Rrënjët historike të shqiptarëve, në vështrimin e studiuesit Kujtim Mateli –
-Pak fjalë rreth librit të tij: “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë”-
Nga Gëzim Voda–
Po e them që në krye se, çka shkruhet në vijim nuk janë të një specialisti, por vlerësime të një lexuesi të vëmendshëm i disa botimeve të këtij autori, për rrënjët tona nga lashtësia. Për brendinë e tij, mendoj se do të ishte me interes të flisnin institucione dhe studiues të kësaj fushe. Duke thënë këtë, gjykoj se historianët me ato që paraqesin, nuk shkruajnë thjesht për vete e as për njeri-tjetrin, po në radhë të parë për shtresat e gjera të shoqërisë, se në fund të fundit, ata kushdo qofshin nuk bëjnë histori, por shkruajnë historinë. Shkruajnë e dokumentojnë ato ngjarje e bëma të kategorive të ndryshme njerëzore në kohë të caktuara, që brezave pasardhës t’u jepet jo vetëm mundësia për njohje, respektim, dhe nxjerrje mësime prej saj, po dhe e drejta të thonë sa munden mendimet përkatëse për çka u sërviret.
Si një ndër ta, do të thosha se për ato çfarë Kujtim Mateli ka parqitur në botimin e lartpërmendur, apo dhe në botime të tjera në dekadën e fundit për rrënjët tona nga lashtësia, meriton të merret në konsideratë pa paragjykim. E them këtë, jo vetëm për produktin dobiprurës që ky libër bart për lexuesin, bazuar tek autorë të shquar të lashtësisë, po dhe për shërbimin e tij me sens kombëtar; kritikën konstruktive rreth disa qëndrimeve të mangëta të institucioneve tona akademike e studiues të caktuar të tyre ndër vite për këtë çështje. Ata, sipas analizës që bën autori, kanë lënë boshllëqe ose moskonsekuencë në disa përfundime jo aq të qarta për prejardhjen tonë të lashtë, të cilat i kanë kushtuar dhe po i kushtojnë çështjes shqiptare dhe kufijve tanë historikë.
Kujtim Mateli, i lindur në trevën e Përmetit dhe banues në Tiranë, ka kryer studimet e larta për gjuhë- letërsi 30 vite më parë dhe është zotëruesi i tri gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht e greqisht), si dhe autor i disa botimeve poetike dhe historike. Ai nuk është ndër ata shkrues që shpesh preferojmë t’i quajmë “historian i mirëfilltë”, “specialist i fushës”, ose “emërmadh”, as pjesë e ndonjë institucioni shkencor shqiptar. Kujtimi është një intelektual punëmadh e i pavarur, i prirur në kërkimet historike siç mund të bëjë çdo qytetar me ndjeshmëri i këtij vendi, me bindjen se nuk është vetëm arsimimi specifik që i jep vlerë dikujt, por dhe puna me përkushtim për një çështje të caktuar. Këtij njeriu, pikërisht ky motiv nuk i mungon
Falë pasionit të tij për historinë e antikitetit dhe rrënjët e hershme të shqiptarizmit, ai në këtë dhjetëvjeçar ka realizuar studime të thelluara për prejardhjen tonë si komb duke botuar dy vëllime për Dodonën, tempullin e lashtë pellazg (2011 dhe 2016), përmes të cilëve jep një paraqitje të plotë historike për të, duke e vënë në diskutim vendodhjen e sotme të saj afër Janinës dhe konsiderimin e saj padrejtësisht helene (siç bëjnë qarqe të caktuara greke), dhe e sjell atë brenda territorit shqiptar, sikurse është dhe përkatësia e saj nga hershmëria. Një studimi tillë, siç del, i ka munguar institucionalisht historiografisë shqiptare dhe çuditërisht, për xhelozi apo mosdashje të qëllimshme, vazhdon të mos merret në konsideratë nga institucionet përkatëse të vendit tonë. A thua se, autori në fjalë nuk i shërben kombit të vet me këtë studim, por dikujt tjetër. Ndërkohë, ai është autor i mjaft artikujve në shtypin e shkruar dhe i disa intervistave në median vizive, kryesisht për këtë fushë. Në marsin e këtij viti, ai i dha publikut edhe botimin e sipërcituar: “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë”, një libër analitik i kompletuar me referenca nga autorë të antikitetit dhe të kohëve të reja, të huaj e vendas. Botimi në fjalë, me mënyrën si është shkruar dhe se si janë thënë gjërat prej tij, në gjykimin tim përbën interes për cilindo shqiptar që kërkon t’i thellojë njohuritë e tij në këtë aspekt. Sigurisht edhe për institucionet tona shkencore. Libri është tërheqës dhe i këndshëm në lexim, por edhe bindës për argumentet që gjenden aty, të cilat nuk janë të stisura subjektivisht nga egoizmi individual, etja për famë, interesi material, apo tendenca “shqiptaromadhe” (siç na akuzojnë disa), por të bazuara në të vërteta historike. Ai, përshkohet nga disa esè historike dhe analiza poetike në funksion të lashtësisë, duke e bërë librin sa historik aq edhe artistik, prej të cilit merr diçka që mund ta kesh të turbullt ose të ka munguar më parë. Si i tillë, ky punim ia shton vlerat historiografisë objektive të këtij vendi. Cilido që e shfleton atë, kam bindjen se bëhet sa krenar për prejardhjen e tij iliro- pellazge, aq dhe i trishtuar, kur mëson si i janë “kafshuar” trojet e veta padrejtësisht nga të tjerët dhe si kanë heshtur e heshtin, me ose pa dashje, mjaft historianë, arkeologë, etnografë, gjuhëtarë e gjeografë shqiptarë, deri dhe institucione të këtij vendi për t’u ballafaquar me disa të vërteta që gjenden në dokumente dhe përcaktime historianësh e studiuesish nga antikiteti, si dhe për t’i mbrojtur me dinjitet ato, që kufijtë historikë të shqiptarëve të kenë emrin e vërtetë, e që në gjuhën e thjeshtë,“haka të mbetej tek i zoti”.
Ajo çka e dominon përmbajtjen e këtij botimi dhe shqetësimin kryesor të autorit, është shtrëmbërimi dhe mohimi i prejardhjes reale të shqiptarëve në shekuj dhe tjetërsimi arbitrarisht i kufijve të tyre historikë prej fqinjëve veriorë e jugorë, si dhe inferioriteti dhe pazotësia e insititucioneve tona shkencore për t`i mbrojtur të vërtetat në favor të kombit të tyre.Sa më sipër, autori mes të tjerëve i referohet Strabonit (autor i viteve para dhe pas lindjes së Krishtit), sipas të cilit: “Në jug të Danubit janë vendosur Ilirët dhe Thrakët dhe përzier me ta janë dhe disa fise kelte, deri në kufijt e Greqisë”. Siç shihet, paraardhësit tanë arrinin deri në Danub dhe nuk flitet për fise sllave në atë periudhë. “Sllavët,- siç ka shkruar në një botim të tij të vitit 1990 studiuesi i mirënjohur kroat Aleksandër Stipçeviç ( i referuar në këtë libër),- kanë ardhur në viset perëndimore të Ballkanit në shekullin e 6-të e të 7-të dhe gjetën një popullsi mjaft të madhe të vjetër vendase të paromanizuar dhe gjysmë të romanizuar, e cila ishte tërhequr sëpari para romakëve, e madje edhe para popujve barbarë në viset të cilat vështirë se shkriheshin”.Më tej ai tregon se,“Sllavët gjatë shekujve u asimiluan me ta dhe në entitetin e tyre popullor ruajtën gjurmë të ilirëve të vjetër. Këto gjurmë-vazhdon ai,- janë të shumta veçanërisht në disa vise të largëta të Bosnjës, Hercegovinës,Zagorës Dalmatine,Malit të Zi dhe të tjera dhe na duket se nuk është larg së vërtetës se elementi i vjetër vendas ilir kishte rol shumë të rëdësishëm në formimin e veçorive kolturore, trupore dhe psikike, të popullatës sllave që joton sot në ato vise”.
Për rrënjët e hershme shqiptare në këtë pjesë të Ballkanit, autori sjell edhe një fakt tjetër interesant, ndonëse ka të bëjë me një bisedë mes dy burra shteti. Në një vizitë që Kardeli (numri dy i ish Jugosllavisë së Titos), po bënte në Moskë në prill të vitit 1947, pyetjes së Stalinit rreth origjinës së shqiptarëve, i është përgjigjur shprehimisht: “Ata janë pasardhës të Ilirëve”. Ndërsa ish ministri i jashtëm jugosllav S. Simiç, prezent në atë bisedë, shton:“Ka të dhëna se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita”është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim”. Madje në këtë bisedë është pranuar nga të dy bashkëfolësit (Stalini e Kardeli), “se ata (d.m.th shqiptarët, G.V.), janë si puna e baskëve”, që do të thoshte se pranohej prej tyre si dy popujt më të vjetër të Europës. Pohimi në fjalë, sikurse thotë autori, mbështetej në dëshmi të kohëve parahomerike që vërteton se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve. Dhe kur këtë e thonë dy autoritete jo dokudo të shtetit jugosllav të asaj kohe, nuk ka se si të mos besohet. Çdokush, në të njëjtat pozita si ata, nuk do të pranonte kurrë të ulte vlerat e kombit të vet para një kombi tjetër, aq më shumë në një pohim që nuk imponohej nga askush.
Ca më tepër shtrembërime të trashëgimisë sonë iliro-pellazge dokumentohen në trojet jugore, në atë që është quajtur “Shqipëria e Poshtme” ose “Epiri Antik”. Kujtim Mateli, siç del në këtë botim, nuk ka patur nevojë të hamendësojë rreth të vërtetave historike, kur ato i thonë qartazi mjaft prej historianëve dhe gjeografëve të antikitetit si: Efori, Eskili, Polibi, Straboni, Herodoti, Skylakis, Apiani, Stefan Bizatini, Zoto Mollosi, etj, të cilët pohojnë se teritori që quhej “Epir” (i cili mbas pushtimt romak u quajt “Iliri”), ishte i banuar nga fise të vjetra “të lindur nga dheu” duke i quajtur, “pellazgë”. Sipas tyre, kjo popullsi kish entitetin e vet, gjuhën e vet, territorin e vet, si dhe adhurimin e vet për Hyjnitë, ndryshe nga helenët.
Autori na e bën të qartë se ata kishin qytetërim të lashtë me kryeqendër Dodonën, faltoren e shenjtëruar prej tyre, e cila edhe pse ishte pellazge dhe në teritore që u përkiste epirotëve, adhurohej si faltore edhe prej helenëve, sidomos kur ata ende nuk e kishin krijuar faltoren e tyre në Delf. Popullsia në fjalë ndryshe nga helenët, kish të shenjtëruar dheun, lisin dhe gurin, dukuri që janë trashëguar nga shekujt deri në ditët tona, ku ende në zona të ndryshme, shqiptarët edhe sot betohen “për këtë dhè” e “për atë gur”, ose kur thonë, “burrë dheu”, “i dalë nga dheu”, “ka dalë nga guri”,etj. Ndërkohë, që shumë lisa, sidomos në zonat jugore të Shqipërisë si: Përmeti, Skrapari, Berati, Tepelena, Gjirokastra etj, ashtu siç quheshin “të shenjtë” në kohën e Dodonës, janë konsideruar të tillë deri në ditët e sotme, duke i ruajtur dhe respektuar nga njerëzit, pa vënë dorë mbi ta. Ndër më të vjëtrit e më të mëdhejt prej tyre ka qënë e është “Lisi i Brahos” në Çorrogunj të Dëshnicës (Përmet), në krye të kodrës më domionuese mes 7 fshatrave që janë rrëzë malit të Trebeshinës, i cili po venitet pa u trazuar nga askush. Një trashëgimi e riteve pellazge që nuk gjendet gjetkë. Edhe shenjtërimi i Malit të Tomorit, me këto rite ka lidhje.
Në libër rrëfehet se epirotët pellazgë, ndryshe nga helenët që kishin si perëndi Zeusin dhe Herën, kishin perënditë e tyre, Di (Dia) dhe Dionën, emra që u shkojnë saktësisht fjalëve të sotme të gjuhës shqipe: “di, dije, dijetar, dituri, dijeni”. Janë po këta njerëz të shquar të lashtësisë që tregojnë se helenët (grekët e sotëm), në atë periudhë kohore shtriheshin në jug të Ambrakisë dhe teritoret më veriore të tyre në kufi me jugun e epirotëve, ishin ato që banoheshin nga akarnanët, etolët, lokridasit dhe ozolët. Deri aty jepet nga lashtësia edhe kufiri i sipërm helenik. Në libër citohet Eskili, icili në tragjedinë e shkruar prej tij, “Lutëset”, perifrazon thënien e Pellazgut, mbret i Argolindës (në Peloponezin e sotëm, G.V), kur ai i thotë Danaut dhe 50 vajzave të tij të ardhur nga Egjypti, të cilat kundërshtonin martesat me kushërinjtë e tyre të afërt: “Merak mos ki e fol pa ndrojtje. Përpara teje ndodhet Pellazgu zot i vendit, i biri i Palektonit, të lindurit nga dheu. Prej meje, sundimtarit e mori atë emër dhe fisi i pellazgëve që rron në këtë truall. E tërë kjo krahinë, ku rrjedh Strimoni i shenjtë (lumë që derdhet në lindje të gjirit të Selanikut, G.V.), gjer tej ku perëndon (d.m.th në detin Jon, G.V.), veç mua më përket. Pushteti im arrin te trojet e perrebëve, tej viseve të Pindit gjer pranë Peonisë, mbi malet e Dodonës…Ja vendi ku sundoj”. Dhe kur përmënden perrebët dhe malet e Dodonës, mëndja të shkon pikërisht gjer në luginën e lumit Vjosa dhe malin e Trebeshinës, sepse gjer aty shtrihen kufijt veriorë të Epirit antik. Më qartë zor se e gjen kush ishin pellazgët dhe deri ku shtriheshin trojet e tyre. Dhe të mos harrojmë se Eskili ishte helen.
Tërësia e referimeve të Kujtim Matelit ndaj autorëve të lashtësisë apo dhe ndaj të tjerëve më pas, të cilët flasin për hershmërinë e paraardhësve tanë dhe njëherazi trashëguesit e kësaj historie që vjen deri në ditën tona, është jo vetëm e mjaftueshme në numër për t’u besuar, por edhe e pakundërshtueshme. Ata që i kanë kundërshtuar dhe shtrëmbëruar qëllimisht e me ligësi, janë akademitë respektive në Beograd e Athinë, të cilat jo se nuk e dinë realitetin, por të shtyrë nga megallomania për t’i atribuar vetes të qënurit “komb dominues” dhe nënçmuar banorët iliro-pellazgë që nuk kishin asnjë lidhje me ta në hershmëri, kanë braktisur të vërtetat, sigurisht të ndikuara edhe politikisht.
Kësisoj, Akademia e Athinës në vitin 1977 i paraqiti opinionit vendas e të huaj botimin me titull, ”Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek”, përmes të cilit, sikurse thotë autori,”…në kundërshtim me të gjitha burimet historike kërkon ta paraqesë Shqipërinë e Poshtme në emërtimin e saj antik si “Epir”, ku sipas saj ka patur një qytetërim helen 4 mijë vjeçar…”. Në vazhdim ai thotë se, “Epiri Antik (ose Shqipëria e Poshtme), nuk kanë qenë kurrë helene e që helenët nuk kanë patur kurrë të përbashkët me epirotet dhe ilirët, as etninë e as faltoren e Dodonës”. Autori na kujton se qëllimi i Akademisë greke ka qënë e është të shkurtojë kohën e prejardhjes së shqiptarëve, të zhbëjë identitetin e tyre të lashtë, vetëm duke mos i përfillur e shtrëmbëruar burimet e shumta historike nga antikiteti që vërtetojnë të kundërtën e pohimit grek. Ky shtrëmbërim është i dukshëm edhe për identitetin e faltores së Dodonës, e cila edhe pse ishte në territorin e epirotëve dhe u përkiste atyre, ajo padrejtësisht konsidrerohet helene. Mirëpo autori të bind kur thotë: “Nëse heleneët e kanë adhuruar Dodonën, nuk do të thotë se helenët janë zotëruesit e saj”. Dhe bje si shëmbull Jeruzalemin, i cili ndonse respektohet dhe adhurohet nga gjithë bota Krishtere, ai nuk zotërohet prej tyre, por prej banorëve që e kanë në teritorin e vet. Me një fjalë, është tjetër gjë adhurimi dhe tjetër gjë zotërimi. Në rastin konkret, Dodona, nuk del të ketë qënë kurrë nën zotërimin helen. Dhe për këtë Mateli bje një fakt mjaft domethënës që daton vitin 333 para erës së re. Flitet për tentativën e athinasve për ta përvetësuar orakullin dhe tempullin e Dodonës, duke përfituar nga vrasja në luftë e Aleksandrit, mbretit të Epirit që ishte vëllai i Olimbisë nga mollosët epirotë (nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë), e cila në mungesë të vëllait konsiderohej Mbretëreshë e Epirit, e që nëpërmjet delegatëve të saj u kujton athinasve se: “…nuk mund të bënin asnjë veprim, pasi tempulli i Dodonës ishte në zotërimin e saj dhe askush nuk mund të vinte dorë mbi të”. Siç shihet, as Olimbia, e as tempulli i Dodonës, nuk ishin me etni helene, por me etni pellazge. E ndërsa ka ndodhur kështu, autori ngre me të drejtë shqetësimin për institucionet tona shkencore (Akademinë e Shkencave dhe Akademia e Studimeve Albanologjike), të cilët nuk kanë marrë guximin t’i kundërshtojnë me fakte dhe konsekuencë perfundimet djallëzore të Akademisë së Athinës, duke lënë hapësirë të lirë që shtrëmbërime të tilla të merren si të vërteta historike edhe ndërkombëtarisht. Autori, e konsideron “gabim fatal” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë faktin që i quan pellazgët si “popullsi parailire”, që u shkon përshtat edhe grekëve, të cilët i quajnë pellazgët “popullsi parahelene”, duke paragjykuar kështu autorët e antikitetit, të cilët i quanin pellazgët “të lindur prej vetë dheut”. Po ashtu, del se është pranuar prej këtyre institucioneve shqiptare se ardhja e shqiptarëve në këto troje, daton 1000 vjet më pas nga ajo helene, duke pranuar arbitrarisht tezën greke! Kujtim Mateli, mban qëndrim kritik ndaj akademikëve shqiptarë edhe për një fakt tjetër. Ata, ndonëse e pranojnë Epirin Antik si truall i mbajtur nga shqiptarët, për Dodonën nuk shkruajnë asnjë rresht, nuk merren fare me përkatësinë e saj shqiptare. Në një farë mënyre i mohojnë etninë. Dhe duke e lënë në heshtje këtë fakt, lënë shteg që Dodona të jetë e tjetërkujt, në rastin konkret e grekëve, ndërkohë që autori na kujton se përkatësia etnike e Dodonës përcakton edhe përkatësinë etnike të Epirit. Kësisoj, e vërteta e trashëgimisë sonë historike, mund të thuhet se mbetet peng i paaftësisë së tyre shkencore, në mos i një flirti të mundshëm të tyre me palën greke. “Bota shkencore,- thotë Kujtimi,-nuk mund të pranojë që Epiri Antik të ketë qënë shqiptar, kurse Dodona antike të ketë qenë helene. Ato shkojnë bashkë me njëra-tjetrën, sepse njeriu i antikitetit nderonte perënditë e veta dhe Dodona që çmohej si kryeqendra e Hyjnive pellazge, ishte flamuri që bashkonte fiset pellazgo-ilire”.Që këtej del se, përderisa bota shkencore e ndikuar nga studiuesit grekë e njeh Epirin si truall të zënë nga helenët, vetiu pretendohet helene si faltorja e Dodonës edhe etnia e saj. Mirëpo ky fakt, nuk i bën përshtypje Akademisë sonë të Shkencave, përderisa një nga njerëzit kryesorë të saj që mban titullin “Profesor”, pak vite më parë ka thënë tekstualisht: “ Dodona është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikpamje etnike.” (Gazeta Shqiptaria.com, datë 19 prill 2012). Sipas kësaj deklarate, akademiku në fjalë ua bën peshqesh me dëshirë Dodonën grekëve. Shërbim më të qartë për qarqet greke, zor se gjen, të cilët pikërisht duke përvetësuar etninë e Dodonës, atë çështje që nuk i qederos shumë “Profesorët” tanë, bëjnë të tyre edhe Epirin. Nga lajthitje të tilla allashqiptare, s’ka se si të mos u jepet krah qarqeve të caktuara greke të mbajnë ndezur “megalidenë” e tyre, e lindur më 1844, për t’u bërë “zotërues”të pa padrejtë jo vetëm të tempullit të Dodonës, por edhe të Shqipërisë së Poshtme, Epirit Antik. Madje të pretendojnë deri pjesë të Shqipërisë së sotme jugore. Masakrat greke në jugun e këtij vendi më 1913-1914, apo mos heqia e Ligjit të Luftës për shkak të përplasjes italo-greke më 1940-1941 në teritorin shqiptar dhe provokacionete gushtit 1949 etj, nga idetë megallomane të tyre janë nxitur, nga Hellada e pretenduar “E madhe”. Nga që nuk kemi mundur t’i bindim dot të tjerët me të vërtetën e prejardhjes sonë të lashtë, ndaj kemi edhe këta kufij të 1913-ës, ndaj shqiptarët në Ballkan ndodhen të ndarë në 6 shtete! A nuk duhet thënë kjo e vërtetë?!
Autori hedh dritë edhe rreth manshtrimit të madh grek për caktimin artificialisht të vendndodhjes së deritanishme të Dodonës,e cila nuk përmbush mjaft nga përcaktimet që i kanë bërë asaj autorë të antikitetit, të cilat ia vlen të shihen me vëmëndje në këtë botim. Aty gjenden jo vetëm shtrëmbërimet e qëllimshme të pseudoarkeologut grek Konstandin Karapanos, i cili me mënyrën e vet bëri “bekimin shkencor” të saj, përmes dy francezëve filogrekë në Akademinë e Francës në vitin 1878, por gjendet edhe “argumenti” i habitshëm (madje edhe qesharak), i po të njëjtit “Profesori” të cituar më lart. Ai, subjektivisht, madje pa pranuar ta lexojë botimin studimor të Kujtim Matelit në vitin 2011, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, kundërshton këtë autor që hedh poshtë pretendimet e Karapanos që e ka vendosur Dodonën në Carakovistë të Janinës, duke thënë fjalë për fjalë: “Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismalil Qemali….”, çka shkruhet po në gazetën e asaj date që përmëndet më lart. Sa thuhet, është një spekullim foshnjarak, sepse Ismail Qemali, si ish shok klase me Karapanos në Zozime të Janinës vite të shkuara, vetëm sa i kish sygjeruar atij për gërmime atje, por jo se e dinte apo e kish parë vërtetë Dodonën në atë vend. Vetëm kaq. Edhe sikur të ishte e saktë vendndodhja e Dodonës atje, po etnia e vërtetë e saj kush është? Profesori i lartthënë, e di dhe nuk dëshiron ta thotë, apo nuk e di fare?! Pikërisht, kësaj çështje i shkohet anash, deri me heshtje të dyshimtë. Gjykimet sipërfaqësore të këtij lloji, jo vetëm përgojojnë padrejtësisht një burrë shteti si Ismail Qemali, por u kanë dhënë shkas grekëve ta pretendojnë helene si Epirin, edhe tempullin e Dodonës. Ndaj, do të qe më mirë heshtja, se sa një justifikim i stisur.
Ndërkohë, autori flet për një tjetër të vërtetë të hidhur, që asnjëherë akademikët shqiptarë nuk kanë organizuar një tryezë mbarëshqiptare me studiues të fushave më kompetente për përkatësinë etnike dhe kufijtë historikë të shqiptarëve nga lashtësia, nuk kanë organizuar asnjë simpozium apo konferencë shkencore të nivelit të lartë për këtë çështje ku duhej përfshirë edhe diskutimi për të vërtetën rreth Dodonës. Kujtim Mateli, përmes analizës që bën, sugjeron se një gjë e tillë duhet bërë sa nuk është vonë, që Europa të na vlerësojë jo me histori gjysmake, por ashtu sikurse e meritojmë, siç e dëshmon historia e lashtësisë. Autori e mbyll librin jo me mllef, por duke qënë i matur, luajal dhe i vërtetë. Ai, ndër të tjera shtron çështjen se shqiptarët duhet të marin atë që u takon nga historia, pa ua mohuar të tjerëve çfarë u takon prej saj.
Tiranë, korrik 2020