• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRIMO SHLLAKU MBI DEBATIN RRETH MARTIN CAMAJT DHE ERNEST KOLIQIT

July 21, 2020 by dgreca

Primo Shllaku komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit dhe shprehet se regjimi komunist shqiptar shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Me Primo Shllakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

PSE SOT DEBATI MBI FIGURËN E CAMAJT DHE KOLIQIT?

Koha e hapjes së këtij debati mbetet edhe ajo për t’u diskutue dhe për t’u hamendësue sepse metodat e plasjes së skandaleve politike të bujshme kanë qenë veçanti e kulturës “bizantine” të socializmit real shqiptar. Pra gjendej një kohë kur njerëzit e kishin mendjen tek pushimet dhe impakti do të ishte ma i vogël dhe qëllimtarët do ta kalonin ma me pak kosto “klasën”. Asht shum e vështirë të thuhet me saktësi nëse kjo kohë pa kohë e plasjes së kësaj shashke tymçe ishte nji përpjekje për matje pulsi, nji “paradhanie” për nji veprim të akademisë, apo edhe ndoshta nji “tekë” e nji njeriu që merret me arkiva sepse e ka hobby dhe i pëlqen të gjendet në mesin e fërkimeve ma të ashpra dhe të një shitstorm-i tue dëshmue edhe njifarë prirjeje të kjartë prej mazokisti. Mohimi i qëllimeve të mirëfillta studimore dhe hjedhja e temës me interpretime dhe aksiologji shpesh të pabaza dhe të paplota për të ndërtue silogjizma solide, na ka lanë të gjithëve para nji pyetje që nuk na detyron ta amnistojmë këtë hapës së kutisë së Pandorës me argumenta naivë dhe përbuzës e mospërfillës. Lidhja me një anëtar të ri të Akademisë shqiptare, e cila i mundësoi botimin tek faqja e tij “Peizazhe të fjalës” dhe pastaj replika ime e shpejtë dhe kërkimi i skjarimeve tek Akademia, më duket se i bashkuan pikat e daljeve dhe na dhanë një drejtëz që nuk premton kohë të kthjellët.

PSE SULMOHEN DHE BALTOSEN KUNDËRSHTARËT E REGJIMIT KOMUNIST? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT?

Unë nuk mendoj se asht baltosje. Baltosja asht diçka që të len gjallë dhe ti edhe mund të lahesh. Goditja ka qenë nën bel dhe asgjasuese. Tue u nisë nga ndjeshmënitë e tradicionale të alergjisë që në shoqninë shqiptare ngjall fjala “spiun”, raportet e Auron Tares kanë qenë asgjasuese në qëllimin e tyne final. Fjala “spiun” në nji mjedis të mbushun me “spiunë” të të gjithë llojeve e të të gjithë kohnave, për paradoks asht e mbetet sot e gjithë ditën nji sinonim i pushkatimit moral, por edhe fizik. Prsonalisht më duket se dikujt ose disave, mbase edhe ndonjë institucioni, i interesonte që dikush, ashtu “si për lojë” të hidhte një gur në ujë dhe aty të shkaktohej një cunami me Koliqin e Camajn si viktima të sigurta. Meqë ne shqiptarët kemi adoptue në vendin tonë prej plot 30 vjetësh një sistem demokratik të tipit europian liberal, në pikëpamje të pozicionimit ideologjik si fashizmi ashtu edhe komunizmi shihen si ekstreme që edhe empirikisht kanë tregue se janë kundër lirisë, kundër të drejtave të njeriut, pro konflikteve dhe luftës si mjet për zgjidhjen e kontradiktave etj. Pra që të dy ato skaje sollën ndër ne regjime që populli i damkos me shprehjen “mos ardhshin ma”. Pra nga pozitat e realiteteve juridike, ligjore e morale na dënojmë të gjitha praktikat e këtynë dy përvojave që shoqnia shqiptare i kaloi mbi kurriz. Po të ishte i frymëzuem demokratikisht hapësi shqiptar i kutisë së Pandorës mendoj se kjo do të ndodhte në nji paketë me të gjithë ata shkrimtarë dhe njerëz të formimit shpirtnor që kanë lanë gjurmë në të dy regjimet. Marrja vetëm me këta të dy e sidomos me Camajn që ka mbi kurriz nji Klavar mbijetese në tre katër vende ku jetoi si mërgimtar, mendoj se ka erë shqetësimesh që vijnë mbas njilloj tronditje e trandjeje hierarkish, kur ardhja e të dyve mbas nji heshtje që i bante ata të paqenë, por edhe mbaj nji fundosjeje tektonike të produktit letrar zyrtar që njifet si “letërsi e realizmit socialit”, provokoi nji bum kureshtjeje dhe mahnitjeje para vetë imanencës së veprës së tyne. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Në vitet ’30 na duket se letërsia shiptare doli nga angazhimi i saj etnocentrik dhe po orientohej drejt letërsisë bashkëkohore europiane. Me Migjenin si i shenjuem prej ekspresionizmit dhe estetikave të tij, bahet bashkë edhe Koliqi e pak ma vonë edhe Kuteli që përdorën me sukses teknikat psikanalitike në shestimet e tyne letrare dhe në zbërthimin e personazheve të tyne. Kjo metodë avangardiste e Europës së atëhershme përdorej gjërësisht nga Cvajgu, Andre Zhidi, Strindbergu, Pirandelo etj. Pra na duket se lajmi i mirë ishte se në atë periudhe letrat shqipe e braktisën romantizmin anakronik që lidhej me vonesat e zhvillimeve tona kombëtare dhe shtetnore dhe letërsia e jonë po vehej për hap me letërsinë e kryesinës europiane. Kurse Camaj asht diçka tjetër. Për shkakun se ai u zhvillue si letrar mbas fillimit të viteve ’50, arti poetik dhe letrar në përgjithësi asht edhe ma i avancuem. Poezia e tij asht nji poezi esencialiste dhe në dukje mjaft e ngjashme me hermetizmin italian. Por unë nuk mendoj se ajo asht hermetike në kuptimin e hermetizmit italian. Ndoshta teknikat i ka, por ajo mbetet nji poezi e qenies njerëzore dhe shoqnore në rrethana të zakonshme dhe kritike. Pra tek Camaj kemi të bajmë pothuejse kudo me të zakonshmen kritike, gja që i jep asaj nji ngarkesë të madhe emocionale dhe kudo zbulon magjinë e thanies përgjysëm të vegimeve dhe të depozitave të kujtesës. Shuemja e kujtesës tek Camaj dhe përpjekja për ta rigjallnue e për ta konservue atë përmes aktit letrar estetik, i jep poetit pamjen e trishtë të nji vorri të pazakontë ku vorroset kujtesa e vendlindjes, përkatësisht e atdheut. Poezia e tij asht kriza e madhe ekzistenciale e tij me nanën e vet dhe ma vonë me mëmëdheun e vet. Në hapësirën midis këtyne dy elementave homogjenë ndehet pjesa ma delikate dhe ma artprodhuese e ekzistencës së tij.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË? 

Asnji hapje arkivash dhe asnji dalje në dritë e të vërtetave nuk e damton shoqninë. Shoqnia jonë ka marrë me vete dhe mbi vete të gjithë barrën e mëkatit që u prodhue nga regjimi komunist. Ka mendime që thonë se asnji pushtue i huej nuk do t’ia bante nji populli tjetër atë që i bani komunizmi shqiptar shoqnisë së tij. Në planin moral – sepse ai na ka mbetë me diskutue tashti – regjimi komunist shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Ai synoi dhe në nji masë të madhe ia arriti që të moralisht të mos lente njeri në kambë. Na kemi nevojë për nji filozofi të re kombëtare që ta shëndoshë atmosferën mbi bazën e nji ngritjeje substanciale të mirëqenies dhe forcimit të pavarësisë së individit. Na kemi nevojë t’i çojmë ma larg kufijtë  pranimit shoqnor e qytetar dhe jo të bajmë operacione selektive që synojnë zgjatjen sa të jetë e mundun të raporteve hegjemioniste, të cilat pengojnë dhe sabotojnë kthimin e ekuilibrave mbrendakombëtarë. Mitet janë aty për t’u sulmue dhe substancat e forta janë prapë aty për t’u qëndrue sulmeve. Por unë nuk mendoj se Koliqi e Camaj patën kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të arritë në nivele mitesh. Ata nuk i mitizoi askush. Madje u futën gati-gati si fshehtazi ne fushën e vëmendjes së lexuesit shqiptar, nuk patën asnji ceremonial ardhjeje e nuk gjetën asnji horizont pritjeje. Ata erdhën si “të rinj” gati-gati si autorë që po shfaqeshin në premierë, në nji kohë që kishin ma se katër herë dhjetëvjeçarë si debutim letrar. Pra mahnitjen dhe admirimin e fituem me anë të tekstit e të mos e marrim si mitifikim. Katër pesë libra janë shkrue për Camajn, po aq edhe për Koliqin. Mitifikue janë Kadareja, Agolli, Arapi etj, por miti i tyne natyral i ngritun nga aparati shtetnor i shtetit komunist ra bashkë me konsideratat e tij për veten. Këtë fat e pësuen edhe emnat e masipërm të cilët pritet vërtet të çmitizohen, të reduktohen në vlerat e tynë esenciale pa asnji atribut mesianik ose teokratik të tyne. Akademia e Shkencave duhet t’u prijë punëve shkencore dhe t’i koordinojë ato me detyrën e studimit të rreptë dhe serioz. Në kushte të tilla hapja e botimi i faksimileve të Tares do të mbetej nji ngjarje që pakkush do ta merrte vesh. Por kur Akademia hesht ose jep përgjigje me tekste si letra bakalli, atëherë fenomeni Tare arrin ta shqetësojë atë pjesë të opinionit publik, i cili e shef këtë institucion në bisht të punëve, madje edhe me produkte shpesh të kontestueshme për periudha të gjata që nuk kanë sjellë asnji harmonizim me dijet që nuk prodhohen detyrimisht mbrenda mureve të Akademisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Camaj & Koliqi, Debati, Primo Shllaku

Auron Tare: Provat për Martin Camajn si agjent i UDB-së, do i marr kur të hapen dosjet e Beogradit-Pjesa 2

July 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/

Një ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave në të ashtuquajturin “studim”,  “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku.  Në atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.  Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare? Mbrëmë në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s, Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra.  “Ti nuk ke ndonjë dokument  të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e pyet Nano.  Tare: “Po, kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë  intervista në programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.  Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe “kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të drejtë për ato që pretendon.  Ata që mund ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare.  Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares çdo 2-3 minuta me Nano-n, “Jemi dakort?”, duke  u siguruar për miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte.  Tare as nuk e lejonte Nanon të bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të balanconte pak intervistën  ndaj deklaratave  absurde, por Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste.  Një propagandë  aq e fëlliqët, sa edhe neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit shqiptarë. Është e qartë se me këto pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara  dhe të përhapjes së urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje  midis nesh për 50-vjet komunizëm  dhe  30-vjet të ashtuquajtur  post-komunizëm, megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po ta krahasosh me periudhën e Enver Hoxhës.  Shpresoj që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur dhe të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares dhe portalit  “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës. Diçka nuk është në rregull me botën shqiptare sot.  Kohë më parë ishte rasti i dyshimeve për identitetin e familjes së  Gjergj Kastriotit Skënderbeut,  pastaj pikëpyetjet mbi identitetin  e Nënë Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.  Pas tyre kush e ka radhën?  Fishta?  Konica?  Klerikë të dalluar katolikë, si individë dhe si grup?  A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste dhe kush mund të fshihet pas tyre?  Pse u turren njerëzve më të dalluar të këtij Kombi, me shpifje e mundohen për t’i paraqesin  në dritën më të keqe që është e mundur?  Cila dorë e huaj  ka gisht këtu dhe pse tani në këtë kohë?  Në interes të kujt është që të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët bëjnë punën e të huajve në këtë mes?  Nuk është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve anë e mbanë trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania? Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj situate? Ku është qeveria dhe organet shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e vërtetë të Kombit? Mos vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar  të shkruhet dhe të interpretohet nga aparatçikët dhe nostalgjikët e një sistemi të kaluar, shpifës dhe urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit.  Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit, mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve?  Kush i mbron interesat dhe identitetin kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan, pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare. Ndryshe nga akuzat shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptarë si Maritin Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”. Martin Camaj i bën thirrje sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e meritot këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos përhapë shqipfje dhe urrejte midis shqiptarëve:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike, personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia  “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe  urrejtjeje dhe shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda. Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Përkundrazi, është shprehur Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare. Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit  të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail Kadareja, një person,  “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë Kadare. Katrahura, të cilës i referohet Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare” , siç pohon edhe  “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale — është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera.Me gjithë këto përvoja të këqija personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij. Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se prapë nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli. Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë , ku edhe u anëtarësua në radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991.  Duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”.Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim për të, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin 1992. Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët  tu,  për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat.  “Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.  Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë tonë dhe banorët e  saj, por ama, mbi të gjitha, si individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike,  shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një gjaku, kjo është pafalshme dhe anti-kombëtare. Megjithëkëtë, si një bashkkombas me origjinë nga ato male të Shqipërisë nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me të në fisnikërinë e lashtë të malësorëve, duke bërë thrirje, para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”! Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes!”

Filed Under: Politike Tagged With: Auron Tare, Camaj & Koliqi, Frank shkreli, UDB

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT