Nga e mori mali këtë emër?/
NGA NELSON ÇABEJ/
Një nga majat më të njohura të maleve që rrëthojnë lugnën e Drinos në rrethin e Gjirokastrës është maja e Çajupit. Duke u lartësuar ne formën e një piramide mbi vargmalin e Lunxhërisë, kjo majë arrin një lartësi prej 1530 metrash, duke zotëruar pamjen, posaçërisht në anën veriore të luginës së lumit Drino.
Si një objekt natyror gjeografik, Çajupi ka zënë një vënd të veçantë në vetëdijen dhe botën shpirtërore të banorëve të zonës e përtej saj. Ai është bërë symbol i madhështisë natyrore dhe i dlirësisë, i klimës gjallëruese dhe i ujit të ftohtë, që siç i këndon populli “nuk është ujë për të pirë, por ilaç për të sëmurë’.
Në folklorin gojor të zonës, Çajupi është rrënjosur edhe si strehë e luftëtarëve për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si strehë dhe kamp malor i çetës së Çerciz Topullit e Mihal Gramenos dhe si “jatak i Bilbil Hajdutit”. Poeti ynë kombëtar, Andon Zako, e zgjodhi emrin e këtij mali si pseudonimin (akronimin) e vet letrar. Më së fundi, Çajupi, ashtu si dhe disa maja të tjera të larta të Shqipërisë (Tomor, Gramoz, Korrab, Shkëlzen, Sharr, etj.) përdoret edhe si emër njeriu.
Ne dimë se, si një trashëgim i kulturës fillestare të përbashkët indoevropiane, ndër ilirët, si dhe popuj të tjerë indoevropianë, malet, sidomos ato me forma të theksuara ngjitëse, me majat e tyre të mbuluara me borë, janë adhuruar si perëndi (Andon Zako (Çajupi) e quante malin e Tomorit “fron i Perëndisë”). Megjithatë, nuk dimë që në folklorin lokal të jetë ruajtur deri në ditët tona ndonjë funksion mitologjik i Çajupit.
Ne nuk jemi në gjëndje ta lidhim arsyeshëm emrin e kësaj maje me ndonjë fjalë të leksikut të sotëm të shqipes për të nxjerrë kuptimin e mundshëm ose prejardhjen e vëndemrit Çajup. Kjo na detyron të kthejmë vështrimin nga faza e lashtë e gjuhës shqipe, nga ilirishtja, si një pjesëtare e familjes së gjuhëve indoevropiane.
Shqyrtimi në këtë rrafsh kronologjik ilir duket shpresëdhënës. Nga kjo pikëpamje, duket se ky vëndemër është një emër i përbërë. Forma e rikonstruktuar ilire mund të ketë qënë *skaiop, që mund të zbërthehet në *skai ‘i ndritshëm, i shkëlqyer’ + op ‘pamje, sy’, në kuptimin “pamje e ndritur, e shkëlqyer’. Përbërësi i dytë -up mund të ketë dalë nga rrënja indoeuropiane *okw ‘shoh, sy’. Shndërrimi okw> op është bërë regullisht sepse, sipas Pokornit, mutacioni k >p ndër gjuhët indoeuropiane është karakteristik vetëm për ilirishten dhe greqishten1. Në shqipen e sotme rrënja indoeuropiane okw> op ruhet, ndër të tjera ne format e së kryerës së thjeshtë pashë, pe, pamë, patë, panë2. Nga pikëpamja kuptimore kjo përputhet mirë me pamjen e shkëlqyer të malit nga Gjirokastra dhe lugina e Drinos, sidomos kur mali është i mbuluar me borë .
Evolucioni i emrit të këtij mali mund të përfytyrojet si më poshtë: Skaiop > Çaiop > Çajup. Shndërrimet sk > ç dhe o > u janë karakteristike për shqipen (kështu ka dalë fjala çerdhe nga rrënja indoeuropiane *skerdh ose çalë nga *skel).
Në mbështetje të kësaj hamendjeje vjen edhe fakti që në po këtë rajon rrënja -op- del edhe në emrat e dy maleve të tjerë, Merop dhe Aerops, që përmënden në burimet e lashta, e që mendohet se gjënden përballë njeri tjetrit në grykën e Këlcyrës në të dy anët e lumit Vjosa3.
Referimet
1. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Bern : Francke, 1959-1969.
2. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Tiranë, f. 152-153.
3. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodwell, New Bond Street, f. 385 and 389.