarëve autoktonë do kenë një vlerë në para dhe se jane ata që do vendosin çmimin.

Nëse Shteti kërkon zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës, le të hapi  arkivat dhe konform dokumentave të shtetëzimit të dallojë dhe të ndajë pronat që i përkasin shtetit nga pronat që i janë shtetëzuar pronarëve. Pronat e shtetëzuara duhet tu kthehen trungut familjar që u janë grabitur dhe kompensim duhet të parashikojë sipas rastit ato pjesë të pronës, që nuk mund të kthehen pasi ajo është e tjetërsuar për nevoja publike. Kjo frymë është e përcaktuar qartë në shumë vendime, por ato vendime zbatohen në mënyrë klienteliste. Të tilla vendime janë: Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr 24 datë 13 Mars 2002 pika 2  që ka vendosur:  unifikimin e praktikës gjyqësore sikurse përcaktohet në këtë vendim.  Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Nr. 9 datë 30.11.1994, me kërkues grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në arsyetim është shprehur se:”shteti ka qenë bërë pronar pa të drejtë“, dhe më tej po aty thuhet se: “Nuk qëndron as pretendimi i tretë i këtij Grupi se neni 10 i ligjit të përmendur bie ndesh me nenin 27 të ligjit kushtetues “Për të Drejtat dhe liritë Themelore të Njeriut”, që parashikon se askujt nuk mund ti mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë. …. Kështu që  parimi kushtetues se askujt nuk mund ti mohohet të ketë pronë, mbron në rradhë të parë ish-pronarin që shteti i mëparshëm e zhveshi nga pronësia në mënyrë të padrejtë”.

Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.10 datë 30.11.1994 shprehet se:  “sepse dihej prejardhja e pronësisë së shtetit, që e kishte burimin nga marrja e padrejtë e trojeve të ish-pronarëve”, si dhe arsyetimi në vazhdim se “…është vendosur një e drejtë pronësie e marrë pa të drejtë nga shteti i mëparshëm”. Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.12 datë 21.03.2000, vendosi se prona duhet  t’i kthehet pronarit të shpronësuar me dhunë nga regjimi i kaluar edhe pse ato prona prej vitesh ishin shitur nga shteti në persona të tretë të cilët i patën blerë ato në mirëbesim dhe konform ligjeve të kohës. Në faqen 3 të arsyetimit të atij vendimi thuhet: ” Me këtë zgjidhje, ligjvënësi përsa i përket kthimit të pronës në origjinën e saj, d.m.th., tek ish – pronarët apo trashëgimtarët e tyre, ….synon të rregullojë, për aq sa është e mundur, padrejtësitë e bëra shtetasve të cilët u xhveshën në mënyrë të pa drejtë nga pronësia, nëpërmjet shtetëzimeve, konfiskimeve, shpronësimeve dhe me çdo mënyrë tjetër, për periudhën nga 29 nëntori 1944 e më pas.”

Gjykata e Strasburgut në çështjen “Ramadhi ” aplikimi 38222/02 i datës 13 Nëntor 2007 në paragrafët 75-84, njeh, si shkelje të Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës faktin që organet shtetërore kanë dështuar në përmbushjen e një vendimi te KKKPronave te vitit 1995 pasi i kane lënë palët në një gjendje të pasigurtë në lidhje me të drejtën e tyre të pronësisë. Drejtoresha e AKKP dhe Ministri i Drejtësisë e dijnë mirë se të ngjashme me vendimin Ramadhi etj janë shumica e 26000 vendimeve të KKKP.  Ata  janë në faj të rëndë kur pretendojnë se zgjidhjen e 11000  dosjeve që janë depozituar në Agjensi dhe të 26.000 vendimeve të marra nga KKKP dhe AKKP (një pjesë e mirë në shkelje flagrante me ligjet që në vetvete janë antikushtetuese) do ta trajtojnë me ligjin 133/2015 me kompensim. Pronarët janë të zgjuar dhe shumica e tyre do ti drejtohen GJEDNJ sepse të gjitha vendimet e GJEDNJ (vendimet Manushaqe Puto, Rista, Sharra, Siliqi etj.kundër Shqipërisë), kanë përcaktuar qartë se kompensimi do të bëhet me vlerën e vitit 2008 dhe jo sipas çmimeve të vitit 2014 siç kërkon Qeveria me ligjin që kundërshtojmë. Qeveria është në faj kur pa mbaruar kthimin ngutet të bëjë legalizime për të gjitha pushtimet e tokave që kanë bërë persona të tretë, përfshi dhe zonat turistike, sepse kështu përfitojnë për veten e tyre. Qeveria gabon kur bën sikur nuk kupton se cilat prona duhen të kompensohen, ndonse kjo del e qartë në vendimet e GJEDNJ edhe në rapotin e komisionerit Fleckenstain. Të gjitha këto përfshi edhe problemin e kompensimit dhe të legalizimeve i ka arsyetuar shumë mirë alternativa që ka propozuar Shoqata “Pronësi me Drejtësi” që drejtuesit e shtetit e kanë lënë pa e lexuar fare. Mjafton të themi se ligjet aktuale që kanë dhënë dokumeta pronësie  dhe 26.000 vendimet që deklaron AKKP , në shumicën e rasteve janë në shkelje me nenin 181 të Kushtetutës. Aktet e KKKPve i kanë dhënë pronë pjesës së familjes që jeton në fshat, duke përjashtuar një pjesë të trashëgimtarëve me banim në qytet. Kjo ka futur konfliktin brenda trashëgimtarëve ose KKKP kanë bërë pronarë persona  që nuk kanë asnjë dokument trashëgimie për pronën që kanë përfituar. Vetë Kryeministri Edi Rama por dhe deputetë të tjere të majtë dhe të djathtë, kanë deklaruar në Kuvend se për shkak të anarkisë së pronës janë vrarë mbi 8000 persona. Por mesa kuptohet deputetëve ju paska intersuar vetëm debati parlamentar me kundërshtarin dhe nuk i paska shqetësuar aspak numuri i viktimave !!

Shprehim besim se Gjykata Kushtetuese do ta ndalojë këtë hap të gabuar të politikanëve, nuk do ti nënështrohet “kapriços” dhe presionit të tyre dhe do tregohet në lartësinë e duhur duke korrigjuar gabimet e derisotme në legjislacionin për pronat, duke dhenë rrugëzgjidhje konform me nenin 181 të Kushtetutës, dhe kërkesave të Strasburgut.

Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese do të mbylli, kusarinë e pronave në emër të ligjit, këtë burim të korrupsionit pushtetar, të kriminalizimit të shtetit që prej vitesh po rëndon mbi popullin shqiptar.

 

Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtaret të të Shpronësuarve

“Pronësi me drejtësi”

Rrapo Hajredin Danushi

29.03.2016

Filed Under: Featured Tagged With: bujar nishani, PRONARËT FALENDEROJNË PRESIDENTIN

SHSHA NË ÇIKAGO REAGON NDAJ DEKLARTATËS TË PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË

April 2, 2015 by dgreca

…Nuk e dimë se a është në dijeni presidenti shqiptar me të dhënat aktuale të Kushtetutës në Maqedoni,ku populli shqiptar si popull i dytë shumicë me një përberje kombëtare prej 40 për qind,ende e ka shenjën e ,,barazisë,,kombëtare pakicë me pakicta tjera dhe në takimet e këtij niveli ndërshtetror Shqipëri-Maqedoini,ai kërkon nga perferia e kabintetit të tij që të ,,zbatohet Marrëveshje e Ohrit,,(!)./
Shkruan: Skënder Karaçica/
Executive Director/
Tirana zyrtare e ka bërë refren,,politik,,çështjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe mos gadishmëria e saj politike dhe diplomatike që çështjen e (pa)zgjidhur shqiptare ta shohë në dritën e ligjeve kushtetuese.Më këto të dhëna e nisë reagimin SHSHA në Çikago që ka të bëjë me takimin e presidentit shqiptar Bujar Nishani me presidentin e Maqedinisë Gjorgje Ivanov në Tiranë.Saherë që zyrtarët e shtetit shqiptar takohen me përfaqësuesit e shtetit të Maqedonisë,nuk harrojnë të përmendin Marrëveshjen e Ohrit,që sipas tyre është i vetmi ,,mekanizëm ligjor,,(sic!)që do të zgjidhë çështjen e lirive dhe të drejtave të popullit shqiptar në hapësirën e vet etnike,thuhet në reagimin e SHSHA-së.
Duke hedh dritë për aktualitetin shqiptar në Maqedini,SHSHA rithekson se nuk ka vend dhe popull në botë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë mund ti gëzojnë vetëm përmes marrëveshjeve politike e ushtarake!Atëherë pse Tirana zyrtare dhe presidenti Bujar Nishani janë kapur aq shumë në ,,kornizën ligjore,,të Marrëveshjes së Ohrit që për kohën shqiptare nuk ka asnjë vlerë juridike,politike dhe diplomatike,ngaqë edhe ata që e përgatitën MO-në nuk besoj se ju bjen nërmend se paskësh një marrëveshje që ,,garantojnë liritë dhe të drejtat e shqiptarrëve,,(sic!),thonë zëshëm në SHSHA.Nuk e dimë se a është në dijeni presidenti shqiptar me të dhënat aktuale të Kushtetutës në Maqedoni,ku populli shqiptar si popull i dytë shumicë me një përberje kombëtare prej 40 për qind,ende e ka shenjën e ,,barazisë,,kombëtare pakicë me pakicta tjera dhe në takimet e këtij niveli ndërshtetror Shqipëri-Maqedoini,ai kërkon nga perferia e kabintetit të tij që të ,,zbatohet Marrëveshje e Ohrit,,(!).
Për orët politike të aktualitetit shqiptar në Maqedoni,po i tregojmë presidentit shqiptar Bujar Nushani se ,,kornizën ligjore,,të Marrëveshjes së vdekur të Ohrit nuk e kanë në sirtarët e veta të kabinetit asnjë zyrtar të Maqedonnisë,ndërsa Tirana zyrtare në margjinat e diplomacisë për ruajtjen e barmetrit me fqinjët e thotë në formë refreni Marrëveshjen e Ohrit e harron aty ku duhet të bisedohet pozita(jo)kushtetuese e popullit shqipatar në Maqedoni që pdrejtësisht ka mbetur në kodet e ligjeve tash e njëqind vjet (vetëm)si pakicë me pakicat tjera e jo me shenjën e vertet të barazisë kombëtare të shtetndërtimit në këtë vend me një rrugë të brishtë të proceseve demokratike,thuhet në fund të këtij reagimi nga Çikago.

Filed Under: Komunitet, Opinion Tagged With: bujar nishani, SHSHA NË ÇIKAGO REAGON NDAJ DEKLARTATËS POLITIKE, Skender Karacica, TË PRESIDENTIT

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT