Nga Shefqet Kërcelli/Kapiteni i lavdishëm i kombëtares sonë do të nderohet nga Federata Shqiptare e Futbollit me një ceremoni zyrtare lamtumire, përpara ndeshjes Shqipëri-Itali, më 9 tetor.
Ka kaluar më shumë se një vit që nga momenti kur Lorik Cana i dha lamtumirën Kombëtares shqiptare të futbollit dhe më në fund, ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare do të nderohet me ceremoninë që meriton para tifozëve.
Ndonëse ish-mbrojtësi i kombëtares ka qenë i pranishëm në stadium thuajse në çdo ndeshje që ka luajtur ekipi ynë kombëtar gjatë këtyre eliminatoreve, ai dhe FSHF nuk kishin arritur që të organizonin ceremoninë e lamtumirës, kështu që kjo ceremoni do zhvillohet në stadiumin “Loro Borici”, Shkodër më 9 tetor 2017.
Ndërkohë në një prononcim për Radio Romën këto ditë, Lorik Cana refuzoi ofertën e Lazios, duke shprehur ambicjen dhe dëshirën e tij për të drejtuar kombëtaren. Lazio është në një situatë emergjente në repartin e mbrojtjes, pas dëmtimit të disa futbollistëve dhe drejtuesit po mendojnë të ndërhyjnë sa më shpejt për t’i lehtësuar punën trajnerit Inzaghi.
Futbollistët pa kontratë janë mundësia e vetme, me të cilët mund të nënshkruash menjëherë, pa pritur janarin dhe emri i Lorik Canës filloi të qarkullojë gjatë ditës. Mediat italiane e paraqitën si një mundësi reale, rikthimin e ish kapitenit të kombëtares shqiptare, tek Lazio, ekip ku luajti për katër sezone, në vitet 2011-2015. Por vetë Cana, duke folur për Radio Romën, mohoi çdo mundësi të rikthimit në futbollin e luajtur dhe tregoi planet e tij për të ardhmen.
“Nuk rikthehem të luaj më. E kam lënë futbollin që pas përfundimit të europianit dhe tani kam projekte të tjera. Aktualisht po drejtoj një organizatë për promovimin e sportit në Shqipëri dhe njëkohësisht po ndjek kualifikimet për trajner. Do të më pëlqente të drejtoja kombëtaren, por nuk është në planet e mia afatshkurtra”, u shpreh legjenda e kombëtares kuqezi.
Theksojmë se Lorik Cana mbetet jo vetëm një legjendë e kombëtares sonë si futbollist profesionist, por ai është dhe një njeri, familjar e qytetar i devotshëm, studjues i historisë së popullit shqiptar dhe dashamirës i detit. Madje, Ai ka disa vite që ka në pronësi një skaf të vetin me të cilin viziton portet dhe bregdetin shqiptar, duke provuar se është jo vetëm një kapiten i mirë në fushën e blertë por dhe kapiten në det.